ATV

Blog

  • OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptian” kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë

    OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptian” kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë

    Po kërkohet hapja e një qendre multikulturore në Prishtinës.

    Kjo kërkesë vie nga organizata, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

    Përmes një adresimi VoRAE kërkon nga pushteti lokal në kryeqytet, për ndarjen e një hapësire për ndërtimin e kësaj qendre.

    Sipas kësaj shoqate, krijimi i një qendre kulturore në Prishtinë do të ishte një hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët.

    ” Një qendër e tillë mund të shërbejë si një platformë për të shfaqur pasurinë kulturore, historinë dhe traditat e këtyre komuniteteve, duke kontribuar në ndryshimin e perceptimeve negative dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kultura dhe mentaliteti i një kombi pasqyrohen në mendimet dhe imagjina e njerëzve të tij. Përmes aktiviteteve kulturore, ekspozitave artistike, pë rformancave muzikore dhe teatrale, një qendër kulturore mund të ndihmojë në ndërtimin e një narrative pozitive për këto komunitete. Kjo jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor, por gjithashtu do të forcojë ndjenjën e identitetit dhe krenarisë mes anëtarëve të komunitetit”, thuhet në kërkesën e VoRAE transmeton Klankosova.tv

    Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thekson se kjo qendër do të krijonte hapësira për dialog dhe bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme, duke reduktuar diskriminimin dhe paragjykimet.

    “Ajo do të ofronte mundësi për edukim dhe zhvillim personal, duke fuqizuar individët dhe duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Përmes këtij angazhimi, qendra kulturore do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës harmonike ndërmjet të gjithë qytetarëve”, thuhet ndër të tjera.

    VoRAE kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë: Hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara

    Çka synohet me hapjen e Qendres Multikulturore?

    “Qendra Multikulturore – për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë”.

    Themelimi i një qendre të përkushtuar kulturore për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe festimit të identitetit të tyre kulturor, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë. Kjo qendër do të ofrojë një sërë programesh që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtyre komuniteteve dhe do të shërbejë si një pikë takimi për të gjithë qytetarët.

    Komponentët kryesorë të qendrës:

    1. Muzeu i Arteve

    – Organizimi i ngjarjeve të rregullta kulturore, festivaleve dhe ekspozitave për të shfaqur traditat, muzikën, vallëzimin, artet dhe folklorin e komuniteteve.

    – Bashkëpunimi me artistët e komuniteteve për të organizuar shfaqje dhe ekspozita, si brenda qendrës ashtu edhe në ambiente të jashtme.

    – Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit dhe artistëve që të ndërveprojnë me vizitorët dhe të ndajnë historitë dhe përvojat e tyre.

    2. Hapësirat Interaktive Mësimore

    – Ofrojnë punëtori dhe aktivitete të dizajnuara për të zhytur pjesëmarrësit në kulturën e romëve, të ashkalinjve dhe egjiptianëve.

    – Përfshijnë klasa gjuhësore, zanate, punëtori tradicionale të gatimit dhe mundësi për të mësuar instrumente muzikore tradicionale.

    3. Ndërgjegjësimi dhe Avokimi

    – Angazhimi aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit për historinë dhe kulturën rome dhe sfidat me të cilat përballen këto komunitete.

    – Përpjekjet e avokimit që synojnë luftimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianëve.

    4. Edukimi dhe Ndërgjegjësimi

    – Organizimi i seminareve, leksioneve dhe paneleve diskutimi për publikun e gjerë për t’i edukuar ata rreth historisë, kulturës dhe kontributit të komuniteteve.

    – Organizimi i shfaqjeve filmike dhe diskutimeve mbi tema që lidhen me çështjet e komuniteteve, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut.

    – Një bibliotekë me libra, materiale audio-vizuale dhe burime mbi historinë dhe kulturën e komuniteteve në dispozicion për qëllime edukative dhe kërkimore.

    – Bashkëpunimi me institucionet arsimore për të integruar historinë dhe kulturën e komuniteteve në kurrikulën e tyre.

    5. Shkëmbimi Gjuhësor dhe Ndërkulturor

    – Ofrojnë kurse gjuhësore për individët romë dhe jo-romë, me fokus në mësimin e gjuhës rome dhe shprehjeve kulturore.

