ATV

Blog

  • ​Në prag të Euro 2024, UEFA sjellë risi për tifozët

    ​Në prag të Euro 2024, UEFA sjellë risi për tifozët

    UEFA ka publikuar aplikacionin zyrtar EURO 2024, i cili do t’u vijë në ndihmë tifozëve me informacione të rëndësishme mbi ndeshjet, qytetet ku do të luhen ndeshjet, fan zone, skuadrat, lojtarët dhe biletat.

    Seksioni i biletave është shumë i rëndësishëm, pasi tifozët që kanë biletë për të parë ndeshje në stadium, mund të përfitojnë një Free Pass, i cili u mundëson udhëtimin falas për 36 orë, nga ora 06:00 e ditës së ndeshjes, deri në orën 18:00 të ditës tjetër. Kjo biletë udhëtimi falas përfshin rrjetin rajonal të transportit publik dhe ulje në rrjetin DB dhe Interrail.

    Përveç Free Pass, nëpërmjet aplikacionit EURO 2024 mund të aksesoni (Event Companion), i cili përmban:

    Fan Pass

    Këshilla ditore të personalizuara me informacione të rëndësishme për eventin

    Sinjalizime të drejtpërdrejta për udhëtimet dhe stadiumet

    Harta interaktive

    Public Vieëings dhe Fan Zones.

    Për të aksesuar (Event Companion) dhe Free Pass ndiqni këto hapa:

    Shkarkoni ose përditësoni aplikacionin UEFA EURO 2024

    Lidhuni me të njëjtën adresë që keni përdorur për të blerë ose marrë biletën*– [email protected]

    Aktivizoni njoftimet për përditësime të rëndësishme

    Aktivizoni lejen e vendndodhjes – do të përdoret vetëm në ditën e ndeshjes, për arsye të menaxhimit të turmës dhe sigurisë.

    * Kini parasysh që aplikacioni UEFA EURO 2024 është ndryshe nga aplikacioni UEFA MOBILE Tickets. /ATSH/

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

  • ​Para katër vjetësh Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

    ​Para katër vjetësh Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

    Sot mbushen katër vjet qëkur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti hoqi masën e reciprociteti ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia.

    Me sugjerimin e kryeministrit Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia.

    Anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019, futi taksat 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

    Pas seancës së qeverisë, kryeministri Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

    Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.

    Serbia kishte ndërprerë dialogun kur Kosova futi taksat 100 për qind për importin e mallrave të tyre, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, insistuan në heqjen e tyre në mënyrë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.

    Në të njëjtën kohë, nga Serbia u kërkua që t’i jep fund fushatës së saj agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNICEF dhe INTERPOL, që ishte arsyeja e futjes së taksës.

    Më pas, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të zëvendësojë taksat me reciprocitet, me të cilin nuk u pajtua Lidhja Demokratike e Kosovës, partner i koalicionit në qeverinë e kaluar, dhe kjo çoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti pas vetëm 50 ditësh.

  • Ministria e drejtësisë: Femicidi të trajtohet me ligj të veçantë

    Ministria e drejtësisë: Femicidi të trajtohet me ligj të veçantë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në asnjërin rast të vrasjes së grave, femicidi nuk është përmendur si rrethanë rënduese ndaj të akuzuarve. Andaj Ministria e Drejtësisë, këtë po planifikon ta rregullojë me ligj të veçantë për femicidin, meqë siç është thënë vetëm Kodi penal është i pamjaftueshëm.

    “Kemi vlerësuar që e kemi jo një nen të veçantë në kodin penal si femicid, por që ta hartojmë një ligj i cili në detaje i ka të specifikuara çështjet që lidhen me këtë aspekt, konsideroj që është tepër e rëndësishme që të kemi një bazë të fortë ligjore”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Arsye shtesë për këtë, ministrja tha se është edhe një hulumtim mbi dhunën në familje e femicidin, gjetjet e të cilit tha se janë shqetësuese, megjithëse detajet ajo i la për një herë tjetër.

