ATV

Blog

  • Julian Nagelsamann parajlamëron lojtarët e Gjermanisë-Ekipi mos të përfshihet nga euforia

    Julian Nagelsamann parajlamëron lojtarët e Gjermanisë-Ekipi mos të përfshihet nga euforia

    Gjermania ka siguruar kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026, pas fitores 2–1 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen e dytë të Grupit E. Megjithatë, përzgjedhësi Julian Nagelsmann ka kërkuar që skuadra të mos përfshihet nga euforia.

     

    Në ndeshjen e zhvilluar në “BMO Field” të Torontos, Bregu i Fildishtë kaloi i pari në avantazh në minutën e 30-të me golin e kapitenit Franck Kessie. Por pjesa e dytë i përkiste Gjermanisë dhe veçanërisht Deniz Undav, i cili hyri nga stoli në minutën e 60-të dhe ndryshoi fatin e takimit.

     

    Sulmuesi i Stuttgartit barazoi rezultatin në minutën e 68-të, ndërsa në minutën e katërt të kohës shtesë shënoi edhe golin e fitores, duke i dhënë Gjermanisë tre pikë të rëndësishme dhe kualifikimin në raundin tjetër. Për Undav, ky ishte goli i nëntë në vetëm 11 paraqitje me fanellën e kombëtares gjermane.

     

    Pas ndeshjes, Nagelsmann u shpreh se nuk ka vend për eufori, duke kujtuar se vetëm pak javë më parë situata rreth kombëtares ishte shumë më e vështirë dhe se një fitore nuk ndryshon menjëherë realitetin.

     

    “Nuk kemi nevojë të flasim tani nëse jemi apo jo të klasit botëror. Vetëm tre javë më parë gjithçka ishte në rrëmujë”, deklaroi ai.

     

    Përzgjedhësi gjerman theksoi se fokusi i ekipit mbetet ndeshja e fundit e fazës së grupeve kundër Ekuadorit, duke kërkuar përqendrim maksimal përpara fazës me eliminim direkt.

  • Endrit Thaçi: Çdo ditë po na ofron më pranë rikthimit tuaj

    Endrit Thaçi: Çdo ditë po na ofron më pranë rikthimit tuaj

    Dita ditës po afrohet momenti i shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Hagë.

    Me këtë rast, Endriti, djali i ish-presidentit ka bërë një reagim të fuqishëm sot në rrjetin social Instagram.

    Ai ka publikuar një foto me babain e tij duke lënë edhe një mesazh, duke shprehur bindjen e plotë se çlirimtarët do të kthehen në vendlindje.

    “Ka ditë që kalojnë ngadalë kur pret dikë që e do. Por, tani çdo ditë po na ofron më pranë rikthimit tuaj. Me krenari ju presim. Kosova ju pret”, ka shkruar ai në Instastory transmeton Klankosova.tv.

    Shpallja e vendimit pritet të bëhet më 20 korrik.

  • Rama nesër në Paris, pritet të ketë takim me presidentin francez

    Rama nesër në Paris, pritet të ketë takim me presidentin francez

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron.

    Rama do të udhëtojë drejt Parisit, ku më pas pritet të mbërrijë në orën 13:00 në Pallatin Elysee.

    Sipas njoftimit të qeverisë franceze, ata pritet të diskutojnë rreth integrimit të Shqipërisë në BE si dhe për investimet franceze në Shqipëri.

    “Ky takim zhvillohet në vijim të shkëmbimeve mes dy drejtuesve, të cilët janë takuar veçanërisht në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe në maj 2025. Presidenti i Republikës dhe Kryeministri Edi Rama do të diskutojnë mbi perspektivën europiane të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra në këtë kuadër.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, Macron do të rikonfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të Francës për vijimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në respekt të kërkesave dhe parimeve mbi të cilat ai bazohet.

    Dy drejtuesit, thuhet në njoftim, do të diskutojnë gjithashtu zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e arsimit, ekonomisë dhe energjisë, si dhe perspektivat e ofruara nga investimet franceze në Shqipëri.

    Gjithashtu, tema të diskutimit do të jenë edhe bilanci i disa projekteve, nismat e mbështetura nga grupi AFD në fushat e energjisë dhe mjedisit, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e transportit, infrastrukturës dhe mbrojtjes.

  • Hapet pishina e Gërmisë për sezonin veror

    Hapet pishina e Gërmisë për sezonin veror

    Pishina e Gërmisë ka hapur dyert për vizitorët këtë të diel, duke shënuar nisjen e sezonit veror për një nga destinacionet më të frekuentuara në kryeqytet.

