ATV

Blog

  • Nobeli në ekonomi 2026, një mësim për stabilitetin ekonomik

    Nobeli në ekonomi 2026, një mësim për stabilitetin ekonomik

    AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Çmimi Nobel në Ekonomi përbën një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për botën akademike, por edhe për politikëbërësit, institucionet financiare dhe opinionin publik. Përtej vlerësimit të arritjeve individuale, ky çmim evidenton ato ide dhe teori që kanë ndryshuar mënyrën se si kuptojmë funksionimin e ekonomisë dhe se si mund të ndërhyjmë për të përmirësuar zhvillimin dhe stabilitetin e saj. Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2026 iu dha dy ekonomistëve amerikanë, Robert E. Hall dhe Michael Woodford, për kontributet e tyre në ndërtimin e themeleve mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik.

    ROBERT E. HALL MICHAEL WOODFORD

    Ky koncept nënkupton shpjegimin e proceseve dhe të ekuilibrave makroekonomikë, si inflacioni, papunësia dhe rritja ekonomike, duke u mbështetur në sjelljen dhe vendimmarrjen e individëve, familjeve dhesipërmarrjeve. Në thelb, ai synon të kuptojë se si vendimet individuale për konsumin, kursimin, investimet dhe punësimin ndikojnë në funksionimin e ekonomisë në tërësi. Rëndësia e kësaj qasjeje qëndron në krijimin e modeleve më të argumentuara për hartimin e politikave monetare dhe fiskale, duke marrë parasysh pritshmëritë, reagimet dhe përshtatjen e aktorëve ekonomikë ndaj ndërhyrjeve shtetërore, me synim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Ne thelb ata i pergjigjen kesaj pyetjeje: Si mund të ndikojnë politikat e qeverive dhe bankave qendrore mbi inflacionin, punësimin dhe rritjen ekonomike, kur vendimet përfundimtare merren nga miliona individë dhe biznese? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur ekonomia botërore përballet me pasiguri gjeopolitike, ndryshime teknologjike, tensione tregtare dhe sfida të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

    NGA EKONOMIA E TREGUESVE TE EKONOMIA E SJELLJES SË INDIVIDËVE.

    Për një kohë të gjatë, analiza makroekonomike u përqendrua kryesisht në marrëdhëniet ndërmjet treguesve të përgjithshëm, si prodhimi kombëtar, konsumi, investimet, papunësia dhe inflacioni. Modelet tradicionale synonin të shpjegonin se si ndryshimi i njërit tregues ndikonte mbi të tjerët dhe çfarë masash mund të merrnin autoritetet publike për të korrigjuar çekuilibrat ekonomikë. Por zhvillimet ekonomike, veçanërisht krizat dhe periudhat e inflacionit të lartë, treguan se këto marrëdhënie nuk janë gjithmonë të qëndrueshme. Individët dhe bizneset nuk reagojnë mekanikisht ndaj vendimeve të qeverive apo bankave qendrore. Ata ndryshojnë sjelljen në varësi të pritshmërive, informacionit, pasigurisë dhe vlerësimit që u bëjnë zhvillimeve të ardhshme. Pikërisht këtu qëndron një nga arritjet kryesore të makroekonomisë modern, shpjegimi i fenomeneve të përgjithshme ekonomike duke u nisur nga vendimet konkrete të familjeve, konsumatorëve, punonjësve dhe ndërmarrjeve. Kjo qasje, e njohur si ndërtimi i themeleve mikroekonomike të makroekonomisë, krijon mundësinë që politikat ekonomike të analizohen jo vetëm për efektet e tyre të menjëhershme, por edhe për mënyrën se si ato ndryshojnë sjelljen dhe pritshmëritë e aktorëve ekonomikë. Kontributet e dy laureatëve të vitit 2026 janë të rëndësishme pikërisht për zhvillimin dhe zbatimin e kësaj mënyre të të menduarit ekonomik.

    Filli lidhës i Robert E. Hall dhe Michael Woodford është përpjekja për të shpjeguar stabilitetin makroekonomik përmes sjelljes së aktorëve individualë. Hall analizoi se si vendimet për konsumin, kursimin dhe punësimin ndikojnë në luhatjet ekonomike, ndërsa Woodford shpjegoi se si pritshmëritë dhe reagimet e individëve e bizneseve përcaktojnë efektivitetin e politikës monetare. Kontributet e tyre janë plotësuese, jo domosdoshmërisht rezultat i një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë. Nuk ka të dhëna të konfirmuara për një bashkëpunim të ngushtë personal. Ata ndoqën rrugë të ndryshme kërkimore, por arritën në një përfundim të përbashkët: stabilizimi makroekonomik kërkon kuptimin e vendimmarrjes mikroekonomike.

