ATV

Blog

  • AUV-i heq një seri të qumështit VITA nga tregu shkaku i tejkalimit të nivelit të aflatoksinës M1

    AUV-i heq një seri të qumështit VITA nga tregu shkaku i tejkalimit të nivelit të aflatoksinës M1

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se është hequr nga tregu një seri e qumështit VITA 3.2%, sepse tejkalon nivelin e lejuar të aflatoksinës M1. 

    Sipas një njoftimi të AUV-it, kjo seri e qumështit VITA është hequr pas aanalizave të kryera në Austri dhe Kosovë.

    Agjencia e Ushqimit dhe ßVeterinarisë (AUV) njofton se analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar në një seri të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA). Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje: Produkti: VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë, Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), Paketimi: 1 litër, Data e prodhimit: 18.07.2026, Afati i përdorimit: 18.01.2027”, thuhet në njoftimin e AUV-it me specifikat e këtij qumështi që është hequr nga tregu.

  • Grabitje e armatosur në Gjakovë: Të shtëna me armë zjarri në një lokal, plagoset një person

    Grabitje e armatosur në Gjakovë: Të shtëna me armë zjarri në një lokal, plagoset një person

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Gjakovë, ku një grabitje e armatosur është përcjellë me të shtëna me armë zjarri, duke lënë të lënduar një person.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    Sipas saj, informacioni është pranuar rreth orës 17:00, për një grabitje në një objekt afarist në rrugën “Sylejman Hadum Aga”.

    “Rreth orës 17:00, Policia ka pranuar informacion përmes linjës zyrtare telefonike lidhur me një grabitje të ndodhur në një objekt afarist, në rrugën ‘Sylejman Hadum Aga’ në Gjakovë, gjatë së cilës kishte të shtëna me armë zjarri ku si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ajo bëri të ditur se njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

  • Një muaj paraburgim ndaj ish-ministrit Haraqija dhe pesë të dyshuarve tjerë

    Një muaj paraburgim ndaj ish-ministrit Haraqija dhe pesë të dyshuarve tjerë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.

    Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se masa e paraburgimit u caktua nën dyshimin se gjashtë të pandehurit kanë kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, si dhe të pandehurit Haraqija edhe për armëmbajtje pa leje.

    Aktvendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

    Në seancë dëgjimore, prokurori Arben Hoti ka thënë se qëndron pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se hetimet e nisura në prill 2026 zbuluan se grupi i organizuar kriminal udhëhiqej nga Jeton Stanovci i njohur si “Daja”.

    Prokurori thuhet se deklaroi që grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej përmes Gëzim Fekës, Arijanit Beqirit dhe Albert Krasniqit, i cili thuhet se zëvendësoi Beqirin për shkak të dyshimeve të ngritura nga lideri i grupit.

    Hoti ka thënë se furnizimet dhe barazimet financiare bëheshin në baza javore nën evidencën e rregullt të Jetonit, ndërsa paratë dërgoheshin përmes anëtarëve të grupit ose të pandehurës Xhemajli-Ramadani.

    Në vendim thuhet se i pandehuri Jeton Stanovci ka kundërshtur kërkesën për paraburgim, duke thënë se në 4-5 pronat e tij, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

    Edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në lokacionet e të mbrojturit të tij.

    Kërkesën për paraburgim e kundërshtoi edhe i pandehuri Gëzim Feka dhe mbrojtësi i tij, avokati Besim Abdullahu. Ky i fundit tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se nuk specifikohen veprimet individuale të të pandehurit.

    Në anën tjetër, Arjanit Beqiri thuhet se deklaroi se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim dhe premton se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës. E avokati i tij, Blerim Hertica tha se kërkesa për paraburgim është e tepruar dhe e pabazuar.

    Edhe e pandehura Albana Xhemajli-Ramadani dhe avokati i saj Driton Musliu kundërshtuan kërkesën për paraburgim. Avokati tha se kjo masë është e padrejtë, jashtëzakonisht e rëndë dhe pa mbështetje ligjore në raport me veprimet e të mbrojturës së tij.

