ATV

Blog

  • Ndalet një veturë me targa serbe në Leposaviq, gjenden pako me cigare të kontrabanduara

    Ndalet një veturë me targa serbe në Leposaviq, gjenden pako me cigare të kontrabanduara

    Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga Departamenti për Kufi, në kuadër të mbikëqyrjes së shtuar të vijës kufitare, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, me datën 24.09.2026 në fshatin Bare-KK, Leposaviq, në vijën kufitare me Serbinë, kanë ndaluar një automjet me targa serbe, me drejtues të dyshuarin mashkull shtetas i Serbisë.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se lidhur me rastin, në automjetin e lartcekur janë hasur mallra të kontrabanduara si në vijim: 34 pako x 50 shteka me cigare të llojeve të ndryshme; 50 shteka me cigare të një lloji tjetër.

    “Me autorizim të prokurorit të Shtetit, iniciohet rasti “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare”, ku personi i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa malli i kontrabanduar i është nënshtruar procedurave të mëtejme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj, me qëllim të vënies së kryesve të veprave penale përpara përgjegjësisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • ShBA nderon policin Afrim Bunjaku, kërkon përgjegjësi për autorët

    ShBA nderon policin Afrim Bunjaku, kërkon përgjegjësi për autorët

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës.

    Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane ka nderuar pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023.

    “Ne i bashkohemi Kosovës në nderimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023. Ne përsërisim thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.

  • Ambasada gjermane për Banjskën: Drejtësia të vihet në vend pa vonesa

    Ambasada gjermane për Banjskën: Drejtësia të vihet në vend pa vonesa

    Sot shënohen tre vjet nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Me këtë rast, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë.

    “Tre vjet më parë u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Udhëheqësi i vetëdeklaruar i sulmit ende nuk është mbajtur përgjegjës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.

    Ambasada ka theksuar se drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesa të mëtejshme.

    “Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet më tej në reagim.

  • Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, Haga merr një vendim

    Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, Haga merr një vendim

    Gjykatësi Christopher Gosnell, më 21 shtator, ka marrë vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me vizitat ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Vendimi lidhet me rastin e dytë ndaj Thaçit, në të cilin ai akuzohet për tentim-pengim të drejtësisë.

    Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndalimi i vizitave vazhdon të jetë në fuqi për katër persona, ndërsa ndalimi për vizitorët e tjerë të specifikuar është hequr me efekt të menjëhershëm.

    “Vizitat e tyre do të mbikëqyren në mënyrë aktive”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

  • Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

    Ka nisur seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Ferizajt, për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

    Në nisje të seancës, të pandehurit u përshëndetën me familjarët e tyre me shprehjen “Selam Alejkum”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, gjashtë të pandehur akuzohen se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00 në Kaçanik, në bashkëkryerje e privuan nga jeta zyrtarin policor.

    Prokuroria pretendon se vepra është kryer me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen e një të mituri, dhe ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarit.

  • Vuçiq në OKB falënderon 107 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën

    Vuçiq në OKB falënderon 107 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka falënderuar 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Ai tha se këto shtete kanë qenë nën presion për të ndryshuar qëndrim, por kanë mbetur konsistente në mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë.

    Vuçiq kritikoi bombardimet e NATO-s të vitit 1999, duke thënë se atëherë u tentua të merrej 14 për qind e territorit serb.

    Ai foli edhe për Marrëveshjen e Brukselit, duke akuzuar Prishtinën se nuk e ka zbatuar obligimin e vetëm – themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në fund, ai akuzoi rëndë Kroacinë për ringjallje të nazizmit, pa paraqitur asnjë fakt konkret.

  • Osmani përkujton Afrim Bunjakun: Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës

    Osmani përkujton Afrim Bunjakun: Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, i cili tre vite më parë ra në krye të detyrës duke mbrojtur Kosovën.

    Përmes një postimi në profilin e saj në rrjeitn social Facebook, Osmani ka theksuar se Bunjaku e dha jetën për mbrojtjen e vendit, ndërsa ka vënë në pah sakrificën e tij për Republikën e Kosovës.