    – Lehtësimi i programeve të shkëmbimit ndërkulturor ndërmjet komuniteteve rome dhe jo-rome për të nxitur mirëkuptimin dhe për të kapërcyer boshllëqet.

    – Organizimi i programeve shkëmbimi gjuhësor ku individët romë ndajnë gjuhën dhe kulturën e tyre me nxënësit e interesuar.

    6. Hulumtimi dhe Dokumentacioni

    – Kryerja e kërkimeve mbi historinë, kulturën dhe çështjet bashkëkohore rome dhe publikimi i gjetjeve në revista akademike dhe platforma të tjera.

    – Mbledhja dhe ruajtja e historive gojore, fotografive, artefakteve dhe dokumenteve rome për të siguruar që kontributi i romëve në shoqëri të njihet dhe ruhet.

    – Bashkëpunimi me studiues, studiues dhe arkivistë për të dokumentuar dhe ndarë informacion të saktë rreth komuniteteve.

    7. Partneriteti dhe Bashkëpunimi

    – Krijimi i partneriteteve me institucionet kryesore kulturore, shkollat dhe universitetet për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

    – Bashkëpunimi me OJQ-të dhe grupet e avokimit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale për të zgjeruar përpjekjet kundër anticiganizmit.

    – Angazhimi me politikëbërësit dhe organet qeveritare për të ndikuar në politikat dhe programet që promovojnë përfshirjen sociale dhe luftojnë diskriminimin.

  • NATO përgatit planin në rast të luftës me Rusinë, shumë korridore tokësore përfshijnë edhe Ballkanin

    NATO përgatit planin në rast të luftës me Rusinë, shumë korridore tokësore përfshijnë edhe Ballkanin

    NATO po ndërton në mënyrë sekrete “korridore tokësore” për të nxitur trupat dhe forca të blinduara amerikane në vijat e frontit në rast të një lufte të madhe tokësore evropiane me Rusinë. Është Evropa e cila po tenton të tërheqë vendin më të fuqishëm të botës në një luftë e cila mund të ndodhë edhe pas dy vitesh, sipas zyrtarëve të lartë ushtarak norvegjezë.

    Ushtarët amerikanë do të zbarkojnë në një nga pesë portet mes tyre edhe portet e Ballkanit, dhe do të kanalizohen përgjatë rrugëve logjistike të planifikuara paraprakisht për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Moska, citojnë zyrtarë të ndryshëm për median britanike The Telegraph.

    Rrugët logjistike janë bërë një prioritet kyç që kur udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të përgatisin 300 mijë trupa që do të mbahen në një gjendje gatishmërie të lartë për të mbrojtur aleancën në një samit në Vilnius, Lituani, vitin e kaluar.

    Në rast lufte trupat amerikane do të zbarkojnë në portet holandeze përpara se të hipin në trenat që i transportojnë ato përmes Gjermanisë dhe në vazhdim në Poloni.

    Në rast të një pushtimi rus të NATO-s, trupat amerikane do të dërgoheshin në portin e Roterdamit përpara se të transportoheshin drejt lindjes. Nëse forcat e NATO-s që hyjnë nga Holanda goditen nga bombardimet ruse, ose shkatërrohen portet e Evropës veriore, aleanca do të zhvendosë fokusin në portet në Itali, Greqi dhe Turqi, citon The Telegraph. Nga portet italiane, trupat amerikane mund të transportoheshin përmes tokës përmes Sllovenisë, Kroacisë në Hungari, e cila ndan një kufi me Ukrainën.

    Plane të ngjashme ekzistojnë për të transportuar forca nga portet turke dhe greke përmes Bullgarisë dhe Rumanisë për të arritur në krahun lindor të aleancës.

    Sakaq, Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se përdorimi i armëve perëndimore për të goditur brenda Rusisë ishte një vendim jetik që do të ndikonte në aviacionin taktik të Moskës dhe aftësinë e saj për të operuar në zonat kufitare.

  • Doli nga shtëpia para katër ditësh, zhduket gruaja nga Peja

    Doli nga shtëpia para katër ditësh, zhduket gruaja nga Peja

    Një grua nga Peja është zhdukur, ku sipas policisë ajo kishte dalur nga shtëpia e saj më 1 qershor.

    Rasti u raportua tek organet e rendit dje më 4 qershor.

    Njësitet kompetente janë duke e hetuar këtë rast.

