ATV

Blog

  • Ambasadori Hovenier viziton kampin Notting Hill në veri të Kosovës

    Ambasadori Hovenier viziton kampin Notting Hill në veri të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka takuar sot personelin amerikan të dislokuar me Komandën Rajonale në Lindje të Misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Kampin Notting Hill.

    Ai shoqërohej nga Komandanti Rajonal i KFOR-it-Lindje, Kol. Jason Baker, i cili e informoi atë për kontributin e SHBA-së në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

    Baket e ka quajtur këtë një takim produktiv.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), reaguesi i parë dhe i dytë, respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, theksohet në komunikatën e KFOR-it.

  • Vazhdon aksioni i komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave publike

    Vazhdon aksioni i komunës së Prishtinës për lirimin e hapësirave publike

    Inspektorati i Kryeqytetit edhe gjatë së shtunës ka vazhduar me aksion për lirimin e hapësirave publike që ishin uzurpuar dhe po shfrytëzoheshin si pjesë e lokaleve në zona të ndryshme.

    “Një tjetër ndërprerje dhe ndërhyrje nga ana e Inspektoratit të Kryeqytetit ndaj punimeve ilegale në hapësirë publike në qendër të kryeqytetit – Rruga Fehmi Agani”, ka shkruar drejtori i Inspektoriatit Florian Dushi.

  • Qentë endacakë në Prishtinë, një krizë e pazgjidhur nga Komuna e Prishtinës

    Qentë endacakë në Prishtinë, një krizë e pazgjidhur nga Komuna e Prishtinës

    Ani pse Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po dhuron nga 50 euro në muaj për çdo adoptim të qenve endacak, problemi me qentë endacakë vijon të jetë i pazgjidhur. Qytetarët ende nuk kanë sigurinë që të lëvizin lirshëm nga qentë endacak të cilët ndodhen pothuajse në çdo lagje e rrugë të kryeqytetit.

    Deri më tani, miliona euro janë shpenzuar për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, duke krijuar 23 pika ushqyese për strehimin e tyre, blerjen e çipave pas dyshimeve që qentë po vinë nga komuna të tjera, strehimoreve të shumta të premtuara nga çdo kryetar e kryeministër që ka qenë, prapë se prapë ky shihet si proces i dështuar, kjo pasi Policia e Kosovës ka njoftuar KosovaPress-in, se gjatë vitit 2023 numri i sulmeve ndaj viktimave nga qentë endacakë ishte mbi 130.

    Premtime të tilla ka bërë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, duke premtuar se do të hartojë strategjinë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë.

    Po ashtu, Kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, atëherë ka deklaruar se ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës së atëhershme për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë, por, i cili nuk ka marrë përgjigje asnjëherë.

    Edhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë premtime të tilla, por mision i pa përmbushur.

    Në një intervistë të fundvitit në 2023-tën për KosovaPress-in, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka theksuar se Qeveria ka bllokuar ndërtimin e strehimores sepse Ministria e Mjedisit ka kthyer mbrapa vendimin e Komunës duke mos i lejuar të ndërtojnë, sepse nuk ka qenë në plan zhvillimor komunal.

    “Një prej projekteve të dështuara, është projekti i strehimores së qenve endacak, por lidhet me bllokadat e Qeverisë, sepse neve na u kthye prapa. E votuam lokacionin për ndërtimin e strehimores së madhe të qenve endacak, kurse Ministria e Mjedisit e kthen mbrapa vendimin tonë, dhe thotë nuk keni të drejtë me e ndërtuar, sepse nuk e keni të parapamë në plan zhvillimor komunal, i cili në fakt është shkruar në plan zhvillimor në vitin 2013 para 10 viteve, atëherë me të vërtetë nuk është parapa, por tash është emergjencë”, ka thwnw Zogaj.

    Tani, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci ka paralajmëruar se deri në fund të shtatorit të këtij viti në Hajvali është duke u ndërtuar Qendra për Evakuim emergjent, një hapësirë prej tetë hektarësh, në të cilën është ndërtuar edhe qendra e veterinarisë.

    “Jemi duke e krijuar një Qendër për Evakuim Emergjent, është një hapësirë prej tetë hektarësh ku po bëhet rrethoja, pritet që rrethoja të jetë e përfunduar brenda disa ditëve. Aty tanimë veçse është ndërtuar qendra e veterinarisë e cila është pajisur edhe me mekanizmin përkatës, janë angazhuar dy veterinarë dhe mendoj që deri në fund të muajit shtator do e kemi të përgatitur”, ka paralajmëruar ai.