    “Të dhënat që kanë dalë si rezultat i këtij studimi janë, por për këtë nuk po flas më tepër sepse shumë shpejt do ta kemi publikimin e këtij raporti”, tha Haxhiu.

    Sidoqoftë, sipas njohësve të çështjeve juridike, Kosova ka kod penal të mirë, por mungon realizimi në praktikë duke shtuar se ligji i posaçëm zor që mund të ndryshojë diçka.

    Në Kosovë nuk është problematike se nuk kemi legjislacion, apo nuk kemi ligje që rregullojnë ose adresojnë krimet e kryera kundër grave apo edhe krimet e dhunës në familje. Kodi penal dhe ligji për dhunë në familje besoj që e përcaktojnë në mënyrë të qartë sanksionimin e kësaj vepre penale, ajo çka mbetet sfidë dhe është problematikë, është fakti që gjyqtarët dhe prokurorët, ose të themi ashtu, që në praktikë nuk zbatohen dhe nuk adresohen mjaftueshëm”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.

    Kosova është e para në vendet e rajonit që inicion hartimin e një ligji që trajton femicidin.

  • OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Zvarritje të seancave, numër të madh të atyre joproduktive, mangësi e mungesë resursesh, janë vetëm disa prej gjetjeve të Misionit të OSBE-së mbi monitorimin e proceseve gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Këto rezultate dalin nga monitorimi i 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit që Misioni ka monitoruar në periudhën nga viti 2021 deri 2024.

    Gjithashtu, raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur edhe shkallë të lartë të lirimit nga aktakuza, derisa ka mungesë të besimit në institucionet e drejtësisë.

    “Në Kosovë ekipi ynë i monitorimit dhe gjykimeve ka monitoruar drejtpërsëdrejti 52 çështje, ku janë përfshirë gjithsej 670 seanca dëgjimore në periudhën ndërmjet korrikut 2021 dhe marsin 2024. Ishin 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 14 raste të krimit të organizuar. Raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur, po ashtu, edhe në shkallë të lartë të lirimit nga akuzat”, tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

    Kritika për sistemin e drejtësisë pati edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili tha se Kosova vazhdon të përballet me stërzgjatjen e rasteve gjyqësore.

    Drejtësia e vonuar është drejtësi e vonuar, Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që përfshin të gjithë sistemin e drejtësisë në Kosovë, gjykata, këshillin gjyqësor, këshillin prokurorial, pra të gjitha palët dhe inkurajoj këto institucione që të zbatojnë rekomandimet e renditura në këtë raport”, tha Szunyog.

    Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur rekomandimet e raportit, teksa shtoi se në programin e qeverisë 2021-2025, objektivë strategjike është luftimi i krimit dhe korrupsionit.

    “Meqë edhe objektivi i këtij raporti ka qenë që të vlerësohet efektiviteti i reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht dhe rekomandimet janë në kompetencë të adresimit dhe përmbushjes nga ana e institucioneve përgjegjëse, pra të sistemit të drejtësisë, më lejoni të shpreh gatishmërinë por edhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim në të gjitha fushat brenda kompetencave tona adresimin e këtyre rekomandimeve”, tha Haxhiu.

    Sidoqoftë, raporti përmbante edhe pika pozitive në lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç është miratimi i strategjisë dhe miratimi i planit për luftimin e korrupsionit 2020-2024.

  • Kryetaret e komunave takojnë presidenten

    Kryetaret e komunave takojnë presidenten

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pas fjalimeve hyrëse që u lejuan të xhiroheshin, për tri orë, me dyer të mbyllura, presidentja Vjosa Osmani diskutoi me disa prej kryetarëve të komunave.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, Osmani tha se në fokus ishte mundësia e bashkëpunimit në luftën kundër dhunës në baza gjinore, si dhe për mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta.

