ATV

Blog

  • Tre pacientë me HIV në infektivë, njëri në gjendje të rëndë

    Tre pacientë me HIV në infektivë, njëri në gjendje të rëndë

    Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u paraqitën 17 raste.

    “Deri më 16.06.2026, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) janë raportuar gjithsej 17 raste me HIV/AIDS. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, janë raportuar 13 raste. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë raportuar 18 raste”, thuhet nga IKShPK.

    Aktualisht, në Klinikën Infektive, nga kjo sëmundje po marrin trajtim tre persona.

    “Aktualisht i kemi 3 pacientë të shtrirë në spital, njëri është në gjendje më të rëndë, ndërsa dy të tjerët janë më mirë”, shprehet Murat Mehmeti – shef i repartit në Klinikën Infektive.
    Me trendin aktual të këtij virusi, infektologu Murat Mehmeti konsideron se gjasat janë që këto shifra të shtohen dyfish.

    “Tre vitet e fundit është pak a shumë i njëjti trend në kuptimin e numrit të përgjithshëm të rasteve brenda vitit, por duke pasur parasysh që edhe vitin e kaluar i kemi pas rreth 27 raste të reja e tash jemi në mesin e vitit dhe deri tani kemi 15 raste, mundësi është që ky numër edhe të dyfishohet”, thotë Mehmeti.

    Viteve të kaluara, kishte pasur mungesë të medikamenteve të nevojshme për terapi kundër HIV/AIDS.

    Por këtë vit, Mehmeti thotë se qëndrojnë mirë.

    “Sa i përket barnave, qëndrojmë mirë, jemi të furnizuar mirë sa i përket barnave të cilat ne i trajtojmë këta pacientë, mirëpo siç e thash nëse sëmundja avancon shumë ose zbulohet me një fazë shumë të vonshme, përkundër terapisë është e vështirë që të mbijetojnë rastet e tilla”, shprehet ai.

    Sipas IKSHPK, numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara me HIV/AIDS në Kosovë ndër vite ka arritur në 269 raste.

    Nga këto, 60 janë raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it./Tëvë1/

  • “Grupe me grekë e serbë të infiltruar në protestë”, Rama reagon sërish për protestën në Tiranë

    “Grupe me grekë e serbë të infiltruar në protestë”, Rama reagon sërish për protestën në Tiranë

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i përket protestave në Tiranë.

    Ai ka ndarë një foto të nismëtarit Arben Kola, dhe me një shkrim poshtë saj ku ai citohet duke thënë për mediat: “Ka grupe greke dhe serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra”.

    Në postimin e tij në Facebook, Kryeministri shkruan: “Ouuu….. Po ky vetë? Avash avash, të gjithë do dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”.

  • Vazhdon puna në terren edhe gjatë fundjavës, realizohen tri ndërhyrje në  lagjen Arbëria të Prishtinës

    Vazhdon puna në terren edhe gjatë fundjavës, realizohen tri ndërhyrje në lagjen Arbëria të Prishtinës

    Drejtoria e Shërbimeve Publike ka njoftuar se puna në terren ka vazhduar edhe gjatë fundjavës, me disa ndërhyrje në lagjen Arbëria të Prishtinës.

    Sipas njoftimit, ekipet komunale kanë realizuar tri ndërhyrje në një rrugë të lagjes, duke pastruar hapësirat publike nga mbeturinat dhe duke i kthyer ato në sipërfaqe të gjelbëruara.

    Po ashtu, është bërë zhvendosja e kontejnerëve në lokacion më të përshtatshëm, me qëllim të përmirësimit të organizimit të hapësirave publike dhe shërbimeve për banorët.

    Ndërkohë, ekipet kanë intervenuar edhe në pusetat e dëmtuara që paraqisnin rrezik për qytetarët, si dhe në shtyllat e ndriçimit publik.

    Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është bërë e ditur se ky model i punës do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të lagjes Arbëria, si dhe në lagje të tjera të Kryeqytetit.

  • Kush është Andy Burnham, kryeministri i ardhshëm i mundshëm i Britanisë?

    Kush është Andy Burnham, kryeministri i ardhshëm i mundshëm i Britanisë?

    Andy Burnham ka kandiduar dy herë pa sukses për udhëheqjen e Partisë Laburiste në pushtet në Britani.

    Tani fitorja e tij vendimtare në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e vendos atë jo vetëm në prag të këtij qëllimi, por edhe të hyrjes në Downing Street si kryeministër.

    Burnham ka qenë për nëntë vjet kryetar bashkie i Manchesterit, ku ai kultivoi një imazh aktivizmi.

    Me një vend në Parlament që përfaqëson Makerfield , në Anglinë veriperëndimore, Burnham do të ketë nevojë për mbështetjen e 80 ligjvënësve të tjerë laburistë për të sfiduar lidershipin ndaj kryeministrit të vendit, Keir Starmer.

