ATV

Blog

  • Vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij

    A e dini se çdo herë që takojmë një person të ri, truri ynë ka nevojë vetëm për disa sekonda që të krijojë një përshtypje për të? Psikologët thonë se mjaftojnë mesatarisht 7 deri në 10 sekonda, që të vendosim nëse dikush na duket i besueshëm, i sjellshëm, i fuqishëm apo jo, por na duhet edhe me pak kohe ta gjykojme bukurine…

    Dhe çka është më interesante, këto sekonda nuk varen aq shumë nga ajo që ai person thotë por nga pamja e jashtme, veshja, qëndrimi dhe mënyra se si shikon apo buzëqesh.

    Studimet tregojnë se rreth 55% e vlerësimit të parë bazohet vetëm tek paraqitja vizuale. 38% tek toni i zërit, dhe vetëm 7% tek fjalët që përdorim. Pra, para se të dëgjojmë realisht njeriun përballë nesh, mendja jonë tashmë ka krijuar një “etiketë” për të.

    Ky fenomen është i njohur në psikologji si “efekti i parë i shtypjes”.

    Ai shpesh çon në paragjykime: njerëzit që duken të veshur bukur ose kanë një pamje të kuruar, vlerësohen më pozitivisht, ndërsa ata që nuk i kushtojnë shumë rëndësi pamjes, shpesh gjykohen si më pak seriozë apo të painteresuar.

    Por, a është kjo e drejtë? Jo domosdoshmërisht.

    Pamja e jashtme shpesh nuk përfaqëson aspak karakterin, moralin apo aftësitë e një personi. Megjithatë, shoqëria moderne, sidomos në vendet ku paragjykimet kulturore janë të forta, e lidh vlerësimin me imazhin.

    Në Kosovë, por edhe në shumë vende të botës, ende ekziston mendimi se duhet të dukesh bukur e të vishesh mirë për t’u respektuar e për t’u marrë seriozisht.

    E megjithatë, gjithnjë e më shumë ekspertë po theksojnë se vlera e një njeriu duhet të matet tek veprat, mendja dhe zemra e tij. Sepse përtej paraqitjes së parë, shpesh fshihet një personalitet krejt ndryshe, një histori e thellë dhe një shpirt që nuk shihet me sy.

    Prandaj, pyetja që mbetet është: a duhet të lejojmë që vetëm disa sekonda të vendosin gjithçka për mënyrën si e shohim një njeri? Apo duhet të mësojmë të shkojmë përtej pamjes dhe të zbulojmë kush është ai në të vërtetë ?

  • Driton Selmani shpalos artin e tij në Viennacontemporary

    Driton Selmani shpalos artin e tij në Viennacontemporary

    Artisti kosovar Driton Selmani po përfiton një mundësi të veçantë për të prezantuar krijimtarinë e tij në panairin prestigjioz të artit bashkëkohor “Viennacontemporary”, ku Galeria Ernst Hilger i ka dedikuar një hapësirë të posaçme.

    I njohur për mënyrën se si ndërthur humorin me ndjeshmërinë dhe për përdorimin e materialeve të zakonshme – si qeset plastike – Selmani eksploron në veprat e tij kujtesën kolektive, historitë e harruara dhe trashëgiminë kulturore.

    Pas përfundimit të studimeve Master në Bournemouth, ai kishte mundësinë të qëndronte jashtë Kosovës, por zgjodhi të rikthehet në vendlindje për të zhvilluar artin e tij aty ku ndien rrënjët dhe frymëzimin.

    Pas ekspozitës personale në Kahan Art Space (2023) dhe instalacionit publik “Only Time Will Tell” në MuseumsQuartier, Vjenë, Selmani këtë vit do të prezantohet në Zona 1 të panairit, një pjesë e kuruar posaçërisht për artistët nën moshën 40-vjeçare. Ai do të jetë krah emrave ndërkombëtarë si Hélène Fauquet dhe Huda Takriti, duke përfaqësuar me dinjitet artin kosovar në një skenë ndërkombëtare.

    Krijimtaria e Driton Selmanit shihet si një shembull i fuqishëm i artit bashkëkohor që lidh kulturën lokale me trashëgiminë globale, sfidon perceptimet tradicionale dhe hap një dialog të thellë mbi kujtesën, kohën dhe identitetin kulturor në epokën moderne.

  • Xërxa e Rahovecit, fshati i rrushit e mikpritjes

    Xërxa e Rahovecit, fshati i rrushit e mikpritjes

    Udhëtimi në zonat rurale na kujton dashurinë për tokën, për punën e ndershme dhe për rrënjët tona, aty ku fillon gjithçka.

