ATV

Blog

  • Dënohen me 75 vite burgim tre të akuzuarit për vrasjen në Suharekë

    Dënohen me 75 vite burgim tre të akuzuarit për vrasjen në Suharekë

    Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve për veprat penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “Shtytje në vrasje të rëndë”, rast që kishte ndodhur në tetor të vitit 2016 në fshatin Peqa të Suharekës.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, M.A dhe F.F janë fajtor se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa e akuzuara R.B për shtytje në vrasje.

    Ata janë dënuar me nga 25 vjet burgim dhe do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

    “Me datë 06 tetor 2016, në fshatin Peqan Komuna e Suharekë, me dashje direkte të akuzuarit M.A., dhe F.F., ndërmarrin veprime me qëllimit të privimit nga jeta në mënyrë mizore apo dinake e të ndjerit A.B., duke qenë të shtytur nga e akuzuara R.B., (bashkëshortja e të ndjerit – e akuzuar në këtë rast), ditën kritike shfrytëzojnë situatën dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit së pari e kanosin të dëmtuarit, e më pas ia lidhin duart viktimës A.B., ku edhe më pas ia lidhin edhe këmbët të ndjerit A.B., dhe largohet nga shtëpia më pas në mënyrë mizore dhe barbare me qëllim të shkaktimit të dhembjeve të mëdha fizike dhe psikike viktimës, e dërgojn viktimën mbi varrezat e fshatit Studencan –në mal, dhe duke shfrytëzuar rrethanat se viktima ishte i lidhur dhe i pa mbrojtur e godasin me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit, të cilin më pas e hedh në një gropë dhe e mbulon me dhe, ashtu gjysmë të groposur pastaj ia vënë zjarrin.”

    “E akuzuara R.B.: Se në kohë të pacaktuar të vitit 2016 në takimet paraprake të cilat i ka pas me të akuzuarin, me dashje e shtytë të njëjtin për të kryer vepër penale të vrasjes dhe atë të bashkëshortit të saj të ndjerit – viktimës A.B., Këso dore në shtytje ka kryer veprën penale shtytja në vrasje të rëndë nga neni 179 par. 1 pika 1.4 e në lidhje me nenin 32 (Shtytja) par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës IV. I akuzuari R.A., në kuptim të nenit 364 par.1 pika 1.3 të KPP”.

  • Klinaku kërkon hetimin e Kurtit, pas publikimit të bisedës së Kusari-Lilës me Radojçiqin

    Klinaku kërkon hetimin e Kurtit, pas publikimit të bisedës së Kusari-Lilës me Radojçiqin

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Faton Klinaku, ka kërkuar hetimin e kryeministrit Albin Kurti, raporton EO.

    Këtë kërkesë ai e ka shtruar pas bisedës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radojiçiç.

    “Siç e kam thënë edhe më parë që së paku prokuroria duhet ta marrë në pyetje Mimozën e të shoh për ngritje të ndonjë aktakuze ndaj saj, por tash situata u qartësua dhe mendoj se prokuroria duhet që të ngrisë shpejt aktakuzën ndaj saj, e të hetohet edhe Kryeministri Kurti për këtë, duke pasur parasysh se ajo ka folur në emër të partisë në pushtet”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

  • Iu mbijetoi dy luftërave botërore, por jo edhe vërshimeve, shkatërrohet kalaja Falkenstein në Gjermani

    Iu mbijetoi dy luftërave botërore, por jo edhe vërshimeve, shkatërrohet kalaja Falkenstein në Gjermani

    Shirat e vazhdueshme në Gjermaninë jugore kanë bërë që kalaja Falkenstein në Flintsbach të shkatërrohet.

    Kalaja Falkenstein arriti t’i mbijetojë dy luftërave botërore, por përmbytjet bën që ajo të jetë tashmë pa disa mure të saj.

    “Përroi kishte lënë shtratin e tij dhe kishte rrjedhur nëpër oborrin e kështjellës. Uji shpërtheu pjesë të murit të kështjellës dhe rrënojat arritën në shtëpitë poshtë me ujë”, thotë komandanti i zjarrfikësve Jorg Benkel për BILD.

    Kalaja, e ndërtuar rreth vitit 1300, është afër kufirit austriak dhe është një destinacion popullor për alpinistët. Kulla e kalasë është e banuar.

    Shkalla e dëmtimit të objektit të listuar deri më tani është ende e paqartë.

  • Kurti takon shkrimtarin turk Orhan Pamuk, thotë se ishte i interesuar për Kosovën e Ballkanin

    Kurti takon shkrimtarin turk Orhan Pamuk, thotë se ishte i interesuar për Kosovën e Ballkanin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Stamboll, shkrimtarin turk, Orhan Pamuk, me të cilin tha se ka diskutuar për disa orë, raporton EO.

    Kreu i ekzekutivit kosovar, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se nuk po i besohej se fituesi i çmimit nobel për letërsi, po e ftonte për darkë.

