ATV

Blog

  • Në parlamentin spanjoll nesër diskutohet propozimi për njohjen e Kosovës

    Në parlamentin spanjoll nesër diskutohet propozimi për njohjen e Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Të martën, në Parlamentin e Spanjës, pritet të hidhet për votim propozimi i partisë katalonase “Junts”, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria spanjolle.

    Referuar propozimit të Juntsit, Spanja duhet ta njohë Kosovën, meqë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010, ia pranoi si të ligjshme pavarësinë.

    Në letrën e 5 qershorit dërguar parlamentit, “Junts” përmend se refuzimi i Spanjës për ta njohur Kosovën, është faktor destabilizues për Ballkanin Perëndimor, në konteksin aktual gjeopolitik.

    Por Insistimi i partisë katalonase, sipas njohësit të politikës së jashtme, Emir Abrashi, nuk mjafton për t’ia sjell Kosovës njohjen e re.

    “Është lajm i mirë që çështja e Kosovës, diskutohet edhe në institucione qendrore Spanjolle, megjithatë ne duhet të kemi parasysh se partia Junts është një parti goxha e vogël dhe nuk ka ndonjë peshë në nivel nacional në Spanjë”, tha Abrashi.

    Abrashi thotë se angazhimi për njohjen e Kosovës, nuk bënë t’i lihet në dorë vetëm partisë nga Katalonia, që mbështet qeverinë spanjolle.

    “Diplomacia kosovare duhet të punoj më aktivisht me Madridin zyrtar për ta bërë një ndarje mes çështjes së Kosovës dhe Katalunisë, për shkak se këto si tema janë të ndryshme. Përderisa katalonia është rajoni më i pasur në Spanjë, Kosova ka dalur nga një luftë gjenocidale me Serbinë dhe rrjedhimisht ka qenë i pamundur vazhdimi i bashkëjetesës me Serbinë”, tha Abrashi.

    Edhe profesori i shkencave politike Basri Muja, nuk pret që iniciativa e Juntsit t’i lëviz marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.

    “Nuk do duhej që e gjithë barra t’i mbetej vetëm institucioneve qeveritare, do duhej që edhe parlamenti i Kosovës, diplomacia parlamentare është një mekanizëm shumë i fuqishëm…pastaj partitë politike, posaçërisht dy partitë e mëdha, do duhej të krijojnë kontakte raporte, të tentojnë t’i bindin partitë si motra”, tha Muja.

    Pos Spanjës, Kosovën nuk e njeh as Sllovakia, Greqia, Rumania e Qipro, që janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

    Njohësit Abrashi e Muja, konsiderojnë se Kosova duhet të luaj me kartën e lobimit.

    Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli, ku në shkurt të vitit 2021, dy vendet formalizuan marrëdhëniet diplomatike.

  • Komuna e Prishtinës nis vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

    Komuna e Prishtinës nis vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një ditë pas përmbytjes së disa lagjeve të kryeqytetit nga reshjet e mëdha të shiut, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me zyrtarët të tjerë komunal kanë dal në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

    Rama tha se ka krijuar shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, pasi parashihen reshje të ngjashme.

    Sipas tij, problem kyç në kryeqytet është dizajnimi jo i duhur i pusetave.

    “Disa prej lagjeve me vite të tera nuk kanë qenë të mirëmbajta, në pjesën e stacionit të autobusit e bëmë intervenimin e menjëhershëm. Dizajnimi i atyre pusetave nuk është i mjaftueshëm dhe për këtë biseduam ta bëjmë një projekt të ri për kanalizime”, tha Rama.

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjencë Lulzim Fushtica tha se komuna do ta bëjë vlerësimin e dëmeve.

    “Janë shkuar thirrjet direkt, afro 100 thirrje në të gjitha thirrjet janë intervenuar. vlerësimi i dëmeve është aktiv dhe do të merremi me çdo lloj dëmi të qytetarëve. vetëm sasia e sotme 65 milimetra për metër i cili është sasi e ujit që bëhet për një muaj të tëre, është sasi e madhe”, tha Fushtica.

    Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë depërtuar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Shërbimi Spitalor Klinikë Universitar i Kosovës ka njoftuar se sistemi i kanalizimit nuk ka pas mundësi të përballojë sasinë e ujit, i cili ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, megjithatë nuk ka shkaktuar dëmtim të aparaturave mjekësore.

