ATV

Blog

  • Strategjia e Red Bull për të rritur popullaritetin

    Strategjia e Red Bull për të rritur popullaritetin

    Kur Red Bull ishte ende një markë e panjohur, ajo adoptoi një strategji jo të zakonshme marketingu për të tërhequr vëmendjen: vendoste qëllimisht kanaçe bosh në vende të frekuentuara si klube nate dhe universitete, duke krijuar iluzionin e një popullariteti që ende nuk e kishte fituar.

    Kjo taktikë, e njohur si “ndotje strategjike”, shfrytëzoi parimin e provës sociale për të nxitur kureshtjen e publikut.

    E kombinuar me shpërndarjen e mostrave falas dhe sponsorizimin e ngjarjeve ekstreme, marka arriti të ngulitej në kulturën rinore dhe të pozicionohej si simbol i energjisë dhe guximit, duke hedhur themelet për zgjerimin e saj global.

  • Pensionisti gjilanas që kujdeset me dashuri për pemishtet e gjyshit

    Pensionisti gjilanas që kujdeset me dashuri për pemishtet e gjyshit

    Mustafe Sherifi nga Gjilani është shembulli me i mire se pasioni për token nuk njeh moshë.
    Edhe pse tashmë në pension, ai nuk e ka lënë anash punën që e ka trashëguar brez pas brezi.

    Pemishtja e gjyshit të tij është sot kujdes e amanet i përditshëm, një traditë që ai e ruan me përkushtim e dashuri të veçantë.

    Për të, toka nuk është thjesht punë fizike. Është kujtim, është vazhdimësi dhe lidhja më e fortë me rrënjët familjare.

  • A po e shpërdorojmë ditën 8-orëshe të punës?

    A po e shpërdorojmë ditën 8-orëshe të punës?

    Pavarësisht se shumica e njerëzve kalojnë rreth 8 orë në ditë në punë, kërkimet tregojnë se në realitet, koha e fokusuar dhe produktive në një ditë pune është më pak se 3 orë. Pjesa tjetër e kohës shpesh shkon për:

    • Kontrollimin dhe përgjigjen ndaj e-maileve pa rëndësi të menjëhershme

    • Lëvizje në rrjetet sociale

    • Mbledhje të zgjatura dhe joefektive

    • Detyra administrative apo të përsëritura pa prioritet

    • Ndërprerje të shpeshta nga kolegët

    • Kalimi nga një detyrë në tjetrën pa përfunduar të parën

    Ekspertët theksojnë se ky fenomen nuk është shenjë dembelizmi apo mungese disipline individuale, por një tregues i qartë i mbingarkesës kognitive, mungesës së menaxhimit të qartë të prioriteteve dhe një kulture pune që shpesh vlerëson më shumë “qëndrimin në zyrë” sesa rezultatet e arritura.

    A është koha për të rishikuar modelin klasik të “8 orëve punë”?

    Modeli 8-orësh i punës u krijua në shekullin XIX gjatë Revolucionit Industrial, për të mbrojtur punëtorët nga shfrytëzimi ekstrem. Ai u ndërtua mbi logjikën e ndarjes së ditës në tre pjesë: 8 orë punë, 8 orë pushim dhe 8 orë gjumë.

    Por sot, në një ekonomi digjitale, kreative dhe me ritëm të lartë, ku vlera vjen më shumë nga mendja sesa nga puna fizike, ky model po shihet gjithnjë e më tepër si i vjetruar.

    Disa alternativa që po merren seriozisht:

    Modelet fleksibël të orarit të punës
    Javë pune 4-ditore (pa ulje të pagës)
    Fokus në rezultate, jo në orë pune
    Pauza të strukturuara për të rritur përqendrimin
    Kultura pune që inkurajon mirëqenien dhe jo “burnout”-in

    Ajo që kemi nevojë nuk është të punojmë më shumë, por më zgjuar.
    Optimizimi i mënyrës si punojmë, mbështetja për shëndetin mendor, si dhe krijimi i një kulture produktive dhe humane në vendin e punës, janë hapa drejt një modeli më të qëndrueshëm për të ardhmen.

  • Fabio Cannavaro emërohet trajner i ri i Uzbekistanit para debutimit historik në Kupën e Botës 2026

    Fabio Cannavaro emërohet trajner i ri i Uzbekistanit para debutimit historik në Kupën e Botës 2026

    Fituesi i Kupës së Botës me Italinë, Fabio Cannavaro, është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares së Uzbekistanit, pak muaj para pjesëmarrjes së parë historike të këtij vendi në finalet e Kupës së Botës 2026.