    Ndërsa, Zyrtari për Hapësira Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri ka shtuar se dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptim të qenve endacakë dhe që nga viti 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3 mijë 400 qenë endacakë.

    “Prej vitit 2022 deri më tani janë trajtuar mbi 3.400 mijë qenë endacak. Projekti nuk ka qenë, por është vendim, i cili është nxjerrë prej kuvendit të kryeqytetit, është duke vazhduar, nga java e kaluar veç ka filluar fushata vetëdijësuese për në opinion. Dy javët e fundit është rritur numri i kërkesave për adoptimin e qenve endacak, mirëpo ajo çka është me rëndësi, që jo vetëm kush e kërkon shkojmë dhe t’ia japim, por gjithsesi janë kushtet që duhet plotësuar, disa kushte minimale, që ata nuk guxojnë të shkojnë atje të trajtohen apo të keqtrajtohen në forma të ndryshme, mirëpo të kenë hapësirën e mjaftueshme siç është e paraparë edhe me udhëzim administrativ, mbikëqyrjen, kontrollin, ushqimin, të gjitha këto, në mënyrë që të mos e heqim prej rrugëve dhe të shkon atje të keqtrajtohet në ndonjë formë tjetër. Deri tani janë adoptuar diku mbi 70”, ka shtuar Qorri.

    Gjithashtu, për kufizimin e lëvizjes së lirë nga qentë endacak, janë ankuar edhe qytetarët duke fajësuar Komunën e Prishtinës.

    Qytetari, Vesel Veseli është shprehur se në ditët e sotshme më i vlefshëm është një qen endacak sesa qenia njeri. Sipas tij, është më mirë që ato 50 euro që jep komuna për çdo adoptues në muaj, të u jepet për ndihma sociale e personave me nevoja.

    “Këto janë evidente, sa raste po i kemi që edhe fëminë nënat po i kanë në dorë për t’i mbajtur, po i kafshojnë, plus nxënësat duke shkuar në shkollë po i kafshojnë dhe pengojnë që sa kohë. Ku janë këta, duhet me i qel sytë. Gjejnë arsyetim se unë do të kisha strehuar por po vijnë prej komunave të tjera. Një urdhëresë qeveritare nga lartë në secilën komunë obligo në terrenin e vet ti strehojë këta qenë endacak dhe t’i mbrojë popullatën, fëmijët, pleqtë e invalidët prej tyre. Paskemi ardhë në ditë me qen një qen endacak më i vlefshëm sesa një fëmijë e një prind i joni. Nuk e di a jemi në tokë të bukës në këtë mënyrë apo çfarë. Duhet në masa sa më të shpejta me i lënë këto pallavra, sa më shpejt duhet me i eliminuar ose me i strehuar në vendin e duhur, kush të dëshiron sipas dëshirës le të adopton.50 euro, më mirë është atë buxhet me e hargjuar për ndihma sociale e varfanjakëve me ia dhënë, po më duket absurde se qeni po bëhet më i vlefshëm se njeriu..3:37 Po na kufizohet e drejta e lëvizjes së lirë që na garantohet me kushtetutë e me çdo ligj”, është shprehur Veseli.

    Ndërkaq, Isak Gërguri ka shtuar se habitet nga Komuna e Prishtinës që nuk ndërmerr asgjë për qenët e pastrehë, e sipas tij projekti i 50 euro nuk duhet të bëhet.

    “Çdo vend që dal, shumë më pengojnë dhe më habit rasti pse nuk po ndërmerr komuna diçka për këta qenë. Shumë raste unë i shoh, i sulmojnë fëmijët, është dëm i madh me i lejuar, komuna ka faj aty. Nuk më hyn në kokë ashtu, nuk bën jo 50 po 500 euro me qenë”, ka shtuar ai.

  • Shembja e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë, Durmishi: Po bëjmë përpjekje që ta hapim sa më shpejt për qarkullim

    Shembja e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë, Durmishi: Po bëjmë përpjekje që ta hapim sa më shpejt për qarkullim

    Rruga Klinë-Gjakovë është bllokuar, meqë në orët e para pas mesnatës ka pasur rrëshqitje të dheut.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i ka thënë se janë duke bërë përpjekje që rruga të hapet sa më shpejt në qarkullim.