    Hall dhe Woodford përfaqësojnë dy tradita të afërta metodologjikisht, por jo identike teorikisht. Të parin e lidhim më shumë me trashëgiminë neoklasike, ndërsa të dytin me sintezën e re kejnesiane. Kontributet e tyre dëshmojnë se dallimet ndërmjet shkollave ekonomike nuk përjashtojnë përdorimin e një metodologjie të përbashkët për shpjegimin e stabilitetit makroekonomik.Le të shofim pak më nga afër kontributet e tyre.

    ROBERT HOLL DHE FAMILJET QË JETOJNË NGA PAGA NË PAGË…

    Robert E. Hall ka analizuar punësimi, konsumi dhe mekanizmat e ciklit ekonomik. Ai është një nga studiuesit që ka ndikuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e makroekonomisë moderne, veçanërisht përmes analizës së konsumit, tregut të punës dhe luhatjeve të aktivi t e t i t ekonomik. Një nga çështjet qendrore të kërkimeve të tij lidhet me mënyrën se si familjet vendosin të konsumojnë ose të kursejnë.Kontributi i Robert Hall lidhet veçanërisht me mënyrën se si familjet vendosin sa të konsumojnë. Në studimin e tij të vitit 1978, ai argumentoi se një familje që mendon për të ardhmen nuk e përcakton konsumin vetëm nga paga e sotme, por nga të ardhurat që pret gjatë një periudhe më të gjatë. Për këtë arsye, ndryshimet në konsum duhet të varen kryesisht nga informacioni i ri dhe, rrjedhimisht, i paparashikueshëm; vetë të ardhurat e kaluara nuk mjaftojnë për të parashikuar shpenzimet e nesërme. Kjo ndryshoi mënyrën se si ekonomistët studiojnë konsumin dhe shpjegon pse një ulje e përkohshme taksash mund të ketë efekt më të vogël sesa një ndryshim që familjet e perceptojnë si të qëndrueshëm.

    Megjithatë, jo të gjitha familjet kanë luksin të planifikojnë për një kohë të gjatë. Disa nuk kanë kursime ose akses të lehtë në kredi dhe detyrohen të shpenzojnë pothuajse të gjithë të ardhurën e muajit. Studimet e Hall dhe Frederic Mishkin gjetën se sjellja e rreth 80 % e familjeve në kampion studimit pajtohej me modelin e të ardhurave të përhershme, ndërsa konsumi i pjesës tjetër reagonte shumë më drejtpërdrejt ndaj të ardhurave të çastit. Ky dallim ka pasoja të rëndësishme: një transferim i menjëhershëm mund të ketë efekt të kufizuar te familjet me kursime, por ndikim të fortë te familjet që jetojnë nga paga në pagë.

    Një tjetër fushë e rëndësishme e kërkimeve të Hall lidhet me tregun e punës dhe shpjegimin e papunësisë gjatë cikleve ekonomike. Në realitet, tregu i punës nuk funksionon si një treg ku oferta dhe kërkesa përshtaten menjëherë. Procesi i kërkimit të punës, përputhja e aftësive me vendet e lira, kostot e rekrutimit dhe marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve e punëmarrësve krijojnë mekanizma që mund të zgjasin periudhat e papunësisë. Për këtë arsye, rikthimi i rritjes ekonomike nuk shoqërohet gjithmonë me një rikuperim po aq të shpejtë të punësimit. Këto analiza ndihmojnë për të kuptuar pse politikat e stabilizimit duhet të marrin parasysh jo vetëm ritmin e rritjes së prodhimit, por edhe strukturën e tregut të punës, cilësinë e vendeve të punës dhe sjelljen e konsumatorëve.

    MICHAEL WOODFORD: FJALËT E BANKIERIT QENDROR NUK JANË DEKOR POLITIK.

    Michael Woodford
    Michael Woodford e vendosi këtë logjikë brenda një arkitekture më të plotë të politikës monetare. Çmimi Nobel o sivjetshëm vjen në një çast aspak neutral. Ekonomia botërore po përballet me goditje të përsëritura në ofertë, çmime energjie të ndjeshme ndaj konflikteve, tensione tregtare, inflacion ende shqetësues në shumë vende dhe borxh publik pranë niveleve rekord. OECD vlerësonte në shtator një rritje globale prej 2.9 % për vitin 2026 dhe paralajmëronte se ndërprerjet më të zgjatura të energjisë mund të sillnin njëkohësisht inflacion më të lartë dhe rritje më të dobët.