  • Shqipëria ‘lufton’ deri në fund, por eliminohet nga Euro 2024

    Shqipëria ‘lufton’ deri në fund, por eliminohet nga Euro 2024

    Kombëtarja e Spanjës ka arritur fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Shqipërisë duke i dhënë fund aventurës së “Kuqezinjve” në Kampionatin Evropian 2024.

    Shqipëria e nisi mirë këtë takim duke ushtruar presion në zonën e spanjollëve dhe duke mbyllur hapësirat, por duke mos arritur që të krijojë ndonjë rast shënimi.

    Rasti i parë serioz në këtë ndeshje i takoi Spanjës, të cilët në minutën e 12-të iu afruan golit me anë të Mikel Merinos por Strakosha ia mohoi golin.

    Vetëm një minutë pas këtij rasti, “Furia e Kuqe” arriti ta gjejë golin e epërsisë në përballjen ndaj Shqipërisë.

    Ishte Ferran Torres ai i cili në minutën e 13-të realizoi për 1-0 pas asistimit të mençur nga Dani Olmo.

    Shqipëria tregoi forcën e saj në minutën e 44-të me anë të Kristjan Asllanit i cili me një super goditje nga jashtë zonës e testoi seriozisht portën e David Rayas, por pa arritur të shënojë.

    Në pjesën e dytë Shqipëria rrezikoi seriozisht në disa raste portën e Spanjës, por duke mos arritur që ta gjejë golin.

    Fillimisht Joselu pati një mundësi të mirë shënimi për Spanjën pasi në minutën e 47-të tentoi ta gjejë golin me një goditje akrobatike por pa sukses.

    “Kuqezinjtë” rastin më të mirë në këtë ndeshje e pati me Armando Brojën i cili në minutën e 64-të u mundua ta zë ne befasi David Rayan por ky i fundit reagoi mirë.

    Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Shqipëria pati edhe disa dalje të rrezikshme në sulm, megjithatë nuk ia doli ta gjejë golin.

    Të besuarit e Sylvinhos kështu e përfunduan aventurën në Euro 2024 me vetëm një pikë të fituar, por na dëshmuan se këta futbollistë kanë potencial të madh për të vazhduar të na bëjnë krenar në të ardhmen./Telegrafi/

  • Takimi Kurti-Vuçiq pushteti pret definim për marrëveshjen, opozita ka kritika

    Takimi Kurti-Vuçiq pushteti pret definim për marrëveshjen, opozita ka kritika

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Takimi i së mërkurës, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, sipas deputetit të LV-së, Armend Muja, mund të qartësojë nëse ka ose jo marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

    Në këtë kontekst ai listoi shkeljet nga Serbia të dy dokumenteve të dakorduara në Shkurt dhe Mars të vitit të kaluar.

    “Kosova është në një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve”, tha Muja.

    Pa një kryeministër të ri, deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri nuk pret diçka të re nga takimi i radhës i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    “Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tahiri.

    Krahas thirrjes që qeveria të jetë më e përgjegjshme në raport me dialogun dhe partnerët ndërkombëtar, deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, pati kritika për mungesë transparence.

    “Ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vërejtje në vazhdimësi. Vet vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet vizita e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq”, tha Zemaj.

    Takimi i 26 Qershorit, Kurti-Vucic, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajcak, do të jetë i pari në kuadër të dialogut pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë.

    Më 18 Qershor, emisari Lajcak njoftoi se do të bëjë një vlerësim për nivelin e konstruktivitetit të Kosovës dhe Serbisë në dialog – si parakusht që ato të përfitojnë nga Plani 6-miliardësh i Rritjes – teksa është paralajmëruar që shpërndarja e fondeve të nisë muajin e ardhshëm.

  • Talat Xhaferi ia dorëzon Mickoskit detyrën e kryeministrit

    Talat Xhaferi ia dorëzon Mickoskit detyrën e kryeministrit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Lideri i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tashmë edhe zyrtarisht është kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Talat Xhaferi, i cili deri tash mbajti pozitën e kryeministrit teknik, ia zgjati dorën Mickoskit, duke ia dorëzuar kështu detyrën e shefit të ekzekutivit.

    Xhaferi e uroi Mickoskin për detyrën e re, me ç’rast ia përmendi edhe nevojën për reforma cilësore, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

    Qeveria e re, do përbëhet nga partia fituese VMRO-DPMNE, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe socialdemokratët e lëvizjes ZNAM.