  • ​Sfidat dhe mundësitë e transformimit energjetik, diskutohen mes Rizvanollit dhe Lorkowski

    ​Sfidat dhe mundësitë e transformimit energjetik, diskutohen mes Rizvanollit dhe Lorkowski

    Gjendja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet që e presin Kosovën në këtë sektor janë temat të cilat u diskutuan në takimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkowski me delegacionin e tij.

    Përmes një komunikate për media u bë e ditur se Rizvanolli theksoi se sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike.

    “Gjatë takimit, po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike”, thuhet në komunikatë.

    Me theks të veçantë poashtu u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.

  • Vrasje në tentativë në Skenderaj

    Vrasje në tentativë në Skenderaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona në Skenderaj pasi dyshohen për një sulm me thikë.

    Sipas njoftimit viktima është dërguar në në tretman mjekësorë në QKUK.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur me viktimën mashkull kosovar, dyshohet se e kishin sulmuar fizikisht atë duke e goditur me thikë. Viktima është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK. Me vendim të prokurorit njëri i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i dytë është dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.

  • Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon edhe sot dëshminë në Gjykatën Speciale

    Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon edhe sot dëshminë në Gjykatën Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të, gazetari Nuhi Bytyçi, i cili ka mbuluar luftën në Kosovë.

    Rikujotjmë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndryshe dje prokuroria në çështjen Thaçi dhe të tjerët thirri dëshmitarin e 71-të, gazetarin Nuhi Bytyçi i cili ka mbuluar luftën në Kosovë. Gazetari Nuhi Bytyçi do të vazhdojë edhe sot dëshminë në Speciale.

    Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka theksuar se nuk dëshiron që Specialja, sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

    “Nuk dua që kjo gjykatë, sidomos prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”, ka thënë ai derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

  • ​Ky pritet të jetë formacioni i Fodas kundër Norvegjisë

    ​Ky pritet të jetë formacioni i Fodas kundër Norvegjisë

    Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me atë të Norvegjisë, testi ky i fundit i “Dardanëve” para ndeshjeve në Ligën e Kombeve.

    Ndeshja e fundit e Kosovës ishte në muajin mars, ku u mposht në një miqësore nga Hungaria me shifrat 2:0, raporton KosovaPress.

    Pavarësisht mungesës së Rashicës dhe Muslijës që janë të lënduar, trajneri i Kosovës, Franco Foda bëri të ditur mbrëmë se “të gjithë futbollistët janë mirë dhe të gatshëm”.

    Ndërkaq, trajneri Foda pritet të paraqitet sonte me këtë formacion kundër Norvegjisë, e po ashtu më poshtë mund ta gjeni edhe formacionin e mundshëm të Norvegjisë.

  • Japonia miraton ligjin për të ndaluar rënien e nivelit të lindjeve

    Japonia miraton ligjin për të ndaluar rënien e nivelit të lindjeve

    Parlamenti japonez miratoi të mërkurën një ligj të ri për të ndaluar rënien e nivelit të lindjeve, pasi vendi shënoi një normë rekord më të ulët të lindshmërisë totale vitin e kaluar.

    Sipas ligjit të ri, qeveria do të zgjerojë shtesat e fëmijëve dhe lejen prindërore.

    Miratimi i ligjit të ri vjen pasi qeveria e kryeministrit, Fumio Kishida “e sheh periudhën që çon deri në vitin 2030 si shansin e fundit për të ndryshuar trendin, me martesat e vona dhe shqetësimet financiare të përmendura shpesh si arsye për rënien e nivelit të lindjeve.

    Kjo gjithashtu vjen pasi statistikat e fundit të qeverisë zbuluan se norma totale e lindshmërisë së Japonisë kishte rënë vitin e kaluar në nivelin më të ulët që nga viti 1947, kur filluan të dhënat.

    Shkalla e fertilitetit, e cila tregon numrin e pritshëm të fëmijëve që një grua pritet të ketë, ra në 1.20.

    Ai shënoi gjithashtu vitin e tetë radhazi që Japonia, shtëpia e rreth 125 milionë njerëzve, ka dëshmuar një rënie të vazhdueshme të lindshmërisë. (AA)

  • ​I dyshuari për disa vjedhje të rënda arrestohet nga policia

    ​I dyshuari për disa vjedhje të rënda arrestohet nga policia

    Policia e Kosovës të martën ka arrestuar në Fushë Kosovë një person të dyshuar për disa vjedhje të rënda.

