ATV

Blog

  • Laureatë të Çmimit Nobel në Mjekësi shkencëtarët që zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar

    Laureatë të Çmimit Nobel në Mjekësi shkencëtarët që zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar

    Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2025 u është dhënë shkencëtarëve Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi për zbulimet e tyre revolucionare “lidhur me tolerancën imunitare periferike”.

    Komiteti i Nobelit njoftoi se çmimi iu akordua për punën e tyre në kuptimin e mënyrës se si sistemi imunitar mbron trupin nga vetë-dëmtimi, duke parandalur që ai të sulmojë indet e shëndetshme të vetë organizmit.

    Zbulimet e këtyre tre studiuesve kanë ndihmuar në sqarimin e mekanizmave themelorë që qëndrojnë pas sëmundjeve autoimune, si dhe kanë hapur rrugën për zhvillimin e terapive të reja në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Ky çmim shënon hapjen zyrtare të javës së Çmimeve Nobel 2025. Në ditët në vijim do të shpallen edhe fituesit në kategoritë: Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi.

  • Fustani i Merilyn Monroe “shpëton” kalimtarët nga shiu: Arti që kthehet në strehë

    Fustani i Merilyn Monroe “shpëton” kalimtarët nga shiu: Arti që kthehet në strehë

    Në një nga ato momente të rralla dhe poetike kur arti takohet me jetën reale, një statujë gjigante e Merilyn Monroe-s u shndërrua në strehë shpëtimi gjatë një shiu të papritur — falë fustanit të saj legjendar që “fluturon”.

    Statuja, e modeluar sipas skenës ikonike nga filmi “The Seven Year Itch”, e paraqet yllin e Hollivudit duke qëndruar mbi një rrjetë ajrimi në trotuar, ndërsa fustani i bardhë i ngrihet nga era. E vendosur në një shesh publik, vepra synon të festojë një nga imazhet më të famshme të kulturës pop.

    Por një pasdite me shi, ajo mori një rol krejt të ri.

    Ndërsa qielli u errësua dhe shiu nisi të binte me rrëmbim, dhjetëra kalimtarë vrapuan për t’u strehuar nën statujë. Ata zbuluan me habi se fustani gjigant prej çeliku i Monroe-s ishte mjaftueshëm i madh për të funksionuar si një “ombrellë” e përbashkët. Njerëzit u grumbulluan së bashku, qeshën, bënë selfie dhe u mahnitën nga ky moment surreal — duke u fshehur nga shiu pikërisht nën simbolin e një prej skenave më të famshme të kinemasë.

    Pamjet dhe videot nga vendngjarja u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Ironia nuk i shpëtoi askujt: gruaja që dikur adhurohej për bukurinë dhe hijeshinë e saj, tani — dekada më vonë — po ofronte mbrojtje, në kuptimin më të drejtpërdrejtë.

    Dikur një simbol i ndjeshmërisë dhe ekspozimit, fustani i ngritur nga era është shndërruar në një mburojë.

    Ky episod i ngrohtë dhe i pazakontë na kujton se arti ka një jetë më vete. Ndonjëherë frymëzon, ndonjëherë argëton — e ndonjëherë, thjesht të mban thatë.

  • Bie qeveria në Francë, një muaj në detyrë, jep dorëheqjen kryeministri Sebastien Lecorni

    Bie qeveria në Francë, një muaj në detyrë, jep dorëheqjen kryeministri Sebastien Lecorni

    Kryeministri francez Sebastien Le Corneille i ka paraqitur dorëheqjen e tij Emmanuel Macron, i cili e ka pranuar atë. Kryeministri, i cili u emërua më 9 shtator, është kritikuar ashpër nga kundërshtarët e tij dhe nga e djathta pasi njoftoi një pjesë të qeverisë së tij të dielën në mbrëmje.

    Pas disa javësh konsultimesh me të gjitha partitë politike, Le Corneille, një aleat i ngushtë i Macron, emëroi ministrat e tij të dielën dhe kabineti ishte planifikuar të mbante mbledhjen e tij të parë të hënën pasdite.

    Megjithatë, përbërja e kabinetit të ri ka zemëruar si kundërshtarët ashtu edhe aleatët, të cilët e kanë parë atë si shumë të djathtë ose të pamjaftueshëm, duke ngritur pyetje se sa gjatë mund të zgjasë në një kohë kur Franca është tashmë thellësisht e zhytur në krizë politike, pa asnjë grup që mban shumicën në një parlament të fragmentuar.

    Politika franceze është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme që nga rizgjedhja e Macron në vitin 2022, për shkak të mungesës së ndonjë partie ose grupi që mban shumicën parlamentare.

    Në një intervistë me BFM-TV menjëherë pas njoftimit të dorëheqjes së Sébastien Lecorni, presidenti i Frontit Kombëtar, Jordan Bardella, vlerësoi se “kryeministri i përkohshëm nuk kishte hapësirë për manovrim”.

    “Sigurisht që Emmanuel Macron ishte ai që mblodhi qeverinë”, vlerësoi ai, duke siguruar se “ai nuk kuptonte asgjë për situatën në të cilën ndodhemi”.

    “Stabiliteti nuk mund të rivendoset pa kthimin e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare”, këmbënguli ai.

    Bursat evropiane dhe të Parisit kanë shënuar rënie menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit francez. Bankat franceze kryesuan rënien në tregjet financiare, me Societe Generale që ra me më shumë se 6% menjëherë pas njoftimit, ndërsa BNP Paribas dhe Credit Agricole gjithashtu panë rënie të ndjeshme.

    Euro ra gjithashtu kundrejt paundit dhe dollarit, ndërsa kostot e huamarrjes së qeverisë franceze, siç reflektohen në tregjet e obligacioneve, arritën nivelet e para pothuajse një muaj më parë, kur vendi ishte përsëri në të njëjtin ngërç politik.

  • Fjolla Morina po përjeton një periudhë të lumtur dashurie

    Fjolla Morina po përjeton një periudhë të lumtur dashurie

    Prej kohësh, ndjekësit kanë vënë re se Fjolla Morina po kalon një nga periudhat më të bukura të jetës së saj. Edhe pse këngëtarja ka zgjedhur të mos zbulojë hapur detaje për romancën e re, postimet e saj në rrjete sociale flasin vetë për gjendjen e saj shpirtërore.

    Së fundmi, Fjolla ka ndarë në Snapchat pamje nga një surprizë tejet romantike dhoma e saj e mbushur me buqeta trëndafilash të kuq, të vendosura me kujdes në çdo cep, duke krijuar një atmosferë dashurie që të rrëmben menjëherë.

    Këto momente kanë mjaftuar për të kuptuar se zemra e artistes është sërish e lumtur. Ajo duket më e qetë, e fokusuar në veten dhe me një energi pozitive, që pasqyrohet në çdo paraqitje të saj publike.

    Dashuria, mesa duket, po i ka dhënë Fjollës një frymë të re dhe një buzëqeshje të sinqertë, duke e bërë të shkëlqejë si dikur, ndoshta edhe më shumë.

  • Peja qyteti mes alpeve shqiptare që ruan shpirtin e traditës dhe bukurinë e natyrës

    Peja qyteti mes alpeve shqiptare që ruan shpirtin e traditës dhe bukurinë e natyrës

    Peja, një ndër qytetet më të vjetra dhe më piktoreske të Kosovës, mbetet një qendër e rëndësishme kulturore, historike dhe turistike në vend. E vendosur në perëndim të Kosovës, në rrëzë të Bjeshkëve të Nemuna, ky qytet ofron një kombinim unik të trashëgimisë tradicionale dhe peizazheve natyrore mahnitëse.

