ATV

Blog

  • Kurti e akuzon Serbinë se po ndërhynë në zgjedhjet lokale në Kosovë

    Kurti e akuzon Serbinë se po ndërhynë në zgjedhjet lokale në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhynë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.

    Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

    “Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

    Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.

  • Qeveria Kurti ua ndan studentëve nga 100 euro

    Qeveria Kurti ua ndan studentëve nga 100 euro

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ndarjen e nga 100 eurove për studentët.

    Ai gjithashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se sot do ta miratojnë edhe bursën e mobilitetit për studentet në nivelin bachelor, për t’i mbështetur studentët që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

    Kurti ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.

    Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.

    Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    “Tagme e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai./ATVLIVE/

  • Paraja cash ende mjeti kryesor i pagesës në Eurozonë

    Paraja cash ende mjeti kryesor i pagesës në Eurozonë

    Përkundër teknologjisë, paraja cash vazhdon të dominojë në Eurozonë

    Ndërsa pagesat digjitale po përhapen me shpejtësi në të gjithë Europën, paraja në dorë vazhdon të mbajë pozita të forta si mjeti më i përdorur për pagesa të përditshme në eurozonë. Këtë e konfirmon një studim i fundit i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), i cili ofron një pasqyrë interesante mbi zakonet financiare të qytetarëve evropianë.

    Cash-i përbën 52% të pagesave në eurozonë

    Bazuar në një sondazh me rreth 40,000 pjesëmarrës nga vendet anëtare të eurozonës, rezulton se në vitin 2024, 52% e pagesave u kryen me para në dorë. Megjithëse pagesat me karta dhe aplikacione digjitale janë në rritje, paraja fizike vazhdon të dominojë, sidomos për blerjet e vogla dhe të përditshme.

    Në aspektin e vlerës monetare, kjo përqindje është më e ulët – vetëm 39% e shumës totale të shpenzuar është paguar me cash. Kjo tregon se për shpenzime më të mëdha, qytetarët po i besojnë gjithnjë e më shumë formave digjitale të pagesës.

    Pse qytetarët ende preferojnë paranë në dorë?

    Për shumë qytetarë, cash-i përfaqëson kontroll më të madh mbi shpenzimet, por edhe një ndjenjë sigurie dhe privatësie që nuk ofrohet nga pagesat elektronike. Një tjetër faktor i rëndësishëm është përfshirja financiare: jo të gjithë kanë akses të rregullt në shërbime bankare ose teknologji moderne, ndaj paraja fizike mbetet shpesh e vetmja zgjidhje.

    Në disa shtete si Gjermania, Spanja apo Austria, tradita e përdorimit të parasë fizike është ende shumë e fortë dhe mbështetet nga kultura lokale dhe mosha mesatare më e lartë e popullsisë.

    Pagesat digjitale: një rritje që nuk ndalet

    Pavarësisht dominimit aktual të cash-it, pagesat digjitale po fitojnë terren me ritme të qëndrueshme. Rritja e përdorimit të kartave bankare, aplikacioneve mobile dhe metodave të tjera pa kontakt është veçanërisht e dukshme në shtetet nordike si Finlanda dhe Holanda, ku cash-i përbën vetëm një pjesë të vogël të transaksioneve të përditshme.

    Pandemia e COVID-19 gjithashtu ka luajtur rol kyç në këtë ndryshim, duke nxitur shumë qytetarë të shmangin kontaktin fizik dhe të përqafojnë teknologjinë.

    E ardhmja: balanca mes traditës dhe inovacionit

    Banka Qendrore Evropiane e ka bërë të qartë se do të mbështesë ekzistencën e parasë në dorë, edhe në një të ardhme të digjitalizuar. Diskutimet për një euro digjitale janë në zhvillim, por paralelisht po forcohet qëndrimi se qytetarët duhet të kenë gjithmonë zgjedhje të lirë për mënyrën e pagesës.

    Sfida kryesore në vitet në vijim do të jetë ruajtja e balancës mes përparimit teknologjik dhe aksesit të barabartë për të gjithë qytetarët, pa përjashtuar ata që varen ende nga paraja fizike.

  • Studim: Njerëzit tregojnë më shumë dhembshuri për qentë se për njerëzit

    Studim: Njerëzit tregojnë më shumë dhembshuri për qentë se për njerëzit

    Një studim nga Universiteti i Northeastern, i kryer nga Jack Levin dhe Arnold Arluke, zbulon se njerëzit shpesh ndjejnë më shumë dhembshuri për qentë sesa për njerëzit në situata të vështira.

    Pjesëmarrësit treguan më shumë dhembshuri sidomos për këlyshët dhe qentë e moshuar, krahasuar me të rriturit njerëzorë në skena të ngjashme.

    Sipas shkencëtarëve, kjo ndodh sepse qentë perceptohen si krijesa të pafajshme dhe besnike – ashtu si fëmijët – gjë që nxit instinktet mbrojtëse tek ne.
    Ky studim kujton se lidhja mes njerëzve dhe kafshëve mund të ndikojë thellësisht në emocionet tona, ndonjëherë duke na bërë më të dhembshur ndaj kafshëve sesa ndaj njëri-tjetrit.

  • Istogu mëson kundërshtarin e radhës evropian, ballafaqohet me Madeira Andebol SAD

    Istogu mëson kundërshtarin e radhës evropian, ballafaqohet me Madeira Andebol SAD

    Të martën është tërhequr shorti për raundin e tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) për hendbolliste.

    Në këtë raund garash paraqitet edhe kampioni i Kosovës, Istogu.

    Istogu do të përballet me skuadrën e njohur portugeze, Madeira Andebol SAD. Ndeshjen e parë duhet ta luajë në udhëtim më 8 apo 9 nëntor, kurse të kthimit në shtëpi më 15 apo 16 nëntor.

    Madeira është prej skuadrave të njohura të Kupës Evropiane. Garimin e fillon prej raundit të tretë.

    Për herë të pestë Istogu ka kaluar kundërshtar evropian. Në raundin e dytë e eliminoi skuadrën greke AEP Panorama. Të dy ndeshjet u luajtën në Banjë, në fundjavë.

    Tri skuadrat tjera tona, Samadrexha, Ferizaj e Shqiponja, janë eliminuar.

    Ndonëse shorti i caktoi kundërshtar sfidues, Istogu do ta kërkojë suksesin e radhës evropian. /ATVLIVE.TV

  • Zhytja e arrave në ujë, përfitimet shëndetësore që nuk i dinit

    Zhytja e arrave në ujë, përfitimet shëndetësore që nuk i dinit

    Një ritual i thjeshtë si zhytja e arrave në ujë mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin tuaj. Sipas nutricionistëve, ky proces lejon që arrat të zbërthejnë frenuesit e enzimave dhe acidin fitik, duke e bërë tretjen më të lehtë dhe duke rritur shfrytëzimin e lëndëve ushqyese.

    Një nga përfitimet kryesore është thithja më e mirë e mineraleve si magnezi, zinku dhe hekuri. Pasi acidet fitike janë zvogëluar, trupi mund të absorbojë më shumë nga këto minerale esenciale. Po ashtu, arrat e zhytura mund të ndihmojnë në kontrollin e peshës, pasi ato ofrojnë një ndjenjë ngopjeje më të gjatë, duke ulur dëshirën për ushqime të lehta.

    Për ata që monitorojnë nivelet e sheqerit në gjak, arrat e zhytura janë një zgjedhje e shkëlqyer. Yndyrnat e shëndetshme dhe fibra ngadalësojnë tretjen e karbohidrateve, duke parandaluar rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak. Kjo është veçanërisht e dobishme për ata që duan të ruajnë një indeks glicemik të qëndrueshëm.

    Gjithashtu, arrat përmbajnë acide yndyrore Omega-3 që ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq, duke mbështetur shëndetin kardiovaskular. Ndikimi i arrave në forcimin e funksioneve njohëse është gjithashtu i dukshëm, pasi ato janë të pasura me antioksidantë dhe vitamina B që mbrojnë qelizat nervore dhe përmirësojnë përqendrimin.

  • Blend Baftiu “Ylli i javës” për xhiron e tetë në Superligën e Kosovës

    Blend Baftiu “Ylli i javës” për xhiron e tetë në Superligën e Kosovës

    Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, kanë ndarë çmimin “Ylli i Javës”, dhe për javën e tetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Blendi Baftiu, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshje, kundër rivalit direkt për kreun e tabelës FC Ballkani, e cila përfundoi me rezultat 1:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Pasi mori këtë çmim, Baftiu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:

