ATV

Blog

  • Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Nga 7 gushti deri më 18 shtator, në Kosovë u regjistruan shtatë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa dy persona humbën jetën.

    Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se rastet e regjistruara këtë vit janë kryesisht infeksione të marra brenda Kosovës.

    Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Hoti tregon se vetëm njëri nga personat e infektuar kishte histori udhëtimi jashtë Kosovës, ndërsa të tjerët, sipas anketave epidemiologjike, nuk kishin udhëtuar jashtë shtetit.

    Si përhapet virusi i Nilit Perëndimor?

    Njerëzit preken nga ky virus kur pickohen nga mushkonjat e infektuara.

    “Burim i infeksionit janë shpezët e infektuara, ndërsa virusin nga shpezët e infektuara tek njeriu e sjellin mushkonjat”, thotë Hoti.

    Ai thekson se virusi nuk transmetohet zakonisht nga njeriu te njeriu.

    “Rastet kur kjo ndodh janë jashtëzakonisht të rralla, dhe janë kryesisht raste kur kemi të bëjmë me ndonjë lloj transplantimi, ose një lloj transfuzioni të gjakut, në situatat kur personi i infektuar i jep gjak dikujt tjetër, pa e ditur që vetë e ka infeksionin”, thotë Hoti në 5 pyetje.

    Sipas tij, simptomat e para kanë të bëjnë me kokëdhimbje, me temperaturë, me ethe, me dhimbje në nyje, dhe me dhimbje në muskuj.

    Kush është më i rrezikuar?

    Virusi mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave.

    Megjithatë, “gjithmonë janë më të atakuar moshat e shtyra, për shkak se personat me moshë të shtyrë janë edhe me sëmundje shoqëruese, apo sëmundje kronike”, thotë Hoti për REL-in.

    Hoti tregon se për të dyshuarit për infektim me virusin e Nilit Perëndimor janë të rëndësishme dy elemente: historia e udhëtimit dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj mushkonjave.

    Ai thotë se dyshimi për infektim rritet nëse një person ka udhëtuar gjatë verës në zona bregdetare me ujëra moçalike, është pickuar nga mushkonjat dhe më pas ka shfaqur temperaturë apo simptomat e tjera.

    Si të mbrohemi nga infektimi?

    Për parandalimin e infeksionit, rekomandohet shmangia e ekspozimit ndaj mushkonjave, përdorimi i rrjetave në dritare, dhe përdorimi i kremrave kundër pickimit nga mushkonjat kur qëndrohet në natyrë.

    Aktualisht nuk ka vaksinë për njerëzit kundër virusit të Nilit Perëndimor.

    “Shkenca, përkundër që është duke bërë hulumtime edhe mund të pritet që ndoshta në të ardhmen edhe të ketë, ende nuk ka arritur që të zhvillojë vaksinën kundër virusit të Nilit Perëndimor”, thotë Hoti.

    Sipas tij, sezoni i virusit zakonisht fillon në muajin maj, arrin kulmin në gusht dhe shtator, kurse përfundon rreth tetorit.

    Hoti thotë se vera e gjatë dhe temperaturat e larta mund të kenë ndikuar në shtimin e rasteve këtë vit në Kosovë.

    Ai shton se ekziston rreziku të paraqiten raste të reja, megjithëse në IKSHPK presin që me rënien e temperaturave të ulet edhe përhapja e virusit. /REL

  • Gërvalla: Ligji për Byronë do të krijojë mekanizëm për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

    Gërvalla: Ligji për Byronë do të krijojë mekanizëm për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga elementet kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

    Gërvalla ka thënë se projektligji është hartuar dhe rishikuar në disa faza, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias dhe është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa më pas është ndryshuar dhe është rihapur për konsultim publik.

    “Një lajm po ashtu jashtëzakonisht i mirë është që po dërgojmë në Kuvend edhe ligjin për Byronë. Që nga mandati i kaluar ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”, tha Gërvalla.

    Ajo ka theksuar se iniciativa zyrtare për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe ka qenë pjesë e reformave në drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

    “Qëllimi ka qenë që Kosovës t’i jepet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme, por kur mekanizmat ekzistues të ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshëm për të mundësuar konfiskimin e kësaj pasurie”, tha ministrja.

    Gërvalla ka thënë se gjatë hartimit të projektligjit është synuar ruajtja e balancës ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale.

    “Që nga fillimi kemi qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri dhe të ndjeshëm, i cili duhet të vendosë balancën e duhur ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale. Pikërisht ruajtja e kësaj balance ka qenë një prej parimeve kryesore që e ka udhëhequr hartimin e këtij projektligji”, u shpreh ajo.