    Qyteti njihet për Arkitekturën orientale, çarshinë e vjetër, Xhaminë e Bajraklisë, si dhe për Patriarkanën e Pejës, e cila është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Rrugicat me kalldrëm dhe aromat e kafeneve tradicionale ruajnë ende shpirtin e dikurshëm të qytetit, duke i dhënë Pejës një karakter të veçantë që të fton të ndalesh e ta shijosh.

    Por Peja nuk është vetëm qytet historie ajo është edhe porta drejt aventurave malore. Zona përreth ofron shtigje ecjeje, ujëvara madhështore si ajo e Drinit të Bardhë, kanione, dhe qendra të zhvilluara të turizmit malor që çdo vit tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj.

    Megjithëse qyteti përballet me sfida infrastrukturore dhe nevoja për më shumë investime në turizëm, banorët e Pejës njihen për mikpritjen, punën e ndershme dhe dashurinë ndaj qytetit të tyre.

    Peja mbetet një simbol i qëndrueshmërisë, kulturës dhe natyrës shqiptare, ku çdo rrugicë, lumë apo mal rrëfen historinë e një qyteti që jeton mes traditës dhe zhvillimit modern.

  • Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

    Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot nga ora 10:00 fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, që synon ngritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

    Fushata po zhvillohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore vartëse në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.

    “Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, është mesazhi qendror që Policia e Kosovës po përcjell për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    Gjatë kësaj periudhe, policia do të organizojë aktivitete të ndryshme vetëdijësuese, përfshirë shpërndarjen e fletëpalosjeve, vendosjen e posterëve në rrugë e sheshe publike dhe mbajtjen e ligjëratave në shkollat e rajonit të Ferizajt.

    Faza e parë e projektit, që ka karakter parandalues dhe edukativ, do të zgjasë deri më 12 tetor 2025. Nga data 13 tetor, policia do të fillojë me zbatimin e masave ndëshkuese për të gjithë shoferët që shkelin ligjin dhe rrezikojnë sigurinë rrugore duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.

  • Igor Tudor:E lashë Zhegrovën në stol sepse doja të luaja me lojtarë të fortë

    Igor Tudor:E lashë Zhegrovën në stol sepse doja të luaja me lojtarë të fortë

    Trajneri i Juventusit Igor Tudor,ka treguar se pse Edon Zhegrova ishte në stol në ndeshjen kundër Milanit.

    Tudor bëri edhe një paralarjmërim për Zhegrovën,duke thënë se në ndeshje të tilla duhen futur lojtarë që janë të fortë për të luajtur.

    “Merren vendime për të mirën e skuadrës. Asnjë emër, asnjë gjykim, i vëzhgoj me kujdes të gjithë dhe fus në lojë atë që është më i forti, ndërsa te zëvendësimet mendon për atë që të sjell rezultatin”

    Përndryshe ylli i Kombëtares së Kosovës ka pasur problem fizike kohëve të fundit,dhe madje nuk ishte grumbulluar edhe në shtator për ndeshjet me Zvicrën dhe Suedinë.

    Ndërkohë mbetet të shihet në ditët në vijim sesi do të rrjedhin,nëse Zhegrova do të shpërthejë më në fund tek Juventus.

    Kujtojmë që Edon Zhegrova ka luajtur vetëm 36 minuta për Juventusin në të gjitha garat,teksa për 90 minuta ishte në stol në ndeshjen kundër Milanit në barazimin pa gola 0:0.

  • Tregu i Fushë Kosovës – mes mangësive dhe gjallërisë së përditshme

    Tregu i Fushë Kosovës – mes mangësive dhe gjallërisë së përditshme

    Tregu i Fushë Kosovës mbetet një nga pikat më të gjalla të qytetit, ku çdo të martë zhvillohet një jetë e veçantë mes zhurmës, ngjyrave dhe aromës së produkteve vendore. Si shumë pazare në Kosovë, edhe ky treg ruan shpirtin tradicional të shitjes e blerjes, ku mund të gjesh pothuajse gjithçka — nga prodhimet bujqësore e veshjet, deri te mjetet shtëpiake — me çmime të lira dhe të përballueshme për qytetarët.

