ATV

Blog

  • Protesta edhe në jug të Shqipërisë, prishet rrethimi 22-vjeçar i Kakomesë

    Protesta edhe në jug të Shqipërisë, prishet rrethimi 22-vjeçar i Kakomesë

    Qindra persona nga fshatrat pranë Kakomesë në jug të vendit, emigrantë të ardhur nga Greqia, por edhe nga qytete të tjera të vendit i janë bashkuar protestës së thirrur ditë më parë në Gjirin e Kakomesë, ku u hoqën rrethimet dhe kabinat që mbanin të bllokuar atë zonë prej 22 vitesh.

    Protesta ka përfshirë mesditën e së dielës edhe zonën e Kakomesë në hyrje të plazhit në një prej gjireve më të bukur bregdetar në jug të vendit.

    Pjesëmarrësit në këtë protestë kanë shkulur dhe shembur çdo shenjë nga rrethimi i dikurshëm i kësaj zone, duke u shprehur se kanë çliruar Kakomenë.

    Sakaq polica nuk ka patur asnjë konfrontim me protestuesit, duke u kujdesur për të mbajtur të lirë rrugën nacionale Sarandë-Himarë.

  • Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kosova luan dy miqësore ndaj Arabisë Saudite në përgatitje për EuroBasket 2029

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll, e njohur si “Dardanët”, po vazhdon përgatitjet për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029 me dy ndeshje miqësore ndaj Arabisë Saudite në basketboll.

    Dy përballjet do të zhvillohen në Stamboll të Turqisë. Ndeshja e parë është të hënën në orën 18:30, ndërsa e dyta të martën në orën 17:00.

    Këto ndeshje miqësore janë shumë të rëndësishme për përzgjedhësin Bujar Loci dhe stafin teknik, të cilët do të vlerësojnë formën e lojtarëve dhe do të testojnë skemat taktike para sfidave zyrtare.

    Në veçanti, këto përballje shërbejnë si test për të parë gjendjen fizike, bashkëpunimin mes lojtarëve dhe për të përmirësuar aspektet e lojës para ndeshjeve vendimtare, përfshirë edhe përballjet me Shqipërinë.

    Kosova synon të jetë sa më e përgatitur për fazën kualifikuese dhe të paraqitet me rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare të basketbollit.

  • Ditmir Bushati del hapur në mbështetje të protestës: Nuk janë të nxitur nga Irani apo algoritmet, por qytetarë të revoltuar

    Ditmir Bushati del hapur në mbështetje të protestës: Nuk janë të nxitur nga Irani apo algoritmet, por qytetarë të revoltuar

    Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka reaguar publikisht për protestat që po zhvillohen prej javësh, duke marrë distancë nga narrativat e artikuluara nga kryeministri Edi Rama për ndikime të huaja apo manipulime përmes rrjeteve sociale.

    Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Bushati thekson se protestuesit “nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet”, por janë “shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë”.

    Sipas tij, bëhet fjalë për qytetarë të ndërgjegjësuar për pasojat e aleancës mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar, të cilët kërkojnë më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë.

    “Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, shkruan Bushati.

    Deklarata e ish-ministrit socialist vjen në një kohë kur protesta qytetare ka hyrë në javën e katërt dhe përbën reagimin më të drejtpërdrejtë deri tani nga një ish-anëtar i kabinetit Rama në mbështetje të kërkesave të protestuesve. Ajo përbën gjithashtu një kundërpërgjigje ndaj tezave të kryeministrit, i cili ka folur për ndikimin e algoritmeve dhe përpjekje për instrumentalizim të revoltës qytetare.

  • Aksident mes tri veturave në Krushevë të Klinës, një person përfundon në spital

    Aksident mes tri veturave në Krushevë të Klinës, një person përfundon në spital

    Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Krushevë të Klinës.

    Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:30 dhe në të kanë qenë të përfshira tri vetura.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth orës 12:30, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Krushevë-Klinë. Në këtë aksident ishin të involvuara tri vetura dhe si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, ka deklaruar Rugova për Klankosova.tv.
    Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan deri te aksidenti. Gjendja shëndetësore e personit të lënduar nuk është bërë e ditur.

  • Ballkani zyrtarizon rikthimin e Edvin Kuç

    Ballkani zyrtarizon rikthimin e Edvin Kuç

    FC Ballkani ka zyrtarizuar rikthimin e një prej figurave më të rëndësishme të klubit suharekas, ish-kapitenit Edvin Kuç.

    Mesfushori rikthehet pas një aventure dyvjeçare në Azerbajxhan, duke u bashkuar sërish me ekipin ku la gjurmë të forta në sukseset e viteve të fundit.

