ATV

Blog

  • Qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, policia procedon 9 protestues

    Qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, policia procedon 9 protestues

    Policia ka proceduar penalisht një grup prej 9 protestuesish që qëndruan deri në orët e para të mëngjesit para Kryeministrisë, pas protestës së ditës së.

    “Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.

    Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.

    Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.

    Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.

    Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

    Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme””, thuhet në njoftim.

  • “Nisma e Lirisë”, nesër koncert përkujtimor në nder të heroit Hakif Zejnullahu

    “Nisma e Lirisë”, nesër koncert përkujtimor në nder të heroit Hakif Zejnullahu

    Me rastin e ditëlindjes së heroit të kombit, Hakif Zejnullahu, më 22 qershor do të mbahet koncerti përkujtimor “Nisma e Lirisë”.

    Ngjarja organizohet në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në Lladoc të Podujevës, duke filluar nga ora 20:00.

    Në këtë mbrëmje përkujtimore do të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare, përfshirë Sabri Fejzullahun, Shyhrete Behlulin, Ermal Fejzullahun, Naser Maqedoncin, Dafina Aliun, Gentian Gojanin, Lind Mehmetin, Behxhet Zekën, Shoqërinë Kulturore-Artistike “Zahir Pajaziti” dhe Mirelën.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili synon të nderojë jetën dhe veprën e Hakif Zejnullahut, një prej figurave të shquara të luftës për lirinë e Kosovës.

  • Rritet konsumi i ujit, KRU “Prishtina” bën apel për përdorim të përgjegjshëm

    Rritet konsumi i ujit, KRU “Prishtina” bën apel për përdorim të përgjegjshëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë apel për qytetarët që të përdorin në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme ujin e pijshëm, si pasojë e rritjes së konsumit gjatë periudhës së verës.

    Sipas njoftimit, qëllimi i këtij apeli është sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

    Qytetarëve u është kërkuar që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për ujitjen e oborreve dhe kopshteve, larjen e trotuareve dhe hapësirave publike apo private, mbushjen e pishinave dhe rezervuarëve privatë, si dhe lënien e çezmave të hapura pa nevojë.

    “Me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e secilit qytetar, mund të sigurojmë furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjitha familjet, institucionet dhe bizneset. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe kontributin tuaj në ruajtjen e këtij burimi të çmuar jetik”, thotë KRU ‘Prishtina’.

  • Protestat në Tiranë, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme

    Protestat në Tiranë, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i takon protestës masive që u zhvillua të shtunën, 20 qershor, në kryeqytet.

    Duke iu referuar postimit të bërë nga një qytetare, ai shkruan se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, por qytetarë të një shteti fqinj, si pjesë shtetformuese së bashku me maqedonasit. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi ata kanë shtetin e tyre të pavarur.

    Kreu i qeverisë thekson se paraqitja e tyre në Tiranë si “diasporë” dhe përdorimi i flamujve kombëtarë në këtë mënyrë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon.

    Rama përmend edhe përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simbolit të luftës së Kosovës.

    “Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

    Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”, shkruan kryeministri në Facebook.

    Në fund të postimit, Rama sqaron se reagimi i tij nuk lidhet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, nënvizon ai.

  • Haradinaj: Nëse opozita më propozon, do ta shqyrtoja kandidaturën për President

    Haradinaj: Nëse opozita më propozon, do ta shqyrtoja kandidaturën për President

    Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do ta shqyrtonte mundësinë e kandidimit për President të vendit nëse kjo mundësi do të vinte si opsion nga opozita.

    “Nëse opozita do të më kandidonin, do ta shqyrtoja mundësinë e kandidaturës”, tha ai në një deklarim për gazetarët.

    Haradinaj përmendi se vendi është në “vështirësi të mëdha”

    “Kosova është në sfida të mëdha, në vështirësi të mëdha. Do ta shqyrtoja pra, nëse opozita më propozon në rast të një gare për President në seancë. Do ta shqyrtoja a të kandidojë a jo”, tha si.

    “Ju e dini, unë s’kam qenë kandidat për President, nuk jam edhe sot”, shtoi ai.

  • Botërori 2026 vendos rekord: 100 gola më shpejt se çdo edicion që nga viti 1958

    Botërori 2026 vendos rekord: 100 gola më shpejt se çdo edicion që nga viti 1958

    Kupa e Botës 2026 ka hyrë në histori si edicioni që ka arritur më shpejt shifrën e 100 golave që nga viti 1958. Goli i 100-të i turneut u shënua nga sulmuesi holandez Cody Gakpo, në fitoren 5–1 të Përfaqësuesja e Holandës në futboll ndaj Suedisë, dhe erdhi në ndeshjen e 33-të të kompeticionit.

    Vetëm Botërori i vitit 1954 në Zvicër ka qenë më i shpejtë për arritjen e kësaj shifre, duke e kaluar 100-golëshin në vetëm 20 ndeshje.

    Aktualisht, turneu që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada po regjistron një mesatare prej 3.09 golash për ndeshje dhe është në rrugë për të kaluar shifrën e 300 golave deri në fund të kompeticionit.

    Një nga temat më të diskutuara është edhe topi zyrtar i Adidas, i quajtur “Trionda”, për të cilin disa portierë kanë shprehur vështirësi në kontroll për shkak të shpejtësisë dhe trajektores së tij të paparashikueshme.

    Ish-portierë si Joe Hart dhe Paul Robinson kanë vënë në dukje se sjellja e topit në disa raste është e vështirë për t’u parashikuar, duke rikthyer debatet e ngjashme me Botërorin 2010.

