ATV

Blog

  • Haxhiu: Seanca e Kuvendit mbahet të hënën, deklarata për Hagën në rend dite

    Haxhiu: Seanca e Kuvendit mbahet të hënën, deklarata për Hagën në rend dite

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën në orën 11:00, ku pritet të shqyrtohet edhe një deklaratë lidhur me procesin në Hagë dhe vendimin e Gjykatës Speciale.

    Haxhiu tha se mbledhja e sotme e Kryesisë ishte e para e kësaj legjislature dhe se ajo ishte zhvilluar pas një diskutimi të gjatë.

    “Pas një mbeldhje të gjatë dhe aspka të lehtë sot mbajtëm mbledhjem e parë të kësaj legjislature. E kam thënë edhe më herët arsyesja se pse nuk kemi thërrit mbledhje të kryesisë ka qenë se Kuvendi dhe Qeveria ishin kontestuar nga PDK në Gjykatën Kushtetuese. Kryesia e Kuvendit vendosi sot që seanca e Kuvendit të mbahet të hënën në orën 11:00. Miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale. Të jetë një qëndrim i Kuvendit dhe Kuvendit ta ketë një qendrim në raport me këtë vendim përmes një deklarate”.

    Kryetarja e Kuvendit ka reaguar edhe ndaj kritikave se nuk kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës.

    Ajo sqaroi se kryetarja e Kuvendit nuk ka kompetencë që vetë të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, duke theksuar se një kërkesë e tillë duhet të bëhet nga të paktën 40 deputetë.

    “Janë bërë kritika në emrin tim se pse nuk kam thërrit një seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Nuk ka pasur asnjë kërkesë që është proceduar në Kuvendin e Kosovës…Kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë të thërras seancë të jashtme. Ata që kanë të drejtë ta bëjnë këtë janë 40 deputetë nënshkrues dhe menjëherë sapo të më vij edhe sot e kësaj dite një kërkesë e tillë do ta aprovoja…”.

    Duke folur për projektligjin e iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën, por kërkoi që çdo veprim institucional pas vendimit të Hagës të jetë i menduar dhe i konsultuar.

    “Tani më lejoni të sqaroj një gjë që konsideroj që është e rëndësishme dhe këtu pa paragjykim për projektligjin që është proceduar nga ana e grupit parlamentar të PDK-së. Mendoj që është shumë e rëndësishme secili veprim i institucioneve dhe grupeve parlamentare pas vendimit të Hagës. Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po dua me paragjyku nismën e Partisë Demokratike të Kosovës, por i ftoj të gjitha grupet parlamentare që mos të bëjmë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe që nuk kanë ndonjë peshë. Pra, në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, mendoj që secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve të duhura në kohë, por edhe vendime të drejta”, tha ajo.

    Ajo ka kërkuar që, para ndërmarrjes së iniciativave ligjore, të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas informacioneve që ka, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar për këtë projektligj

    “Sa i përket projektligjit u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë të ishte që çfarëdo të bënim të vinim bashkërisht në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit. Ose që paraprakisht të paktën konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes. Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore. Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”

    Haxhiu ka bërë të ditur se projektligji tashmë është në procedurë parlamentare dhe se, pas pranimit të tij, është proceduar për mendim në Qeverinë e Kosovës.

    “Megjithatë, tashmë ligjin e kemi në procedura kuvendore. Pra, në momentin kur unë kam pranuar projektligjin, ne e kemi proceduar për mendim në Qeveri. Ju e dini që sipas ligjit për nismat legjislative, çfarëdo nisme që procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kërkohet mendim paraprak nga Qeveria. Me ligj, Qeveria ka të drejtë 30 ditë ta shqyrtojë në dispozicion. Në qoftë se nuk i shfrytëzon ato 30 ditë, ligji procedohet në seancë pa mendimin e Qeverisë.Ne kemi qenë në komunikim, unë personalisht, kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe sot në mbledhjen e kryesisë që sërish do ta adresojmë, që ky projektligj të trajtohet nga ana e Qeverisë me prioritet, sidomos kur tani i kemi ditët e numëruara nëse flasim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu. /Telegrafi/

     

  • BE-ja qëndron pas Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Costa: Do ta mbrojmë pavarësinë e saj

    BE-ja qëndron pas Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Costa: Do ta mbrojmë pavarësinë e saj

    Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë dhe mbrojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), në një kohë kur institucioni përballet me kërcënime për masa të reja ndëshkuese nga administrata amerikane.

    Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Costa theksoi rëndësinë e mbrojtjes së së drejtës ndërkombëtare dhe institucioneve që garantojnë zbatimin e saj.

    “Mbështetja e së drejtës ndërkombëtare nuk është një zgjedhje, por përgjegjësi e jona”, deklaroi Costa, duke përmendur në veçanti Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

    Ai tha se BE-ja synon të mbështesë fuqishëm dhe të mbrojë pavarësinë, integritetin dhe aftësinë e GJPN-së për të përmbushur mandatin e saj.

    Costa dënoi gjithashtu kërcënimet dhe sulmet ndaj gjykatës, zyrtarëve dhe stafit të saj, duke theksuar se përgjegjësia për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nuk duhet të përcaktohet nga interesat apo kalkulimet politike.

    “Përgjegjësia nuk mund të varet nga konsideratat e përshtatshmërisë politike”, tha ai.

    Në fjalimin e tij, presidenti i Këshillit Evropian nuk përmendi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara apo presidentin Donald Trump, por deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Gjykata Penale Ndërkombëtare është përballur me presion dhe kërcënime për sanksione nga administrata amerikane.

    Costa përsëriti kështu angazhimin e BE-së për ruajtjen e institucioneve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e pavarësisë së tyre.

  • Hamza pret në takim udhëheqësit e OVL-UÇK-së: Më 1 tetor, të gjithë në shesh kundër padrejtësisë

    Hamza pret në takim udhëheqësit e OVL-UÇK-së: Më 1 tetor, të gjithë në shesh kundër padrejtësisë

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se sot ka takuar udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    Ai tha se me ta bashkëbisedoi për sfidat me të cilat po përballet vendi ynë.

    “Ne folëm për rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit, të së vërtetës për luftën tonë dhe të vlerave për të cilat u sakrifikuan breza të tërë. Veteranët e UÇK-së bartin mbi supe pjesën më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Ata qëndruan në ditët më të vështira dhe sakrifikuan për lirinë”,tha ai.

    Hamza po ashtu tha se më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të jemi bashkë me veteranët, studentët dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.

    “Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë!”.

  • Kurti: Turizmi në Kosovë është sektor gjithnjë në rritje, synojmë zhvillimin e tij në çdo cep të vendit

    Kurti: Turizmi në Kosovë është sektor gjithnjë në rritje, synojmë zhvillimin e tij në çdo cep të vendit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh turistik dhe se përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale mund të kontribuojë në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

    Kurti i bëri këto deklarata gjatë hapjes së konferencës “Re: Tourism – Inteligjenca Artificiale në promovimin e turizmit në Kosovë”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Turizmit.

    Ai tha se trashëgimia historike e kulturore, natyra, traditat, gastronomia dhe mikpritja përbëjnë potenciale që, sipas tij, meritojnë të njihen më gjerësisht përtej kufijve të Kosovës.

    “Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën se si informohemi dhe si komunikojmë. Ne duhet t’i përdorim këto mundësi për ta bërë Kosovën më të dukshme, më të qasshme dhe më tërheqëse për vizitorët nga mbarë bota”, ka deklaruar Kurti.

    Sipas tij, turizmi në Kosovë është sektor në rritje. Kurti tha se gjatë katër viteve të fundit numri i vizitorëve është rritur për rreth 20 për qind nga viti në vit, ndërsa numri i përgjithshëm i vizitorëve është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit krahasuar me periudhën parapandemike, deri në vitin 2019.

    Kryeministri theksoi se rritja e numrit të vizitorëve ka krijuar edhe mundësi të reja punësimi.

    “Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 30 mijë persona janë punësuar në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind të fuqisë punëtore në vendin tonë”, tha ai.

    Kurti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë turizmit rëndësi të veçantë përmes Strategjisë për Turizmin e Kosovës 2030.