    Durmishi ka thënë se nuk ndodhet në vendngjarje, por se është në kontakt me përgjegjësit.

    “Nuk jam në vendngjarje por jam duke komunikuar me drejtorin e departamentit të menaxhimit të rrugëve dhe menaxherin. Jemi duke bërë përpjekje që sa më shpejtë ta hapim rrugën për qarkullim”, ka deklaruar Durmishi për Express.

  • Opozita akuzon Qeverinë për gjendjen e rënduar në Trepçë, LV-ja i mohon

    Opozita akuzon Qeverinë për gjendjen e rënduar në Trepçë, LV-ja i mohon

    Vonesat në ekzekutimin e pagave dhe gjendja e rënduar financiare në ndërmarrjen Trepça, ka bërë që partitë opozitare ta drejtojnë gishtin kah Qeveria Kurti, ndërsa mazhoranca i mohon vonesat.

    Krahas këtyre problemeve, opozita thekson se ka probleme edhe sa i përket borxheve ndaj operatorëve ekonomik, të cilët e kanë sjellë para kolapsit. Nga VV-ja përmendin subvencionimin ndër vite.

    Kryetari i Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë për Ekonomia Online se premtimet e Qeverisë Kurti s’janë realizuar asnjëherë dhe se gjendja e rënduar është për fajin e tyre.

    “Njëri nga premtimet shumë të mëdha me pompozitet ishte i qeverisë Kurti që do ta rikthej, do ta rivitalizoj, do ta zhvillojë dhe profilizojë ndërmarrjen minerare Trepça. Tashmë po del që edhe në fund të mandatit rezultati është zero. Ndërmarrja është një situatë jashtëzakonisht të vështirë financiare për shkak të keqmenaxhimit të skajshëm, për shkak të politikave jo adekuate dhe jo profesionalizmit. Për shkak të neglizhencës dhe përbuzjes nga institucionet e shtetit, asnjë nga premtimet për ndërmarrjen Trepça, tash e katër vite Qeveria nuk i është përmbajtur edhe pse kishte paralajmëruar edhe pse kishte ligj, që kishim votuar ligjin për investime kapitale rreth 20 milionë as një cent nga këto investime nuk ka shkuar në ndërmarrjen Trepça”, ka thënë ai.

    Krahas mospagesës, Shala vëren edhe teknologjinë e vjetër dhe kushtet e rënda të punës. Për të gjitha këto sipas Shalës kanë bërë që ky gjigand metalurgjik të jetë para kolapsit.

    “Aktualisht minatorët kanë plotësisht të drejtë që bëjnë kërkesa për paga, edhe ajo pjesa më elementare paga tashmë po ju mungon minatorëve. Shkalla e amortizimit në ndërmarrjen Trepça po rritet dita ditës dhe është jashtëzakonisht më shqetësuese. Teknologji e vjetruar dhe qeveri krejtësisht larg saj. Në këtë situate çfarë është ndërmarrja situata definitivishte është shumë e pa qartë për fatin e saj. Çështja e mungesë së politikave dhe menaxhimit efikas dhe profesional ka sjell te rënia e prodhimit, ne esencë kur nuk ka prodhim, edhe qeveri nuk ka subvencionuar, nuk ka kryer obligimet e veta tashmë vërehet kriza e mjeteve financiare. Trepça edhe ashtu ka dhjetëra e dhjetëra miliona euro borxh që operatoreve të jashtëm ekonomik dhe nuk ka prodhim sepse nuk ka menaxhim, de fakto jemi para kolapsit ekonomik dhe financiar të ndërmarrjes”, ka thënë ai.

    Kritika për gjendjen në Trepçë ka edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Ajo përmend Ligjin për Trepçën të votuar në ish-qeverinë Haradinaj.

    “Trepça është një sinonim i lirisë, i pavarësisë së Kosovës, gjithë jemi mburrur me Trepçën dhe e kemi kërkuar në qeverinë Haradinaj është bërë pavarësimi i Trepçës dhe më në fund me ligje Trepça i takon Kosovës. Ndërsa mos pagesa e pagave të punëtoreve të Trepçës të cilët me sa kate punon në në dhe është e pa drejtë, është jo etike, është një mashtrim i radhës ata duhet të paguhen me rregull, duhet ti marrin paga me rregull. Sepse nëse e krahasojmë çfarë inflacioni ka Kosova kjo është e tmerrshëm, njerëzit edhe me paga të rregullta është vështirë të ja dalin një muaj kalendarik për të mbijetuar sepse nuk ka paga të dinjitetshme. Ndërsa edhe po mos ti marrin ato paga unë nuk e di se është në pyetje ekzistenca e shumë familjeve edhe shumë punëtoreve që punojnë në Trepçë”, ka thënë ajo.

