ATV

Blog

  • Griezmann shënon një tjetër sukses historik: 200 gola me klubet

    Griezmann shënon një tjetër sukses historik: 200 gola me klubet

    Sulmuesi francez, Antoine Griezmann, ka arritur kuotën e 200 golave në karrierën e tij me klube, duke forcuar më tej statusin si një nga futbollistët më të rëndësishëm të dekadës së fundit në futbollin evropian.

    I njohur për inteligjencën taktike, vizionin në lojë dhe efikasitetin para portës, Griezmann ka lënë gjurmë të thella te Real Sociedad, Atletico Madrid, Barcelona dhe në rikthimin e tij te “Los Colchoneros”.

    Pjesa më e madhe e golave i përket periudhave të tij me Atletico Madridin, ku është shndërruar në simbol të fazës sulmuese të ekipit.

    Kjo shifër golash e vendos 34 vjeçarin mes lojtarëve më produktivë të futbollit modern, teksa vazhdon të luajë rol vendimtar si në La Liga, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare me përfaqësuesen e Francës.

    Arritja e 200 golave është dëshmi e qëndrueshmërisë, klasit dhe profesionalizmit të një kampioni bote, i cili mbetet një figurë qendrore në futbollin elitar dhe që ende ka shumë për të dhënë.

    Gjithsej, në nivel klubesh, ai numëron 758 ndeshje, ku ka shënuar 287 gola dhe ka kontribuar në 128 të tjerë. /ATVLIVE.TV

  • S’ka fonde, ndalen përditësimet në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    S’ka fonde, ndalen përditësimet në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar se, për shkak të mungesës së fondeve të alokuara, faqja e saj zyrtare në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht deri në rifillimin e operacioneve të plota.

    Në komunikatë theksohet se përjashtim do të bëhet vetëm për publikimin e informacioneve urgjente të sigurisë.

    “Për shkak të mungesës së fondeve të alokuara, kjo llogari në Facebook nuk do të përditësohet rregullisht derisa të rifillojnë operacionet e plota, me përjashtim të informacionit urgjent të sigurisë. Shërbimet e planifikuara të pasaportave dhe vizave në SHBA dhe në ambasadat e konsullatat jashtë vendit do të vazhdojnë, sipas situatës”, thuhet në njoftim.

    Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që për informacione të detajuara dhe përditësime mbi statusin e shërbimeve konsullore të vizitojnë faqen zyrtare travel.state.gov.

  • Qelaj: Ka pasur një tendencë për të sulmuar verbalisht dhe akuzuar mediat se gjoja punojnë kundër interesave të vendit

    Qelaj: Ka pasur një tendencë për të sulmuar verbalisht dhe akuzuar mediat se gjoja punojnë kundër interesave të vendit

    Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me sulmet ndaj mediave. Ai teksa fliste për çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, tregoi për shqetësimet që janë ngritur nga shoqëria civile në lidhej me lirinë e shprehës dhe mediave, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha  thekson se në vitet e fundit ka pasë një tendencë me i sulmu verbaslisht por edhe me i akuzu mediat  që po punojnë kundër interesave të vendit.

    “Kemi pasë bashkëpunim edhe m organizatat e shoqërisë civile që janë në vështirësi për shkak të paqëndrueshmërisë financiare por që ne kemi arritur me kriju një forum si platformë ku avokati I popullit dhe shoqëria civile krijon një plan të veçantë veprimit dhe trajton aspektet që janë të rëndësishme për ne dhe shoqërinë civile. Nëse flasim për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë mund të them se ka pasë shqetësime që janë ngritur te ne dhe shoqëria civile lidhur me lirinë e shprehjes dhe mediave. Viteve të fundit ka pasë një tendencë me i sulmu verbalisht por edhe formave tjera, gjuhës së ashpër, tendencës për linçim, shenjestrimi dhe akuzave që punojnë kundër interesave të vendit. Disa mediume që kanë paraqitur edhe shqetësim për ne dhe kemi reaguar në raste ku kemi konstatu ku ka tendenca të tilla”, tha Qelaj.

    Ai ka përmendur edhe rastin e punëtorëve të RTK-së.

