ATV

Blog

  • ​Këshilli i BE-së ndalon partitë dhe organizatat evropiane të marrin fonde nga Rusia

    ​Këshilli i BE-së ndalon partitë dhe organizatat evropiane të marrin fonde nga Rusia

    Në pakon e 14-të të sanksioneve kundër Rusisë, Këshilli i BE-së ka ndaluar partitë evropiane, OJQ-të dhe grupet e ekspertëve të marrin çdo financim me origjinë ruse.

    Sipas Ukrinform, kjo thuhet në një deklaratë për shtyp për përmbajtjen e një pakete të re të masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë, të publikuar në faqen e internetit të Këshillit Evropian.

    “Duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ndërhyrë në proceset demokratike në BE dhe për të minuar themelet e saj demokratike, duke përfshirë fushatat e ndikimit dhe promovimin e dezinformimit, Këshilli vendosi që partitë politike dhe fondacionet, organizatat joqeveritare, përfshirë grupet e mendimit, ose ofruesit e shërbimeve mediatike në BE, nuk do të lejohen më të pranojnë financime që vijnë nga shteti rus dhe përfaqësuesit e tij”, thuhet në dokument.

    Në të njëjtën kohë, theksohet se në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore, masat e dakorduara sot nuk do të pengojnë ofruesit e shërbimeve mediatike dhe stafin e tyre që të kryejnë aktivitete të tjera në BE, siç janë kërkimet dhe intervistat.

    Siç raportohet, që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja i ka ofruar Ukrainës ndihmë ekonomike, politike dhe financiare, duke ndjekur një politikë të qëndrueshme të sanksioneve ekonomike dhe individuale kundër vendit agresor dhe duke marrë masa për të shmangur masat kufizuese nga vendet dhe kompanitë e treta.

  • ​Gjendje stabile pas reshjeve në Fushë Kosovë, qytetarët kërkojnë kompensim të dëmeve

    ​Gjendje stabile pas reshjeve në Fushë Kosovë, qytetarët kërkojnë kompensim të dëmeve

    Pas reshjeve të mëdha të shiut në Komunën e Fushë Kosovës gjendja në terren është stabilizuar dhe ekipet janë duke bërë punën e tyre. Mirëpo, reshjet e mëdha të shiut, shkaktuan dëme më së shumti në bujqësi. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori për shërbime publike dhe mjedis në këtë komunë, Ardit Sekiraqa.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Sekiraqa ka thënë se gjendja është mirë, duke theksuar se dëme më shumë ka shkaktuar në bujqësi.

    “I kemi dërguar ekipet janë duke punuar vazhdimisht, gjendja është duke u vlerësuar prej ekipeve, do të dalim më vonë, situata nuk është e vështirë dhe nuk ka dëme të mëdha, mirëpo ato që janë po merremi individualisht me secilin. Dëmet më të mëdha janë në bujqësi, pasi ka pas edhe kokrriz”, thotë ai.

    Ndërkaq, të shqetësuar nga këto dëme janë qytetarët, të cilët kërkojnë nga niveli qendror të ndajë më shumë mjete për këto raste.

    Banori i kësaj komune, Bashkim Spahiu derisa ka treguar për dëmet, ka theksuar se më së shumti dëme ka shkaktuar tek kulturat bujqësore, për çfarë ka kërkuar nga niveli qendror të ndajë më shumë buxhet në këtë drejtim.

    “Ka pasoja, ka bërë dëm të madh, ka vërshuar disa objekte banesore dhe disa podrume, dhe kulturat bujqësore i ka prish…Nuk e di nëse komuna ka buxhet (të ndihmojë), por duhet niveli qendror”, tha Spahiu.

    Se gjendja ka qenë e rënduar e thotë edhe qytetarja , Elmaida Morina.

    “Po ka pas, sidomos në podrum… është mirë të ndahen sepse është mirë të ketë më shumë siguri…niveli qendror duhet të ndajë buxhet për këto raste, siç janë vërshimet”, tha Morina.