    Pagesën e pagave e ka kërkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, veçse ky i mohon akuzat për gjendjen e rënduar në Trepça. Thotë se gjendja e Trepçës është shkak i keqqeverisjes nga e kaluara.

    “I bëj thirrje të gjithëve që t’i përmbahen obligimit kontraktual, minatorët duhet të paguhen me kohë. Sigurisht edhe punëtoret aty duhet ta kenë mirëkuptimin ti lejojnë edhe menxhmentitn veprime që ju mundëson pagesën në kohë. Por gjithsesi pagesa duhet të behet në kohë për minatorët është shumë me rendis sepse është rregull bazë. Në anën tjetër ndërmarrja duhet të reformohet deri në atë mas sa që mund të prodhoj, por në të njëjtën kohë edhe t’i paguaj pagat me kohë. Për këtë arsye ka nevojë edhe menaxhmenti të propozoj solucione të reja”, thotë Muja.

    Sipas tij, Qeveria Kurti Trepçën e ka marrë me miliona euro borxhe, e që janë dashur sipas tij të paguhen nga kjo qeverisje.

    “Nuk është ashtu ne e kemi marr Trepçën saktësisht me 20 milionë euro borxh që i ka lënë qeveritë e kaluar, saktësisht 20 milionë euro borxh. Mendoj që ky borxh është duke penguar ndërmarrjen me ec tutje sepse në ndërkohe që t’i gjenerojë të hyra, po ashtu duhesh me i përfunduar edhe obligimet paraprake që i ke pasur ndaj furnitorëve dhe ndaj institucioneve të tjera. Kjo është pak duke e vështirësuar edhe operimin”, ka deklaruar Muja, teksa përmend subvencionimin me mbi 25 milionë euro.

    “E dyta sa i përket investimeve nuk është e vërtetë ajo çfarë unë e di që qeveria e Kosovës në baza vjetore duhet të ketë deri me tani, që nga ardhja e qeverisë Kurti duhet të jenë të disbursuar diku mbi 25 milionë euro. Në ndërkohë që sa i përket planit është miratuar edhe një kredi për investime kapitale, megjithatë duhet të bazohemi në plane te prodhimit. Do të thotë duhet të ketë një plan konkret, një ristrukturim konkret që i mundëson ndërmarrjes të operoj në këmbët e veta. Është miratuar kredia nga qeveri e Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro”, thotë ai.

  • Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, Reuten: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

    Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, Reuten: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka bërë një reagim lidhur me mos-përfshirjen e Kosovës në rendin e ditës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për t’u bërë anëtare.

    Ai në profilin e tij në “X”, shkruan se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës iu kanë përulur Serbisë, duke përmendur Gjermaninë, Italinë dhe Francën.

    “Republika e Kosovës i përmbush të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe i takon Këshillit të Evropës. Fundi i qetësimit të Vuçiqit tani.

    Ndryshe, Kosova nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, pavarësisht se në muajin prill Asambleja Parlamentare kishte rekomanduar fuqishëm anëtarësimin.

    Gjermania, Franca dhe Italia kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me “hapa konkret” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Policia flet për shembjen e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë, ende e pakalueshme

    Policia flet për shembjen e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë, ende e pakalueshme

    Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me shembjen e dheut në rrugën Klinë-Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova ka thënë se për shembjen e dheut janë njoftuar pas mesnatës dhe se rruga vazhdon të jetë e bllokuar.

    “Policia e Kosovës është informuar për shembjen e dheut në orën 01:00 pas mesnatës. Policia ka dalë në vendngjarje, pra ku është shembur dheu në Volljakë, ku edhe janë duke u kryer punime. Rruga vazhdon të jetë e pakalueshme edhe në momentin që po flasim. Në vendngjarje është edhe kompania që është duke i kryer punimet dhe po mundohemi që të largojmë dheun”, ka thënë Rugova.

  • Arrestohen burrë e grua në Pejë, u rrahën mes vete

    Arrestohen burrë e grua në Pejë, u rrahën mes vete

    Një çift në Pejë janë arrestuar pasi të njëjtit nën ndikimin e alkoolit janë rrahur mes vete.

