ATV

Blog

  • Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Zjarri në këtë zonë perëndimore të Suharekës u shua në mëngjesin e së martës, falë intervenimit të zjarrfikëseve.

    Në fakt, zjarri te “Malet e Cerit” që njihet ndryshe, në trekëndëshin Rahovec – Suharekë – Malishevë, ishte më seriozi me të cilin u përballën zjarrfikësit.

    “Aty ekipi ynë i zjarrfikësve u përball prej dje gjer më sot në mëngjes, që kemi arritur ta shuajmë. Aty ka qenë zjarri më seriozi me të cilën jemi sfiduar kohëve të fundit. Por duhet theksuar se siç duket qytetarët janë vetëdijesuar dhe më nuk ka zjarre aq të mëdha, duke marrë parasysh temperaturat e larta”, tha komandanti i Njësisë Shpëtuese dhe Zjarrfikëse, Vehbi Krasniqi.

    Por, zjarrfikësit suharekas nuk dihet sa do t’ia dalin nëse komuna përballet me një situatë kritike sikurse para 3 vjetëve kur në të njëjtën kohë ishin aktive 5 vatra zjarri.

    “Jemi një staf shumë i vogël, faktikisht kemi 11 zjarrfikës dhe neve aktualisht jemi vetëm 2 zjarrfikës në ndërrim, vetëm 2 pra”, tha Krasniqi.

    Teksa apeloi qytetarët që në këto temperatura të larta të kenë kujdes të shtuar, kryetari Bali Muharremaj tha se shtimi i numrit të zjarrfikësve nuk është në kompetencën e tij.

    “Ju e dini që zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë disa vende vakante edhe është e pamundur me i plotësua. Neve në aspektin ligjor nuk kemi bazë ligjore me shpallë konkurse presim prej tyre. Janë 4 vende të lira me u plotësua”, tha Muharremaj.

    Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve e ka një propozim tjetër.

    “Vite më parë kemi marrë punëtor sezonal dhe na kanë ofruar një ndihmë të mirë”, tha Krasniqi.

    Megjithatë, as kjo mundësi nuk ekziston, sipas kryetarit Bali Muharremaj.

    “Më herët kemi marrë punëtorë çdo verë ka 10 por, tash me disa rregullore të reja nuk na e mundëson ligji”, tha Muharremaj.

    Derisa, stafi i zjarrfikësve me gjasë nuk do të shtohet, Komuna e Suharekës nga java tjetër për intervenime në objekte të larta do ta ketë në shërbim edhe një kamion.

  • Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Një fëmijë i moshës 13 vjeçare ka vdekur aksidentalisht në lumin Drin, në fshatin Mjedë.

    I mituri ka qenë duke u larë në lumin Drin kur i ka ndodh rasti.

    Për ngjarjen ka folur edhe Policia, e cila është duke hetuar rrethanat e vdekjes së 13-vjeçarit.

    “Rreth orës 13:35, në fshatin Mjedë, dyshohet se është mbytur aksidentalisht duke u larë në lumin Drin, shtetasi D. P., rreth 13 vjeç, banues në fshatin Mjedë“, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Reagon Klinaku: Aktgjykimi i Speciales ndaj Pjetër Shalës është politik

    Reagon Klinaku: Aktgjykimi i Speciales ndaj Pjetër Shalës është politik

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës në Hagë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka thënë se ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e Shalës Specialja ka marrë vendime politike.

    “Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli.

    Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, shkroi ai.

    Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka ka dënuar Shalën me 18 vjet burgim për krime lufte.

    Shala është shpallur fajtor për veprën penale të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, si krim lufte.

    Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

  • Liga e Kampionëve, formacionet zyrtare të Ballkanit dhe UE Santa Colomas

    Liga e Kampionëve, formacionet zyrtare të Ballkanit dhe UE Santa Colomas

    Sot me fillim nga ora 16:30 stadiumi “Zahir Pajaziti” i Podujevës do të jetë nikoqir i ndeshjes së kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve mes Ballkanit dhe UE Santa Colomas.

    Në ndeshjen e parë që u zhvillua në Andorra, Ballkani e mposhti UE Santa Coloman me shifrat 2:1, raporton KosovaPress.

