ATV

Blog

  • Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Për herë të parë në legjislaturën e 11-të, mblidhet sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës Mbledhja e thirrur nga kryetarja Albulena Haxhiu nis në orën 11:00, ku pritet të caktohet data e seancës së parë plenare.

    Kujtojmë se Kuvendi u shpall i konstituuar më 13 shtator, megjithëse Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo u bë pas afatit.

    Me konstituimin, kanë nisur të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, afat ky i fundit që skadon më 6 tetor.

    Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mesin e nëntorit, ndërsa pozita e nënkryetarit nga PDK-ja mbetet ende vakante.

  • Shqipëria kërkon reagimin ndaj Bjellorusisë, “Kuqezinjtë” synojnë startin pozitiv

    Shqipëria kërkon reagimin ndaj Bjellorusisë, “Kuqezinjtë” synojnë startin pozitiv

    Shqipëria nis këtë të shtunë një tjetër aventurë në Ligën e Kombeve, por këtë herë me një objektiv të qartë: të ndalë serinë negative dhe ta nisë garën me këmbën e mbarë.

    “Kuqezinjtë” do të përballen me Bjellorusinë, në një sfidë që vjen me presion të shtuar për skuadrën e drejtuar nga italiani Rolando Maran.

    Shqipëria hyn në këtë takim pas pesë humbjeve radhazi, seri e cila u thellua pas disfatës në miqësoren ndaj Luksemburgut në muajin qershor. Një tjetër humbje do ta barazonte serinë më negative të Kombëtares që nga viti 1997.

    Problemet janë shfaqur veçanërisht në repartin ofensiv. Shqipëria nuk ka arritur të shënojë në katër nga pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Rolando Maran ende është në pritje të golit të parë që nga marrja e drejtimit të Kombëtares. Italiani ka humbur dy ndeshjet e para në stolin kuqezi.

    Objektivi mbetet rikthimi në Ligën B, por për të bërë një hap drejt këtij synimi, Shqipëria duhet të reagojë që në sfidën e parë. Edhe bilanci i fundit në Tiranë nuk është në favor të kuqezinjve, të cilët kanë humbur tri ndeshjet e fundit në kryeqytet dhe nuk kanë shënuar asnjë gol.

    Në anën tjetër, Bjellorusia vjen me një seri dukshëm më pozitive. Edhe pse renditet 29 pozita më poshtë se Shqipëria në ranglistën e FIFA-s, skuadra bjelloruse nuk njeh humbje në gjashtë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri fitore dhe tri barazime.

    Katër prej këtyre ndeshjeve janë zhvilluar nën drejtimin e Viktor Gonsharenkos, me tri fitore dhe një barazim.

    Megjithatë, Bjellorusia ka edhe një pikë të dobët: mbrojtjen. Në 12 ndeshjet e fundit, ka arritur ta mbajë portën e paprekur vetëm në dy raste.

    Në favor të Shqipërisë flet edhe historia e përballjeve. “Kuqezinjtë” kanë fituar tri nga katër ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë, ndërsa njëra është mbyllur në barazim.

    Takimi i fundit mes tyre u zhvillua në nëntor të vitit 2020, kur Shqipëria triumfoi 3-2.

    Tani, në një tjetër kapitull, “Kuqezinjtë” kërkojnë reagimin dhe një start pozitiv në Ligën e Kombeve.

  • Zyrtare: Liridon Leci emërohet trajner i Vëllaznimit

    Zyrtare: Liridon Leci emërohet trajner i Vëllaznimit

    Vëllaznimi ka bërë një lëvizje të re në stolin e skuadrës, duke emëruar Liridon Lecin në postin e trajnerit.

    Klubi gjakovar e ka zyrtarizuar marrëveshjen përmes një njoftimi në faqet e veta, ndërsa nuk ka bërë të ditur kohëzgjatjen e kontratës së trajnerit të ri.

    Leci tashmë ka nisur punën me skuadrën dhe do të ketë për detyrë ta drejtojë Vëllaznimin në garën për objektivat e këtij edicioni.