    “Mungesa e vullnetit politik për me gjetë zgjidhje për financimin e qëndrueshëm të RTK-së ka sjellë në situatën ku në fund të vitit orrik, RTK e vetmja publike ishte në prag të kolapsit për shkak të mungesës së mjeteve financiare për pagat . ne kemi pa me shqetësim dhe reagimet publike lidhur me tendencën për me vendos censurën këtë institucion. Kemi kontaktuar menaxhmentin dhe sindikatat brenda këtij medium dhe kemi punuar në atë drejtim që me u siguru që një gjë e tillë nuk do të ndodhë meqenëse është në inters të publikut”, u shpreh Qelaj gjatë një takimi me partnerët ndërkombëtarë që u organizua për nder të përvjetorit të 25-të të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.

  • Sigal Prishtina nis sonte edicionin e ri në European North Basketball League

    Sigal Prishtina nis sonte edicionin e ri në European North Basketball League

    Sigal Prishtina e hap sot rrugëtimin e saj në sezonin e ri të European North Basketball League (ENBL), me një përballje kundër skuadrës norvegjeze BC Gimle. Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

    Kjo është hera e dytë që bardhekaltrit marrin pjesë në këtë garë evropiane, ku synimi është të arrijnë sa më larg në kompeticion. Në fazën e grupeve, Prishtina do të zhvillojë tetë ndeshje – katër si vendase dhe katër si mysafire.

    Për herë të parë në këtë ligë do të garojë edhe një tjetër skuadër nga Kosova, KB Peja, duke e bërë pjesëmarrjen kosovare më të rëndësishme dhe më përfaqësuese në arenën ndërkombëtare të basketbollit.

    Kundërshtarët e Prishtinës në këtë edicion të ENBL janë:

    • BK Opava (Çeki)

    • BC Gimle (Norvegji)

    • Brussels Basketball (Belgjikë)

    • Slovan Bratislava (Sllovaki)

    • Tindastoll Saudarkrokur (Islandë)

    • Keila Coolbet (Estoni)

    • Manchester Basketball (Britani e Madhe)

    • KK Dinamo Zagreb (Kroaci)

    Skuadra kryeqytetase synon ta nisë me fitore këtë kampanjë evropiane, përballë tifozëve të saj, dhe të hedhë hapin e parë drejt fazave eliminatore. Ndeshja e sotme pritet të sjellë emocion, ritëm të lartë dhe spektakël në zemër të Prishtinës. /ATVLIVE.TV

  • Një person vdes dhe një tjetër plagoset pas të shtënave dhe shpërthimeve në Munchen

    Një person vdes dhe një tjetër plagoset pas të shtënave dhe shpërthimeve në Munchen

    Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur pas të shtënave dhe shpërthimeve të fuqishme që ndodhën mëngjesin e së mërkurës në lagjen “Lerchenauer Straße”, në pjesën veriore të Munchenit.

    Hetimet fillestare dyshojnë se autori kishte mbushur me eksploziv shtëpinë e prindërve të tij, i kishte vënë zjarrin dhe më pas kishte kryer vetëvrasje. Zona është izoluar në një perimetër të gjerë, ndërsa tymi i madh ka qenë i dukshëm që në orët e para të ditës.

    Forcat e sigurisë, përfshirë njësitë speciale, zjarrfikësit dhe ekspertët piroteknikë, janë angazhuar në vendngjarje për të mbledhur prova dhe për të siguruar rrethinën. Policia ka njoftuar se operacioni është ende në zhvillim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

    Shefi i policisë, Thomas Schelshorn, deklaroi për mediat se qytetarët nuk janë në rrezik dhe se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me festivalin tradicional Oktoberfest, i cili po zhvillohet në qytet.

  • KB Bashkimi synon historinë në FIBA Europe Cup

    KB Bashkimi synon historinë në FIBA Europe Cup

    Pas fitores së rëndësishme kundër Anwil-it, skuadra e Bashkimit është vetëm një hap larg arritjes historike që për herë të parë të bëhet pjesë e fazës së grupeve në FIBA Europe Cup.

    Për ta siguruar këtë sukses të madh për klubin më të vjetër të basketbollit në Kosovë, prizrenasit duhet ta mbrojnë epërsinë prej pesë pikësh nga ndeshja e parë, e cila përfundoi me rezultat 80:75 në favor të tyre.

    Skuadra që do të jetë më e mirë në përballjen dy-ndeshjeje do të sigurojë vendin në grupet e turneut. Bashkimi, nënkampion i Kosovës, po merr pjesë për herë të parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe nëse arrin të eliminojë skuadrën polake në Poloni, do t’i bashkohet Trepçës, PAOK-ut të Greqisë dhe Braunschweig-ut të Gjermanisë në Grupin F.