    Policia e Kosovës njofton se me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Pejë 17.05.2024-23:20. Raportohet se janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovarë (burrë e grua), pasi që të njëjtit nën ndikim të alkoolit janë rrahur mes veti. Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

  • Të paktën 50 persona të vdekur nga vërshimet në qendër të Afganistanit

    Të paktën 50 persona të vdekur nga vërshimet në qendër të Afganistanit

    Të paktën 50 persona kanë vdekur si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe vërshimeve në qendër të Afganistanit, sipas autoriteteve afgane.

    Mawlawi Abdul Hai Zaeem, zyrtar për informim në provincën qendrore Gor, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se nuk dihet se persona janë të lënduar pas përkeqësimit të situatës prej të premtes, që ka rezultuar me bllokim të disa rrugëve.

    Zaeem ka thënë se 2.000 shtëpi janë shkatërruar plotësisht, 4.000 pjesërisht dhe më shumë se 2.000 dyqane janë nën ujë në kryeqytetin e provincës Gor, Feroz-Koh.

    Javën e kaluar, vërshimet tjera të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm kanë shkatërruar fshatra në veri të Afganistanit, duke vrarë 315 persona dhe duke plagosur më shumë se 1.600 të tjerë, kanë thënë autoritetet afgane.

    Të mërkurën, një helikopter i përdorur prej forcës ajrore afgane është rrëzuar për “arsye teknike” gjatë tentimeve për gjetje të trupave të viktimave.

    Afganistani është zonë e ndjeshme ndaj katastrofave natyrore derisa Kombet e Bashkuara e konsiderojnë atë si një prej vendeve më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

    Ky vend është përballur me zvogëlim të shkallës së ndihmave prej vitit 2021, kur janë larguar forcat e huaja dhe pushtetin e kanë marrë talibanët. Situata është përkeqësuar edhe më shumë në periudhën pasuese, pasi qeveritë e huaja e kritikojnë vazhdimisht udhëheqësinë e talibanëve për shtypjen e të drejtave të grave./REL/

  • Molliqaj: S’jemi të interesuar dhe s’kemi vullnet që të jemi pjesë e koalicioneve parazgjedhore

    Molliqaj: S’jemi të interesuar dhe s’kemi vullnet që të jemi pjesë e koalicioneve parazgjedhore

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë për Ekonomia Online se nuk janë të interesuar dhe nuk kanë as vullnet që të jenë pjesë e koalicioneve parazgjedhore elektorale. Ai ka deklaruar se si shkak i keqqeverisjes, jemi totalisht të izoluar.

    Molliqaj kur ka folur për takimin mes Kurtit dhe Krasniqit ka thënë se presin të shohin nëse do të kemi zgjedhje apo jo të cilat, sipas tij, nëse do të bëhen janë zgjedhje për Kurtin, jo për opozitën.

    “Besoj që tashmë po duket qartë se në të gjitha opsionet i ka shërby kryeministri Kurti, në radhë të parë u votun ato marrëveshje të cilat kishte marrë vendim që PDK të mos i votoj deri të i largohen sanksionet ndaj Kosovës mandej kishte një vendim të Këshillit Drejtues që as nuk duhet të takohet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, asnjë nga zyrtarët e PDK-së, deri në përfundim të masave nuk e di a është hekur ai vendim apo vetëm e kanë shkel. Në anën tjetër diskutimi për zgjedhje në kohën kur po shpërfaqen të gjitha dështimet e mëdha të kryeministrit Kurti ai ka mundësu atij të shmanget vëmendja nga diskutimi përmbajtësor dhe të shohim nëse do të kemi zgjedhje apo jo të cilat nëse do të bëhen janë zgjedhje për Kurtin, jo për opozitën. Nuk po i shkakton opozita po i shkakton Kurti sepse pa votat e Kurtit nuk ka zgjedhje e ajo i bjen që Kurti po don zgjedhje”, ka thënë Molliqaj.

    Molliqaj ka shtuar LDK-ja dhe AAK-ja i kanë shkuar Kurtit vazhdimisht në takime dhe se ia kanë zgjedhur edhe Presidenten.