    Trajneri 52-vjeçar italian do të zëvendësojë Timur Kapadzen, i cili e udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit pas largimit të Srecko Katanec për arsye shëndetësore. Nën drejtimin e Kapadzes, Uzbekistani arriti suksesin më të madh në historinë e tij duke siguruar vendin në turneun me 48 ekipe, pasi humbi vetëm një ndeshje në 15 takime dhe përfundoi i dyti në Grupin A me 21 pikë nga 10 ndeshje.

    Cannavaro, që si futbollist ngriti trofeun e Botërorit 2006 me Italinë dhe regjistroi 136 paraqitje ndërkombëtare, ka një karrierë të pasur edhe si trajner. Ai ka drejtuar skuadra si Dinamo Zagreb, Udinese, Benevento, Al Nassr, si dhe klubet kineze Tianjin Quanjian dhe Guangzhou Evergrande. Po ashtu, ka qenë për një periudhë të shkurtër edhe trajner i kombëtares së Kinës.

    Në stafin e tij teknik do të jenë edhe Eugenio Albarella (ndihmës trajner), Francesco Troise (trajner përgatitjeje fizike) dhe Antonio Chimenti (trajner portierësh).

    Uzbekistani, që për herë të parë do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror, shpreson që përvoja dhe autoriteti i ish-kapitenit legjendar të Italisë ta ndihmojnë ekipin të paraqitet denjësisht në “USA–Kanada–Meksikë 2026”.

  • Osmani në Samitin e Brdo-Brijonit: Rreziku vjen nga Serbia, do të fuqizojmë ushtrinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit

    Osmani në Samitin e Brdo-Brijonit: Rreziku vjen nga Serbia, do të fuqizojmë ushtrinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të mbledhjes në kuadër të Samitit të Brdo-Brijonit, u shpreh me vendosmëri lidhur me sfidat dhe kërcënimet që përballet vendi ynë.

    Ajo theksoi se, pavarësisht përpjekjeve për bashkëpunim rajonal, mbrojtja e interesave shtetërore, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mbetet prioritet kryesor.

    “Ne asnjëherë nuk kemi sulmuar apo pushtuar askënd, por gjithmonë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten,” deklaroi Osmani, duke nënvizuar se rreziku kryesor vjen nga Serbia.

    Ajo bëri me dije se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë ushtrinë e saj për të garantuar mbrojtjen e çdo centimetri të territorit.

    “Rreziku vjen nga Serbia dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet çdo centimetër i territorit Kosovës”, tha Osmani, transmeton Telegrafi.

    Presidentja gjithashtu komentoi edhe sjelljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë samitit, duke e quajtur arrogante dhe me qëllim për të prishur arritjet e deritanishme.

    “Vuçiqi iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me qëllim që ta prishte takimin mirëpo arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet,” tha Osmani.

    Ajo shtoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por njëkohësisht do të mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.

    “Edhe pse Vuçiqi pati ankesa për marrëveshjen Kosovë-Kroaci-Shqipëri në fushën e mbrojtjes, ai mori konfirmimin e përbashkët se kjo ka qëllim mbrojtjen tonë,” tha Osmani.

    Presidentja theksoi shqetësimet në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    “Edhe pse aplikacioni ynë për anëtarësim u dorëzua qysh në vitin 2022, deri tani për shkak të disa shteteve anëtare nuk është mandatuar komisioni evropian për të marrë në shqyrtim statusin e kandidatit për Kosovën,” tha ajo.

    Osmani shtoi se ky proces nuk po bazohet në merita, por në zhvillime politike dhe konsiderata vetanake që shtetet anëtare herë pas here i marrin parasysh për të shtyrë apo përkthyer procesin.

    “Po të ishte bazuar në merita, Kosova, si reformatorja numër një jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe numër tre në botë, do të ishte shumë afër anëtarësimit, por fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë,” shtoi ajo.

  • Celina shpërthen ndaj gjyqtares: “Nuk di të referojë, karton i kuq 100 për qind”

    Celina shpërthen ndaj gjyqtares: “Nuk di të referojë, karton i kuq 100 për qind”

    Mesfushori kosovar me tipare sulmuese, Bersant Celina, ka reaguar ashpër ndaj gjyqtares kryesore Tess Olofsson, pas humbjes së papritur të skuadrës së tij AIK ndaj IFK Varnamo.

    Celina, që si zakonisht ishte titullar, u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e fundit të ndeshjes, për shkak të ankesave ndaj vendimeve të arbitres. Ky ishte kartoni i dytë i verdhë radhazi, që do ta detyrojë atë të mungojë në ndeshjen e ardhshme të ekipit.

    Pas ndeshjes, lojtari 28-vjeçar shpërtheu me kritika ndaj gjyqtares suedeze, duke thënë se ajo gaboi rëndë në një ndërhyrje që sipas tij duhej ndëshkuar me karton të kuq.

    “Nuk e di çfarë ndodhi. Di vetëm që kishte një ndërhyrje shumë lart, mbi gju. Për mua është karton i kuq 100 për qind”, tha Celina.

    “Në fund përfundoi situata duke marrë unë karton të verdhë – është e pabesueshme. Nuk mund t’i ndërhysh një lojtari mbi gju dhe të mos ndëshkohesh. Ajo duhet të kuptojë pse reagova në atë mënyrë”.

    “Mora kartonin e dytë të verdhë dhe do të mungoj në ndeshjen e ardhshme sepse ajo nuk di si të referojë”, shtoi ai me zhgënjim.

    Kjo do të jetë mungesa e parë e Celinës që prej ardhjes së tij te AIK, dhe për ironi ndodh pikërisht para derbit të rëndësishëm ndaj Hammarbyt.

    “Nuk ndjehem mirë. Nuk kam munguar në asnjë ndeshje që kur erdha këtu. Jam shumë i zhgënjyer”, u shpreh Celina.

    Ndërkohë, mesfushori nuk është përfshirë në listën e përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet e tetorit me Slloveninë dhe Suedinë, duke u renditur vetëm si rezervë.

  • Pa publik në ndeshjen Serbi – Shqipëri, vendim për siguri maksimale në Leskovac

    Pa publik në ndeshjen Serbi – Shqipëri, vendim për siguri maksimale në Leskovac

    Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka njoftuar se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit, do të luhet pa bileta në shitje për publikun.

    Ky vendim është marrë nga Komiteti i Emergjencave i FSS-së, pas vlerësimeve të FIFA-s, udhëzimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe pas konsultimeve me UEFA-n, duke marrë parasysh edhe përvojën e hidhur nga ndeshja e ndërprerë në vitin 2014.

    Sipas njoftimit, pjesëmarrja në stadium do të jetë e kufizuar vetëm për përfaqësues të komunitetit të futbollit – federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, sponsorët, mediat e akredituara, si dhe stafet mjekësore e organizative.

    Në hyrje të stadiumit do të ketë masa të rrepta sigurie, ndërsa çdo person do të duhet të paraqesë dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), në përputhje me standardet më të larta të sigurisë.

    Federata serbe ka kujtuar se ndeshja e vitit 2014 mes dy vendeve në Beograd u ndërpre dhe solli pasoja të rënda për Serbinë, përfshirë humbjen e një vendi në Kampionatin Evropian 2016.

    Për këtë arsye, ndeshja e ardhshme është shpallur me rrezik të lartë sigurie nga FIFA, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe FSS-ja. FIFA do të dërgojë dy oficerë sigurie në Leskovac, ndërsa nuk do të ketë tifozë mysafirë në tribuna.

    “Federata e Futbollit të Serbisë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që përmes sjelljes së tyre të kontribuojnë në një atmosferë të drejtë dhe sportive, në mënyrë që kombëtarja jonë të ketë kushtet më të mira për rezultat pozitiv në fushë”, thuhet në fund të komunikatës së FSS-së.

  • Foda: Sahiti duhet të ndryshojë qëndrim – Celina mbetet në planet tona për të ardhmen

    Foda: Sahiti duhet të ndryshojë qëndrim – Celina mbetet në planet tona për të ardhmen

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur hapur për situatën e Emir Sahitit dhe Bersant Celinës, duke sqaruar se kërkon respekt dhe profesionalizëm nga të gjithë lojtarët e tij.

    Foda theksoi se Sahiti duhet të ndryshojë qëndrim dhe të mos shpreh pakënaqësi në publik, pas deklaratave që sulmuesi i Hamburgut kishte dhënë në mediat gjermane, ku ishte ankuar se meritonte më shumë minuta në fushë me Kosovën.

