ATV

Blog

  • ​Kosova, nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës

    ​Kosova, nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës

    Gjykata Supreme e Kosovës sot ka mirëpritur konferencën e 14-të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.

    Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.

    “Kjo konferencë po organizohet për herë të parë në Kosovë, me ç’rast Gjykata Supreme e Kosovës ka nderin të jetë nikoqire e konferencës, e cila organizohet së bashku me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID-it. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta gjyqësor vendor dhe ndërkombëtar, ku mund të reflektojmë mbi sukseset, dështimeve të sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhme më të mirë ku vazhdimisht forcohet dhe mbrohet rendi dhe ligji. Ku respektohen të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i çdo individi”, u shpreh Rexhepi.

    Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale.

    Ai bëri thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

    Më tej, Fejzullahu shtoi ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, siç janë ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata, për të cilat tha se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.

    “Pavarësia e gjyqësorit është pa dyshim gur themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e të gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori nuk do ta kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarë do ndikimi, mirëpo garancitë që kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë. Është evidente që pushtetet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur dhe jo pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve e të tjerëve për çështje në shqyrtim në Gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit dhe paraqet presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqtarit. Pa këtë pavarësi vet themelet e shoqërive tona demokratike janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë”, deklaroi kryetari i Gjykatës Supreme.

    Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

    “Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në kontekst të dialogut gjyqësor do të vë theks në fjalët e kryetarit Rexhepi përgjatë ceremonisë tuaj në mbrëmjen e djeshme dhe të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të mësuara dhe përderisa kontekstet tona kulturore, historike dhe politike kanë nuancat e tyre të veçanta, kushdo dhe kudo në botën demokratike që vesh tokë gjyqësore priret nga parimet dhe vlerat e njëjta dhe të përbashkëta përfshirë përkushtimin e palëkundur për të avancuar dialogun gjyqësor në mbështetje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

    Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

    Duke lavdëruar arritjet e vendeve të rajonit në fushën e sundimit të ligjit, Moyer tha se para 35 viteve rajoni i Ballkanit ka qenë nën qeveritë autoritare, por që tani 2/3 e shteteve tani rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit.

    “Instituti CEELI zhvillon programe të ndryshme për gjyqtarët dhe gjykatat të niveleve të ndryshme dhe në shumë aspekte kjo është më e rëndësishme që kryetarët e Gjykatave Supreme të kenë biseda private për sundimin e ligjit, për gjykatat e tyre dhe forcimi i sundimit të ligjit është po ashtu i rëndësishëm dhe po aq me një grup unik të rëndësishëm të juristëve. Më lejoni ta përmbyll duke ju lavdëruar të gjithë juve, para 35 vitesh çdo shtet në këtë rajon ka qenë nën qeveritë autoritare në të cilat sundimi i ligjit nuk është respektuar, ndërsa sot 2/3 e shteteve tuaja rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit që prodhohet çdo vit nga projekti i drejtësisë në botë”, theksoi ai.

    E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në diskutimin e sotëm bazuar në pesë tema të zgjedhura, pret që pjesëmarrësit të diskutojnë për sfidat e sistemit gjyqësor në vend. /KP

  • ​Gërvalla merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së

    ​Gërvalla merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së

    Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për Luksemburg, për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga ministria, në këtë takim Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimeve evropiane, sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Gjatë kësaj vizite zyrtare në Luksemburg, Gërvalla, do të marrë pjesë në shënim e Ditës Kombëtare të Luksemburgut, me ftesë të Dukës së Madh.

    Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • ​Taksoni të pasurit që të paguajnë për veprimin klimatik thonë italianët

    ​Taksoni të pasurit që të paguajnë për veprimin klimatik thonë italianët

    Shumica e italianëve e njohin nevojën për ndryshime të mëdha për të trajtuar krizën klimatike dhe janë në favor të taksave më të larta mbi të ardhurat dhe pasurinë e të pasurve për të ndihmuar në pagimin e tranzicionit ekologjik, sipas një studimi të ri ndërkombëtar.

