ATV

Blog

  • AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

    AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që të formojë qëndrim rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

    Ky ligj u miratua javën e kaluar në Kuvend, ndërsa përmes një komunikate për media, AGK thotë se po ndjek me interesim reagimet pas miratimit të Ligjit për KPM-në.

    “Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.

    AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, thuhet në reagim.

    Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

    “Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, përfundon komunikata e AGK-së.

  • ​Përmbytjet kanë lënë të paktën 40 të vdekur në Afganistan

    ​Përmbytjet kanë lënë të paktën 40 të vdekur në Afganistan

    Të paktën 40 persona humbën jetën ndërsa 347 të tjerë u plagosën nga përmbytjet në Afganistan, tha një zyrtar të martën.

    Të gjitha viktimat u raportuan në provincën lindore Nangarhar, tha Sharaf Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Përkohshme të Shëndetit Publik. Shifrat mund të rriten, shtoi ai.

    Rajoni pati stuhi të forta, breshër dhe reshje të dendura shiu ditët e fundit.

    Shërbimet shëndetësore po u ofrohen personave të prekur dhe administrata e përkohshme po koordinohet me organizatat ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, sipas zëdhënësit./AA/

  • ​Plani i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, qeveria zotohet se do t’i dorëzojë me kohë komentet

    ​Plani i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, qeveria zotohet se do t’i dorëzojë me kohë komentet

    Qeveria e Kosovës do t’i dorëzojë komentet me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, brenda kohës së paraparë nga ndërmjetësi i dialogut, Mirosalv Lajçak. Sipas ekzekutivit, pala kosovare në vazhdimësi ka paraqitur propozime konkrete për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitet. Në anën tjetër, në partinë më të madhe opozitare, PDK deklarojnë se plani i ri i Lajçakut për zbatimin e marrëveshjes është më i keq sesa i kaluari. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut thonë se themelimi i Asociacionit mund të jetë në qendër të këtij plani.

    Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit në dialog, Besnik Bislimi, thotë se qeveria do t’i dorëzojë komentet me kohë dhe brenda afatit që është dhënë më 18 korrik.

    Ai përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress deklaron se qeveria vazhdimisht po tregohet konstruktive në dialog, por e njëjta qasje po mungon nga pala serbe.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak. Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, thotë Kadiu.

    Mirëpo, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për KosovaPress se në vizitën e fundit të Lajçakut në Kosovë, ai ka sjell një plan të sekuencimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit i cili është më i keq sesa ata më herët që kanë qenë në tavolinë.

    Ai është shprehur kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti pasi sipas tij i ka sjell Kosovës një marrëveshje të keqe, e cila nuk ka njohjen e ndërsjellët. Sipas tij, Kurti dhe Bislimi duhet të tregojnë për çka po bisedojnë në dialog, pasi konsideron se gjatë qeverisjes së tyre i kanë bërë dëme të mëdha Kosovës në këtë proces.

    “Ka pranuar një marrëveshje sikurse ajo e Brukselit dhe Ohrit pa njohje të ndërsjellët. Kushtet i ka pasur që marrëveshja duhet të ketë njohjen në qendër, ndërsa marrëveshjen që e ka pranuar është pa njohje të ndërsjellët. Kurti ka ardhur edhe në Kuvend dhe ka qitur kushte për Asociacionin para neve si deputetë, por pastaj ka pranuar një draft-statut të Asociacionit pa e negociuar me askënd… 14:39 Zotëri Kurti dhe zotëri Bislimi duhet të na tregojnë për çka po takohen në Bruksel. Çka ka ofruar Mirosalv Lajçak. Ne si deputetë kërkojmë përgjegjësi politike dhe llogari për atë se çfarë po diskutohet. Përvoja e deri tanishme ka treguar se zotëri Kurti ka zero ide në negocim, zero ide në politikë të jashtme dhe në kontekstin ndërkombëtar. Çfarëdo që ka ndodhur në këto katër vite në dialog është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës”, thekson Hoxhaj.

    Megjithëse palët në dialog do të dorëzojnë komentet për planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, ish diplomati kosovar, Blerim Canaj, është skeptik se mund të ketë progres në këtë drejtim.

    Ai thotë për KosovaPress se pika kyçe e planit të Lajçakut për zbatimin e marrëveshjes është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Asociacioni është njëfarë përdorimi retorik dhe politik si nga pala serbe ashtu edhe nga pala jonë. Me zotimet në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, pala kosovare veçse ka pranuar Asociacionin. Por është çështje implementimi. Problemi është sesi ajo të paketohet dhe të servohet në publik. Në anën tjetër, Serbisë po i konvenon kjo dhe për shkak të kësaj po e ka mundësinë të paraqes gjendjen e serbëve si të mjerë edhe pse nuk është ashtu siç paraqitet”, thotë ai.