    Edhe qytetari, Sherif Kosova ka thënë se gjendja e mbrëmshme ka shkaktuar dëme në disa pjesë të qytetit.

    “Kish pas e ish kon tu ra kogja shumë shi, mezi jemi dalë me veturë…Prej Sllatinës kemi bërë rreth 1 orë e gjysmë deri në Fushë Kosovë”, tha ai.

    Ndërkohë, vërshime gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe në disa lagje në Komunën e Prishtinës.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka lutur qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe ka sugjeruar institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë sipas tij parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.

    Rama ka shkruar në Facebook se pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme, kanë dal në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme.

    Derisa Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka njoftuar se përkundër reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujërave të zeza, deri në këto momente nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.

    Sipas një njoftimi, uji kryesisht ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pas masave të menjëhershme aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar./kp/

  • ​Bislimi dhe Lobbezoo diskutojnë përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian

    ​Bislimi dhe Lobbezoo diskutojnë përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit lamtumirës me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo diskutoi mbi përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

    Bislimi e vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ambasadoren në këto tri vite.

    “Së bashku, përshkuan zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe dhe situatën në vend e rajon, si dhe trajtuan perspektivat për të tashmen dhe të ardhmen. Ambasadorja cilësoi si një prej momenteve më të veçanta në mandatin e saj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Bislimit thuhet se në takim u diskutua mbi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në procesin e integrimit evropian, dhe përgatitjet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes si instrument i rëndësishëm në përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është vendi i parë i cili ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe agjendën e reformave, duke dëshmuar jo vetëm nivelin e përgatitjes, por edhe vullnetin dhe gatishmërinë për hapa të rëndësishëm tutje”, thuhet në komunikatë.

    Bislimi shprehu mirënjohjen e tij për bisedat e shumta produktive e konstruktive, zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Holandës si dhe i uroi ambasadores suksese të mëtejme në angazhimet e radhës.

  • ​Osmani: Krenarë me ushtarët e FSK-së, arritën rezultate në qendrat ushtarake në botë

    ​Osmani: Krenarë me ushtarët e FSK-së, arritën rezultate në qendrat ushtarake në botë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë javëve të fundit, vajzat dhe djemtë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dëshmuan përkushtim dhe rezultate të jashtëzakonshme në akademitë, kolegjet dhe qendrat profesionale ushtarake amerikane më prestigjoze në botë.

    Osmani ka shkruar në Facebook se krenarë me Agron Muratin, Alban Bujupin, Alban Bunjakun, Albert Kuçin, Albin Bytyçin, Andrin Vuthaj, Arbnor Haxhanin, Shpresa Gashin, Vesa Ibrahimin dhe shumë e shumë të reja e të rinj, të cilët personifikojnë të ardhmen e FSK-së.

  • Talat Xhaferi i dorëzon funksionin e kryeministrit Hristijan Mickoskit

    Talat Xhaferi i dorëzon funksionin e kryeministrit Hristijan Mickoskit

    Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryetari i deritanishëm i Qeverisë, Talat Xhaferi, ia dorëzoi funksionin kryeministrit të sapo zgjedhur, Hristijan Mickoski.

    Pas arritjes, kryeministrat kishin një takim të shkurtër. Kryeministri i deritanishëm, Xhaferi, ia uroi marrjen e detyrës kryeministrit të sapo zgjedhur të Qeverisë, Hristijan Mickoski, me ç’rast i uroi punë të suksesshme dhe efikase, në interes të gjithë qytetarëve në shtet dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    U konstatua se Qeveria kalimtare dhe institucionet shtetërore u përgjigjën me sukses detyrës për organizimin e proceseve zgjedhore të lira, korrekte dhe demokratike dhe mundësuan pranim dorëzim të qetë dhe demokratik të pushtetit. Kjo u vlerësua si kontribut në sjelljen evropiane të shtetit, i cili synon anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

    Kryeministri i deritanishëm Xhaferi, sugjeroi se shtetit, si edhe deri tani, edhe më tej i nevojiten reforma cilësore, me qëllim të avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve sipas standardeve dhe vlerave evropiane dhe demokratike. U shpreh edhe shpresë për nivel të lartë të ndërgjegjes politike dhe bashkëpunim rreth prioriteteve strategjike./alsatm

  • Konjufca: S’pres diçka të rëndësishme nga takimi Kurti-Vuçiq, Asociacioni s’është në rend dite

    Konjufca: S’pres diçka të rëndësishme nga takimi Kurti-Vuçiq, Asociacioni s’është në rend dite

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke komentuar takimin e së mërkurës midis kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq tha se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga ky takim.