    Gjashtë nga ministritë, udhëhiqen nga shqiptarët.

    Zëvendëskryeministër i parë është Izet Mexhiti. Ai njëherësh është vënë edhe në krye të Ministrisë së Ekologjisë.

    Arben Taravari, drejton Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Besar Durmishi atë të Politikës Sociale, Demografisë e Rinisë.

    Fatmir Limani është ministër i Ekonomisë dhe Punës, Arben Fetai, zv-kryeministër për Qeverisje të Mirë, kurse Orhan Murtezani, ministër i Euro-integrimeve.

    Zgjedhjet e 8 majit, e quan Bashkimin Demokratik për Integrim, tw Ali Ahmentit, në ulëset e opozitës.

    BDI ka akuzuar koalicioni VLEN se bashkëpunimi me partinë e Mickoskit, ka dëmtuar interesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

  • Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen të mërkurën në Bruksel.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell do t’i presë fillimisht ata, siç thuhet në një njoftim të BE-së.

    “Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në njoftim.

    BE thotë se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrell dhe “do të fokusohen në rrugën përpara”.

    “Do të ketë deklarata për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS”, thuhet në njoftim.

  • Humb jetën një pushues në plazhin e Velipojës

    Humb jetën një pushues në plazhin e Velipojës

    Një person rreth moshës 60 vjeç ka humbur jetën teksa po lahej në Velipojë.

    60-vjeçarin ende të paidentifikuar e ka nxjerrë uji në breg dhe më pas është konstatuar nga pushues të tjerë, të cilët menjëherë kanë njoftuar autoambulancën e Velipojës dhe policinë.

    Dyshohet se 60-vjeçari ka pësuar një atak kardiak duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Sipas burimeve nga vendngjarja për afro 15 minuta trupi i pajetë ka qëndruar mbi ujë, sepse pushuesit e tjerë nuk e kanë ditur se ishte mbytur derisa uji e nxori në breg.

    Është rasti i dytë brenda pak kohësh pas humbjes së jetës të shtetases shqiptare Drande Marku pak ditë më parë e cila po ashtu u mbyt në plazhin e Velipojës, teksa ndodhej brenda në ujë duke pësuar goditje në zemër./tch

  • BE investon 65 milionë euro në Bullgari për ta ndihmuar në përmbushjen e objektivave klimatike

    BE investon 65 milionë euro në Bullgari për ta ndihmuar në përmbushjen e objektivave klimatike

    Bullgaria do të marrë 65,2 milionë euro për të përmbushur objektivat e saj për klimën dhe energjinë, pasi Bashkimi Evropian ndau 2,967 miliardë euro nëpërmjet Fondit të Modernizimit për të mbështetur 39 projekte energjetike në 10 shtete anëtare të BE-së, tha të hënën Komisioni Evropian. Këto investime do të mbështesin modernizimin e sistemeve energjetike, reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në sektorët e energjisë, industrisë dhe transportit, si dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë.

    Ky është disbursimi më i madh deri më sot nëpërmjet Fondit të Modernizimit, duke e çuar shpenzimin total në 12.65 miliardë euro që nga janari 2021. Këto investime synojnë të kontribuojnë në objektivin afatgjatë të BE-së për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

    Përveç Bullgarisë, shtetet anëtare që përfitojnë nga disbursimi i parë i vitit 2024 janë Kroacia (52 milionë euro), Çekia (835.2 milionë euro), Estonia (24.1 milionë euro), Hungaria (76.8 milionë euro), Letonia (26.8 milionë euro), Lituania (59 milionë euro), Polonia (697.5 milionë euro), Rumania (1.095 miliardë euro) dhe Sllovakia (35 milionë euro).

    Projektet e mbështetura sot fokusohen në prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme, përdorimin dhe vendosjen e burimeve të rinovueshme të energjisë, modernizimin e rrjeteve të energjisë dhe efikasitetin e energjisë.

    Propozimet që do të mbështeten përfshijnë një projekt bullgar për përforcimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike për të mbështetur integrimin e burimeve të rinovueshme në Bullgari;

    Afatet e ardhshme për Shtetet Anëtare për të paraqitur propozime investimi për mbështetje të mundshme nga Fondi i Modernizimit janë 13 gusht 2024 për propozimet jo prioritare dhe 10 shtator 2024 për propozimet prioritare.

