ATV

Blog

  • Një tetor i ngjeshur me sfida për kombëtaret shqiptare

    Një tetor i ngjeshur me sfida për kombëtaret shqiptare

    Pas një shtatori të mbushur me emocione, tetori pritet të jetë po aq intensiv për të gjitha kombëtaret shqiptare – nga Kombëtarja A, te ekipet e moshave dhe përfaqësueset e vajzave.

    Kombëtarja A do të zbresë në fushë më 11 tetor për sfidën ndaj Serbisë në Leskovac, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2026. Tre ditë më vonë, më 14 tetor, kuqezinjtë do të rikthehen në “Air Albania” për miqësoren ndaj Jordanisë.

    Kombëtarja A e vajzave ka përpara një muaj vendimtar me dy përballje ndaj Qipros, që do të përcaktojnë fatin e saj në Ligën e Kombeve për sezonin e ardhshëm, njofton Federata Shqiptare e Futbollit.

    Kombëtarja U-21 do të luajë më 10 tetor në “Air Albania” ndaj San Marinos, ndërsa ekipet U-19 dhe U-17 do të zhvillojnë miqësore përgatitore përkatësisht ndaj Irlandës dhe Sllovenisë.

    Tetori do të shënojë gjithashtu nisjen e dy eventeve madhore të organizuara nga FSHF në Shqipëri: faza kualifikuese e UEFA European Women’s Under-17 Championship dhe UEFA Development Tournament U-15.

    Vajzat U-17 do të përballen me Greqinë, Izraelin dhe Estoninë në Elbasan dhe Rrogozhinë, ndërsa djemtë U-15 do të sfidojnë Armeninë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

    Një muaj i mbushur me futboll, emocione dhe përfaqësim dinjitoz kuqezi – për t’u ndjekur dhe për t’u mbështetur. /ATVLIVE.TV

  • OKB thotë se po punon që të rikthejë furnizimin me rrymë në centralin e Zaporizhjës

    OKB thotë se po punon që të rikthejë furnizimin me rrymë në centralin e Zaporizhjës

    Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) po punon për rikthimin e furnizimit me energji në centralin bërthamor të Zaporizhjës, në juglindje të Ukrainës, tha kreu i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.

    Sekretari i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se po punon me të dyja palët në konfliktin e armatosur për ta zgjidhur këtë çështje sa më shpejt, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më herët se situata në centralin bërthamor është kritike pasi ka hyrë në ditën e shtatë të emergjencës. Furnizimi me energji në central po mundësohet përmes gjeneratorëve me naftë, deklaroi Zelensky, duke shtuar se granatimet ruse po parandalojnë riparimin e linjave të energjisë në central dhe rikthimin e masave bazë të sigurisë.

    “Për shkak të granatimeve ruse, centrali ka mbetur pa energji, është shkëputur nga rrjeti elektrik dhe po furnizohet me rrymë përmes gjeneratorëve me naftë”, shkroi ai në X. “Kjo është situatë e jashtëzakonshme. Gjeneratorët në central nuk janë të dizajnuar për këtë gjë, nuk kanë operuar kurrë kaq gjatë dhe ne veçse kemi informacione se një gjenerator është prishur”.

    Zelensky tha se ka kërcënim “për të gjithë” dhe asnjë terrorist “nuk ka guxuar asnjëherë t’ia bëjë këtë që Rusia po ja bën këtij centrali bërthamor”.

    Grossi tha se ai ishte “në kontakt të vazhdueshëm me dy palët me qëllim që të mundësohet rilidhja e shpejtë e centralit në rrjetin elektrik”.

    “Ndërsa centrali aktualisht po e përballon situatën falë gjeneratorëve emergjentë me naftë – linja e fundit e mbrojtjes — dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm për sa kohë që ata vazhdojnë të funksionojnë, kjo qartë nuk është një situatë e qëndrueshme nga pikëpamja e sigurisë bërthamore”, tha ai në një deklaratë, sipas Reuters.

    “Asnjëra palë nuk do të përfitonte nga një incident bërthamor”, shtoi ai.

    Grossi tha se të dyja palët kanë thënë se aktiviteti bërthamor i ka parandaluar që të kryejnë riparimet e nevojshme.

    Autoriteti ukrainas për energji bërthamore, Enerhoatom, njoftoi për ndërprerjen e dhjetë në centralin e Zaporizhjës më 23 shtator, duke thënë se linja e fundit e energjisë që lidhte centralin me sistemin elektrik ukrainas ishte shkëputur.