    Michael Woodford eshte marre kryesisht me politika monetare dhe “fuqinë e pritshmërive.Vepra e tij Interest and Prices e vitit 2003 ndërtoi bazat teorike të një politike ku banka qendrore nuk përpiqet thjesht të kontrollojë sasinë e parasë, por përdor normën e interesit, objektivin e inflacionit dhe komunikimin publik për të ndikuar pritshmëritë. Në këtë këndvështrim, fjalët e bankierit qendror nuk janë dekor diplomatik. Ato janë pjesë e politikës ekonomike, nëse publiku i beson zotimit se inflacioni do të frenohet, familjet, bizneset dhe tregjet i përshtatin vendimet që sot.

    Këtu qëndron një prej ideve më të fuqishme të Nobelit të sivjetshëm. Politika monetare vepron jo vetëm përmes normës së interesit të sotëm, por edhe përmes asaj që qytetarët dhe tregjet presin për nesër. Një familje që mendon të marrë kredi për shtëpi, apo një sipërmarrje që shqyrton një investim pesëvjeçar, nuk pyet vetëm sa kushton paraja këtë muaj. Ajo pyet se ku do të jenë normat, çmimet dhe kërkesa pas një ose dy vjetësh. Woodford e shndërroi menaxhimin e këtyre pritshmërive në pjesë qendrore të teorisë dhe praktikës së bankave qendrore.

    Çmimi Nobel o sivjetshëm vjen në një çast aspak neutral. Ekonomia botërore po përballet me goditje të përsëritura në ofertë, çmime energjie të ndjeshme ndaj konflikteve, tensione tregtare, inflacion ende shqetësues në shumë vende dhe borxh publik pranë niveleve rekord. OECD vlerësonte në shtator një rritje globale prej 2.9 % për vitin 2026 dhe paralajmëronte se ndërprerjet më të zgjatura të energjisë mund të sillnin njëkohësisht inflacion më të lartë dhe rritje më të dobët.

    Michael Woodford eshte marre kryesisht me politika monetare dhe “fuqinë e pritshmërive”. Nëse kontributet e Hall ndihmojnë në kuptimin e mekanizmave të konsumit dhe punësimit, kërkimet e Michael Woodford kanë pasur ndikim të veçantë në teorinë dhe praktikën e politikës monetare. Ai është një nga figurat kryesore të zhvillimit të makroekonomisë së re kejnesiane, e cila ndërthur vendimmarrjen racionale të individëve dhe bizneseve me ekzistencën e ngurtësive të çmimeve dhe pagave. Një nga përfundimet më të rëndësishme të kësaj qasjeje është se politika monetare nuk vepron vetëm përmes ndryshimit të normave aktuale të interesit. Efektiviteti i saj varet edhe nga mënyra se si individët dhe bizneset i interpretojnë vendimet e Bankës Qendrore dhe çfarë presin prej saj në të ardhmen. Nëse një bankë qendrore arrin të krijojë besueshmëri se inflacioni do të rikthehet pranë objektivit të përcaktuar, kjo mund të ndikojë në vendimet e konsumit, kursimit, investimit dhe përcaktimit të çmimeve. Në të kundërt, kur besueshmëria dobësohet dhe pritshmëritë inflacioniste rriten, kontrolli i inflacionit mund të kërkojë masa më të forta monetare dhe të shoqërohet me kosto më të larta ekonomike. Woodford ndihmoi në konsolidimin e një koncepti që sot është thelbësor për bankat qendrore. Ai mbron tezen se: “komunikimi i politikës monetare është vetë një instrument i saj”. Njoftimet për perspektivën e normave të interesit, publikimi i parashikimeve ekonomike, shpjegimi i vendimeve dhe transparenca institucionale mund të ndikojnë në pritshmëritë e tregjeve financiare dhe të publikut. Kjo qasje ka kontribuar në zhvillimin e praktikave moderne të orientimit të pritshmërive, të njohura ndërkombëtarisht si forward guidance. Megjithatë, komunikimi nuk mund të zëvendësojë masat konkrete të politikës monetare. Ai bëhet efektiv kur mbështetet në veprime të qëndrueshme, objektiva të qarta dhe besueshmëri institucionale.

