ATV

Blog

  • Heroizëm në uniformë, tre policë të Podujevës nderohen me medalje për shpëtimin e jetës

    Heroizëm në uniformë, tre policë të Podujevës nderohen me medalje për shpëtimin e jetës

    Tre zyrtarë policorë të Stacionit të Policisë në Podujevë janë nderuar me medalje për shpëtimin e jetëve, pas veprimeve të tyre të guximshme në dy raste të rënda.

    Në mesin e tyre është edhe polici Skender Fetahu, i cili më 2 korrik kishte intervenuar në një incident të rëndë në Podujevë, ku mbetën të plagosur tre persona.

    Në një situatë të rrezikshme, Fetahu kishte vepruar me guxim dhe vetëmohim, duke arritur ta çarmatoste njërin nga të dyshuarit dhe të parandalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.

    Në anën tjetër, dy zyrtarët e tjerë policorë, Nazimi dhe Shqiproni, me intervenimin e tyre kishin arritur të parandalonin një tragjedi edhe më të madhe, duke ia shpëtuar jetën një vajze.

    Për veprimin e tre policëve ka shprehur krenari edhe togerja Antigona Çitaku-Dibrani, e cila ka vlerësuar guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të qytetarëve.

    “Sot, tre heronj të Stacionit tonë u nderuan me medalje për shpëtim jete. Krenare për ju dhe për guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin që dëshmoni çdo ditë në shërbim të qytetarëve. Urime dhe respekt të pafund për ju!”, ka shkruar ajo.

  • 22-vjeçari kryen veprime të rrezikshme me motoçikletë në Shtime, policia e gjobit me 500 euro

    22-vjeçari kryen veprime të rrezikshme me motoçikletë në Shtime, policia e gjobit me 500 euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 23 shtator, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Shtime kanë identifikuar dhe ndëshkuar një shofer për kundërvajtje në trafik.

    Sipas Policisë, 22-vjeçari me inicialet A.H., duke drejtuar një motoçikletë të markës Yamaha, ka kryer veprime të rrezikshme në rrugën “Komandant Kumanova” në Shtime.

    Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, tri pikë negative dhe masa mbrojtëse – ndalimi i drejtimit të mjetit për tre muaj, pasi nuk posedonte kategorinë përkatëse për drejtimin e motoçikletës.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe zbatimit të ligjit.

  • “Dardanët” mobilizojnë tifozët: Sonte “Fadil Vokrri” duhet të jetë një festë e vërtetë

    “Dardanët” mobilizojnë tifozët: Sonte “Fadil Vokrri” duhet të jetë një festë e vërtetë

    Atmosfera para ndeshjes Kosovë–Irlandë po merr gjithnjë e më shumë emocione. Tifogrupi zyrtar i Kosovës, “Dardanët”, u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve që sonte të jenë të pranishëm dhe ta mbështesin përfaqësuesen gjatë 90 minutave në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, tifogrupi ka kërkuar mobilizim maksimal për sfidën e Ligës së Kombeve, duke vënë theksin edhe te rëndësia që ka rezultati dhe pozita e Kosovës në grup.

    Sipas “Dardanëve”, një klasifikim sa më i mirë do t’i mundësonte Kosovës të sigurojë vendin në vazon e dytë për kualifikimet e rregullta, të cilat nisin në mars të vitit 2027.

    “Dita e ndeshjes. Klasifikimi i mirë në grup na garanton vazon e dytë për kualifikimet e rregullta që nisin në mars 2027”, thuhet në mesazhin e tifogrupit.

    Përveç rëndësisë sportive të sfidës, “Dardanët” kanë paralajmëruar edhe një atmosferë të veçantë në kryeqytet. Ata kanë bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat që stadiumi “Fadil Vokrri” të jetë sonte në nivelin më të lartë dhe që përfaqësuesja ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve.

    “Si ‘Dardanë’ kemi marrë të gjitha masat që sonte të jetë festë e vërtetë në ‘Fadil Vokrri’”, kanë shkruar ata.