    E ndalesa jonë e radhës është në fshatin Xërxë të Rahovecit, këtu ku bukuria e natyrës gërshetohet me historitë e njerëzve punëtorë e bujarë.

    Një vend, që njihet për vreshtat e pafundme, me hardhitë që shtrihen me krenari, duke treguar kulturën dhe traditën e hershme të banorëve.

    E ajo që përjeton më së shumti, është mikpritja, ku çdo derë hapet me zemër.

    Xërxa, njihet për tokën e bekuar me rrush të ëmbël e duar të palodhura, ku çdo kokërr vjen nga dashuria për dheun.

    Besimi dhe kultura janë lidhja më e fortë në Xërxë, ku fshatarët bashkohen dhe çdo shtëpi pasqyron këtë trashëgimi të gjallë.

    Reportazhin e plot të përgatitur nga ATV mund ta shihni duke klikuar në linkun më poshtë:

  • Përkëdhelja: Ilaçi i fshehtë për mirëqenien e burrave

    Përkëdhelja: Ilaçi i fshehtë për mirëqenien e burrave

    Një studim i fundit zbuloi se përkëdhelja fizike mund të luajë një rol më të madh në mirëqenien e burrave sesa pothuajse çdo gjë tjetër.

    Sipas kërkimit, 82% e burrave thanë se gjestet e thjeshta nga partneret e tyre — si përqafimi, mbajtja për dore ose thjesht të qenit pranë — ishin faktori më i rëndësishëm për menaxhimin e stresit dhe ndjesinë e lumturisë së vërtetë.

    Shkencëtarët i lidhën këto akte të vogla intimiteti me rritjen e nivelit të oksitocinës (hormoni i dashurisë), uljen e hormoneve të stresit dhe përmirësimin e dukshëm të humorit në përgjithësi.

    Edhe pse burrat raportuan presion të madh nga puna, paratë dhe përgjegjësitë e përditshme, intimiteti renditej vazhdimisht si mënyra numër një për t’u rikuperuar emocionalisht. Gjetjet theksojnë sa thelbësore është lidhja për shëndetin mendor, duke sugjeruar se fuqia e qetë e përkëdheljes mund të jetë një nga mburojat më të forta kundër stresit.

  • “U qëllua nga 2-5 cm distancë”, të dhëna tronditëse për vdekjen e Liridona Ademajt nga mjeku që i bëri autopsinë

    “U qëllua nga 2-5 cm distancë”, të dhëna tronditëse për vdekjen e Liridona Ademajt nga mjeku që i bëri autopsinë

    Mjeku ligjor Naim Uka ka dhënë dëshminë e tij sot në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku ka prezantuar raportin e autopsisë dhe është përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit.

    Prokurorja i është referuar faqes 8 të raportit, ku thuhet: Kaviteti i kokës dhe trurit, kafka, pjesa kockore në regjionin e djathtë dhe temthor, konstatojmë plagën hyrëse të krijuar si rezultat i veprimit dinamik të predhës së hedhur nga arma e zjarrit, e cila shoqërohet me një gaver dhe një kockë mangu.”

    “Pas kësaj e keni dhënë mendimin tuaj. A mund të na tregoni cilin mendim për mënyrën e vrasjes së të ndjerës Liridona?”, ka pyetur prokuroja mjekun e IML-së, Naim Uka.

    “Gjatë procedurave të autopsisë mjekoligjore është vërtetuar veprimi dinamik nga armë e zjarrit. Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe janë gjetur në anën murore të kokës, e cila është dorëzuar si provë.Si rezultat i kësaj plage ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme trurore, e cila është edhe shkaku i vdekjes.”, është përgjigjur Uka.

    Ai ka sqaruar se plaga ka qenë në pjesën e prapme të kokës dhe ka përshkruar më tej karakteristikat e saj.

    “Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar, përmes vrimës hyrëse, prezencën e faktorëve plotësues të qitjes që kanë shkaktuar djegie lëkurore me prezencë të grimcave të barutit. Në bazë të këtyre provave mjekoligjore, distanca e qitjes sillet nga 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës.”, deklaroi ai.

    “Në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e të dy duarve të tashmë të ndjerës, në mënyrë që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Dhe mungesa e shtrëngimit të gishtit kapalotik është tregues që e plotëson konstatimin e parë dhe nuk lë asnjë dyshim për mundësi tjetër.”, theksoi Uka.