    Ministrja ka sqaruar se Byroja, sipas projektligjit, nuk do të ketë kompetencë për të konfiskuar pasurinë, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga gjykata.

    “Ky ligj nuk më krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standarde të përcaktuara të provës dhe me të drejtë ankese. Byroja ka rol përgatitor dhe analitik. Ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore e paraqet çështjen para gjykatës. Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim. Vendimin përfundimtar, përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata”, tha Gërvalla.

    Sipas saj, personi ndaj të cilit zhvillohet procedura do të ketë të drejtë të paraqesë prova, të kundërshtojë pretendimet dhe provat e Byrosë dhe të përdorë mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

    Gërvalla ka thënë se qytetarët e presin këtë ligj për shkak të nevojës për trajtimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe luftimin e korrupsionit.

    “Por pse po pritet kaq me padurim nga qytetarët e Republikës sonë ky ligj? Sepse Kosova nuk mund ta tolerojë pasurinë e pajustifikueshme që ajo të bëhet normë. Që korrupsioni të fitojë mbi shtetin ligjor, që pasuria publike të përfundojë në xhepat privatë, që i drejti dhe i sinqerti në fund të jetë humbës”, tha ajo.

    Gërvalla e ka cilësuar Projektligjin për Byronë si një nga shtyllat e reformës në sistemin e drejtësisë.

    “Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetë një prej garancive të forta për këtë. Me këtë ligj jam e sigurt që kemi vënë themelin e reformës më të thellë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, përfundoi Gërvalla.

  • FSK trajnohet me Ushtrinë Turke në kërkim-shpëtim urban, malor dhe operacione K9

    FSK trajnohet me Ushtrinë Turke në kërkim-shpëtim urban, malor dhe operacione K9

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ushtria e Republikës së Turqisë kanë zhvilluar trajnim të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit urban, kërkim-shpëtimit në terrene malore dhe operacioneve me qen të kërkim-shpëtimit K9.

    Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit me Ushtrinë e Republikës së Turqisë dhe kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ekipeve, si dhe shkëmbimin e përvojave praktike në operacionet e kërkim-shpëtimit.

    Gjatë trajnimit janë zhvilluar ushtrime teorike dhe praktike, përfshirë teknikat e kërkimit dhe shpëtimit në ndërtesa të dëmtuara, operacionet në terrene malore, përdorimin dhe angazhimin e qenve të kërkim-shpëtimit K9, si dhe procedurat e koordinimit dhe reagimit në situata emergjente.

    FSK-ja ka bërë të ditur se trajnimi ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale, gatishmërisë operacionale dhe ndërveprueshmërisë së ekipeve me partnerët në fushën e kërkim-shpëtimit.

  • Kurti për 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu: Përmasat e krimeve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë

    Kurti për 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu: Përmasat e krimeve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu në Abrinë e Epërme të Drenasit, ku më 26 shtator 1998 u vranë 23 anëtarë të kësaj familjeje.

    Kurti, përmes një postimi, ka përmendur viktimat e masakrës, nga foshnja që ndodhej në barkun e nënës së saj, deri te viktima më e moshuar, 94-vjeçari Fazli Deliu.

    “Nga foshnja në barkun e nënës Luljetë, të cilën ajo do ta quante Malësor ose Malësore, te Mihanja e cila një ditë më parë kishte mbushur 28 vjet dhe i biri i saj Valmiri, i cili kishte pesë ditë që i kishte mbushur dy vjet, te Lumnija dhe foshnja e saj në javën e gjashtë të jetës Dituria, e cila i mbijetoi masakrës por vdiq 54 ditë më vonë, tek Antigona dhe Mihanja 14 dhe 16 vjeçe, e deri te më i vjetri, Fazli Deliu, 94 vjeç”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij, përmasat dhe mënyra e kryerjes së krimeve ndaj familjes Deliu përbëjnë dëshmi të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

    “Përmasa dhe llojet e krimeve çnjerëzore që aparati shtetëror i Serbisë kreu ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, më 26 shtator 1998, janë dëshmia e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë”, ka deklaruar ai.

    Kurti ka përmendur edhe mënyrën e vrasjes së disa prej viktimave, duke e cilësuar atë si dëshmi të mizorisë ndaj popullsisë civile shqiptare.

