ATV

Blog

  • Dyshimet për blerjen e teksteve shkollore, të enjten intervistohen dy ministra

    Dyshimet për blerjen e teksteve shkollore, të enjten intervistohen dy ministra

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 ka miratuar listën e dëshmitarëve.

    Komisioni të enjten do të fillojë intervistimin me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Ndërkaq, javën e ardhshme do të pasohet me përfaqësuesit e DKA-ve dhe shtëpitë botuese.

  • Osmani uron Metsolen për rizgjedhjen në krye të PE: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer

    Osmani uron Metsolen për rizgjedhjen në krye të PE: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, për rizgjedhjen e saj në këtë post.

    Osmani tha se mezi pret që të vazhdojë bashkëpunimin me të për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

    “Urime, e dashur Roberta Metsola në rizgjedhjen tuaj si Presidente e Parlamentit Europian. Ndërsa ju vazhdoni të udhëhiqni Shtëpinë e Demokracisë së Europës në këto kohë sfiduese, mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe të avancojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Osmani.

  • Hovenieri e sheh Dritaren për Investime të Diasporës si mundësi të mirë për Kosovën

    Hovenieri e sheh Dritaren për Investime të Diasporës si mundësi të mirë për Kosovën

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, e ka përgëzuar Kosovën pas hapjes së “Dritares për Investime të Diasporës”, përcjell albinfo.ch.

    “Ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora mund ta paraqesin. E dimë që kur të vijnë mërgata për të investuar tregojnë idetë më të mira dhe më bashkëkohore”, ka thënë Hovenieri në ceremoni.

    “E dimë se si duket suksesi dhe hapja e kësaj platforme krijon vende punës përmes shkathtësive të reja dhe për të ngritur profilin e Kosovës”.

    “Më lejoni të ju inkurajoj për të zhvilluar këtë investim, për t’i nxitur, tërhequr dhe treguar shkathtësie e tyre dhe për të investuar në Kosovë. Për të nxitur rritjen ekonomike të Kosovës dhe për të mundësuar një të ardhme të begatshme të Kosovës. Duam të shohim një ekonomi e cila ua mundëson një begati të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo është mundësi dhe sfidë jemi këtu për të mbështetur shtetin e Kosovës për të përqafuar dhe për të kaluar këtë sfidë”.

  • Arrestohen dy persona në Vushtrri, dyshohen për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

    Arrestohen dy persona në Vushtrri, dyshohen për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës ka arrestuar dy persona në Vushtrri.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes një komunikate për media njoftoi se dy personat me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ nga neni 256 i KPRK dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, dhe “Gjatë ditës së sotme (16 korrik) Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të i paraqesë Gjykatës Themelore – Dega Vushtrri kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

  • Roberta Metsola në krye të Parlamentit Evropian edhe për një mandat

    Roberta Metsola në krye të Parlamentit Evropian edhe për një mandat

    Me 562 vota për, Parlamenti Evropian, që ka 720 ulëse e ka zgjedhur politikanen nga Malta, Roberta Metsola, për presidente të PE-së, kjo duke i dhënë edhe mandatin e dytë në krye të institucionit ligjëvënës të Bashkimit Evropian.

    Në fjalimin e saj pas marrjes së detyrës, Metsola, u zotua se do punojë që Bashkimi Evropian, të mbetet fuqi botërore, dhe se unioni duhet të luftoj diktaturat që sipas saj janë në fqinjësi, sikur edhe rreziqet që BE-ja po përballët që ajo i quan “shumë reale”.

    Me patjetër ajo foli për zgjerimin e bashkimit që për momentin ka 27 vende e që sipas saj kjo duhet të ndryshoj shpejt. Në veçanti ajo përmendi edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëdnimor, duke thënë se progresi i tyre drejt BE-së, u është mohuar shumë gjatë dhe se kjo duhet të ndryshojë.

    Kundërkandidatja e Metsolës, politikanja majtiste nga Spanja Irene Moreno, mori vetëm 61 vota në procesin e votimit.

