ATV

Blog

  • Vitaminën që duhet ta marrim të gjithë duke filluar nga tetori, sipas ekspertes shëndetësore

    Vitaminën që duhet ta marrim të gjithë duke filluar nga tetori, sipas ekspertes shëndetësore

    Me ardhjen e ditëve më të ftohta, një mjeke e përgjithshme britanike ka dhënë këshilla të rëndësishme për qytetarët: tani është koha e duhur për të marrë vitaminën D, e cila luan një rol kyç në forcimin e trupit dhe rezistencën ndaj infeksioneve sezonale, siç janë ftohja dhe gripi, shkruan Express.

    Dr. Shireen, një mjeke nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor Britanik (NHS), e cila shpesh ndan këshillat e saj në TikTok, theksoi se shumica e njerëzve nuk mund të marrin mjaftueshëm vitaminë D nga burimet natyrore gjatë muajve të dimrit, veçanërisht nga rrezet e diellit.

    Kjo është arsyeja pse ajo rekomandon marrjen e suplementeve për të mbrojtur trupin gjatë sezonit të gripit.

    Pse është kaq e rëndësishme vitamina D?

    Sipas Dr. Shireen, vitamina D është suplementi i vetëm ushqimor që të gjithë duhet ta marrin pa përjashtim. “Shumica prej nesh e marrin vitaminën D nga ekspozimi në diell. Por nga tetori deri në mars, ditët janë më të shkurtra dhe dielli është më i dobët, kështu që edhe nëse jeni jashtë gjithë ditën, nuk do të merrni mjaftueshëm nga kjo vitaminë”, shpjegoi ajo.

    Ajo shtoi se marrja e vitaminës D është e rëndësishme për të gjithë, pavarësisht nga mosha apo stili i jetesës.

    Mungesa e saj zvogëlon rezistencën e trupit, gjë që rrit rrezikun e sëmundjeve, veçanërisht në dimër. Mund të shkaktojë gjithashtu efekte anësore të pakëndshme, të tilla si lodhje kronike, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, si dhe një ndjenjë të përgjithshme rraskapitjeje.

    Ajo theksoi gjithashtu se shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se kanë mungesë të kësaj vitamine. Ajo theksoi veçanërisht se njerëzit që kalojnë pjesën më të madhe të ditës brenda duhet të marrin vitaminë D gjatë gjithë vitit.

  • Edi Rama udhëton drejt Danimarkës për takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Edi Rama udhëton drejt Danimarkës për takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Kryeministri Edi Rama do të niset të mërkurën drejt Danimarkës për të marrë pjesë nesër në takimin e radhës të Komunitetit Politik Evropian.

    Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në Kopenhagen për të diskutuar mbi mbrojtjen e Europës dhe sigurinë në rajon.

    Në fokus të takimit do të jenë zhvillimet në kuadrin e luftës në Ukrainë dhe synimi për paqen në kontinentin europian.

  • Pse peshqirët kanë këto vija? Nuk tregojnë anët, por kanë rol shumë më të rëndësishëm

    Pse peshqirët kanë këto vija? Nuk tregojnë anët, por kanë rol shumë më të rëndësishëm

    Me siguri jeni pyetur ndonjëherë pse në skajet e peshqirëve ndodhen ato vija specifike, që rrobaqepëset i quajnë “bordurë”

    Edhe pse duken si detaj estetik, bordurat e peshqirëve janë shumë më funksionale sesa mendoni.

    Një diskutim i hapur në internet ngriti pikërisht këtë pyetje, duke sjellë teori të ndryshme – nga ajo se janë “shirita për tharje më të shpejtë” deri te ideja që tregojnë anën e sipërme dhe të poshtme të peshqirit. Megjithatë, arsyeja e tyre është shumë më praktike.

    Sipas ekspertëve të industrisë së tekstilit, bordurat ndihmojnë që peshqirët të thithin më mirë ujin, të konsumohen më pak dhe të zgjasin më shumë. Gjatë larjeve të shpeshta, fijet dëmtohen dhe skajet mund të fillojnë të çahen. Ky element i punuar me kujdes forcon strukturën, zvogëlon rrezikun e grisjes dhe ruan formën e peshqirit.

    Funksion dhe estetikë

    Përveç qëllimit praktik, këto vija shtojnë edhe elegancë vizuale. Ato i japin peshqirit një pamje më të sofistikuar, arsye pse gjenden shpesh edhe në peshqirët luksozë të hoteleve, ku kërkohet jo vetëm qëndrueshmëri dhe thithje, por edhe estetikë.

    Pra, herën tjetër kur të merrni një peshqir në dorë, mbani mend se këto vija nuk janë thjesht dekor, por elemente që e bëjnë peshqirin më jetëgjatë, më funksional dhe më të këndshëm në përdorim, transmeton Telegrafi.