    Sipas njoftimit të policisë, rastet kanë ndodhur në periudhën janar-qershor 2024, kryesisht në zonën e Fushë Kosovës ku janë vjedhur stoli ari, mjete punë si dhe gjësende në markete.

    “Puna e hetuesve policor, është finalizuar dje ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të arrestojnë personin e dyshuar. Personi i dyshuar A.H, mashkull 27 vjeç, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit e stacionit policor po kryejn veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastet (tetë raste) ku personi i arrestuar dyshohet të jetë i përfshirë”, thuhet në njoftim të policisë.

  • ​Zgjedhjet në Evropë në kohën e krizës demografike

    ​Zgjedhjet në Evropë në kohën e krizës demografike

    Mungesa e entuziazmit dhe pjesëmarrja e ulët në votime i përcollën zgjedhjet për Parlamentin Evropian prej vitesh, dhe frika se e njëjta gjë do të përsëritet, është e pranishme edhe përpara votimeve që do të mbahen këtë javë.

    Për pjesëmarrjen e ulët, përkatësisht nevojën që në procese zgjedhore të përfshihen edhe ata që do të krijojnë të ardhmen e kontinentit evropian, paralajmëroi më herët edhe Konferenca për të Ardhmen e Evropës – një nismë kjo e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, që për synim ka të vlerësojë të ardhmen afatmesme dhe afatgjate të BE-së, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë institucionet e saj.

    Sfida bëhet edhe më e madhe në kohën kur Evropa përballet me rënie demografike dhe të rinjtë janë gjithnjë e më pak.

    Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, popullsia e BE-së më 1 janar, 2023, numëronte 448.8 milionë banorë, dhe më shumë se një e pesta e tyre, pra 21.3%, ishin mbi 65 vjeç.

    Po në atë periudhë, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç. Sipas Eurostat-it, kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së është më e vjetër se 44.5 vjeç.

    Pjesëmarrja në zgjedhjet evropiane është vazhdimisht në rënie dhe ishte gjithë kohën më e ulët se në zgjedhjet kombëtare.

    Me këtë fenomen, BE-ja ka gjasa të përballet edhe në zgjedhjet që do të mbahen mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti.

    Si u votua deri më tash?

    Në zgjedhjet e para evropiane të vitit 1979, kur Komuniteti i atëhershëm Evropian kishte nëntë shtete anëtare, pjesëmarrja ishte 61.9%, ndërsa në zgjedhjet e 2014-ës kjo ra në 42.61%.

    Rritja e vetme deri më tani u shënua në zgjedhjet e vitit 2019, kur pjesëmarrja arriti në 50.6% – pra 8% më shumë.

    Analizat treguan se kjo rritje ishte kryesisht rezultat i pjesëmarrjes më të madhe të të rinjve.

    Sipas të dhënave të Forumit Rinor Evropian, pjesëmarrja e të rinjve më 2019 ishte më e lartë për 14 për qind.

    Kjo është arsyeja edhe përse u imponua nevoja për uljen e moshës për pjesëmarrje aktive në politikë, ndonëse jo të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të marrin masa konkrete për të mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve.

    Janë vetëm 5 nga 27 shtetet anëtare të BE-së që i lejuan qytetarët e tyre nën moshën 18-vjeçare të votojnë. Belgjika, Gjermania, Malta dhe Austria e ulën pragun e moshës në 16 vjeç, ndërsa Greqia në 17 vjeç.

    Kur bëhet fjalë për votuesit për herë të parë, sipas Eurostat-it, numri më i madh i tyre është në Gjermani (5.1 milionë), në Francë (4 milionë) dhe në Itali (2.8 milionë). Numri më i vogël, ndërkaq, është në Maltë (20.000), në Qipro (37.000) dhe në Estoni (70.000).

    Numri më i madh i votuesve që do të votojnë për herë të parë, pritet në Belgjikë, Francë dhe Gjermani – me 9.7%, 8.0% dhe 7.9% të të gjithë votuesve me të drejtë vote – pra, pikërisht në vendet që e ulën pragun për të drejtën e votës.

    Instituti i politikave i Parlamentit Evropian thekson se ulja e moshës së votimit është një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje.

    Në mesin e metodave të tjera, ai përmend edhe vendosjen e kuotës për të rinjtë; mundësimin e votimit online ose me postë; uljen e moshës për kandidim, apo promovimin e edukimit qytetar në programet shkollore.