    Një tjetër faktor që po ndikon në shumë gola është edhe formati i ri me 48 skuadra, ku disa ekipe debutuese si Kepi i Gjelbër, Curaçao, Jordania dhe Uzbekistani po përballen me nivele më të forta kundërshtarësh.

    Rezultate të thella si 7–1 dhe 6–0 tregojnë diferencën në disa ndeshje, edhe pse shumë skuadra kanë treguar paraqitje konkurruese.

    Trajneri Thomas Frank ka theksuar se jo të gjitha ndeshjet janë dominuar plotësisht, por ka pasur një balancë më të mirë në shumë prej tyre.

    Temperaturat e larta në Amerikën e Veriut dhe lodhja fizike po ndikojnë gjithashtu në ndeshje, me rreth 29% të golave të shënuar pas minutës së 76-të.

    Gabimet individuale dhe humbjet e topit janë shtuar, ndërsa ndërprerjet për hidratim po shfrytëzohen nga trajnerët për korrigjime taktike, duke ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës.

  • Latifi: Shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës

    Latifi: Shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës

    Analisti Blerim Latifi ka komentuar protestat në Tiranë, ku ndër të tjera deklaron se “shqiptari i Luginës nuk e organizon asnjë miniprotestë kundër spastrimit etnik atje, por merr turr kundër Ramës”.

    “..ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës”, shkruan Latifi.

    Reagimi i tij i plotë:

    Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese, të cilat e kanë goditur rëndë të drejtat politike e qytetare të shqiptarëve atje.

    Por ja që merr turrin të shkojë në Tiranë për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër një investimi amerikan në bregdetin shqiptar. Dhe këtë e bën pavarësisht faktit se qeveria shqiptare është e vetmja që, të paktën në kanalet diplomatike perëndimore, ka ngritur vazhdimisht zërin për çështjen e shqiptarëve të Preshevës.

    Ndërgjegja njerëzore sikletoset nga paradokse të tilla shqiptarësh.

  • Protesta edhe në jug të Shqipërisë, prishet rrethimi 22-vjeçar i Kakomesë

    Protesta edhe në jug të Shqipërisë, prishet rrethimi 22-vjeçar i Kakomesë

    Qindra persona nga fshatrat pranë Kakomesë në jug të vendit, emigrantë të ardhur nga Greqia, por edhe nga qytete të tjera të vendit i janë bashkuar protestës së thirrur ditë më parë në Gjirin e Kakomesë, ku u hoqën rrethimet dhe kabinat që mbanin të bllokuar atë zonë prej 22 vitesh.

    Protesta ka përfshirë mesditën e së dielës edhe zonën e Kakomesë në hyrje të plazhit në një prej gjireve më të bukur bregdetar në jug të vendit.

    Pjesëmarrësit në këtë protestë kanë shkulur dhe shembur çdo shenjë nga rrethimi i dikurshëm i kësaj zone, duke u shprehur se kanë çliruar Kakomenë.

    Sakaq polica nuk ka patur asnjë konfrontim me protestuesit, duke u kujdesur për të mbajtur të lirë rrugën nacionale Sarandë-Himarë.

  • Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll, e njohur si “Dardanët”, po vazhdon përgatitjet për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029 me dy ndeshje miqësore ndaj Arabisë Saudite në basketboll.

    Dy përballjet do të zhvillohen në Stamboll të Turqisë. Ndeshja e parë është të hënën në orën 18:30, ndërsa e dyta të martën në orën 17:00.

    Këto ndeshje miqësore janë shumë të rëndësishme për përzgjedhësin Bujar Loci dhe stafin teknik, të cilët do të vlerësojnë formën e lojtarëve dhe do të testojnë skemat taktike para sfidave zyrtare.

    Në veçanti, këto përballje shërbejnë si test për të parë gjendjen fizike, bashkëpunimin mes lojtarëve dhe për të përmirësuar aspektet e lojës para ndeshjeve vendimtare, përfshirë edhe përballjet me Shqipërinë.

    Kosova synon të jetë sa më e përgatitur për fazën kualifikuese dhe të paraqitet me rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare të basketbollit.

  • Ditmir Bushati del hapur në mbështetje të protestës: Nuk janë të nxitur nga Irani apo algoritmet, por qytetarë të revoltuar

    Ditmir Bushati del hapur në mbështetje të protestës: Nuk janë të nxitur nga Irani apo algoritmet, por qytetarë të revoltuar

    Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka reaguar publikisht për protestat që po zhvillohen prej javësh, duke marrë distancë nga narrativat e artikuluara nga kryeministri Edi Rama për ndikime të huaja apo manipulime përmes rrjeteve sociale.

    Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Bushati thekson se protestuesit “nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet”, por janë “shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë”.

    Sipas tij, bëhet fjalë për qytetarë të ndërgjegjësuar për pasojat e aleancës mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar, të cilët kërkojnë më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë.

    “Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, shkruan Bushati.

    Deklarata e ish-ministrit socialist vjen në një kohë kur protesta qytetare ka hyrë në javën e katërt dhe përbën reagimin më të drejtpërdrejtë deri tani nga një ish-anëtar i kabinetit Rama në mbështetje të kërkesave të protestuesve. Ajo përbën gjithashtu një kundërpërgjigje ndaj tezave të kryeministrit, i cili ka folur për ndikimin e algoritmeve dhe përpjekje për instrumentalizim të revoltës qytetare.