ATV

Blog

  • ​Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

    ​Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se iniciativa për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ka ardhur vet nga KPM-ja, e që bazohet në Europian Media Act dhe që i njëjti është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë.

    Ai tha Qeveria nuk ka pasur përfshirje në këtë projektligj dhe se i njëjti duhet të diskutohet.

    Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Muja tha se komuniteti i gazetarëve dhe ekspertët e fushës e dinë se cilat janë praktikat e mira dhe se ato të duhet të krahasohen me ato të BE-së.

    “Iniciativa për një ligj të tillë ka ardhur nga vet Komisioni i Pavarur për Media bazuar në Europian Media Act që e ka miratuar Komisioni Evropian me praktika të ngjashme sa i përket pronësisë. Është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë, besoj që nuk ka pasur ndonjë involvim nga qeveria dhe i njëjti duhet të diskutohet mund të hedhet në Kuvend dhe pastaj të merr versionin përfundimtarë. Komuniteti i gazetarëve, ekspertët e fushës i dinë se cilat janë praktikat e mira ato duhet të krahasohen me Bashkimin Evropian dhe besoj që ajo është destinacioni jonë final, qoftë nga praktikat e demokracisë ashtu edhe nga praktika e mediave”, ka thënë Muja.

    Ndërkaq, duke folur për takimin e paralajmëruar mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Muja tha se aty duhet të diskutohet nëse ka vërtet marrëveshje mes dy vendeve, pasi sipas tij, Serbia po shkel marrëveshjet e arritura.

    Për këtë, Muja përmendi rastet si fushata Serbisë për penguar prezencën e Kosvoës në organizatat ndërkombëtare, bojkotin e zgjedhjeve në veri e sulmin e Banjskës.

    “Kosova është një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve. E para është përpjekja të izolohet Kosova në prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimet e asaj marrëveshje. E dyta është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Unë mendoj që kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor. Kryeministrja e Serbisë i dërgoi letër ndërmjetësit duke thënë se dy pika të marrëveshjes nuk vlejnë… Ajo çfarë ne duhet të përcaktojmë është në rast se kemi ndonjë marrëveshje”, tha ai.

    Sa i përket masave të BE-së, Muja tha se pret që masat tani të largohen pas deeskalimit në veri./kp

  • ​Rama lut institucionet t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna, parashihet mot me shi

    ​Rama lut institucionet t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna, parashihet mot me shi

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka lutur qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.

    Rama ka shkruar në Facebook se pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme, kanë dal në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme.

    “Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit , ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Lutim qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.

    Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor prandaj jemi në terren në çdo kohë!

    Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244.

  • Tifozët shqiptarë grisin dhe djegin flamurin serb para ndeshjes Shqipëri-Spanjë

    Tifozët shqiptarë grisin dhe djegin flamurin serb para ndeshjes Shqipëri-Spanjë

    Mijëra shqiptarë ndodhen në Dyseldorf këtë të hënë për ndeshjen Shqipëri-Spanjë.

    Dy tifozë shqiptarë kanë grisur dhe djegur flamurin serb në një prej zonave ku janë mbledhur shqiptarët, për të mbështetur skuadrën e zemrës.

    Mbi 20 mijë tifozë pritet të mbështesin Kombëtaren në stadiumin e Dyseldorfit në ndeshjen e fundit brenda ‘grupit të vdekjes’, pas përballjes fillimisht me Italinë dhe Kroacinë /Tch/

  • ​Begaj nderohet në Drenas: Ta ndërtojmë një Kosovë dhe Shqipëri më të begatë e më të drejtë

    ​Begaj nderohet në Drenas: Ta ndërtojmë një Kosovë dhe Shqipëri më të begatë e më të drejtë

    Komuna e Drenasit nderoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Komunës së Drenasit”, për kontribut të shquar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

    Kryetari në këtë komunë, Ramiz Lladrovci derisa ka falënderuar presidentin Begaj për promovimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, ka nënvizuar se roli i tij edhe gjatë kohës së luftës ishte i madh.

