ATV

Blog

  • Trump mbërrin në Kinë për samitin historik trepalësh me Xi-në dhe Putinin

    Trump mbërrin në Kinë për samitin historik trepalësh me Xi-në dhe Putinin

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbërritur të mërkurën në Shenzhen të Kinës, ku pritet të zhvillojë një takim trepalësh me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë rus, Vladimir Putin.

    Takimi mes tre liderëve shihet si i paprecedentë dhe zhvillohet në kuadër të samitit të udhëheqësve të Azi-Paqësorit, të organizuar nga Kina.

    Para mbërritjes së Trumpit, Xi Jinping priti të martën presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin e cilësoi si një “mik të vjetër”.

    Në fokus të diskutimeve pritet të jenë lufta në Ukrainë, furnizimet me energji, si dhe marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, Xi Jinping po përpiqet të ruajë një ekuilibër diplomatik mes dy fuqive, në një kohë tensionesh dhe interesash të ndërlikuara ndërkombëtare.

    Trumpi udhëtoi drejt Kinës nga Filipinet, ku kishte marrë pjesë në një tjetër samit. Gjatë qëndrimit atje, ai zhvilloi takime me kryeministrin indian, Narendra Modi, kryeministrin australian, Anthony Albanese, dhe kryeministren japoneze, Sanae Takaichi.

    Pas këtyre takimeve, Trumpi deklaroi se një marrëveshje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve ishte “përmbyllur”, por nuk dha detaje të mëtejshme rreth përmbajtjes së saj.

  • Paralajmëron avokati: Mund të ketë arrestime tjera nga Gjykata Speciale

    Paralajmëron avokati: Mund të ketë arrestime tjera nga Gjykata Speciale

    Avokati Xhevdet Smakiqi ka paralajmëruar se do të ketë arrestime të tjera nga Gjykata Speciale.

    Këto paralajmërime ai i bëri në emisionin Compass me Ilir Berishën.

    “Non stop janë duke përgjuar, ka edhe procedura të tjera penale, mund të ketë edhe raste të tjera të arrestimeve nga kjo gjykatë, që t’i ndjekin pjesëtarët e UÇK-së”, tha ai.

  • Avokati Smakiqi: Mbrojtja në Apel të tërhiqet krejtësisht, le ta dijë bota se ata janë viktima dhe s’ka drejtësi

    Avokati Smakiqi: Mbrojtja në Apel të tërhiqet krejtësisht, le ta dijë bota se ata janë viktima dhe s’ka drejtësi

    Avokati Xhevdet Smakiqi e ka quajtur të paprecedentë vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale që e dënon ish presidentin Hashim Thaçi me 17 muaj burgim për pengim në drejtësi.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se nga ky tentim për të ndërhyrë në drejtësi nuk ka asnjë proces.

    Sipas tij, ata janë dënuar në gjykimin e parë dhe s’ka pasur ndërhyrje në drejtësi.

    Po ashtu, avokati tha se do të ishte më mirë që mbrojtja të tërhiqet në Apel dhe le ta dijë gjithë bota se ata janë viktima pasi s’ka drejtësi nga Specialja.

  • Koci: Kosova të ndërpresë komunikimin me Marta Kos pas skandalit në Bruksel

    Koci: Kosova të ndërpresë komunikimin me Marta Kos pas skandalit në Bruksel

    Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Melazim Koci, ka kritikuar institucionet e Kosovës lidhur me mos reagimin ndaj BE-së për interpretimin e këngës nacionaliste serbe për Kosovën në forumin e zgjerimit të BE-së në Bruksel.

    Ai në një intervistë në emisionin Compass me Ilir Berishën, ka thënë se për këtë rast nuk ka reaguar as presidentja e Kosovës, as kryeministri dhe as ministri i jashtëm.

    Sipas Kocit, pas këtij skandali të qëllimshëm ndaj Kosovës, kjo e fundit duhet që t’i ndërpres komunikimet me Marta Kos.