    Më 2 korrik është zhvilluar takimi në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo pa arritur progres për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    Pas takimit, kryenegociatori Besnik Bislimi pati thënë se ka qenë kërkesë e emisarit Miroslav Lajçak që deri më 18 korrik Kosova dhe Serbia t’i dërgojnë komentet për planin e sekuencimit./kp

  • Jep dorëheqje Gareth Southgate

    Jep dorëheqje Gareth Southgate

    Gareth Southgate ka dhënë dorëheqje si trajner i Anglisë pasi humbjes në finalen e dytë radhazi në Evropian.

    Në një postim në X, llogaria zyrtare e Anglisë tha: “Pas 102 ndeshjesh dhe pothuajse tetë vitesh në krye, Gareth Southgate ka njoftuar se do të largohet nga roli i tij si selektor i Tre Luanëve”.

    Skuadra e Southgate arriti të barazonte rezultatin ndaj Spanjës në finale, por pastaj u mposht me rezultat 2-1. Ai tha se “skuadra më e mirë e turneut” fitoi.

    Southgate, 53 vjeç, mori drejtimin e Tre Luanëve në vjeshtën e vitit 2016. Dy vjet më vonë, ai i çoi ata në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Rusi, duke u bërë trajneri i parë i Anglisë që e bën këtë që nga Bobby Robson në vitin 1990.

    Nën drejtimin e tij, ata arritën gjithashtu në çerekfinalen e Kupës së Botës 2022, të luajtur në Katar dhe në finalen e Euro 2020 në Wembley, duke humbur ndaj Italisë në penallti.

  • KESCO: Po importojmë 1 milion euro energji elektrike në ditë

    KESCO: Po importojmë 1 milion euro energji elektrike në ditë

    KESCO ka njoftuar se për të mbuluar kërkesën e rritur për energji elektrike, importon çdo ditë rreth 1 milion euro energji elektrike.

    “KESCO njofton që për ta mbuluar kërkesën e rritur për energji elektrike është duke importuar çdo ditë rreth 1 milion euro energji elektrike.”

    Përmes një komunikate, KESCO ka thënë se për rritjen e kërkesës për rrymë faktor është “përdorimi masiv i kondicionerëve anekënd Kosovës” pasi temperaturat kanë qenë të larta.

    “Deri tek kjo ka ardhur pasi gjatë këtyre ditëve situata elektroenergjetike është vështirësuar tej mase nga disa faktorë. Fillimisht është rritur kërkesa tej mase si pasojë e temperaturave ektreme të ngrohta që po mbizotërojnë në vendin tonë, duke bërë që kërkesa në kohë piku të kalojë mbi 800 megavatë, dukshëm mbi mesataren e kësaj periudhe. Kjo për shkak të përdorimit masiv të kondicionerëve anekënd Kosovës.”

    Tjetër faktor “në rëndimin e situatës” KESCO ka thënë se është fakti që njësia B1 e KEK’ut është në remont të planifikuar njëvjetor. KESCO ka shtuar se Kosova, aktualisht, nuk po prodhon më sumë se 500 MW.

    Sipas KESCO’s çmimi për megavat është 200 euro në berzat e rajonit tonë.

    “Në rëndimin e situatës po ndikon edhe fakti që njësia B1 e KEK-ut është në remont të planifikuar vjetor, duke bërë që prodhimi vendor të reduktohet me së paku 250 MW. Pra, aktualisht Kosova nuk po prodhon më tepër se 500 MW. Ndërsa, diferenca ndërmjet prodhimit dhe kërkesës po mbulohet nga importi. E edhe çmimet e importit janë rritur shumë ditëve të fundit. Në berzat e rajonit tonë çmimet po sillen mbi 200 euro për megavat. Kjo po e vështirëson shumë situatën pasi duhet blerë energji nga jashtë me kosto të shtuar.”

    KESCO ka kërkuar që të kursehet maksimalisht energjia elektrike.

    “KESCO mbetet e përkushtuar që ti furnizojë konsumatorët pa ndërprerje me energji elektrike. Por, kërkon nga të gjithë që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, si një produkt që është jetik për të gjithë sidomos në kohën e kushteve ekstreme atmosferike.”

  • “Dardanët” me befasi për mërgimtarët

    “Dardanët” me befasi për mërgimtarët

    Grupi i tifozëve të Kombëtares së Kosovës në futboll, “Dardanët” kanë përgatitur një befasi interesante për të gjithë mërgimtarët që këto ditë do të jenë në Kosovë për t’i kaluar pushimet.

