ATV

Blog

  • Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në vend para nisjes drejt Austrisë, ku të dielën do ta zhvillojë një tjetër përballje të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” do të përballen me Austrinë në stadiumin “Ernst Happel” në Vjenë, në ndeshjen e dytë të Grupit B3. Takimi nis në orën 18:00, ndërsa të dyja skuadrat e kanë nisur kampanjën me fitore.

    Kosova debutoi me triumf 1-0 ndaj Irlandës në Prishtinë, falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të. Kapiteni dhe sulmuesi i Kosovës ishte vendimtar në një ndeshje ku “Dardanët” krijuan disa raste për të shënuar.

    Në anën tjetër, Austria e nisi kampanjën me fitore 3-1 ndaj Izraelit. Skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick e siguroi triumfin në pjesën e dytë dhe tani synon një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë përballë Kosovës.

    Për “Dardanët”, kjo sfidë ka një rëndësi të veçantë edhe për shkak të trajnerit Franco Foda. Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi ka drejtuar përfaqësuesen e Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2022.

    Foda do të rikthehet kështu në stadiumin “Ernst Happel”, por këtë herë në rolin e trajnerit të Kosovës.

    Pas përballjes në Vjenë, Kosova dhe Austria do të takohen sërish më 4 tetor, kur “Dardanët” do ta presin përfaqësuesen austriake në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

  • Peja në qendër të xhudos ballkanike, nis Kampionati Ballkanik

    Peja në qendër të xhudos ballkanike, nis Kampionati Ballkanik

    Në Palestrën e Sporteve “Karagaç” në Pejë po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Xhudos për Seniorë dhe U23, si dhe gara ekipore të përziera.

    Në këtë ngjarje sportive po marrin pjesë xhudistë nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Moldavia, Turqia dhe Bullgaria.

    Luftat preliminare tashmë kanë nisur, ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet në orën 15:30. Menjëherë pas ceremonisë, në orën 16:00, do të nisë edhe blloku final i garave.

    Palestra “Karagaç” është kthyer kështu në qendër të xhudos ballkanike, me garuesit që po synojnë medaljet dhe titujt e kampionatit.

    Kampionati pritet të sjellë përballje interesante mes disa prej xhudistëve më të mirë të rajonit, ndërsa publiku pejan do të ketë mundësinë t’i ndjekë nga afër garat dhe luftërat për medalje.

  • Erblin Osmani shkruan historinë me Kosovën, debutimi i tij bën jehonë në Gjermani

    Erblin Osmani shkruan historinë me Kosovën, debutimi i tij bën jehonë në Gjermani

    Talenti i Bayern Munichut, Erblin Osmani, ka shkruar historinë me Kombëtaren e Kosovës, duke u bërë debutuesi më i ri në historinë e përfaqësueses A.

    Debutimi i 17-vjeçarit në Ligën e Kombeve ka marrë jehonë edhe në mediat gjermane. Mediumi i njohur “SPORT1” i ka kushtuar një artikull të veçantë paraqitjes së Osmanit, duke e cilësuar atë si historike.

    “Osmani është bërë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë për Kombëtaren A të Kosovës”, shkruan mediumi gjerman.

    Osmani u aktivizua në minutën e 87-të të fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke marrë për herë të parë minuta me fanellën e Kosovës.

    Mesfushori priti deri në fund të ndeshjes për momentin e tij, para se përzgjedhësi Franco Foda ta thërriste dhe t’i jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në fushë.

    Me moshën 17 vjeç, katër muaj e pesë ditë, Osmani vendosi rekordin si debutuesi më i ri në historinë e Kosovës.

    Pas ndeshjes, talenti i Bayern Munichut e përshkroi debutimin si një ëndërr të realizuar, duke theksuar se gjithmonë kishte dëshiruar të luante për Kosovën.

    “SPORT1” rikujton gjithashtu se Osmani kishte mundësinë ta përfaqësonte Gjermaninë, pasi kishte luajtur për përfaqësueset e grupmoshave të këtij shteti. Megjithatë, 17-vjeçari zgjodhi Kosovën.

