ATV

Blog

  • IPK do të analizojë pamjet për të verifikuar reagimin e policëve gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së

    IPK do të analizojë pamjet për të verifikuar reagimin e policëve gjatë arrestimit të asamblistit të LVV-së

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Arianit Beqiri është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës. Pamjet e prangosjes u publikuan edhe në rrjete sociale, teksa pak para mesnatës, Beqiri u lirua, raporton Sinjali.

    Nga VV në Prishtinë kërkuan që Inspektorati Policor i Kosovës të merret me “dhunën e shfaqur nga polici”.

    Megjithatë, IPK ka bërë të ditur se akoma s’kanë pranuar ankesë, por që do të analizohet rasti dhe pamjet për të verifikuar reagimin e zyrtarëve policorë.

    “IPK deri tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë sipas detyrës IPK në kuadër të autorizimeve ligjore do të analizoj videot për të verifikuar sjelljet dhe reagimin e zyrtarëve policorë”- ka thënë zëdhënësi Arbër Beka.

  • (VIDEO) Momenti kur një 3-vjeçar shpëtohet nga shinat pak sekonda para se të kalonte treni

    (VIDEO) Momenti kur një 3-vjeçar shpëtohet nga shinat pak sekonda para se të kalonte treni

    Tashmë janë publikuar pamjet e kamerave që tregojnë momentin kur një djalë trevjeçar u shpëtua nga shinat pak sekonda para se një tren të kalonte me shpejtësi të madhe.

    Fëmija ishte me dy të rritur dhe një fëmijë tjetër kur ra nga pjesa e sipërme në drejtim të jugut në stacionin hekurudhor Newark Northgate, në Nottinghamshire, muajin e kaluar.

    Në videon e publikuar, ai shihet duke ecur pas njërit prej të rriturve dhe më pas duke zbritur para se të bie në shina.

    KËTU mund ta shihni videon.

  • Pse ‘piercing’ në vesh është i rrezikshëm

    Pse ‘piercing’ në vesh është i rrezikshëm

    Piercing në tragus është një piercing i bërë në zgjatimin e kërcit të vogël të pranishëm në aurikul që shërben për të mbrojtur kanalin e veshti nga agjentët e jashtëm. Janë shumë në modë piercing në këtë zonë të veshit: zgjedhja e një bizhuterie të vogël do të ketë një efekt të bukur, si me flokë të shkurtër, ashtu edhe me flokë të gjata.

    Piercing në tragus është unisex: i pëlqyer nga djemtë dhe vajzat, ai përshtatet mirë me vathët e të gjitha formave. Nëse keni vendosur të bëni një tatuazh në tragus, më poshtë janë disa faktorë që duhet t’i merrni në konsideratë:

    Rreziqet e piercingut në tragus

    Gjëja e parë që duhet të bëni është të zgjidhni një profesionist. Është shumë e rëndësishme që vrima të hapet me dorë: tragusi është një zonë kërcore dhe përdorimi i pistoletës shpuese do të kishte një ndikim të dhunshëm.

    Infeksionet

    Si çdo piercing edhe ky mund të rrezikohet nga infeksionet: është e nevojshme të mbështeteni në duart e profesionistëve që përdorin mjete të sterilizuara dhe pas hapjes së vrimës duhet të keni kujdes me disa rregulla themelore të pastrimit.

    Mos e prekni me duart të pista dhe lajini gjithmonë ato para se të pastroni tragusin: është mira ta dezinfektoni atë të paktën dy herë në ditë. Pas dezinfektimit lajeni me një sapun neutral dhe thajeni mirë për të shmangur ndonjë infeksion.

    Në rast se vëreni ënjtje, keni ethe apo simptoma të tjera, vizitohuni tek mjeku për t’u siguruar që nuk keni ndonjë infeksion.

    Sa dhemb piercing në tragus?

    Kjo është një pyetje që nuk mund t’i japësh përgjigje në mënyrë absolute, duke marrë parasysh që dhimbja e shpimit të tragusit është personale: dikush percepton dhimbje të forta, dikush ndjen pak dhimbje. Sipas një klasifikimi të përgjitshëm, piercing që dhembin më shumë janë ato në organet gjenitale dhe ‘bridge’, dmth ato përmes hundës dhe syve.

    Materiale të mira

    Sido që të jetë tipologjia e vathit që do të vendosni, materialet që preferohen veçanërisht në javët e para janë ari dhe argjendi; janë hipoalergjike dhe të sigurta kundër infeksioneve. Shmangni ato që përmbanë nikel pasi mund të shkaktojnë reaksione alergjike.

    Legjenda urbane rreth shpimit të tragusit

    Disa nga legjendat thonë se piercing në tragus është përgjegjës për dhimbje koke të forta, dëmtim të dëgjimit, verbëri dhe madje paralizë të fytyrës. Para se të besoni ato që lexoni në internet, gjithmonë pyesni një profesionist i cili do t’ju japë indikacione të sakta.