    PSE KY NOBEL ËSHTË I VECANTË NË MENDIMIN EKONOMIK?

    Rëndësia e Nobelit të vitit 2026 nuk qëndron në shpalljen e një teorie krejtësisht të re, por në vlerësimin e një transformimi të rëndësishëm që ka ndodhur në analizën dhe politikëbërjen makroekonomike gjatë dekadave të fundit. Ky transformim mund të përmblidhet në tri ide themelore.

    Së pari, ekonomia nuk mund të kuptohet vetëm përmes treguesve agregatë. Pas çdo ndryshimi të konsumit, investimeve, punësimit apo inflacionit qëndrojnë vendimet e individëve dhe ndsipërmarrjeve.

    Së dyti, pritshmëritë për të ardhmen ndikojnë mbi ekonominë e sotme. Për këtë arsye, politikat ekonomike duhet të vlerësohen jo vetëm nga masat që ndërmerren, por edhe nga mënyra se si ato perceptohen nga aktorët ekonomikë.

    Së treti, stabiliteti makroekonomik kërkon institucione të besueshme, politika të koordinuara dhe njohje të thelluar të mekanizmave përmes të cilëve vendimet publike transmetohen në ekonomi.

    Këto ide janë veçanërisht të rëndësishme pas përvojave të krizës financiare globale të vitit 2008, pandemisë dhe valëve të mëvonshme inflacioniste. Ato kanë treguar se modelet ekonomike janë instrumente të domosdoshme për politikëbërjen, por nuk mund të parashikojnë në mënyrë të përsosur çdo goditje ekonomike. Prandaj, krahas modeleve teorike, nevojiten analiza empirike, vlerësim i vazhdueshëm i rreziqeve dhe fleksibilitet institucional.

    ÇFARË MËSIMESH MUND TË NXJERRË SHQIPËRIA?

    Për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, kontributet e dy laureatëve marrin një rëndësi të veçantë. Ekonomia shqiptare karakterizohet nga lidhje të forta me tregjet europiane, përdorim i konsiderueshëm i euros në transaksione dhe kontrata, ndikim i kursit të këmbimit dhe ekspozim ndaj goditjeve të jashtme. Në këto kushte, transmetimi i politikës monetare është më kompleks sesa në ekonomitë ku monedha kombëtare përdoret pothuajse në të gjitha marrëdhëniet ekonomike.

    Vendimet e Bankës së Shqipërisë për normën bazë të interesit ndikojnë në kushtet e financimit dhe kërkesën e brendshme, por efektiviteti i tyre ndërvepron me zhvillimet e kursit të këmbimit, normat e interesit në euro dhe pritshmëritë e familjeve e bizneseve. Këtu qëndron një nga mësimet kryesore të kërkimeve të Woodford se politika monetare duhet të mbështetet në një komunikim të qartë, transparent dhe të besueshëm. Për Shqipërinë, kjo nënkupton rëndësinë e shpjegimit të vendimeve monetare jo vetëm për tregjet financiare dhe ekspertët, por edhe për qytetarët dhe bizneset. Kuptimi i objektivit të inflacionit, i faktorëve që ndikojnë mbi çmimet dhe i perspektivës së politikës monetare mund të ndihmojë në formimin e pritshmërive më të qëndrueshme.

    Ndërkohë, kontributet e Hall sugjerojnë rëndësinë e analizimit më të thelluar të sjelljes së konsumatorëve dhe funksionimit të tregut të punës. Ndryshimet demografike, emigracioni, mungesa e fuqisë punëtore në sektorë të caktuar dhe dallimet ndërmjet aftësive të kërkuara dhe atyre të disponueshme janë faktorë që ndikojnë mbi potencialin e rritjes ekonomike të vendit. Politikat e zhvillimit ekonomik nuk mund të mbështeten vetëm në nxitjen e kërkesës agregate. Ato duhet të shoqërohen me investime në kapitalin njerëzor, produktivitet, teknologji dhe përmirësimin e funksionimit të tregjeve.

    Njëkohësisht, përvoja shqiptare evidenton nevojën për koordinim ndërmjet politikës monetare dhe asaj fiskale, duke respektuar pavarësinë institucionale të bankës qendrore. Politika monetare mund të kontribuojë në stabilitetin e çmimeve dhe të kushteve financiare, por rritja afatgjatë e produktivitetit, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i qëndrueshëm kërkojnë reforma strukturore dhe politika publike plotësuese.