  • Gjini: Dënimi shtesë i Thaçit është një tjetër lajm i keq për Kosovën

    Gjini: Dënimi shtesë i Thaçit është një tjetër lajm i keq për Kosovën

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka deklaruar se Kosova po përballet me një varg zhvillimesh negative, duke shprehur shqetësimin për situatën politike, dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë dhe gjendjen energjetike në vend.

    Gjini ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në Kosovë, duke theksuar se vendi tash e një kohë të gjatë po përballet vetëm me lajme të këqija.

    “Fatkeqësisht, tashmë për një kohë të gjatë Kosova po merr vetëm lajme të këqija. Kemi harruar kur e kemi marrë ndonjë lajm të mirë për vendin tonë dhe po besojmë që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një situatë të tillë”, ka deklaruar Gjini.

    Duke komentuar dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, kreu i Aleancës ka ritheksuar qëndrimin e partisë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

    “Sot e kemi edhe lajmin për dënimin shtesë të ish-presidentit Thaçi në Hagë. Aleanca mbetet pranë qëndrimit të vet të pastër në mbështetje të të gjithë luftëtarëve të lirisë, në theks të luftëtarëve të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi thënë më parë, nuk e kemi votuar ligjin më 2015 dhe mendojmë që vendimi i Kosovës ka qenë dashje apo shtesë, anulimi i ligjit për këtë kohë”, është shprehur ai.

    Gjini ka folur edhe për qëndrimin e AAK-së lidhur me amendamentimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se partia e tij e ka mbështetur këtë proces dhe se pret që puna e nisur nga Kuvendi të përfundojë sa më shpejt.

    “Shumë keq. Në situatën në të cilën gjendemi, prapë e kemi mbështetur amendamentimin e atij ligji tash në Kuvend dhe kemi menduar që ka qenë hapi në krye të heqja e tij dhe kthimi nga ana e presidentes. Në këto rrethana kërkojmë që sa më shpejt të përfundojë kryepuna të cilën Kuvendi i Kosovës e ka nisur, të cilën qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar. Kjo është një lajm i keq”, ka deklaruar Gjini.

    Një tjetër shqetësim i ngritur nga kryetari i AAK-së ka qenë edhe situata me energjinë elektrike në Kosovë. Ai ka rikujtuar se për këtë çështje kishte paralajmëruar qytetarët edhe muaj më parë, duke theksuar se paralajmërimet e tij dhe të kolegëve të partisë kishin nisur që nga muaji korrik.

    “Lajm tjetër i keq është situata me energji në Kosovë. Prej këtij vendi, prej kësaj foltoreje, ka disa muaj që prej korrikut që kolegët e mi në Aleancë dhe unë e kemi paralajmëruar popullin e Kosovës”, ka thënë Gjini.

  • Pas mbi dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në SHBA – Konjufca nënshkruan me kompaninë që e kishte angazhuar edhe Thaçi

    Pas mbi dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në SHBA – Konjufca nënshkruan me kompaninë që e kishte angazhuar edhe Thaçi

    Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për t’i përfaqësuar interesat e saj në Uashington.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka lidhur kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, sipas një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

    Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.

    Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, apo gjithsej 600.000 dollarë për një vit. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.

    Pagesat do të bëhen në këste tremujore prej 150.000 dollarësh.

    Të njëjtën kompani e pati angazhuar edhe zyra e Presidencës në vitin 2017, kur postin e presidentit e mbante Hashim Thaçi.

    Në kontratë, të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard, thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën lidhur me çështje që i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane.

    Dokumenti i regjistruar në FARA përmend lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

    Megjithatë, kontrata nuk specifikon objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për më shumë informacione, por nuk ka marrë ende përgjigje.

    Kjo Ministri, kishte lidhur kontratat e fundit të lobimit në SHBA në vitin 2023, kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla, tani ministre e Drejtësisë.

    Kosova pa kontrata lobimi që nga viti 2024

    Në qershor të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, në pronësi të Avni Mustafajt.