    Anwil konsiderohet një nga skuadrat më të forta në Poloni në vitet e fundit. Ajo e fitoi FIBA Europe Cup para dy vitesh, ndërsa sezonin e kaluar u eliminua në raundin e 1/16-tës.

    Ndeshja vendimtare do të luhet sonte në Poloni, me fillim nga ora 18:30, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FIBA-s në YouTube. /ATVLIVE.TV

  • Horoskopi për sot

    Horoskopi për sot

    Dashi

    21 mars – 19 prill

    Sot mund të zhvilloni një bisedë entuziaste me dikë që e keni afër. Do të ndiheni të ngazëllyer duke ndarë ide të mëdha. Këto ide mund të lidhen me shtëpinë, familjen apo ndonjë situatë familjare. Ndoshta edhe me udhëtime? Është gjithmonë mirë të mendoni për gjëra të mëdha.

    Demi

    20 prill – 20 maj

    Sot mund të keni ide të mëdha që lidhen me punën. Gjithashtu, mund të lindë një mundësi për udhëtim pune që do t’ju entuziazmojë. Kujdes, sepse është e lehtë t’i lini pas dore detajet.

    Binjakët

    21 maj – 20 qershor

    Sot është një ditë e mirë për ata prej jush që punojnë në fusha krijuese, si arti apo argëtimi. Po ashtu, nëse punoni në hotele, restorante apo me fëmijë, mund të keni ide të reja për të ardhmen. Por, mos merrni vendime të rëndësishme sot.

    Gaforrja

    21 qershor – 22 korrik

    Jeni shumë të fokusuar te shtëpia dhe familja këto kohë. Mund të keni diskutime familjare apo ide për ndryshime të mëdha në të ardhmen. Udhëtimet familjare mund të jenë gjithashtu në planet tuaja.

    Luani

    23 korrik – 22 gush

    Sot jeni plot energji dhe keni ide të mëdha që ju frymëzojnë. Kjo ndjenjë është pozitive! Por kini kujdes, sepse mund të anashkaloni disa pjesë që nuk përputhen me vizionin tuaj. Kujdes me mënyrën si flisni – shmangni arrogancën. Planifikoni me kujdes.

    Virgjëresha

    23 gusht – 22 shtator

    Sot bëni kujdes me paratë dhe vendimet financiare. Është e lehtë të josheni nga ide për tu “pasuruar shpejt” apo për të përmirësuar gjendjen tuaj ekonomike. Por kujdes: Kontrolloni gjithçka mirë.

    Peshorja

    23 shtator – 22 tetor

    Sot Merkuri është në shenjën tuaj dhe krijon një ndikim pozitiv me Jupiterin, duke iu dhënë optimizëm dhe ide të mëdha për jetën. Doni të bëni plane të mëdha apo të nisni biznese. Por kini kujdes – mos i neglizhoni detajet e rëndësishme. Mos merrni më shumë sesa mund të përballoni.

    Akrepi

    23 tetor – 21 nëntor

    Marsi është në shenjën tuaj dhe ju jep forcë, besim dhe dëshirë për të vepruar. Por informacionet që merrni, sidomos nga burimet që keni, mund të mos jenë të sakta. Mos i besoni gjithçkaje që dëgjoni. Nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë – ndoshta nuk është.

    Shigjetari

    22 nëntor – 21 dhjetor

    Sot është një ditë e mirë për të kaluar kohë me miqtë apo për të udhëhequr ndonjë takim apo grup, sepse jeni të sigurt dhe flisni me entuziazëm. Por sigurohuni që ajo që thoni ka bazë. Mos bëni premtime bosh dhe mos supozoni gjëra.

    Bricjapi

    22 dhjetor – 19 janar

    Shefat, prindërit apo personat me autoritet mund të frymëzohen nga idetë tuaja të mëdha sot – ose ndoshta jeni ju që merrni ide të mëdha nga ata. Në të dyja rastet, mos nxitoni për të vepruar. Mos lejoni që optimizmi t’ju çojë në vendime të nxituara. Kontrolloni mirë të gjitha mundësitë.