    “LDK-ja dhe AAK-ja i kanë shkuar vazhdimisht në takime. Ia kanë zgjedhur Presidenten, LDK- ja kanë votu Ligj për konfiskimin e pasurisë. Sigurisht që do të del antikushtetues dhe të gjitha problemet e njëpasnjëshme. Tashmë është një pozicion strategjik i tyre dhe besoj që nuk ka diçka që është prej një pozicioni parimor domethënë me dhjetëra herë i kanë shku ja kanë mbështet edhe vendimet e veriut dhe pastaj e kanë kundërshtuar. Prandaj nuk besoj që ka pozicion strategjik që vjen nga disa parime të qarta të një prej partive që ju thatë”, ka thënë Molliqaj.

    I pari i PSD-së ka theksuar se nuk jemi të interesuar dhe nuk kemi as vullnet që të jemi pjesë e koalicioneve parazgjedhore elektorale.

    “Nuk jemi të interesuar dhe nuk kemi as vullnet që të jemi pjesë e koalicioneve parazgjedhore elektorale. Sa i përket subjekteve jashtë parlamentare dhe grupeve të tjera të interesit ose si do që të jetë ti quajmë absolut jemi të interesuar dhe të hapur. Por edhe aty duhet të kemi përafrime edhe ideologjike edhe tematike për të qenë pjesë e bashkëpunimeve elektorale. Nuk besoj që kemi nevojë për koalicione vetëm sa për të kaluar pragun ose sa për të qenë pjesë e Kuvendit”, ka thënë ai.

    Molliqaj në intervistën dhënë për ekonomia Online ka folur edhe për punën e Qeverisë, për çka ka thënë se jemi totalisht të izoluar.

    “Për pjesën se çka është bërë mirë do ta keni edhe propagandën e mashtrimeve prej Qeverisë. Unë nuk jam këtu për eventualisht të mirat e Qeverisë, unë prej pozicionit opozitar gjithmonë duhet ta bëj kritikën se çfarë nuk ka funksionuar nga rrafshi ndërkombëtar. Jemi totalisht të izoluar, siç edhe e dini Kosova ende është nën sanksione. Çdo ecje përpara, Kosovës i është kushtëzuar jo me Asociacionin që po pretendohet po me Draftin e BE-së të cilën Kurti me 26 tetor të vitit  të kaluar  i ka thënë po. Ai Draft sipas vet ministres së Punëve të Jashtme dhe zv. kryeministres së parë po thotë që Republika Srbska domethënë nuk po e themi veq ne por po e thotë vet Qeveria e të cilën po thonë që jemi të gatshëm ta zbatojmë”.

    “Në rrafshin e brendshëm Qeveria tërësisht ka qenë jo efikase në shpenzimet e parasë publike ose në investimet publike dhe po ashtu dy fusha që për ne janë shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme. Në arsim dhe shëndetësi po thuajse nuk kanë prekur fare, pra nuk ndjehet asgjë për pacientët apo te ata që marrin shërbimet e shkollimit që ka naj ndryshim. Në anën tjetër ndjehet fuqishëm se bizneset e mëdha i kanë rritur të hyrat e veta. Ne nuk jemi kundër që i kanë rritur ato, por ju kanë rritur taksat për një shpërndarje më të drejtë. Kosova bën pjesë te shtetet të cilat i kanë taksat më të ulëta ndaj zbatimit në biznes dhe të hyrat e larta të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe nuk kemi taksë në dividentë.  E di që shumëkujt ju duket ndoshta jo aq relevante po bankat kanë fitu mbi 150 milion. Vitin që lam pas rreth 90 milionë euro janë tërhequr devidentë nga tregu i Kosovës dhe ato nuk kanë paguar asnjë cent. Asnjë shtet në Ballkan, asnjë shtet në Evropë nuk e ka taksen 0 në devidentë në këtë kuptim Qeveria nuk ka bërë hapa domethënës në rishpërndarjen e pasurisë. Ç’është e vërteta ka bë shumë bërë shumë punë kinse në mbledhjen e tatimeve duke iu ndejt mbi kry bizneseve dhe qytetarëve, por shpërndarja është shumë e padrejtë në Kosove dhe në këtë kuptim s’kemi pasur as rritje të rrogave, as pensioneve as asistencave tjera. Kemi pasur kohë pas kohe bonuse për të lidhur një marrëdhënie të veqantë mes atyre që pranojnë dhe atyre që japin, por jo rritje, ne jemi për rritje por jo për bonuse”, ka thënë Molliqaj për Ekonomia Online.