    Talenti kosovar kishte bërë histori edhe më herët me Bayern Munichun. Në mars, ai debutoi në Bundesliga ndaj Union Berlinit në moshën 16-vjeçare, duke u bërë një prej debutuesve më të rinj në historinë e klubit bavarez.

    Në korrik, Bayerni i ofroi Osmanit kontratën e parë afatgjatë, ndërsa aktualisht ai aktivizohet me ekipin U19 dhe skuadrën e dytë të klubit.

    Me këtë debutim, Osmani ka hyrë në historinë e Kosovës dhe tashmë shihet si një prej talenteve që mund të kenë rol të rëndësishëm në të ardhmen e “Dardanëve”.

  • Vesel Demaku rrëfen pse zgjodhi Kosovën: “Ishte shumë më tepër se futboll”

    Vesel Demaku rrëfen pse zgjodhi Kosovën: “Ishte shumë më tepër se futboll”

    Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur kombëtaren që do ta përfaqësonte, mesfushori vendosi të refuzojë Austrinë dhe të veshë fanellën e Kosovës.

    Në një intervistë për mediumin austriak “Der Standard”, Demaku ka rrëfyer për rëndësinë që kishte kjo zgjedhje për të, duke theksuar se nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, por edhe për historinë e familjes dhe identitetin e tij.

    “Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit, kupton se është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka thënë Demaku.

    Mesfushori ka treguar edhe historinë e gjyshit të tij, Veselit, emrin e të cilit e mban. Ai humbi jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës dhe për Demakun, mundësia për ta përfaqësuar Kosovën 25 vjet më vonë kishte një domethënie të veçantë.

    “Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar ai.

    Demaku ka theksuar se, pavarësisht zgjedhjes së Kosovës, ai vazhdon ta ketë një lidhje të fortë me Austrinë, vendin ku është lindur dhe rritur.

    “E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, është shprehur ai.

    Me kalimin e viteve, teksa kuptoi më shumë për historinë e Kosovës dhe u angazhua më shumë me historinë dhe politikën, vendimi i tij për të përfaqësuar “Dardanët” u bë gjithnjë e më i qartë.

    “Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë, atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100 për qind”, ka rrëfyer futbollisti.

    Zgjedhja e tij solli edhe reagime negative në Austri, për të cilat Demaku thotë se ishte i përgatitur. Megjithatë, ai pranon se ishte i lënduar nga mënyra se si u portretizua.

    “Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka thënë Demaku.

    Për të, fanella e Kosovës ka një peshë që shkon përtej futbollit. Ai ka përshkruar emocionet e veçanta të debutimit, himnit dhe atmosferës para ndeshjeve të Kosovës.

    “Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund ta bësh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka treguar ai.

    Demaku ka folur edhe për atmosferën që krijohet në Kosovë gjatë ndeshjeve të rëndësishme, duke theksuar se ëndrra e tij dhe e bashkëlojtarëve është që një ditë ta dërgojnë Kosovën në një Kampionat Evropian ose Kupë Bote.

    “Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.

  • Michael Gregoritsch në dyshim për Kosovën, Austria merr lajmin e fundit

    Austria mund të jetë pa një prej lojtarëve kryesorë në përballjen e së dielës ndaj Kosovës.

    Michael Gregoritsch, i cili në ndeshjen e fundit kishte bartur shiritin e kapitenit, është në dyshim për sfidën që zhvillohet nga ora 18:00 në Vjenë.

    Sulmuesi 32-vjeçar u dëmtua në nyjën e këmbës gjatë fitores 3-1 të Austrisë ndaj Izraelit në Linz. Gregoritsch u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë, ndërsa në vend të tij u aktivizua Sasha Kalajdzic.

    Megjithatë, lajmi nga kampi austriak nuk është alarmues. Federata Austriake e Futbollit ka bërë të ditur për agjencinë APA se dëmtimi nuk është serioz. Gregoritsch iu nënshtrua edhe rezonancës magnetike të premten për të përcaktuar gjendjen e tij.

    Pavarësisht kësaj, koha e shkurtër deri në ndeshjen me Kosovën e bën të pasigurt paraqitjen e tij.

    Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka lënë të kuptohet se nuk do të rrezikojë me sulmuesin nëse ai nuk është plotësisht i gatshëm.

