ATV

Blog

  • Administrimi i drejtësisë, Prokuroria kërkon që Thaçit t’i mos llogaritet koha e kaluar në paraburgim, do gjashtë vjet shtesë burg

    Administrimi i drejtësisë, Prokuroria kërkon që Thaçit t’i mos llogaritet koha e kaluar në paraburgim, do gjashtë vjet shtesë burg

    Prokuroria e Specializuar e Hagës po kërkon rëndimin e rrethanave të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. ZPS, në dosjen e saj finale në rastin “12” për pengim të drejtësisë, ka kërkuar që Thaçit të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Sipas organit të akuzës në Hagë, periudha e kaluar në ndalim, Thaçit mund t’i llogaritet vetëm në rastin “06”, aty ku ai u dënua me 25 vjet heqje lirie.

    “Sipas Rregullës 163(6), të gjithë të akuzuarit kanë të drejtë që t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim para dënimit. Megjithatë, THAÇI aktualisht mbahet në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta që janë në fuqi: (i) që nga nëntori 2020 në Çështjen 6; 1463 dhe (ii) që nga nëntori 2024 në procedurën aktuale. Situata të tilla nuk janë të pazakonta para tribunaleve të tjera, të cilat ndodhen në rrethana të ngjashme, ku një i akuzuar ngarkohet veçmas për pengimin e procedurave themelore kundër tij”.

    “Dhoma e Apelit në çështjen Bemba et al. konfirmoi se, “në rrethanat kur një i akuzuar ka kaluar kohë në paraburgim si rezultat i fletarrestimeve të lëshuara në çështje të ndryshme, koha e kaluar në paraburgim mund të merret parasysh vetëm një herë.” Në mënyrë logjike, kjo qasje është e nevojshme për të përmbushur qëllimin kryesor të parandalimit. Asnjë i akuzuar nuk do të dekurajohej nga përfshirja në veprime penguese, nëse do ta dinte se koha e kaluar në paraburgim përfundimisht do t’i zbritej nga dënimi i tij si në çështjen kryesore, ashtu edhe në procedurat për pengim”.

    “Prandaj, duke qenë se gjatë tërë këtyre procedurave THAÇI ka qenë gjithashtu i paraburgosur në lidhje me akuzat në Çështjen 6, çdo kreditim për kohën e kaluar në paraburgim duhet të zbritet vetëm nga dënimi i tij në atë çështje”, thotë Prokuroria në kërkesën e saj drejtuar Gjyqtarit vendimmarrës në çështjen 12.

    DOKUMENT:

    Për Hashim Thaçin, në çështjen 12, Prokuroria e Speciales ka kërkuar gjashtë vjet burg. Në një skenar çfare po kërkon ZPS, të mos llogaritet koha e kaluar në paraburgim, bashkë me dënimin në çështjen “06”, dënimi total ndaj Thaçit në Speciale do të shkonte në 31 vjet burg. Kjo pasi që Prokuroria kërkoi gjashtë vjet dënim për ish-Presidentin në çështjen 12.

    Për të akuzuarit tjerë, Bashkim Smakajn ka kërkuar tre vjet burg, Isni Kilajn tre vjet, Fadil Fazliun tre vjet dhe Hajredin Kuçin nëntë muaj.

     

  • Tahiri thotë se nënkryetari i PDK-së do të zgjidhet të hënën

    Tahiri thotë se nënkryetari i PDK-së do të zgjidhet të hënën

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka bërë të ditur se nënkryetari i PDK-së do të propozohet dhe zgjidhet të hënën, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri ka thënë se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kjo parti do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në frymën e unifikimit, në mënyrë që projektligji i propozuar të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

    “Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës do të zgjidhet të hënën, do të propozohet dhe do të zgjedhet të hënën. Zotëri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës do t’i bëjë të gjitha veprimet e saja në frymën e unifikimit, në mënyrë që projektligji ta gjejë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe t’i themi jo kësaj padrejtësie historike që është bërë”, tha ai.

  • Kurti: Nga bllokada në Kuvend nuk dështon asnjë reformë, por humbin mjetet nga Plani i Rritjes

    Kurti: Nga bllokada në Kuvend nuk dështon asnjë reformë, por humbin mjetet nga Plani i Rritjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bllokada në Kuvend ka pamundësuar miratimin e disa ligjeve të nevojshme për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Kurti i bëri këto deklarata në mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e tij si Komitet Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.

    Ai tha se deri më 30 qershor janë zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej 153.3 milionë eurosh.

