ATV

Blog

  • Albion Rrahmani godet sërish – barazon derbin e madh çek

    Albion Rrahmani godet sërish – barazon derbin e madh çek

    Skuadra e Sparta Pragës ka barazuar me Slavia Pragën në derbin e javës së 11-të në elitën e futbollit çek.

    Golin për Spartën e realizoi sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, pas një gabimi në mbrojtjen kundërshtare, duke barazuar rezultatin në 1:1.

    Vlen të theksohet se 25 vjeçari kishte shënuar edhe në minutën e 6-të të ndeshjes, mirëpo goli u anulua nga sistemi VAR, e kjo performancë e mirë e tij do të ndihmojë edhe Kombëtaren e Kosovës.

    Pas këtij barazimi Sparta kalon në vendin e parë në tabelë me 26 pikë, ndërsa një më pak e ka Slavia Prague. /ATVLIVE.TV

  • Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Sot rreth orës 15:30, policia në Ferizaj ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri gjatë një dasme në rrugën “Mihajl Grameno”.

    Sipas njoftimit, njësia policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar personin e dyshuar, S.I., (56-vjeçar) i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, të cilën e kishte me leje.

    Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e tipit pistoletë, 8 gëzhoja, si dhe leja e armës.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për intervistim dhe me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje familjare, pasi një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve”, thotë policia tutje në njoftim.

  • Kronika zgjedhore: Dita 23 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 23 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e njëzetë e tretë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Napoli përmbys Genoan dhe ngjitet në krye të Serie A

    Napoli përmbys Genoan dhe ngjitet në krye të Serie A

    Napoli mori tri pikë të rëndësishme në përballjen ndaj Genoas së Patrick Vieira-s, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë për të fituar 2-1 në stadiumin “Diego Armando Maradona”.

    Genoa kaloi në epërsi në minutën e 33-të me golin e Jeff Ekhator, pas një depërtimi të bukur nga Norton-Cuffy në krahun e djathtë. Pavarësisht dominimit territorial të Napolit, skuadra e Antonio Contes e pati të vështirë të krijonte raste të pastra për shkak të organizimit dhe presingut të lartë të miqve.

    Lajmi kryesor para ndeshjes ishte mungesa e Kevin De Bruyne në formacionin titullar, me trajnerin Conte që e cilësoi vendimin si “zgjedhje teknike”. Belgun e zëvendësoi David Neres.

    Goli i barazimit erdhi në minutën e 61-të kur Zambo Anguissa shënoi me kokë pas një topi të devijuar në zonë. Rikthimi u përmbyll 15 minuta para fundit: një kros nga De Bruyne, top i ndalur nga McTominay, goditje e bllokuar e Anguissas dhe më pas Rasmus Højlund, i cili reagoi më shpejt se të gjithë, finalizoi për 2-1.

    Kjo fitore e ngjit Napolin në krye të tabelës së Serie A, me pikë të barabarta me Romën, ndërsa Milani mund të bashkohet me ta nëse mposht Juventusin në mbrëmje.

    Nga ana tjetër, Genoa mbetet pa fitore pas javës së gjashtë dhe e mbyll këtë fazë para pushimit ndërkombëtar në vendin e 19-të, pavarësisht paraqitjes së mirë në fushën e kampionëve. /ATVLIVE.TV

  • Edon Zhegrova nuk starton në derbin ndaj Milanit

    Edon Zhegrova nuk starton në derbin ndaj Milanit

    Edon Zhegrova nuk do të jetë titullar në ndeshjen derbi ndaj Milanit, që zhvillohet sot në Allianz Stadium në kuadër të javës së gjashtë në Serie A. Ylli i Kombëtares së Kosovës do ta ndjekë fillimin e takimit nga pankina, pasi trajneri i Juventusit ka vendosur t’i besojë Jonathan David në majë të sulmit, me Kenan Yildiz dhe Francisco Conceicao pas tij në rolet ofensive.

    Zhegrova ka qenë një ndër lojtarët më kreativë në repartin sulmues këtë sezon, por konkurrenca e fortë në skuadër dhe rotacionet taktike e kanë lënë jashtë formacionit startues në këtë përballje të madhe.

    Pavarësisht kësaj, pritet që ai të jetë një nga opsionet e para nga banka rezervë, sidomos nëse ‘Zonjës së vjetër’ i duhet të shtojë intensitetin në pjesën e dytë të ndeshjes.

