ATV

Blog

  • Kurti thotë se BE-ja e SHBA-ja po sillen “shumë butë” ndaj Serbisë

    Kurti thotë se BE-ja e SHBA-ja po sillen “shumë butë” ndaj Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë treguar shumë të buta ndaj Serbisë dhe duhet t’ia caktojnë një ultimatum për t’i vënë sanksione Rusisë.

    Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti ka thënë se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi ndaj Moskës në mënyrë që t’i japë Kosovës siguri se është e përkushtuar në normalizim raportesh.

    “Brukseli dhe Washintgoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin ultimatum Serbisë… që t’i vë sanksione Federatës Ruse dhe të ndalë përpjekjet që të ulet në tre ose katër stola”, ka thënë Kurti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ruajtur raportet e ngushta me Kremlinin dhe Pekinin. Vuçiqi ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë.

    “Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

  • Pyetet për këngët me miliona klikime, Nora Istrefi me përgjigje epike

    Pyetet për këngët me miliona klikime, Nora Istrefi me përgjigje epike

    Ajo është njëra nga këngëtaret shqiptare që numëron vite të shumta në skenë.

    Bëhet fjalë për Nora Istrefin, e cila tashmë ka një karrierë të bujshme me përplot hite.

    Artistja e njohur ka qenë së fundmi e ftuar në “E diela vlen”, ku ka folur për jetën dhe për projektet që ka realizuar ndër vite.

    Teksa në një moment u ndal edhe te klikimet që ka marrë në këngët e saj.

    “Veç të ishin kanë edhe miliona kështu tamam”, u shpreh ajo.

    Përkundër kësaj, Nora po vazhdon të jetë e angazhuar me projekte muzikore.

    E njëjta është tejet aktive edhe me koncerte e mbrëmje të ndryshme.

  • Fillon shqyrtimi gjyqësor ndaj Dragisa Milenkoviçit

    Fillon shqyrtimi gjyqësor ndaj Dragisa Milenkoviçit

    Nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ku po qëndron nga viti i kaluar, Dragisa Milenkoviç të hënën u soll pas katër muajve sërish në Gjykatën e Prishtinës.

    Millenkoviçit i është konfirmuar aktakuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit dhe të hënën u hap shqyrtimi gjyqësor.

    Prokuroria Speciale gjatë fjalës hyrëse tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen dëshmitarë okularë, e do të prezantohen prova, që, sipas saj, do të vërtetojnë se ish-gardiani i burgut të Lipjanit, keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

    PSRK-ja e ka theksuar faktin se Milenkoviçi kreu krime ndaj civilëve në cilësinë e personit zyrtar.

    Pretendimet e Prokurorisë i mohon i pandehuri, dhe mbrojtja e Milenkoviçit, e cila nuk ka hequr dorë nga dëgjimi i kryeministrit Albin Kurti si dëshmitar, duke i propozuar edhe Gjykatës, pasi gjatë fazës të hetimeve kërkesa nuk iu aprovua.

    “Këtu është prezente një pjesë e familjes, një pjesë e kam në Serbi. Betohem në kokë të familjes se nuk i kam prekë me gisht”, deklaroi i akuzuari Dragisa Milenkoviç.

    “Kemi kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dëshmojë pasi e njeh mirë të pandehurin, i di shumë mirë veprimet e tij, sjelljen e tij ndaj të burgosurve”, tha Dejan Vasiç, avokat i Dragisa Milenkoviçit.

    Milenkoviç e ka pranuar fajësinë për posedim të armëve pa leje, të cilat i ishin sekuestruar në shtëpinë e tij nga Policia e Kosovës, në qershorin e vitit të kaluar.

    Arrestimi i tij po në këtë muaj kishte nxitur protesta në Graçanicë, e reagime në Serbi.

    Ndërsa, të hënën përveç mediave serbe, interesim për monitorim të seancës pati edhe nga një pjesëtar i KFOR-it amerikan, i cili i tha televizionit që nuk është në cilësinë e personit zyrtar, por është avokat me profesion.

  • Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Kosova, anëtare e asociuar e asamblesë parlamentare të NATO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës, në këtë organizatë ndërlidhëse të aleancës veri-atlantike, nga vëzhguese në anëtare bashkëpunëtore.

    Vendimi i marrë të hënën në Sofje të Bullgarisë, i mundëson Kuvendit të Kosovës pjesëmarrje në pothuajse të gjitha komitetet dhe nën-komitetet e asamblesë, si dhe të diskutojë e propozojë amendamente dhe rezoluta.

    Megjithatë, delegacioni kosovar nuk do të ketë të drejtë vote.

    “Kosova tani ka të drejtë të marrë pjesë në takime, në mbledhje të rëndësishme të asamblesë së NATO-s, megjithatë nuk e ka të drejtën e votimit për raportet, propozimet dhe vendimet që merren atje. Megjithatë, është një shkallë ose hap tutje drejt anëtarësimit, që është epilogu i synuar i yni, por edhe i NATO-s që ta ketë Kosovën brenda saj”, tha Fatmir Çollaku, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Asambleja Parlamentare funksionon institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si lidhje ndërmjet kuvendeve të shteteve anëtare.

    Në këtë kontekst, edhe pse avancimin e vlerësoi zhvillim të rëndësishëm, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, theksoi nevojën e përqendrimit te programi që i paraprin anëtarësimit të plotë.

    “Është një tregues dhe një trajektore e mirë në kontekstin afatgjatë, sepse Kosova e ka këtë synim edhe politik edhe ushtarak, të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike… Ne duhet të punojmë fuqishëm me partnerët tanë strategjikë që të jemi në programin e partneritetit për paqe, i cili është segmenti kryesor apo çelësi i derës për të hyrë në NATO”, tha Shala.

    Pasi shpjegoi se procesi i anëtarësimit ka gjithsej shtatë faza që përfshijnë një sërë çështjesh, ai vlerësoi se në situatën aktuale, zyrtarisht, Kosova është në atë zero.

    “Në hapin zero konsiderohet transformimi në Forca të Armatosura, përmbyllja e marrëveshjes finale me Serbinë, demarkimi i kufirit me Serbinë, sepse çdo anëtar i NATO-s i di kufijtë e tij shtetërorë. Dhe, në këtë mori (çështjesh) teknike të cilat Kosova duhet t’i përmbyllë në hapin zero, mendoj që në periudhën më të përshpejtuar të mundshme, më 2028-29 ne mund të jemi anëtar të plotë të NATO-s”, tha Shala.

    Kosova u bë anëtarja e 11-të e asociuar apo bashkëpunëtore e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Të njëjtin status e ka edhe Serbia.

    Aktualisht, Aleanca Veri-Atlantike ka 32 shtete anëtare, ndërsa Kosova ka shprehur haptas ambiciet për t’u bërë pjesë e saj.

  • Kthehet votimi elektronik në kuvend, rregullohen mikrofonat

    Kthehet votimi elektronik në kuvend, rregullohen mikrofonat

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në sallën plenare të Kuvendit, do të rregullohen të gjithë mikrofonat që përdoren për fjalime dhe do të funksionalizohet sistemi i votimit elektronik.

    Në rreth katër vjetët e fundit, deputetët është dashur të votojnë për nismat në parlament, vetëm me ngritje duarsh.

    Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se mungesa e sistemit elektronik e la të mangët databazën e Kuvendit.

    “Sot për të gjitha votimet, për mbi 245 projektligje të cilat janë miratuar dhe vendime të tjera të Kuvendit nuk ka memorje, nuk ka histori”, tha Jakaj.

    Ndërsa, për Arbër Thaçin nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi pa votim elektronik është një Kuvend jo transparent.

    “Mungesa e votimit elektronik e ka bërë të pamundur që qytetarët të njohin le të themi, votën e përfaqësuesve të tyre në çështje shumë të rëndësishme… mungesa e votimit elektronik e ka dëmtuar rëndë punën e Kuvendit të Kosovës”, tha Thaçi.