    Sondazhi Ipsos i 18 vendeve të G20-ës i porositur nga nisma Earth4All dhe Aleanca Global Commons zbuloi se, në Itali, 62% e njerëzve besojnë se bota ka nevojë për veprim në shkallë të gjerë klimatike këtë dekadë.

    Për më tepër, 61% e italianëve mbështesin një taksë mbi pasurinë dhe 64% mbështesin taksa më të larta mbi të ardhurat për njerëzit e pasur.

    Ekziston gjithashtu mbështetje e fortë për politikat që rishpërndajnë të ardhurat e mbledhura nga taksat e ndotjes, për shembull për emetimet e gazeve serrë, me 71% në favor.

    Sondazhi tha gjithashtu se 63% e italianëve të anketuar mbështesin një sistem ekonomik që i jep përparësi mirëqenies së njerëzve dhe natyrës mbi fitimin dhe rritjen e pasurisë.

    Një shumicë e madhe e italianëve besojnë se nevojitet një hap gjigant këtë dekadë për të adresuar urgjencën klimatike”, tha bashkëdrejtuesi i Earth4All, Owen Gaffney.

    Megjithë ndryshimet e fundit politike, mbetet një mbështetje e fortë për reformat gjithëpërfshirëse për kujdestarinë planetare.

    Italianët tregojnë mbështetje të fortë për reformat e drejta tatimore… duke nënvizuar angazhimin e qytetarëve për një tranzicion të drejtë.

    “Ka një mandat të qartë për qeverisje të përgjegjshme dhe politika që sigurojnë një transformim të drejtë dhe të qëndrueshëm”.

    Gjetjet mund të duken të habitshme duke pasur parasysh sukseset e fundit në kutinë e votimit të koalicionit qeverisës të Italisë të udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe partia e saj e krahut të djathtë Vëllezërit e Italisë (FdI), duke përfshirë zgjedhjet evropiane të këtij muaji.

    Qeveria e Melonit është shumë kritike ndaj shumë prej politikave të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, duke argumentuar se nevojitet një qasje më pragmatike në adresimin e krizës mjedisore./ANSA/

  • ​Kroaci-Itali, formacionet e mundshme

    ​Kroaci-Itali, formacionet e mundshme

    Mateo Retegui është favorit ndaj Gianluca Scamacca, ndërsa Giovanni Di Lorenzo pritet të startojë sërish për Italinë në ndeshjen kyçe të fazës grupore të EURO 2024 kundër Kroacisë sonte.

    Federico Dimarco u stërvit veçmas nga pjesa tjetër e ekipit të shtunën dhe të dielën, por Luciano Spalletti tha në një konferencë për shtyp para ndeshjes se mbrojtësi i Interit është sërish në formë.

    Sidoqoftë, bashkëlojtari i tij në Inter , Matteo Darmian, ka më shumë shanse për të startuar si mbrojtës i majtë, përcjellë KosovaPress.

    Italia është kualifikuar me një fitore ose një barazim ndërsa Kroacisë i duhen tre pikë për të marrë një vend në raundin e eliminimit.

    Këto janë formacionet e mundshme:

    Kroacia (4-2-3-1): Livakoviç; Stanisic, Sutalo, Pongracic, Gvardiol; Kovacic, Modric; Mario Pasalic, Sucic, Kramaric; Petkoviq

    Itali (4-1-4-1): Donnarumma; Di Lorenzo, Bastoni, Calafiori, Darmian; Jorginho; Cambiaso; Kristante; Barella; Chiesa, Retegui.

  • ​BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

    ​BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian e ka miratuar të hënë një pako të re të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

    Pakoja e 14-të e sanksioneve kundër Rusisë përfshin ndalimin e rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE për qëllime të dërgimit të tij në vendet e treta.

    Kjo pako i ofron gjithashtu BE-së më shumë mjete për ta luftuar shmangien e sanksioneve.

    Sanksionet përfshijnë po ashtu masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës.