  • Aksident me fatalitet në Kamenicë, një i vdekur dhe dy të lënduar

    Aksident me fatalitet në Kamenicë, një i vdekur dhe dy të lënduar

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur të dielën mbrëma në Novosellë të Kamenicës, si pasojë e të cilit ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy tjerë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Dyshohet se deri te aksidenti erdhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë, ndërsa vetura ka goditur anësoret e metalit.

    Një pasagjer ka humbur jetën, ndërsa është lënduar një pasagjer tjetër dhe shoferi. Policia ka njoftuar se shoferi është dërguar në mbajtje.

    “Fsh. Novosellë, Kamenicë / 05.10.2025 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës duke goditur kështu anësoret e metalit. Si pasojë viktima mashkull kosovar/pasagjer në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime ka pësuar edhe pasagjeri tjetër mashkull kosovar si dhe vet drejtuesi-i dyshuari. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari-drejtuesi është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës./ATVLIVE/

  • Kosova në alarm – mbi 100 të arrestuar në vetëm një javë

    Kosova në alarm – mbi 100 të arrestuar në vetëm një javë

    Në shërbim të rendit, drejtësisë dhe sigurisë publike, Policia e Kosovës qëndron në vijën e parë të përballjes me shkelësit e ligjit, duke vepruar me vendosmëri dhe profesionalizëm për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët.

    Vetëm gjatë javës së fundit, në të gjitha rajonet e Kosovës janë arrestuar 102 persona për vepra të ndryshme penale.

    Sipas të dhënave nga raporti 24-orësh i policisë, për periudhën nga 29 shtatori deri më 4 tetor, numri më i madh i arrestimeve lidhet me rastet e dhunës në familje.

    Pas kësaj vepre penale, prangat e policisë u përdorën më së shumti për personat që mbanin armë pa leje, sulme ndaj zyrtarëve policorë, për posedim të narkotikëve, e madje edhe për kalim ilegal të kufijve.

    Po ashtu, në ditët e fundit të shtatorit dhe në fillim të tetorit, 65 persona të tjerë u dërguan në mbajtje për përfshirje në veprime të kundërligjshme.

    Arrestimi i personave të dyshuar për vepra penale nuk është vetëm një akt i zbatimit të ligjit, por një mesazh i qartë se askush nuk është mbi ligjin. Përmes profesionalizmit dhe përkushtimit të saj, Policia e Kosovës vazhdon të dëshmojë se lufta kundër kriminalitetit nuk njeh kompromis./ATVLIVE/

  • Pse rrejmë?

    Pse rrejmë?

    Rrena nuk është thjesht një sjellje sociale, por pasqyrë e kompleksitetit të natyrës njerëzore. Studimet tregojnë se arsyet pas rrenës janë të larmishme dhe shpesh komplekse, duke përfshirë faktorë psikologjikë e kulturorë.

    Në një hulumtim nga McArthur bashkë me disa autorë të tjerë (publikuar nga “Psychology Today”), renditen motivet më të zakonshme që i shtyejnë njerëzit të rrejnë: 1.Për të shmangur gjykimin nga të tjerët ose ndjenjën e turpit; 2. Me qëllim që të shmangin ndëshkimin; 3. Për të mbrojtur veten nga hakmarrja; 4. Pa asnjë arsye (p.sh., gënjeshtër kompulsive); 5. Për ta paraqitur veten në një mënyrë pozitive dhe për t’i bërë përshtypje të tjerëve; 6. Për të marrë shpërblime; 7. Për shkak të pakujdesisë dhe impulsivitetit; 8. Për të përjetuar kënaqësi nga mashtrimi i të tjerëve; 9. Me qëllim që të mbajë sekret informacionin personal; 10. Për arsye prosociale – për t’i bërë të tjerët (dhe veten) të lumtur, siç është t’u thuash fëmijëve se Babagjyshi i Vitit të Ri është i vërtetë (ekziston); 11. Për arsye altruiste – për të mbrojtur të tjerët nga dëmi.

    Për sa i takon gënjeshtrës kompulsive (kur njerëzit rrejnë gjithmonë DHE pa asnjë arsye), në një artikull tjetër nga “Psychology Today” specifikohen dy lloje rrenash ato “normale” dhe patologjike.

