ATV

Blog

  • Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun mbetet e paplotë deri në kapjen e të gjithë të dyshuarve

    Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun mbetet e paplotë deri në kapjen e të gjithë të dyshuarve

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij në sulmin terrorist në Banjskë.

    Përmes një postimi, Sveçla ka deklaruar se Kosova, para tre vitesh, u përball me, siç e cilëson ai, “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”, për të cilin thotë se ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.

    “Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar ai.

    Sveçla ka vlerësuar edhe veprimet e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke thënë se institucionet e Kosovës mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.

    Ndërkohë, sipas tij, drejtësia për vrasjen e Afrim Bunjakut nuk është përmbyllur ende.

    “Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.

    Ministri ka theksuar se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë për sakrificën e tij.

    “Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë të Jugut

    Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë të Jugut

    Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e 23 shtatorit në Mitrovicë të Jugut.

    Sipas raportit policor, viktima ishte mashkull, shtetas kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

  • Nën vëzhgim nga viti 2021, tre persona prangosen për fajde në Prishtinë

    Nën vëzhgim nga viti 2021, tre persona prangosen për fajde në Prishtinë

    Tre persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Kanosje”.

    Sipas të dhënave të Policisë, arrestimi i të dyshuarve është bërë pas hetimeve disavjetore, konkretisht nga viti 2021.

    Gjatë aksionit janë kontrolluar dy lokacione, ku në cilësi të provave janë sekuestruar tre telefona celularë, si dhe prova të tjera materiale që mund të jenë të nevojshme për procedurën penale.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti mbetet nën hetim.

  • Sulme me raketa ruse në Kiev, dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur

    Sulme me raketa ruse në Kiev, dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur

    Të paktën dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në orët e para të mëngjesit, pas një serie sulmesh me raketa ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev.

    Gazetarët e AFP-së raportuan se dëgjuan rreth 20 shpërthime të fuqishme, ndërsa Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për lëshimin e raketave balistike ruse drejt rajoneve të Kievit dhe Çernigovit.

    “Kryeqyteti është nën sulm me raketa balistike. Qëndroni në strehimore!”, shkroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.

    Sipas të dhënave të publikuara prej tij pak pas orës 03:00, dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën, katër prej tyre në gjendje të rëndë.

    Rreth një orë më herët, Klitschko kishte bërë të ditur se në një zonë të Dnipros mund të kishte persona të bllokuar nën rrënoja.

    Sulme ruse u raportuan gjithashtu në Odesa, në jug të Ukrainës, qytet që ka një port strategjik në Detin e Zi.

    Sulmet ajrore ruse në Ukrainë kishin shkaktuar të paktën shtatë viktima një ditë më parë, përfshirë dy persona në Kiev.

    Kryeqyteti ukrainas, me rreth tre milionë banorë, vijon të jetë objektiv i sulmeve ajrore ruse, veçanërisht me dronë. Sulmet janë intensifikuar gjatë 24 orëve të fundit, në një periudhë kur luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar.

    Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Moska nuk kishte ndërmend të “ndërpriste” luftën kundër Ukrainës.

  • Në Banjskë do vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku

    Në Banjskë do vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku

    Ministria e Punëve të Brendshme do të zhvillojë sot një sërë aktivitetesh për të shënuar trevjetorin e rënies në krye të detyrës të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Aktivitetet përkujtimore do të nisin në orën 10:00 me një vizitë te familja e Heroit Afrim Bunjaku, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

    Në orën 10:40 do të zhvillohen homazhe te varri i tij, po ashtu në fshatin Samadrexhë.

    Më pas, në orën 12:00, në fshatin Banjskë të Zveçanit do të bëhet vendosja e gurthemelit të obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Aktivitetet përkujtimore do të përmbyllen në mbrëmje, me Akademinë Përkujtimore që do të mbahet në orën 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

  • Dërgesat e mërgatës në Kosovë arrijnë në 692 milionë euro për gjashtë muaj

    Dërgesat e mërgatës në Kosovë arrijnë në 692 milionë euro për gjashtë muaj

    Remitancat në Kosovë janë rritur me 5.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ndërsa gjatë periudhës 2008–2025 mërgata ka dërguar mbi 15.2 miliardë euro në vend. Gjermania dhe Zvicra përbëjnë së bashku më shumë se gjysmën e remitancave.

    Dërgesat e diasporës vazhdojnë të përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme të të hyrave për ekonominë e Kosovës, me remitancat që edhe gjatë vitit 2026 kanë shënuar rritje të mëtejshme.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), gjatë periudhës janar–qershor 2026, remitancat e pranuara në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro.

    Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur vlera e dërgesave ishte më e ulët, kjo paraqet një rritje prej 5.7 për qind.