    “Ai e zuri keq nyjën dhe u përpoq ta lidhte, por kishte probleme dhe u desh të ndalej. Nuk duket të jetë lëndim serioz, por ndeshja ndaj Kosovës është shumë shpejt. Ndoshta do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e tjera”, deklaroi Rangnick.

    Kështu, mbetet për t’u parë nëse Gregoritsch do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj “Dardanëve”, apo do ta ndjekë ndeshjen nga bankina.

  • Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë

    Shqipëria nis aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë

    Kombëtarja shqiptare sonte do të nis aventurën në Ligën e Kombeve,ku në stadiumin “Air Albania”në Tiranë do e pret kombëtaren e Bjelllorusië,dhe njëherësh do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare për trajnerin italian Roland Maran.

    Kuqezinjët hyjnë në këtë ndeshje pas një periudhe të veshtirë ku në pesë ndeshjet e fundit kanë po aq humbje,duke përfshirë këtu edhe dy humbje në miqësoret ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

    Në anën tjetër kombëtarja bjelloruse është duke kaluar në një ecuri pozitive nën drejtimin e trajnerit Viktor Goncharenko,ku në 6 ndeshjet e fundit ka 3 fitore e po aq barazime.

    Por sa i përket ndeshjeve të fundit Shqipëria nuk ka humbur në katër ndeshje kundër bjellorusëve,ku në dy ndeshjet e fundit kuqezinjët i fituan të dyja përballjet në edicionin 2020-21 të Ligës së Kombeve.

    Kujtojmë që ndeshja Shqipëri-Bjellorusi pritet të nis nga ora 20:45,e më pas kuqezinjët do të kenë tre ndeshje të tjera me rradhë ku do të takohen dy herë kundër San Marinos dhe njëherë ndaj Finlandës.

  • Takimi Trump-Xi në Uashington, partnerë jo rivalë

    Takimi Trump-Xi në Uashington, partnerë jo rivalë

    NGA AKADEMIK. PROF. ANASTAS ANGJELI

    Mbërritja e Xi Jinping në Uashington shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhënien më vendimtare dhe njëkohësisht më delikate të ekonomisë botërore. Donald Trump e priti homologun kinez personalisht në bazën ajrore Andrews, një gjest i pazakontë që i dha vizitës një peshë të veçantë simbolike. Xi, nga ana e tij, deklaroi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara “duhet të jenë partnere, jo rivale” dhe se fuqizimi i Kinës mund të ecë paralelisht me ambicien e Trumpit për ta bërë Amerikën përsëri të madhe. Por ceremonia nuk duhet ngatërruar me pajtimin. Trump dhe Xi nuk u takuan për t’i dhënë fund konkurrencës mes dy vendeve. Ky takim, shënon një përpakje në vazhdim për të përcaktuar kufijtë e saj, në mënyrë që rivaliteti ekonomik, teknologjik dhe ushtarak të mos kthehet në një krizë që as Uashingtoni, as Pekini nuk mund ta kontrollojnë.Prandaj dhe thenia “në se bashkpunojmë, fitojmë te gjithë” duket kuptimplote dhe nga ky takim.

    ÇFARE U ARRIT?

    Rezultati më i rëndësishëm ishte arritur që përpara se dy presidentët të uleshin në tryezën e bisedimeve. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng ranë dakord ta zgjasin deri më 10 janar 2027 armëpushimin tregtar që përfundonte në nëntor. Marrëveshja ruan përkohësisht uljen e tarifave dhe ndalon vendosjen e kufizimeve të reja tregtare.

    Ky vendim nuk përbën një marrëveshje të re të madhe tregtare. Është më shumë një shtyrje e përplasjes. Megjithatë, për tregjet dhe kompanitë ndërkombëtare, edhe kjo ka rëndësi sepse gjatë përshkallëzimit të mëparshëm, tarifat reciproke kishin kaluar nivelin 100 %, duke kërcënuar furnizimet, prodhimin dhe çmimet në shumë vende.

    Presidenti Trump mund ta paraqesë zgjatjen si provë se presioni i tij ndaj Pekinit funksionon. Xi mund ta paraqesë si dëshmi se Kina nuk u detyrua të tërhiqej dhe se dialogu në nivel të barabartë është mënyra e vetme për të menaxhuar marrëdhënien. Të dy fitojnë politikisht nga qetësia e përkohshme, por secili i flet një publiku të ndryshëm.