    Klubi suharekas e ka bërë të ditur lajmin përmes kanaleve zyrtare, duke e mirëpritur rikthimin e një lojtari që ka qenë pjesë e gjeneratës më të suksesshme në histori të klubit.

    Kuç ka qenë një nga shtyllat e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, ku ka fituar tre tituj kampion, një Superkupë dhe ka marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

    Rikthimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për ambiciet e reja të Ballkanit në garat vendore dhe ndërkombëtare.

  • PSG synon Yan Diomanden-Talenti i Leipzigut në qendër të merkatos verore

    PSG synon Yan Diomanden-Talenti i Leipzigut në qendër të merkatos verore

    Paris Saint-Germain ka vendosur Yan Diomanden si një nga objektivat kryesorë për afatin kalimtar të verës, ndërsa trajneri Luis Enrique e vlerëson sulmuesin e ri si një përforcim të rëndësishëm për skuadrën franceze.

    Sipas raportimeve nga Spanja dhe Gjermania, trajneri i PSG-së e sheh lojtarin e RB Leipzig si profilin ideal për repartin ofensiv.

    Diomande, i cili aktivizohet në krahun e sulmit, është shndërruar në një nga zbulimet më të mëdha të vitit 2026. Paraqitjet e tij në Bundesligë dhe me Përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës kanë rritur ndjeshëm interesimin e klubeve më të mëdha evropiane.

    Ndonëse është vetëm 19 vjeç, ai konsiderohet si një nga talentet më premtues në futbollin botëror, falë shpejtësisë, aftësisë në duelet një kundër një dhe ndikimit në ndeshje të mëdha.

    Pas Kupës së Botës 2026, vëmendja ndaj tij është rritur edhe më shumë.

    Ndërkohë, edhe Liverpool FC raportohet se ka bërë një ofertë afër 100 milionë eurove, por ajo është refuzuar nga Leipzig, i cili nuk synon të lehtësojë largimin e një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm.

  • Ferrari del me reagim zyrtar pas thashethemeve për presion ndaj klientëve për të blerë Luce

    Ferrari del me reagim zyrtar pas thashethemeve për presion ndaj klientëve për të blerë Luce

    Një muaj pas debutimit të Ferrari Luce, shumë të diskutuarit—mjetit të parë elektrik të Marenello-s—thashethemet vazhdojnë të qarkullojnë.

    Raporti i fundit, i publikuar nga Bloomberg, pretendonte se disa shitës po u bënin presion klientëve që të porosisnin Luce për të shmangur humbjen e statusit të klientit kryesor ose për të rrezikuar aksesin në të ardhmen në modelet më ekskluzive të Ferrarit me prodhim të kufizuar.

    Por kjo nuk është e vërtetë.

    Drejtori i Marketingut të Ferrarit, Enrico Galliera, i mohoi drejtpërdrejt këto pretendime në një intervistë me Automoto.it , duke ofruar një përgjigje të drejtpërdrejtë.

    “Qarkullojnë shumë thashetheme rreth tregut të Ferrarit, por ky është i rremë. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që nga fillimi: Luce është projektuar për një lloj tjetër klienti, jo domosdoshmërisht për pronarë të Ferrarit prej kohësh – megjithëse ata, sigurisht, janë të mirëpritur të blejnë një”, deklaroi Galliera.

    Sipas tij, një strategji e tillë në fund të fundit do ta dëmtonte Ferrarin.

    I pyetur në lidhje me kërkesën për Luce, Galliera nuk pranoi të ndante shifra specifike të porosive, por tha se shitjet po përmbushin pritjet e kompanisë.

    Ai shtoi se porositë aktualisht ndahen afërsisht në mënyrë të barabartë midis klientëve të rinj dhe atyre ekzistues të Ferrarit.

  • 273 të rinj ngjiten në Gjeravicë: “Këtë rrugëtim ia kushtuam heronjve tanë në Hagë”

    273 të rinj ngjiten në Gjeravicë: “Këtë rrugëtim ia kushtuam heronjve tanë në Hagë”

    Një numër i madh njerëzish që lëvizte në errësirën e natës drejt majës më të lartë të Kosovës krijoi një pamje të rrallë dhe një moment historik në bjeshkët e Gjeravicës.

    Plot 273 të rinj e të reja, të organizuar nga klubi alpin PBA Peak Bound, realizuan një ngjitje rekord, duke shënuar numrin më të madh të pjesëmarrësve në një aktivitet të tillë në Gjeravicë.

    Ngjitja u zhvillua natën e së dielës dhe, sipas organizatorëve, përveç dimensionit sportiv dhe aventurës, ajo mbarti edhe një mesazh simbolik.