    “Mirë se vjen, Leci!

    Mirëpresim në familjen kuqezi trajnerin Liridon Leci.

    Me respekt për fanellën, me përkushtim dhe me punë, nisim së bashku”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Vëllaznimi synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë pas gjashtë xhirove të zhvilluara.

    Skuadra nga Gjakova ka grumbulluar nëntë pikë, ndërsa pesë pikë e ndajnë nga lideri i tabelës, Dinamo e Ferizajt.

    Me ardhjen e Lecit në krye të ekipit, Vëllaznimi synon të nisë një kapitull të ri dhe të afrohet edhe më shumë me objektivin e rikthimit në Superligë.

  • Zyrtare: David Alaba transferohet te Udinese, bashkohet me Mërgim Vojvodën

    Zyrtare: David Alaba transferohet te Udinese, bashkohet me Mërgim Vojvodën

    David Alaba ka një destinacion të ri në karrierë. Mbrojtësi austriak është zyrtarisht futbollist i Udineses, pasi ka nënshkruar kontratë me klubin italian.

    Pas përfundimit të aventurës së tij me Real Madridin më 30 qershor 2026, Alaba mbeti pa klub dhe si lojtar i lirë ishte në kërkim të një sfide të re.

    Emri i tij gjatë kësaj vere ishte lidhur me disa klube, veçanërisht në Gjermani. Hamburger SV dhe Union Berlini ishin ndër skuadrat që kishin shfaqur interes për mbrojtësin, por në fund destinacioni i tij nuk do të jetë Bundesliga.

    Udinese ka zyrtarizuar transferimin e Alabës, i cili ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2027.

    Klubi italian e ka prezantuar austriakun si një futbollist me përvojë të madhe, aftësi lidershipi dhe një karrierë të ndërtuar në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    “David Alaba është lojtar i ri i Udineses. Përvojë, lidership dhe një karrierë në nivelin më të lartë të futbollit botëror. Mirë se vini në Udine, David!”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Transferimi në Serie A do të jetë një kapitull i ri për Alabën, i cili gjatë karrierës së tij ka fituar trofe të shumtë dhe ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Në Udinese, Alaba do të ketë mundësinë të luajë edhe përkrah një futbollisti të Kombëtares së Kosovës. Bëhet fjalë për Mërgim Vojvodën, i cili iu bashkua klubit italian këtë verë pas largimit nga Como.

    Kështu, Udinese bëhet aventura e radhës për një prej mbrojtësve më të njohur të futbollit austriak.

  • “Dardanët” gati për Irlandën, Kosova mbyll përgatitjet para sfidës në “Fadil Vokrri”

    “Dardanët” gati për Irlandën, Kosova mbyll përgatitjet para sfidës në “Fadil Vokrri”

    Gjithçka është gati për përballjen e shumëpritur mes Kosovës dhe Irlandës. “Dardanët” kanë zhvilluar sot në orët e paradites stërvitjen e fundit para ndeshjes së Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

    Seanca e fundit përgatitore është zhvilluar me intensitet të kontrolluar, pasi fokusi nuk ishte te ngarkesa fizike, por te detajet taktike që mund të jenë vendimtare në duelin e mbrëmjes.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar minutat e fundit në fushë për t’ua përcjellë futbollistëve udhëzimet përfundimtare dhe për të punuar në skemat që Kosova pritet t’i aplikojë ndaj përfaqësueses irlandeze.

    Me përfundimin e kësaj seance, përgatitjet kanë hyrë zyrtarisht në fazën finale. Tani nuk ka më kohë për eksperimente – vëmendja e të gjithëve është te ndeshja dhe te atmosfera që pritet të krijohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Kosova do ta nisë sonte një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, këtë herë ndaj Irlandës, në kuadër të Grupit B3.

    Takimi zhvillohet në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45, ndërsa “Dardanët” synojnë ta shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e tifozëve për ta nisur me rezultat pozitiv këtë kampanjë.