    “Tri vite më parë, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, duke e vulosur me jetën e tij një të vërtetë që brezat tanë e kanë mbrojtur me sakrificë: kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm dhe liria e Kosovës është e shenjtë”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka deklaruar se kujtimi për Bunjakun duhet të shoqërohet me mbrojtjen e vlerave për të cilat ai dha jetën.

    “Ai ra duke mbrojtur Kosovën. Ne do ta kujtojmë duke mbrojtur atë që ai la pas: Republikën, lirinë dhe sovranitetin tonë”, ka theksuar ish-presidentja.

    Osmani e ka përmbyllur mesazhin me nderimin për rreshterin Bunjaku: “Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”

  • Dy mitraloza, AK47, granata dore, pushkë e fishekë – Policia gjen arsenal armësh në Pejë

    Dy mitraloza, AK47, granata dore, pushkë e fishekë – Policia gjen arsenal armësh në Pejë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për gjetje të një arsenali të armëve në Pejë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se armët dhe municioni i gjetur janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.

    “Pejë / 23.09.2026 – 16:45. Është raportuar për disa armë dhe mjete të dyshimta, duke përfshirë mjete shpërthyese dhe municion. Lidhur me rastin, njësia policore ka siguruar vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes janë gjetur: një armë AK47, dy mitraloza të lehtë, një pushkë, 5 granata dore, 7 karikatorë dhe rreth 510 fishekë”, thuhet në raport.

    Armët dhe municioni i gjetur janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.

    Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime. /Telegrafi/

  • Në Hamburg paralajmërohet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hamburg paralajmërohet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paralajmëruar të mbahet edhe në Hamburg të Gjermanisë.

    Sipas njoftimit të publikuar, protesta me moton “Liria ka emër – UÇK” do të mbahet më 26 shtator, nga ora 16:00 deri në 18:00, në Rathausmarkt 1, Hamburg.

    Organizatorët e kanë prezantuar tubimin si protestë “kundër padrejtësisë ndaj çlirimtarëve”, ndërsa u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i bashkohen protestës.

    Kujtojmë që gjatë kësaj dite në disa qytete të Evropës janë lajmëruar protesta me datën 26 dhe 27 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

  • Sulm në Bregun Perëndimor, plagoset rëndë djali i ambasadorit izraelit në SHBA

    Sulm në Bregun Perëndimor, plagoset rëndë djali i ambasadorit izraelit në SHBA

    Një ushtar izraelit, djali i ambasadorit të Izraelit në Shtetet e Bashkuara, u plagos rëndë të mërkurën në një sulm me automjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan autoritetet izraelite.

    Ngjarja ndodhi në një pikë kontrolli izraelite pranë vendbanimit hebre Beit Horon, në perëndim të Ramallahut. Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, konfirmoi se ushtari i plagosur ishte djali i tij, Neria.

    Sipas policisë izraelite, një burrë me automjet “u vërsul drejt” një oficeri policie dhe një ushtari që po kontrollonin automjetet, përpara se të “eliminohej”.

    Shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom njoftoi se ushtari, rreth 30 vjeç, ndodhet “në gjendje të rëndë”.

    “Ne i dhamë ndihmën emergjente përpara se ta transportonim në spital”, njoftoi shërbimi.

    “Neria ka nevojë për një mrekulli”, shkroi ambasadori Leiter në X.

    Ai tha se djali i tij kishte vazhduar të shërbente si rezervist edhe pasi vëllai i madh, Moshe Yedidya Leiter, ishte vrarë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës në nëntor 2023.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi gjithashtu pas sulmit.

    “Unë dhe bashkëshortja ime, së bashku me të gjithë popullin e Izraelit, lutemi që të ndodhë një mrekulli”, shkroi Netanyahu në X.

    Ambasadori izraelit, i cili pritej të merrte pjesë në fjalimin e Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten, u largua nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Izrael, sipas transmetuesit publik izraelit Kan.

    Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se një palestinez 29-vjeçar ishte vrarë nga ushtria izraelite në të njëjtën zonë.

    Sulmi ndodh në një periudhë tensionesh të larta në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas një përllogaritjeje të AFP-së, bazuar në të dhënat e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ushtrisë dhe kolonëve, më shumë se 1,100 palestinezë, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë në Bregun Perëndimor që prej 7 tetorit 2023.