    Lajmi është bërë i ditur nga faqja “Kryeqyteti” përmes një njoftimi në Facebook, ku janë publikuar edhe fotografi nga pishina.

    “Dyert e Pishinës së Gërmisë janë hapur. Ju mirëpresim”, thuhet në njoftim.

  • Ronald Koeman i kënaqur me fitoren e thellë të Holandës

    Ronald Koeman i kënaqur me fitoren e thellë të Holandës

    Holanda shënoi fitore të thellë ndaj Suedisë në grupin F,duke e mposhtur me rezultat të thellë 5-1.

    Që nga fillimi i ndeshjes tulipanët ishin dominant gjatë gjithë ndeshjes,ku komfirmuan se janë të gatshëm të shkojnë sa më larg në këtë turne.

    Përndryshe përzgjedhësi Ronald Koeman në një konferencë për shtyp deklaroi se është i kënaqur me fitoren ndaj suedezëve,dhe se ekipi i tij ka bërë progres për dallim nga ndeshja kundër Japonisë.

    “Natyrisht, kjo ndeshje ishte më e mirë se e fundit. Kjo është ajo që dëshiron, në mënyrë ideale, të fitosh që në fillim të turneut. Por nëse kjo është një shenjë e asaj që na pret, atëherë padyshim që po ecim në drejtimin e duhur. Sigurisht që kishte presion mbi ekipin, pjesërisht për shkak të barazimit (kundër Japonisë). Nëse e fiton ndeshjen e parë, kjo të jep më shumë qetësi. Tani kemi pak më shumë hapësirë frymëmarrjeje me katër pikë dhe me faktin që kemi ende një ndeshje tjetër në grup”, theksoi ndër të tjera tekniku Koeman.

    Kujtojmë që Holanda ka grumbulluar 4 pikë pas dy ndeshjeve në grupin F,dhe ndeshjen e fundit pritet ta zhvillojë kundër Tunizisë të ejnten në Kansa.

  • Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Protesta, që sot hyn në javën e katërt të saj, ka padyshim një përbërje të shumëllojshme nga shtresa dhe përkatësi të ndryshme fetare, sociale dhe politike. Por mes tyre spikatin dhe socialistët. Që nga ata që kanë qenë në poste më të larta drejtuese dhe deri tek aspirantët për deputetë në siglën e trëndafilit.

    Më e shquara padyshim është Marjana Koçeku. Neomalësorja që një vit më parë kryesonte listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës ishte e para që “tradhtoi” Ramën duke postuar si fillim një flamingo ikonë në FB e deri mbrëmë kur u shfaq në mes të protestuesve si mbështetëse tashmë pa asnjë rezervë e atyre që thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”. Jo rastësisht, pas daljes së saj në krah të protestës, nuk kanë munguar përpjekjet për ta anatemuaar si një protagoniste të re që kërkon të rritet politikisht përballë Edi Ramës.

    Më herët kritika për Ramën dhe mbështetës të protestës kanë qenë dhe ish-ministrat Arta Dade dhe Ditmir Bushati. Ky i fundit publikoi dhe një ese të gjatë dhe të plotë për mënyrën si duhet reformuar Partia Socialiste. Të dy ish-drejtuesit e lartë të PS munguan dhe në festën e 35-vjetorit të PS.

    Artan Shkreli është një tjetër socialist që këtë herë është shfaqur si ambientalist në mbrojtje të natyrës. Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ramës, që nga koha kur ky i fundit bojatiste pallatet e Tiranës dhe deri para një viti drejtor i Institutit të Ndërtimit, zoti Shkreli ka dalë hapur kundër projektit të Zvërnecit, duke përfshirë në Revolucionin e Flamingove të bijën, Ana Shkrelin, si pjesëmarrëse aktive, dhe dhëndrin Belind Këlliçi më shumë si ekskursionist dhe postues të fotove të protestës.

    Por ai që ka qenë më aktiv në protestë është Paulin Luli. Ish-kandidat i PS për deputet në 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, këtë herë në protestë ka folur si emigrant nga Gjermania që kërkon ndryshimin e sistemit. Për Paulin Lulin disa nga deputetët e PS kanë postuar dhe video, ndërsa e kritikojnë për ndryshimin e qëndrimit.