    Sipas kontratave të nënshkruara më 26 qershor 2023, të dyja kompanitë u angazhuan për nga një vit, me synimin e deklaruar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”. Secila parashihej të paguhej nga 147 mijë euro, pra gjithsej 294 mijë euro.

    Përveç pagesave të kontratës, ata kishin deklaruar edhe shpenzime shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime. Një pjesë e madhe e takimeve të deklaruara ishin zhvilluar në restorante në Prishtinë, ndonëse kontrata parashihte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.

    Të dhënat e publikuara në FARA tregonin se, nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafaj katër. Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë në të njëjtën datë.

    Kontratat përfunduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u vazhduan. Që nga atëherë, Kosova nuk ka pasur asnjë lobist në SHBA, ndërkohë që vendet e rajonit kanë nënshkruar disa të tilla.

    Angazhimi i rajonit për lobim në SHBA

    Kontratat e vendeve të rajonit tregojnë se ato po përpiqen të avancojnë interesat e tyre nëë Uashington përmes lobimit.

    Në vitet e fundit, Serbia ka zgjeruar angazhimin e saj në Uashington, përmes disa kontratave aktive me kompani amerikane:

    me KARV Communications, për komunikim strategjik dhe marrëdhënie me mediat, me pagesë prej rreth 60 mijë dollarësh në muaj;
    me Valcour LLC, për promovimin e Serbisë si nikoqire e EXPO 2027, me 65 mijë dollarë në muaj;
    dhe me CRB Global LLC, për këshillim strategjik, me 10 mijë dollarë në muaj.
    Përveç qeverisë, në regjistrin amerikan figurojnë edhe kontrata të Odës Ekonomike të Serbisë dhe dy kompanive private serbe.

    Edhe Republika Sërpska, entitet i Bosnje e Hercegovinës, ka rritur ndjeshëm shpenzimet për lobim në SHBA në vitet e fundit. Në 16 kontratat aktive, një nga objektivat kryesore del të ketë qenë heqja e sanksioneve amerikane ndaj udhëheqësit të atëhershëm të entitetit, Milorad Dodik, dhe personave të lidhur me të.

    Ndërkohë, Mali i Zi figuron me dy kontrata aktive, të dyja të nënshkruara në muajt e fundit të këtij viti. Njëra u lidh nga Organizata Kombëtare e Turizmit dhe tjera nga Partia Demokratike Popullore.

    Nga institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk figuron asnjë kontratë aktive lobimi, por vetëm një nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të tjera nga individë dhe kompani private.

    Ngjashëm, edhe Maqedonia e Veriut figuron në regjistrin FARA vetëm përmes angazhimeve të një kompanie private, ATS Group, dhe një partie politike, Bashkimi Demokratik për Integrim.

    Teksa vendet e rajonit përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre në Uashington, lobimi në SHBA ka rëndësi të veçantë për Kosovën për shkak të rolit amerikan në sigurinë e vendit dhe në proceset ndërkombëtare që e prekin.

    Vitin e kaluar, kur Kosova s’kishte asnjë kontratë lobimi aktive, analistja politike Donika Emini kishte vlerësuar për REL-in se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në diplomacinë konvencionale, përmes ambasadave dhe konsullatave.

    Sipas saj, në një kohë kur Serbia po e forcon angazhimin në Uashington, mungesa e një pranie aktive të Kosovës rrezikonte ta linte vendin në hije.

    “Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, kishte thënë Emini për REL-in. /Radio Evropa e Lirë/

  • Gola për dënimin e Thaçit: Shprehim keqardhje

    Gola për dënimin e Thaçit: Shprehim keqardhje

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ardian Gola, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e sotëm në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin për pengim të drejtësisë.

    Ai ka bërë të ditur se tashmë ekziston një grup punues, i udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndërsa ka shprehur shpresën që ky vendim të trajtohet në kuadër të punës së këtij grupi.