    “President Begaj jeni në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel vendi me vite me radhë, me transparencë e llogaridhënie për vendime demokratike dhe barazi para ligjit, në komunën që i dha shumë kombit e shtetit në liri e shtet ndërtim, komunë me perspektivë dhe investime në zhvillim…Ky jetëshkrim i shkurtër i juaji lidhet me epokën më të ndritur të Kosovës dhe popullit të saj. Karriera juaj profesionale dhe ushtarake lidhet me epokën e luftës tonë çlirimtare dhe shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës. Ju më së miri e njihni vullnetin e ushtarëve tanë që të shëroheshin sa më parë dhe të ktheheshin në vijat e frontit. Ju vlerësonit guximin e bijve tanë në rrugën për çlirimin e vendit, sepse njohët plagët dhe lotët tanë për më të dashurit tanë që nuk arritën të shohin Kosovën e lirë. Në duart tua shumë pacientë i hapën sytë, i trajtuat të plagosurit tanë, i ofruar shërim, shpresë e besim keni shëruar plagët e ushtarëve tanë baraz me armikun, mesin e tyre isha edhe unë…Ju çdo ditë po ngitni lartë çështjen e Kosovës në gjitha agjendat, brenda dhe jashtë saj. Me aleatët arritëm të fitojmë luftën, ndërsa tashmë lufta është të fitojmë paqen. Në po punojmë shumë për proceset integruese euroatlantike… Më shumë se kurrë na duhet unitet sepse jemi në shekullin tonë duke bërë pengesë e patejkalueshme për fqinjët që synojnë të na kthejnë në shekullin e kaluar”, ka thënë Lladrovci.

    Duke folur për ata që dhanë shumë për liri, Lladrovci ka kujtuar edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në Hagë.

    Në anën tjetër edhe Presidenti Begaj, derisa ka falënderuar për titullin, ka theksuar se historia e Drenasit është histori krenarie, ndërsa ka thënë se qytetarët e saj kanë rol të rëndësishëm për gjithë vendin.

    “Do doja që të ishin heronjtë e luftës dhe paqes që sot janë në Hagë që uroi të jenë sa më shpejtë afër vendit tyre, kanë dhënë shumëçka për këtë ditë, dhe nuk e meritojnë të jenë atje, nderimi parë shkon për ta…Është padyshim një nga momentet më të veçanta në jetën time. Drenasi është një vend me histori të pasur e zemër të madhe, ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Kjo tokë ka lindur heronjtë që kanë luftuar me guxim për gjithë shqiptarinë. I kam ende të gjalla sakrificat që kaluat gjatë përballjes me agresionin serb. Si çdo shqiptar patriot edhe unë dhashë ndihmën time modeste si mik, ajo që kam bërë nuk ishte detyrë, por diçka që buronte prej shpirti e zemre…Ky titull është motivim për mua dhe kujtesë se sa e rëndësishme është të punojmë së bashku për të patur një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Ne duhet me punë të palodhur e dashuri për atdheun, mund të ndërtojmë një Kosovë e Shqipëri shumë më të begatë e më të drejtë”, tha Begaj.

    Ndërkaq, Begaj ka zhvilluar takim edhe në Qendrën për promovimin e të drejtave të grave në Drenas.

    Ndërsa, do të bëjë homazhe në Gllanasellë, në të cilën do të vendosë kurora me lule.

  • ​Tahiri për takimin Kurti-Vuçiq: Nuk mund të dalin jashtë temave të prodhuara nga kryeministri

    ​Tahiri për takimin Kurti-Vuçiq: Nuk mund të dalin jashtë temave të prodhuara nga kryeministri

    Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten më 27 qershor.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili tha se mungesa e agjendës parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë që një kohë të gjatë mos të takohen pavarësisht që sipas tij kishim pika të tjera të cilat ishin në interes të opozitës.

    Si pika kryesore që pritet të diskutohen në seancën e së enjtes, Tahiri ka përmendur projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Tahiri tha se janë duke punuar me këshilltarët ligjor të PDK që ta shohim mundësin që projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ta dërgojnë në gjykatën kushtetuese.

    Ai ka kundërshtuar këtë projektligj duke thënë se ka tendencë të qeverisë për kontrollimin e mediave online.

    “Ajo çka do ta diskutoj me juve janë dy çështje të rëndësishme dhe mjaftë kritike për nga perspektiva jonë nga mënyra si i shohim ne. Është projektligji i Komisionit të Pavarur për Media i cili është në rend dite në seancën e ditës së enjte dhe është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për media ju e dini që tashmë ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile poashtu edhe nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe mund të themi se prej rekomandimeve që kanë ardh nga Këshilli i Evropës, për standardet të cilat duhet të ketë një projektligj i tillë nuk janë përputh fare ose në masën më të madhe janë injoruar mund të themi lirish. Ky projektligj është një tendencë e kontrollimit të mediave online të cilin ne e kundërshtojmë”, tha ai.

    Tahiri tha se kanë kërkuar edhe themelimin e një Komisioni Hetimor.

    “Ju e dini që ka qenë një skandal jashtëzakonisht i madh në përllogaritjen e borxhit të ujit të kompanive, ambalazhuesve të ujit. Ne si grup parlamentar i PDK qysh prej periudhës kur këto fakte kanë dal në mediat e Kosovës kemi iniciuar themelimin e një Komisioni Hetimor. …… Komisioni Hetimor i bënë bashkë gjithë akterët dhe arrin me nxjerr një përfundim nëse vërtetë ministria e Planifikimit Hapësinor apo agjencitë që janë brenda kësaj ministrie kanë bërë shkelje kanë dëmtu buxhetin apo është një proces i rregullt apo këto pretendimet tona mund të mbesin vetëm në nivel të pretendimeve”, shtoi Tahiri.

    Derisa për takimin e ardhëm për dialogun Kosovë-Serbi, tha se nuk presin se do të dal diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Albin Kurti.

    “Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese. Këtu nuk mund të presim që do të dal diçka jashtë këtyre temave që i ka prodhu Kurti në dialog. Normalisht unë nuk di për agjendën, unë nuk di për mënyrën se si është organizu, por ajo çka mund ta vlerësojë që komplet angazhimi në këtë takim të radhës do të jetë në temat që i ka prodhu Kurti këto dy vite e gjysmë”, tha ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

  • ​Faqja zyrtare e UEFA-së bëhet kuq e zi

    ​Faqja zyrtare e UEFA-së bëhet kuq e zi

    Pak orë para sfidës së radhës së Shqipërisë, që përballet në Dyserldolf me Spanjës, UEFA i ka dedikuar një postim në rrjete sociale tifozëve kuqezi, që kanë rënë në sy këtë kampionat më shumë se çdo tifozeri tjetër.

    Në faqet zyrtare në rrjetet sociale, UEFA ka shpërndarë foto të shqiptarëve me shqiponjën kuqezi të pikturuar në fytyrë.

    Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupin B të Kampionatit Evropian ndaj Spanjës. Një sfidë vendimtare ku kuqezinjtë do të kërkojnë kualifikimin për në raundin e 1/16-ave.

    Ndeshja do të luhet në stadiumin e Dyseldorfit, i cili do të pushtohet nga tifozët e shumtë shqiptarë që do të mbështesin deri në fund Kombëtaren për të arritur një rezultat historik. /Tch/

  • Edi Rama për ndeshjen me Spanjën: Cilido qoftë rezultati, Kombëtarja do të dalë me kokën lart

    Edi Rama për ndeshjen me Spanjën: Cilido qoftë rezultati, Kombëtarja do të dalë me kokën lart

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pak më parë për ndeshjen që do të zhvillohet sonte mes Shqipërisë dhe Spanjës.

    “Askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”. Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”.

    Rama ka thënë se sonte Shqipëria përballet me skuadrën më të frikshme të grupit që sipas tij është një mision që në letër është 100 për qind i pamundur.

    Ai tha se lojëtarët nuk kanë çfarë të humbasin dhe se duhet ta shijojnë deri në fund.

    “Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”.

    Rama ka shtuar se cilido qoftë rezultati, Kombëtarja do të dalë me kokën lartë e me një eksperiencë shumë të çmuar.

    “Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës”.

  • LDK e PDK thonë se do të dërgojnë projektligjin për KPM-në në Kushtetuese

    LDK e PDK thonë se do të dërgojnë projektligjin për KPM-në në Kushtetuese

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), raporton EO.

    Ky paralajmërim u bë pas përfunditmit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ndërsa seanca u caktua të jetë të enjten.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse ky projektligj nuk ndrysho atëherë do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky projektligj ka për qëllim kontrollin e mediave të pavarura.

  • Rama thërret në takim institucionet e sigurisë, dëmet nga vërshimet vlerësohen të jenë të mëdha

    Rama thërret në takim institucionet e sigurisë, dëmet nga vërshimet vlerësohen të jenë të mëdha

    Një ditë pas vërshimeve të së dielës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka takuar institucionet e sigurisë, me ç’rast është duke u bërë edhe vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, raporton EO.

    Dëmi llogaritet të jetë i madh, ndërsa Kryeqyteti ka premtuar ndihmë për të prekurit.

    Në një konferencë për media të hënën, Rama tha se situata është e manaxhueshme, teksa fajtor i bëri destinimin e gabuar të pusetave.

    “Patëm një takim të koordinuar me Policinë, Ujësjellësin dhe zjarrfikësit dhe disa kompani të tjera private që janë përgjegjës për menaxhimin e rrugëve. Patëm diskutim për një strategji të re ideja është që të jemi me koherent rreth qasjes të këtyre problematikave, po mundohemi t’i ndalojmë në mundësinë tonë si administratë e Kryeqytetit”, tha Rama, teksa bëri edhe një apel tek bizneset që t’i lirojnë më herët punëtorët e tyre.

    “Dje kanë punuar deri në orët e vona në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Më herët e bëra edhe një kërkesë për institucionet publike dhe private, ju lutem që t’i lirojnë punëtorët më herët se në ora 16:00, për shkak të shirave të dendura dhe të mos ketë trafik”, tha Rama.

    Ndërsa, fajtor për vërshime është edhe për shkak të dizajnimit të keq të pusetave e vjetërsia e tyre.

    “Ne vetëm se kemi filluar intervenimet në rruge ‘B’ dhe ‘A’ dhe do të zgjidhet ky problem sepse ky problem është kah mot. Disa prej lagjeve me vite të tera nuk kanë qenë të mirëmbajta, në pjesën e stacionit të autobusit e bëmë intervenimin e menjëhershëm. Dizajnimi i atyre pusetave nuk është i mjaftueshëm dhe për këtë biseduam ta bëjmë një projekt të ri për kanalizime”.

    E drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica tha se gjatë ditës së djeshme ka qenë një sasi e madhe e shiut dhe se dëmet janë të mëdha.

    “Janë shkuar thirrjet direkt, afro 100 thirrje në të gjitha thirrjet janë intervenuar. vlerësimi i dëmeve është aktiv dhe do të merremi me çdo lloj dëmi të qytetarëve. vetëm sasia e sotme 65 milimetra për metër i cili është sasi e ujit që bëhet për një muaj të tëre, është sasi e madhe”, tha Fushica.

  • 15 muaj burgim e 12 mijë euro gjobë për Orloviqin që sulmoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës në Zveçan

    15 muaj burgim e 12 mijë euro gjobë për Orloviqin që sulmoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës në Zveçan

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë, Nenad Orloviç, i cili po akuzohej për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës afër objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj 2023.

    Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënë nga gjykatësja, Valbona Musliu-Selimaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari Orloviç u dënua me 15 muaj burgim”, ndërsa për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” u dënua me 12 mijë euro gjobë.

    “… dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, derisa koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23 qershor 2023 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. Ndërsa, për veprën penale të kryer po ashtu në bashkëkryerje pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës ia vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje 6 muaj po konform nenit 44 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumë prej 12 mijë euro”, tha gjykatësja Musliu Selimaj.

    Sipas aktgjykimit, dënimin me gjobë i akuzuari Orloviç duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në të kundërtën, dënimin me gjobë gjykata do t’ia zëvendësojë në dënim me burgim, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

    Gjykatësja Musliu-Selimaj bëri të ditur se me aktvendim të veçantë të akuzuarit Orloviç do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në kohëzgjatje të dënimit.

    Gjykata po ashtu i akuzuarin Orloviç e obligon që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro si dhe 100 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

    Meqenëse palët kanë deklaruar se heqin dorë nga e drejta e ankesës aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm menjëherë.

    Ndryshe, në seancën e kaluar gjykata aprovuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Orloviç.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024 thuhet se i akuzuari Orloviç më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kane qenë në detyre zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtare, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 1, e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë thuhet se i akuzuari Orloviç në datën dhe kohën e njëjtë si më lartë në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe peërkundër urdhrave të ushtareve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

    Me këto veprime i akuzuari Orloviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404 (par. 1) lidhur me nenin 31 të KPRK-së.