    Kurse, Astrit Haraqija deklaroi se e kundërshton plotësisht kërkesën për paraburgim, duke theksuar se në të kaluarën i është përgjigjur gjithmonë ftesave të gjykatës dhe Policisë, duke premtuar se do t’i përgjigjet edhe në të ardhmen, duke shtuar se është 54-vjeç. Për armën, ka thënë se i ka skaduar leja.

    Edhe avokati i tij, Korab Bokshi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë duke thënë se nuk i përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e saj. Propozoi që kërkesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar ose eventualisht t’i caktohet ndonjë masë më e butë alternative e paraparë me KPPRK.

    I pandehuri Alban Maloku kundërshtoi po ashtu kërkesën për paraburgim dhe kërkoi masë më të lehtë alternative. Premtoi se nuk do t’i pengojë hetimet, nuk do të ndikojë e as nuk do të largohet nga Kosova, duke përmendur se do t’i përgjigjet ftesave të autoriteteve.

    Avokati i tij, Ilir Ramaj po ashtu kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se është e përgjithshme dhe nuk specifikon veprimet individuale të të mbrojturit të tij.

    Por, Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se masat tjera alternative nuk konsiderohen të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

  • Ademi u bën thirrje yjeve shqiptarë në diasporë: Nëse nuk e zgjedhin Kosovën, le të luajnë për Shqipërinë

    Ademi u bën thirrje yjeve shqiptarë në diasporë: Nëse nuk e zgjedhin Kosovën, le të luajnë për Shqipërinë

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, u ka bërë thirrje futbollistëve shqiptarë që luajnë në diasporë që në nivel ndërkombëtar të përfaqësojnë Kosovën ose Shqipërinë.

    Në një intervistë të gjatë për “albinfo.ch”, Ademi ka folur për mënyrën se si po punohet për të bindur talentet shqiptare që ta zgjedhin Kosovën, duke shprehur bindjen se rezultatet dhe suksesi i futbollit kosovar janë vetëm çështje kohe.

    Gjatë intervistës, kreu i FFK-së përcolli edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për futbollistët e rinj me prejardhje shqiptare, duke theksuar se zgjedhja e përfaqësueses duhet të bëhet mbi bazën e ndjenjës dhe përkatësisë.

    “Çdo shqiptar duhet të luajë aty ku i rreh zemra. Natyrisht, ne dëshirojmë që futbollistët ta zgjedhin Kosovën, por nëse nuk vijnë te ne, le të luajnë për Shqipërinë”, deklaroi Ademi.

    Ai nënvizoi se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta shohin njëra-tjetrën si kundërshtare në garën për talentet shqiptare, por si dy përfaqësuese që kanë një pasuri të përbashkët.

    “Kemi dy kombëtare dhe shumë talente. Nuk ka arsye që këtë ta shohim si rivalitet negativ. Përkundrazi, është një pasuri e përbashkët”.

    “Futbollistët që rriten në Zvicër apo Gjermani kanë mundësi të përfaqësojnë edhe vendet ku janë zhvilluar. Por është e rëndësishme që talentet shqiptare të kenë perspektivë edhe te Kosova dhe Shqipëria”, shtoi ai.

    Ndërkohë, vëmendja e futbollit kosovar është përqendruar te ndeshja e së martës ndaj Irlandës, e cila është vendimtare për të ardhmen e “Dardanëve” në Ligën e Kombeve.

    Kosovës i mjafton një pikë në këtë përballje për të siguruar pjesëmarrjen në play-off për ngjitje në Ligën A, si dhe vendosjen në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian “Euro 2028”.

  • Rasti i 26-vjeçares që vdiq pasi iu keqësua gjendja gjatë intervistimit në stacion, Policia dhe Prokuroria japin detaje

    Rasti i 26-vjeçares që vdiq pasi iu keqësua gjendja gjatë intervistimit në stacion, Policia dhe Prokuroria japin detaje

    Policia e Kosovës në bashkëpin me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë dalë me një sqarim lidhur me vdekjen e 26-vjeçares, e cila ndërroi jetë në spitalin e Prizrenit, pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa po intervistohej nga policia.