    Ujori

    janar 20 – 18 shkurt

    Mund të ndiheni të frymëzuar nga ide filozofike ose informacione të reja, sidomos nga vende të huaja apo kultura të ndryshme. Këto ide mund t’ju japin energji dhe optimizëm. Megjithatë, kontrolloni mirë çdo plan udhëtimi apo planet që lidhen me shkollën dhe botimet. Detajet janë të rëndësishme.

    Peshqit

    19 shkurt – 20 mars

    Sot bëni kujdes me çështje që lidhen me borxhe, taksa, pasuri të përbashkëta apo trashëgimi. Mendimi i shpejtë dhe vendimet e nxituara mund t’ju bëjnë të lini pas dore detaje të rëndësishme. Mos e merrni informacionin për të mirëqenë. Kontrolloni çdo gjë me kujdes.

  • Çfarë i ndodh trupit tuaj kur flini më pak se gjashtë orë?

    Çfarë i ndodh trupit tuaj kur flini më pak se gjashtë orë?

    Një gjumë cilësor gjatë natës është thelbësor për shëndetin, por shumë njerëz nuk e marrin mjaftueshëm. Një natë pa gjumë herë pas here nuk është shkak për shqetësim, por mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja serioze për trupin dhe mendjen, shkruan UNILAD .

    Psikologia e shëndetit dhe ekspertja e gjumit, Dr. Sue Peacock, shpjegon se çfarë ndodh kur flemë rregullisht gjashtë orë ose më pak.

    Nëse shpesh ndiheni të rraskapitur, të irrituar ose keni mungesë përqendrimi, mund të jetë koha të ndryshoni zakonet tuaja të gjumit.

    Imunitet më i dobët

    Sistemi imunitar e mbron vazhdimisht trupin nga viruset, bakteret dhe kërcënimet e tjera. Por mungesa e gjumit e bën më të vështirë funksionimin e tij. Dr. Peacock thekson se gjumi është i lidhur ngushtë me funksionimin e sistemit imunitar, gjatë gjumit trupi prodhon citokina, substanca që ndihmojnë në luftimin e sëmundjeve.

    “Citokinat jo vetëm që mbrojnë trupin, por edhe nxisin gjumin, duke i dhënë trupit tonë energjinë për të luftuar më mirë infeksionet”, shpjegon ajo. Nëse nuk flemë mjaftueshëm, trupi nuk prodhon mjaftueshëm nga këto substanca mbrojtëse, kështu që bëhemi më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe shërimi zgjat më shumë.

    Përgjigje më e dobët ndaj vaksinave

    Një studim i vitit 2023 nga Instituti Kombëtar Francez zbuloi se gjumi i pamjaftueshëm mund të zvogëlojë efektivitetin e vaksinimeve. Duke analizuar shtatë studime të ndryshme, shkencëtarët zbuluan se burrat që flinin më pak se gjashtë orë kishin një përgjigje më të dobët të antitrupave pas vaksinimit krahasuar me ata që flinin shtatë deri në nëntë orë.

    Tek gratë, efekti ishte pak më i paqëndrueshëm, gjë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet në nivelet e hormoneve.

    Lidhja midis ankthit dhe gjumit të dobët

    Mungesa e gjumit dhe ankthi shpesh shkojnë dorë për dore. Dr. Peacock thotë se ekziston një rreth vicioz midis të dyjave, ku gjumi i dobët shkakton ankth dhe ankthi e bën më të vështirë të biesh në gjumë.

    “Truri mbetet aktiv dhe i mbingarkuar me shqetësime, sikur të jetë vazhdimisht në gatishmëri, gjë që e bën të vështirë relaksimin dhe gjumin e qetë”, shpjegon ai. Kjo gjendje mund të dobësojë qëndrueshmërinë tonë emocionale dhe të zvogëlojë aftësinë tonë për të shijuar përvojat e përditshme, pozitive.

    Probleme me ciklin menstrual

    Ekspertja e gjumit, Dr. Katharina Lederle, shton se mungesa kronike e gjumit mund të ndikojë negativisht në shëndetin e grave, veçanërisht në ciklin menstrual.

    “Mungesa e gjumit rrit nivelin e hormonit TSH, i cili stimulon gjëndrën tiroide, dhe rritja e tij mund të shkaktojë çrregullime të ciklit, mungesë të ovulacionit, madje edhe amenorre (mungesë të menstruacioneve) ose aborte të shpeshta”, shpjegon ai.