    Megjithatë, pavarësisht gjallërisë që e karakterizon, tregu përballet me mangësi serioze infrastrukturore. Në vendin ku çdo ditë kalojnë qindra njerëz, mungon një tualet publik, ndërsa në ditët me shi, shitësit detyrohen të përballen me baltën dhe mungesën e mbulesave adekuate.

    Këto kushte e bëjnë punën e tyre të vështirë, por shqiptarët, si gjithmonë, gjejnë mënyrën për të vazhduar punën dhe për të siguruar fitimin e përditshëm, sado i vogël të jetë ai.

    Edhe pse larg standardeve të tregjeve moderne, tregu i Fushë Kosovës mbetet një hapësirë ku bashkohen njerëzit, tregtarët dhe historia e jetës së përditshme — një vend ku energjia, këmbëngulja dhe optimizmi e mbajnë gjallë traditën e tregtisë popullore në Kosovë.

     

  • Pse po rriten çmimet e banesave më shpejt se qiratë në BE?

    Pse po rriten çmimet e banesave më shpejt se qiratë në BE?

    Në tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave në BE u rritën me 5.4%, ndërsa qiratë u rritën me 3.2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet e banesave u rritën me 1.6% dhe qiratë me 0.7%.

    Këto të dhëna vijnë nga statistikat e publikuara së fundmi nga Eurostat mbi çmimet e banesave dhe qiratë.

    Midis vitit 2010 dhe tremujorit të dytë 2025, çmimet e banesave në BE u rritën me 60.5% dhe qiratë me 28.8%.

    Ndërsa qiratë kanë pasur një rritje të qëndrueshme, çmimet e banesave kanë ndjekur një ecuri më të larmishme: një rritje të fortë nga tremujori i parë i 2015 deri në tremujorin e tretë të 2022, e ndjekur nga një rënie e vogël dhe stabilizim, përpara se të fillonin sërish të rriteshin në 2024.

     

  • Mbi 300 raste sivjet me kancer të gjirit, përfshirë 3 burra

    Mbi 300 raste sivjet me kancer të gjirit, përfshirë 3 burra

    1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit – mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të rregullta

    Statistikat tregojnë se një në tetë gra preken nga kanceri i gjirit, duke e bërë këtë sëmundje një nga sfidat më serioze për shëndetin e grave në mbarë botën. Pikërisht për këtë arsye, informimi dhe ndërgjegjësimi mbeten thelbësorë për parandalimin dhe zbulimin e hershëm.

    Në Klinikën e Onkologjisë në Kosovë, gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 300 raste të reja me kancer të gjirit, ndër to edhe tre raste tek meshkujt. Të dhënat nuk dallojnë shumë nga ato të vitit paraprak, duke treguar një trend të qëndrueshëm të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

    Me fillimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, institucionet shëndetësore dhe organizatat e ndryshme kanë shtuar thirrjet për kontrolle të rregullta mjekësore, si mënyra më e mirë për ta parandaluar dhe trajtuar me sukses këtë sëmundje.

    Sipas drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit në trajtim.

    “Shumica e pacientëve për fat të mirë diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, mbi 50 për qind e tyre. Kjo e bën trajtimin shumë më të lehtë dhe më efektiv,” – theksoi ai.

    Kurtishi shton se për nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar rreth 320–330 raste, nga të cilat 3 janë meshkuj, duke vlerësuar se deri në fund të vitit 2025, numri total i rasteve të reja pritet të mbetet nën 460, njëjtë si në vitin 2024.

    Fushata ndërgjegjësuese gjatë gjithë tetorit rozë synon të kujtojë se vetëkontrolli dhe kontrollet e rregullta mjekësore mund të jenë hapi i parë drejt shpëtimit të jetës.