    Ata kanë bërë të ditur përmes një njoftimi se lokali zyrtar i “Dardanëve do të jetë i hapur për të gjithë mërgimtarët. Për më tepër, 200 bashkatdhetarët e parë që do të vijnë ta vizitojnë lokalin do të pajisen me një bluzë të tifo-grupit

    Njoftimi i plotë i “Dardanëve”:

    Mirë se vini, mërgimtarë!

    Me rastin e ardhjes në tokën e tyre të mërgimtarëve, ftojmë të gjithë ata që ta vizitojnë lokalin zyrtar të Dardanëve në Prishtinë. Të gjithë jeni të mirëseardhur që të kalojmë së bashku momente të mira pranë njëri-tjetrit.

    Ndër të tjera, njoftojmë se nga dita e enjte 200 bashkatdhetarët e parë që do të vijnë ta vizitojnë lokalin do të pajisen me një bluzë të tifo-grupit tonë që i kemi organizuar së bashku me Federatën e Futbollit të Kosovës.

    Ejani në një ndejë vëllazërore pak javë para ndeshjeve të Kosovës. Konaku i Dardanëve, konaku i çdo shqiptari!

  • ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i qartë

    ​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i qartë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i qartë dhe angazhim i vazhdueshëm i institucioneve të Kosovës.

    Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë takimit që zhvilloi me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shefin e SIDA-s në Kosovë, Henrik Riby, dhe përfaqësuesin e organizatës Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti.

    Kurti poashtu e uroi ambasadorin Westerlund për fillimin e mbarë të anëtarësisë së Suedisë në NATO.

    Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Westerlund për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe për ndihmën e dhënë për shumë projekte zhvillimore, përfshirë këtu projektin ‘Ndërtimi i Paqes dhe Avancimi i Agjendës Evropiane’, që menaxhohet nga Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave/BPRG, i cili mbështet një numër ekspertësh ndërkombëtarë e vendorë.

  • MD-ja akuzon KPK-në për bllokim e destabilizim të reformës në drejtësi

    MD-ja akuzon KPK-në për bllokim e destabilizim të reformës në drejtësi

    Ministria e Drejtësisë i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me miratimin e ligjit, duke e konsideruar si një ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    “Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, është në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial madje është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim”, thuhet në reagimin e ministrisë.

    MD-ja ka kundërshtuar pretendimet e KPK-së se ligji cenon pavarësinë e tyre dhe ndërhyn në mandatin kushtetues, duke e cilësuar reagimin e KPK-së si i pavërtetë dhe pa baza ligjore dhe profesionale të argumentuara.

    Ministria ka theksuar se procesi i hartimit të ligjit ka përfshirë konsultime të shumta me Komisionin e Venedikut, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të sistemit prokurorial dhe deputetë të Kuvendit.

    “Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së. Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial”, thuhet tutje në reagimin e MD-së.

    Ministria e Drejtësisë i ka bërë thirrje KPK-së “që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnerë bashkëpunues me qëllim të jetësimit të plotë të reformës në drejtësi”.

  • Roberta Metsola do të zgjidhet sot për një mandat të dytë si Presidente e PE-së

    Roberta Metsola do të zgjidhet sot për një mandat të dytë si Presidente e PE-së

    Maltezja Roberta Metsola do të zgjidhet sot për një mandat të dytë si Presidente e Parlamentit Evropian.

    Kandidatja nga grupi i Partisë Popullore Evropiane, Metsola ka vetëm një kundërshtar.

    Grupi i Majtë ka zgjedhur të emërojë spanjollen Irene Montero, ish-ministre e partisë Podemos.

    Metsola përfiton nga mbështetja e grupeve të mazhorancës pro-evropiane (përveç PPE-së, Socialistëve dhe Demokratëve dhe Renew liberalët), por edhe nga të Gjelbërit.

    Grupet e ekstremit të djathtë sakaq kanë vendosur të mos paraqesin kandidatin e tyre për presidencën e Parlamentit Evropian.

    Mandati i dytë i Metsola do të zgjasë dy vjet e gjysmë.

    Në janar 2027 presidenca e Parlamentit Evropian duhet t’i kalojë Socialistëve dhe Demokratëve.

  • Zbulohet se çfarë po bënte atentatori i Trump para sulmit

    Zbulohet se çfarë po bënte atentatori i Trump para sulmit

    Në 48 orët para se të hapte zjarr ndaj ish-presidentit Donald Trump, 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks bëri disa ndalesa në dhe rreth qytetit të tij periferik të Pittsburgh.