    Shtim në peshë ose ulje të produktivitetit

    Përveç të gjithave të mësipërmeve, mungesa e gjumit mund të çojë edhe në shtim të padëshiruar në peshë, përqendrim të dobët dhe efikasitet të reduktuar gjatë ditës. Të gjitha këto janë arsye pse ekspertët rekomandojnë që gjumi të mos jetë gjëja e fundit në listën tuaj të prioriteteve.

    Ndonjëherë të shkosh në shtrat gjysmë ore më parë është një nga vendimet më të mira që mund të marrësh për shëndetin tënd – sot.

  • Mos vendosni kurrë akull apo vaj mbi djegie – ja çfarë thonë mjekët

    Mos vendosni kurrë akull apo vaj mbi djegie – ja çfarë thonë mjekët

    Indi në djegiet e shkallës së 3-të ka pamje si mish i zier ose i pjekur dhe me ngjyrë të verdhë. Në rastin e djegieve të shkallës së 4-të indi është i karbonizuar

    Djegiet, për fat të keq, janë të shpeshta në kuzhinë, por edhe gjatë disa aktiviteteve të tjera, për shembull gjatë hekurosjes. Kur ndodh kjo ndjesi e dhimbshme është e rëndësishme të reagojmë në kohë dhe në mënyrë të duhur, sepse kështu mund të kontrollojmë më mirë dhimbjen dhe të shërohemi më shpejt. Djegiet, pavarësisht nga shkalla e tyre, kërkojnë reagim të shpejtë dhe të saktë. Mjekët thonë se hapi i parë është ftohja, pastaj pastrimi dhe mbrojtja e lëkurës. Nëse keni dilema, mos improvizoni, sepse disa djegie, veçanërisht ato të thella, mund të çojnë në infeksion ose në dëmtim të indeve të ndjeshme dhe për këtë arsye kërkojnë ndihmë profesionale.


    Dr. Lourdes Castañón, kirurge, thotë se djegiet janë lëndime të shpeshta dhe të papritura, sidomos nëpër shtëpi. Ajo shpjegon çfarë duhet të bëjmë kur digjemi dhe sa e sigurt është trajtimi në kushte shtëpie, transmeton Telegrafi.

    Trajtimi i djegieve: Hapi i parë – ftohja, por jo me akull

    Pavarësisht nëse djegia është pasojë e kontaktit të lëkurës me sobën e nxehtë, vajin, avullin apo si rezultat i ekspozimit në diell, ndihma e parë është gjithmonë e njëjtë, ndaloni burimin e nxehtësisë dhe ftohni zonën e prekur, thotë mjekja dhe shpjegon procedurën.

    Së pari, largohuni nga burimi i nxehtësisë: fikni sobën, largohuni nga dielli etj. Hapi i radhës është ftohja.

    – Shpëlajeni djegien për 10 deri në 20 minuta me ujë të vakët që rrjedh (jo me ujë të ftohtë ose akull), thotë Dr. Castañón. Nëse nuk keni qasje në ujë, mund të përdorni edhe një leckë të pastër dhe të lagësht.

    – Hiqni nga trupi sendet e ngushta, bizhuteritë, rripat ose rrobat e ngushta, për të shmangur ënjtjen. Lani lëkurën me sapun të butë dhe ujë. Shmangni fërkimin, alkoolin dhe kimikatet e forta, këshillon ajo.

    Në fund, mbrojeni djegien, mbulojeni zonën e djegur me garzë të pastër ose me fashë që nuk ngjitet. Rekomandohet gjithashtu të zvogëlohet dhimbja me barna që shiten pa recetë si ibuprofeni ose paracetamoli.

    Trajtimi në kushte shtëpie: Çfarë ndihmon dhe çfarë dëmton?

    Shumica e djegieve më të vogla (të shkallës së parë, me skuqje të lehtë ose flluska të vogla) mund të trajtohen me sukses në shtëpi. Rekomandohet që plaga të mbahet e pastër dhe e thatë, të lahet butë 1 deri 2 herë në ditë, më pas të thahet me tamponim, kurrsesi me fërkim.

    – Përdorni pomada antibiotike që shiten pa recetë ose vazelinë (petrolatum). Shmangni pomadat me parfume, ngjyra ose përbërës irritues, thotë Dr. Castañón. Për djegiet nga dielli, e dobishme është edhe aloe vera. Është e rëndësishme që fashat të ndërrohen rregullisht; nëse ngjiten te plaga, njomini me ujë para se t’i hiqni.