    “Kështu që po e hap mbledhjen e dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian në funksionin e tij si Komiteti Drejtues për Planin e Rritjes, e në të cilin do të diskutojmë për ecurinë e zbatimit të reformave, për gjendjen e projekteve ekzistuese, si dhe të programeve IPA. Më 15 korrik i kemi dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e agjendës të reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te Komisioni Evropian 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153.3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht Komisioni Evropian është duke kryer vlerësimin, e pas vlerësimit Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha Kurti.

    Kryeministri njoftoi gjithashtu se në fillim të javës së ardhshme në Kuvend do të përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, përmes të cilave, sipas tij, Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.

    “Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, e ku përfshihen dy amendamente për projektet nga IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe marrëveshja financiare IPA 2026-2027, nga të cilat Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro. Presim nga Zyra Ligjore dhe Ministria e Financave të përfundojnë pa vonesa opinionet që u kërkohen. Marrë së bashku, nga Plani i Rritjes dhe IPA janë mbi 400 milionë euro që Kosova do të përfitojë për qeverisje të mirë e zbatim të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

    Kurti tha se nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, gjashtë nuk janë zbatuar në kohë, duke bërë që Kosova të mos përfitojë mbi 40 milionë euro.

    “Në anën tjetër, siç jeni njoftuar edhe nga koordinatori kombëtar, nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, 6 nuk kanë arritur që të zbatohen në kohë. Për rrjedhojë, nga vlera prej 90.7 milionë euro e paraparë për afatin e qershorit, nuk u përfituan mbi 40 milionë euro”, tha ai.

     Sipas Kurtit, arsyeja e mos-përfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila ka pamundësuar miratimin e ligjeve. Ai tha se projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës të Kuvendit.

    “Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve.

    Megjithatë, të gjitha projektet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e rradhës të Kuvendit.

    Pra, nga bllokada në Kuvend nuk dështon arritja për realizimin e reformave të parapara në Planin e Rritjes dhe puna e mirë e qeverisë, por do të humbin mjetet e dedikuara për to” tha Kurti.

    Kryeministri tha se fokusi tash duhet të jetë te 22 reformat që kanë afat deri në fund të dhjetorit, të cilat kanë një vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fondet e BE-së.

    “Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit të sivjetmë, në vlerë prej 131.4 milionë euro në fondet e BE-së. Mbi 1/3 e këtyre reformave, apo saktësisht 8 sosh, kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026. Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në Qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projektligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat sa më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humbin. Pra po e përsëris që për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por do të humbin mjetet e dedikuara nga Plani i Rritjes për reforma”, tha Kurti.

    Në fund, Kurti theksoi përgjegjësinë e Kuvendit në funksionimin e institucioneve dhe miratimin e ligjeve.

    “Kuvendi është pushtet i ndarë nga Qeveria, është një nga tri shtyllat e pushtetit në shtet demokratik. Përgjegjësia kryesore e Kuvendit është kalimi i ligjeve dhe mbikëqyrja e Qeverisë. Për të kryer këtë funksion Kuvendi duhet të jetë funksional. Ne jemi shoqëri me pluralizëm shoqëror dhe politik dhe për Kuvendin, si institucioni më i lartë përfaqësues e ligjvënës, kemi përgjegjësi të përbashkëta”, tha ai.

  • Nagavci: Kemi vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, duhet strategji shtetërore pa protagonizma

    Nagavci: Kemi vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, duhet strategji shtetërore pa protagonizma

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se kanë mbetur vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

    Këto deklarata Nagavci i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se çështjet e rëndësishme për vendin duhet të adresohen përmes një strategjie shtetërore dhe pa protagonizma.

    “Besoj se shumë shpejt kryeministri Kurti do të bëjë të qartë takimet e radhës se si duhet të adresohen. Ju e dini se ka qenë në një diskutim zyrtar ku ka paraqitur edhe qëndrimet e tij e të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme, por besoj që edhe në këtë periudhë të mbetur, ashtu sikurse deri më tani prapa, pra që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij, besoni, që të kemi institucione funksionale të zgjedhim presidentin edhe të shmangim, të shmangim zgjedhjet e reja”, tha ajo.

    Nagavci ka theksuar se koha në dispozicion është e kufizuar dhe ka kërkuar që çështjet me rëndësi shtetërore të trajtohen përmes një qasjeje të përbashkët.

    “Sikurse thashë, nga sot ne kemi vetëm 11 ditë që të zgjedhim presidentin e vendit, përndryshe do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që si shtet çështjet që janë të rëndësishme t’i adresojmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore, pa protagonizma”, tha ajo.

    Sa i përket projektligjit të iniciuar nga PDK-ja pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, Nagavci ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes dhe grupet e tjera parlamentare nuk janë konsultuar për këtë nismë.

    “Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush, me sa unë jam në dijeni, nga Lëvizja Vetëvendosje, pra qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët bashkëpunëtorët tanë, nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së. Pra, kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve. Dhe ashtu sikurse veç e përmenda, jo vetëm që askush nga partitë, jo vetëm nga Lëvizja, por me sa e kuptova edhe nga partitë e tjera parlamentare nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë. Me aq sa kam dëgjuar përfaqësuesin e PDK-së ka deklaruar që është një grup i ekspertëve, disa ekspertë, që nuk e di kush janë që kanë dhënë kontributet e tyre. Por, ajo që është e rëndësishme është që, me sa unë jam në dijeni, as ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar në lidhje me këtë projektligj”, tha ajo.

  • Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Benjamin Huggel del në mbrojtje të Granit Xhakës: “Duhet të vazhdojë të jetë kapiten”

    Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit shqiptar se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

    Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel, i cili aktualisht punon si trajner dhe komentator i Kombëtares së Zvicrës në televizionin publik SRF, ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

    “Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik”, ka deklaruar Huggel, duke shtuar se nëse trajneri Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë, vlerësojnë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten, ai nuk sheh arsye që kjo të ndryshojë.

    Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me paraqitjet dhe sjelljen e Xhakës në fushën e futbollit. Sipas tij, veprimi i pretenduar nuk është arsye për të humbur besimin te mesfushori si kapiten.

    “Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, është shprehur ish-lojtari zviceran.

    Ai ka vlerësuar lart kontributin e Xhakës për Kombëtaren e Zvicrës, duke e përshkruar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekip.

    Huggel është ndalur edhe te disa episode të tjera të së kaluarës së Xhakës, përfshirë tatuazhin e bërë në vitin 2021 gjatë periudhës së kufizimeve nga pandemia, si dhe festimin me simbolin e shqiponjës së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

    Sipas Huggel, në rastin e ndeshjes ndaj Serbisë duhet të merret parasysh edhe fakti se dy futbollistët ishin provokuar gjatë gjithë takimit nga tifozët serbë.

    Në fund, ish-futbollisti zviceran ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm në historinë e Kombëtares së Zvicrës.

  • Procredit Superliga e Kosovës në basketboll vije me xhiron e dytë në fundjavë

    Procredit Superliga e Kosovës në basketboll vije me xhiron e dytë në fundjavë

    Në fundjavën e 26 dhe 27 shtatorit do të zhvillohen disa ndeshje interesante në kuadër të basketbollit kosovar, me skuadrat që do të kërkojnë rezultate pozitive në përballjet e tyre.

    Të shtunën, më 26 shtator, programi nis në ora 17:00, ku Rahoveci 029 do të përballet me Bashkimin në palestrën “Mizahir Isma”. Dy orë më vonë, në ora 19:00, Trepça do të luajë ndaj Pejës në palestrën “Minatori”.

    Ndërkohë, të dielën, më 27 shtator, në ora 17:00, Vëllaznimi do të jetë nikoqir i Prishtinës në palestrën “Shani Nushi”. Programi i ditës mbyllet në ora 19:00 me ndeshjen mes Yllit dhe Borës, e cila do të zhvillohet në palestrën “13 Qershori”.

    Të gjitha këto përballje pritet të sjellin rivalitet dhe atmosferë të mirë në palestrat kosovare gjatë fundjavës.

  • Liverpooli nis të mendojë për pasuesin e Van Dijk, holandezi mund të largohet në vitin 2027

    Liverpooli nis të mendojë për pasuesin e Van Dijk, holandezi mund të largohet në vitin 2027

    Liverpooli ka shtyrë negociatat për rinovimin e kontratës me Virgil van Dijk, ndërsa po forcohet gjithnjë e më shumë mundësia që kapiteni holandez të largohet nga klubi si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.

    Sipas Football Insider, drejtuesit e klubit nga “Anfield” kanë nisur punën për gjetjen e pasuesit të Van Dijk, me synimin për të planifikuar gradualisht ndryshimin e gjeneratës në qendër të mbrojtjes.

    Van Dijk, i cili aktualisht është 35 vjeç, është në sezonin e tij të dhjetë me Liverpoolin. Kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit 2026/27, kur mbrojtësi holandez do të jetë 36 vjeç.

    Sipas ish-shefit të skautimit, Mick Brown, drejtuesit e Liverpoolit nuk po planifikojnë t’i ofrojnë Van Dijk një kontratë të re afatgjatë, kryesisht për shkak të moshës së tij dhe nevojës së klubit për të ristrukturuar repartin defensiv.

    Edhe pse Van Dijk vazhdon të jetë titullar dhe një nga figurat kryesore të skuadrës, drejtuesit sportivë mendohet se duan të shmangin një kontratë të re afatgjatë, e cila mund të kufizonte hapësirën në buxhetin e pagave për afrimin e një qendërmbrojtësi më të ri.

    Mundësia që Van Dijk të bëhet lojtar i lirë në vitin 2027 ka tërhequr interesin e disa klubeve jashtë Evropës.

    Klubet e Ligës së Arabisë Saudite e kanë monitoruar situatën e mbrojtësit që nga viti 2025 dhe kanë kapacitetin financiar për t’i ofruar atij një kontratë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, edhe skuadra nga MLS-ja amerikane dhe Superliga turke po e ndjekin situatën dhe mund të bëjnë oferta për holandezin kur ai të hyjë në gjashtë muajt e fundit të kontratës.

    Liverpooli, ndërkohë, pritet të vazhdojë kërkimet për pasuesin e Van Dijk që në afatin kalimtar të dimrit, përpara se të bëjë një investim më të madh në verën e vitit 2027 për të siguruar një qendërmbrojtës të nivelit të lartë.

  • Vedat Muriqi në topformë si me Fenerbahçen ashtu edhe me Kosovën

    Vedat Muriqi në topformë si me Fenerbahçen ashtu edhe me Kosovën

    Sulmuesi Vedat Muriqi është duke kaluar në një formë fantastike javëve të fundit,si me Fenerbahcen ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës.

    Muriqi mbrenda 5 ditëve shënoi 5 gola në dy ndeshje ku së pari shënoi 4 gola për Fenerin në fitoren 8:0 kundër Eyupspor në Superligën Turke,si dhe në fitoren e dardanëve kundër Irlandës 1:0 në Ligën e Kombeve.

    Përndryshe kjo formë tregon që Muriqi është një nga sulmuesit më të mirë në Evropë,dhe se sulmuesi nga Prizreni mund të shënoj edhe më shumë gola gjatë këtij sezoni në nivel klubesh dhe kombëtaresh.

    Kujtojmë që Vedat Muriqi në 11 ndeshje ka shënuar 7 gola e dhuroi 2 asistime,teksa ka rastin që të shënoj edhe në tre ndeshje të rradhës të Kombëtares së Kosovës dy herë kundër Austrisë dhe ndaj Izraelit.

  • Operacion i madh kundër trafikut të drogës në Ekuador, mbi 30 të arrestuar

    Operacion i madh kundër trafikut të drogës në Ekuador, mbi 30 të arrestuar

    Mbi 30 persona janë arrestuar në Ekuador gjatë një operacioni të përbashkët të forcave ekuadoriane dhe amerikane, i cili kishte në shënjestër një grup të dyshuar me lidhje me kartelin meksikan Jalisco New Generation (CJNG).

    Operacioni u zhvillua në orët e para të së enjtes në disa qytete të Ekuadorit, ndërsa në të morën pjesë rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 pjesëtarë të Komandës Jugore të SHBA-së.

    Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, bëri të ditur se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me trupat amerikane dhe Agjencinë Amerikane Kundër Drogës (DEA).

    Sipas autoriteteve ekuadoriane, më shumë se 30 shtetas të vendit u arrestuan nën dyshimin se i përkisnin një grupi me lidhje të drejtpërdrejta me CJNG. Rrjeti dyshohet se trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt tregjeve ndërkombëtare, duke përdorur portet në jugperëndim të Ekuadorit.

    Operacioni është pjesë e bashkëpunimit të zgjeruar mes Ekuadorit dhe Shteteve të Bashkuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

    Fushata e autoriteteve ekuadoriane kundër grupeve kriminale ka nxitur edhe kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat kanë raportuar raste të dyshuara të përdorimit të tepruar të forcës dhe shkeljeve të tjera.

    Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, i ka kundërshtuar këto kritika, duke argumentuar se vëmendja duhet të përqendrohet te viktimat e shkaktuara nga krimi i organizuar.

  • Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Musliu kërkon që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me mesazhin “Jo në emrin tim!”

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar që ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndriçohet urgjentisht me mesazhin “JO NË EMRIN TIM!”, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se vendimi i gjykatës nuk duhet t’i atribuohet popullit të Kosovës dhe se ai nuk përfaqëson, sipas saj, sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

    “Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk guxon t’i atribuohet popullit të Kosovës. Nuk është në emër të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Nuk është në emër të atyre që humbën më të dashurit e tyre. Nuk është në emër të sakrificës që solli lirinë”, ka shkruar Musliu.

    Ajo ka theksuar se një vendim gjyqësor nuk duhet të përcaktojë historinë e Kosovës në emër të një populli.

    “Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të lejojmë që një vendim gjyqësor të shkruajë historinë tonë në emër të një populli që e di se çfarë ka përjetuar. JO NË EMRIN TIM!”.