    Deformimi i tragusit

    Kjo mund të ndodhë nëse shpimi nuk kryhet në mënyrën e duhur: Tragusi mund të ndryshojë formën e tij, por megjithatë veshi nuk dëmtohet.

  • Sot votohet nisma e “Junts” katalunas për njohjen e Kosovës nga Spanja

    Sot votohet nisma e “Junts” katalunas për njohjen e Kosovës nga Spanja

    Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” planifikon të hedhë në votim në seancën plenare të Kongresit spanjoll që mbahet sot, një propozim jo legjislativ me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.

    Kjo nismë argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

    Duke iu përgjigjur arsyetimeve të pesë shteteve të BE-së që s’e njohin ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja, “Junts” ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë si e tillë.

    “Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.

    Sipas kësaj partie“nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, sipas nismës, në të cilën “Europa Press” kishte qasje, “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova i është bashkuar regjimit të përjashtimit për vizën për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.

    Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.

    Në këtë kuptim, teksti propozon që Kongresi duhet të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.

  • Borrell pret që BE-ja t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës: Ky ishte propozim im

    Borrell pret që BE-ja t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës: Ky ishte propozim im

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell mbajti konferencë për media të hënën. Borell foli për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke thënë se pret që ato të largohen.

    “Nëse këto sanksione hiqen, unë shpresoj se po. Të paktën ky është propozimi im. Qoftë edhe në formë graduale, por shpejt. Kjo mund të krijojë një skenar në të cilin nuk them se dialogu do të rifillojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur. Dy liderët nuk janë takuar prej kohësh në kuadër të dialogut dhe nuk dua të dorëzohem, para se të përfundoj manadati im”, ka thënë Borell.

    Përveç të tjerave, ai foli edhe lidhur me takimin Kurti-Vuçiq.

    Ai theksoi se problem mbetet mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.

    “Unë vazhdoj të përpiqem që në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje operative, sepse ne tashmë kemi një marrëveshje. E kemi marrëveshjen e Ohrit. Problemi është se marrëveshjet duhet të zbatohen dhe palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë ato për një arsye apo një tjetër dhe mendoj se ishte e nevojshme të rifillonin takimet e nivelit të lartë për të ditur se ku jemi, veçanërisht në një kohë kur vendet anëtare po diskutojnë propozimin tim për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës”, ka deklaruar Borrell.

    Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

    Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

  • PDK-ja mban konferencë për media

    PDK-ja mban konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë konferencë për media.

    Në njoftim thuhet se ngjarja do të fillojë nga ora 11:00 në selinë qendrore të kësaj partie.

    Nuk është bërë se cila do të jetë tema që do të trajtohet gjatë kësaj konference.

  • Sot pritet të mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot pritet të mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Në Kuvendin e Kosovës këtë të martë do të mbahen mbledhjet e gjashtë komisioneve parlamentare.

    Mbledhja e parë fillon në orën 09:30 me Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku do të intervistohen kandidatët.

    Ndërsa, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes fillon mbledhjen në orën 10:00, ku do të shqyrtohet projekt-rezoluta lidhur me Raportin e Punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.

    Po ashtu, në orën 10:00 do të fillojë edhe mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Në orën 11:00 do të mbahen dy mbledhje të tjera nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, si dhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili do të shqyrtojë shpalljen e konkursit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit”.

    Gjithashtu, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike fillon takimin në orën 10:00, ku ndër të tjera do të diskutohet lidhur me rekomandimet e raporteve të shqyrtuara në komision.

  • BE-ja kërkon që Ballkani perëndimor t’i bashkohet në politikën e jashtme

    BE-ja kërkon që Ballkani perëndimor t’i bashkohet në politikën e jashtme

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rreshtimi me politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, si kushte në rrugën e integrimin, ishin tema në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare me gjashtë homologët nga Ballkani Perëndimor.

    Para diskutimit jo-zyrtar në Luksemburg, ministrja Donika Gërvalla foli për rëndësinë e integrimit të rajonit në bllokun evropian, bazuar në vlera e parime.

    “Duke e parë integrimin e të gjithë Evropës, e atyre shteteve që i qëndrojnë vlerave evropiane, që mbështesin parimet evropiane, nuk janë vetëm çështje politike, por janë çështje e më shumë sigurie në Evropë në kohët kur, në Evropë, po përballemi me agresionin rus ndaj Ukrainës, dhe kur një Bashkim Evropian më i fortë është përgjigje më e mirë për të reaguar ndaj sfidave të sotme dhe të së ardhmes”, tha Gërvalla.

    Krahas fokusit te përmbushja e reformave të brendshme, ministri për punë të jashtme shtetit të fundit që iu bashkua BE-së, këshilloi homologët e tij nga rajoni për ndërtimin e fqinjësisë së mirë.