    Takimi i Uashingtonit është vazhdim i drejtpërdrejtë i bisedimeve të 14-15 majit në Pekin. Atje, dy udhëheqësit shpallën synimin për të ndërtuar një marrëdhënie “konstruktive të stabilitetit strategjik”. Pas këtij formulimi diplomatik qëndronte ideja e thjeshtë se SHBA dhe Kina do të vazhdojnë të konkurrojnë, por duhet të mbajnë të hapura kanalet politike, ekonomike dhe ushtarake që parandalojnë një konflikt të pakontrolluar. Në Pekin u krijuan një Bord i Tregtisë dhe një Bord i Investimeve. Kina u zotua, sipas Shtëpisë së Bardhë, të blinte 200 avionë Boeing dhe të paktën 17 miliardë dollarë produkte bujqësore amerikane në vit deri më 2028. U diskutuan gjithashtu hapja më e madhe e tregut kinez, investimet kineze në sektorë amerikanë jo të ndjeshëm, furnizimi me minerale të rralla dhe kufizimet amerikane mbi mikroçipat e avancuar.

    Pekini ishte i rëndësishëm edhe sepse krijoi skenarin e takimit të fundit. Trump e ftoi publikisht Xi-në në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator, ndërsa të dyja palët e paraqitën vazhdimin e dialogut si pjesë të një procesi dhe jo si një ngjarje të vetme. Megjithatë, jo të gjitha zotimet e majit janë kthyer në rezultate të matshme. Përvojat e marrëveshjeve të mëparshme kanë treguar se shifrat e shpallura për blerjet kineze mund të mos realizohen plotësisht. Për këtë arsye, suksesi i Uashingtonit nuk duhet matur vetëm me vlerën e kontratave të reja, por edhe me mekanizmat që do të kontrollojnë zbatimin e tyre.

    Pavarësisht viteve të tarifave dhe thirrjeve për “shkëputje”, ekonomitë amerikane dhe kineze mbeten të lidhura. Në vitin 2025, tregtia dypalëshe e mallrave arriti rreth 414.6 miliardë dollarë. Deficiti amerikan me Kinën ra në rreth 202.7 miliardë dollarë, ose 31.8 % më pak se një vit më parë, por u ulën edhe eksportet amerikane drejt tregut kinez.

    Kjo tregon kufirin e politikës tarifore. SHBA-ja importon më pak drejtpërdrejt nga Kina, por një pjesë e prodhimit dhe e tregtisë është zhvendosur në vende të treta, jo domosdoshmërisht në fabrikat amerikane. Në të njëjtën kohë, kompanitë kineze po kërkojnë tregje të reja dhe eksportet e Kinës drejt pjesës tjetër të botës kanë vazhduar të rriten. Në thelb, dy fuqitë po ndjekin strategji të kundërta sigurie ekonomike. Uashingtoni dëshiron të zvogëlojë varësinë nga Kina për mikroçipat, bateritë, mineralet kritike dhe produkte të tjera strategjike. Pekini dëshiron të zvogëlojë varësinë e vet nga teknologjia amerikane dhe të ruajë avantazhin që ka në prodhim dhe në përpunimin e mineraleve të rralla. Pikërisht për këtë arsye, ndarja e plotë e dy ekonomive është shumë e kushtueshme, ndërsa kthimi te marrëdhënia e vjetër e bashkëpunimit të pakufizuar është politikisht i pamundur. Takimi i Uashingtonit kërkon një rrugë të ndërmjetme: tregtia vazhdon, por sektorët strategjikë mbeten të mbrojtur.

    DHE ME TEJ…

    Inteligjenca artificiale është një nga çështjet e reja qendrore. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të ruajnë epërsinë në mikroçipat më të avancuar dhe në sistemet e inteligjencës artificiale. Kina kundërshton kufizimet që pengojnë kompanitë e saj të blejnë teknologji amerikane dhe kërkon shtyrjen ose lehtësimin e disa prej tyre. Një kompromis i gjerë teknologjik është pak i mundshëm, sepse të dyja palët e shohin inteligjencën artificiale si burim fuqie ekonomike dhe ushtarake.