    “Sanksionet e reja vënë në shënjestër sektorë të vlerës së lartë të ekonomisë ruse si, energjia, financat dhe tregtia, si dhe e bëjnë tejet të vështirë shmangien e sanksioneve të BE-së”, tha Këshilli i BE-së në një komunikatë.

    Pakoja e re përfshin edhe ndalimin e përdorimit të Sistemit për Transfer të Mesazheve Financiare (SPFS), një lloj sistemi SWIFT me bazë në Moskë.

    Për më tepër, partitë politike dhe organizatat, si dhe OJQ-të nuk do të lejohen më të pranojnë financim nga Rusia, tha Këshilli.

    “Sanksionet ua ndalojnë mediave të BE-së, partive politike dhe organizatave analitike të marrin fonde nga burime ruse. Janë vendosur masa edhe kundër kompanive nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në deklaratë.

    Në njoftim theksohet tutje se Këshilli i BE-së i ngarkon kompanitë evropiane që të sigurojnë që partnerët e tyre në vendet e treta të mos i shkelin sanksionet evropiane.

    “BE-ja kufizon regjistrimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në bllok për qytetarët dhe kompanitë e Rusisë”, thuhet në njoftim.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Netanyahu thotë se nuk pranon marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë

    Netanyahu thotë se nuk pranon marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.

    Në një intervistë të transmetuar të dielën mbrëma në kanalin izraelit 14, i cili është proliderit izraelit, Netanyahu tha se është i gatshëm të bëjë “marrëveshje të pjesshme – kjo nuk është diçka e fshehtë – e cila do të na i kthente neve disa prej njerëzve”, duke iu referuar rreth 120 pengjeve që po mbahen ende në Gazë.

    “Por, ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar luftën pas një pauze, në mënyrë që ta përmbushim synimin tonë për eliminimin e Hamasit [grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE]. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga kjo”, theksoi Netanyahu.

    Komentet e fundit të Netanyahut nuk dallojnë shumë nga ajo çfarë kishte thënë ai në të kaluarën për kushtet që kërkonte për një marrëveshje.

    Megjithatë, ai i bëri ato në një kohë të ndjeshme, sepse Izraeli dhe Hamasi duket se po largohen çdo herë e më shumë nga propozimi më i fundit për armëpushim.

    Komentet e Netanyahut gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit dhe të cilit disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”.

    Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, aleatit kryesor të tij.

    Plani me tri faza kërkon lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në shkëmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur në Izrael. Por, ka mosmarrëveshje dhe mosbesim mes Izraelit dhe Hamasit për mënyrën se si do të zbatohej marrëveshja, REL.

    Hamasi ngul këmbë se nuk do t’i lirojë pengjet e mbetura, nëse nuk ka armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza. Kur Bideni e njoftoi propozimin në fund të majit, tha se marrëveshja i përfshin të dyja këto.

    Por, Netanyahu thotë se Izraeli është i përkushtuar për ta shfarosur Hamasin dhe për t’u siguruar se ky grup nuk do të kryejë kurrë më sulm një më 7 tetor.

    Plani përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës me një plan shumëvjeçar për rindërtimin e Gazës, e cila është rrënuar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

    Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

  • Pjesëtarët e KFOR-it trajnohen për kontrollin e trazirave, publikohen pamje gjatë ushtrimeve

    Pjesëtarët e KFOR-it trajnohen për kontrollin e trazirave, publikohen pamje gjatë ushtrimeve

    Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR ka zhvilluar aktivitete trajnimi për kontrollin e trazirave të turmave në Prishtinë.

    KFOR ka publikuar edhe disa fotografi teksa shihen pjesëtarët e karabinierit italian duke u trajnuar.

  • Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe

    Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe

    Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe.

    Kylian Mbappe bëri debutimin e tij në Euro 2024 pa shënuar gol dhe me hundë të thyer, diçka që do i sjellë atij nevojën që të luajë me një maskë për ta mbrojtur hundën në vazhdim të garës, diçka për të cilën padyshim do të nevojitet sa më parë operimi.