    Monitoruesit e kritikojnë edhe periudhën kur është vendosur të bëhen këto ndërhyrje. Për dy javë, nuk do të ketë seanca, për shkak të punimeve në sallën plenare.

    “Muajt qershor dhe korrik, janë muaj që ka më së shumti punë në Kuvendin e Kosovës, rrjedhimisht nuk do të duhej të shkohej në punime në këta muaj, por të shkohet në punime në muajin gusht, ku Kuvendi dhe administrata shkojnë tërësisht në pushim”, tha Jakaj.

    “Ky pezullim mund, le të themi ta ngadalësojë apo vështirësojë trajtimin e projektligjeve të tjera që kanë mbetur paksa pezull, siç është projektligji për fertilizimin artificial, i cili ka kohë edhe seanca që po vjen vazhdueshëm për trajtim dhe në mungesë të vullnetit po dështon të trajtohet”, tha Thaçi.

    Vlera e kontratës për punët teknike në sallën plenare të Kuvendit, është mbi 600 mijë euro. Ky projekt financohet nga shteti i Luksemburgut.

  • Mirëpritet opinioni ligjor i KiE-së rreth projektligjit për KPM-në

    Mirëpritet opinioni ligjor i KiE-së rreth projektligjit për KPM-në

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Nga Kuvendi i Kosovës është kërkuar përmirësim i Projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave, pasi të hënën u publikua edhe opinioni ligjor i përgatitur nga Këshilli i Evropës. Sipas Këshillit të Evropës, disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane, derisa dokumenti mban datën e 24 majit.

    Si pjesë të rekomandimeve Këshillin i Evropës propozoi të qartësohen kërkesat për licencim dhe regjistrim – në përputhje me standardet evropiane, të rritet transparenca e pronësisë së medias, të krijohet një fondi për mbështetjen e medias e të tjera.

    Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ishte miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të shkuar, derisa u votua edhe nga Kuvendi në lexim të parë.

    Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

    Qysh atëherë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kërkuan nga Qeveria të heqë dorë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar si “sulm mbi mediat”.

    Përmirësimet eventuale gjatë ditës janë shqyrtuar edhe nga Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga ku u tha se rekomandimet e Këshillit të Evropës do të merren parasysh.

    Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, dha disa rekomandime.

    Duke kërkuar nga Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagimin e vet pas publikimit të opinionit të Këshillit të Evropës, rikujtoi se Kosova ka shënuar rënie alarmante në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, për 19 vende dhe pikërisht nisma për të ndryshuar Projektligjin e KPM-së kontribuoi në këtë.

  • Rinovohet salla, Kuvendi dy javë pa seanca plenare

    Rinovohet salla, Kuvendi dy javë pa seanca plenare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në dy javët e ardhshme, Kuvendi nuk do të mbajë seancë plenare për shkak të rinovimit të sallës së kuvendit. Kësisoj edhe seanca e paralajmëruar për të enjten e 30 majit, për shpërndarje të legjislaturës së tetë nuk dihet kur do të mbahet.

    Nga PDK-ja shpresojnë se në dy ditët e ardhshme do të mund t’ua ndryshojnë mendjen kolegëve tjerë opozitarë, në të kundërtën pranojnë që Qeveria mund ta përmbyllë mandatin.

    Por LDK-ja e AAK-ja nuk u bindën as nga letra e dërguar nga kryetari i PDK-së, i cili bënte thirrje për unitet mes partive, për zgjedhje të parakohshme.

    Edhe nga pushteti vazhdojnë të insistojnë në qëndrimin se opozita duhet të jetë e bashkuar, teksa vullnetin për zgjedhje të parakohshme e arsyetojnë me motin.

    Ndërkohë, Kuvendi do t’i kthehet punës më 12 qershor, me seancë solemne në shënim të Ditës së Çlirimit.

  • Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Rreth 1.6 milion banorë janë regjistruar në Kosovë, në procesin që përfundoi të premten e kaluar.

    Shifra e saktë nuk është bërë e ditur të hënën, në konferencën përmbyllëse të Agjencisë së Statistikave, meqë ende duhet kohë për mbledhjen e të dhënave.

    “ASK-ja ka kohë t’i publikojë të dhënat preliminare në fund të muajit gusht, do të mundohemi të dhënat preliminare të jenë më herët, pra pritjet janë që të dhënat paraprake të publikohen në muajin korrik, pjesën e parë. Praktikat janë që të dhënat finale publikohen një vit pas datës së regjistrimit, apo deri në 15 muaj”, tha Avni Kastrati, U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së.

    Mirëpo, demografi Besim Gollopeni vlerëson se Kosova nuk mund t’i ketë 1.6 milion banorë.

    “Statistikat janë zyrtare dhe duhet të merren si të tilla, mirëpo sipas disa vlerësimeve që kemi bërë, numri i banorëve rezidentë në Kosovë është 1.3, më së shumti 1.5 milion banorë, megjithatë duhet pranuar statistikat që janë zyrtare”, tha Gollopeni.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi vetëm për banorët rezidentë, ndërkaq kosovarët që jetojnë në diasporë do të kenë mundësi të regjistrohen deri në fund të muajit gusht.

    Deri më tani, sipas të dhënave të ASK-së, janë rreth 600 mijë qytetarë nga diaspora që janë regjistruar në e-Kosova.

    Sipas Lirim Krasniqit, nga Germini kjo shifër është e qëndrueshme, veçse ka numër më të madh të kosovarëve në diasporë. Por, megjithatë për të parë rezultatin final, duhet pritur publikimin e të dhënave.

    “Të dhënat që i kanë prezantua ne nuk i kemi deri në fund të dhënat që i kemi marrë rezultoi se janë 280 mijë përmes platformës e-Kosova, por ende nuk e dimë sa janë regjistruar nga familjarët e tyre. 600 mijë është një shifër përfaqësuese edhe pse vlerësimet janë që janë diku rreth 800 mijë deri në 1 milion që jetojnë jashtë Kosovës, sido që të jetë duhet të priten që të publikohen të dhënat nga ASK-ja, deri në fund të vitit”, tha Krasniqi.

    Në procesin e regjistrimit morën pjesë mbi 5 mijë regjistrues, shumica nga të cilët ishin gra.

  • E kishte të ndaluar vozitjen, policia gjobit shoferin me 500 euro dhe ia konfiskon veturën

    E kishte të ndaluar vozitjen, policia gjobit shoferin me 500 euro dhe ia konfiskon veturën

    Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin i cili po drejtonte mjetin e tij nën masën mbrojtëse, shkruan Reporteri.net.

    Ndaj të njëjtit, është shqiptuar gjobë prej 500 euro, i është vazhduar masa mbrojtëse për gjashtë muaj, dhe i është konfiskuar vetura.

    Mos respektimi i masës mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”!

    Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”, i njëjti është gjobitur 500€, 5 pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për 6 muaj si dhe është konfiskuar automjeti.

  • Kelmendi takohet me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të BE-së

    Kelmendi takohet me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të BE-së

    Trajtimi i rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër mjedisit, ka qenë temë kryesore në takimin që Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian në Kosovë (HAPE), Mario Pellegrino, Eric Stephan dhe Massimiliani Moro, rpaorton EO.

    “Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte Kapitulli XXVII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me veprat penale kundër mjedisit, duke përfshirë, rezultatet, sfidat dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit për trajtimin sa më profesional të këtyre rasteve, si dhe mundësitë e bashkëpunimit më partnerët ndërkombëtar për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë më mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurorit të shtetit.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të takimeve dhe punëtorive të përbashkëta me prokurorët – koordinatorë për veprat penale kundër mjedisit.

    Ndërsa, në fund të takimit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka falënderuar ekspertët e HAPE-së për ofrimin e mbështetjes për prokurorët e shtetit dhe shprehu angazhimin institucional në luftimin e veprave penale kundër mjedisit.