    Të dhënat tregojnë se remitancat vazhdojnë të kenë peshë të konsiderueshme në ekonominë e vendit, jo vetëm përmes mbështetjes direkte të familjeve, por edhe përmes ndikimit në konsum, kursime dhe aktivitetin ekonomik.

    Mbi 15 miliardë euro nga diaspora për 18 vjet

    Pesha e diasporës në ekonominë e Kosovës bëhet edhe më e dukshme kur shikohet periudha afatgjatë.

    Sipas të dhënave të BQK-së dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës 2008–2025, remitancat e pranuara në Kosovë kanë arritur në rreth 15.2 miliardë euro.

    Në vitin 2008, remitancat ishin në nivelin e 608.7 milionë eurove, ndërsa deri në vitin 2025 kjo shifër është rritur në 1.4137 miliardë euro.

    Kjo nënkupton se në vitin 2025 vlera e remitancave ishte më shumë se dyfishi i nivelit të regjistruar në vitin 2008.

    Gjatë kësaj periudhe, remitancat kanë shënuar rritje në shumicën e viteve. Në vitin 2010 ato ishin 583.4 milionë euro, në vitin 2015 arritën në 665.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 kaluan për herë të parë mbi 800 milionë euro, duke arritur në 800.6 milionë euro.

    Në vitin 2019, dërgesat u rritën në 851.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 arritën në 980 milionë euro.

    Rritje e mëtejshme u regjistrua në vitet pasuese. Në vitin 2021 remitancat arritën në 1.1534 miliardë euro, në vitin 2022 në 1.2228 miliardë euro, ndërsa në vitin 2023 në 1.3358 miliardë euro.

    Në vitin 2024, diaspora dërgoi 1.355 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 vlera u rrit në 1.4137 miliardë euro.

    Remitancat përbëjnë mbi 12 për qind të BPV-së

    Përveç rritjes në vlerë absolute, të dhënat tregojnë edhe peshën e konsiderueshme që remitancat kanë në Produktin e Brendshëm Vendor (BPV) të Kosovës.

    Në vitin 2008, dërgesat e migrantëve përbënin 17.2 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2009 kjo pjesëmarrje ishte 16.2 për qind.

    Pesha e remitancave ndaj BPV-së ra gradualisht në vitet pasuese, por vazhdoi të mbetet në nivele të larta. Në vitin 2015 ato përbënin 11.7 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2018 kjo pjesëmarrje u rrit në 12 për qind.

    Në vitin 2019 remitancat përbënin 12.1 për qind të BPV-së, ndërsa në vitin 2020 dhe 2021 arritën në nga 14.5 për qind.

    Në vitin 2022 pjesëmarrja ishte 13.7 për qind, në vitin 2023 ishte 13.8 për qind, ndërsa në vitin 2024 ra në 13.1 për qind.

    Në vitin 2025, remitancat përbënin 12.8 për qind të BPV-së, i cili sipas të dhënave të paraqitura nga OEK ishte rreth 11.026 miliardë euro.

    Gjermania burimi kryesor i remitancave

    Një pjesë e madhe e dërgesave vjen nga vendet evropiane, ku jeton një numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova.

    Sipas të dhënave të BQK-së për periudhën 2008–2025, Gjermania është burimi më i madh i remitancave, me 5.808 miliardë euro, ose 38.2 për qind të totalit.

    Në vendin e dytë është Zvicra, prej nga gjatë kësaj periudhe janë dërguar rreth 3.105 miliardë euro, që përbëjnë 20.4 për qind të totalit.

    Në vendin e tretë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth 979 milionë euro, ose 6.4 për qind.

    Pas tyre janë Italia me 839 milionë euro, ose 5.5 për qind; Austria me 709 milionë euro, ose 4.7 për qind; Franca me 566 milionë euro, ose 3.7 për qind; Suedia me 446 milionë euro, ose 2.9 për qind; Belgjika me 428 milionë euro, ose 2.8 për qind; Mbretëria e Bashkuar me 341 milionë euro, ose 2.2 për qind; Norvegjia me 321 milionë euro, ose 2.1 për qind; Kanadaja me 225 milionë euro, ose 1.5 për qind; Sllovenia me 213 milionë euro, ose 1.4 për qind dhe Danimarka me 72 milionë euro, ose 0.5 për qind.

    Finlanda përbën 0.9 për qind me 133 milionë euro, ndërsa Holanda 0.7 për qind me 106 milionë euro. Nga vendet tjera janë regjistruar rreth 921 milionë euro, ose 6.1 për qind të totalit.

    Vetëm Gjermania dhe Zvicra, të marra së bashku, përbëjnë 58.6 për qind të remitancave të regjistruara gjatë periudhës 2008–2025.