    Megjithatë, Uashingtoni dhe Pekini mund të krijojnë një mekanizëm komunikimi për incidente të rënda ose rreziqe të përbashkëta të inteligjencës artificiale. Një marrëveshje e tillë nuk do ta ndalte garën, por mund të ulte rrezikun e keqkuptimeve.

    Mineralet e rralla përbëjnë kartën më të fortë ekonomike të Pekinit. Kina kontrollon një pjesë shumë të rëndësishme të përpunimit global të këtyre materialeve, të nevojshme për elektronikën, automjetet elektrike dhe sistemet e mbrojtjes. SHBA kërkon vazhdimësi në furnizime; Kina kërkon në këmbim më pak presion mbi kompanitë dhe teknologjinë e saj. Kjo varësi reciproke është një arsye kryesore pse asnjëra palë nuk dëshiron t’i rikthehet luftës së hapur tregtare. Nëse tregtia është tema më e dukshme, Tajvani mbetet tema më e rrezikshme. Gjatë takimit të majit, Xi i tha Trumpit se Tajvani është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet kino-amerikane dhe paralajmëroi se një menaxhim i gabuar mund të çojë në përplasje.

    Pekini e konsideron ishullin pjesë të Kinës dhe nuk e përjashton përdorimin e forcës për bashkim. Kina dëshiron që Trump të deklarojë se SHBA “kundërshton” pavarësinë e Tajvanit, një formulim më i fortë se qëndrimi tradicional amerikan se Uashingtoni “nuk e mbështet” atë. Për Pekinin ky nuk është ndryshim i vogël gjuhësor, por një sinjal politik. Për Tajvanin dhe aleatët e SHBA në Azi, çdo ndryshim do të ngrinte pyetjen nëse siguria e ishullit mund të përdoret si monedhë shkëmbimi në negociatat tregtare.

    Nuk pritet që Trump të ndryshojë zyrtarisht politikën amerikane. Megjithatë, edhe pa një marrëveshje, mënyra se si ai flet për pavarësinë e Tajvanit, shitjet e armëve dhe rolin e SHBA-së mund të ndikojë në llogaritjet e Pekinit. Në këtë fushë, paqartësia mund ta parandalojë konfliktin, por mund edhe të ushqejë keqkuptime. Në tryezë ishin dhe u diskutuan edhe Irani, Ngushtica e Hormuzit, Ukraina dhe Koreja e Veriut. Në Pekin, Trump dhe Xi ranë dakord se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lëvizjen e energjisë. Kina, si blerëse e madhe e naftës iraniane, ka ndikim ekonomik, por nuk dëshiron të shfaqet si zbatuese e strategjisë amerikane.

    Këto mosmarrëveshje tregojnë se rivaliteti SHBA–Kinë ka kaluar kufijtë e tregtisë. Ai lidhet me cështjen se kush përcakton rregullat ndërkombëtare, kontrollon teknologjitë e së ardhmes dhe ushtron ndikim mbi rajonet strategjike. Uashingtoni dëshiron ta ruajë epërsinë e rendit të krijuar nën udhëheqjen amerikane; Pekini kërkon një rend ku fuqia kineze të njihet dhe të kufizohet më pak.

    Takimi i 24 shtatorit duhet vlerësuar, dhe Rrezultati i tij më realist është ruajtja e qetësisë, pra zgjatja e armëpushimit tregtar, disa ulje të kufizuara tarifash, blerje të reja bujqësore, komunikim më i mirë ushtarak dhe ndoshta fillimi i dialogut mbi sigurinë e inteligjencës artificiale.

    Çështjet strukturore do të vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Kontrollet amerikane mbi teknologjinë, epërsia kineze në mineralet kritike, statusi i Tajvanit dhe konkurrenca për ndikim global nuk mund të zgjidhen në një takim të vetëm. Edhe nëse vizita të tilla prodhojnë deklarata të ngrohta, të dyja qeveritë do të vazhdojnë të përgatiten për një rivalitet afatgjatë. Takimi në Uashington, mes SHBA dhe Kinës, shënon një përpjekje për ta kthyer një përplasje të mundhme në një rivalitet të administrueshëm. Arritja kryesore nuk është zgjidhja e problemeve, por pranimi se kostoja e humbjes së kontrollit do të ishte shumë më e madhe për të dyja palët dhe njëkohësisht edhe për pjesën tjetër të botës. Prandaj nga ky takim dhe bashkëpunim, përfitojnë të gjithë, e gjithë bota.

