ATV

Blog

  • Përfshihet nga zjarri një objekt afarist në Kijevë të Malishevës, nuk ka persona të lënduar

    Përfshihet nga zjarri një objekt afarist në Kijevë të Malishevës, nuk ka persona të lënduar

    Një objekt afarist është përfshirë nga zjarri sot rreth orës 12:00 në fshatin Kijevë të Malishevës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    Sipas saj, njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e zjarrit.

    “Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën se një objekt afarist është përfshirë nga zjarri në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilat janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e zjarrit. Deri më tani, nuk është raportuar për persona të lënduar si pasojë e zjarrit”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

  • Kryeministri Rama komandon drejtuesin e ri të SHISH pas shkarkimit të Vlora Hysenit

    Kryeministri Rama komandon drejtuesin e ri të SHISH pas shkarkimit të Vlora Hysenit

    Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e përkohshëm të kompetencave administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit te drejtori i Departamentit Operativ, Elvis Lila pas shkarkimit të Vlora Hysenit ditën e martë.

    Sipas urdhrit, të siguruar nga Top Channel, delegimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në emërimin e drejtorit të ri të SHISH.

    Vendimi është marrë në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi për administratën dhe Shërbimin Informativ të Shtetit.

    Ky urdhër ka hyrë në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

  • Kallas kërkon kalim të lirë të anijeve në Hormuz pas takimit me ministrin e Jashtëm të Iranit

    Kallas kërkon kalim të lirë të anijeve në Hormuz pas takimit me ministrin e Jashtëm të Iranit

    Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i ka kërkuar Iranit që pas përfundimit të luftës të garantojë kalim të lirë dhe të papenguar të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

    Kallas u takua në Nju Jork me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku diskutuan rrugët diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit dhe për të rikthyer plotësisht lundrimin në Hormuz.

    Pas takimit, Kallas tha se anijet nuk duhet të paguajnë tarifa për të kaluar nëpër ngushticë pasi konflikti të përfundojë. Ajo theksoi se para luftës nuk ekzistonin tarifa të tilla dhe se lundrimi duhet të jetë “i lirë dhe i papenguar”, jo vetëm në Hormuz, por edhe në ngushticën Bab al-Mandab, në jug të Detit të Kuq.

    Kallas tha gjithashtu se me Araghchin diskutoi situatën e brendshme në Iran, duke shprehur shqetësim për rritjen e ndjeshme të ekzekutimeve dhe dënimeve me vdekje.

    Takimi u zhvillua në një moment kur negociatorët amerikanë dhe iranianë po zhvillonin bisedime indirekte në Nju Jork. Në krahun amerikan morën pjesë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa delegacioni iranian drejtohej nga Araghchi. Witkoff tha se palët kishin përfunduar me sukses një raund diskutimesh dhe se një tjetër pritet së shpejti, shkruan Abcnews.al.

    Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, presidenti amerikan Donald Trump tha se përballet me një “vendim të madh” lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, ndërsa dallimet mes dy palëve mbeten të mëdha.

  • Abdixhiku pret ambasadorin britanik Hargreaves, diskutojnë zhvillimet politike në Kosovë

    Abdixhiku pret ambasadorin britanik Hargreaves, diskutojnë zhvillimet politike në Kosovë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore të LDK-së ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Hargreaves për qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit, duke theksuar përkushtimin e LDK-së ndaj mbrojtjes së interesit të Republikës dhe funksionalitetit të institucioneve demokratike.

    Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit të fuqishëm ndërmjet dy vendeve dhe të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të demokracisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës.

  • Altini rikthen mesazhin e babait: Nëse dashuria për lirinë gjykohet, atëherë vetë historia do të dënohet

    Altini rikthen mesazhin e babait: Nëse dashuria për lirinë gjykohet, atëherë vetë historia do të dënohet

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit, ka ndarë fjalimet e babait të tij në daljen e tij për të prezantuar UÇK-në si dhe fjalët e tij përfundimtare në gjyqin e Hagës.

    Përmes një postimi në Facebook, Altin Krasniqi ka rikthyer fjalët e fuqishme të babait të tij gjatë deklaratave përmbyllëse më 18 shtator të këtij viti.

    “Nëse dashuria për lirinë gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”, ka shkruar ai.

  • Federata irlandeze këshillon tifozët para ndeshjes në Prishtinë: Kujdes me flamujt

    Federata irlandeze këshillon tifozët para ndeshjes në Prishtinë: Kujdes me flamujt

    Federata Irlandeze e Futbollit u ka drejtuar një sërë këshillash tifozëve të saj që do të udhëtojnë në Prishtinë për përballjen me Kosovën.

    Në njoftimin e publikuar një ditë para ndeshjes në “Fadil Vokrri”, Prishtina dhe Kosova përshkruhen si destinacione të sigurta dhe mikpritëse për tifozët mysafirë. Megjithatë, federata ka kërkuar nga ta që të tregohen të kujdesshëm, sidomos në zonat me frekuentim të madh.

    “Prishtina në përgjithësi konsiderohet qytet i sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë. Si në çdo ngjarje të madhe sportive, tifozët këshillohen të tregohen të kujdesshëm me gjërat e tyre personale në zona me shumë njerëz”, thuhet në njoftim.

    Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe flamujve që tifozët irlandezë mund të shfaqin gjatë qëndrimit në kryeqytet.u

    “Flamuri i Kosovës dhe i vendit motër, Shqipërisë, është shumë i spikatur në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit, aktualë ose të kaluar”, thuhet më tej.

    Kosova dhe Irlanda përballen të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja pritet të sjellë në Prishtinë edhe një numër të konsiderueshëm të tifozëve irlandezë.

    Pas kësaj sfide, Dardanët do të përballen në udhëtim me Austrinë në Vjenë dhe Izraelin në Debrecen, para se të rikthehen në Prishtinë për ndeshjen e radhës ndaj Austrisë.

  • Irlanda vlerëson Kosovën para përballjes në Prishtinë: “Edhe barazimi do të na kënaqte”

    Irlanda vlerëson Kosovën para përballjes në Prishtinë: “Edhe barazimi do të na kënaqte”

    Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimson, dhe mbrojtësi Dara O’Shea kanë folur në konferencën për media para përballjes me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Hallgrimson ka vlerësuar lart zhvillimin e Kosovës ndër vite, duke theksuar se nga vendi i 190-të në renditjen e FIFA-s në vitin 2016, tash është ngjitur në vendin e 78-të.

    “Është një rritje e jashtëzakonshme. Shumë mirë për federatën këtu për mënyrën se si i kanë zhvilluar lojtarët e tyre”, ka thënë ai.

    Trajneri irlandez e ka cilësuar Kosovën si kundërshtar të vështirë dhe ka pranuar se edhe një barazim do ta kënaqte.

    “Padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë. I kemi analizuar mirë dhe i kemi shqyrtuar pikat e tyre të forta, të cilat i kanë shumë. Do të ishim të lumtur edhe me një barazim”, është shprehur Hallgrimson.

    Ai veçoi Vedat Muriqin si një nga lojtarët që Irlanda duhet ta ketë nën vëmendje, duke përmendur edhe Fisnik Asllanin dhe lojtarët kosovarë që aktivizohen në klube të mëdha evropiane.

    Ndërkohë, O’Shea foli për zhurmën e krijuar gjatë javës, duke thënë se lojtarët janë munduar të qëndrojnë të bashkuar dhe larg rrjeteve sociale.

    “Ka pasur shumë zhurmë këtë javë. Jemi përpjekur të qëndrojmë larg rrjeteve sociale dhe të qëndrojmë të bashkuar. Kemi një ndeshje të madhe nesër dhe ky ka qenë fokusi ynë. Kosova ka qenë një skuadër e shkëlqyer dhe jemi të përgatitur”, ka deklaruar O’Shea.

    Kosova dhe Irlanda përballen të enjten nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.

  • Të dielën mërgata në Austri proteston kundër vendimit të Speciales

    Të dielën mërgata në Austri proteston kundër vendimit të Speciales

    Edhe në Graz të Austrisë do të protestohet kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet më 27 shtator nga ora 12:00.

    Protesta të qytetarëve shqiptarë si në Kosovë ashtu edhe në diasporë janë në vazhdim qysh nga 16 shtatori, kur Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u dënuan me plot 81 vjet burgim.

  • Plenkoviq kritikon Serbinë në OKB për nderimet shtetëror ndaj Ratko Mlladiqit

    Plenkoviq kritikon Serbinë në OKB për nderimet shtetëror ndaj Ratko Mlladiqit

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka kritikuar ashpër Serbinë nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

    Ai dënoi varrimin me nderime shtetërore dhe ushtarake të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, në Beograd, në prani të zyrtarëve serbë.

    Plenkoviq tha se nderimet e tilla janë fyerje për viktimat dhe për vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

    Sipas tij, glorifikimi i Mlladiqit është në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit Serbia synon të bëhet.

    Ai foli edhe për Bosnje e Hercegovinën, duke kërkuar reformë zgjedhore për të siguruar përfaqësimin legjitim të kroatëve.

    Ndërsa për luftën në Ukrainë, theksoi se paqja nuk mund ta shpërblejë pushtimin.

  • Vali Corleone dënohet me një vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë

    Vali Corleone dënohet me një vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Princ Valentino Corleonen, i njohur si Vali Corleone, me një vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë.

    Dënimi vjen për rastin e narkotikëve, pasi ai më 21 shtator ishte sjellë me detyrim në gjykatë, për shkak se kishte munguar në dy seanca radhazi.

    Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 29 qershor 2023, për një ngjarje të ndodhur më 17 mars të atij viti, në një motel në Çagllavicë.

    Sipas Prokurorisë, Corleone ndodhej në shoqërinë e dy vajzave dhe dyshohet se njërës i kishte dhënë kokainë për konsum.

    Gjatë kontrollit policor, atij i ishin gjetur një dozë dhe një qese me kokainë, me peshë të përgjithshme 0,39 gramë. Për këtë, ai akuzohej për blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 22 prill 2025, Vali Corleone ishte deklaruar i pafajshëm.