    Parlamenti Evropian, është i vetëmi institucion i unionit që e pranon Kosovën, shtet të Pavarur dhe Sovran. Për shkak të pesë shteteve mosnjohëse një gjë të tillë nuk e bënë Komisioni dhe Këshilli Evropian.

  • ​Temperaturat e larta, IKSHPK bën thirrje për kujdes në ushqim

    ​Temperaturat e larta, IKSHPK bën thirrje për kujdes në ushqim

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët e vendit që të kenë kujdes në ushqimin që konsumojnë.

    Kjo, për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.

    “Në ditët me temperatura të larta, është shumë e rëndësishme që të kujdesemi për sigurinë e ushqimit që e konsumojmë. Përmes ruajtjes dhe përgatitjes adekuate të ushqimit, mund të parandalojmë rritjen e baktereve; ruajmë freskinë e ushqimit; shmangim helmimet përmes udhqimit; i ruajmë vlerat ushqyese të tij dhe mundësojmë të zgjatet afati i përdorimit të ushqimit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Sipas IKSHPK-së, kujdesi për sigurinë e ushqimit gjatë verës nuk është vetëm një zakon i mirë, por një nevojë për shëndetin dhe mirëqenien tuaj.

    Për më shumë informacion, ndiqni këshillat: 5 çelësat për ushqim të sigurt, një udhëzues ky i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sigurinë e ushqimit që për qëllim ka parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimet e kontaminuara.

    🌟❄️🥗🍉🍽️

    #SiguriaeUshqimit

    #Vera2024

    #KujdesiPërUshqimin

  • ​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

    ​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA). Në këtë komisioni pati përplasje mes kryetares, Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesve të AShNA-së. Bajrami deklaroi se drejtoresha e auditimit të këtij institucioni është larguar si shkak i drejtorit, Samir Bllacaku. Deputetja e LDK-së, po ashtu ka pretenduar se drejtori i navigacionit ajror ka marrë mëditje për doktoraturën e kryer jashtë vendit.

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se opinioni i ZKA-së, është i kualifikuar për çka përmendi nënvlerësimin e pasurisë.

    “Opinioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit është i kualifikuar, baza për opinion të kualifikuar është që thesari në bazë të vendimeve gjyqësore ka ekzekutuar pagesa në vlerë totale prej 817 mijë e 603 eurove prej kategorive jo adekuate të shpenzimeve. Edhe gjithashtu çështje e cila ka ndikuar në opinionin e kualifikuar është edhe nënvlerësimi i pasurisë për 345 mijë euro si rezultat i mos regjistrimit në sistemin informativ të menaxhimit për financat e Kosovës, të pasurisë jo kapitale që ka qenë projekti ‘furnizimi, instalimi dhe funksionimi i menaxhimit të trafikut ajror’. Si rezultat i mos regjistrimit të këtij sistemi ka rezultuar që të kemi një vlerësim të pasurive në vlerë prej 345 mijë euro. ”, deklaroi ajo.

    Deputetja e LDK-së kërkoi detaje për dy pagesa të cilat janë bërë përmes vendimeve gjyqësore.

    “Janë dy pagesa, pagesa e parë e cila është më e madhe që është marrë nga investimet kapitale për shkak të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, është 793 mijë e 73 euro. Janë marrë nga kategoria e investimeve kapitale dhe janë paguar vendimet gjyqësore për kompensimin e pagave për stafin e kontrollorëve të trafikut ajror. Këtu do i bëjmë pyetje drejtorit i cili është prezent se si ka ardhur ky rast që 793 mijë të paguhen përmes vendimeve gjyqësore dhe nuk kanë qenë të parapara me kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, duhet të na shpjegohet ky rast. Edhe gjithashtu është pagesa tjetër prej 24 mijë e 530 euro që është realizuar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. A është keq planifikim i AShNA-së për kategorinë apo si ka ndodhur që një shumë kaq e madhe të ekzekutohet përmes vendimeve gjyqësore”, ka pyetur Bajrami.