    “Ballkani Perëndimor duhet të shërojë plagët e vjetra, në vend se t’i hapë ato apo të krijojë të reja. Vetëm duke zgjidhur gjërat në një mënyrë që krijon stabilitet politik dhe siguri brenda dhe jashtë, mund ndodh transformimi i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Ky është investimi dhe garancia më ë mirë për stabilitet afat-gjatë në rajon”, tha ministri për Punë të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.

    Ndarja e rrugëve me Rusinë, në vlerësimin e krye-diplomates rumune është diçka që shtetet ballkanike duhet të bëjnë, për t’u anëtarësuar në BE.

    “Ritheksojmë mbështetjen për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, duke pasur parasysh rritjen e aktivitetin malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, është e rëndësishme që partnerët tanë atje të rreshtohen plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha ministrja për Punë të Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu.

    Në dhjetor të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që tutje nuk pati lëvizje konkrete e as avancim.

    Për Kosovën dhe Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, është kusht kyç në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

  • Gjykata e dënon Nenad Orloviqin me 15 muaj burgim e 12 mijë euro gjobë

    Gjykata e dënon Nenad Orloviqin me 15 muaj burgim e 12 mijë euro gjobë

    Përgatiti: Nora Luta

    Tri ditë pasi e aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar Nenad Orlloviqin me një vit e tre muaj burgim për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

    Orlloviqit, Gjykata për pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm i shqiptoi gjobën maksimale të propozuar nga PSRK-ja, 12 mijë euro.

    Por Nenad Orlloviq, i njohur me nofkën “Rusi” dhe “Nemac”,do të qëndroj në burg vetëm edhe tre muaj, pasi atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, që nga 23 qershori i vitit të kaluar.

    Orlloviq që e pranoi fajësinë, në seancën e mbajtur të premten e kaluar, për shqyrtimin e marrëveshjes me Prokurorinë Speciale, e mohoi para gjyqtares nofkën “Rusi” në të cilën thirret edhe në aktakuzë.

    Por kishte përgjigjeje pozitive kur u pyet nëse është i pajtimit që dënimin me 6 muaj burg, ta paguajë në gjobë prej 10 mijë deri në 12 mijë euro.

    Orlovic akuzohej për pjesëmarrje në protestën e 29 majit në Zveçan, dhe sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, dhe të Policisë së Kosovës.

    Sipas aktakuzës ai me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri, bashkë me persona të tjerë kishte ushtruar dhunë të pakontrollueshme.

    Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin mbetur të lënduar.

    Për pjesëmarrje në të njëjtën protestë, në shkurt të këtij viti është dënuar Radosh Petroviq e Dushan Obrenoviq, pasi të dy e kishin pranuar fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me PSRK-në.

    Ndërsa në paraburgim nga java e kaluar është edhe Lazar Dejanovic, i cili sipas dosjes së PSRK-së, bashkë me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore të vendit.

  • Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, ende nuk është gati

    Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, ende nuk është gati

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    As drafti e as plani i veprimit për Menaxhimin e Rrezikut nga Vërshimet, nuk u publikua, të paktën deri të hënën.

    Madje, as pas reshjeve të së dielës në disa komuna, ministria nuk ktheu përgjigje për ATV-në, përse Harta e Rrezikshmërisë nuk është përfunduar deri tash.

    Ky projekt që kushton rreth 2.5 milionë euro, po konsiderohet shumë i nevojshëm nga gjeografët, për një varg arsyesh.

    “Në secilin vend egziston kjo lloj harte, ish dash të përfundonte kohë më parë, aty do kishin qenë të paraqitura zonat ku vërshimet mund të jenë më dominonte…”, tha Faruk Foniqi nga Instituti për Studime Urbane dhe Planifikim Hapësinor.

    Sipas Foniqit, me hartën e rrezikshmërisë, nuk do të parandaloheshin tërësisht dëmet e vërshimeve, por do të kishte menaxhim më adekuat.

    “Ndryshimet klimatike nganjëherë mund të vijnë edhe befas por kur kemi një plan para vetës me parashikime, situata mund të menaxhohet për një përqindje të madhe më mirë, e mos të ketë dëme si këto të fundit…”, tha Foniqi.

    Kritika ka edhe ambientalisti, Alban Hyseni.

    “Ata kanë vetëm fjalë, premtimet në majë të gjyhës e puna askund hiq, qershorin vetëm e kanë përmendur kotë, përsëri ju e pat ju e pat çfarë rrëbeshes pat, sa dëmet…”, tha Hyseni.

    Nga përmbytjet e qershorit të vitit 2023, një grua dhe djali i saj 5 vjeç, kishin humbur jetën në Pejë.

    Ndërsa, dëme nga përmbytjet, në vlerë milionëshe, viteve të fundit ishin shkaktuar edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Istog e Klinë.