    Bordura dhe roli i saj

    Ky shirit i endur në skajet e peshqirëve, mund të jetë një ose disa dhe gjithmonë vendoset në fundin e peshqirit.

    Ema Sejmur nga Good Housekeeping Institute shpjegon: “Kjo bordurë ndihmon peshqirin të ruajë formën sepse i jep më shumë strukturë se sa materiali frotir. Ajo gjithashtu parandalon shpërbërjen e pëlhurës.”

    Peshqirët pa bordurë thithin ujë, por zakonisht nuk janë aq të qëndrueshëm dhe dëmtohen më shpejt.

    Vija që janë më shumë se dekor

    Këto elemente nuk janë vetëm zgjedhje estetike, por rezultat i teknikave të veçanta të endjes që i japin peshqirit disa përfitime praktike:

    • rrisin fuqinë thithëse,
    • përmirësojnë stabilitetin strukturor,
    • ofrojnë një ndjesi luksi gjatë përdorimit.

    Sipas portalit Upworthy, bordurat ndihmojnë gjithashtu në shpërndarjen më efikase të lagështisë. Është një detaj i vogël, shpesh i pavënë re, por që luan një rol kyç në funksionalitetin e përditshëm të peshqirëve.

  • Mbyllet qeveria amerikane

    Mbyllet qeveria amerikane

    Për herë të parë pas shtatë vitesh, qeveria amerikane është mbyllur pasi liderët e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane nuk arritën të bien dakord për një financim të përkohshëm.

    Disa javë negociata përfunduan zyrtarisht me dështim. Derisa të arrihet një marrëveshje midis dy partive, mijëra punonjës që paguhen nga buxheti shtetëror do të jenë në pushim pa pagesë.

    Do të vazhdojnë të funksionojnë vetëm ato shërbime të qeverisë në Uashington që konsiderohen të domosdoshme, siç janë kontrolli i fluturimeve, por edhe këta punonjës nuk do të marrin pagë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë ushtarë dhe civilë që punojnë në ministritë për çështjet e veteranëve dhe të luftës.

    Përveç kësaj, shumë parqe kombëtare, muze dhe institucione të tjera që financohen nga qeveria federale do të qëndrojnë pjesërisht të hapura duke përdorur fondet nga vitet e mëparshme, por edhe ato do të mbyllen nëse mbyllja e qeverisë zgjat më shumë, raporton cnn.

    Megjithatë, për shkak të dispozitave kushtetuese që i mbrojnë ata, presidenti amerikan, Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre, ndryshe nga dhjetëra mijëra punonjës të institucioneve të tjera.

    Vlen të theksohet se kjo është mbyllja e parë e qeverisë pas shtatë vitesh, që nga mandati i parë i presidentit aktual.

    Në atë kohë, qeveria qëndroi e mbyllur për 35 ditë, nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të vitit 2019.

    Këtë vit, demokratët dhe republikanët e kanë shfrytëzuar mungesën e marrëveshjes për të sulmuar njëri-tjetrin.

    Kështu, demokratët theksojnë faktin se Partia Republikane kontrollon të dy dhomat e Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë dhe se kjo është “mbyllja e tyre”, ndërsa republikanët përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë te kundërshtarët e tyre politikë.

    Duhet shtuar gjithashtu se për të miratuar një plan të përkohshëm financimi që do të rihapte qeverinë, nevojiten 60 vota në Senat. Republikanët kontrollojnë 53 vota dhe u nevojiten edhe shtatë demokratë për të miratuar planin që do t’i jepte fund kësaj mbylljeje.

  • Osmani në Danimarkë, përfaqëson vendin në samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Osmani në Danimarkë, përfaqëson vendin në samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë të Danimarkës dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.

    Sipas njoftimit të Presidencës, para fillimit të samitit, Osmani do të pritet nga Lartmadhëritë e tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.

    “Presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

    Në kuadër të samitit, Osmani pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë evropianë pjesëmarrës.

  • Katari, Egjipti dhe Turqia i bëjnë thirrje Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Katari, Egjipti dhe Turqia i bëjnë thirrje Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Pas njoftimit të planit të paqes së Donald Trump në Uashington, një numër vendesh arabe dhe islame e mbështetën atë fuqishëm.

    Kjo ndodhi pavarësisht pretendimeve se Benjamin Netanyahu kishte bërë ndryshime në minutën e fundit, duke e bërë versionin e publikuar të ndryshëm nga ai që këto vende kishin rënë dakord.

    Tani, Katari, Egjipti dhe Turqia kanë bërë thirrje që Hamasi t’i japë një përgjigje pozitive propozimit të Trumpit, sipas një raporti të Axios, raporton Skynews, transmeton Sinjali.

    Raporti citon dy burime me njohuri për bisedimet.

    Të tre vendet kanë vepruar si ndërmjetës për Hamasin gjatë bisedimeve dhe kanë një ndikim të caktuar mbi këtë grup militant.