    Konjufca tha se nuk në rend të ditës për Republikën e Kosovës nuk është çështja e Asociacionit, por zbatimi i marrëveshjes bazë nga Serbia.

    “Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale. Nuk pres nga Serbia që ajo do ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë Asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”, tha Konjufca./RTV21/

  • Pozitë e opozitë përplasen për mbulueshmërinë e shpenzimeve të përfituesve të Programit për Diplomaci Qytetare nga MPJD

    Pozitë e opozitë përplasen për mbulueshmërinë e shpenzimeve të përfituesve të Programit për Diplomaci Qytetare nga MPJD

    Në mungesë kuorumi, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nuk ka kaluar pikën e rendit të ditës që lejon heqjen e shpenzimeve për organizimin e Pritjes për përfituesit e Programit për Diplomaci Qytetare nga MPJD, raporton EO.

    Për temat e këtij takimi, tregoi kryetarja e komisionit, njëherësh deputete e pushtetit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

    “Ideja me i taku, me bisedu me ta se çka mund të bëjmë, pra me bë një pritje jo të zakonshme siç i presim delegacionet tjera. Pra me një lloj kokteji, ku njëjtin kohë bashkëbisedojmë me ta e i ndajmë qëndrimet tona”, tha ajo.

    Por as në këtë komision nuk munguan përplasjet verbale ndërmjet pozitës e opozitës.

    Deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se shpenzimet e këtij delegacioni do t’i mbulojë GP – VV-së.

    “Nuk pati korum ne thjesht mund ta bëjmë një pritje të zakonshme për ta në komision meqenëse ka arsye të ndryshme të deputetëve të cilët nuk dëshirojnë t’i presin të rinjtë e diasporës që kontribuojnë profesionalisht në institucionet tona. Unë besoj që thjesht mund të organizojmë pritjen për ta sikurse edhe për delegacionet tjera. Në gjitha komisionet, në të gjithë delegacionet tjera që kemi në komision ndërkohë shohim cila do të jetë mundësia që përpos kësaj thjesht të ulemi me ta të pimë një kafe, të flasim besoj që ka shumë mundësi unë do ta marr përsipër të paktën që në emër të Grupit Parlamentar dhe komisioni ta bëjmë këtë dhe t’i ofrojmë diçka me shume se sa një kafe qe vjen prej bufesë, meqenëse opozita nuk e lejojnë një gjë të tillë sot”, u shpreh ajo.

    Por me këtë konstatim të Kryeziu-Hysenit, nuk u pajtua deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili.

    Madje, kësaj të fundit nuk iu lejua të marr as fjalën.

    “Mbledhja është e mbyllur”, tha kryetarja e komisionit.

    “Çështja e parë, nuk jemi opozitë por jemi LDK, e dyta unë marr vendime sido që ma merr mendja. Çështja e tretë kur nuk arrini me bind askënd s’kam nevojë me dhënë votën ti e ose dikush tjetër dhe çështja e katërt unë as nuk kam qenë në dijeni për çka u votua”, u shpreh deputetja e LDK-së.

    Pas këtij diskutimi, mbledhja e këtij komisioni u mbyll.

  • Mungesa e raportimeve të sinjalizimeve, shkak i mos-publikimit të raportit vjetor nga APK-ja

    Mungesa e raportimeve të sinjalizimeve, shkak i mos-publikimit të raportit vjetor nga APK-ja

    Lëvizja FOL, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sinjalizuesve, ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur” për rëndësinë, efektivitetin dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ku u theksua se numri i rasteve të raportimit të sinjalizimeve është shumë i vogël e njëra nga sfidat u cilësua te jetë te ndërmarrjet publike, për faktin se qëndrojnë jashtë domenit qeveritar, raporton EO.