    Të premten, ai shkoi në poligonin, pjesëtar i të cilit ishte dhe ushtroi të shtënat, tha një burim policor për CNN. Të nesërmen në mëngjes, Crooks shkoi në Home Depot, ku bleu një shkallë prej gjashtë këmbësh, dhe në një dyqan armësh, ku bleu 50 fishekë, tha zyrtari.

    Crooks më pas udhëtoi me makinën e tij Hyundai Sonata rreth një orë në veri, duke u bashkuar me mijëra njerëz nga i gjithë rajoni që u dyndën në mitingun e Trump në Butler, Pensilvani.

    Ende nuk dihet motivi

    Ai e parkoi makinën me një mjet shpërthyes të improvizuar të fshehur në bagazhin që ishte i lidhur me një transmetues që ai mbante, tha zyrtari. Më pas, besojnë hetuesit, ai u ngjit në një ndërtesë aty pranë me ndihmën e shkallës së tij të re dhe hapi zjarr ndaj ish-presidentit.

    Ndërsa hetuesit vazhdojnë të kërkojnë për një motiv pas atentatit, ata po shqyrtojnë lëvizjet e tij përpara sulmit dhe po përpiqen të mbledhin një plan kohor të veprimeve të tij që çuan në sulm.

    Megjithatë, gati 48 orë pas të shtënave, hetuesit janë të befasuar nga mungesa e të dhënave që po gjejnë në lidhje me mentalitetin dhe motivet e mundshme të Crooks. Edhe pas sulmit me sukses në telefonin e tij dhe kërkimit të kompjuterit të tij, kërkimit të historisë së tij të kërkimit dhe dhomës së gjumit dhe intervistimit të familjes dhe miqve të tij, agjentët ende nuk gjetën prova që të sugjeronin një motiv politik ose ideologjik për të shtënat, tha CNN në burime nga policia .

    Kishte një detonator me telekomandë

    Në vend të kësaj, provat që ata gjetën dukej se tregonin aktivitete tipike në internet duke përfshirë një interes për programimin dhe lojërat, thanë burimet – dhe kjo ngriti më shumë pyetje.

    Në shenjë se sulmi i tij mund të ishte edhe më shkatërrues, Crooks kishte me vete një detonator të telekomanduar dhe në bagazhin e makinës së tij ishte një kuti metalike me eksploziv që ishte lidhur me një marrës, tha një burim policor.

    Cili ishte qëllimi i mjetit shpërthyes?

    Kjo sugjeron se personi i armatosur mund të ketë planifikuar të shpërthejë nga distanca dhe hetuesit po shqyrtojnë teorinë se ai mund të ketë planifikuar një shpërqendrim gjatë të shtënave.

    Është e paqartë se si Crooks montoi pajisjet shpërthyese të gjetura në makinën e tij. Hetuesit që analizuan historinë e tij të kërkimit në internet nuk gjetën asnjë tregues se ai kishte hulumtuar se si të bënte eksplozivë të bërë vetë, thanë burimet policore.

    Qëlloi me pushkën e të atit

    Një pushkë e ngjashme me pushkën sulmuese AR-15 që ai përdori për të qëlluar Trump u ble ligjërisht nga babai i tij, Matthew Crooks. Kjo ishte një nga më shumë se 20 armët e zjarrit të regjistruara për të moshuarin Crooks, të cilat ndodheshin në shtëpinë e familjes, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit të Pensilvanisë të shqyrtuara nga hetuesit. Të gjitha armët janë blerë ligjërisht.

    Sulmuesi dhe babai i tij ishin anëtarë të Clairton Sportsmen’s Club, një klub armësh rreth 25 minuta me makinë nga shtëpia e tij. Ata qëlluan së bashku atje, konfirmoi policia. Rob Butey, avokati i klubit, konfirmoi në një deklaratë se Crooks më i ri ishte anëtar.

    Klubi, i cili ka rreth 2000 anëtarë, ka një poligon qitjeje gati 200 metra të gjatë, sipas një analize të CNN të imazheve satelitore. Kjo është një distancë më e madhe se Crooks dhe Trump kur qëlloi ish-presidentin ndërsa ai ishte ulur në një çati aty pranë.

    “Klubi dënon plotësisht aktin e pakuptimtë të dhunës që ndodhi,” tha Boutej, duke shtuar se ai nuk mund të “bëjë komente të mëtejshme në lidhje me sulmin në dritën e hetimeve në vazhdim”.

    Prindërit e vrasësit, të cilët kanë bashkëpunuar me policinë që nga të shtënat, u thanë hetuesve se Crooks nuk duket të kishte miq apo prirje politike, tha një burim policor për CNN. Por duket se ata nuk dinin shumë për atë që po ndodhte në jetën e tij kohët e fundit, thanë burimet policore.