    Ai tha se synimi strategjik është zhvillimi i turizmit në të gjitha pjesët e vendit, duke përfshirë investimet në Brezovicë dhe zhvillimin e Dukagjinit si një qendër e re turistike dhe zhvillimore.

    “Synimi ynë strategjik është ta zhvillojmë turizmin në çdo cep të vendit tonë, duke investuar edhe në Brezovicë dhe ta shndërrojmë Dukagjinin në një qendër të re turistike e zhvillimore”, u shpreh Kurti.

  • Ralf Rangnick kërkon fitore ndaj Kosovës: “Duam ta vazhdojmë serinë”

    Ralf Rangnick kërkon fitore ndaj Kosovës: “Duam ta vazhdojmë serinë”

    Pas fitores 3:1 ndaj Izraelit, përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, synon një tjetër triumf në përballjen ndaj Kosovës të dielën në Vjenë.

    Kosova vjen në këtë sfidë pas fitores 1:0 ndaj Irlandës në Ligën e Kombeve, ndërsa Rangnick e pret një duel të vështirë.

    “Duam që fitores ndaj Izraelit t’ia bashkojmë edhe fitoren ndaj Kosovës”, ka deklaruar trajneri austriak.

    Rangnick ka folur edhe për marrëdhënien e mirë me përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, të cilin e zëvendësoi në stolin e Austrisë.

    “Jam takuar disa herë me të në vitet e fundit. Kaloj shumë mirë me të. Ai është një person humë i këndshëm, jashtëzakonisht kolegë i këndshëm”

    Kosova do të takohet kundër Austrisë në stadiumin “Ernst Hapel Stadion”në Vjenë të dielën me fillim nga ora 18:00.

  • Kosova nis përgatitjet për përballjen ndaj Austrisë

    Kosova nis përgatitjet për përballjen ndaj Austrisë

    Futbollistët e Kosovës janë rikthyer menjëherë në stërvitje pas ndeshjes së fundit, me fokusin tashmë te sfida e radhës ndaj Austrisë.

    “Dardanët” do të përballen me Austrinë të dielën nga ora 18:00 në Vjenë, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda në stërvitjen e së premtes kishte në dispozicion 16 futbollistë. Lojtarët që startuan në ndeshjen e fundit zhvilluan seancë rigjeneruese në hotel.

    Sipas FFK-së, atmosfera në kampin e Kosovës është pozitive dhe skuadra është e përqendruar maksimalisht në përgatitjet për duelin e rëndësishëm në Vjenë.

  • Kanella nuk është vetëm për shije, ja përfitimet që mund t’i sjellë organizmit

    Kanella nuk është vetëm për shije, ja përfitimet që mund t’i sjellë organizmit

    Kanella është një nga erëzat më të përdorura në pije dhe ushqime, por përveç aromës karakteristike, ajo përmban edhe përbërës që mund të kenë efekte të dobishme për organizmin.

    Kjo erëz është e pasur me polifenole dhe antioksidantë, të cilët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ. Përbërësit e saj lidhen gjithashtu me veti anti-inflamatore.

    Një tjetër aspekt i studiuar është ndikimi i kanellës në metabolizmin e glukozës. Disa hulumtime sugjerojnë se ajo mund të ndihmojë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe në kontrollin e rritjes së sheqerit në gjak pas ushqimit.

    Kanella është lidhur gjithashtu me shëndetin e zemrës, pasi disa studime kanë vërejtur ndikim në nivelet e kolesterolit dhe triglicerideve. Ajo përdoret edhe tradicionalisht për të ndihmuar tretjen dhe për të lehtësuar fryrjen.

    Megjithatë, ekspertët rekomandojnë përdorim të moderuar. Kanella “Cassia”, e cila është më e zakonshme, përmban më shumë kumarinë, një përbërës që në sasi të larta mund të dëmtojë mëlçinë. Kanella e Cejlonit përmban shumë më pak kumarinë dhe konsiderohet alternativë më e përshtatshme për përdorim të shpeshtë.

    Kanella mund të shtohet në bollgur, kafe, çaj apo ëmbëlsira, por nuk duhet të konsiderohet zëvendësim për trajtimin mjekësor të diabetit, sëmundjeve të zemrës apo problemeve të tjera shëndetësore.