    Topi tashmë është gati. “Fadil Vokrri” po pret dhe gjithçka do të vendoset në fushë.

  • Prangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

    Prangoset zyrtari në Rahovec, merrte deri në 500 euro ryshfet nga bizneset

    Një person është arrestuar në Rahovec, nën dyshimin se u ka kërkuar dhe marrë ryshfet pronarëve të bizneseve, në këmbim të moskontrollimit të lokaleve të tyre apo shmangies së ndëshkimeve.

    Rasti është zbuluar pasi Policia e Kosovës kishte pranuar informacione se i dyshuari, në periudha të ndryshme kohore, u kishte kërkuar ryshfet bizneseve. Pas pranimit të informacionit, Policia ka nisur menjëherë trajtimin e rastit.

    Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi se i dyshuari ka pranuar ryshfet në shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste të ndara, nga pronarë biznesesh.

    “Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’ neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Të enjten, Policia ka kontrolluar edhe ambientin e punës, si dhe veturat të cilat i dyshuari i kishte nën shfrytëzim.

    “Të gjitha veprimet hetimore policore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga i njëjti është sekuestruar një telefon celular”.

  • Joshua–Fury më në fund bëhet realitet, dy britanikët përballen në dhjetor

    Joshua–Fury më në fund bëhet realitet, dy britanikët përballen në dhjetor

    Pas më shumë se një dekade pritjeje, Anthony Joshua dhe Tyson Fury më në fund pritet të përballen mes vete në ring. Dy prej emrave më të mëdhenj të boksit britanik kanë caktuar duelin e shumëpritur për 11 dhjetor, me Cardiffin si vendin ku pritet të zhvillohet kjo përballje spektakolare.

    Joshua dhe Fury kanë qenë në rrugë për t’u takuar që prej vitesh, por për arsye të ndryshme dueli mes tyre është shtyrë vazhdimisht. Tani, megjithatë, marrëveshja është arritur dhe dy ish-kampionët e botës pritet të zbresin më në fund në të njëjtin ring.

    Fillimisht ishte paraparë që përballja të zhvillohej në Britani, me stadiumin “Wembley” si një nga opsionet kryesore. Megjithatë, transmetuesi Netflix kishte shqetësime për orarin e duelit për audiencën amerikane, duke bërë që të shqyrtoheshin edhe mundësi të tjera, përfshirë Las Vegasin, Los Angelesin dhe Madison Square Garden në Nju Jork.

    Të dy boksierët pritet të kenë përfitime të mëdha financiare nga kjo përballje, me rreth 87 milionë euro për secilin.

    Joshua dhe Fury e kanë mbajtur veten aktivë para duelit. Në muajin korrik, Fury mposhti Mariusz Wachun me nokaut teknik në raundin e shtatë në Tajlandë, ndërsa Joshua triumfoi ndaj Kristian Prengës, duke e rrëzuar dy herë dhe më pas duke e mbyllur duelin me nokaut në raundin e dytë.

    Pas këtyre fitoreve, tifozët pritën vetëm zyrtarizimin e duelit. Pas disa vonesave, ai u konfirmua nga Turki Al-Sheikh përmes rrjeteve sociale.

    Kjo përballje shihet si fundi i një sage të gjatë mes dy superyjeve britanikë. Në vitin 2021, Fury dhe Joshua ishin në majën e kategorisë së rëndë dhe së bashku mbanin katër titujt kryesorë botërorë.

    Atëherë ishin planifikuar edhe dy përballje mes tyre, por marrëveshja dështoi pasi Fury u urdhërua të përballej për herë të tretë me Deontay Wilder.

    Tani, pas vitesh pritjeje, Joshua dhe Fury janë më pranë se kurrë për ta zgjidhur në ring rivalitetin që ka mbajtur pezull botën e boksit britanik.