    “Disa argumentojnë, gjithashtu, se kufiri më i lartë i moshës për kandidim, mund të jetë pengesa kryesore për pjesëmarrjen e të rinjve. Demokracia evropiane është shumë më tepër sesa thjesht votimi – është gjithashtu angazhim qytetar dhe pjesëmarrje në procese demokratike. Me kalimin e viteve, duket se pjesëmarrja politike ka evoluar, veçanërisht te të rinjtë”, thotë Instituti i politikave i Parlamentit Evropian.

    Rëndësia e pjesëmarrjes së votuesve të rinj

    Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit do të jenë më shumë se 20 milionë votues për herë të parë në të gjithë BE-në.

    Gjermania ka një numër veçanërisht të lartë të votuesve për herë të parë – më shumë se 5 milionë.

    Luise Quaritsch, nga Qendra Jaques Delor në Berlin, vlerëson se nuk ka gjasa që vota e të rinjve t’i ndryshojë ndjeshëm rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve.

    Sipas saj, votuesit e rinj në BE, në përgjithësi, ndihen pesimistë për të ardhmen e tyre dhe mendojnë se politikanët nuk i përfaqësojnë në mënyrë adekuate.

    Megjithatë, ajo shton se pikërisht mospjesëmarrja e të rinjve do të ndikonte në parandalimin e një skenari të pritur, përkatësisht rritjen e rrymave ekstreme në përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

    Partitë e tilla, sipas saj, dinë se si të depërtojnë te brezat e rinj.

    “Partitë populiste dhe ekstremiste mund të përfitojnë nga kjo gjendje. Fushatat në mediat sociale, veçanërisht në TikTok, mund të jenë gjithashtu një faktor ndikues, sepse arrijnë te të rinjtë”, thotë Quaritsch për Radion Evropa e Lirë.

    Ajo është e mendimit se edhe vendet e tjera anëtare të BE-së duhet ta ndjekin shembullin e pesë vendeve të bllokut dhe ta ulin moshën e votimit.

    Sipas saj, kjo do të ndikonte që në të ardhmen të kishte pjesëmarrje më të lartë të votuesve të rinj.

    “Kjo është një fushë ku rregullat e votimit duhet të harmonizohen në të gjithë BE-në. Rregullat e ndryshme të moshës së votimit midis shteteve anëtare, i lënë qytetarët e BE-së me mundësi të pabarabarta për pjesëmarrje”, thotë Quartisch.

    Vetëm 6% e përfaqësuesve evropianë janë nën 35 vjeç

    Sipas Forumit Rinor Evropian, i cili mblodhi të dhëna publike, të rinjtë janë grup-mosha më e papërfaqësuar në Parlamentin Evropian.

    Ndërsa një në pesë evropianë është midis 18 dhe 35 vjeç, vetëm një në pesëmbëdhjetë – ose vetëm 6% e deputetëve – është në të njëjtën grup-moshë.

    Në anën tjetër, një në pesë evropianë është midis 51 dhe 65 vjeç, por numri i deputetëve që përfaqësojnë këtë grup-moshë në Parlamentin Evropian, është dy herë më i lartë, përkatësisht 42 për qind.

    Përse janë të rëndësishme zgjedhjet evropiane?

    Mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti, zgjedhjet e dhjeta evropiane do të mbahen në të 27 shtetet anëtare të BE-së.

    Ato përfaqësojnë një moment kyç për demokracinë e BE-së, pasi u japin qytetarëve të drejtën për të zgjedhur drejtimin politik të BE-së.

    Zgjedhjet zhvillohen për anëtarët e Parlamentit Evropian, që janë të vetmit përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

    Rezultati i zgjedhjeve do të ndikojë, pastaj, edhe në emërimin e drejtuesve të institucioneve të BE-së, si: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Ata i emërojnë krerët e vendeve anëtare të BE-së, por drejtuesit e institucioneve do të jenë nga partitë që marrin më shumë vota në zgjedhjet evropiane.

    Me narrativën e Brukselit, ky vit quhet “superzgjedhor”.

    Krahas zgjedhjeve për institucionet e BE-së, në disa shtete anëtare këtë vit mbahen ose u mbajtën zgjedhjet kombëtare.

    Viti 2024 është vit zgjedhor edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që është po ashtu e rëndësishme për marrëdhëniet transatlantike./REL/