    “Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

    Kurti qëndroi në Turqi ku mori pjesë në forumin ekonomik Kosovë-Turqi, por pati takime edhe me krerë të shtetit turk, siç ishte pritja nga presidenti Reccep Tayip Erdogan.

  • Java e Krenarisë, ambasadori suedez kërkoi miratimin e kodit civil

    Java e Krenarisë, ambasadori suedez kërkoi miratimin e kodit civil

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar nevojën për kalimin e Projektkodit Civil, në fjalimin që ka mbajtur dje në hapjen e Javës së Krenarisë.

    Westerlund ka theksuar edhe nevojën për strehimore për komunitetin LGBTQ+.

    “Dje mbajta fjalën hyrëse në hapjen e “Prishtina Pride 2024”. Theksova nevojën për miratimin e kodit civil, njohjen ligjore të identitetit gjinor dhe nevojën për strehimore për LGBTQ+ në Prishtinë”, thuhet në postimin e tij në platformën X.

    Kundër këtij Projektkodi, kanë dalë disa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Java e Krenarisë u dedikohet pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+. Përgjatë kësaj jave, në shumë vende zhvillohen marshe e protesta, me kërkesën për njohjen e të drejtave ligjore për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.

  • Çiljeta Xhilaga shpallet finalistja e parë e Ferma VIP

    Çiljeta Xhilaga shpallet finalistja e parë e Ferma VIP

    Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të reality shou, Ferma VIP.

    Çiljeta Xhilaga u shpall finalistja e parë e këtij edicioni ditën e djeshme (e hënë).

    Ky fakt e bëri të lumtur këngëtaren e njohur shqiptare pasi ka qenë në izolim për një kohë.
    Artistja është pëlqyer tejet shumë nga publiku për mënyrën se si është shfaqur brenda, duke marrë parasysh se kishte një mungesë të gjatë në skenë.
    Ajo në këtë rrugëtim ka folur gjerë e gjatë për jetën dhe karrierën e saj profesionale.
    Finalja e madhe e Ferma VIP do të mbahet më 12 qershor.

    Fermerët vlen të ceket se garojnë për çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.

  • Mbappe nënshkruan kontratë pesëvjeçare me Real Madridin

    Mbappe nënshkruan kontratë pesëvjeçare me Real Madridin

    Futbollisti francez, Kylian Mbappe i është bashkuar ekipit Real Madrid, pasi ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, ka thënë klubi të hënën.

    “Real Madrid C. F. dhe Kylian Mbappe kanë nënshkruar kontratë që parasheh se ai do të jetë lojtar i Real Madridit në pesë vjetët e ardhshëm”, ka thënë klubi përmes një deklarate, pak kohë pas fitores së 15-të për Kupën Evropiane.

    Lojtari 25-vjeçar ka bërë të ditur se do të largohet prej ekipit Paris St Germain, përmes një postimi në X – i njohur më parë si Twitter – më 10 maj.

    Mbappe do të kalojë në Real Madrid në korrik, pasi të skadojë kontrata aktuale që ka me klubin francez, më 30 qershor.

    Mbappe është larguar prej ekipit francez pas fitoreve të shumta të shënuara përgjatë shtatë vjetëve, duke e përfunduar epokën në kryeqytetin francez si lojtari më i mirë ndonjëherë i ekipit Paris St Germain, me 256 gola.

    Ai e ka befasuar jashtë mase ekipin kur ka bërë të ditur vitin e kaluar se nuk do të shfrytëzojë ofertën e vazhdimit të kontratës edhe për një vit.

  • Joseph: Qeveria ta dërgojë projekt-statutin e hartuar nga ShBA dhe t’ia lë në dorë Gjykatës Kushtetuese të vendosë

    Joseph: Qeveria ta dërgojë projekt-statutin e hartuar nga ShBA dhe t’ia lë në dorë Gjykatës Kushtetuese të vendosë

    Eksperti nga Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins, Edward P. Joseph ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët dhe se nuk është në interesin e Kosovës t’i trajtojë me shkujdes marrëdhëniet e saj me aleatët kryesorë.

    Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë përkrahëse të Kosovës dhe nuk është në interesin e tyre që ata të prishin raportet.

    “Kjo është pika më e ulët në marrëdhëniet (ndërmjet dy vendeve). Unë kam qenë i angazhuar në Ballkan që nga viti 1999, kur menaxhoja kampet e refugjatëve në Stankovec… Kemi punuar shumë dhe e dimë sa e vështirë ishte. Marrëdhëniet SHBA-Kosovë nuk janë vetëm marrëdhënie teknike politike, janë një lidhje e thellë që vazhdon të ketë pasoja politike. Putini dhe Xi Jinping-u ende flasin për vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s, nuk e kanë harruar. Ishte një hap i madh që Shtetet e Bashkuara bënë për të ndërhyrë. Dhe të shohësh këto marrëdhënie të trajtohen në një formë kaq të shkujdeshme për të fituar ca pikë se gjoja nuk kemi më nevojë t’i dëgjojmë Shtetet e Bashkuara. Përse? SHBA nuk janë diktator i tipit të Rusisë që po mundohet të minojë sovranitetin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë përkrahëse të Kosovës. Nuk është në interesin e Kosovës. Në këtë botë të ndërlikuar dhe të rrezikshme, Kosovës i duhen miq të fuqishëm dhe ata duhet respektuar”, tha Joseph për Zërin e Amerikës.

    Joseph thotë se anëtarësimi në NATO duhet të jetë synimi kryesor i Kosovë dhe për të zbutur qëndrimet e Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Rumanisë, katër shteteve anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë saj, ai thotë se Kosova duhet të përmbushë detyrimet e veta.

    Kosovës, sipas tij, i duhet që përmes “disa veprimeve rreth asociacionit të krijojë një kontekst, një platformë në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të lobojnë tek shtetet që nuk e njohin Kosovën.” Vende si Greqia, shton ai, duan “një atmosfere pozitive brenda Kosovës në raport me serbët e Kosovës” për të lëvizur drejt njohjes.

    “Qeveria dhe Kryeministri Kurti kanë rastin t’u tregojë të gjithëve, jo përmes fjalëve, por përmes veprave, se banorët serbë konsiderohen si qytetarë të Kosovës, të cilët kanë shqetësime legjitime… Njëri prej hapave kryesorë dhe shumë të thjeshtë është të bashkëpunosh me ta, t’i kthesh serbët e Kosovës në radhët e Policisë së Kosovës. Ky do të ishte një hap i madh prej të cilit do të përfitonin të gjithë. Të gjithë përveç Aleksandar Vuçiçit”, thotë zoti Joseph.

    Joseph thotë se Kosova dhe aleatët e saj duhet të përqëndrohen në krijimin e një rruge për anëtarësimin e Kosovës në NATO si zgjidhje të përhershme të tensioneve me Serbinë.

    “Rusia dhe Kina nuk do të mund të ndikonin më te Serbia dhe nuk do të kishte bllokadë… Do të ndryshonte plotësisht dinamika, do të ndryshonte situata brenda Serbisë, sepse ajo nuk do të mund ta shfrytëzonte Kosovën për të destabilizuar rajonin”, shton ai.

    I pyetur për refuzimin e qeverisë së Kosovës për të hedhur hapa konkretë në procesin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, përsa kohë Beogradi nuk zbaton detyrimet që dalin nga Marrëveshja për Normalizim e arritur në Ohër, Joseph thotë se ekziston një “mungesë baraspeshe” sepse pozitat e të dyja vendeve janë e ndryshme, Serbia si shtet i konsoliduar dhe Kosova që ende bën përpjekje për të fituar njohje nga shtetet evropiane.

    “Të jemi konkretë. Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë projekt-statutin e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga BE-ja dhe vendet e Kuintit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk do të thotë se duhet ta zbatojë apo të pajtohet me të. Është thjesht proces përmes të cilit bën një ushtrim te sovraniteti duke ia lënë Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë , jo qeverisë… Respektimi i sovranitetit dhe autoritetit të Kosovës është që të zbatohet Kushtetuta dhe t’i lejohet Gjykatës Kushtetuese të vendosë… Duhet parë interesi strategjik i Kosovës dhe ai është anëtarësimi në Këshillin e Evropës… Eshte një mundësi që nuk duhet humbur”, thotë Joseph.

  • Shqyrtohet raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës

    Shqyrtohet raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të mblidhet sot.

    Anëtarët e këtij komisioni do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

    Ky komision po ashtu do t’i formojë grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.

    Sipas njoftimit të zyrës për informim të Kuvendit të Kosovës në rendë ditë, ndër të tjera, pra janë edhe: “Formimi i grupeve të punës për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë; Shqyrtimi i Raportit vjetor i Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKRK) për vitin 2023”.

  • Osmani e uron presidenten e parë grua në Meksikë: Shpresoj për një mundësi bashkëpunimi të zgjeruar mes vendeve tona

    Osmani e uron presidenten e parë grua në Meksikë: Shpresoj për një mundësi bashkëpunimi të zgjeruar mes vendeve tona

    Claudia Sheinbaum, shkencëtare për klimën dhe kolege e afërt e presidentit popullor në largim, Andres Manuel Lopez Obrador, i fitoi një shumicë dërrmuese votash zgjedhjet, duke u bërë presidentja e parë grua e Meksikës.

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka uruar presidenten e sapozgjedhur duke shpresuar se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim me Kosovën.

    “Urime Presidentes së zgjedhur në zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Meksikës. Në një botë që përballet me shumë sfida, është frymëzuese të shohësh më shumë gra që marrin role udhëheqëse. Shpresoj se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim të zgjeruar mes vendeve tona”, ka shkruar Osmani.