    EKONOMIA SI SHKENCË NË SHËRBIM TË VENDIMMARRJES EKONOMIKE DHE POLITIKE.

    Dhënia e Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2026 merr një domethënie të veçantë në kontekstin e zhvillimeve aktuale të ekonomisë botërore. Borxhi i lartë publik, rreziku i rikthimit të presioneve inflacioniste, konfliktet gjeopolitike dhe pasiguria ekonomike kanë rikthyer në qendër të vëmendjes problemin e stabilizimit makroekonomik. Në këto kushte, kontributet e Hall dhe Woodford dëshmojnë se efektiviteti i politikave monetare dhe fiskale nuk përcaktohet vetëm nga instrumentet që përdorin institucionet, por edhe nga pritshmëritë dhe reagimet e familjeve e ndërmarrjeve. Vlerësimi i tyre mund të interpretohet si një riafirmim i rëndësisë së themeleve mikroekonomike për përballimin e goditjeve ekonomike. Megjithatë, këto modele nuk ofrojnë zgjidhje automatike për problemin e borxhit apo pasojat e luftërave; ato krijojnë një bazë më të qëndrueshme teorike për të kuptuar ndërveprimin ndërmjet politikave publike, sjelljes së aktorëve ekonomikë dhe stabilitetit makroekonomik.

    Nobeli 2026 nuk vlerëson thjesht dy kontribute historike në teorinë ekonomike, por rikthen vëmendjen te një pyetje thelbësore për ekonominë bashkëkohore: Si mund të ruhet stabiliteti makroekonomik kur hapësira fiskale ngushtohet, pritshmëritë inflacioniste mbeten të pasigurta dhe goditjet gjeopolitike janë gjithnjë e më të vështira për t’u parashikuar? Ai na mëson se zhvillimi i mendimit ekonomik nuk është thjesht një proces teorik. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta në mënyrën se si qeveritë dhe bankat qendrore përballojnë inflacionin, papunësinë dhe krizat ekonomike. Robert E. Hall dhe Michael Woodford kanë kontribuar, nga këndvështrime të ndryshme, në ndërtimin e një kuptimi më të plotë të marrëdhënies ndërmjet sjelljes individuale dhe rezultateve makroekonomike. Mesazhi kryesor që mund të nxirret nga vlerësimi i tyre është se stabiliteti ekonomik nuk krijohet vetëm nga vendimet e institucioneve, por edhe nga besimi, pritshmëritë dhe reagimet e miliona aktorëve ekonomikë. Për Shqipërinë, ky është një argument shtesë për të forcuar cilësinë e analizës ekonomike, besueshmërinë institucionale dhe lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor dhe politikëbërjes. Në fund të fundit, vlera më e madhe e teorisë ekonomike nuk qëndron vetëm në aftësinë për të shpjeguar të kaluarën, por në mundësinë që ajo krijon për të marrë vendime më të informuara dhe më të përgjegjshme për të ardhmen. Çmimi i vitit 2026 na thotë se, pas viteve të pandemisë, inflacionit, krizave energjetike dhe pasigurisë gjeopolitike, pyetja nuk është më nëse shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi. Pyetja është si të ndërhyjë me saktësi, besueshmëri dhe sa më pak dëme anësore.

  • RB Leipzigu mohon zërat për rikthimin e Julian Nagelsmannit

    RB Leipzigu mohon zërat për rikthimin e Julian Nagelsmannit

    Julian Nagelsmann mund të rikthehet në futbollin e klubeve, por një rikthim i mundshëm te RB Leipzigu, ku la gjurmë të rëndësishme, për momentin duket larg konkretizimit.

    Trajneri gjerman vazhdon të vlerësohet lart në futbollin evropian, falë punës së bërë te Leipzigu dhe Bayern Munichu, përpara se të merrte drejtimin e kombëtares së Gjermanisë në vitin 2023.

    Emri i tij ka filluar të përmendet sërish në lidhje me Bundesligën, në një kohë kur Leipzigu po kalon një fillim sezoni me rezultate të paqëndrueshme. Kjo situatë ka nxitur spekulimet për të ardhmen e trajnerit aktual, Martin Demichelis, dhe mundësinë që Nagelsmann të rikthehet në stolin e skuadrës.

    Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk duket se kanë plane për të ndryshuar trajnerin. Roger Schmidt, shefi i futbollit në kompaninë Red Bull, ka mohuar mundësinë e një lëvizjeje të tillë, duke theksuar se thashethemet janë pjesë e zakonshme e futbollit, veçanërisht kur një skuadër humbet ndeshje.