    “Po, jemi informuar për vendimin që është marrë. Normalisht që shprehim keqardhje për të gjitha proceset që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara. Tashmë e dini që kemi një grup punues, në krye të të cilit është Glauk Konjufca”, tha Gola.

  • Ligji për Specialen, Gucati: S’mund ta fajësojmë dikë tjetër pos PDK-së, ata duhet të përgjigjen

    Ligji për Specialen, Gucati: S’mund ta fajësojmë dikë tjetër pos PDK-së, ata duhet të përgjigjen

    Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, ka hedhur kritika për Ligjin për Specialen.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën ka thënë se s’mund ta fajësojnë dikë tjetër pos PDK-së, pasi ajo e ka kthyer Ligjin në Kuvend dhe se ajo duhet të përgjigjet.

    “S’mund ta fajësojmë dikë tjetër pos PDK-së, ajo duhet të përgjigjet, duhet të tregojë se çka po ndodhë me ligjin, pse u kthye në Kuvend, pse ende nuk po votohet tani”, u shpreh Gucati.

  • Çitaku reagon ashpër pas dënimit të Thaçit: Vendim i turpshëm, PDK-ja do të ndërmarrë veprime politike e juridike

    Çitaku reagon ashpër pas dënimit të Thaçit: Vendim i turpshëm, PDK-ja do të ndërmarrë veprime politike e juridike

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dënimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Në një konferencë për media, dënimin prej 17 muajsh burgim për Thaçin, ajo e ka cilësuar si të turpshëm dhe të pa pranueshëm.

    “Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk ka asgjë më shkatërruese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengimin e drejtësisë”, tha ajo në një konferencë për media.

    Ajo ka theksuar se sipas PDK-së, kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë shtuar dyshimet lidhur me mënyrën e administrimit të drejtësisë nga Gjykata Speciale. Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i përgjigjet këtij vendimi përmes qëndresës, mobilizimit dhe veprimeve politike, juridike e diplomatike

    “Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë anuluar edhe më tej pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë së kësaj gjykate. Drejtësia nuk mund të ketë dy standard. Do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton, me qëndresë, me mobilizim dhe me përkushtim të palëkundur, me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike dhe me vendosmëri deri në fund. Lufta jonë për liri ishte e drejtë, UÇK-ja ishte ushtria jonë çlirimtare, sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë”, shtoi Çitaku.

  • Aktakuzë ndaj tre personave për shitjen e rreth dy kilogramëve heroinë

    Aktakuzë ndaj tre personave për shitjen e rreth dy kilogramëve heroinë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, pasi gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1.8 kilogramë heroinë, kanabis, pesë armë zjarri dhe qindra fishekë.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit R.B., A.R. dhe B.(Sh)B. dyshohet se, në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi, janë marrë me shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës në fshatin Gjinoc të Suharekës.

    Hetimet kanë zbuluar se më 23 mars 2026, gjatë realizimit të një shitjeje të narkotikëve, policia ka ndaluar një automjet në të cilin ishin fshehur dy paketime me substancë të dyshuar narkotike, me peshë fillestare prej 1,017.25 gramësh.

    Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të pandehurve është gjetur edhe një sasi tjetër prej 806 gramësh heroinë.

    Sipas ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë përmbanin heroinë në përzierje me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1,780.13 gramësh. Po ashtu, në pronën e njërit prej të pandehurve është sekuestruar edhe 12.69 gramë kanabis.

    Përveç veprave që lidhen me narkotikët, dy prej të pandehurve akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pesë armë zjarri, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

    Gjithashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i dy automjeteve, një Land Rover dhe një Mercedes GLE, telefonave mobilë, pajisjeve elektronike, parave të gatshme, narkotikëve, armëve dhe municionit.

    Prokuroria ka propozuar që dy automjetet të shiten përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ndërsa të hyrat të kalojnë në buxhetin e Kosovës. Për narkotikët, armët dhe municionin është kërkuar konfiskimi dhe shkatërrimi sipas procedurave ligjore.

    Të tre të pandehurit gjenden në paraburgim që nga 23 marsi 2026.