    Sipas njoftimit të Policisë e Prokurorisë, 26-vjeçarja ishte ndaluar më 15 nëntor në Vërmicë, së bashku me një person tjetër, gjatë një operacioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

    “Ata po udhëtonin me një veturë të tipit BMW me targa lokale, ku gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë të dyshuar si kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë. Pas ndalimit, me urdhër të prokurorit është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku është gjetur dhe konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave”.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarve u është caktuar avokati mbrojtës dhe se, gjatë fillimit të intervistimit të saj në prani të avokatit, 26-vjeçares i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

    “Për të është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas dhënies së ndihmës së parë në vendngjarje, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm. Megjithatë, rreth orës 01:30, policia është njoftuar nga mjekët se e dyshuara kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse hetimore, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kujdestar.

    “Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore dhe sigurimit të dokumentacionit mjekësor”.

  • Presidentja Shiroka Pula në 10-vjetorin e NALT-it: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik i Kosovës

    Presidentja Shiroka Pula në 10-vjetorin e NALT-it: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik i Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në ceremoninë e dhjetëvjetorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT).

    Me këtë rast, Presidentja Shiroka Pula theksoi se NATO ka një vend të veçantë në historinë e Kosovës, duke rikujtuar kontributin e saj vendimtar në çlirimin e vendit më 1999, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye. Ajo shprehu mirënjohjen e përhershme për këtë kontribut historik dhe nënvizoi se NATO mbetet simbol i lirisë dhe sigurisë së Kosovës.

    Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të Kosovës, ndërsa ambicia e vendit është zhvillimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që ushtarët e saj një ditë të qëndrojnë krah për krah me ushtarët e vendeve aleate, duke kontribuar në sigurinë dhe paqen e përbashkët.

    Ajo vlerësoi lart kontributin dhjetëvjeçar të NALT-it në mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale, strukturave institucionale, mbikëqyrjes demokratike dhe menaxhimit të emergjencave.

    Në përmbyllje, Presidentja Shiroka Pula falënderoi gjeneralin Borghoff dhe të gjithë pjesëtarët e NALT-it për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke i uruar për dhjetëvjetorin e themelimit të këtij ekipi.

  • Zyrtare: Romelu Lukaku pensionohet nga Kombëtarja e Belgjikës pas 16 vitesh

    Zyrtare: Romelu Lukaku pensionohet nga Kombëtarja e Belgjikës pas 16 vitesh

    Romelu Lukaku ka marrë vendimin për t’i dhënë fund aventurës së tij me Kombëtaren e Belgjikës, duke njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar në moshën 33-vjeçare.

    Sulmuesi i Fenerbahces e bëri publik vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kujtoi rrugëtimin 16-vjeçar me fanellën e përfaqësueses belge dhe emocionet e përjetuara gjatë kësaj periudhe.

    “16 vjet. Gjatë këtyre 16 viteve i dhashë gjithçka Kombëtares. Përjetova çdo emocion të mundshëm”, shkroi Lukaku.

    Në mesazhin e tij lamtumirës, sulmuesi belg shprehu mirënjohjen për bashkëlojtarët me të cilët ndau këtë rrugëtim, trajnerët që i besuan dhe tifozët që e mbështetën vazhdimisht.

    “Kam luajtur me bashkëlojtarë të jashtëzakonshëm, për të cilët do të jem gjithmonë mirënjohës. Dua t’i falënderoj të gjithë, si dhe trajnerët që më shtynë përpara dhe më besuan për ta ndihmuar ekipin. Ishte një rrugëtim i bukur dhe e shijova çdo moment”, deklaroi ai.

    Lukaku nuk harroi as tifozët belgë, të cilëve iu drejtua me një falënderim të veçantë për mbështetjen ndër vite.

    “Për tifozët belgë, faleminderit për mbështetjen që i keni dhënë ekipit tonë. Jam krenar që e kam përfaqësuar vendin tim në katër Botërore dhe tri Evropiane”.

    “Unë kurrë nuk do t’i harroj ato momente. Jam i qetë me vendimin tim për t’u ndalur këtu. Ishte e mrekullueshme, e bukur dhe jam mirënjohës. Faleminderit”, përfundoi sulmuesi.

