ATV

Blog

  • Arrestimi i kosovarëve nga Serbia për krime lufte, vjen reagimi nga DASH

    Arrestimi i kosovarëve nga Serbia për krime lufte, vjen reagimi nga DASH

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90, dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij, dhe personave tjerë të arrestuar nën dyshimet e njëjta.

    Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë, në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.

    Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.

    “Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa dyshohet se, në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre zyrtarëve policorë.

    Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

    Ministria e ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit +383 46 51 00 51, për të gjithë shtetasit e Kosovës që mund të ballafaqohen me vështirësi gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi.

    Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

    Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

    Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

    Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

    Së fundmi, atij i është vazhdaur masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

    Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

  • Sonte Kosova luan miqësore, bastoret e favorizojnë Norvegjinë

    Sonte Kosova luan miqësore, bastoret e favorizojnë Norvegjinë

    Kombëtarja e Kosovës sonte luan miqësore ndaj Norvegjisë në Oslo.

    Franco Foda me djelmoshat e tij janë të gatshëm për këtë ndeshje tejet interesante edhe pse është vetëm miqësore.

    Megjithatë, ky takim i ndihmon trajnerit gjerman për ta parë ekipin e tij se sa është gati për ndeshjet e Nations League që nisin nga muaji shtator i këtij viti.

    Bastoret sportive, e favorizojnë dukshëm Norvegjinë – duke ia vendosur kuotën 1.4, kurse “Dardanëve” 9.00.

    Kujtojmë që për këtë ndeshje, Foda pritet t’i ketë gati pothuajse gjithë futbollistët – vetëm Altin Zeqiri së fundmi pësoi një dëmtim dhe s’dihet a do të jetë gati për ndeshjen sot.

    Takimi mes Norvegjisë dhe Kosovës zhvillohet nga ora 19:00.

  • ​Meloni sot në Shqipëri, inspekton qendrat e pritjes së emigrantëve bashkë me Ramën

    ​Meloni sot në Shqipëri, inspekton qendrat e pritjes së emigrantëve bashkë me Ramën

    Ditën e sotme kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të presë homologen italiane Giorgia Melonin në Shëngjin. Arsyeja e vizitës së kryeministres italiane është ecuria e punës për ndërtimin e strukturave në Shëngjin dhe Gjadër për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm.

    Në mesditë Meloni dhe Rama do të vizitojnë dy zonat ku do të qëndrojnë emigrantët e paligjshëm dhe se në cilën fazë është ndërtimi i qendrave të identifikimit dhe të kampeve.

    Në agjendë është parashikuar edhe një dalje e dy kryeministrave para mediave.

    Në nëntorin e kaluar dy kryeministrat firmosën protokollin e bashkëpunimit për çështjet e emigracionit. Ai parashikon që emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe të dërgohen në Shqipëri.

    Në këmbim të kësaj ndihme që qeveria e Tiranës po i jep asaj të Romës për të përballuar emigracionin e paligjshëm, të gjitha shpenzimet nga ndërtimi i qendrave të pritjes e deri te siguria, kujdesi shëndetësor dhe çdo nevojë tjetër do të financohen nga shteti italian.

    Vendet e ndërtimit janë hapur por punimet për strukturat pritëse po ecin ngadalë. Objektivi ishte që të hapeshin në maj por kjo nuk ndodhi. Mediat italiane shkruajnë se vjeshta është periudha më e mundshme që kampet të jenë gati për të strehuar 3 mijë persona në të njëjtën kohë dhe vetëm burra të rritur.

    Sipas marrëveshjes, në fuqi për 5 vjet dhe e rinovueshme për 5 të tjera, toka është dhënë pa pagesë, por Italia do të depozitojë në thesarin e shtetit shqiptar 16.5 milionë euro si paradhënie për strehimin e përkohshëm të emigrantëve.

    Ardhja e Girogia Melonit në Shqipëri përkon me javën kulturore italiane në Shqipëri por edhe në prag të zgjedhjeve për deputetët e rinj të parlamentit evropian e ku lufta me emigracionin e paligjshëm është një prej çështjeve kryesore të Bashkimit Evropian./vizionplus.tv/

  • Osmani sot takon kryetarët e komunave, ja çka do të diskutohet

    Osmani sot takon kryetarët e komunave, ja çka do të diskutohet

    Këshillit të Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës pritet të mbahet sot ku do të merr pjesë edhe Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu do ta mbajë një fjalë rasti për sfidat dhe preokupimet e komunave derisa temat që do të diskutohen në këtë takim janë: Roli i komunave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, roli i pushtetit lokal në zhvillimin e turizmit në Kosovë, bashkëpunimi mes presidencës dhe komunave në realizimin e projekteve, sfidat e Komunave në qeverisjen lokale.