  • “U merrte burrat të tjerave”, reagon ashpër Parashqevi Simaku: Mua nuk më bëni dot asgjë…

    “U merrte burrat të tjerave”, reagon ashpër Parashqevi Simaku: Mua nuk më bëni dot asgjë…

    Pas deklaratës së Shqipe Hysenaj gjatë intervistës në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ku këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku u akuzua se “u merrte burrat grave të tjera”, ka ardhur edhe reagimi i shumëpritur nga vetë artistja.

    Në një postim të gjatë në Facebook, Simaku vendosi të thyejë heshtjen pas, siç thotë ajo, 10 muajsh sulmesh të vazhdueshme dhe shpifjesh të pavërteta. Ajo rikujton përvojat e saj që nga vitet ’80, kur u përball me zili, mllef dhe përgojime, por kurrë nuk lejonte që kjo ta ndalte.

    “Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.

    Por në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.

    Sot dua t’ju them vetëm kaq: Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj.

    Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.

    Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime”, shprehet Parashqevi Simaku.

  • Super ndeshje sonte në Ligën e Kampionëve, vëmendja tek Barcelona – PSG

    Super ndeshje sonte në Ligën e Kampionëve, vëmendja tek Barcelona – PSG

    Emocionet e Ligës së Kampionëve vazhdojnë edhe sonte, atje ku do të zhvillohen disa super ndeshje.

    Kryendeshja do të luhet në Spanjë, ku do të përballen Barcelona dhe PSG.

    Pritet të zhvillohet një ndeshje jashtëzakonisht interesante, me të dy skuadrat që luajnë futboll të bukur, por edhe shumë rezultativ në aspektin e golave të shënuar.

    Përballje interesante pritet të jetë edhe ajo mes Villarreal dhe Juventus, ashtu si edhe ajo mes Monaco dhe Manchester City.

  • Sara Hoxha thyen heshtjen: Nga ndarja me Ledri Vulën deri tek lidhja e tij me Xhensilën

    Sara Hoxha thyen heshtjen: Nga ndarja me Ledri Vulën deri tek lidhja e tij me Xhensilën

    Për herë të parë pas ndarjes nga Ledri Vula, Sara Hoxha ka folur hapur për raportin me ish-partnerin dhe ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e saj.

    Ajo e ka përshkruar marrëdhënien me reperin si një ekuilibër të ndërtuar mbi dashurinë dhe kujdesin për vajzën e tyre, Poi.

    “Marrëdhënia me Ledrin është e mirë, jo shumë e mirë, as e keqe. Një marrëdhënie prindërore, për Poin që ajo të ndihet e dashur dhe e mbështetur,” tha Sara, duke nënvizuar se pavarësisht gjithçkaje, roli i tyre si prindër mbetet mbi çdo gjë tjetër.

    Një nga sfidat më të mëdha për të ka qenë mënyra se si t’i shpjegonte vajzës ndarjen.

    “Vështirësi ka pasur, sepse ishte një ndryshim drastik. Por unë zgjodha të jem e sinqertë, dhe këtë më sugjeroi edhe një psikologe për fëmijë: të mos lë shpresë aty ku nuk ka më. Ishte një vuajtje më e shkurtër. Nuk zgjati shumë dhe ajo e kuptoi,” rrëfeu ajo.

    Pas kësaj periudhe të ndërlikuar, Sara thotë se ka gjetur forca të reja tek vetja.

    “E mendoj sikur kam rigjetur veten. Jam më e fortë, e di më shumë kush jam, e di më shumë çfarë dua. Nuk kam ndryshuar si person,” shtoi ajo.

    Lidhur me thashethemet për një raport të ri të Ledrit me këngëtaren Xhensila Myrtezaj, Sara u shpreh me qartësi dhe maturi.

    “Unë kam marrëdhënie prindërore me Ledrin, për Poin. Përtej kësaj, secili ka jetën e vet. Të dy kemi të drejtën të jemi të lumtur. Këtë dua për Ledrin, sepse është babai i Poit,” u shpreh Sara Hoxha.

  • Sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal

    Sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal

    Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal.

    Sipas njoftimit të IKShPK-së, vaksinimi do të kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar.

    “Ju ftojmë të paraqiteni në qendrën tuaj të mjekësisë familjare për të marrë vaksinën falas”, thuhet në njoftim.

    IKShPK ka bërë të ditur se gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtësisht dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.

    Simptomat më të zakonshme janë: ethet, kollitja, dhimbjet e muskujve, lodhja dhe dhimbjet e kokës. Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga gripi dhe komplikimet që ai mund të shkaktojë.

    Punonjësve shëndetësorë u rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.

    Po ashtu, gratë shtatzëna këshillohen të vaksinohen për të siguruar mbrojtje të plotë për veten dhe foshnjën.

    Ndër profesionet e tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë punonjësit e Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët, si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.