    Përfaqësuesit e IAEA-s në central konfirmuan se gjeneratorët emergjentë kishin filluar të funksionojnë për të furnizuar centralin me energji elektrike.

    Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë. Ai ra nën kontrollin rus pak pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022. Reaktorët e centralit janë ndalur, por centralit i duhet energji që të mbajë funksionet e sigurisë, sikurse është ftohja e reaktorëve.

  • Covey kritikon Prokurorinë: Nuk po ndihem rehat në mënyrën se si po i bëni pyetjet

    Covey kritikon Prokurorinë: Nuk po ndihem rehat në mënyrën se si po i bëni pyetjet

    Ish-zëvendës udhëheqësi i OKB-së, James Peter Covey po vazhdon dëshminë në Hagë.

    Ai ka kritikuar Prokurorinë për mënyrën se si po ia bëjnë pyetjet.

    “Përsëri po e them që unë nuk jam rehat dhe nuk ndihem mirë për bazën se si po ndërtohen pyetjet. Duket sikur prokurori po përpiqet që të vërtetojë si fakt gjëra që në një mënyrë mbështesin gjykime që janë shprehur në një deklaratë në libër. Mendoj që kjo është keqkuptim i rolit të diplomatit dhe se si ne arrijmë në vlerësimet që japim”, tha ai.

  • Përmbytje katastrofike në Odesa të Ukrainës: Nëntë të vdekur përfshirë një fëmijë

    Përmbytje katastrofike në Odesa të Ukrainës: Nëntë të vdekur përfshirë një fëmijë

    Nëntë persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur në Odesa, në jug të Ukrainës, si pasojë e kushteve ekstreme të motit dhe përmbytjeve, njofton shërbimi shtetëror i emergjencave.

    “I gjithë qyteti është nën ujë”, thanë vendasit në videot e postuara në mediat sociale, ndërsa reshjet ekstreme të shiut përmbytën qytetin dhe lanë periferitë pa energji elektrike.

    “Brenda shtatë orësh, Odesa mori pothuajse një normë dy-mujore reshjesh. Asnjë sistem kanalizimesh stuhie nuk mund t’i rezistojë një ngarkese të tillë”, tha kryebashkiaku i Odesës, Gennadiy Trukhanov, në Telegram.

    Meteorologët paralajmërojnë se reshjet kanë kaluar 80 mm, duke thyer të gjitha rekordet. Rrugët janë paralizuar, makinat janë të palëvizshme dhe banorët janë të bllokuar, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë në të gjithë qytetin. Pothuajse 24,000 njerëz mbeten pa energji elektrike.

  • Avokati i Popullit: Mungesa e konstituimit të Kuvendit sfidë për funksionimin e institucioneve

    Avokati i Popullit: Mungesa e konstituimit të Kuvendit sfidë për funksionimin e institucioneve

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se mungesa e konstituimit të Kuvendit është sfidë për funksionimin e institucioneve, raporton Ekonomia Online.

    Këto deklarata Qelaj i bëri me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, e ku u organizua një takim me partnerët ndërkombëtarë. Aty ai ka vlerësuar punën dhe rolin kyç të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

    Ai vuri në pah edhe sfidat, si mungesa e vullnetit politik për funksionalizimin e institucioneve.

    “Një reflektim dhe një rekapitullim e krejt punës që ky institucion ka bërë me qëllim që të paraqesim para partnerëve ndërkombëtare. Nuk ka qenë e lehtë që sot me qenë institucioni i konsilidum bazuar në standardet më të avancuar të BE-së dhe një rol kyç në shtet ndërtim të Kosovës sa i përket respektimit të drejtave themelore të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit ka pritur në zyrën e tij mbi 52 mijë qytetarë, ky është një tregues i jashtëzakonshëm sa i hapur ka qenë institucioni për të qenë afër shqetësimeve dhe probleme që kanë qytetarët e të gjithë etnive dhe komuniteteve. Janë 2 mijë e 300 rekomandime që janë dhënë autoriteteve publike që lidhen me avancimin respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Janë mbi 90 agjenci ndërkombëtare që e kanë mbështet Avokatin e Popullit. Sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera”, ka thënë Qelaj.