    Nagelsmann e njeh mirë ambientin e Leipzigut, të cilin e drejtoi përpara se të transferohej te Bayern Munichu. Përvoja e tij në Bundesligë dhe puna në nivel kombëtar e bëjnë atë një emër të rëndësishëm në tregun e trajnerëve.

    Megjithatë, për momentin, rikthimi i tij te Leipzigu mbetet vetëm në kuadër të spekulimeve, pasi drejtuesit kanë sinjalizuar se nuk po shqyrtojnë zëvendësimin e Demichelisit.

  • Xhemal Ibishi shpallet “Ylli i Javës”, vendimtar në fitoren e Malishevës ndaj Dritës

    Xhemal Ibishi shpallet “Ylli i Javës”, vendimtar në fitoren e Malishevës ndaj Dritës

    Xhemal Ibishi është përzgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së tetë në Superligën e Kosovës, duke u nderuar me çmimin “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

    Sulmuesi i Malishevës u bë protagonist në duelin ndaj Dritës, ku me golin e tij vendosi fatin e ndeshjes dhe i dhuroi skuadrës së tij tri pikë të rëndësishme.

    Malisheva triumfoi me rezultat minimal 1-0 ndaj kampiones në fuqi, në takimin e zhvilluar të premten, ndërsa realizimi i Ibishit rezultoi vendimtar për këtë fitore.

    Paraqitja e 25-vjeçarit u vlerësua lart edhe nga FFK-ja, e cila veçoi jo vetëm golin e shënuar, por edhe angazhimin dhe kontributin e tij gjatë gjithë përballjes.

    Sipas vlerësimit të Federatës, Ibishi pati ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin e Malishevës, duke u shndërruar në një nga figurat kryesore të kësaj jave në elitën e futbollit kosovar.

    Çmimi “Ylli i Javës” vjen si vlerësim për paraqitjen e tij vendimtare, në një ndeshje ku Malisheva arriti të mposhtë një nga kundërshtarët më të fortë të kampionatit.

  • Mourinho hesht pas fitores ndaj Villarrealit, synon të shmangë pezullimin para El Clasicos

    Mourinho hesht pas fitores ndaj Villarrealit, synon të shmangë pezullimin para El Clasicos

    Real Madridi e mposhti Villarrealin dhe mori tri pikë të rëndësishme, por fitorja u shoqërua me tensione të shumta, protesta ndaj arbitrimit dhe përjashtimin e Vinicius Juniorit me karton të kuq.

    Ndeshja përfundoi me gjashtë kartonë të verdhë dhe një të kuq për madrilenët, duke lënë pas një atmosferë të tensionuar. Trajneri Jose Mourinho dëshiron që kjo situatë të mos ndikojë në ndeshjet e ardhshme të skuadrës, veçanërisht në një periudhë kur çdo mungesë mund të ketë pasoja të rëndësishme.

    Momenti më i nxehtë erdhi në fund të takimit, kur Mourinho festoi atë që dukej si goli i dytë i Viniciusit. Megjithatë, ndërhyrja e VAR-it ndryshoi gjithçka: goli u anulua, ndërsa sulmuesi brazilian u përjashtua me karton të kuq. Pas këtij vendimi, protestat u shtuan dhe nervozizmi pushtoi edhe stolin e Real Madridit.

    Sipas mediumit spanjoll “Marca”, Mourinho vendosi të mos fliste para mediave pas ndeshjes, duke synuar të shmangte deklarata të nxituara që mund t’i sillnin një ndëshkim disiplinor dhe të rrezikonin praninë e tij në El Clasico.

    Ndërkohë, rasti i Viniciusit mbetet një nga shqetësimet kryesore. Braziliani u kërkoi falje shokëve të skuadrës dhe tifozëve, por pezullimi i tij mund të varet nga mënyra se si gjyqtari e ka përshkruar incidentin në raportin zyrtar.

    Mourinho e kupton se pakënaqësia ndaj arbitrimit nuk mund të zhduket menjëherë, por kërkon që lojtarët të kontrollojnë emocionet dhe të mos rrezikojnë të marrin ndëshkime të tjera.

    Për trajnerin portugez, mesazhi është i qartë, Real Madridi duhet t’u përgjigjet polemikave në fushë, pa lejuar që tensionet dhe protestat të dëmtojnë objektivat e skuadrës në vazhdim të sezonit.

  • Spalletti zbulon arsyen e përplasjes me Pisacanen, flet edhe për problemet e Juventusit

    Spalletti zbulon arsyen e përplasjes me Pisacanen, flet edhe për problemet e Juventusit

    Juventusi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë ndaj Cagliarit, ndërsa fundi i ndeshjes u karakterizua nga tensionet mes trajnerëve Luciano Spalletti dhe Fabio Pisacane, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq pas një përplasjeje mes tyre.

    Pas ndeshjes, Spalletti sqaroi për “DAZN” se situata nuk ishte aq serioze sa mund të dukej. Ai tregoi se i kishte vlerësuar kundërshtarët për lojën e tyre, por njëkohësisht u kishte vënë në dukje se dinin edhe të humbnin kohë. Pas reagimit të Pisacanes dhe shkëmbimit të fjalëve mes tyre, të dy trajnerët u përjashtuan nga gjyqtari.

    Tekniku i Juventusit u ndal edhe te paraqitja e skuadrës së tij, duke theksuar se lojtarët duhet të tregohen më të fortë në duelet individuale dhe të mos lejojnë kundërshtarët të përfitojnë hapësira. Sipas tij, Juventusi duhet të rrisë agresivitetin në lojë dhe të jetë më i vendosur në momentet vendimtare, duke përmendur edhe një aksion të Kolo Muanit në minutat e fundit si shembull të mënyrës se si duhet vepruar.

    Ndërkohë, Edon Zhegrova la përshtypje pozitive pas aktivizimit të tij. Futbollisti shqiptar provoi disa herë të rrezikonte portën me goditje nga distanca, por portieri i Cagliarit ishte në formë të mirë dhe arriti t’i ndalte tentativat e tij.

    Juventusi kështu u desh të kënaqej me një pikë, ndërsa përplasja mes dy trajnerëve i dha një tjetër dimension fundit të takimit.

  • Bordalas pa dyshime: Lamine Yamal mund ta fitojë Topin e Artë

    Bordalas pa dyshime: Lamine Yamal mund ta fitojë Topin e Artë

    Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, ka vlerësuar talentin e yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, duke thënë se sulmuesi i ri ka potencialin për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen.

    Pas humbjes 3-0 ndaj Barcelonës, Bordalas theksoi se Yamal është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe shumë i vështirë për t’u ndalur.

    “Është fantastik dhe shumë i vështirë për t’u ndalur, pavarësisht masave që merr kundërshtari. Është shumë i mirë në duelet një kundër një, në finalizim dhe në pasime”, deklaroi ai.

    Trajneri i Getafes shprehu bindjen se talenti spanjoll do të vazhdojë të përmirësohet dhe mund të arrijë majat e futbollit botëror.

    “Ai do të përmirësohet edhe më shumë dhe mund ta fitojë Topin e Artë. Nuk kam asnjë dyshim”, u shpreh Bordalas.

    Ndërkohë, sa i përket ndeshjes, trajneri kritikoi gabimet individuale të skuadrës së tij, duke theksuar se ato ia lehtësuan punën Barcelonës për të siguruar fitoren.

     

  • Jose Mourinho bojkoton konferencën për shtyp pas fitores ndaj Villarrealit

    Jose Mourinho bojkoton konferencën për shtyp pas fitores ndaj Villarrealit

    Jose Mourinho ka vendosur të mos paraqitet në konferencën për shtyp pas fitores 1-0 të Real Madridit ndaj Villarrealit në “Santiago Bernabeu”.

    Sipas mediumit “El Mundo”, trajneri portugez ka zgjedhur të heshtë nga frika se deklaratat e tij për gjykimin mund t’i kushtonin me pezullim në ndeshjet e ardhshme ndaj Sevillas dhe Barcelonës.

    Vendimi erdhi pas një përballjeje të tensionuar, e cila u shoqërua me polemika për vendimet e gjyqtarit. Në qendër të vëmendjes ishte edhe kartoni i kuq i Vinicius Juniorit, pas një incidenti me një lojtar kundërshtar.

    Ndërkohë, sipas raportimeve, Real Madridi po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese zyrtare për gjykimin.

    Mourinho, në këtë mënyrë, ka shmangur komentet publike në një moment delikat, me synimin për të qenë në stol në dy sfidat e rëndësishme që e presin skuadrën madrilene.