  • GJKKO lë në fuqi arrestin në shtëpi për Vlora Hysenin

    GJKKO lë në fuqi arrestin në shtëpi për Vlora Hysenin

    Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

    Hyseni u paraqit këtë të enjte në GJKKO, ku u njoh me masën e sigurisë të caktuar ndaj saj në kuadër të procedimit penal nr. 20/1.

    Para hyrjes në ambientet e GJKKO-së, ajo pati edhe një përplasje verbale me gazetarët, duke bërë një deklaratë lidhur me pretendime për takime me agjentë serbë.

    Me vendimin e 21 shtatorit, GJKKO caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

  • Donjeta Sadiku ndalet në gjysmëfinale, por siguron medalje në Evropian

    Donjeta Sadiku ndalet në gjysmëfinale, por siguron medalje në Evropian

    Donjeta Sadiku nuk ka arritur të kualifikohet në finalen e Kampionatit Evropian të boksit amator, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, por megjithatë e mbyll garimin me një medalje të rëndësishme.

    Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u përball në gjysmëfinale me përfaqësuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova. Pas një dueli të luftuar, gjyqtarët vendosën në favor të boksieres serbe me rezultat 4:1.

    Kjo ishte një përballje që kishte edhe një histori të afërt mes dy boksierëve. Sadiku dhe Kuluhova ishin takuar edhe në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku triumfi i kishte takuar boksieres kosovare. Kësaj radhe, fitorja i takoi Kuluhovës.

    Pavarësisht humbjes në gjysmëfinale, paraqitja e Sadikut në Sofje ka qenë e mjaftueshme për t’i siguruar asaj vend në podium dhe medaljen e bronztë të Kampionatit Evropian.

    27-vjeçarja e kishte siguruar medaljen një ditë më herët, pas fitores në çerekfinale ndaj boksieres holandeze, Maud van der Toorn.

    Kështu, aventura e Donjeta Sadikut në këtë Evropian përfundon me medalje. Edhe pse nuk arriti të prekë finalen, boksierja kosovare largohet nga Sofja me një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare dhe me një medalje të bronztë për Kosovën.

  • Kosova në hendboll nis përgatitjet, Shoshtariqi zhvillon stërvitjen e parë me Kombëtaren A

    Kosova në hendboll nis përgatitjet, Shoshtariqi zhvillon stërvitjen e parë me Kombëtaren A

    Kombëtarja A e Kosovës në hendboll për femra ka nisur përgatitjet për sfidat e ardhshme ndërkombëtare. “Dardanet” janë grumbulluar të mërkurën për kampin përgatitor, ndërsa stërvitja e parë është zhvilluar në mbrëmje në palestrën sportive në Lipjan.

    Seanca e parë është drejtuar nga përzgjedhësi i ri, Nenad Shoshtariq, i cili për herë të parë ka pasur në dispozicion grupin e plotë të lojtareve më të mira të Kombëtares A.

    Në stërvitjen e parë, fokusi ishte te përgatitja dhe puna në elemente të ndryshme të lojës, ndërsa trajneri Shoshtariq ka nisur gradualisht të zbatojë idetë dhe sistemin që synon ta aplikojë me përfaqësuesen e Kosovës.

    Atmosfera gjatë seancës së parë ishte pozitive dhe puna u zhvillua me intensitet të mirë. Lojtaret iu përgjigjën kërkesave të përzgjedhësit, duke dhënë maksimumin në këtë fazë të parë të përgatitjeve.

    Kampi do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Të enjten janë të planifikuara dy seanca stërvitore, ndërsa grumbullimi do të zgjasë deri në fundjavë.

    Përfaqësuesja e Kosovës po përgatitet për një sfidë të rëndësishme që e pret muajin e ardhshëm. “Dardanet” do të përballen me Estoninë në dy ndeshje, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit 2027.

    Këto përballje do të jenë ndër testet e para të rëndësishme për Shoshtariqin në krye të Kombëtares së Kosovës dhe një mundësi për ekipin që të tregojë rezultatet e punës së nisur gjatë këtij kampi.