    Aty u tha se sfidë për sinjalizim është në sektorin privat, ndërsa e kundërta është në institucione publike.

    Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Megi Demolli-Nimani, tha se sinjalizimi krijon klimë të përshtatshme dhe rrit përgjegjësinë e qytetarëve.

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se sinjalizimi është i rëndësishëm për ta bërë punën më etike brenda dhe jashtë institucioneve, ndërsa veçoi faktin se shtimi i rasteve të raportimit të sinjalizuesve është shumë i vogël.

    “Numri i sinjalizimeve nuk është i mirë edhe pse ka rritje, është shumë i ulet… të cilat nuk janë shumë por janë shumë më shumë për dallim nga vitet e kaluara. Në vitin 2022 kanë qenë 12 raste, këtë vit besojmë se do shkojë në rritje 50 për qind. Sfidë më e madhe është te ndërmarrjet publike, sepse janë të sektorit privat edhe pse ofrojnë shërbime në emër të publikut, këtu ka sfida më shumë se të institucionet”, tha ai.

    Vesel Zhinipotoku nga Inspektorati i Punës, tha se nga eksperienca deri tash, ky ligj ka krijuar që të ketë mekanizma në krijimin e kompetencave në sektorin privat, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të punësuarit.

    “Inspektorati i Punës, jemi duke e vazhduar në mbrojtjen dhe promovimin që punëdhënësit të caktojnë zyrtaret kompetent në kuptimin që të punësuarit të kenë qasje, ku mund të adresojnë shkeljet”, tha ai.

    Tutje shtoi, se Inspektorati i Punës është në fazën e krijimit të digjitalizimit, i cili pritet te ketë qasje pozitive ndaj punëtorit.

    “Jemi në fazën e implementimit së sa punëdhënësit tanë po i zbatojnë mekanizmat që iu takojnë sipas këtij ligji. Krijimin një mekanizmi të tillë na ndihmon si institucione, ne marrim informata të përditshme për shkelje të të drejtave, krijimi i mekanizmit është një ndihmesë, për të kuptuar rëndësinë e të drejtave, jemi në fazën e krijimit të digjitalizimit ku do ta ngris nivelin e vetëdijes për të drejtat që duhet të mbrohen nga punëdhënësi”, tha ai Zhinipotoku.

    Ndërsa, sa i përket, numrit të sinjalizimeve, në Inspektoratin e Punës, tha se me statistika nuk ka numra, megjithatë brenda ditës mund të jenë 20 deri në 30 sinjalizime.

    “Brenda ditës 20-30 sinjalizime të jashtme që bëhen nga të punësuarit apo drejtpërdrejt qe bëhen më shkelje dhe të gjitha trajtohet me prioritet, shtylla kryesore është marrja e informatës nga sinjalizuesi”, tha Zhinipotoku.

    Theksojmë se, Sinjalizimi është raportimi i parregullsive, shkeljeve, keqpërdorimeve ose cenimit të interesit publik në ambientin e punës, pavarësisht se a bëhet fjalë për sektorin publik apo privat.

    Duke i raportuar keqpërdorimet dhe parregullsitë, sinjalizuesit ndihmojnë në zbulimin e veprimeve që dëmtojnë interesin publik, sigurinë, integritetin financiar dhe sundimin e ligjit.

  • Sfida vendimtare e Shqipërisë për Europian, “Kuqezinjtë” me rekord të tmerrshëm historikisht ndaj Spanjës

    Sfida vendimtare e Shqipërisë për Europian, “Kuqezinjtë” me rekord të tmerrshëm historikisht ndaj Spanjës

    Shqipëria do të luajë sonte ndeshjen e fundit të fazës grupore të Europianit 2024, në atë që do të jetë vendimtare për fatin e Kuqezinjëve për vazhdimësinë e këtij turneu.

