ATV

Blog

  • Covey vijon dëshminë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Covey vijon dëshminë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme, dëshminë e vazhdon dëshmitari amerikan James Peter Covey, i cili gjatë viteve 1999-2001 ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

    Të martën dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pasi përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit, tri ekipet tjera mbrojtëse njoftuan se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.

    Gjatë dëshmisë, Covey theksoi se UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirëorganizuar, ku komandantët në terren kishin autonomi të gjerë dhe vepronin në bazë të vendimeve të tyre lokale.

    “Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre. Kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, deklaroi Covey.

    I pyetur për rolin e Hashim Thaçit, Covey tha se UNMIK nuk e ka trajtuar kurrë atë si komandant të UÇK-së dhe se ai nuk jepte urdhra.

    Gjatë seancës u shfaq edhe një dokument i nënshkruar nga Thaçi si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, dërguar Kouchnerit në kuadër të marrëveshjes së çarmatosjes së UÇK-së, përmes së cilës kërkohej leje që disa pjesëtarë të UÇK-së të mbanin armë brezi.

    Sidoqoftë, Covey sqaroi se ky gjest u interpretua si përpjekje për të shërbyer një interesi tjetër dhe jo si shenjë e ndonjë autoriteti ushtarak real. Ai shtoi se për këtë kërkesë nuk ka pasur përgjigje nga UNMIK-u, pasi çështja binte nën kompetencën e KFOR-it.

    Covey foli gjithashtu për përpjekjet për integrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Policinë e Kosovës, si dhe për sfidat në bindjen e elementëve më radikalë brenda UÇK-së që të angazhoheshin në strukturat e reja të sigurisë. Ai tha se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, dhe se në terren ekzistonte një larmi komandantësh me lidhje të ndryshme dhe të paqarta hierarkike.

    Dëshmitari përshkroi marrëdhënien e Thaçit me komandantët e zonave si të ndërlikuar dhe me rezerva reciproke. Ai tha se gjatë një takimi në shtator të vitit 1999, ku Bernard Kouchner kishte shkuar për të bindur komandantët për demilitarizim, Thaçi nuk kishte folur fare dhe se nuk kishte respekt të dukshëm ndaj tij nga komandantët lokalë.

    Sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmia e Covey-it konfirmon se Thaçi nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ishte në pozitë për të organizuar apo ndalur ndonjë akt dhune gjatë verës së vitit 1999.

  • Tërmet i fuqishëm në Filipine, mbi 60 të vdekur – shpallet gjendja e katastrofës

    Tërmet i fuqishëm në Filipine, mbi 60 të vdekur – shpallet gjendja e katastrofës

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 të shkallës Rihter ka goditur Filipinet Qendrore, duke shkaktuar humbjen e jetës së mbi 60 personave, sipas zyrtarëve të menaxhimit të fatkeqësive.

    Goditja ka prekur kryesisht qytetin e Bogos dhe disa qytete të tjera të rajonit, të cilat kanë shpallur gjendjen e katastrofës, ndërsa ekipet kanë nisur vlerësimin e dëmeve.

    Tërmeti ndodhi pak para orës 22:00 sipas kohës lokale (14:00 GMT) të martën, në brigjet e qytetit Cebu. Si pasojë, shumë ndërtesa u dëmtuan, energjia elektrike u ndërpre dhe qindra familje mbetën pa strehë. Qyteti Cebu, me rreth një milion banorë, është një nga zonat më të banuara në vend dhe ka përjetuar pasiguri të mëdha pas goditjes.

    Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë shpalli fillimisht një paralajmërim për cunami, por më pas e anuloi, duke theksuar se “çdo efekt për shkak të çrregullimeve të vogla të nivelit të detit ka kaluar kryesisht”.

    Autoritetet ndërkohë vijojnë përpjekjet për shpëtim dhe ofrojnë ndihmë për të prekurit, ndërsa banorët e rajonit janë ende të tronditur nga shkalla e katastrofës.