    “…Shumica e njerëzve gënjejnë herë pas here, qoftë për të shmangur sikletin, për të mbrojtur ndjenjat e dikujt, apo për t’u dukur mirë. Gënjeshtarët patologjikë, nga ana tjetër, gënjejnë rregullisht, shpesh pa ndonjë arsye të dukshme…”, thuhet në artikull, duke u përmendur se rrena patologjike renditet si një simptomë ose karakteristikë e gjendjeve të tjera psikiatrike, të tilla si çrregullimet e personalitetit (si çrregullimi narcisist i personalitetit, çrregullimi kufitar i personalitetit, çrregullimi antisocial i personalitetit) dhe çrregullimi artificial.

    A ka trajtim për rrenën (patologjike)?Trajtimi konsiderohet një sfidë sepse shpesh është i ndërthurur me probleme të tjera të shëndetit mendor… Megjithatë, përmenden disa terapi si: terapia konjitive, terapia dialektike e sjelljes, gjithashtu thuhet se edhe ndërhyrjet farmakologjike mund të merren në konsideratë.

    Si shihet rrena në aspektin filozofik dhe fetar?

    Rrena ka qenë gjithmonë një temë qendrore në filozofi dhe në fe…
    Filozofët e kanë parë rrenën nga kënde të ndryshme… për disa ajo është mëkat dhe shkatërrim moral; për të tjerë është mjet i domosdoshëm për jetën shoqërore, madje edhe shprehje e krijimtarisë njerëzore.

    Platoni, në veprën “Republika”, pranon se gënjeshtra është diçka e keqe, sepse dëmton shpirtin dhe prish marrëdhënien e njeriut me të vërtetën. Megjithatë, ai mendon se në disa raste, si për shembull kur udhëheqësit e shtetit duhet të mbrojnë qytetarët apo të ruajnë rendin shoqëror, gënjeshtra mund të jetë e lejueshme.

    Ndërsa, për Kantin (filozofin e një periudhe krejtësisht tjetër nga Platoni), rrena është e papranueshme në çdo rrethanë. Kant thoshte se edhe gënjeshtra “e bardhë” (për të ndihmuar dikë) është e gabuar, sepse shkel parimin moral themelor të së vërtetës.

    Një qasje interesante e kishte edhe filozofi Niçe. Ai argumenton se njerëzit nuk jetojnë dot pa gënjeshtra, sepse jeta kërkon iluzione, interpretime dhe mashtrime të dobishme. Për të, rrena nuk është domosdoshmërisht e keqe – mund të jetë një formë e krijimtarisë ose e forcës së jetës.

    Gjithashtu, rrena është një nga çështjet më të trajtuara edhe në mësimet fetare. Pothuajse të gjitha fetë e mëdha e dënojnë rrenën si mëkat moral dhe shkelje të besimit ndaj Zotit e ndaj njeriut. Megjithatë, disa tradita fetare njohin raste të veçanta ku gënjeshtra mund të jetë e lejueshme, kur ajo bëhet për të mbrojtur jetën, paqen apo drejtësinë.

    Në Krishterim, gënjeshtra konsiderohet mëkat, sepse bie ndesh me vetë natyrën e Zotit, i cili përshkruhet në Bibël si “e vërteta”!

    Në Islam, gënjeshtra është e ndaluar (haram) dhe konsiderohet një nga mëkatet më të mëdha morale.

  • Albion Rrahmani godet sërish – barazon derbin e madh çek

    Albion Rrahmani godet sërish – barazon derbin e madh çek

    Skuadra e Sparta Pragës ka barazuar me Slavia Pragën në derbin e javës së 11-të në elitën e futbollit çek.

    Golin për Spartën e realizoi sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, pas një gabimi në mbrojtjen kundërshtare, duke barazuar rezultatin në 1:1.

    Vlen të theksohet se 25 vjeçari kishte shënuar edhe në minutën e 6-të të ndeshjes, mirëpo goli u anulua nga sistemi VAR, e kjo performancë e mirë e tij do të ndihmojë edhe Kombëtaren e Kosovës.

    Pas këtij barazimi Sparta kalon në vendin e parë në tabelë me 26 pikë, ndërsa një më pak e ka Slavia Prague. /ATVLIVE.TV

  • Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Sot rreth orës 15:30, policia në Ferizaj ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri gjatë një dasme në rrugën “Mihajl Grameno”.

    Sipas njoftimit, njësia policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar personin e dyshuar, S.I., (56-vjeçar) i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, të cilën e kishte me leje.

    Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e tipit pistoletë, 8 gëzhoja, si dhe leja e armës.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për intervistim dhe me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje familjare, pasi një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve”, thotë policia tutje në njoftim.