    Kosova dhe Irlanda do të përballen sonte nga ora 20:45, në ndeshjen që shënon startin e “Dardanëve” në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Me tribunat që pritet të jenë të mbushura dhe me tifozët të gatshëm për të krijuar atmosferë, mesazhi i “Dardanëve” është i qartë: përkrahja nuk duhet të mungojë nga minuta e parë deri në fund.

    Dhe në fund, thirrja që pritet të jehojë fuqishëm në “Fadil Vokrri” mbetet ajo tradicionale: Hajde Kosovë!

  • Ademi pret në darkë presidentin e Federatës së Irlandës, Cooke: Miqësi dhe respekt para sfidës

    Ademi pret në darkë presidentin e Federatës së Irlandës, Cooke: Miqësi dhe respekt para sfidës

    Një ditë para përballjes mes Kosovës dhe Republikës së Irlandës në Ligën e Kombeve, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në një darkë zyrtare homologun e tij irlandez, Paul Cooke.

    Në këtë takim ishte i pranishëm edhe delegati i UEFA-s për ndeshjen, Andrey Medintstev, ndërsa në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi mes dy federatave dhe zhvillimi i futbollit.

    Ademi ka bërë të ditur se gjatë darkës i ka uruar mirëseardhje presidentit Cooke dhe delegacionit irlandez, duke theksuar rëndësinë e mikpritjes dhe respektit të ndërsjellë, vlera që, sipas tij, futbolli duhet t’i përcjellë edhe jashtë fushës.

    “Një ditë para ndeshjes Kosovë–Irlandë në kuadër të Ligës së Kombeve, pata kënaqësinë të shtroj darkën tradicionale për delegacionin e Federatës së Futbollit të Irlandës, të kryesuar nga presidenti Paul Cooke, si dhe për delegatin e ndeshjes nga UEFA, Andrey Medintstev”, ka shkruar Ademi.

    Sipas presidentit të FFK-së, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet federatave anëtare të UEFA-s.

    Në bisedë, presidenti irlandez Paul Cooke e ka përgëzuar Ademin për progresin dhe rezultatet e arritura nga futbolli kosovar në vitet e fundit, veçanërisht pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

    Takimi është mbyllur me shkëmbimin e dhuratave simbolike mes dy federatave, në shenjë respekti dhe miqësie.

    Në fund, Ademi ka uruar që përballja e Kosovës me Irlandën të zhvillohet në një atmosferë sportive, me respekt dhe korrektësi, duke shpresuar që ndeshja në “Fadil Vokrri” të jetë një spektakël i vërtetë për tifozët.

    Kosova dhe Irlanda përballen sonte në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

  • Kosova përballë Irlandës, nis misioni i ri në Ligën e Kombeve

    Kosova përballë Irlandës, nis misioni i ri në Ligën e Kombeve

    Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë për të nisur një tjetër kapitull në Ligën e Kombeve. “Dardanët” do ta zhvillojnë ndeshjen e parë në Ligën B përballë Republikës së Irlandës, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.

    Prishtina pritet të jetë e mbushur për këtë sfidë, ndërsa Kosova kërkon ta nisë ciklin e ri me rezultat pozitiv dhe tri pikë. Përballë do të jetë një përfaqësuese irlandeze që vjen me ambicie të qarta dhe me një seri pozitive në këtë garë. Irlanda ka triumfuar në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve dhe sonte synon ta regjistrojë fitoren e tretë radhazi.

    Kjo sfidë do të jetë njëkohësisht përballja e parë zyrtare mes Kosovës dhe Irlandës, duke i dhënë edhe më shumë rëndësi këtij dueli.

    Në anën tjetër, “Dardanët” llogarisin shumë në avantazhin e shtëpisë. Kosova ka humbur vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit zyrtare në shtëpi ndaj përfaqësueseve evropiane, ndërsa në shtatë takimet e fundit zyrtare të zhvilluara në Prishtinë ka pranuar vetëm tri gola.