    “Falënderoj të gjithë kryetarët për zotimin e përbashkët i cili u miratua sot unanimisht që të bashkëpunojmë në mënyrë që ta eliminojmë dhunën në baza gjinore, të bashkëpunojmë që të ofrojmë sa më shumë shërbime dhe përkrahje për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha Osmani.

    Por, për ta bërë këtë, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, Ligji për Financat Lokale, duhet të ndryshohet e plotësohet.

    “Është çështja e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Financat Lokale, nga e cila do të derivojë edhe granti specifik për çështjet sociale dhe çështjet familjare, që është adresë pikërisht e trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën, sepse pikërisht këto çështje janë adresë e një gjysmë përgjegjësie të Qendrave për Punë Sociale. Nuk mund të ketë adresim por edhe përgjigje adekuate pa sigurim të buxhetit shtesë dhe pa miratimin e këtij ligji”, tha Aliu.

    Kërkesa e kryetarëve për më shumë financa, u mbështet nga e para e shtetit.

    “Natyrisht që për realizimin e shumë prej tyre, shumë prej këtyre zotimeve, nënkupton edhe buxhet shtesë dhe natyrisht që i përkrah komunat në këtë kërkesë të tyre, edhe për sa i përket stafit në qendrat për punë sociale por edhe për aspektetë tjera që kanë të bëjnë me pavarësimin financiar të viktimave të dhunës”, tha Osmani.

    Temë tjetër gjatë diskutimeve, u tha të ketë qenë edhe bashkëpunimi ndërinstitucional për promovimin e turizmit në Kosovë.

  • “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian zgjedhjet e brendshme këtë javë, dhe periudha deri në finalizimin e ndryshimeve në përbërje, nuk e pengojnë punën e Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    Pa treguar nëse do të ketë zgjatje të mandatit, përtej gushtit, zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh tha se emisari Lajcak do të vijojë punën zakonshëm.

    “Aktualisht mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun z. Lajçak është aktiv, dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kështu që, ai është plotësisht i angazhuar në ndërveprime me partnerët, si në rajon, në BE dhe në skenën ndërkombëtare, duke u përpjekur që t’i çojë gjërat përpara dhe t’i ndihmojë palët në zgjidhjen e çështjeve një nga një, me prioritet zbatimin urgjent të së ashtuquajturës Marrëveshja e Ohrit”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Por, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri, nuk tregoi nëse do të ketë takim të ri në Bruksel, lidhur me ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së te komuniteti serb, para datës kur ata supozohet të marrin pagesat e radhës nga Serbia.

    “Ne njoftojmë për çdo takim që lidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sipas rrethanave. Në këtë moment, nuk kemi ndonjë njoftim për të kuptuar”, tha Stano.
    Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar, pritet që Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, javën e ardhshme, t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së raportin lidhur me heqjen eventuale të masave ndaj Kosovës.

    Finalizimi i raportit, me vlerësime dhe rekomandime, ishte vonuar për shkak të aksionit të 20 Majit, në katër komunat në veri, për mbylljen e filialeve të Bankës Kursimore Postare të Serbisë dhe konfiskimin e miliona dinarëve dhe eurove.

    Si rrjedhojë dokumenti nuk ishte gati për takimin Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së më 27 Maj. Ministrat e Jashtëm të unionin mblidhen sërish më 24 Qershor.

  • “Përgjigjja është libri”, nis edicioni i 24 i panairit të librit

    “Përgjigjja është libri”, nis edicioni i 24 i panairit të librit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Për pesë ditë radhazi, Pallati i Rinisë në Kryeqytet do të jetë vendtakim për shumë dashamirë të librit.

    Edicioni i 24-t i Panairit të Librit nisi të mërkurën, me moton “Përgjigjja është libri”.

    Sivjet marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, me mbi dy mijë tituj.