  • Arda Turan pritet të marrë drejtimin e Kombëtares së Turqisë

    Arda Turan pritet të marrë drejtimin e Kombëtares së Turqisë

    Arda Turan mund të marrë një detyrë të re në karrierën e tij si trajner, pasi raportohet se është pranë emërimit në krye të Kombëtares së Turqisë.

    Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i merkatos, Nicolo Schira, i cili ka raportuar në rrjetet sociale për mundësinë që ish-futbollisti i Atletico Madridit dhe Barcelonës të drejtojë përfaqësuesen turke.

    Aktualisht, 39-vjeçari është trajner i Shakhtar Donetskut, skuadër që e mori në drejtim në vitin 2025.

    Gjatë karrierës si futbollist, Turan ishte një nga emrat më të njohur të futbollit turk, duke luajtur për klube të mëdha evropiane si Atletico Madridi dhe Barcelona.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për emërimin e tij. Kombëtarja e Turqisë drejtohej nga italiani Vincenzo Montella, i cili mori detyrën në shtator të vitit 2023.

    Nëse realizohet, emërimi i Turanit do të shënonte një hap të rëndësishëm në karrierën e tij si trajner.

  • Hansi Flick i kënaqur me Barcelonën pas fitores ndaj Getafes: Po luajmë në nivel të lartë

    Hansi Flick i kënaqur me Barcelonën pas fitores ndaj Getafes: Po luajmë në nivel të lartë

    Barcelona e Hansi Flickut po vazhdon me rezultate pozitive, duke e mposhtur Getafen me rezultat 3-0 në La Liga, pas rikthimit nga pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare.

    Pas ndeshjes, trajneri gjerman u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar rëndësinë e golit të hershëm dhe kontrollin që Barcelona pati gjatë gjithë takimit.

    “Shënimi i golit shumë herët ishte i rëndësishëm për vetëbesimin. Nuk është e lehtë të rikthehesh pas pushimit ndërkombëtar, por ne bëmë një punë shumë të mirë”, deklaroi Flick.

    Ai vlerësoi gjithashtu Gerard Martinin, duke përgëzuar mbrojtësin për paraqitjet dhe zhvillimin e tij, si dhe Anthony Gordonin për kontributin në fazën ofensive.

    Flick foli edhe për Gabriel Jesusin, i cili shënoi në ndeshjen e tij të parë si titullar me Barcelonën, duke theksuar se skuadra ka nevojë për kontributin e të gjithë lojtarëve, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.

    Trajneri gjerman vlerësoi edhe profesionalizmin e Jules Koundes, ndërsa atmosferën brenda skuadrës e cilësoi si një nga pikat e forta të ekipit.

    Tashmë, vëmendja e Barcelonës zhvendoset te Liga e Kampionëve, ku të martën e pret përballja ndaj Galatasarayt në Turqi.

    Flick paralajmëroi se skuadrën e pret një sfidë e vështirë, duke theksuar se atmosfera në stadium do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e ndeshjeve në kampionat.

  • Marco Bezzecchi triumfon në Indonezi, Aprilia shkruan histori me katër vendet e para

    Marco Bezzecchi triumfon në Indonezi, Aprilia shkruan histori me katër vendet e para

    Marco Bezzecchi ka fituar Çmimin e Madh të Indonezisë në MotoGP, në pistën e Mandalikës, duke i dhënë Italisë fitoren e 300-të në klasën mbretërore të motoçiklizmit. Gara ishte historike edhe për Aprilian, e cila dominoi katër pozitat e para.

    Bezzecchi fitoi duelin me spanjollin Raul Fernandez, ndërsa Jorge Martin u rendit i treti. Ai Ogura përfundoi në vendin e katërt, duke kompletuar dominimin e Aprilias.

    Gara nisi me Fernandez në pole position, ndërsa Marc Marquez tentoi të merrte kryesimin që në start. Megjithatë, piloti i Ducatit humbi terren dhe nuk arriti të luftonte për fitoren. Në garë pati edhe dy braktisje të rëndësishme, pasi Fermin Aldeguer dhe Francesco Bagnaia u rrëzuan.

    Në xhirot e fundit, Bezzecchi realizoi parakalimin vendimtar ndaj Fernandezit dhe siguroi fitoren, ndërsa Martin plotësoi podiumin.

    Marc Marquez u rendit i gjashti, duke humbur pozita në luftën për titullin. Jorge Martin kryeson klasifikimin e përgjithshëm me 355 pikë, ndërsa Marquez ndodhet vetëm dy pikë prapa tij. Bezzecchi renditet në vendin e tretë.