    Mbështetësit e shohin Burnham — i cili në Manchester fitoi nofkën “mbreti i Veriut” për mbrojtjen e zonës gjatë pandemisë Covid-19 — si shpëtimtarin e mundshëm të Partisë Laburiste kundër partisë populiste të krahut të djathtë Reform UK, të udhëhequr nga Nigel Farage.

    Burnham lindi në Liverpool në vitin 1970. Ai u rrit në Culcheth, një fshat në Cheshire jo shumë larg Makerfield.

    Me prejardhje irlandeze, ai ndoqi shkolla shtetërore katolike romake, shkruan New York Times.

    Burnham fitoi një vend për të studiuar anglisht në Universitetin e Cambridge dhe pas diplomimit, ndoqi një rrugë të njohur drejt famës politike, fillimisht si studiues për Tessa Jowell, një ligjvënëse në jug të Londrës, dhe më pas si këshilltar i sekretarit të atëhershëm të kulturës Chris Smith.

    Ndërsa ishte në Cambridge, ai takoi Marie-France Van Heel, e cila kishte lindur në Holandë, dhe më vonë ata u martuan dhe patën tre fëmijë.

    Pasi fitoi zgjedhjet në vitin 2001, duke përfaqësuar Leigh, një distrikt verior afër vendit ku u rrit, ai u bë ministër i ri në qeverinë e re laburiste të Tony Blair.

    Ai u ngrit në detyrë në kabinet nën Gordon Brown dhe shërbeu si sekretar kryesor i Thesarit, si sekretar për kulturën, median dhe sportin, dhe më pas si sekretar i shëndetësisë.

    Pasi Partia Laburiste humbi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2010, Burnham kandidoi për kryetar të partisë, duke u renditur i katërti.

    Në vitin 2015 ai u përpoq përsëri, vetëm për të humbur ndaj kandidatit të krahut të majtë Jeremy Corbyn, në ekipin e të cilit shërbeu më vonë.

    Në vitin 2017, Burnham u largua nga Parlamenti pasi vendosi se e ardhmja e tij ishte jashtë Westminsterit dhe u zgjodh kryetar bashkie i Manchesterit.

    Ndoshta kritika më e vazhdueshme e drejtuar kundër tij, është se ai është politikisht i ndryshueshëm.

    Gjatë një interviste të kohëve të fundit, Burnham tha se Britania kishte qenë “në rrugën e gabuar për 40 vjet”.

  • Dy të lënduar në një aksident trafiku në Prishtinë

    Dy të lënduar në një aksident trafiku në Prishtinë

    Një aksident trafiku i regjistruar mëngjesin e së dielës në Prishtinë ka lënë të lënduar dy persona.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00 në rrugën “Arbënor dhe Astrit Dehari”, ku janë përfshirë dy automjete.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se si pasojë e përplasjes dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    Pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore të trafikut, të cilat kanë kryer ekzaminimet fillestare dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve që çuan deri te aksidenti.

    Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

  • Starmer pritet që sot ta japë dorëheqjen e tij

    Starmer pritet që sot ta japë dorëheqjen e tij

    Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer është përballur me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen që nga fitorja e Andy Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield javën e kaluar.

    Gjatë gjithë fundjavës, politikanët e Partisë Laburiste qëndruan kryesisht në heshtje, duke e lënë kryeministrin të reflektojë mbi të ardhmen e tij politike në rezidencën zyrtare të Chequers, shkruan BBC.

    Sot pritet që kjo heshtje të marrë fund, pasi figura të larta të qeverisë presin që Starmer të njoftojë jo vetëm dorëheqjen e tij, por edhe një plan për transferimin e pushtetit te pasardhësi.

    Ende nuk është e qartë nëse ky proces do të zgjasë disa javë apo disa muaj. Edhe pse një garë për drejtimin e partisë mbetet e mundur, po shtohen zërat se mund të ketë një emërim pa rivalë, me Andy Burnham që shihet si favoriti kryesor. Ai pritet të betohet si deputet në Dhomën e Komunëve këtë pasdite.

    Nëse Mbretëria e Bashkuar merr një kryeministër të ri, ai do të ishte i pesti në katër vitet e fundit. Një kabinet i ri do të formohej dhe do të prezantohej një platformë e re politike. Partitë opozitare pritet të vënë në pikëpyetje nëse pasardhësi i Starmer gëzon një mandat të drejtpërdrejtë nga votuesit.

  • Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Zyrtari i lartë i OKB-së nis sot vizitën dyditore në Kosovë

    Nënsekretari i Përgjithshëm për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, do të vizitojë Kosovën sot dhe nesër.

    Lajmin e ka konfirmuar faqja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

    Gjatë vizitës së tij, Lacroix do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës, partnerë ndërkombëtarë, partnerë të shoqërisë civile dhe kolegë të tij nga UNMIK-u.

    Ai gjithashtu do të vizitojë vendet e projekteve të mbështetura nga OKB-ja.