  • ​Moti sot në vendin tonë

    ​Moti sot në vendin tonë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-27 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-3m/s.

  • ​Dita Botërore e Mjedisit

    ​Dita Botërore e Mjedisit

    Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar 52 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

    5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.

    Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.

    Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.

  • Aktgjykimi në fazën e përpilimit, Sekiraqa një muaj pas i pakapshëm për autoritetet

    Aktgjykimi në fazën e përpilimit, Sekiraqa një muaj pas i pakapshëm për autoritetet

    Përgatiti: Nora Luta

    I dënuar me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, Enver Sekiraqa vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.

    Kur ka kaluar një muaj nga shpallja e vendimit, aktgjykimi i përpiluar në formë të shkruar, ende nuk u është dorëzuar palëve.

    Këtë aktgjykim, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet ta hartojë kryetari i trupit gjykues, brenda 15 ditëve, në rastet kur i dënuari ndodhet në paraburgim, ndërsa deri në një muaj kur nuk ka masë sigurie ndaj të pandehurit.

    Kodi lejon edhe afatin prej 60 ditësh kur rasti konsiderohet i ndërlikuar.

    Por, aktgjykimin në këtë rast nuk do ta shkruajë kryetar i trupit gjykues Agim Kuqi, pasi ai u suspendua nga Këshilli Gjyqësor dhe po hetohet, pasi ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak Sekiraqës.

    Gjykata e Prishtinës nuk është përgjigjur në pyetjet, se cilin nga anëtarët e trupit gjykues e ka autorizuar kryetarja, por shkurt tregoi se aktgjykimi është në fazën e përpilimit.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Aktgjykimi në çështjen penale për të akuzuarin E.S. gjendet në fazën e përpilimit dhe palët në procedurë së shpejti do ta pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    Juristë e monitorues të sistemit të drejtësisë thonë se çdo vonesë në përpilimin e aktgjykimit përbën shkelje të të drejtave të palëve në procedurë.

    “Konsideroj që përpilimi i aktgjykimit është shumë i rëndësishëm pasi që në këtë formë, palët duhet të vijnë sa më parë tek e drejta që të ushtrojnë ankesë. Vonesat do të përbënin shkelje të të drejtave të palëve në procedurë”, tha Arbër Jashari, avokat.

    “Me rastin e suspendimit, praktika dhe rregulloret flasin që kryetarja e autorizon anëtarin e dytë të trupit gjykues ta përpilojë aktgjykimin. Varësisht prej lëndës mund të kërkojë afat shtesë për përpilimin e aktgjykimit”, tha Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Dy javë pas vendimit të shkallës së parë, Apeli e ndryshoi vendimin rreth masës së sigurisë, duke e kthyer Sekiraqën në paraburgim.

    Vendimin e Apelit e vërtetoi edhe Supremja.

  • 84 kontrata me procedurë të negociuar vetëm për dy muaj

    84 kontrata me procedurë të negociuar vetëm për dy muaj

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për dy muaj, ministritë, komunat dhe institucionet e tjera publike kanë nënshkruar 84 kontrata përmes tenderëve të negociuar. Vlera e kontratave njëburimore që Autoritetet Kontraktuese nënshkruan gjatë prillit dhe majit është 6 milionë e 532 mijë euro.

    Për nga vlera e kontratave të nënshkruara me procedurë të mbyllur, vazhdon të prijë Korporata Energjetike e Kosovës. Vetëm kontrata për furnizim me ujë të përpunuar dhe ajo për sigurimin e objekteve i kanë kushtuar mbi 2.5 milionë euro.

    Monitorues të prokurimit shprehin shqetësim për numrin e madh të tenderëve të negociuar.

    “Këto kontrata ngërthejnë në vete mostransparencën këto kontrata kanë mungesë të llogaridhënies dhe si të tilla shpesh gjatë monitorimeve kemi vërejtur se autoritetet Kontraktuese kanë paguar më shtrenjtë për shërbime ose produkte sesa kur është ndjekur procedurë e hapur e prokurimit”, tha Valmir Ilazi nga INPO.

    Sipas Valmir Ilazit nga INPO, kjo praktikë bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

    Ajo çka është më shqetësuese është numri i madh i kontratave që janë punë shtesë. Këto kontrata siç e dimë janë me procedurë të negociuar sepse 10% e kontratës duhet të realizohet nga Operatori Ekonomik që e ka kryer shërbimin”, tha Ilazi.

    Gjatë vitit 2023, në nivel vendi përmes prokurimit janë lidhur 1097 kontrata, nga to 554 përmes procedurës së negociuar pa publikim për kontratë.