    Drejtori i navigacionit, Samir Bllacaku tha se ka pasur disa raste ku kanë bërë pagesa përmbarimore, me theks të veçantë të shpronësimeve të tokave të cilat i ka trashëguar AShNA nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    “Po filloj nga gjetja e parë ku është bërë një pagesë prej 817 mijë euro nga kategoria kapitale për paga dhe mëditje. Ky është një rast që ka filluar në vitin 2011, është bërë një ankesë për mos pagesën e vikendeve për kontrollorët e trafikut ajror. Kjo ka zgjat për 13 vjet, i kemi tri vendime gjyqësore, Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe në fund e kemi zmbrapsur deri në Gjykatën Supreme. Vendimi final ka ardhur prej Gjykatës Supreme edhe na ka ardhur një vendim përmbarimor prej Thesarit që brenda dy dite të caktojmë një kategori ku mundemi të bëjmë këtë pagesë. Ju kemi drejtuar Thesarit që pasi është kategoria e pagave dhe mëditjeve nuk kemi mundësi se i kemi pagat e aprovuara me buxhet dhe i kemi treguar që në qoftë se doni me marrë se AShNA është në proces të investimeve dhe çdo ngacmim në investime kapitale mund të dëmtojë në të ardhmen e AShNA-së dhe në sigurinë e trafikut ajror. Thesari pas dy ditëve ka marrë vendim dhe ka bërë tërheqjen e parave nga kategoria e kapitaleve”, u përgjigj ai.

    Bllacaku tha se nuk e pranojnë të gjeturën e katërt të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

    “Kjo është bërë kryekëput vetëm që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna. Ju mund ta shihni edhe në komentet që janë kthyer që vetëm është si informatë. ZKA nuk ish dashur të bie në atë nivel që të plasojë informata se ky është raport zyrtar edhe ne besojmë që kjo nuk ka të bëjë asgjë me rastin, as largimi i saj nuk është bërë për këtë çështje. Është larguar nga komisioni disiplinor… janë vendimet e komisionit disiplinor”, theksoi ai.

    Pas kësaj deklarate, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili kërkoi që Bllacaku të ketë kujdes me gjykimet ndaj të gjeturave e ZKA-së.

    “Ju jeni ekspert financiar, e keni kryer shkollën për auditim apo keni kryer një tjetër profesion dhe merreni me diçka tjetër. Kur plasoni akuza ndaj ZKA-s duhet së paku të jeni në nivel të tyre ose të keni argumente të plota të mbështetura për të refuzuar një të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk është e lehtë për të thënë ‘unë nuk po pajtohem me një të gjetur të ZKA-s’, sepse është e gjetur e tyre. Duhet të keni kujdes kur e marrim ta gjykojmë një rast për të cilin, ne, ju apo kushdo tjetër nuk jemi në të njëjtin nivel për të klasifikuar një të gjetur të caktuar si rast në raportin me të cilin sot ne po ballafaqohemi”, ka reaguar Korenica.

    Bajrami shtoi se drejtoresha e auditimit të brendshëm është larguar sepse nuk është lënë që të auditojë sistemin e trajtimit.

    “Zotëria që e kemi përballë ka kryer doktoraturë në kuadër të atij sistemi, të cilin ka bërë 59 ditë jashtë shtetit në Sangall të Zvicrës, ka marrë doktoraturë. Ky për ditët sa ka qëndruar atje ka marrë mëditje dhe ju kanë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit. Janë 12 module që zotëria i ka kryer. A po e kuptoni pse edhe ky atë doktoraturë ia ka aprovuar vetës, ekzistojë dokumente sepse drejtoresha e larguar e auditimit ka dalë tash edhe po fol nëpër media edhe i ka dokumentacionet. Zotëria vetës ja ka aprovuar doktoraturën në 2023. Ti nuk e ke lënë këtë sistemin që të auditohet prej njësisë së auditimit të brendshëm, ty të ka penguar auditorja e brendshme. A dini çka edhe diçka tjetër? Në datën kur Prokuroria Speciale e merr rastin për projektin prej 5,5 milionë euro, auditores së brendshme i ngritet komisioni i dytë disiplinor. Edhe a e dini se cila është arsyeja e komisionit disiplinor që e largon, i thotë ‘ke komunikuar me njësinë qendrore harmonizuese’ në kuadër të Ministrisë së Financave e cila është njësi që e bën harmonizimin dhe mbikëqyrjen e gjithë njësive të auditimit në mbarë Republikën e Kosovës”, ka shtuar Bajrami.