    Pavarësisht epërsisë, kampioni i Kosovës do të synojë fitoren sot si vendas, që ta vulos çështjen e kualifikimit tutje.

    Në raundin e dytë kualifikues, skuadra që kualifikohet tutje do të përballet me skuadrën e Midtjylland.

    Tanimë formacionet zyrtare janë publikuar dhe ato i gjeni më poshtë.

  • ​Nagavci dhe Murati do të intervistohen të enjten në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore

    ​Nagavci dhe Murati do të intervistohen të enjten në Komisionin Hetimor për tekstet shkollore

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 miratoi dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve.

    Në mbledhjen e mbajtur të martën, komisioni vendosi që të enjten të ftojë për intervistim, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq u vendos që javën e ardhshme të intervistohen përfaqësuesit e DKA-ve dhe shtëpive botuese.

    Propozimin që procesi i intervistimit të fillojë me ministrat e dha deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.

    “Unë propozoj që të fillojmë me propozimin e dëshmitarëve nga dita e enjte. Në ditën e enjte të kemi për intervistim si dëshmitarë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati”, tha ajo.

    Këtë e mirëpriti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se Nagavci dhe Murati janë përgjegjësit kryesor mbi çka është themeluar ky komision.

    “Sa herë që propozohet që me ardh në intervistim unë jam gjithmonë për. Ata janë fajtorët për të gjitha këto dyshime të ngritura për themelimin e këtij komisioni hetimor. Ata janë përgjegjësit politik dhe menaxherial për atë se pse është iniciuar ky komision hetimor…Për të përmbushur detyrimin tonë nga Kuvendi ne duhet të bëjmë listën jo veç për ministra, por për të gjithë akterët dhe qysh tash t’iu dërgohet orari atyre se kur kanë me u përgjigjur në komision”, deklaroi Haxhiu.

    Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha se komisioni duhet të mblidhet çdo ditë për të ftuar dëshmitarët para se të përfundojë sesioni pranveror më 31 korrik.

    “Të rregullojmë një orar që çdo ditë t’i marrim dëshmitarët deri më datën 30 korrik…Duhet të fillojmë çdo ditë dhe dy javët e ardhshëm duhet t’i kemi dëshmitarët në një orar më të zgjatur, pasi përndryshe në këtë mënyrë kemi me mbet gjatë”, tha ai.

    Këtë e mirëpriti edhe kryesuesi i komisionit, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj./kp/

  • Paralajmërohet shi e breshër në Kosovë

    Paralajmërohet shi e breshër në Kosovë

    Vala e të nxehtit që ka hyrë tashmë në ditën e dhjetë, ka shënuar rekorde në parametrat matës si në temperaturat minimale që janë regjistruar madje mbi 30°C në vendet fqinje, e poashtu me maksimalet ekstreme që janë shënuar deri në 43°C.

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) ka bërë të ditur se që nga e mërkura mbasdite, e deri të shtunën, në një situatë kur kemi temperatura shumë të larta në përplasje me një valë rrymimesh ajrore më të ftohta, do të kemi zhvillime stuhishë të përcjellura me rrebeshe shiu, vende vende edhe breshëri dhe erërash të fuqishme që do të ndikojnë në një rënie prej 3 – 5°C të temperaturave maksimale, e që do të na shoqërojnë deri në mesin e javës së ardhshme.

    Sipas ASHNA-s temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 28°C – 33°C, ndërsa minmalet do të luhaten ndërmjet 17°C – 22°C. Erërat do të jenë drejtimesh të ndryshme të dominuara kryesisht nga veriu me shpejtësi nga 02 – 12 m/s.

  • UEFA zgjedh formacionin më të mirë në Euro 2024

    UEFA zgjedh formacionin më të mirë në Euro 2024

    Spanja është shpallur kampione e Evropës duke e mposhtur Anglinë më rezultat 2-1 në finalen e madhe të zhvilluar të dielën në Berlin.

    Ishte ky titulli i katërt kampion për Spanjën, duke u bërë kështu kombëtarja më e trofeshme ne kontinent, raporton KosovaPress.