    Në shesh sigurisht ka shumë të tjerë, anëtarë apo mbështetës të PS, që janë aty për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës. Jo më kot Edi Rama dje në mbledhjen e zgjatur me dyer të mbyllura të PS ka shprehur shqetësim për këtë kategori socialistësh që janë të pakënaqur me qeverinë dhe që këto ditë kanë zbritur në shesh, duke shënuar dhe një nga gjërat e rralla që ndodh me socialistët.

  • Tunizia përsëriti startin historik të Greqisë 1994, eliminim i hershëm në Botëror

    Tunizia përsëriti startin historik të Greqisë 1994, eliminim i hershëm në Botëror

    Tunisia ka përjetuar një nga nisjet më të vështira në historinë e saj në Kupën e Botës, duke u bërë skuadra e parë që nga Greqia në vitin 1994 që humb dy ndeshjet e para të fazës së grupeve me diferencë prej katër golash.

    Skuadra afrikano-veriore u mposht fillimisht 5-1 nga Suedia më 14 qershor, ndërsa më 20 qershor pësoi një tjetër disfatë të rëndë 4-0 ndaj Japonisë, në ndeshjen e 1,000-të në historinë e Kampionatit Botëror për meshkuj.

    Ky rezultat e rikthen kujtesën te Botërori i vitit 1994, kur Greqia u mposht 4-0 nga Argjentina dhe më pas 4-0 nga Bullgaria, duke regjistruar një nga startet më të dobëta në histori të turneut.

    Me zero pikë dhe një golavarazh -8, Tunizia është tashmë matematikisht e eliminuar pas vetëm dy ndeshjesh, pasi rregullat e përballjeve direkte dhe renditjes në grup nuk i lejojnë më të kapërcejë Suedinë në tabelë.

  • Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të japë dorëheqjen të hënën dhe të njoftojë një afat kohor për largimin e tij, raportoi “Observer”, ndërsa një burim qeveritar ka theksuar se ai mbetet i fokusuar në detyrat e tij qeveritare.

    Sipas raportimit, pozita e Starmer është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit dhe është përkeqësuar më tej pas zhvillimeve të së premtes, kur rivali i tij Andy Burnham fitoi një vend në parlament që do t’i hapte rrugën një gare të mundshme për drejtimin e Partisë Laburiste.

    Gazeta shkruan se Starmer ka diskutuar mundësinë e dorëheqjes me këshilltarët, ministrat e kabinetit, donatorët dhe përfaqësues të sindikatave, si edhe me familjen e tij në Chequers, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

    Megjithatë, burime brenda qeverisë thonë se ai vazhdon të kryejë detyrat e tij dhe nuk ka konfirmuar largimin.

    Sipas raportimeve, një numër i madh deputetësh të Partisë Laburiste kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij ose vendosjen e një afati të qartë për largim, ndërsa situata e brendshme në parti mbetet e tensionuar pas një periudhe të gjatë pakënaqësie politike dhe rënieje të mbështetjes publike.

  • ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot do të bëhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili për vite me radhë ishte në Listën e Personave të Zhdukur.

    Sipas njoftimit, identifikimi i tij është bërë përmes analizës shkencore të ADN-së, ndërsa rivarrimi do të realizohet në mbështetje të kërkesës së familjes.

    Ceremonia e rivarrimit do të mbahet në varrezat e fshatit Kodrali të Deçanit, duke filluar nga ora 16:00. Paraprakisht, nga ora 15:00, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë do të bëjnë homazhe te “Lapidari i Ri” në fshatin Kodrali.

    Organizimi i ceremonisë do të bëhet nga Shoqatat e dala nga lufta – Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Me këtë rast, Komisioni ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Pepaj, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e angazhimeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

  • Nga sot, këto tri shenja hyjnë në periudhën që e kanë pritur prej kohësh

    Nga sot, këto tri shenja hyjnë në periudhën që e kanë pritur prej kohësh

    Pas shumë durimi, sakrificash dhe pritjesh të gjata, më në fund vjen një fazë që mund t’u sjellë qetësi, para dhe stabilitet

    Ka periudha kur duket sikur përpjekja kalon pa u vënë re, sikur puna e ndershme merret si e mirëqenë dhe sikur shpërblimet përfundojnë gjithmonë në duart e të tjerëve. Megjithatë, sipas astrologjisë, nga 21 qershori tabloja energjetike ndryshon për tri shenja të Horoskopit, të cilat prej vitesh e kanë ndërtuar jetën e tyre hap pas hapi, pa rrugë të shkurtra dhe pa u mbështetur te rrethanat me fat.