    “Është material i NASA-s, për të ndërtuar raketa”

    Maskat nuk janë diçka e re për ortopedin e njohur spanjoll Juan Bravo, i cili merret me këtë profesion që nga viti 1994. Ai kishte ndërtuar një maskë të njëjtë për Raul Albiol në 2011 pasi theu nofullën ndërsa vëmendjen e merr materiali që përdoret për ndërtimin e saj.

    Ka dy opsione të materialeve: termoplastike (një plastikë e ngurtë e cila bëhet e formueshme në temperatura të larta) dhe me fibër karboni. Opsioni i dytë është padyshim më i miri, por gjithashtu më i shtrenjti. Ofron rezistencë të fortë dhe mbrojtje e cila i pamundëson atij kontaktin me hundën.

    Maska krijohet me fibër karboni dhe më pas modelohet, prehet dhe lëmohet, madje edhe dekorohet nëse klienti dëshiron. Dizajni merr parasysh lëndimin: maska ​​mbështetet në zonat e shëndetshme të fytyrës, ndërsa në zonën e dëmtuar lihet një zbrazëti në mënyrë që të mos i nënshtrohet goditjeve. Një proces i mekanizuar, por në të njëjtën kohë shumë artizanal, në të cilin ka ndikim të madh Pablo Cortes Escobar, teknik ortopedik prej gati 40 vitesh. Nëse ka nevojë të kryhet shpejtë, mund të jetë gati për 24 orë, megjithëse çmimi është i nivelit elitar: 1200 euro.

    Pavarësisht se maska e Mbappe është bërë virale, ylli i Francës nuk do të lejohet të zbresë në fushë me të. Kjo pasi, rregullat e UEFA-s përcaktojnë se futbollistët lejohen të mbajnë maskë me vetëm një ngjyrë, përveç rasteve kur bëhet një përjashtim i veçantë.

  • Pavarësia e gjyqësorit diskutohet në konferencën e kryetarëve të Gjykatave Supreme

    Pavarësia e gjyqësorit diskutohet në konferencën e kryetarëve të Gjykatave Supreme

    Për herë të parë në Kosovë po mbahet konferenca e 14-të e kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku nikoqire është Gjykata Supreme e Kosovës.

    Kryetari i Gkykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi unike për diskutim.

    “Kjo konferencë organizohet për herë të parë në Kosovë. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, ku mund të flasim për sukseset dhe dështimet e sistemit gjyqësor të Kosovës. Pavarësia e gjyqësorit është baza e të gjithë shtetit të së drejtës”, deklaroi ai.

    E kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

    “Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

    Themelues i Institutit CEELI, Homer E.Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

    E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në historinë në tërë botën, qytetarët kanë marrë hapa të rëndësishëm për të avancuar sundimin e ligjit.

  • ​Shqipëri-Spanjë, formacionet e mundshme

    ​Shqipëri-Spanjë, formacionet e mundshme

    Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë sot ndeshjen vendimtare të grupit B të Kampionatit Evropian të futbollit ku do të ballafaqohet me Spanjën, aty ku edhe do të vendoset fati i saj në rrugëtimin e këtij kompeticioni.

    Me vetëm një pikë të mbledhur pas dy ndeshjeve të zhvilluara, humbjen nga Italia dhe barazimin me Kroacinë, të besuarit e Silvinjos duhet që sonte ta kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kaluar në fazën e eliminimit direkt, derisa me një barazim eventual do të duhej të shpresonte të kualifikohej tutje nga pozita e vendeve të treta, raporton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Spanja që tashmë e ka siguruar kualifikimin, pritet që të luajë me lojtarët që kanë pasur më pak minutazh dhe kjo jep më shumë mundësi që Shqipëria të synojë maksimumin e pikëve.

    Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf me fillim nga ora 21:00. Në të njëjtin orar zhvillohet edhe ndeshja tjetër ë këtij grupit, ajo ndërmjet Kroacisë dhe Italisë.

    Këto janë formacionet e mundshme:

    Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Djimsiti, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami, Laci; Abrashi, Broja

    Spanja: Raya; Navas, Vivian, Laporte, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Torres, Joselu, Oyarzabal