    Pjesa më e madhe e parave dërgohet përmes agjencive

    Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu se mënyra kryesore përmes së cilës diaspora dërgon para në Kosovë janë agjencitë për transferimin e mjeteve.

    Sipas të dhënave të paraqitura nga OEK, rreth 58 për qind e remitancave dërgohen përmes agjencive për transferimin e mjeteve.

    Përmes bankave komerciale dërgohen rreth 17 për qind, ndërsa rreth 25 për qind realizohen përmes formave të tjera alternative të transferimit të parave.

    Kjo tregon se, përveç sistemit bankar, një pjesë e konsiderueshme e diasporës vazhdon të përdorë kanale të tjera për dërgimin e mjeteve te familjarët në Kosovë.

    Dërgesat e migrantëve kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjeve që i pranojnë ato, por ndikimi i tyre shtrihet edhe më gjerë në ekonominë e Kosovës.

    Sipas analizës së OEK-së, remitancat kontribuojnë në rritjen e konsumit, kursimeve dhe investimeve, ndërsa njëkohësisht ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

    Për shumë familje, këto mjete përdoren për shpenzimet e përditshme, arsimin, shëndetësinë, banimin dhe nevoja të tjera familjare. Një pjesë e tyre gjithashtu orientohen në investime dhe në krijimin apo zhvillimin e aktiviteteve ekonomike.

    Rritja e vazhdueshme e remitancave gjatë viteve tregon edhe për lidhjen e fortë ekonomike që vazhdon të ekzistojë ndërmjet diasporës dhe Kosovës. Nga 608.7 milionë euro në vitin 2008, remitancat arritën në 1.4137 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë pranuar 692 milionë euro. /Monitor

  • Tri vjet nga rënia e rreshterit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit

    Tri vjet nga rënia e rreshterit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit

    Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, në Banjskë të Zveçanit, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa polici Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër zyrtar policor u lëndua.

    Sulmi terrorist ndodhi pasi në hyrje të fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke bllokuar hyrjen përmes urës. Patrulla policore që kishte vërejtur barrikadën njoftoi kolegët në bazë, ndërsa në mesin e zyrtarëve që iu bashkuan policëve në vendngjarje ishte edhe rreshteri Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës.

    Pas sulmit, në atë kohë kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë, ndërsa po atë ditë u mbyllën përkohësisht pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.

    Policia e Kosovës njoftoi se gjatë operacionit u vranë tre nga sulmuesit nga Serbia, pasi zyrtarët policorë iu kundërpërgjigjën sulmeve. Sipas Policisë, grupi kishte shfrytëzuar hapësirat përreth Manastirit të Banjskës për t’u strehuar dhe për të shtënë ndaj zyrtarëve policorë.

    Tre serbë nga grupi terrorist u arrestuan, ndërsa në veri u sekuestrua një arsenal i madh armësh, uniformash dhe pajisjesh logjistike. Në ditët në vijim, Policia zhvilloi bastisje në disa lokacione dhe sekuestroi edhe pajisje të tjera ushtarake.

    Pas ngjarjes, kryeministri Kurti e cilësoi grupin si një formacion terrorist dhe kriminal, duke pretenduar se sulmi ishte planifikuar dhe përgatitur për një periudhë të gjatë dhe se kishte mbështetje nga Beogradi.

    Sulmi në Banjskë u dënua nga institucionet e Kosovës dhe përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, KFOR-in, EULEX-in, OSBE-në dhe UNMIK-un, të cilët kërkuan që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

    Tre të akuzuarit për rastin “Banjska” u shpallën fajtorë.

    Bllagoje Spasojeviq dënua me burgim të përjetshëm. Edhe Vlladimir Toliq u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.

    25 shtatori 2023 u shpall ditë zie shtetërore në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku. Presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, ia ndau atij urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”, ndërsa Bunjaku u varros me nderime të larta.

    Ndërkaq sot, Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar aktivitete në nder të rreshterit Bunjaku.

  • Kurti kujton Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

    Kurti kujton Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

    Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar sot rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Përmes një postimi me rastin e përvjetorit të ngjarjes, Kurti ka thënë se Bunjaku ra në krye të detyrës, duke e cilësuar atë si “hero të Kosovës”.

    “Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri e ka cilësuar grupin e armatosur që kreu sulmin në Banjskë si të organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi, ndërsa ka përmendur Milan Radoiçiqin si personin që, sipas tij, i printe këtij grupi.

    Kurti ka deklaruar se qëllimi i sulmit ishte konflikti i armatosur dhe gjakderdhja në territorin e Kosovës, si dhe aneksimi i veriut të vendit.

    “Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe institucioneve të tjera shtetërore për përballimin e sulmit.

