ATV

Blog

  • Baba i keqtrajtoi dy vajzat e tij, arrestohet nga policia

    Baba i keqtrajtoi dy vajzat e tij, arrestohet nga policia

    Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person në Vushtrri, pasi i njëjti dyshohet se ka keqtrajtuar dy vajzat e tij.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistës me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Vushtrri / 15.07.2024 – 08:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar është duke i keqtrajtuar fëmijët e tij dy vajzat femra kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistës me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Wesley Clark emërohet anëtar nderi i Odës Amerikane dhe i Bordit të Guvernatorëve

    Wesley Clark emërohet anëtar nderi i Odës Amerikane dhe i Bordit të Guvernatorëve

    Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është emëruar anëtar nderi i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovë dhe anëtar nderi i Bordit të Guvernatorëve të saj.

    Bordi i Guvernatorëve e ka miratuar propozimin e Drejtorit Ekzekutiv, Arian Zekës, që Clarku të nderohet nga kjo odë.

    “Ndihemi jashtëzakonisht të nderuar dhe të privilegjuar që një personalitet i shquar si gjenerali Clark, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, e ka pranuar këtë rol në përvjetorin e njëzetë të organizatës sonë”, u tha nga OEAK.

    Ky vendim pritet të forcojë marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë investimet në të dyja vendet.

    “Jemi të bindur se ky vendim do të ndihmojë Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë të forcojë më tej marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe të promovojë mundësitë për investime në të dyja vendet. Kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të organizatës sonë”, theksojnë më tej nga Oda Amerikane.

    Gjithashtu, kjo do të kontribuojë ndjeshëm në përmbushjen e misionit të Odës Ekonomike Amerikane.

    Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark e kishte udhëhequr fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

    Kush është Wesley Clark?

    Wesley K. Clark shërben si Kryetar dhe drejtor i Ëesley K. Clark & ​​Associates, një firmë këshilluese strategjike; Kryetari dhe Themeluesi i Enverra, Inc. një bankë investimi e licencuar; Kryetar i Energy Security Partners, LLC; si dhe borde të shumta të korporatave duke përfshirë BNK Petroleum dhe Leagold Mining.

    Ai është aktiv në energji, duke përfshirë naftën dhe gazin, biokarburantet, energjinë elektrike dhe bateritë, financat dhe sigurinë. Gjatë karrierës së tij në biznes, Clark ka shërbyer si këshilltar, konsulent ose anëtar bordi i mbi nëntëdhjetë kompanive private dhe të tregtuara publike.

    Gjenerali Clark ka shkruar katër libra dhe është një kontribues i shpeshtë në TV dhe gazeta.

    Clark doli në pension si gjeneral me katër yje pas 38 vitesh në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, pasi kishte shërbyer në detyrat e tij të fundit si Komandant i Komandës Jugore të SHBA-së dhe më pas si Komandant i Komandës Evropiane të SHBA/Komandantit Suprem të Aleatëve në Evropë.

    Në detyrën e tij të fundit si Komandant Suprem i Aleatëve në Evropë, ai udhëhoqi forcat e NATO-s drejt fitores në Operacionin Forca Aleate, fushatën ajrore 78-ditore të Aleancës Veri-Atlantike ndaj caqeve serbe në Kosovë.

    Çmimet e tij përfshijnë Medaljen Presidenciale të Lirisë, Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes (pesë çmime), Yllin e Argjendtë, yllin e bronztë, zemrën e purpurt, titullin e kalorësisë nderi nga qeveritë britanike dhe holandeze, dhe shumë çmime të tjera nga qeveritë e tjera, duke përfshirë atë të Komandantit të Legjionit të Nderit (Francë).

    Ai është vlerësuar gjithashtu me Çmimin e Shërbimit të Shquar të Departamentit të Shtetit dhe doktoraturat e shumta nderi dhe nderimet civile.

  • Djali i njeriut më të pasur në Indi u dhuron miqve të tij në dasmë ora me vlerë 180 mijë euro

    Djali i njeriut më të pasur në Indi u dhuron miqve të tij në dasmë ora me vlerë 180 mijë euro

    Anant Ambani, djali i njeriut më të pasur të Azisë, u martua me Radhika Merchant në Mumbai të premten.