    Megjithatë, trajneri Franco Foda do të duhet të bëjë llogaritë edhe me disa mungesa. Amir Rrahmani dhe Florent Hadërgjonaj nuk janë më pjesë e përfaqësueses, ndërsa Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj mungojnë për shkak të lëndimeve. Këto hapësira u kanë dhënë mundësinë disa lojtarëve të rinj për të marrë pjesë në këtë cikël, mes tyre Erblin Osmani, Dion Kaçuri dhe Milot Avdyli.

    Një prej pikave kryesore të Kosovës pritet të jetë sërish Vedat Muriqi. Sulmuesi “dardan” mbetet një nga emrat më të rrezikshëm në këtë kompeticion dhe me 13 gola është ndër golashënuesit më të mirë në historinë e Ligës së Kombeve.

    Edhe Irlanda ka problemet e veta. Përzgjedhësi Heimir Hallgrimsson nuk do të ketë në dispozicion katër lojtarë, ndërsa mungesat e Seamus Coleman dhe Nathan Collins janë ndër më të rëndësishmet.

    Me stadiumin “Fadil Vokrri” që pritet të jetë i mbushur, Kosova është gati për një tjetër sfidë ndërkombëtare. Përballë është Irlanda, ndërsa çdo pikë mund të ketë rëndësi në një grup ku bën pjesë edhe Austria.

    Tashmë gjithçka është gati. Në orën 20:45, topi kalon në fushë dhe “Dardanët” nisin misionin e tyre të ri në Ligën e Kombeve.

  • Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjakun në Banjskë

    Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjakun në Banjskë

    Në Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut kushtuar heroit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.

    Para vendosjes së gurthemelit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

    Ata kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.

  • Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Hoxhaj: Sulmi terrorist në Banjskë dëshmoi se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për pushtimin e Kosovës

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Hoxhaj ka thënë se më 24 shtator 2023, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, ndërsa rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të atdheut.

    “Më 24 shtator 2023, tri vjet më parë, Serbia, përmes grupeve të armatosura, tentoi aneksimin e veriut të Kosovës. Atë ditë ra heroikisht rreshteri Afrim Bunjaku. Aty u mbrojt atdheu ynë, një dhe i pandashëm”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

    Ai ka theksuar se sulmi në Banjskë dëshmoi gatishmërinë e Policisë së Kosovës për ta mbrojtur vendin, por edhe synimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit të Kosovës.

    “Banjska dëshmoi se Policia e Kosovës është e gatshme të japë jetën në mbrojtje të vendit dhe se Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga planet për pushtimin e territorit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.

    “Lavdi e përjetshme heroit Afrim Bunjaku!”, ka përfunduar ai.

  • “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    “Nafta, energjia elektrike, gruri”, Ymeri: Kosova po paguan produkte në treg pa asnjë kontroll

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë mekanizmat e kontrollit të çmimeve dhe furnizimit me produkte bazë e terapi shëndetësore.

    Ymeri ka deklaruar se, përveç Doganës, përmes së cilës mblidhen të ardhurat nga importi, në Kosovë mungojnë mekanizmat e mjaftueshëm të kontrollit të çmimeve për produkte si nafta, energjia elektrike dhe gruri.

    “Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet”, ka thënë Ymeri, duke kritikuar institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.

    Ajo ka kundërshtuar edhe arsyetimet për funksionimin e tregut të lirë, duke pretenduar se Autoriteti i Konkurrencës nuk është funksional në nivelin e nevojshëm.

    “Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës”, është shprehur deputetja e LDK-së.

    Sipas saj, problemet nuk kufizohen vetëm te çmimet e produkteve bazë, por shtrihen edhe te furnizimi me terapi shëndetësore.

    “Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme”, ka deklaruar Ymeri.

    Në fund, deputetja ka ngritur pyetjen se çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria e Kosovës, duke e lidhur kritikën e saj me gjendjen ekonomike të qytetarëve.

    “Çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV? Varfërinë pra”, ka thënë Ymeri, duke pretenduar se institucionet janë fokusuar kryesisht në mbledhjen e të hyrave përmes Doganës dhe kontrolleve tatimore.