    “Prerja e barkut të një shtatëzëne, vrasja e një nëne tjetër bashkë me fëmijën dy vjeç dhe e tjetrës që mbante në duar foshnjën 40 ditëshe, dhunimi e masakrimi i vajzave 14 e 16 vjeçe, sikurse gjymtimi që iu bë kufomave pasi fillimisht ishin qëlluar me plumb në kokë, janë dëshmia e mizorisë dhe barbarisë, si dhe rezultati i urrejtjes së mbjellë ndaj shqiptarëve për dekada nga akademia serbe, ideatores që fshihet prapa perdes teksa sheh frytet e politikës së saj fashiste, shoviniste e ekspansioniste”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka kujtuar edhe masakrën e kryer po atë ditë në fshatin Golluboc të Malishevës, ku, sipas tij, aparati shtetëror i armatosur i Serbisë kishte lidhur dhe torturuar civilë shqiptarë para se t’i ekzekutonte.

    Kurti ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, duke bërë thirrje për rritje të trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

    “Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet, andaj trysnia ndërkombëtare ndaj fqinjit verior duhet të jetë më e madhe se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.

  • Shtatë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Kiev – mes viktimave një 14-vjeçar

    Shtatë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Kiev – mes viktimave një 14-vjeçar

    Shtatë persona, përfshirë një 14-vjeçar, janë vrarë në Kiev nga sulmet ruse me dronë, ndërsa 46 të tjerë janë plagosur, bëri të ditur kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko. Më vonë, autoritetet raportuan se numri i të plagosurve në Kiev ishte rritur në 59.

    Ministria e Jashtme e Izraelit tha se 14-vjeçari kishte shtetësi izraelite, ndërsa nëna e tij ishte mes të plagosurve.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se një depo e përdorur nga rrjeti amerikan i restoranteve McDonald’s ishte gjithashtu në shënjestër pranë Kievit.

    Ndërkohë, një person u vra në rajonin e Odesës, në jugperëndim të Ukrainës, gjatë një sulmi ndaj një ndërtese të operatorit postar, sipas autoriteteve ukrainase.

    Sulmet prekën edhe Zaporizhian, ku zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore u detyruan të evakuonin shtatë pacientë nga një spital pasi një sulm me dron dëmtoi ndërtesën dhe shkaktoi zjarr. Dy persona u plagosën.

    Sulmet ruse kanë vijuar me intensitet, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, ka lënë të kuptohet se Moska po e rishikon qëndrimin për rifillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën.

  • AShAK-u i gatshëm të ndihmojë në hulumtimin e fakteve për luftën në Kosovë

    AShAK-u i gatshëm të ndihmojë në hulumtimin e fakteve për luftën në Kosovë

    Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Justina Shiroka-Pula, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton është i gatshëm të ndihmojë në hulumtimin dhe interpretimin e të dhënave dhe fakteve që lidhen me luftën në Kosovë.

    Këtë qëndrim ajo e ka bërë të ditur në një reagim pas vendimit të fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë”, ka shkruar Shiroka-Pula.

    Në reagimin e saj, kryetarja e ASHAK-ut ka shprehur edhe rezerva ndaj mënyrës se si është konceptuar dhe funksionon Specialja, duke thënë se drejtësia duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.

    Ajo ka theksuar se proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje apo të një periudhe historike.

    Shiroka-Pula ka bërë thirrje për transparencë, llogaridhënie dhe debat të argumentuar publik lidhur me institucionet e drejtësisë.

  • Tyson Fury trondit fansat: “Joshua dhe Hearn po tentojnë të tërhiqen nga dueli”

    Tyson Fury trondit fansat: “Joshua dhe Hearn po tentojnë të tërhiqen nga dueli”

    Tyson Fury ka bërë një deklaratë të bujshme lidhur me duelin e shumëpritur ndaj Anthony Joshuas, duke pretenduar se përballja mes dy yjeve britanikë është në rrezik të anulohet.

    Vetëm të enjten u konfirmua zyrtarisht se Fury dhe Joshua do të përballen më 11 dhjetor në stadiumin “Principality” në Cardiff, në një prej dueleve më të mëdha të peshave të rënda.

    Turki Alalshikh, një prej figurave kryesore të boksit në Arabinë Saudite, kishte bërë të ditur se të gjitha detajet për përballjen ishin finalizuar. Megjithatë, Fury tani ka ngritur dyshime serioze mbi zhvillimin e saj.

    “Lajm i fundit: Anthony Joshua dhe Eddie Hearn po përpiqen të tërhiqen nga ndeshja”, deklaroi Fury.

    Britaniku vazhdoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj promotorit të Joshuas, Eddie Hearn.

    “Ata thonë se nuk do të ndeshen më. Kjo ka të bëjë kryesisht me egon e Eddie Hearn. Ai po shpik gjëra të ndryshme dhe po kërcënon se nuk do të ndeshemi”, tha Fury.

    I njohur për deklaratat e tij provokuese, Fury e rriti edhe më shumë tensionin duke iu drejtuar drejtpërdrejt rivalit të tij.