    Organizatorët sivjet i presin rreth 40 mijë vizitorë.

    “Sot puna e netëve të vona e redaktorëve e mundi i madh i botuesve është materializuar në mjetin magjik të quajtur libër afrohet te lexuesi”, tha kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli.

    Ky organizim tradicional, u cilësua si nga më të bukurit në Kosovën e pasluftës.

    “Ne pas pak ditësh e festojmë 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë, ndërsa 24 vjet panairi i librit një përkushtim i jashtëzakonshëm edhe po besoj që titujt e rinj që i janë shtuar tregut të librit në vendin tonë, janë një mundësi shtesë jo vetëm sa është panairi i hapur por edhe për lexuesin që të kenë mundësi të reja dhe të lexojnë edhe autorë të vendit, por edhe të njohur nga bota të përkthyer”, tha Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës.

    “Është një mundësi për të mbështetur talentet e rinj ta shfrytëzojmë këtë moment për të lexuar më shumë dhe ndarë njohuritë tona”, tha drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi.

    Edhe sivjet, sikur në 21 edicione radhazi, vend në panair zunë edhe botimet akademike të shtëpisë botuese të Kolegjit AAB, me rreth 120 tituj.

    Për vizitë këtu erdhi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, që ndau dedikime për librin e tij “Ora e Kosovës”, që prezantohet në tezgën e AAB-së.

    “Shtëpia botuese këtë vit ka 120 tituj librash, 80 prej tyre i kemi të ekspozuara…”, tha Urim Sallauka, përfaqësues i Shtëpisë Botuese të Kolegjit AAB.

    I ftuari i nderit i këtij edicioni ishte shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots.

    Panairi i Librit organizohet në bashkëpunim nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.

  • Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Sallat e kolegjit më të madh jopublik në vend u mbushën plot me maturantë nga e gjithë Kosova.

    Këta maturantë pritet të tregojnë rezultate më të mira në provimin shtetëror të maturës, falë kurseve falas që organizoi Kolegji AAB.

    Këta nxënës që tashmë kanë përfunduar klasën e 12-të, mësime morën për Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Matematikë.

    Me po kaq rëndësi të madhe organizimin e kurseve po e shohin edhe vetë studentët e ardhshëm, që pas pak ditësh do t’i nënshtrohen testit të maturës.

    Këtë vit numri i nxënësve pjesëmarrës do të jetë mbi dy mijë.

    Kurset përgatitore për maturantët, po mbahen edhe në degët e tjera të kolegjit AAB, në Ferizaj e në Gjakovë.

  • Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për Prokurorinë Speciale nuk ka asnjë dyshim që Caslav Joliq është fajtor për krime lufte në Komunën e Istogut.

    Të mërkurën gjatë fjalës përfundimtare, PSRK-ja ndër të tjera vuri theksin te dëshmitë e të dëmtuarve në këtë rast, Zef Malësia, Nexhmedin Curraj e Naim Ferati.

    Gjendja faktike e prezantuar gjatë gjykimit që u zhvillua në Gjykatën e Prishtinës, sipas PSRK-së, tregon qartë se ish-polici serb kreu krimet për të cilat akuzohet.

    Morina, duke marrë shembull standardet e vendosura nga Tribunali i Hagës, shprehu bindjen se lëndimet që i morën, sipas tij, të dëmtuarit nga i akuzuari janë të rënda.

    Sipas Morinës, teoria e mbrojtjes gjatë këtij gjykimi bie në kundërshtim me provat.

    Por mbrojtja e cila pretendon në pafajësinë e Jolliqit, vuri në dyshim kredibilitetin e të dëmtuarve, çka nxiti edhe reagimin e Prokurorisë.

    Jolliq, gjykimi ndaj të cilit nisi në dhjetor të 2022, akuzohet se gjatë periudhës janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në Komunën e Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer krime lufte, duke rrahur, e keqtrajtuar civilë shqiptarë.