    Lukaku largohet nga Kombëtarja e Belgjikës si golashënuesi më i mirë në historinë e saj, me 95 gola të realizuar në 134 paraqitje, si dhe 16 asistime në fanellën e përfaqësueses.

  • Mustafa: Qeveria e Kosovës pranoi se ka blerë energji elektrike nga Serbia, qytetarët meritojnë përgjigje për dimrin

    Mustafa: Qeveria e Kosovës pranoi se ka blerë energji elektrike nga Serbia, qytetarët meritojnë përgjigje për dimrin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndalur blerjen e energjisë elektrike nga Serbia, duke thënë se ky zhvillim dëshmon se miliona euro të qytetarëve të Kosovës kanë përfunduar në Serbi.

    Përmes një postimi, Mustafa ka deklaruar se Qeveria deri më tani e kishte mohuar këtë praktikë, ndërsa tani, sipas tij, vetë ka dëshmuar se ajo ka ekzistuar.

    Ai ka theksuar se vendimi për ndalimin e kësaj praktike nuk e liron Qeverinë nga përgjegjësia për t’u dhënë qytetarëve sqarime për çështjet që lidhen me furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit.

    Mustafa ka ngritur shqetësimin për situatën energjetike në vend, duke kërkuar përgjigje se si do të përballen qytetarët me dimrin, të cilin edhe vetë Qeveria po e paralajmëron si të vështirë.

    Ai ka kërkuar sqarime nëse do të ketë reduktime të energjisë elektrike, sa do të zgjasin ato dhe nëse qytetarët duhet të presin rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë.

    Deputeti i PDK-së ka vënë në pikëpyetje edhe planin e Qeverisë për përballimin e sezonit dimëror, duke theksuar se as kapacitetet ekzistuese prodhuese të KEK-ut nuk janë në dispozicion me kapacitet të plotë.

    Në fund, Mustafa ka kërkuar nga Qeveria transparencë dhe përgjegjësi përpara qytetarëve, të cilët presin të dinë se çfarë i pret gjatë muajve të dimrit.

  • Rama reagon ashpër pas anulimit të takimit për “Prishtina 2030”, kërkon llogaridhënie nga Kurti dhe Qeveria

    Rama reagon ashpër pas anulimit të takimit për “Prishtina 2030”, kërkon llogaridhënie nga Kurti dhe Qeveria

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me tone të ashpra pas anulimit të takimit në Athinë lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës.

    Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditura arsyet që, sipas njoftimit zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës, çuan në anulimin e takimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

    Ndër arsyet e përmendura janë mungesa e përgjigjeve, mosrealizimi i obligimeve të kërkuara, si dhe moskonfirmimi me kohë i delegacionit brenda afatit të përcaktuar.

    Kreu i Prishtinës ka shprehur shqetësimin për këtë zhvillim, duke vlerësuar se takimi në Athinë përbënte një nga mundësitë e fundit për të ndërmarrë hapa konkretë në mënyrë që të mos vihej në rrezik organizimi i kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive në Kosovë.

    “Pas të gjitha paralajmërimeve, tani anulohet edhe takimi ku duhej të bëheshin përpjekjet e fundit për të mos ua humbur qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, ka shkruar Rama.

    Ai e ka përmbyllur reagimin me kritika të ashpra ndaj institucioneve të vendit.

    “Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë!”, ka përfunduar Rama.

    Situata mbetet shqetësuese për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet e Kosovës do të ndërmarrin hapa për të tejkaluar këtë situatë dhe për të shmangur rrezikimin e organizimit të tyre.

  • Rizvanolli tregon arsyet e vendimit për ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe

    Rizvanolli tregon arsyet e vendimit për ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërmasë ndaj bllokimit të linjave të transmetimit nga Serbia, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencwn për media pas mbledhjes së Qeverisw, Rizvanolli ka shpjeguar se bllokimi i linjave të transmetimit nga Serbia, që nga 14 dhjetori i vitit 2020, i ka shkaktuar Kosovës dëme të konsiderueshme financiare dhe ka rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

    Ajo ka përmendur vitin 2024 si një nga periudhat kur pasojat e këtij bllokimi kanë qenë më të dukshme, për shkak të rritjes së çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare dhe kostove për Kosovën.