    Me këto nuk është pajtuar drejtori i navigacionit ajror, i cili tha se këto informata nuk janë të vërteta.

    Bllacaku: Doktoratura që e kam kryer unë e ka pasur vlerën 22 mijë dollar. A e dini sa ka paguar AShNA për mua, zero. Sa i përket qëndrimit tim 59 ditë në Zvicër, nuk është absolutisht e vërtetë sepse nëse i shikoni modulet kanë qenë module hibride. Unë jam ai person që modulet i kam kaluar ka zyrja, e kam kryer modulin në Prishtinë. A po më len tash me fol.

    Bajrami: Nëse kanë qenë hibride, a po më tregon sa ditë ke qëndruar?

    Bllacaku: Në janar kam qëndruar shtatë ditë, komplet kanë qenë të mbuluara, se ka qenë donacion, zero, për nivelin e lartë.

    Bajrami: Nuk ke marrë mëditje prej AShNA-s, se dalin këto të dhëna, kanë me dal?

    Bllacaku: Mëditje kom marrë…

    Bajrami: Ke marrë mëditje, je shkuar për tu shkolluar për të bërë doktoraturë edhe ke marrë mëditje?

    Bllacaku: Qe po e tërhjeki nuk është doktoraturë, është një trajnim”, kanë thënë ata.

    Pas replikave mes Bajramit e përfaqësuesve të AShNA-s, ka reaguar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.

    “Është dashur të na tregosh që e ke personale me ta, të paktën unë nuk kisha marrë pjesë . Shumë personale e ki. E paske personale edhe s’po mundesh me fsheh hiç, nuk po i njoh këta personat, absolut nuk i kam parë asnjëherë”, tha ai.

    Përplasjet mes opozitës dhe pozitës kanë vazhduar, kur deputetja e pushtetit Mirlinda Tishukaj Sadiku përmendi deklaratën e kryetares Hykmete Bajrami se pozita janë “hajna”. /kp

  • ​Mbappe është i Realit: Kjo ishte ëndrra ime jetësore

    ​Mbappe është i Realit: Kjo ishte ëndrra ime jetësore

    Kylian Mbappé tashmë është zyrtarisht lojtar i Real Madridit. Presidenti i klubit, Florentino Pérez, e mirëpriti lojtarin në sallën e këshillit t Real Madrid City, ku sulmuesi francez nënshkroi kontratën që do ta angazhojë atë në klub për pesë sezonet e ardhshme. Pas nënshkrimit, Mbappé iu dhurua një orë dhe një këmishë me emrin e tij dhe numrin nëntë të shtypur në të.

    “Kam shumë vite që ëndërroj të luaj për Real Madridin. Unë jam një djalë shumë i lumtur sot. Shumë i lumtur”, tha fillimisht Mbappe, përcjellë KosovaPress.

    Sulmuesi 25-vjeçar më pas vazhdoi të falënderonte Florentino Perezin për besimin që kishte treguar dhe për realizimin e transferimit, duke thënë:

    “Dua të falënderoj presidentin Florentino Perez dhe të gjithë njerëzit që më kanë mundësuar të jem këtu”.