    “Diskutimet do të përqendrohen në ruajtjen e paqes së Kombeve të Bashkuara, angazhimin shumëpalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pas Kosovës, ai do të udhëtojë për në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë si pjesë e vizitës së tij rajonale”, thuhet në njoftimin e faqes së UNMIK në Facebook.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 39 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 33 centë.

    Kurse çmimi i gazit është 0.67 centë.

  • Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

    Për të hyrë në operim në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, pacientët duhet të kalojnë muaj të tërë në listat e pritjes.

    Njëri prej tyre është Ismet Musa, i cili thotë se po përballet me dhimbje të forta e pavarësisht kësaj i është rekomanduar termin për ndërhyrje kirurgjikale.

    Në raportin e tij mjekësor shkruan se ai ka “hernie inguinale”, e njohur si kilë në ijë, por me gjithë se është në gjendje të rëndë, ai për operimin duhet të presë gjashtë muaj.

    “Kam shku në Emergjencë me dhimbje dhe më kanë thënë se brenda gjysmë ore duhet të futem në operacion. Kanë dashur të më fusin në operacion dhe kur i kam pyetur a do të ma vendosin rrjetën, më kanë thënë se duhet të shkoj në Kirurgji Abdominale. Kam shkuar, i kam bërë konsultat me mjekë, pesë mjekë më kanë kontrolluar dhe më kanë thënë se duhet të hyj në operacion, më së shumti brenda 10 ditësh. Kur shkova në Drejtori të Kirurgjisë Abdominale, më thanë se drejtori është në pushim dhe disa zëvendës të tij më thanë se duhet të pres 6 muaj”, ka thënë Musa.

    E për të pritur gjashtë muaj, ai thotë se e ka të pamundur, sepse dhimbjet e forta që i shfaqen në momente të caktuara janë të vështira për t’u përballuar.

    Musa thotë se nuk ka as mundësi financiare që t’i drejtohet sektorit privat.

    “Nuk është ky rast që pret 6 muaj. Po të ishte rast që pret 6 muaj, do të ishte normale, por nuk është rast që mund të presë njeriu 6 muaj për një operacion, sepse kam shumë dhimbje. Sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të operohem. Me një pagë veterani unë nuk mund të hyj privat, sepse kushton 700, 800 e deri në 1000 euro. Unë 204 euro i marr pension, çka me ba me to? Jam zhgënjyer shumë me Kirurgjinë Abdominale”, ka thënë ai.

    Pas rekomandimit që të presë me muaj, ai thotë se ka mbetur pa zgjidhje.

    KOHA ka biseduar edhe me pacientë të tjerë, të cilët kanë treguar se për t’iu nënshtruar operimit u është dashur të presin rreth pesë muaj. Ndërkaq, një pacient tjetër që gjatë javës së shkuar ka ardhur për të caktuar termin, ka thënë se është njoftuar nga personeli shëndetësor se termini mund t’i caktohet tek për në fillim të dhjetorit.

    KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për të mësuar arsyet e listave të pritjes në Kirurgjinë Abdominale por që nga e marta nuk ka marrë përgjigje.

  • Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Në këto zona do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se sot, më 22 qershor 2026, do të realizohen punime të planifikuara për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjetit energjetik në disa komuna të vendit.

    Si pasojë e këtyre punimeve, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zona të ndryshme të Prishtinës, Fushë Kosovës, Pejës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjakovës.

    Në rajonin e Prishtinës, pa energji do të mbesin fshatrat Koliq, Ballaban dhe Nishevc nga ora 10:00 deri në 15:30, ndërsa në kuadër të projekteve investive, ndërprerje do të ketë edhe në Prugovc, Lupq të Poshtëm, Vranidoll dhe Tenezhdoll nga ora 09:00 deri në 18:00.

    Ndërkaq, në Fushë Kosovë janë planifikuar ndërprerje të shkurtra në dy termine, nga ora 09:00 deri në 09:15 dhe nga ora 15:45 deri në 16:00, ndërsa disa pjesë të qytetit do të mbeten pa energji nga ora 09:00 deri në 16:00 për shkak të punimeve në rrjet dhe energjizimit të kabllove të reja.

    KEDS njofton se punime të ngjashme do të zhvillohen edhe në komuna të tjera, përfshirë Pejën, Prizrenin, Ferizajn dhe Gjakovën, ku ndërprerjet do të zgjasin kryesisht nga pesë deri në nëntë orë, varësisht nga natyra e punimeve.

    Sipas kompanisë, punimet po realizohen në kuadër të mirëmbajtjes preventive, eliminimit të defekteve të identifikuara gjatë inspektimeve me dron, si dhe zbatimit të projekteve investive për përmirësimin e rrjetit energjetik.

    KEDS u ka bërë thirrje konsumatorëve në zonat e prekura që të planifikojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e ndërprerjeve të paralajmëruara.