  • Gërvalla: Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit

    Gërvalla: Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka deklaruar se projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është përcjellë në Zyrën e Kryeministrit.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë me procedurat për jetësimin e kësaj nisme.

    “Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit. Nuk ka rrugë tjetër. Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet dhe do ta jetësojmë!”, ka shkruar Gërvalla.

    Ajo ka ritheksuar kështu qëndrimin për krijimin e mekanizmit shtetëror që synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. /Telegrafi/

  • Mali i Zi ndalon ngarkesën me mish të skaduar të destinuar për Kosovën

    Mali i Zi ndalon ngarkesën me mish të skaduar të destinuar për Kosovën

    Dogana e Malit të Zi njoftoi më 25 shtator se ka ndaluar në Portin e Tivarit një kontejner me mish të ngrirë gjedhi me afat të skaduar, të destinuar për kompaninë “Apetit SHPK” nga Kosova.

    Ky kontejner, sipas njoftimit, përmbante mbi 24 tonë peshë të përgjithshme të mishit, të shpërndarë në rreth 1.300 pako.

    Sipas autoriteteve malazeze afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj të këtij viti.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kompaninë “Apetiti SHPK” për të marrë koment lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

    Ky është rasti i dytë i njoftuar nga autoritetet doganore malazeze, pas ndalimit paraprak të tre kontejnerëve me mish gjedhi, me peshë bruto prej rreth 77.8 tonësh.

    Në rastin e mëparshëm, sipas Doganës malazeze, “etiketat origjinale që tregonin afatin e skaduar ishin hequr dhe zëvendësuar me etiketa që shënonin një afat tjetër përdorimi”.

    Sipas Doganës, mishi nga këta tre kontejnerë do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.

    Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule janë importuar në Kosovë nga Brazili.

    Ndërkaq nga 3 shtatori, Bashkimi Evropian i ka vënë kufizime importit të një pjesë e eksporteve me origjinë shtazore nga Brazili

    Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor./REL

  • Kërkohet paraburgim për dy fajdexhinj nga Rahoveci

    Kërkohet paraburgim për dy fajdexhinj nga Rahoveci

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave me inicialet S.S. dhe J.N., të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, nga gushti i vitit 2026 e në vazhdimësi në Rahovec, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të një personi me inicialet E.A..

    I dëmtuari, për shkak të vështirësive financiare, dyshohet se kishte marrë nga S.S. shumën prej 1 mijë eurosh. Sipas kërkesës së prokurorisë, fillimisht atij i ishte kërkuar që të kthente 3 mijë euro, më pas 5 mijë euro dhe në fund 8 mijë euro.

    Sipas Prokurorisë, i dëmtuari ishte kërcënuar se, nëse nuk i kthente paratë, duhej të dorëzonte veturën e familjes.

    “Më datë 24.09.2026 ditën kur i dëmtuari E.A. takohet me të pandehurin S.S. për të ia dorëzuar paratë, konkretisht shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro), paraqitet edhe i pandehuri J.N. i cili pasi paraprakisht ishte marrë vesh me të pandehurin S.S. i thotë të dëmtuarit se 500 € (pesë qind euro) nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se tashmë duhej të paguante shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro) pasi kamata ishte rritë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, të ndërmarra në kuadër të veprimeve të koordinuara me Policinë e Kosovës, pas dorëzimit të parave, të dyshuarit janë arrestuar nga zyrtarët policorë. Sipas Prokurorisë, paratë e pranuara nga i dëmtuari janë gjetur tek të dyshuarit.

    Me këto veprime, Prokuroria dyshon se S.S. dhe J.N., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

    Ndërkohë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit S.S., janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm. Sipas Prokurorisë, dyshohet se ai nuk kishte leje valide për posedimin e tyre.

    Për këtë rast, S.S. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Të dyshuarit, që nga 24 shtatori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.