  • KQZ sot mban mbledhje, do të miratojë akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    KQZ sot mban mbledhje, do të miratojë akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot mban mbledhjen e radhës.

    Mbledhja do të mbahet në ora 13:30, derisa pritet të miratohet akreditimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    Rendi i Ditës

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes Nr.60/20253. Aktivitetet e Zyrës

    3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtar dhe
    përfaqësive diplomatike në Republikën e Kosovës.

    4. Këshillat e KQZ-së

    4.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    4.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës të Veprimit në Qendrën Komunale të Numërimit për

    4.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për emërimin e ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për

    Zgjedhjet Lokale 2025

    5. Të ndryshme.

  • Kurti takon senatoren amerikane Joni Ernst, diskutojnë për integrimin euro-atlantik

    Kurti takon senatoren amerikane Joni Ernst, diskutojnë për integrimin euro-atlantik

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi në Washington D.C. senatoren amerikane nga radhët e Partisë Republikane, Joni Ernst.

    Gjatë takimit, palët diskutuan për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, për siguri, mbrojtje, integrim euro-atlantik dhe zhvillim ekonomik të Kosovës.

    Kurti veçoi rëndësinë dhe vlerën e marrëdhënieve ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të qeverisë për t’i thelluar edhe më tej ato.

    Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve amerikane në Kosovë dhe paraqiti mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj në infrastrukturë, energji dhe teknologji.

    Kryeministri në detyrë e falënderoi senatoren Ernst për miqësinë dhe mbështetjen e saj të palëkundur për popullin e Kosovës dhe për angazhimin dhe kontributin në forcimin e lidhjeve dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi.

  • Bastri Muja: 30 ditë bllokadë për një nënkryetar,  humbje kohe

    Bastri Muja: 30 ditë bllokadë për një nënkryetar, humbje kohe

    Analisti politik Bastri Muja e ka konsideruar të panevojshme vonesën 30-ditore për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.

    “Mendoj se ka qenë një humbje kohe. Unë nuk e kam kuptuar absolutisht dhe e kemi biseduar edhe në këtë studio pse është dashur të pritet 30 ditë. Në një farë mënyre, është vendosur status quo, dhe për 30 ditë shteti ka qenë në bllokadë për një nënkryetar,” tha Muja.

    Ai theksoi se në raste të tilla, Gjykata Kushtetuese do të duhej të kishte ofruar një zgjidhje më të menjëhershme.

    “Gjykata Kushtetuese, në situata të tilla, në ngërçe të tilla, mendoj se është dashur të ofrojë një zgjidhje, sepse unë jam i sigurt që ne do ta gjejmë një zgjidhje dhe do ta tejkalojmë këtë ngërç tani. Por, nëse e shohim nga perspektiva e zgjedhjeve të ardhshme, do ta kemi të njëjtin problem,” u shpreh Muja.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Vjedhje e rëndë në poligonin e armëve në Fushë Kosovë, hajnat “avullojnë” mbi 300 armë zjarri, dëmi mbi 200 mijë euro

    Vjedhje e rëndë në poligonin e armëve në Fushë Kosovë, hajnat “avullojnë” mbi 300 armë zjarri, dëmi mbi 200 mijë euro

    Një vjedhje spektakolare ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës, afër rrethit të Aeroportit, ku persona të maskuar kanë depërtuar me forcë në objektin e kompanisë “Ordex” (Poligon i armëve të zjarrit), raporton Sinjali.

    Sipas burimeve të sigurta, rasti është vërejtur dhe denoncuar më 30 shtator 2025, në orën 05:50, nga pronarët A.K.,dhe B.K.,. Hajnat, të cilët ishin dy persona të maskuar, rezulton se kanë përdorur mjete të forta për të hapur një vrimë në murin e objektit dhe për të depërtuar brenda.

    Nga objekti janë vjedhur rreth 3 armë të gjata dhe afërsisht 300 armë të shkurta, ndërsa vlera e tyre sipas pronarëve arrin në rreth 200 mijë euro. Pasi kanë realizuar vjedhjen, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.

    Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë: reaguesit, hetuesit dhe krim-teknika e stacionit të Fushë Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda (NJHP), krim-tekniku rajonal, Njësia policore K-9 si dhe inspektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Prokurori kujdestar është njoftuar menjëherë dhe ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Vjedhje e rëndë”, duke e kaluar për trajtim në kompetencë të NJHP-së.

    Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa njësitë policore po qëndrojnë ende në vendngjarje duke ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Bugaqku: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin ishte i pritshëm

    Bugaqku: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin ishte i pritshëm

    Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka qenë i pritshëm.

    “Unë mendoj se vendimi ka qenë i pritshëm. Madje, mendoj se ka qenë pak a shumë i ditur, për shkak të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur në tërësi Kryesia e Kuvendit,” deklaroi Bugaqku.

    Sipas tij, ky konstituim nuk është i menjëhershëm dhe as një vendim ad hoc.

    “Ky konstatim nuk është ad hoc, nuk është i menjëhershëm, por është një konstatim që ka bazë – si në Kushtetutën e Kosovës, ashtu edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Madje, ka edhe bazë juridike e kushtetuese në vetë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese,” shtoi Bugaqku.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • ALARM në Hollywood – Krijohet aktorja e parë nga inteligjenca artificiale

    ALARM në Hollywood – Krijohet aktorja e parë nga inteligjenca artificiale

    Inteligjenca artificiale është e pranishme në industri të panumërta, madje edhe në atë të filmit

    Risia e rastit Xicoia është se kjo kompani, në pronësi të studios Particle 6, ka përdorur pikërisht inteligjencën artificiale për të krijuar, nga e para, një aktore që po e habit Hollywood-in.

    Mediat e huaja shkruajnë se emri i saj është Tilly Norwood, një artiste që nuk ekziston, por që ngre shumë dyshime për shkak të implikimeve që mund të ketë në të ardhmen. “Nuk zëvendëson një qenie njerëzore, është diçka krijuese, një vepër arti”, theksojnë krijuesit e saj në rrjetet sociale pas polemikave.

    Kompania që krijoi Tilly Norwood është e vetëdijshme për ndikimin e punës së saj.

    “Në shkurt patëm shumë takime dhe ata thanë se kjo nuk ishte asgjë, se nuk do të ndodhte. Në maj, ata na thanë se duhej të takoheshin me ne. Dhe tani do të njoftojmë agjencinë që do ta përfaqësojë atë“, tha Eline Van der Velden, producente dhe pronare e studios Particle 6, në një intervistë me “Deadline”.

    Krijuesit e Tilly Norwood kërkonin më shumë sesa thjesht një fytyrë dhe u përqendruan në dhënien e personalitetit dhe karakterit të artistit. Limiti për aktorët dhe aktoret e gjeneruara nga inteligjenca artificiale, nëse teknologjia e lejon, është i vështirë të imagjinohet. Ata mund të aktrojnë 24 orë në ditë, të luajnë të gjitha llojet e roleve në seriale ose filma dhe të përshtaten brenda sekondave me nevojat e një skenari ose të çdo kompanie.

    Përveç kësaj, falë motorit “DeepFame”, Tilly Norwood mund të bashkëveprojë në rrjetet sociale sikur të ishte një aktore e jetës reale. Gjithashtu, sigurisht, personazhi i saj është i ndryshueshëm. Ajo është një produkt, pavarësisht se sa realiste mund të duket në imazhet e fytyrës së saj. Gjithçka është projektuar për këtë fytyrë të re dhe vetëm koha do të tregojë nëse loja me inteligjencën artificiale funksionon.

    Sidoqoftë, nuk është diçka e re. Gushtin e kaluar, Higgsfield Records njoftoi krijimin e këngëtarit Kion, me kontrata milionë dollarëshe. “Është fillimi i një epoke të re në muzikë“, shpjeguan krijuesit e saj.