    Krahasuar me vitin 2022, ku vlera ishte 78 milionë, shuma e përgjithshme e kontratave të negociuara, gjatë vitit 2023 kishte arritur në mbi 116 milionë euro.

  • Degradimet në Drinin e Bardhë, ilegalët vs “Task Forca e Gjelbër”

    Degradimet në Drinin e Bardhë, ilegalët vs “Task Forca e Gjelbër”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Gjurmët e nxjerrjes ilegale të rërës dhe zhavorrit, janë më se të dukshme në këtë pjesë të lumit Drini i Bardhë, në Rakovinë të Gjakovës.

    Dëmtimi i lumit vazhdoi edhe në pesë vitet e fundit, megjithatë nuk ka të dhëna publike për sipërfaqet e degraduara.

    “Degradimi i tërësishëm i pellgut të Drinit të Bardhë ka filluar gjatë viteve, dhe pothuajse nuk ka pasur asnjë masë gjatë këtyre viteve të pasluftës, ndonjë masë serioze për ta parandaluar gjithë atë degradim që është bërë atje”, tha Besnik Shabiu, ambientalist.

    “Task-forca e Gjelbër”, e themeluar para më shumë se një muaji nga Ministria e Mjedisit, aksionet e para ia dedikoi pikërisht pellgut lumor të Drinit të Bardhë.
    Kjo task-forcë ka shqiptuar edhe gjoba ndaj operatorëve të jashtëligjshëm.

    “Deri më tani janë zhvilluar disa aksione konkrete dhe kryesisht në pellgun e lumit Drini i Bardhë, sepse në atë lokacion kemi dëmtim dhe degradim më të madh të shtratit të lumit dhe tokave për rreth. Gjatë këtyre aksioneve janë shqiptuar 8 gjoba dhe po ashtu janë sekuestruar 7 pajisje të rënda motorike me të cilat është shkaktuar vepra penale dhe 3 seperacione të inerteve të lumit”, thuhet në përgjigjen nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit.

    Ambientalisti Besnik Shabiu mirëpret angazhimin e “Task-forcës së Gjelbër”.

    “Edhe pse jemi vonë, megjithatë, aktivitete të tilla gjithmonë janë të mirëseardhura, po pyetjet që duhet t’u shtrohen institucioneve përkatëse janë se a është planifikuar ashtu siç duhet intervenimi”, tha Shabiu.

    Ndërkohë, ilegalët në Çifllak të Rahovecit tash po e shfrytëzojnë terrin për të evituar kapjen nga institucionet.

    Referuar Planit të Menaxhimit të Pellgut të Lumit Drini i Bardhë, degradimi i lumit më të gjatë në Kosovë, mes tjerash rrezikon habitatet e gjallesave, si dhe rritë potencialin për përmbytjen e tokave bujqësore.

  • Kurti e quan “montazh” bisedën e publikuar Kusari – Radojiçiq

    Kurti e quan “montazh” bisedën e publikuar Kusari – Radojiçiq

    Përgatiti: Haris Ademi

    Edhe pse tha se nuk e ka dëgjuar, kryeministri Albin Kurti e quajti të montuar bisedën telefonike mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiciq, të publikuar një ditë më parë. Ndërsa, tha se partia e tij nuk mund të marrë masa ndaj Kusarit, meqë ajo nuk është anëtare e Vetëvendosjes.

    “Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radojiçiqin edhe e kanë shumë të qartë pse Radojiçiq ka ikur tash dhe pse dikur ishte në Kryeministri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radojiçiq këtë muaj i bën 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi, trysnia do të duhej të ishte në Serbi që të ketë aktakuzë”, tha Kurti.

    Serbia, sipas Kurtit, është adresa edhe për trysninë ndërkombëtare, që të mos ketë tensione në rajon. Ndërsa, çështja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, tha se varet nga fushata zgjedhore në Bllok.

    “Unë besoj që heqja e këtyre masave që po vonohet ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme të BE-së dhe sidomos me faktin që janë në fushatë zgjedhore për Parlamentin e ri Evropian, që mbahen me datën 9 qershor”, tha Kurti.

    Ai e quajti normal pozicionimin krah forcave politike në proceset jashtë Kosovës, siç i përkrahu dy kandidatë shqiptarë për kryetarë në Luginë të Preshevës.

    Ndërsa, nuk i cilësoi problem as mospajtimet me presidenten Vjosa Osmani, që javën e kaluar ishte e ashpër për mungesën e komunikimit për lëvizjet shtetërore para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, ku Kosova nuk u fut në agjendë.

    Këto deklarata, kryeministri i dha pas mbjelljes së pemës olimpike 2024, për nder të Ditës Botërore të Sportit dhe Ambientit.