    “Te Emiri është situatë ndryshe, sepse nuk lejoj që askush të flasë keq për bashkëlojtarët. E pashë intervistën e tij në media – mund të ketë pakënaqësi nëse luan apo jo, por duhet të pranojë vendimet e trajnerit”, deklaroi Foda.

    Ai shtoi se nuk ka asnjë problem personal me Sahitin, por se për të është thelbësore që çdo futbollist të respektojë vendimet dhe të mos krijojë tensione brenda grupit.

    “Nuk është intervista arsyeja pse nuk është ftuar, por për mua ka rëndësi që në publik të mos flitet për lojtarët e tjerë. Sahiti luan në një pozitë ku kemi konkurrencë të madhe dhe këtë herë kemi vendosur për këtë ekip”, tha ai.

    Ndërkohë, për Bersant Celinën, Foda konfirmoi se ka zhvilluar një bisedë me mesfushorin e AIK-ut dhe se ai mbetet në planet e tij për të ardhmen.

    “Me Celinën kisha një bisedë të këndshme para dy javësh. Është gati të luajë për Kosovën dhe nëse vazhdon me paraqitje të mira, ftesa mund të vijë shumë shpejt”, tha tekniku gjerman.

    Kombëtarja e Kosovës zhvillon këtë muaj dy sfida të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026 — më 10 tetor ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, dhe më 13 tetor në udhëtim ndaj Suedisë.

  • Nicolas Jackson mund të nënshkruajë për Bayern Munichun

    Nicolas Jackson mund të nënshkruajë për Bayern Munichun

    Sulmuesi Nicolas Jackson,mund të transferohet tek Bayern Munich verën e ardhshme.

    Gazeta gjermane Bild raporton se drejtuesit bavarezë kanë arritur një marrëveshje me Jackson,e cila përfshin një kontratë pesëvjeçare e cila mund të nënshkruhet në rast se kalimi bëhet i përhershëm.

    Përndryshe raportohet se Chelsea nuk llogaritë më në planet e tyre Jackson-in,dhe drejtuesit e gjigantit londinez janë të gatshme që ta lënë të largohet me një çmim më të ulët gjë që i konvenon Bayern Munichut.

    Kujtojmë që Nicolas Jackson është i huazuar tek Bayern Munich deri në fund të sezonit nga Chelsea,teksa deri më tani në 6 ndeshje zyrtare ka shënuar 1 gol e bëri një asistim.

  • Rikthimi i violinistes Klodiana Skenderi ndez Kosova Kamerfest

    Rikthimi i violinistes Klodiana Skenderi ndez Kosova Kamerfest

    Koncerti i titulluar “Romantizmi nga lindja në perëndim” solli në skenë një përzierje të veprave të Rachmaninoffit dhe Smetanas nga lindja, të shoqëruara nga interpretimi i Chaussonit nga perëndimi, duke krijuar një udhëtim muzikor mes dy botëve.

    Ngjarja pati edhe një moment historik: rikthimin në Kosovë pas 46 vjetësh të violinistes shqiptare Klodiana Skenderi, e cila nuk kishte performuar që nga koncerti i saj i parë me Orkestrën e RTSH-së në Suharekë më 1979.

    Skenderi u shfaq në skenë bashkë me Jérôme Lefranc në violonçel dhe Vessela Pelovska në piano, formacioni francez i njohur si “Trio Klôrola”, i cili solli një energji të veçantë dhe një interpretim të pasur emocional.

    Ky koncert shënoi gjithashtu fillimin e festivalit Kosova Kamerfest 2025, që nisi më 4 tetor. Për herë të parë, festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Kosovës përmes projektit “Platforma edukative koncertale ArsKosova”, një iniciativë që synon promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

    Drejtoresha artistike e festivalit, Sihana Badivuku, e konsideroi këtë mbështetje si një shtytje të rëndësishme për organizatorët dhe si një urë lidhëse mes artistëve dhe publikut.

    Programi i koncertit përfshiu veprat:

    • “Trio elegjike nr.1 në Sol minor” nga Rachmaninoff,
    • “Trio për piano op.3 në Sol minor” nga Chausson,
    • “Trio për piano op.15 në Sol minor” nga Smetana,

    duke krijuar një larmishmëri të pasur mes lindjes dhe perëndimit, dhe duke ofruar një përvojë të paharrueshme muzikore për publikun kosovar.