    Për Virgjëreshat, Bricjapët dhe Gaforret nis një periudhë në të cilën më në fund mund të shohin rezultatet konkrete të gjithçkaje që kanë investuar, qoftë në punë, familje, financa apo marrëdhënie personale. Në vend të luftës së vazhdueshme dhe nevojës për t’u dëshmuar, para tyre hapet një fazë stabiliteti, lehtësimi dhe ndjesie se gjërat më në fund po vihen në vendin e duhur.

    Virgjëresha

    Virgjëreshat hyjnë në një periudhë që sjell më shumë paqe dhe siguri në jetën private. Shumë të lindur në këtë shenjë mund të zgjidhin çështje që i kanë rënduar për një kohë të gjatë, nga mosmarrëveshjet familjare deri te temat administrative dhe pronësore që kishin mbetur pezull.

    Ajo që do t’u vlejë më së shumti nuk është vetëm përfitimi financiar, por ndjenja se më në fund mund të marrin frymë lirshëm. Marrëdhëniet me njerëzit më të afërt bëhen më të qëndrueshme, komunikimi më i hapur, ndërsa atmosfera në shtëpi shumë më e këndshme se gjatë muajve të kaluar. Pas një periudhe të gjatë dhënieje dhe kujdesi për të tjerët, Virgjëreshat mund të ndiejnë se mbështetja dhe dashuria po u kthehen në mënyrën më të bukur të mundshme.

    Bricjapi

    Bricjapët janë ndër shenjat që rrallë presin që diçka t’u bjerë nga qielli. Ata janë mësuar të punojnë më shumë se të tjerët dhe t’i ndërtojnë rezultatet me durim. Pikërisht për këtë arsye, periudha pas 21 qershorit mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për ta.

    Janë të mundshme mundësi të reja në punë, të cilat sjellin të ardhura më të mëdha, avancim ose njohje për një angazhim që për një kohë të gjatë kishte mbetur në hije. Shumë Bricjapë më në fund do të marrin konfirmimin se përpjekja e tyre është vënë re. Situatat që i kanë ngadalësuar fillojnë të zbehen, ndërsa hapen dyer drejt projekteve që mund të sjellin stabilitet financiar afatgjatë.

    Gaforrja

    Gaforret hyjnë në një fazë në të cilën mund të ndiejnë frytet e durimit të tyre. Pas një periudhe gjatë së cilës shpesh u është dashur të luftojnë për çdo gjë të vogël, tani vjen koha kur rrethanat fillojnë të punojnë në favorin e tyre.

    Për disa, kjo mund të jetë zgjidhja e çështjeve të rëndësishme financiare; për të tjerë, investimi në pronë, një punë e re ose një mundësi që sjell më shumë siguri. Këmbëngulja dhe përgjegjësia e tyre më në fund dalin në pah, ndërsa ajo që kanë ndërtuar prej vitesh mund të fillojë të japë rezultate të prekshme.

    Si ta shfrytëzoni më mirë këtë periudhë?

    Astrologët theksojnë se mundësitë më shpesh u vijnë atyre që janë të gatshëm t’i njohin dhe t’i pranojnë. Prandaj është e rëndësishme të mos i injoroni thirrjet, ofertat dhe bisedat që mund të shfaqen gjatë javëve në vijim.

    Nëse prej kohësh po e shtyni një vendim të rëndësishëm, një hap profesional ose një bisedë të domosdoshme, pikërisht tani mund të jetë momenti i duhur për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, disiplina financiare mbetet e rëndësishme. Çdo e ardhur shtesë është më mirë të orientohet drejt sigurisë dhe planeve afatgjata sesa drejt shpenzimeve impulsive.


    Çfarë i lidh këto tri shenja?

    Edhe pse ndryshojnë nga njëra-tjetra për nga karakteri, Virgjëreshat, Bricjapët dhe Gaforret kanë një tipar të përbashkët: rrallë zgjedhin rrugën më të lehtë. Zakonisht ndërtojnë ngadalë, me durim dhe pa shumë zhurmë. Pikërisht për këtë arsye, periudha që nis më 21 qershor mund të përfaqësojë për ta një shpërblim simbolik për gjithçka që kanë dhënë e investuar ndër vite.

    Ndonjëherë pasuria më e madhe nuk është vetëm paraja. Ajo mund të jetë një gjumë i qetë, siguria në vendimet personale, mbështetja e familjes ose ndjenja se jeta më në fund po shkon në drejtimin që e keni shpresuar prej kohësh. Për këto tri shenja, pikërisht një periudhë e tillë sapo po fillon.