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Avio Orav, e cilësoi këtë përvjetor si një arritje të rëndësishme që pasqyron përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike.

    Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucionit si themel për besimin publik dhe partneritetin me BE-në.

    “Ky moment shënon një arritje të rëndësishme, e cila pasqyron vite të tëra përkushtimi dhe profesionalizmi, të përqendruar në avancimin e shoqërisë, mbrojtjen e vlerave, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit të të gjithë qytetarëve. Kjo arritje na fton jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë mbi rrugëtimin e institucionit – një rrugë e formuar nga sukseset dhe sfidat. Ajo na jep gjithashtu mundësinë të njohim rolin thelbësor të institucionit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke njohur rolin jetik të Institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen, monitorimin dhe promovimin e këtyre parimeve. Ruajtja e pavarësisë së tij është thelbësore për forcimin e besimit të publikut, siç pasqyrohet qartë edhe në sondazhet e vazhdueshme të opinionit. Kjo pavarësi mbetet një pjesë përbërëse e angazhimit tonë të përbashkët. Gjatë viteve të fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar qasjes së autoriteteve – veçanërisht të Kuvendit – ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe me funksionimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në veçanti, sidomos në dritën e zhvillimeve që lidhen me raportet vjetore të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

  • KFOR-i sqaron arsyen për ndalimin e fluturimeve në zonën operacionale të KEK-ut

    KFOR-i sqaron arsyen për ndalimin e fluturimeve në zonën operacionale të KEK-ut

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 19.09.2025 njoftoi se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka shpallur zonën operacionale të KEK si zonë të ndaluar për fluturime (No Flight Zone), si masë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike të vendit.

    Në një përgjigje për KALLXO.com më 01.10.2025, KFOR bëri të ditur se kjo masë është marrë pas shpërthimit të ndodhur më 29.10.2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, aset kyç për furnizimin me ujë të disa qyteteve dhe vetë KEK-ut.

    “Pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, KFOR ka ndërmarrë hapa për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Sipas këtij misioni, një nga masat e ndërmarra është kufizimi i fluturimeve mbi Korporatën Energjetike të Kosovës. Derisa, përjashtim nga këto kufizime bëjnë vetëm rastet emergjente.

    “Kufizimet e fluturimeve vlejnë për gjithë trafikun ajror të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore, megjithatë ka përjashtime në rastet e emergjencës”- tha më tej KFOR.

    KFOR rikujtoi se komandanti i misionit ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999.

    Korporata Energjetike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një veprim të rëndësishëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

    “Ky hap përfaqëson angazhim të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes”- thuhet në komunikatën e KEK-ut.

    Sipas KEK-ut, objektet e saj përbëjnë themelin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit dhe për këtë arsye kërkojnë mbrojtje të shtuar.

    Shpërthimi i ndodhur më 29.11.2024 shkaktoi dëmtime serioze në kanalin e Ibër-Lepencit, duke rrezikuar furnizimin me ujë të shtatë komunave në jug dhe veri të lumit Ibër: Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

    Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kishte deklaruar se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

    Menjëherë pas sulmit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, ku nga 10 persona të shoqëruar në polici, dy prej tyre u ishte caktuar masa e ndalimit.

    “Me këtë rast në Stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”,  thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Më 11.09.2025,  gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj të pandehurve Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin  në kanalin e ujit të kompanisë “Ibër-Lepenc”.

    Kanali Ibër-Lepenc, nga Liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë, është jetik për furnizimin me ujë të termoelektranave Kosova A dhe B, industrive si Trepça dhe Ferronikeli, si dhe për ujësjellësit dhe bujqësinë në disa komuna në veri dhe jug të Kosovës.

    Për shpërthimin në kanal, autoritetet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë, duke e cilësuar aktin si sulm terrorist. Serbia i ka mohuar akuzat, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar fuqishëm incidentin, duke kërkuar që autorët të përballen me drejtësinë.

  • Presidentja Osmani: Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë

    Presidentja Osmani: Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 28 vjetorin e protestës studentore ka thënë se studentët nuk u ngritën vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e popullit.

    “Në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë. Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi frikë, padrejtësi dhe terror. Në rrugët e Prishtinës, në auditoriumet e mbyllura, në sheshet e mbushura me thirrje e pankarta, u shkrua një kapitull i artë i rezistencës sonë”.”, ka shkruar Osmani”, citohet të ketë shkruar Osmani.