    “Gypsy King po kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për të të shkatërruar para të gjithë fansave të mi në Uells, ndërsa ti po gjen një milion justifikime”, u shpreh ai.

    Fury shtoi se Turki Alalshikh tashmë mund të jetë duke shqyrtuar alternativa të tjera nëse dueli me Joshuan nuk realizohet.

    “Turki Alalshikh po gjen alternativa të tjera, burra të vërtetë që janë gati të ndeshen sa hap e mbyll sytë. Shpresoj që jeni të lumtur”, përfundoi Fury.

    Pavarësisht deklaratave të Furyt, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se përballja është anuluar. Dueli mes dy britanikëve mbetet i planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff.

  • Manchester City tronditet nga vendimi: 114 akuza për shkelje financiare

    Manchester City tronditet nga vendimi: 114 akuza për shkelje financiare

    Manchester City është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat për shkelje të rregullave financiare të Premier League, në një vendim që mund të ketë pasoja të mëdha për klubin anglez.

    Sipas raportimeve të “BBC Sport”, paneli i pavarur që ka shqyrtuar çështjen ka pranuar pjesën dërrmuese të akuzave të ngritura ndaj kampionit anglez.

    Manchester City ka mohuar vazhdimisht shkeljet dhe pritet ta apelojë vendimin. Kështu, çështja nuk konsiderohet ende e përfunduar dhe beteja ligjore mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë.

    Në të njëjtën kohë, situata ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjera të Premier League. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë kërkuar këshillim ligjor për mundësinë e kërkimit të kompensimeve nga Manchester City, nëse vendimi mbetet në fuqi.

    City mund të përballet me sanksione të rënda, duke përfshirë zbritje pikësh, gjoba të konsiderueshme financiare apo edhe përjashtim nga Premier League. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për masën e dënimit.

    Procesi i përcaktimit të sanksioneve dhe apelimit pritet të zgjasë disa muaj. Për rrjedhojë, mbetet e hapur se çfarë pasojash do të ketë vendimi për Manchester Cityn dhe të ardhmen e klubit në futbollin anglez.

  • Manchester City në telashe, shpallet fajtor për shumicën e akuzave financiare

    Manchester City në telashe, shpallet fajtor për shumicën e akuzave financiare

    Manchester City është shpallur fajtor për shumicën e akuzave për shkelje të rregullave financiare të Premier League.

    Sipas raportimeve të “BBC Sport”, paneli i pavarur ka pranuar 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj klubit anglez.

    Manchester City i ka mohuar shkeljet dhe pritet të apelojë vendimin e marrë nga paneli. Ndërkohë, klubet e tjera të Premier League kanë nisur të kërkojnë këshillim ligjor për mundësinë e kërkimit të kompensimeve nga kampioni anglez.

    Klubi mund të përballet me një sërë masash ndëshkuese, përfshirë zbritje pikësh, gjoba të mëdha financiare apo edhe përjashtim nga Premier League. Megjithatë, vendimi përfundimtar mbi sanksionet ende nuk është marrë.

    Procesi i apelimit dhe përcaktimit të dënimit pritet të zgjasë disa muaj, duke lënë të hapura pikëpyetjet rreth të ardhmes së Manchester Cityt në elitën e futbollit anglez.

  • Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kosova niset drejt Austrisë, “Dardanët” gati për sfidën e radhës

    Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në vend para nisjes drejt Austrisë, ku të dielën do ta zhvillojë një tjetër përballje të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” do të përballen me Austrinë në stadiumin “Ernst Happel” në Vjenë, në ndeshjen e dytë të Grupit B3. Takimi nis në orën 18:00, ndërsa të dyja skuadrat e kanë nisur kampanjën me fitore.

    Kosova debutoi me triumf 1-0 ndaj Irlandës në Prishtinë, falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të. Kapiteni dhe sulmuesi i Kosovës ishte vendimtar në një ndeshje ku “Dardanët” krijuan disa raste për të shënuar.

    Në anën tjetër, Austria e nisi kampanjën me fitore 3-1 ndaj Izraelit. Skuadra e drejtuar nga Ralf Rangnick e siguroi triumfin në pjesën e dytë dhe tani synon një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë përballë Kosovës.

    Për “Dardanët”, kjo sfidë ka një rëndësi të veçantë edhe për shkak të trajnerit Franco Foda. Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi ka drejtuar përfaqësuesen e Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2022.

    Foda do të rikthehet kështu në stadiumin “Ernst Happel”, por këtë herë në rolin e trajnerit të Kosovës.

    Pas përballjes në Vjenë, Kosova dhe Austria do të takohen sërish më 4 tetor, kur “Dardanët” do ta presin përfaqësuesen austriake në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.