    Festimet luksoze të çiftit kanë tërhequr vëmendjen mbarëbotërore, me të ftuar të famshëm duke përfshirë: Kim Kardashian, Nick Jonas e John Cena.

    Nusja dhe dhëndri nuk janë të vetmit që morën dhurata për nder të dasmës së tyre: Ambani falënderoi shokët e tij duke i blerë ora ‘Audemars Piguet’, që kushtojnë më shumë se 180 mijë euro.
    Orat me flori rozë 18 karatësh shfaqin javët e çdo viti dhe shumë informacione të tjera. Ato janë gjithashtu rezistent ndaj ujit.

    Dasma e Ambanit me të dashurën e tij prej shumë kohësh, Merchant, kishte të ftuar të profilit të lartë, duke përfshirë politikanë dhe biznesmenë me ndikim si Mark Zuckerberg, Tony Blair dhe Bill Gates.

    Shumica e të pranishmëve zgjodhën veshje tradicionale indiane, duke paraqitur kështu kulturën e përbashkët të çiftit.

    Orët që Ananti ua bleu miqve të tij në dasmë

    Ngjarja, e cila kushtoi më shumë se 500 milionë euro, ka zgjatur pesë muaj, përfshirë një performancë nga Rihanna e një tjetër nga Justin Bieber.

    Kim u kritikua për dukjen me të kuqe pasi kjo ngjyrë në Indi është vetëm për nusen. Ylli i “Keeping Up With the Kardashians” u shoqërua nga motra e saj, Khloe.

  • Kroacia do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve në Maqedoni

    Kroacia do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve në Maqedoni

    Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë do të dërgojë një avion Canader me dy ekuipazhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të ofruar ndihmë në shuarjen e zjarreve.

    “Një aeroplan Canadair CL-415 me dy ekuipazhe po dërgohet në Maqedoninë e Veriut me urdhër të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Ivan Anusic”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.

    Ndërkohë qeveria e Maqedonisë ditë më parë ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të shpërthimit të zjarreve në territorin e vendit.

  • Debati për turizmin, Edi Rama publikon pamje të plazhit të mbushur me pushues: Ky vit është i jashtëzakonshëm

    Debati për turizmin, Edi Rama publikon pamje të plazhit të mbushur me pushues: Ky vit është i jashtëzakonshëm

    Është raportuar për ditë të tëra se plazhet e Shqipërisë kanë mbetur bosh, e kjo si pasojë e çmimeve të larta.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një video e cila dëshmon të kundërtën.

    Video është realizuar në ishullin e Sazanit ku shihen turistë të shumtë të cilët po shijojnë vendin.

    “Mirëmëngjesi, dhe me një tjetër plazh të “sulmuar” nga turistët vendas e të huaj, në ishullin e Sazanit, në një sezon të jashtëzakonshëm prurjesh në Shqipëri, po edhe shpërndarjeje të turistëve në të gjithë hartën e vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

  • Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse hani shumë shalqi?

    Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse hani shumë shalqi?

    Shalqiri është fruti i preferuar i verës dhe nuk janë të rralla rastet kur e teprojmë me të në përpjekje për t’u freskuar gjatë ditëve të nxehta.

    Ky frut i shijshëm është rreth 92 për qind ujë dhe i përket familjes së kungujve, dhe jo vetëm që ka shije të mrekullueshme, por ka edhe përfitime të shumta shëndetësore për të ofruar.

    Megjithatë, me të gjitha përfitimet që sjell, duhet t’i kushtoni vëmendje sasive që konsumoni.

    Nëse e teproni me shalqirin, mund të shkaktojë disa efekte anësore si:

    Mund të shkaktojë diarre dhe probleme të tjera të tretjes

    Shalqiri është një burim i shkëlqyer uji dhe po aq i madh i fibrave dietike. Megjithatë, konsumimi në sasi të mëdha mund të shkaktojë probleme me tretjen si diarre, fryrje, dhe gazra etj.

    Fruti përmban sorbitol që është një përbërës sheqeri, i cili dihet se nxit jashtëqitjen e lirshme dhe problemet e gazit. Një tjetër shkak i zakonshëm i problemeve të tilla është përmbajtja e likopenit, i cili është një antioksidant i pigmentuar që i jep shalqirit ngjyrën e tij të ndritshme.

    Mund të rrisë nivelet e glukozës

    Nëse jeni diabetik, ka shumë gjasa që sasia e madhe e shalqirit mund të rrisë nivelet e sheqerit në gjak. Mund të jetë një frut i shëndetshëm, por ka indeks të lartë glicemik (72). Gjithmonë sigurohuni që të konsultoheni me një mjek përpara se ta konsumoni atë në baza ditore.

    Mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të inflamacionit të mëlçisë

    Njerëzit që pinë alkool rregullisht duhet të shmangin marrjen e sasive të mëdha të shalqirit pasi niveli i lartë i likopenit mund të reagojë me alkoolin, duke shkaktuar më tej inflamacion të mëlçisë. Stresi i tepërt oksidativ në mëlçi mund të jetë i dëmshëm.

    Mund të shkaktojë hidratim të tepruar

    Intoksikimi me ujë ose hidratimi i tepërt është një gjendje kur trupi juaj ka ujë të tepërt në të, gjë që çon në humbjen e përmbajtjes së natriumit. Konsumimi i sasive të mëdha të shalqirit mund të rrisë nivelin e ujit në trupin tonë. Nëse uji i tepërt nuk eliminohet, mund të çojë në një rritje të vëllimit të gjakut, duke shkaktuar më tej ënjtje në këmbë, lodhje, veshka të dobëta, etj. Mund të çojë gjithashtu në humbjen e niveleve të natriumit në trup.

    Mund të shkaktojë probleme kardiovaskulare

    Shalqiri njihet si një burim i shkëlqyer i kaliumit, i cili është një lëndë ushqyese jetike që luan role të shumta në mbajtjen e trupit të shëndetshëm. Ndihmon në ruajtjen e funksionit të elektrolitit, e mban zemrën tonë të shëndetshme dhe i bën kockat dhe muskujt tanë më të fortë. Megjithatë, një sasi e madhe e kaliumit mund të çojë në probleme kardiovaskulare si rrahje të parregullta të zemrës, rrahje të dobët të pulsit, etj./Telegrafi/

  • Zbulohet një shpellë në Hënë

    Zbulohet një shpellë në Hënë

    Shkencëtarët kanë konfirmuar zbulimin e një shpelle në Hënë, jo larg vendit ku Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin u ulën 55 vjet më parë. Shkencëtarët mendojnë se në Hënë ka qindra shpella të tjera ku mund të strehohen astronautët në të ardhmen.

    Një ekip i udhëhequr nga shkencëtarë italianë njoftoi të hënën se ka prova për një shpellë të përmasave të mëdha, hyrja e së cilës është në atë që njihet si gropa më e thellë në Hënë dhe shtrihet në “Detin e Qetësisë” “Sea of Tranquility”, rreth 400 kilometra nga vendi ku u ul misioni ‘Apollo 11’.

    Ultësira, me rreth 200 të tjera të ngjashme të zbuluara atje, është krijuar nga shembja e tubacioneve të llavës, sipas shkencëtarëve.

    Hulumtuesit analizuan matjet e radarëve nga sonda “Lunar Reconnaissance Orbiter” që vëzhgon Hënën dhe i krahasuan rezultatet me damarët e llavës në tokë. Studimi i tyre është publikuar në revistën “Nature Astronomy”.

    Të dhënat e radarit tregojnë vetëm pjesën fillestare të zgavrës hënore, sipas shkencëtarëve. Ata vlerësojnë se shpella është të paktën 40 metra e gjerë dhe disa dhjetëra metra e gjatë, e ndoshta më shumë.

    “Shpellat hënore kanë qenë mister për më shumë se 50 vjet. Kështu që ishte emocionuese prova e ekzistencës së një shpelle”, thanë përmes një emali Leonardo Carrer dhe Lorenzo Bruzzone nga Universiteti i Trentos.

    Shumica e gropave duket se ndodhen në fushat e lashta të llavës së Hënës, sipas shkencëtarëve. Astronautët nga NASA kanë në plan që në fund të kësaj dekade të zbresin në polin jugor të Hënës, ku mund të ketë gropa të ngjashme. Besohet se ka akuj në krateret hënore që nuk ndriçohen kurrë nga dielli, që mund të shfrytëzohen për ujë të pijshëm dhe lëndë djegëse për raketat.

    Gjatë programit Apollo të NASA-s, 12 astronautë u ulën në Hënë, duke filluar me Armstrong-un dhe Aldrin-in më 20 korrik të vitit 1969.

    Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë qindra gropa në Hënë dhe mijëra tubacione llave. Ato mund të shërbejnë si një strehë natyrore për astronautët, për t’i mbrojtur ata nga rrezet kozmike dhe rrezatimi diellor, si dhe nga goditjet e mikrometeorike, copëza të vogla sa një kokërr rëre.

    Ndërtimi i vendbanimeve nga e para do të kërkonte më shumë kohë dhe përbën sfidë, madje edhe kur merret parasysh nevoja e mundshme për të përforcuar muret e shpellës për të parandaluar shembjen, tha ekipi.

    Shkëmbinjtë dhe materialet e tjera brenda këtyre shpellave, të pandryshuara nga kushtet e vështira të sipërfaqes hënore gjatë përjetësisë, gjithashtu mund t’i ndihmojnë shkencëtarët që të kuptojnë evolucionin atje, kryesisht kur bëhet fjalë për aktivitetin vullkanik./VOA

  • BE-ja ende pa vendim për heqjen e masave ndaj Kosovës

    BE-ja ende pa vendim për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

    Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.

    E tashmë kur janë bërë pothuajse një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave.

    “Raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 Qershorit 2023 (Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor.

    Këshilli e kishte ftuar Përfaqësuesin e Lartë që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik.

    Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, ka deklaruar Stano.

    Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

  • Kina mohon se po ndërton bazë ushtarake në Taxhikistan

    Kina mohon se po ndërton bazë ushtarake në Taxhikistan

    Ambasada e Kinës në Dushanbe mohoi raportet e mediave se Pekini po ndërton bazë ushtarake në Taxhikistan.

    Sipas saj, raportet e tilla janë “të pabaza”.

    Ambasada i bëri komentet në përgjigje të një artikulli në gazetën The Daily Telegraph, që tregonte fotografi satelitore të ndërtesave, duke i përshkruar ato si strehë për helikopterët në rajonin Shajmak të Taxhikistanit, afër kufirit me Afganistanin.

    Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Taxhikistanit tha përmes një deklarate se Dushanbeja dhe Pekini “po bashkëpunojnë në mënyrë aktive për çështjet e rezistencës ndaj sfidave dhe kërcënimeve”.

    Deklarata theksoi, po ashtu, se dy vendet po bashkëpunojnë për kontrollin e krimit të organizuar ndërkufitar, trafikut të drogës dhe krimit kibernetik, por mohoi ekzistencën e bazës.

    Në vitin 2019, gazeta Washington Post shkroi se Republika Popullore e Kinës ka një bazë kufitare në Taxhikistan, prej disa vitesh, por asnjëri prej vendeve nuk e pranoi kurrë ekzistencën e saj.

  • ‘Golden Eagle’ niset për Ukrainë

    ‘Golden Eagle’ niset për Ukrainë

    Gjatë ditës së sotme kompania Frutex njoftoi që brendi Golden Eagle fillon eksportin në Ukrain dhe shumë shpejt do të zërë vend në tregun Ukrainas.

    Tashmë zgjerimi i tregut dhe rritja e eksportit janë synimet kryesore të kompanisë Frutex e cila në total është prezente në mbi 30 vende të botës, ku po vazhdon me mjaft sukses prezencën e fuqishme ndërkombëtare.

    Kompania Frutex për shumë vite me radhë është eksportuesi më i madh në kategorinë e pijeve.