    Ndërkohë, edhe Milani vjen me mungesa të rëndësishme – Estupinan është i pezulluar, Ardon Jashari i lënduar, ndërsa Rafael Leao gjithashtu e nis ndeshjen nga stoli. /ATVLIVE.TV

  • Rahoveci 029 hap sezonin me fitore ndaj Borës në kryeqytet

    Rahoveci 029 hap sezonin me fitore ndaj Borës në kryeqytet

    Rahoveci 029 e nisi me sukses edicionin e ri të ProCredit Superligës, duke triumfuar si mysafir ndaj Borës me rezultat 84:95 (20:28, 15:26, 22:20, 27:21), në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë.

    Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar gjatë pesë minutave të para, por më pas “Vreshtarët” morën kontrollin, duke krijuar epërsi deri në dhjetë pikë (18:28), ndërsa çereku i parë u mbyll 20:28 në favor të tyre.

    Dominimi i mysafirëve vazhdoi edhe në periudhën e dytë, të cilën e fituan bindshëm 15:26, për të shkuar në pushim me epërsi të konsiderueshme – 35:54.

    Në pjesën e dytë loja ishte më e balancuar, por Rahoveci 029 menaxhoi mirë avantazhin dhe arriti të ruajë epërsinë deri në fund, duke regjistruar fitoren e parë të sezonit me rezultat 84:95.

    Adem Mekiq u dallua te Bora me 13 pikë dhe 17 kërcime, ndërsa te Rahoveci 029 shkëlqyen Kentrell Pullian me 24 pikë, 6 kërcime dhe 6 asistime, si dhe Philhert Weeks e Isiah Umipig, të cilët kontribuuan me nga 23 pikë secili. /ATVLIVE.TV

  • Bashkimi triumfon bindshëm ndaj Vëllaznimit në hapje të sezonit

    Bashkimi triumfon bindshëm ndaj Vëllaznimit në hapje të sezonit

    Bashkimi e nisi në mënyrë të shkëlqyer edicionin e ri të ProCredit Superligës, duke shënuar fitore të thellë ndaj Vëllaznimit me rezultat 69:106 (23:26, 12:21, 22:29, 12:30), në ndeshjen e zhvilluar në Prizren.

    Përballja ishte nën kontroll të plotë të prizrenasve, të cilët dominuan pothuajse gjatë gjithë takimit, ndërkohë që Vëllaznimi luajti kryesisht me lojtarë vendorë.

    Çereku i parë filloi me baraspeshë, por Bashkimi arriti të krijojë një epërsi të lehtë 15:22. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan dhe kjo pjesë u mbyll me rezultat të ngushtë 23:26.

    Në periudhën e dytë, Bashkimi thelloi epërsinë me lojë më të organizuar dhe efikase, duke fituar çerekun 12:21 dhe duke shkuar në pushim me avantazh prej 35:47.

    Pjesa e dytë vazhdoi në të njëjtin ritëm, me Bashkimin që ruajti kontrollin dhe e zgjeroi epërsinë deri në fitoren finale 69:106.

    Te Vëllaznimi, më i miri ishte Ziggy Ried me 26 pikë dhe 7 kërcime, ndërsa Atik Koshi shtoi 22 pikë dhe 7 kërcime të tjera. Në anën tjetër, për Bashkimin u dallua TJ Brickerstaff me 24 pikë dhe 6 kërcime. /ATVLIVE.TV

  • IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç qëndron mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

    IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç qëndron mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

    Agjencia e Pavaruar e Lajmeve (IBNA), që mbulon rajonin e Evropës Juglindore, ka raportuar për përplasjen e fundit verbale mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar komplikimet që kjo mund të shkaktojë për Bashkimin Evropian.

    Në bazë të analizës, misioni për BE-në është i dyfishtë: së pari, ruajtja e sigurisë në terren, ku çdo incident mund të ketë efekt domino; së dyti, progresi drejt zgjidhjeve praktike, duke përfshirë statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    IBNA konsideron se deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, janë simptomë e një përballjeje që lëviz midis një konflikti verbal dhe rreziqeve reale të sigurisë. Për BE-në, sipas agjencisë, sfida është të mbajë të hapur perspektivën, pa lejuar që retorika të zëvendësojë dialogun e normalizimit.

    Për BE-në, sulmet verbale të liderëve nuk përbëjnë vetëm një përplasje politike publike, sipas analizës, por edhe rritje të drojës për “dritaret e mundësive” që mund të shfrytëzohen nga aktorë që synojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor./ATVLIVE/

  • Kandidatët e LDK-së premtojnë rritje ekonomike e më shumë hapësira publike

    Kandidatët e LDK-së premtojnë rritje ekonomike e më shumë hapësira publike

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, kandidat për një mandat të dytë, ka promovuar projektet e realizuara, si transformimi i një hapësire të braktisur në lagjen Kalabria dhe rregullimin e hapësirave publike në lagjen Arbëria.

    Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli premtuar përfundimin e stadiumit dhe palestrave, si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e sportit në komunë.

    Ilir Ferati, kryetar aktual i Istogut dhe kandidat për një mandat të ri, ka paraqitur një program të strukturuar në gjashtë shtylla kryesore që, sipas tij, do të transformojnë qytetin.

    Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli ka vendosur në fokus të programit të tij mbështetjen për bizneset lokale, duke i quajtur ato gjeneratorë të vendeve të reja të punës dhe garanci për një të ardhme më të mirë.

    Driton Selmanaj, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka premtuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me theks të veçantë te Kalaja e Prizrenit.

    Në Shtime, kandidati Kastriot Shabani ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për sportin dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për të rinjtë, si pjesë e përkushtimit ndaj gjeneratës së re.

    Visar Azemi, kandidat për kryetar të Ferizajt gjatë takimit me rininë u premtoi atyre një qytet të gjelbër me më shumë parqe, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe përmirësim të infrastrukturës urbane.

    Në Viti, kryetari aktual Sokol Haliti, i cili kandidon për një mandat të ri, ka ndarë projektet e realizuara në fshatin Kabash e Gërmovë, duke i vendosur si bazë për angazhimet e tij të mëtejme.

    Kurse Xhafer Tahiri, kandidat për kryetar të Vushtrrisë, ka premtuar grante dhe trajnime për gratë me qëllim fuqizimin e tyre ekonomik.

  • Kandidatët e LVV-së premtojnë zhvillim, mirëqenie dhe transformim të komunave

    Kandidatët e LVV-së premtojnë zhvillim, mirëqenie dhe transformim të komunave

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku premton mbështetje të qëndrueshme për artin dhe kulturën përmes platformës “Prishtina 2035”, që parasheh hapësira komunitare në çdo lagje, rezidenca vjetore për artistë, si dhe fonde për përkrahje sociale të tyre.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola teksa kritikoi keqqeverisjen premtoi rindërtimin dhe funksionalizimin e Muzeut të Muzikës.

    Alban Hyseni në Gjilan shpalosi arritjet e mandatit të tij të parë, përfshirë ndërtimin e tetë parqeve të reja dhe premtoi për katër të tjera.

    Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa u zotua për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Kosavë, përfshirë ndriçimin publik, kanalizimin, trotuaret, shtratin e lumit, sistemin e ngrohjes në shkollë dhe mbylljen e një deponie ilegale.

    Valon Prebreza në Fushë Kosovë premtoi kushte të mira jetese, qasje në arsim e shëndetësi, dhe mundësi ekonomike për të gjithë, me moton se ndryshimi fillon nga dera e çdo shtëpie.

    Kadri Rahimaj, kryetar aktual i Kamenicës, premton vazhdimin e investimeve në infrastrukturë rrugore në disa fshatra të komunës, duke theksuar se ritmi i zhvillimit nuk do të ndalet.

    Në Mitrovicë, kandidat për kryetar, Faton Peci është zotuar për transformimin e hyrjeve të qytetit.

    Artan Abrashi në Prizren ka prezantuar një plan për infrastrukturë moderne, me përfundimin e rrugëve në fshatra, unazës së dytë, nënkalimeve dhe urave të rëndësishme, si dhe një administratë transparente dhe të qasshme për qytetarët.

    Në Skenderaj, Hysni Mehani vuri në pah përkrahjen që gëzon nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti, duke e cilësuar këtë si garanci për realizimin e programit të tij dhe për ndryshimin e shumëpritur në këtë komunë.

    Sylejman Meholli në Vushtrri u premtoi banorëve të Studimes së Epërme ndërtimin e një muzeu për historinë e masakrës, duke u zotuar për kthimin e dinjitetit të këtij fshati të lënë pas dore.

    Kurse Valon Hoti në Malishevë, gjatë një vizite në Pagarushë, premtoi zgjidhje për kanalizimet e dëmtuara dhe rrjetin e vjetër elektrik.