    Pjesëmarrësit ia kushtuan këtë aktivitet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

    “Ishte një pamje madhështore të shihje këtë lumë njerëzish duke ecur drejt majës më të lartë të Kosovës. Çdo hap ishte i mbushur me emocion, energji, vullnet dhe dashuri për natyrën e vendin tonë”, thuhet në mesazhin e organizatorëve pas përfundimit të ngjitjes.

    Ata theksuan se gjatë gjithë rrugëtimit pjesëmarrësit kujtuan me respekt dhe krenari ata që e sakrifikuan jetën dhe lirinë për vendin.

    “Këtë ngjitje ia kushtuam heronjve tanë, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë. Në çdo hap drejt majës, i kujtuam me respekt dhe krenari për sakrificën e tyre”, u shprehën organizatorët.

    Për mbarëvajtjen dhe sigurinë e grupit të madh u angazhua një ekip i veçantë, i përbërë nga Kastriot Kadrijaj, Riza Lekaj, Atdhe Kastrati, Lavdim Mehani, Bedri Bushi, Erion Maksutaj, Albin Dragusha, Agron Qajani, Milot dhe Agron Iberdemaj, të cilët u vlerësuan për përkushtimin e treguar gjatë gjithë aktivitetit.

    Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin në këtë ngjarje, duke e cilësuar atë si dëshmi të fuqisë së rinisë për t’u bashkuar rreth sfidave pozitive dhe aktiviteteve që promovojnë natyrën, sportin dhe solidaritetin.

    “273 pjesëmarrës. Një majë. Një qëllim. Një rekord që do të mbahet mend gjatë”, ishte mesazhi përmbyllës i organizatorëve pas ngjitjes historike në Gjeravicë.

  • Gjendja alarmante pranë Liqenit të Badovcit, organizata kërkon masa urgjente kundër ndotjes

    Gjendja alarmante pranë Liqenit të Badovcit, organizata kërkon masa urgjente kundër ndotjes

    Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar mjedisore në afërsi të digës së Liqenit të Badovcit, duke publikuar pamje që, sipas saj, dëshmojnë rikthimin e mbeturinave në një nga zonat më të rëndësishme ujore të vendit.

    Sipas reagimit të organizatës, zona pranë liqenit është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash, vetëm pak muaj pasi aty ishte organizuar një aksion i gjerë pastrimi në Ditën Botërore të Ujit, më 22 mars.

    Ata bëjnë të ditur se në atë aksion morën pjesë vullnetarë, institucione, organizata, media dhe qytetarë, ndërsa u larguan sasi të mëdha mbeturinash. Megjithatë, gjendja aktuale tregon se problemi vazhdon të përsëritet.

    “Ndotja nuk zgjidhet vetëm me aksione vullnetare. Pa masa konkrete nga institucionet përgjegjëse, ajo do të vazhdojë të rikthehet”, thuhet në reagim.

    Organizata thekson se Liqeni i Badovcit furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të madhe të Prishtinës dhe disa komuna të tjera, duke e cilësuar ndotjen jo vetëm si problem mjedisor, por edhe si rrezik për një burim jetik të ujit.

    “Ta Pastrojmë Kosovën” ka kërkuar kontroll më të madh institucional, masa parandaluese, ndëshkim të ndotësve dhe zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen e zonës.

    Po ashtu, organizata ka paralajmëruar se së shpejti do të organizojë një aksion tjetër pastrimi, por ka theksuar se vullnetarët nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e institucioneve.

    U është bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina pranë liqeneve, lumenjve dhe burimeve të ujit, duke kujtuar se pasojat e ndotjes prekin të gjithë shoqërinë.

  • Ambasadorja izraelite pas heqjes së flamurit nga protestuesit: Ky akt turpëron trashëgiminë e popullit shqiptar

    Ambasadorja izraelite pas heqjes së flamurit nga protestuesit: Ky akt turpëron trashëgiminë e popullit shqiptar

    Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së mbrëmshme në Tiranë, ku protestuesit hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë, ndërsa turma brohoriste.

    Në një deklaratë, ambasadorja tha se respekton të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por e cilësoi grisjen e flamurit si një veprim që nuk i shërben debatit publik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë.

    “Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një veprim i tillë jo vetëm që nuk e çon përpara protestën publike, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, u shpreh Peleg.

    Ambasadorja falënderoi gjithashtu reagimin e zyrtarit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Fer Hoxha, i cili dënoi menjëherë aktin e përdhosjes së flamurit.

    Në reagimin e bërë në rrjetet sociale, ajo shprehet: Mbrëmë në Tiranë protestuesit hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë, ndërsa turma e mbledhur në vendngjarje brohoriste.

    Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një veprim i tillë jo vetëm që nuk e çon përpara protestën publike, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.

    E falënderoj ministrin Hoxha për dënimin e tij të menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti.