ATV

Blog

  • 33 fëmijë me probleme në zemër do të operohen nga mjekët turq

    33 fëmijë me probleme në zemër do të operohen nga mjekët turq

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një 15-vjeçare është njëra prej 6 fëmijëve, të cilët gjatë të martës iu nënshtruan intervenimeve kardio-kirurgjike pas problemeve që kishin në zemër.

    Ndërhyrjet u bënë nga një ekip i kardiokirurgëve dhe kardiologëve turq, të cilët do të qëndrojnë për 10 ditë në Kosovë për të kryer edhe 27 operime të tjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Mjekët turq, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të misionit “Muntada Aid” thonë se qëllimi është t’iu dalin në ndihmë këtyre rasteve e njëkohësisht të trajnojnë mjekët kosovarë për të kryer në të ardhmen këto intervenime pa ndihmën e tyre.

    “Ne jemi këtu për të ndihmuar këta fëmijë me probleme të zemrës, ne i shërojmë përmes metodave tona. Misioni po shkon shumë mirë. Do t’i trajtojmë 33 raste. Fusha e shëndetësisë në Kosovë ka nevojë për ndihmën tonë”, tha Kabir Miah, menaxher “Muntada Aid”.

    “Me prezencën tonë mjekët e QKUK-së po trajnohen për këto raste, në mënyrë që në të ardhmen t’i realizojnë pa ndihmën tonë këto operacione”, tha drejtuesi i ekipit të mjekëve nga Turqia, Ibrahim Cansaran.

    Madje, për disa mjek turq ky nuk është misioni i parë.

    “Ky është misioni im i dytë në Kosovë, njerëzit janë shumë të mirë këtu, na lejojnë që t’ju dalim në ndihmë. Stafi i Kardiologjisë janë të profesionalizuar, kemi kontakt të mirë me ata”, tha Erman Cilsal, kardiolog pediatrik.

    Bashkëpunimin me mjekë të huaj e kanë mirëpritur edhe profesionistët shëndetësor të QKUK-së.

    “Çdo mision tek ne është me shumë benefite, pasi pacientët nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për trajtim, kostoja është zero. Mjekët e Turqisë kanë mbrapa çdo mjek të QKUK-së si hije për ndihmë”, tha Ramush Bejiqi, pediatër dhe kardiolog.

    Intervenimet kardio-kirurgjike për 33 rastet po realizohen në Klinikën e Neurologjisë për shkak të aparaturave të reja dhe në një pjesë të Pediatrisë së vjetër.

    Ndryshe, ekipi mjekësor nga Turqia përbëhet nga kardiologë, kardiokirurgë, infermierë, anesteziologë dhe teknikë të anestezionit.

  • Opozita në Ferizaj: Komuna pagoi për asfaltin që nuk u shtrua

    Opozita në Ferizaj: Komuna pagoi për asfaltin që nuk u shtrua

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Për shtrimin e kësaj rruge që të çon për te varrezat e fshatit Mirash të Ferizajt, ishte nënshkruar kontrata që në vitin 2021.

    Por, 2 vjet pas kryerjes së kontratës, këtu e as në 3 rrugica të tjera që ishin pjesë e kontratës, nuk është e shtruar asnjë centimetër asfalt.

    Sipas kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Visar Azemi, komuna i ka kryer pagesat pavarësisht që punët nuk janë kryer.

    “Në këtë projekt me vlerë mbi 80 mijë euro, është paraparë edhe asfaltimi i rrugës së varrezave, dhe tri rrugica te Raqtë. Për këto rrugë, paratë janë paguar, por asfalti nuk është askund. Pra, nuk ka asfalt dhe nënshkrimet e pagesat janë kryer”, tha Azemi.

    Megjithatë, sipas drejtorit të infrastrukturës që më herët ishte pikërisht menaxher i kontratës në fjalë, projekti është ndryshuar në marrëveshje me banorët.