    Postimi i plotë:

    Kosova, përveç Doganës nga ku sigurohen të ardhurat e qeverisë për xhipa dhe naftë, praktikisht nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli për çmimet e produkteve si:

    1) ​Nafta

    2) ​Energjia elektrike

    3) ​Gruri

    Paguajmë aq sa shkruhet në import nga kushdo që shkruhet.

    Mos u arsyetoni në dokrrat e Tregut të Lirë kur si parti nuk keni funksional as Autoritetin e Konkurrencës.

    Ne po paguajmë produkte në treg pa asnjë kontrollë.

    ​Për terapitë shëndetësore as që bëhet fjalë: nuk ka as sasi të mjaftueshme.

    Këtu shtrohet pyetja: çfarë po qeveris në të vërtetë Qeveria VV?

    VARFËRINË pra, duke mbajtur hapur vetëm derën e Doganës me parimin: “paguaj këtë, këtë dhe këtë para se ta shesësh mallin”, e pastaj edhe një kontroll tatimor nga ATK-ja.

  • Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Keni migrenë? Konsumimi i këtij lëngu mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes

    Migrena nuk është thjesht një dhimbje e fortë koke.

    Bëhet fjalë për një çrregullim neurologjik që mund të shoqërohet me të përziera, të vjella, si dhe ndjeshmëri të theksuar ndaj dritës dhe zhurmës.

    Përveç trajtimit mjekësor, disa zakone të përditshme mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe parandalimin e simptomave, ndër to edhe konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve.

    Një nga mënyrat që mund të ndihmojë është konsumimi i ujit me një sasi të vogël kripe.

    Ky kombinim i siguron organizmit njëkohësisht lëngje dhe natrium, një elektrolit i rëndësishëm që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup dhe funksionimin normal të sistemit nervor.

    Humbja e elektroliteve mund të ndodhë kur organizmi humbet një sasi të madhe lëngjesh, për shembull për shkak të djersitjes së tepërt, të vjellave ose konsumimit të pamjaftueshëm të ujit.

    Në këto raste mund të shfaqen dhimbje koke, dobësi, marramendje dhe të përziera, të cilat mund ta përkeqësojnë gjendjen gjatë një episodi të migrenës.

    Nëse dhimbja e kokës shkaktohet ose përkeqësohet nga dehidratimi, marrja e lëngjeve dhe elektroliteve mund ta ndihmojë trupin të rikthejë ekuilibrin dhe të lehtësojë disa nga shqetësimet.

    Megjithatë, uji me kripë nuk është kurë për migrenën dhe nuk duhet të përdoret si zëvendësim i trajtimit të duhur, veçanërisht te personat që kanë episode të shpeshta ose shumë të forta.

    Me sasinë e kripës duhet treguar kujdes.

    Kjo vlen veçanërisht për personat që kanë tension të lartë të gjakut, sëmundje të veshkave ose gjendje të tjera shëndetësore në të cilat rekomandohet kufizimi i konsumit të natriumit. /Telegrafi/

  • Kallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë

    Kallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të mos e vonojë më trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim dhe t’i japë vendit statusin e shtetit kandidat.

    Kurti e ka ngritur këtë çështje gjatë drekës së organizuar në New York nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Takimi është zhvilluar në kuadër të qëndrimit të Kurtit në New York për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Sipas Kurtit, dhënia e statusit të vendit kandidat do të ishte përgjigje ndaj, siç ka thënë ai, besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik, si dhe një shtysë për vazhdimin e reformave.

    “Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka kritikuar gjithashtu mosprocedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë.

    Kurti ka thënë se mbajtja “në sirtar” e aplikimit, ndërkohë që Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përbën, sipas tij, padrejtësi ndaj vendit dhe mund të inkurajojë aktorët destabilizues në rajon.

    “Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior”, ka deklaruar ai.

    Në postimin e tij, kryeministri ka akuzuar Serbinë se mbron dhe shpërblen persona të dënuar për krime, glorifikon të dënuar për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe refuzon të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

    Ai gjithashtu ka përsëritur akuzat ndaj Beogradit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar politikën atje si “spastrim etnik administrativ”.