    Formacionin më të mirë e dominon Spanja me gjashtë lojtarë.

    Ky është formacioni:

    Maignan, Walker, Saliba, Akanji, Cucurela, Rodri, Aolmo, Ruiz, Yamal, Musiala, Williams

  • Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pseudonimi i të cilit ishte komandant “Ujku”, është dënuar të martën nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me dënim unik prej 18 vitesh, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Në vendimin për secilën akuzë, Shala u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje. Dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

    Ndryshe, Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.

    Shala ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke i konsideruar akuzat ndaj tij si “të fabrikuara”.

  • I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit

    I konfiskohet pompa e benzinës Milan Radojçiqit

    Para pak minutave inspektorët së bashku me pjesëtarët e policisë ia kanë vënë shiritin pompës së benzinës ‘Nis Petrol’ në veri të Mitrovicës, duke e konfiskuar kështu edhe një pasuri që dyshohet të jetë e Milan Radojçiqit.

    Në kohën kur po raportojmë, në vendin e ngjarjes ndodhen pjesëtarët e policisë së Kosovës, dhe gjithçka është duke u zhvilluar qetë dhe pa ndonjë incident.

    KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me u.d. të drejtorit të policisë për rajonin e veriut Veton Elshanin, por i njëjti nuk është përgjigjur.

  • ​Emrat potencial për ta marrë drejtimin e Anglisë

    ​Emrat potencial për ta marrë drejtimin e Anglisë

    Pas 102 ndeshjesh në krye të Anglisë Gareth Southgate është larguar nga posti i trajnerit të “Tre Luanëve” pas humbjes nga Spanja në finalen e Euro 2024 të së dielës.

    Ai që do ta pasojë do të ketë përgjegjësi të mëdhai pasi Anglia ishte në finalen e dy kampionateve evropiane radhazi.

    Por, kush mund të marrë drejtimin e Anglisë?

    Lee Carsley

    Ndoshta një kandidat në fushën e majtë, por menaxheri i Anglisë U-21, Lee Carsley, po mendohet si emër i mirë në Federatën e Futbollit të Anglisë. Ai ka qenë pjesë e Anglisë për një kohë të gjatë dhe fitoi Kampionatin Evropian U-21 verën e kaluar. Ai potencialisht mund të blinte kohën e FA derisa një emër i madh të ishte i lirë verën e ardhshme.

    Pep Guardiola

    Trajneri i Manchester Cityt është konsideruar prej kohësh si një trajner i ardhshëm ndërkombëtar dhe një rol me Anglinë sigurisht që do të emociononte shumë tifozë të “Tre Luanëve”. Duke fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh me Barcelonën, Bayern Munich dhe Manchester Cityn, një sfidë e re verën e ardhshme mund të rezultojë shumë tërheqëse. Guardiola ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2025.

    Eddie Howe

    Një tjetër menaxher anglez i fantazuar mirë nga basteshkruesit. Trajneri i Neëcastle është folur për një kohë të gjatë si një trajner i mundshëm i Anglisë që kur bëri përshtypje të mira në krye të Bournemouth.

    Jurgen Klopp

    Një tjetër menaxher i famshëm pa punë. Nëse FA do të shkonte në rrugën e tërheqjes së një emri nga jashtë, Klopp me siguri do të ishte në listën e saj të pretendentëve. Ish-trajneri i Liverpool-it nuk ka gjasa të jetë i disponueshëm tani, pasi u largua nga Anfield dhe dëshiron një pushim. Por nëse FA është e gatshme të presë, Klopp mund të hyjë në llogari.

    Mauricio Pochettino

    Një tjetër menaxher i profilit të lartë, popullor, i huaj pa punë këtë verë. Ish-trajneri i Tottenham, PSG dhe Chelsea ishte shumë i lidhur me Manchester United – përpara se të zgjatej kontrata e Erik ten Hag – dhe do të kënaqej me kthimin për të punuar në Angli. Ai dëshiron të bëhet pasardhësi i Southgate dhe pasioni i tij për futbollin në këtë vend e bën atë një pretendent serioz.