    Në lidhje me përgjegjësit e sulmit, Kurti ka thënë se tre persona janë vrarë gjatë aksionit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që nga ajo ditë. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave të tjerë të përfshirë.

    “Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”.

    Ai shtoi se në Banjskë, rruga në vendin ku ndodhi sulmi mban sot emrin e Afrim Bunjakut.

    “Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.

  • Ambasada britanike thirrje Serbisë: Autorët e Banjskës të mbahen përgjegjës

    Ambasada britanike thirrje Serbisë: Autorët e Banjskës të mbahen përgjegjës

    Ambasada britanike në Kosovë ka përkujtuar sot, në trevjetorin e sulmit në Banjskë, rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023.

    Përmes një reagimi, Ambasada ka nderuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës në përballimin e sulmit dhe rivendosjen e sigurisë.

    “Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij”, thuhet në reagim.

    Ambasada britanike ka vlerësuar gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për ndjekjen e drejtësisë, duke theksuar se përgjegjësia mbetet thelbësore.

    Sipas Ambasadës, personat përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë.

    “Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagim.

  • Foda: Synojmë fitoren ndaj Irlandës, Muriqi kapiten dhe Osmani e Kaçuri me leje nga FIFA

    Foda: Synojmë fitoren ndaj Irlandës, Muriqi kapiten dhe Osmani e Kaçuri me leje nga FIFA

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar se objektivi i “Dardanëve” në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Irlandës është fitorja.

    Kosova do të përballet me Irlandën të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa Foda ka bërë të ditur se dy lojtarë, Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj, nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve.

    “Mund të ketë ndonjë ndryshim eventual pasi Muslija mungon shkaku i lëndimit, njësoj si Rexhbeçaj. Kemi 27 lojtarë të ftuar dhe në dispozicion. Në futboll ndodh të ketë lëndime dhe mungesa. Këto mungesa mund të jenë një mundësi për lojtarët e rinj që duhet ta tregojnë veten dhe t’i dëshmojnë aftësitë e tyre.”

    Foda ka vlerësuar edhe talentin e Bayern Munichut, Erblin Osmani, i cili është grumbulluar për herë të parë me përfaqësuesen A të Kosovës.

    “Erblin Osmani ka treguar veten shumë mirë në ushtrime dhe ka dëshmuar pse e kemi ftuar në Kombëtare. Ka treguar aftësi të jashtëzakonshme teknike. Për moshën që e ka është shumë i fuqishëm fizikisht. Në seancat stërvitore e ka treguar veten shumë mirë.”

    Foda ka konfirmuar gjithashtu se Osmani dhe Dion Kaçuri kanë marrë aprovimin e FIFA-s për të përfaqësuar Kosovën. Ndërkohë, mbetet e hapur mundësia që njëri prej lojtarëve të rinj të debutojë ndaj Irlandës.

    “Do të shihet nesër”, u përgjigj Foda kur u pyet nëse Osmani, Kaçuri apo Milot Avdyli do të marrin minuta.

    Përzgjedhësi gjerman foli edhe për Fisnik Asllanin, për të cilin tha se është në formë të mirë dhe se pret ta shohë në fushë.

    “Fisnik Asllani është në top-formë dhe njëkohësisht e ka treguar veten shumë mirë në ushtrime. E dimë që në ekipin e tij ka pasur pak minuta në dispozicion. Por besoj që Fisnik Asllani do të dalë në fushë.”

    Në prag të ndeshjes është konfirmuar edhe kapiteni i ri i Kosovës. Vedat Muriqi do ta mbajë shiritin, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.

    Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda.”

    Sa i përket sfidës me Irlandën, Foda ka thënë se Kosova e njeh mirë kundërshtarin, por avantazh e konsideron faktin që ndeshja zhvillohet në shtëpi.

    “Sigurisht se i njohim kualitetet dhe cilësitë e Irlandës. E dimë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit. Ne i kemi analizuar me shumë vëmendje të gjitha ndeshjet. Avantazhi është se luajmë në shtëpi.”

    Foda ka theksuar se Kosova dëshiron t’i fitojë ndeshjet, edhe pse pranon se gjatë lojës mund të ketë skenarë të ndryshëm.

    “Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por nesër do të shihet se si do të shkojë loja. Ndoshta mund të pajtohemi edhe me barazim. Por qëllimi është të fitojmë.”

    Kosova bën pjesë në Grupin 3 të Ligës B së bashku me Irlandën, Austrinë dhe Izraelin. Pas ndeshjes me irlandezët, “Dardanët” do të përballen me Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.

    Foda ka bërë të qartë se objektivi i parë është mbetja në Ligën B, ndërsa më pas synohet ngritja nëse rezultatet dhe paraqitjet e lejojnë.

    “Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup Austria është favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, përfundoi Foda