    Mbappe gjithashtu përcolli mirënjohjen e tij për prindërit dhe rrethin e tij, ndërsa shtoi:

    “Për familjen time, e cila është shumë e lumtur. Unë shoh nënën time duke qarë. Është një ditë e pabesueshme, e pabesueshme. Që kur isha fëmijë, kisha ëndërr të luaja dhe kjo do të thotë shumë. Dua të falënderoj të gjithë madrilenët . Për shumë vite më kanë dhënë shumë dashuri. Faleminderit”, shtoi ai.

  • Blinken: Numri i viktimave në Gazë, “në mënyrë të papranueshme i lartë”

    Blinken: Numri i viktimave në Gazë, “në mënyrë të papranueshme i lartë”

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha dy zyrtarëve të lartë izraelitë se numri i viktimave civile në Gazë është “në mënyrë të papranueshme i lartë”.

    Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit, duke përfshirë një në një kamp refugjatësh.

    Në përgjigje, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën – tha se është tërhequr nga negociatat për armëpushim.

    Blinken priti të hënën në Uashington dy zyrtarë izraelitë me ndikim – ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi – “për të shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me viktimat e fundit civile në Gazë”, tha zëdhënësi i tij, Matthew Miller.

    “Numri i viktimave civile mbetet në mënyrë të papranueshme i lartë. Ne vazhdojmë të shohim shumë civilë të vrarë në këtë konflikt”, u tha Miller gazetarëve.

    Të shtunën, sulmet izraelite vranë më shumë se 90 njerëz në kampin Al-Mavasi në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë.

    Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.

    Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.

    Bisedimet e zyrtarëve izraelitë me Blinkenin u përqëndruan edhe tek armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma humanitare në Gazë dhe planet e pasluftës, tha Miller.

    Vizita e tyre u realizua disa ditë përpara se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, më 24 korrik./REL

  • Zyrtarët e lartë të BE-së bojkotojnë takimet e mbajtura nga Hungaria

    Zyrtarët e lartë të BE-së bojkotojnë takimet e mbajtura nga Hungaria

    Komisionarët evropianë do t’i bojkotojnë takimet jozyrtare të mbajtura nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe do të përfaqësohen nga burokratë të nivelit më të ulët, derisa Hungaria të kryesojë me BE-në.

    Vendimi u mor pasi Orban takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping.

    “Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, që shënojnë fillimin e Presidencës hungareze, presidentja [e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] ka vendosur që Komisioni të përfaqësohet në nivelin e nëpunësve të lartë civilë gjatë takimeve joformale të Këshillit [Evropian]”, shkroi në platformën X Eric Mamer, zëdhënës kryesor i von der Leyenit.

    “Vizita e Kolegjit në Presidencën [hungareze] nuk do të realizohet”, shtoi ai.

    Kolegji është udhëheqja e Komisionit Evropian dhe përbëhet nga 27 komisionarë.

    Hungaria protestoi kundër këtij vendimi. Ministri i Çështjeve Evropiane, Janos Boka, e akuzoi Komisionin se i zgjedh institucionet dhe shtetet anëtare me të cilat dëshiron të punojë.

    “Komisioni i BE-së nuk mund të zgjedhë se me cilat institucione dhe vende anëtare dëshiron të bashkëpunojë. A bazohen tani të gjitha vendimet e Komisionit në konsiderata politike?”, shkroi Boka në X.

    Vendimi i Komisionit vjen pas një raporti të pakonfirmuar në Politico se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, planifikon t’i mbledhë ministrat e Jashtëm të bllokut për takimin “zyrtar” të Këshillit, në të njëjtën kohë kur Hungaria ka planifikuar një mbledhje të ngjashme në gusht.

    Orban, vendi i të cilit mori presidencën e BE-së më 1 korrik, udhëtoi për në Moskë më 5 korrik dhe më pas në Kinë, me sa duket për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë me Putinin dhe me Xinë.

    Por, ai nuk e informoi BE-në paraprakisht dhe BE-ja u distancua prej udhëtimeve të tij.

    Orban, i cili ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Putinin, ka qenë vazhdimisht në mosmarrëveshje me pjesën tjetër të BE-së, duke shprehur kundërshtimet e tij ndaj sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.