  • Greqia u vendos kufizime të miturve për rrjetet sociale

    Greqia u vendos kufizime të miturve për rrjetet sociale

    Greqia pritet të bëhet vendi i parë në Bashkimin Evropian që vendos kufizime të drejtpërdrejta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.

    Një projektligj i ri, që pritet të kalojë në parlament në javët në vijim, synon të ndalojë aksesin në platforma si TikTok, Instagram dhe Facebook për fëmijët nën moshën 15 vjeç.Sipas këtij propozimi, çdo përpjekje për të hyrë në rrjete sociale nga pajisjet që përdoren nga fëmijët do të bllokohet automatikisht.

    Kjo do të mundësohet përmes një aplikacioni shtetëror të quajtur “Kids Wallet”, i cili do të instalohet në pajisjet e telefonave celularë dhe do të lidhet me regjistrin civil grek për të verifikuar moshën e përdoruesit.Por projektligji nuk ndalet këtu. Ai shtrihet edhe për grupmoshën 15 deri në 18 vjeç, duke kufizuar aksesin në platforma që shesin produkte të ndaluara për të miturit, si p.sh. alkool, cigare, baste apo përmbajtje për të rritur.

    Sistemi funksionon duke përdorur algoritme që filtrojnë qasjen dhe përmbajtjen në bazë të moshës së përdoruesit, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në serverët e kompanive të teknologjisë.Qëllimi i këtij projektligji është të vendosë një kontroll më të madh mbi mënyrën se si të miturit përdorin teknologjinë dhe të kufizojë ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjes potencialisht të dëmshme dhe të dhunshme.

    Në vend që të bazohet te vetëdeklarimi i moshës, Greqia po përpiqet të ndërtojë një sistem ku mbrojtja vjen nga vetë pajisja dhe infrastruktura dixhitale, duke i dhënë prindërve dhe shtetit një rol më aktiv në këtë proces.Zyrtarë të Bashkimit Evropian pritet të vizitojnë Athinën për të mbikëqyrur zbatimin e projektit dhe për të ndarë përvojat që mund të shërbejnë si model edhe për vendet e tjera anëtare.

    Disa organizata të të drejtave të fëmijëve dhe prindër kanë përshëndetur iniciativën si një hap të nevojshëm drejt kontrollit të ndikimit të rrjeteve sociale, ndërsa grupe të tjera, përfshirë kritikë nga opozita, kanë ngritur shqetësime për lirinë e të shprehurit dhe për çështje të mbikëqyrjes së të dhënave personale.

  • Enver Hasani: “Veto absolute për serbët? Një keqkuptim dhe marrëzi politike”

    Enver Hasani: “Veto absolute për serbët? Një keqkuptim dhe marrëzi politike”

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar vendimin e fundit të Kushtetueses lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

    Hasani ka kritikuar interpretimet që sugjerojnë se ky vendim u jep deputetëve të komunitetit serb “veto absolute”, duke e cilësuar këtë si një keqkuptim.

    “E drejta e vetos ka qenë një marrëzi e krijuar në retorikën e pushtetit të deridjeshëm”, tha Hasani.

    Ai shtoi se Kushtetuesja ka theksuar qartë se seanca konstituive nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga deputetët serbë, por kjo nuk nënkupton asnjë veto të veçantë për ta.

    “E drejta e vetos mund të ekzistojë te amendamentet kushtetuese dhe te ligjet e veçanta për të drejtat e komuniteteve. Por edhe aty, shumica absolute vendos kushtet. Ushtria e Kosovës është formuar me ligje pa një amendament kushtetues… Çdo përpjekje për të krijuar gjendje jokushtetuese dhe më pas pretenduar ‘drejta absolute’ është e paqëndrueshme juridikisht”, theksoi Hasani.

    Ai përmendi gjithashtu shembullin e zgjedhjes së Dimal Bashës, duke thënë se po ashtu duhet gjetur një zgjidhje për këtë çështje, duke respektuar procesin dhe votën, pavarësisht presioneve politike.