    “Që nga data 14 dhjetor i vitit 2020, kur Kosova është e pavarësuar nga blloku energjetik me Serbinë dhe funksionon si bllok rregullues i pavarur në kuadër të bllokut Shqipëri-Kosovë, Serbia ka bllokuar linjat e transmetimit me Kosovën për alokim komercial dhe tregtim. Kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për Kosovën, duke përfshirë këtu dëmet financiare, mirëpo edhe rrezikun e furnizimit me energji elektrike në disa raste”, ka deklaruar Rizvanolli.

    Ministrja ka theksuar se kërkesa e Kosovës për lirimin e linjave nuk lidhet me dëshirën për të importuar energji elektrike nga Serbia, por me mundësinë e shfrytëzimit të tyre për tranzit të energjisë nga shtetet e tjera.

    “Ne nuk e duam lirimin e linjave me Serbinë për shkak se dëshirojmë të importojmë energji elektrike nga Serbia, mirëpo bllokimi i linjave nga Serbia do të thotë që ato janë të pashfrytëzueshme për ne për tranzit. Kjo do të thotë që energjia elektrike nga shtetet e tjera nuk mund të vijë përmes këtyre linjave, duke përfshirë këtu edhe faktin që vështirësohet shumë ose pamundësohet sjellja e energjisë nga bursa e HUPX-it, që është një ndër bursat më likuide të rajonit”, ka thënë ajo.

    Rizvanolli ka bërë të ditur se pas ankesës zyrtare të KOSTT-it në vitin 2021 në Komunitetin e Energjisë, Këshilli i Ministrave i këtij komuniteti, në dhjetor të vitit 2025, ka konstatuar shkeljen e traktatit nga ana e Serbisë dhe e ka obliguar atë që deri më 1 korrik 2026 t’i lirojë linjat për tregtim.

    Megjithatë, sipas saj, Serbia nuk e ka zbatuar këtë vendim deri në afatin e përcaktuar.

    “Pas shumë përpjekjeve tona dhe pas një ankese zyrtare që KOSTT-i ka bërë në vitin 2021 në Komunitetin e Energjisë, më në fund Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, në dhjetor të vitit 2025, e ka konstatuar, e ka vërtetuar këtë shkelje të traktatit dhe të acquis-së nga ana e Serbisë dhe e ka detyruar Serbinë që deri më 1 korrik të vitit 2026 t’i lirojë linjat për tregtim. Asgjë nuk ka ndodhur deri më 1 korrik”, ka deklaruar Rizvanolli.

    Ministrja ka treguar se më 11 nëntor i është drejtuar ministres së Ndërmarrësisë, Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, me kërkesën që të shqyrtohej mundësia e marrjes së masave tregtare si kundërmasa ndaj Serbisë për bllokimin e linjave.

    Ajo ka falënderuar Kusari-Lilën për reagimin e shpejtë, duke theksuar se vendimi i sotëm është propozuar pas shqyrtimit të dokumentacionit të ofruar, përfshirë raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it.

    “Për këtë arsye, më 11 nëntor i jam drejtuar ministres së Ndërmarrësisë, Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit, zonjës Mimoza Kusari-Lila, që ta shqyrtojë këtë çështje dhe masat tregtare si kundërmasa ndaj Serbisë për shkak të bllokimit të linjave. Falënderoj ministren për reagimin e saj të shpejtë, që pas shqyrtimit të dokumentacionit që ia kemi ofruar, duke përfshirë këtu edhe raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it, sot ka propozuar vendimin që e morëm, pra që ndalohet tregtimi i energjisë elektrike me kompani serbe”, ka deklaruar Rizvanolli.

    Në fund, ministrja ka sqaruar se vendimi përfshin jo vetëm kompanitë serbe, por edhe kompanitë që kanë kompani amë serbe, aksionarë apo lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me shtetas serbë.