    Më tej shprehet se protesta studentore ishte lajmëtar i lirisë.

    “Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë, nga të cilat secili hap shndërrohej në akt heroizmi dhe secila thirrje për drejtësi bëhej kushtrim për liri e pavarësi. Sot, kur kujtojmë atë ditë të lavdishme, përulemi me respekt para atij brezi që guxoi të sfidojë padrejtësinë me forcën e paqes. Studentët e 97-tës na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe e ardhmja nuk pritet, por ndërtohet”, shkruhet në njoftimin e presidencës.

  • Covey: Nuk e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

    Covey: Nuk e dija rolin e Thaçit në Rambuje, s’e di as kush e themeloi UÇK-në

    Në ditën e dytë të seancës, ish-zëvendëshefi i UNMIK-ut, Jock Covey, po merret në pyetje nga Prokuroria.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Covey deklaroi se nuk e di se kush ishin themeluesit e UÇK-së dhe nuk ka dijeni mbi rolin e Hashim Thaçit gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, si dhe në çfarë cilësie ai ishte ftuar.

    “Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë, ai (Thaçi) ishte caktuar si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Unë, siç e thash, isha i përfshirë në Universitet dhe nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ka qenë roli i tij gjatë diskutimeve të mbajtura në Rambuje”, tha ai.

    Covey gjithashtu deklaroi se e ka ditur që Thaçi ishte ai që nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë. Përveç kësaj, ai mohoi të ketë dijeni për themeluesit e UÇK-së.

    “Nuk mund të them që kam dijeni”, tha dëshmitari kur u pyet nëse dinte për rolin e LPK-së në formimin e UÇK-së.

    Tutje, dëshmitari tha se kishte dijeni për sulmin ndaj familjes Jashari, ndërsa mohoi të ketë dijeni për ushtarët që iu bashkuan UÇK-së në pranverën dhe verën e vitit 1998.

    Ai shtoi se nuk ka dëgjuar as për marrjen e minierës në Bardh të Madh nga UÇK-ja dhe nuk e di nëse Thaçi ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

  • Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde prej 1.4 milion euro – kërkohet konfiskimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste

    Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde prej 1.4 milion euro – kërkohet konfiskimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për fajde.

    Sipas aktakuzës, L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., dyshohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Fajdeja”, ndërsa të pandehurit L.M., Xh., kanë kryer gjithashtu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i pandehuri D.G., ka kryer gjithashtu veprën penale “Detyrimi”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri L.M., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash ndaj të dëmtuarit M.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të këtij të fundit, i pandehuri i ka dhënë borxh 20,000 euro me kamatë mujore 10%, që më pas janë grumbulluar deri në shumën 37,000 euro. Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i japë banesën me sipërfaqe 123.8 m², në vlerë prej 70,000 euro. Në vitin 2022 i pandehuri merr edhe 10,000 euro të tjera me kamatë mujore 10%, ku borxhi i kamatave arrinë në 14,000 euro. Për shkak të pamundësisë për kthimin e borxhit, i dëmtuari detyrohet t’i japë edhe një banesë tjetër në fshatin Shirokë me sipërfaqe 80 m² dhe vlerë tregu 52,000 euro. Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92,000 euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe.

    “Po ashtu, në shtëpinë e tij në Korishë, gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar 51 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, që i pandehuri i mbante pa leje, duke shkelur ligjin për armët”

    “I pandehuri B.K., gjatë vitit 2021 i ka dhënë në fajde shumën prej 75,000 eurosh me kamatë mujore 8% të dëmtuarit M.K. Kamata dhe borxhi janë rritur në mënyrë drastike, duke arritur shumën prej 240,000 eurosh deri në maj 2023”.