  • Presidenti i Koresë së Jugut: Ukraina shkeli marrëveshjen sekrete

    Presidenti i Koresë së Jugut: Ukraina shkeli marrëveshjen sekrete

    Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për publikimin e informacionit se dy ushtarë të Koresë së Veriut, të kapur nga forcat ukrainase, janë transferuar në Korenë e Jugut.

    Zelensky e bëri të ditur transferimin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator, duke thënë se Ukraina së fundmi kishte dërguar dy të burgosur lufte të Koresë së Veriut në Korenë e Jugut. Ai shtoi se njëri prej tyre kishte tentuar të vetëvritej pas kapjes.

    Lee tha se publikimi i këtij informacioni ishte në kundërshtim me marrëveshjen për ruajtjen e konfidencialitetit mes Seulit dhe Kievit. Sipas tij, çështja është veçanërisht e ndjeshme për shkak të ndikimit të mundshëm në diplomaci, sigurinë kombëtare dhe situatën në Gadishullin Korean.

    Presidenti koreano-jugor tha se qeveria e tij kishte zgjedhur ta mbante transferimin sekret pasi kishte vlerësuar se publikimi mund të sillte pasoja të shumta. Ai hodhi poshtë kritikat se autoritetet po përpiqeshin të fshihnin diçka dhe theksoi se siguria e personave të përfshirë dhe interesat shtetërore ishin konsideruar më të rëndësishme.

    “Unë nuk e di se cilat ishin rrethanat nga ana e Ukrainës kur u publikua informacioni, por më vjen shumë keq”, tha Lee, duke iu referuar drejtpërdrejt vendimit të Kievit për ta bërë publik transferimin.

    Dy ushtarët koreano-veriorë ishin kapur nga forcat ukrainase në rajonin e Kurskut në janar 2025, pasi ishin dërguar atje për të mbështetur trupat ruse. Ata kishin shprehur më herët dëshirën për të shkuar në Korenë e Jugut, ndërsa Seuli dhe Kievi kishin zhvilluar konsultime për transferimin e tyre.

    Zyra presidenciale ukrainase më pas deklaroi se transferimi ishte realizuar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me Seulin. Ndërkohë, autoritetet koreano-jugore kanë shmangur dhënien e detajeve për kohën, mënyrën dhe rrugën e transferimit, duke përmendur sigurinë e personave të përfshirë.

  • Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Raphinha: “Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë”

    Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka deklaruar se bashkëlojtari i tij, Lamine Yamal, është kandidati kryesor për ta fituar “Topin e Artë”.

    Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, braziliani ka lavdëruar talentin e 18-vjeçarit, duke theksuar golat, asistimet, titujt dhe ndikimin e tij te Barcelona dhe Kombëtarja e Spanjës.

    “Për mua nuk ka asnjë dyshim. Lamine Yamal është kandidati kryesor për Topin e Artë. Ai krijon magji në fushë, ka karizëm dhe personalitet”, ka deklaruar Raphinha.

    Braziliani ka folur edhe për objektivat e Barcelonës, duke theksuar se triumfi në Ligën e Kampionëve mbetet një prej synimeve kryesore të skuadrës.

    Ndërkohë, Raphinha ka shprehur besim të plotë te Carlo Ancelotti dhe puna e tij me Kombëtaren e Brazilit, duke theksuar se sheh me optimizëm drejt Botërorit të vitit 2030.

  • AAK-ja mbështet nismën e PDK-së për Gjykatën Speciale

    AAK-ja mbështet nismën e PDK-së për Gjykatën Speciale

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij do ta mbështesë çdo iniciativë që, sipas tij, i shërben drejtësisë.

    Pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së, Tahiri tha se Aleanca do të mbështesë çdo veprim që kontribuon në funksionimin e institucioneve dhe drejtësisë.

    “Çdo iniciativë e cila do të ndihmojë drejtësinë, Aleanca do ta mbështesë. Kemi kërkuar që në takim të diskutohet që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi”, tha Tahiri.

    Ai theksoi se për AAK-në është e rëndësishme që institucionet të funksionalizohen dhe proceset institucionale të ecin përpara.