    “Projekti në fshatin Mirash është realizu i tëri. Por me kërkesë të banorëve, është bë ndryshim i projektit. Zëvendësimi i metrave të rrugëve është bë në rrugica të tjera. Të gjitha janë të vërtetuara me dokumente e gjeodetë”, tha drejtori i infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Bajrami.

    Pavarësisht deklarimit të drejtorit të infrastrukturës, kryetari i fshatit Mirash, Taip Bytyqi, thotë se nuk ishte në dijeni për asgjë.

    “Ne kemi qenë të interesum që të shtrohet edhe kjo rrugë. Por nuk e paskam ditë që kjo deklarativisht është e shtrume siç po thotë opozita. Nëse është kështu, nuk ka ndodhë mirë, sepse organet përgjegjëse duhet të dalin para gjyqit për këtë punë”, tha Bytyqi.

    Sidoqoftë, banorët që jetojnë te rrugicat e tjera që ishin pjesë e kontratës, kërkojnë asfaltimin e tyre.

    Tenderin që e kishte fituar kompania “Gërlica”, rruga te varrezat kishte kushtuar afro 14 mijë euro.

  • Plani i hollësishëm për “Kalabrinë” mori dritën e gjelbër

    Plani i hollësishëm për “Kalabrinë” mori dritën e gjelbër

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    12 orë diskutime, përfshirë 2 orë me dyer të mbyllura, u nevojitën të hënën, që të miratohet plani i hollësishëm për lagjen Kalabria 2024 – 2032.

    Me këtë rast u plotësua edhe kërkesa e banorëve që protestuan para komunës, që koeficienti i pronave private të rritet nga 1.5, në 2.4.

    Ndërsa, vlera e koeficientit u ul nga 7 në 3, në pronën publike te Stacioni i Autobusëve.

    Kurse parku “Kalabria” u vlerësua me koeficient 1.25, ndërsa Hapësira e parkut “Botanika” me koeficient 1.0.

    Mirëpo, asamblistët e Partisë Demokratike nuk janë të kënaqur as me ndryshimet e bëra. Ata i thanë ATV-së në telefon, se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë me atë që u tha në seancën e së hënës.

    Sido që të jetë, marrëveshjen për miratimin e Planit rregullues për Kalabrinë, kryetari Përparmi Rama e cilësoi si arritje të madhe nga kryetari Përparim Rama.

  • “Blerando ishte fans i imi “ i revoltuar pas konfliktit me Blerandon deklarohet Meti Alshiqi

    “Blerando ishte fans i imi “ i revoltuar pas konfliktit me Blerandon deklarohet Meti Alshiqi

    Nën replikat e shumta përgjatë emisionit The Elite Way në ATV, Meti Alshiqi njëri nga banorët e shtëpisë Big Brother Vip Kosova i cili u diskualifikua pas konfliktit me banorit tjetër Blerandon shfaqet tejet i revoltuar për arsyen e largimit të tij.

    Duke deklaruar se gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, Blerondon e kishte cilësuar si fansi i tij meqë ata kishin qëndruar më shumë bashkë dhe finalisti Blerando kishte marr këshillat e tij.

    Konfrontimi i cili arriti deri në përballje fizike, kishte nisur ditë më parë me debate të forta mes dy banorëve, ku mes shumë fjalësh kishte edhe ofendime.

    Meti Alshiqi ishte njëri nga banorët më të zëshëm dhe i cili njihej për strategjinë e tij me debate të ashpra ndaj të tjerëve.

    Por konflikti me Blerandon bëri që ai të largohej nga shtëpia përmes zarfit të zi.

    Emisionin e plotë gjeni në videon më poshtë:

  • A ka qenë më vështirë me hy në politikë apo me ndërru partinë? – Flet Doarsa Kica

    A ka qenë më vështirë me hy në politikë apo me ndërru partinë? – Flet Doarsa Kica

    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica – Xhelili, para rrugëtimit të saj politik, ka punuar si avokate, për çka edhe ka kryer studimet jashtë vendit. Ajo në vitin 2021, e la profesionin e saj dhe i hyri politikës “kokë e këmbë” duke u bërë për herë të parë deputete, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje si pjesë e Listës “Guxo”.

    Ekzistojnë raste të rralla të deputetëve të cilët nga deputetë të partisë në pushtet, kalojnë në opozitë, dhe Kica Xhelili e ndryshoi partinë, por ky veprim jokonvecional nuk e la atë pa u bërë  cak i komenteve dhe sulmeve (me fjalë) nga ish -partiakët e saj, por edhe nga qytetarët. Disa e quanin “turpi i kombit”, e të tjerët edhe “tradhtare”.

    Cila ka qenë më e vështirë për të, hyrja në politikë apo ndërrimi i partisë dhe si e përjetoi këtë të fundit, ajo foli ekskluzivisht në “LIBERO”.

    “…Gati si njësoj, por, momenti kur kam hyrë në politikë (për mu) ka qenë shumë i vështirë sepse po lija diçka shumë të rëndësishme që ishte avokatia. Përveç që po e lija profesionin e avokatisë për të cilin kisha përfunduar shkollime e përvojë e raste ndërkombëtare, isha duke negociuar partnershipin (pra rrugës për t’u bërë aksionare në atë firmë)…Ndërsa, ndërrimi i partisë ka qenë çështje e natyrshme, ka buruar… Kisha qenë në një grupim që mendon krejt ndryshe nga unë…”, deklaroi Kica Xhelili.

    Për më shumë informacione nga intervista e Doarsa Kica Xhelilit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kurti për bisedën Kusari-Radojiçiq: S’e kam dëgjuar, ajo është një situatë e montuar

    Kurti për bisedën Kusari-Radojiçiq: S’e kam dëgjuar, ajo është një situatë e montuar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur situatë të montuar bisedën telefonike ndërmjet shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje me Milan Radojiqiçin.

    “Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar dhe e kanë shumë të qarte pse Radojiçiqi ka ikur tash dhe nuk qëndron në qeveri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radojiçiqi këtë muaj i bënë 9 muaj që është i lirë në Serbi”, u shpreh Kurti.

  • A ekziston një “kohë e duhur” për t’u bërë prindër?

    A ekziston një “kohë e duhur” për t’u bërë prindër?

    Zgjedhja për të pasur ose jo fëmijë është krejtësisht personale. Sipas “Psychology Today” një zgjedhje e tillë nuk duhet marrë kurrë me lehtësi, sidomos kur çiftet nuk ndihen të gatshëm për t’u bërë prindër.

    Në “Libero” u diskutua pikërisht për këtë temë, duke u bërë ndërlidhja edhe me krijimin e familjes sipas aspektit tradicional martesës  – ku çiftet në të kaluarën janë  “detyruar” që të bëhen me fëmijë, porsa janë martuar!

    Këtë dukuri, sociologu Blerim Shabani nuk e trajtoi si problematikë derisa theksoi se ka teoricienë të caktuar që e përkrahin idenë e të bërit prindër sa më herët!

    “…Ka teoricienë që e përkrahin idenë e të bërit prind sa më herët sepse mund të ketë një fokus, mund të ketë kujdes më të shtuar, vëmendje më të shtuar ndaj rritjes së fëmijëve dhe kjo mund të kaloj shumë më lehtë fazën e rritjes së fëmijëve…”, tha ai.

    Ndërkohë, në aspektin gjinekologjik, ekziston një “kohë e duhur” për t’u bërë prindër, dhe kjo përcaktohet me shtatzëninë e gruas. Në lidhje me këtë, gjinekologia Jasmina Tolaj, tha se sa më vonë që gratë mbesin shtatzënë, aq më shumë komplikime do të ketë.

    “…Mosha më e mirë për lindje te gratë është prej viteve 20-të deri 30-35 vjeç, kjo është periudha më e mirë për me lindë fëmijë sepse organikisht je e shëndoshë, vezët e femrës janë të shëndosha dhe sëmundje përcjellëse nuk ka…”, deklaroi Tolaj.

    Mirëpo, në aspektin psikologjik, disa nga arsyet pse njerëzit nuk ndihen të gatshëm për t’u bërë prindër janë: Karriera, mjedisi jo i sigurt, gjendja financiare, dëshira për të udhëtuar etj. Në artikullin e “Healthline” thuhet se gatishmëria emocionale dhe financiare për të krijuar një familje, janë faktorë shumë të rëndësishëm që duhet marrë parasysh domosdoshmërisht!

    Në lidhje me këtë temë, vlen të ceket edhe videoja virale që  krijoi stuhi debatesh në mbarë  botën nga producentja e “The Daily Show”, Chelsea Handler e cila theksoi rëndësinë e ndjesisë për t’u bërë prindër. Sipas saj: “Nëse njerëzit ndihen të lirë të bëjnë zgjedhjen për të pasur ose jo fëmijë, do të kemi më pak njerëz që do të rriten nga prindër që nuk i duan ose janë inatosur me praninë e tyre…”, thotë Handler.

    Për të marrë më shumë informacione rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Nuhi Bytyçi nis dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Nuhi Bytyçi nis dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 70-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Nuhi Bytyçi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori Matt Halling, i cili në përmbledhjen e lexuar tha se dëshmitari ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari 04411 ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës. Ai ka bërë fotografi të elementeve ose momenteve të rëndësishme përfshirë edhe rolin në të cilin janë përfshirë të akuzuarit. Dëshmitari ka shkruar një libër rreth përvojës së tij të botuar në vitin 2019 që quhet “Libri i Luftës”, lexoi Halling.

    Dëshmitari Bytyçi pohoi se është autori i një libri të titulluar “Libri i Luftës”, në të cilin pasqyrohen përjetimet e tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë, përkatësisht 11 orë.

    Ai tha se ZPS-ja ka paraparë 3 deri në 4 orë për pyetje, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth 7 orë e gjysmë për kundërpyetje.

    Deklaratat e dëshmitarit që rrjedhin nga seanca përgatitore me ZPS-në, u pranuan si prova materiale. Ndërsa, nëse libri i tij ai të pranohet tërësisht a po disa pjesë të tij mbeti që vendimi të merret pas pushimit me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve pasi thanë që nuk e kundërshtojnë, por iu duhet konsultim mes vete për shkak të disa paqartësive.

    Pas pushimit, me vendim të trupit gjykues, u pranuan të gjitha faqet e përkthyera të këtij libri.

  • Vetëvendosje thyen heshtjen për audio-incizimin e Kusari-Lilës me Radojçiqin

    Vetëvendosje thyen heshtjen për audio-incizimin e Kusari-Lilës me Radojçiqin

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thyer heshtjen e partisë së tij për audio-incizmin e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me terroristin Milan Radojçiq.

    Ai ka thënë se trashëgimia e tyre (pushtetet e kaluara) nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes.

    “Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Manxhuka.

    “Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shtuar ai.

  • Java e Krenarisë, Rohde: Të drejtat e LGBTQI+ nuk duhet të negociohen por të zbatohen

    Java e Krenarisë, Rohde: Të drejtat e LGBTQI+ nuk duhet të negociohen por të zbatohen

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermani është entuziaste që ka nisur Java e Krenarisë në Kosovë.

    “Gjermania është entuziaste që Java e Krenarisë në Kosovë më në fund ka nisur”, ka shkruar Rohde në “X”.

    Ai ka thënë se të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut dhe se ato nuk duhet të negociohen por të zbatohen.

    Rohde ka publikuar fotografi nga hapja zyrtare e Javës së Krenarisë, që u bë dje në ndërtesën e qeverisë.