    “Për shkak të pamundësisë së kthimit të këtyre parave, i dëmtuari detyrohet që t’ia jap të pandehurit banesën me sipërfaqe prej 300 m² dhe një lokal afarist prej 242 m², të cilat së bashku vlejnë 205,700 euro. Kjo ka shkaktuar dëm të madh financiar për të dëmtuarit në shumën prej 280,700 euro. Me këto veprime, i pandehuri B.K., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri L.A., nga prilli i vitit 2022 e dëri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi në Suharekë, i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K., shumën prej 7,000 eurosh me kamatë dhjetëditore prej 2,000 eurosh, duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë. Kur i dëmtuari nuk kishte para për të paguar, i pandehuri i ka ofruar si “shpërblim” mallra të ndryshme (traktor, ëa, disa dem dhe krerë lopësh) të vlerës së konsiderueshme, duke shfrytëzuar situatën e vështirë financiare të viktimës. Për më tepër, i pandehuri ka lidhur parakontratë për marrjen e një banese në sipërfaqe prej 100m2 dhe një lokal me sipërfaqe prej 100 m2 në katin përdhesë dhe një garazhë me vlerë të përgjithshme prej 180,000 euro, duke shkaktuar dëm të madh financiar të dëmtuarit L.K., dhe vëllaut të tij M.K. “, thuhet mes tjerash në njoftim të prokurorisë.

    Po ashtu, bëhet e ditur se Xh.K., ka mbajtur në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri – pistoletë të llojit “Mauser – Werke Oberndorf GMBH” kalibër 9mm së bashku me një karikator dhe nëntë fishekë.
    “I pandehuri D.G., nga qershori i vitit 2021 deri në fillimin e hetimeve dhe më pas, në Suharekë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, i jep të dëmtuarit M.K., para me fajde në shumë prej 20,000 euro me kamatë mujore 8%. Brenda një muaji e gjysmë, i dëmtuari merr në total 120,000 euro kesh, duke paguar çdo muaj kamata prej 10,000 euro, dhe në total gjatë 12 muajve paguan 120,000 euro kamata. Në qershor 2023, pasi i dëmtuari nuk mund të vazhdojë pagesat, i pandehuri kërkon nga ai dhe vëllai i tij L.K., shumën prej 320,000 euro në emër të kamatave, duke kërkuar në këmbim 750 m² banesa në fshatin Shirokë. Nga frika, të dëmtuarit pranojnë, por për shkak të vonesave në ndërtim, në maj 2024 i pandehuri kërkon rritjen e sipërfaqes së banesave në 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) dhe nënshkruan parakontratë me datë 20.03.2023 për këtë shitblerje”.

    “Po ashtu, D.G., nga 08.02.2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë dhe Prishtinë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, përdor forcë dhe kanosje serioze ndaj të dëmtuarve M.K., dhe L.K., për t’i detyruar të japin pronat e tyre. Më 08.02.2024, gjatë një takimi Prishtinë, ai i merr me makinë dhe gjatë rrugës, duke e kanosur M.K.,, arrijnë marrëveshje që të japin banesat prej 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) në Shirokë si pagesë për borxhet dhe kamatat. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarve dëm prej 767,000 euro”

    “I pandehuri K.K., nga korriku 2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë, duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të të dëmtuarit M.K., i jep borxh 2,600 euro me kamatë javore prej 450 euro. Për shkak të pamundësisë për pagesë, kamatat për 16 javë grumbullohen dhe së bashku me borxhin bazë arrijnë në 9,800 euro. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarit dëm në shumën prej 9,800 euro|, thekson prokuroria e Prizrenit.

  • Bersant Celina konfirmon kontaktin me trajnerin e Kosovës, Franco Foda

    Bersant Celina konfirmon kontaktin me trajnerin e Kosovës, Franco Foda

    Mesfushori kosovar Bersant Celina ka konfirmuar në një intervistë për mediumin suedez Fotbolldirekt se ka zhvilluar një bisedë me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.

    Sipas Celinës, trajneri e ka kontaktuar personalisht me telefon dhe ai mund të jetë pjesë e listës së të ftuarve për ndeshjet e muajit tetor, ku “Dardanët” do të përballen me Slloveninë dhe Suedinë.

    “Nuk e di nëse do të ftohem apo jo. Kam biseduar me trajnerin e Kombëtares së Kosovës. Mundësia ekziston – ose tani, ose në të ardhmen. Varet nga ai”
    , u shpreh Celina.

    Ndërkohë, ai po kalon një formë të mirë në kampionatin suedez. Fundjavën e kaluar, Celina shënoi një eurogol në barazimin 1-1 të AIK-ut, por sipas tij, nuk ishte goli më i bukur i karrierës.

    “Ishte një gol i bukur, por kam realizuar edhe gola më të mirë,” tha ai.

    29-vjeçari ka pasur një sezon të suksesshëm me AIK-un, duke shënuar tetë gola dhe dhënë pesë asistime në të gjitha garat deri më tani. /ATVLIVE.TV