    Financuar nga të ardhurat nga ankandi i lejimeve të emetimeve sipas Sistemit të Tregtimit të Emisioneve të BE-së, Fondi i Modernizimit synon të mbështesë trembëdhjetë shtete anëtare me të ardhura më të ulëta në kalimin e tyre drejt neutralitetit të klimës. Shtetet Anëtare përfituese janë Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia, si dhe Greqia, Portugalia dhe Sllovenia.

    Fondi i Modernizimit mbështet investimet në prodhimin dhe përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, ruajtjen e energjisë, modernizimin e rrjeteve të energjisë, duke përfshirë ngrohjen qendrore, tubacionet dhe rrjetet, dhe tranzicionin e drejtë në rajonet e varura nga karboni, sipas Komisionit Evropian./BTA/

  • ​Propozohet që ish-Sekretari i MPJD-së të intervistohet nga Komisioni Hetimor

    ​Propozohet që ish-Sekretari i MPJD-së të intervistohet nga Komisioni Hetimor

    Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është propozuar ish-sekretari i Ministrisë së punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma që të intervistohet i pari nga ky komision, të premten me 5 korrik në ora 10:00.

    Në këtë mbledhje, gjithashtu, u kërkua që të procedohet edhe lista me detyra ndaj tre ekspertëve, emrat e të cilëve janë miratuar në mbledhjen e kaluar të komisionit, Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi.

    Isma është propozuar nga deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

    “Është mirë edhe deputetët me u përfshi në përpilimin e listës së dëshmitarëve, në mënyrë që me arrit të ftojnë njerëzit që ne mendojmë që munden me kontribu për tema të caktuara të cilat duan të dinë se çka ka ndodhur apo si ka ndodhur..5:25 Sipas diskutimeve që i kemi pasur në vazhdimësi në komision hetimor, kam parë që goxha shumë debati është sillë rreth një emri që është ish-sekretari i Punëve të Jashtme dhe besoj që ky person mund të jetë emri i cili do të mund ta nisë këtë vazhdën e dëshmive në kuadër të komisionit hetimor”, ka propozuar Kryeziu-Hyseni.

    Ndërsa, deputetja nga LDK-ja, Vlora Dumoshi ka propozuar që në ditë të jenë nga tre dëshmitarë prezent në komision, ndërsa ekspertët të ftohen në takim për t’u njoftuar me ta.

    “Ekspertët të ftohen menjëherë në një takim, të njoftohemi me ta, kurse propozoj që në takimet te lista e dëshmitarëve si pika dy, hartimin e listës së dëshmitarëve, të kemi bile në ditë nga tre dëshmitarë që të jenë prezent në komision, sa më shumë që të ketë puna jonë do të jetë më e shpejtë, hartimi i eksperteve do ta bëjë pastaj punën e vet”, ka shtuar Dumoshi.

    Po ashtu, deputeti nga VV-ja, Haxhi Avdyli ka theksuar që Isma ka shumë për të dëshmuar.

    “Kemi pak javë në dispozicion që të intervistojmë ndonjërin dëshmitarë… Unë mendoj që ish- sekretari ka shumë për të dëshmuar dhe besoj që ky takimi mund të merret me dëshminë e tij, por edhe për takime të tjera, pse jo të kemi nga dy dëshmitarë”, ka vijuar ai.

    Kurse, nga sot do të bëhet analiza e materialit për dëshmitarët. /KP

  • Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Ministrat e Ballkanit Perëndimor e kanë realizuar fotografinë e e përbashkët para takimit me Ministrat e Jashtëm të BE-së që është duke u mbajtur sot në Luksemburg.

    Kosova në këtë takim përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Fotografinë në fjalë me ministrat e Ballkanit e realizoi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

    Gërvalla para mediave në takim është shprehur se temë e diskutimit të sotëm beson se do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor.

    “Ne erdhëm këtu në Luksemburg për të biseduar dhe diskutuar për integrimin më tutje të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin e Evropian, dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor”.

    “Besoj se kjo është tema kryesore të shohësh integrimin e gjithë Evropës e atyre vendeve që qëndrojnë me vlerat e Bashkimit Evropian, që mbështesin parimet evropiane të cilat nuk janë vetëm çështje politike, por ato janë edhe në aspektin e rritjes së sigurisë në Evropë në kohërat kur jemi duke u ballafaquar me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”.