    Kombëtarja shqiptare ndodhet në grupin B, i njohur si “grupi i vdekjes”, pasi në të janë skuadrat e mëdha si Spanja, Italia e Kroacia.

    Pas dy dueleve të para të zhvilluara të fazës grupore, Shqipëria e gjen veten në pozitën e tretë, me një humbje e një barazim, duke i mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në fazën grupore, shkruan Sinjali Sporti.

    Kuqezinjtë duelojnë sonte ndaj Spanjës, kombëtares e cila e ka siguruar tashmë kalimin për më tej pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para, me 6 pikët e grumbulluara.

    Italia ndodhet e dyta pas Spanjës me 3 pikë, me fitoren e arritur pikërisht ndaj Shqipërisë në ndeshjen e parë të grupeve, teksa Kroacia ndodhet në të fundit me 1 pikë – aq sa ka edhe Shqipëria por me golaverazh më të mirë.

    E teksa Shqipërisë i duhen detyrimisht tre pikët sot ndaj Spanjës, historikisht Kuqezinjtë s’kanë aspak kujtime të mira ndaj “La Royas”.

    BBC në prag të këtij dueli, ka shpalosur disa statistika mes tyre kokë-më-kokë, e ku del që Spanja madje e ka një kundërshtar të preferuar Shqipërinë.

    • Spanja i ka fituar të gjitha tetë përballjet e mëparshme me Shqipërinë (31 gola për, 3 kundër). Është rekordi më i mirë 100% i Spanjës kundër çdo kundërshtari, së bashku me Lihtenshtajnin dhe Maltën, me të cilat ata janë përballur dhe mposhtur në tetë raste.
    • Shqipëria ka pësuar të paktën dy herë në gjitha tetë takimet e saj me Spanjën në të gjitha garat. Humbja e tyre 9-0 kundër tyre në një ndeshje kualifikuese për Euro në dhjetor 1990 mbetet humbja e tyre më e madhe konkurruese ndonjëherë.
    • Shqipëria ka shënuar golin hapës në secilën nga dy ndeshjet e saj në Euro 2024, edhe pse ende nuk ka fituar (1 barazim, 1 humbje). Asnjë komb nuk ka shënuar ndonjëherë golin e parë në tre ndeshje radhazi të Kampionatit Evropian duke mos arritur të fitojë asnjërën prej tyre.
    • Spanja do të kërkojë të fitojë tre ndeshjet e saj të para të një turneu Evropian vetëm për herë të dytë, pasi e kishte bërë këtë më parë në 2008 – një edicion që do të vazhdonte ta fitonte (1-0 kundër Gjermanisë në finale).

    Pra, Shqipëria do të kërkojë sonte fitoren e parë ndonjëherë ndaj Spanjës, në atë që mund të jetë ‘historike’, pasi do të kualifikonte Shqipërinë në fazën eliminuese në Europian, diçka që s’ka ndodhur kurrë më herët në historinë e kombëtares shqiptare.

  • SHSKUK jep detaje për dëmet që ka shkaktuar shiu që ra dje në kryeqytet

    SHSKUK jep detaje për dëmet që ka shkaktuar shiu që ra dje në kryeqytet

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka njoftuar se përkundër reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujrave të zeza, deri në këto momente nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.

    “Uji kryesisht ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pas masave të menjëhershme aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar.

    Sa i përket Klinikës së Pulmologjisë, uji është larguar nga bodrumi dhe rëntgeni statik është larguar, pa u dëmtuar.Ndërkohë, klinika ka Rëntgen mobil dhe shfrytëzon rëntgenet e Klinikës së Radiologjisë.

    Puna është duke vazhduar edhe në klinikat tjera, kurse QKUK, nga dita e djeshme ka angazhuar të gjitha kapacitetet teknike dhe stafit shëndetësorë të klinikave, për të tejkaluar gjendjen pas reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas tyre, fatmirësisht kjo gjendje është tejkaluar pa dëmtime të aparaturave dhe dëmeve të tjera të mëdha materiale.