    – Pini mjaftueshëm lëngje, sepse një organizëm i hidratuar shërohet më shpejt. Ndiqni simptomat dhe kushtojini vëmendje shenjave të infeksionit si skuqja, qelbi, temperatura e lartë, dhimbja që përkeqësohet, thekson mjekja.

    Gabimet më të shpeshta në kujdesin e djegieve

    – Kurrsesi mos përdorni akull, gjalpë ose vaj. Këto metoda mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Akulli mund të shkaktojë dëmtime shtesë të indeve, ndërsa gjalpi dhe vaji e mbajnë nxehtësinë. Mos i shponi flluskat, sepse kështu rritni rrezikun e infeksionit. Në rast dhimbjeje të fortë ose skuqjeje, patjetër kërkoni ndihmë mjekësore, thotë Dr. Castañón.

    Kur duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore?

    Jo të gjitha llojet e djegieve mund të trajtohen në kushte shtëpie. Është e nevojshme të kërkoni ndihmë të menjëhershme në rastet e mëposhtme:

    Sipërfaqja e djegies është më e madhe se 7–8 cm (afërsisht sa madhësia e pëllëmbës së dorës së një të rrituri)
    Është djegur fytyra, duart, këmbët, organet gjenitale ose nyjet
    Indi në djegiet e shkallës së 3-të ka pamje si mish i zier ose i pjekur dhe me ngjyrë të verdhë. Në rastin e djegieve të shkallës së 4-të indi është i karbonizuar. Dhimbja është e fortë dhe rritet.

    Ekzistojnë edhe shenja infeksioni si temperaturë e lartë, qelb, ënjtje, nxehtësi në prekje.

    – Te djegiet më të mëdha dhe më të thella, ose nëse janë prekur zona të ndjeshme të trupit, ndihma urgjente mjekësore është e domosdoshme – thekson Dr. Kastanon.

    Kategori veçanërisht të ndjeshme

    Lëkura e fëmijëve është më e hollë dhe më e ndjeshme, ndaj edhe ekspozimi i shkurtër ndaj zjarrit ose avullit shkakton djegie më të rënda. Personat e moshuar shërohen më ngadalë dhe mund të kenë sëmundje shtesë që e vështirësojnë rikuperimin. Nëse fëmija ose një person i moshuar pëson edhe djegie të vogël, këshillohuni me mjekun ose vizitoni qendrën e urgjencës, këshillon kirurgia.

    Parandalimi fillon në shtëpi

    Djegiet mund të parandalohen me masa të thjeshta dhe vetëm pak më shumë kujdes.

    • Në kuzhinë:

    ▪ Përdorni ndezësit e pasmë të sobës sa herë që të jetë e mundur.
    ▪ Kujdes që të mos rrëzoni tiganët ose që dorezat të mos jenë të ekspozuara ndaj nxehtësisë.
    ▪ Kurrë mos gatuani duke mbajtur fëmijën në krah.
    ▪ Kontrolloni temperaturën e ushqimit dhe pijeve para se t’ia jepni fëmijës.

    • Në gjithë shtëpinë:

    ▪ Vendosni bojlerin në maksimum 49°C për të shmangur djegiet nga avulli i nxehtë
    ▪ Shmangni mbulesat e tavolinës që fëmijët mund t’i tërheqin duke përmbysur ushqime të nxehta
    ▪ Përdorni kapakë mbrojtës për sobat, prizat dhe pajisjet
    ▪ Mbani pije të nxehta, hekurat e rrobave e të ngjashme larg duarve të fëmijëve
    ▪ Vendosni detektorë tymi në çdo dhomë gjumi dhe korridor
    ▪ Mbani në shtëpi një komplet të ndihmës së parë. Mësoni fëmijët si të mbrohen.

  • Arrestohen dy persona për bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Arrestohen dy persona për bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Një aksion policor është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Podujevë, ku është goditur një lokal që dyshohej se shërbente për zhvillimin e bixhozit të paligjshëm.

    Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator, rreth orës 21:20, kur policia në konsultim me prokurorin e rastit dhe me pëlqimin e pronarit ka kontrolluar lokalin. Gjatë kontrollit janë gjetur e sekuestruar pajisje që shërbenin për këtë veprimtari të jashtëligjshme.

    Sinjali mëson se në pranga kanë përfunduar dy persona – pronari dhe punëtori i lokalit. Ata janë identifikuar si D.A dhe A.L,. Të dy, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.