    “Kemi pasur një start shumë të mirë të këtij sezoni si me ekipin, ashtu edhe në aspektin personal. Ndeshja e fundit është pasqyra më e mirë e këtij fillimi pozitiv, sepse ishte derbi kundër Ballkanit dhe një emocion i veçantë, meqë ndeshjen e fituam në minutat e fundit. Më vjen mirë që, falë golit tim, fituam tre pikë dhe këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve, të cilët japin kontribut shumë të madh, si edhe “Plisave”, të cilët nuk mungojnë në asnjë ndeshje dhe janë një shtysë shumë e madhe për ne.
    Atmosfera është shumë e mirë në ekip, dhe kjo është falë rezultateve që kemi arritur. Pretendimet e Prishtinës, si ekipi më i madh në vend, janë gjithmonë titulli kampion.
    Ndjehem shumë mirë që jam vlerësuar si lojtari më i mirë i javës, dhe më vjen mirë që po kontribuoj. Shpresoj ta ruaj këtë formë edhe në vazhdim dhe ta ndihmoj skuadrën në ndeshjet e ardhshme.”

    27 vjeçari i’u bashkua këtë sezon Prishitnës nga Llapi dhe në 7 ndeshje ky ishte goli i parë i tij nën fanellen bardhë e kaltër. /ATVLIVE.TV

  • Florian Haxha nuk grumbullohet me Kombëtaren

    Florian Haxha nuk grumbullohet me Kombëtaren

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të kualifikemeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë në shtëpi dhe tri ditë më vonë si mysafir ndaj Suedisë.

    Gjatë konferencës së djeshme u konfirmua mungesa e kapitenit Amir Rrahmani, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada, Vesel Demaku dhe Baton Zabërgja, e listës së mungesave i është shtuar edhe Florian Haxha.

    Sot vetë faqja zyrtare e Federatës ka njoftuar se mesfushori i djathtë i skuadrës polake, Motor Lublin, Florian Haxha nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Suedisë për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Ndërkohë, Kombëtarja do të vazhdojë sot me përgatitje me seancën e dytë stërvitore, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:30. /ATVLIVE.TV

  • Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për Kosovën: Akuza të pabaza, s’mund ta rishkruani historinë

    Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për Kosovën: Akuza të pabaza, s’mund ta rishkruani historinë

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar, pas pretendimeve të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila ka hedhur akuza për pastrim etnik të serbëve në veriun e Kosovës.

    Në një komunikatë zyrtare, MEPJ i konsideron këto pretendime si fabrikime të pabaza dhe thekson nevojën për bashkëpunim dhe pajtim rajonal.

    Rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit”, thuhet në komunikatën e MEPJ.

    Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh keqardhje për përpjekjet për të rikthyer tensionet dhe për të përdorur histori të kaluara për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës, duke rikujtuar ngjarjet tragjike të vitit 1999 dhe shkaktarët e vërtetë të tyre. “Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.”

    MEPJ thekson se pretendimet e Serbisë mbështeten mbi një raport tashmë të diskredituar dhe që nuk përmban prova faktike, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë historike.

    Në këtë frymë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e saj se vetëm përmes pajtimit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit mund të ndërtohet një Ballkan i sigurt dhe i zhvilluar.

    “Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet – një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane”.

    Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, duke u ofruar fqinjëve miqësinë dhe përkushtimin e saj për një të ardhme të përbashkët.

    “Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”.

    Deklarata e plotë:

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 7 tetor 2025

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes. Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

    Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.

    Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.

    Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

    Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.

    Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.

  • Barcelona merr lajm të mirë për rikuperimin e Lamine Yamal para El Clasicos

    Barcelona merr lajm të mirë për rikuperimin e Lamine Yamal para El Clasicos

    Barcelona ka marrë një lajm pozitiv lidhur me rikuperimin e sulmuesit Lamine Yamal, i cili pritet të jetë gati për El Clasicon kundër Real Madridit që do të zhvillohet më 26 tetor.

    Sulmuesi 18-vjeçar mungon prej disa javësh për shkak të një dëmtimi të përsëritur në ijë, i pësuar pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së. Ky problem e detyroi të humbasë ndeshjen ndaj Sevillas dhe të tërhiqet nga kombëtarja e Spanjës gjatë pushimit ndërkombëtar.

    Sipas raportimeve nga gazeta Marca, Yamal mund të rikthehet edhe më herët. Raporti shton se spanjolli mund të rikthehet në fushë menjëherë pas pushimit ndërkombëtar, në ndeshjen kundër Gironas, nëse rehabilitimi shkon sipas planit, duke e bërë atë të disponueshëm për sfidat e ardhshme ndaj Olympiacos dhe Real Madridit.

    Kthimi i tij pritet të sjellë një përmirësim të madh për Katalunasit, veçanërisht në një periudhë të vështirë me krizën e lëndimeve dhe rënien e formës pas humbjeve radhazi kundër PSG-së dhe Sevillas.