ATV

Blog

  • Jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj

    Jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj

    A keni pas ndonjëherë një shok të ngushtë… atë shokun që e mendonit se do ta keni gjithmonë afër?
    Shokun me të cilin keni kalu orë të tëra duke qeshur, duke ndarë sekrete, duke u betuar se do të mbeteni shokë për jetë…
    Dhe sot? Ndoshta nuk e dini as kur keni shkruar për herë të fundit.

    Studimet tregojnë se 91% e njerëzve nuk janë më në kontakt me një shok shumë të afërt të së kaluarës.
    Jo sepse nuk kanë qenë miq të mirë, por sepse jeta ndryshon.
    Dikush shpërngulet, dikush tjetër krijon familje… dhe dalëngadalë, rrugët ndahen.

    Por, e bukura është kjo edhe nëse nuk jeni më bashkë, ai shok ka lënë një gjurmë që s’fshihet kurrë.
    Ai ka qenë aty në kapitujt më të bukur të jetës suaj.
    Dhe shpesh mjafton një takim i rastësishëm, ose një mesazh i thjeshtë, që të rikthejë përsëri atë afërsi brenda sekondës.

    E megjithatë, humbja e shoqërive të ngushta ka ndikim serioz.
    Vetmia mund te jete shkaktar I depresionit, problemeve me zemrën, humbjes së kujtesës dhe madje edhe vdekjes së hershme.
    Disa studiues madje e krahasojnë vetminë kronike me efektet e pirjes së duhanit.

    Në anën tjetër, miqësitë e forta përmirësojnë shëndetin emocional, ulin stresin dhe e bëjnë jetën më të gjatë e më të lumtur.
    Të rinjtë shpesh e kanë të vështirë të mbajnë shoqëri të qëndrueshme, ndërsa të moshuarit kanë më pak miq, por më të thellë e më të vërtetë.
    Kjo tregon se cilësia e miqësisë ka po aq rëndësi sa sasia.

    Pra, edhe nëse miqësia është në rënie në përgjithësi, rëndësia e saj nuk ka qenë kurrë më e qartë.
    Edhe një rreth i vogël miqsh të sinqertë mjafton për të na mbrojtur shëndetin, për të sjellë gëzim dhe për të na dhënë ndjenjën e përkatësisë.

    E mos harroni, jo çdo shok është përgjithmonë… por çdo shok i ngushtë është një pjesë e përhershme e historisë suaj

  • Belgjika synon marrëveshje për burgjet me Kosovën, Osmani takon dy ministre

    Belgjika synon marrëveshje për burgjet me Kosovën, Osmani takon dy ministre

    Presidentja Vjosa Osmani ka takuar të martën ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

    Takimi është zhvilluar në objektin e Presidencës, ku mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Sipas mediumit belg “Belga News Agency”, dy ministret e këtij vendi kanë filluar të hënën misionin diplomatik treditor në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vizitë përqendrohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

    Siç raportohet, për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve, qeveria belge po e shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shkelësit jo-rezidentë.

    Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime në lidhje me ndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Kosovë ose Shqipëri, si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të kthehen në thesarin belg.

    Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh mbi ndihmën e ndërsjellë juridike për të forcuar bashkëpunimin gjyqësor afatgjatë.

    Sipas Verlinden, Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet penale belge si qendër për pastrim parash, trafikim njerëzor dhe kontrabandë armësh.

    “Ballkani Perëndimor është tani një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar”, ka theksuar tutje ajo.

    Një marrëveshje për shfrytëzim të burgut në Gjilan, Kosova e ka nënshkruar tashmë me Danimarkën.

    Kjo marrëveshje parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

    Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

  • Japonezët po shpikin një metodë për të harruar kujtimet e hidhura

    Japonezët po shpikin një metodë për të harruar kujtimet e hidhura

    A keni ndonjë kujtim nga jeta juaj që keni dashur me gjithë shpirt ta harroni, por sado që kalojnë vitet, ai kujtim vazhdon të ju ndjekë?

    Një moment i vështirë, një traumë, një ngjarje që ju dhemb ende edhe sot…

    E pra, shkencëtarët në Japoni janë duke punuar mbi një teknikë që mund t’i dobësojë këto kujtime të rënda.

    Deri tani, eksperimentet janë bërë vetëm te kafshët, dhe rezultatet kanë treguar diçka shumë interesante: duke manipuluar disa qeliza specifike në tru, ata kanë arritur të bllokojnë ruajtjen e kujtimeve të frikës, ndërkohë që kujtimet afatshkurtra dhe të përditshme mbeten të paprekura.

    Pra, qëllimi i tyre nuk është të fshihen kujtimet, por të gjendet një mënyrë për t’i bërë ato më të lehta, më pak të dhimbshme, që njerëzit të mund të jetojnë pa barrën e së shkuarës.

    Kjo ide ka një synim shumë të qartë: të ndihmojë ata që vuajnë nga trauma dhe çrregullimet e stresit post-traumatik si psh ushtarët e kthyer nga vijat e fronit, ku kujtimet e rënda prishin jetën e përditshme, marrëdhëniet dhe qetësinë shpirtërore.

    Po ashtu, një avancim me kete terapi po bëhet edhe tek personat me varesi te ndryshme, pra kjo teknikë u ndihmon atyre t’I harrojnë apo të paktën u ndihmon të mos ndjejnë mungesen e burimit të varësisë së tyre…

    Por, sigurisht, kjo hap edhe një debat të madh, a është në rregull të ndërhyjmë në kujtime? A rrezikojmë të ndryshojmë vetveten, identitetin tonë?

    Imagjinoni sikur një ditë kjo teknologji të zbatohej edhe te njerëzit – a do të ishte një shpëtim për miliona njerëz që jetojnë me dhimbje, apo një hap i frikshëm që mund të ndryshojë mënyrën se si ne e përjetojmë jetën?

    Çka mendoni ju – është kjo një arritje që duhet pritur me shpresë, apo një zhvillim që na tremb?

  • Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, viziton Kosovën dhe do të nderohet nga Presidentja Osmani

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, viziton Kosovën dhe do të nderohet nga Presidentja Osmani

    Presidenti i shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, FIFA, Gianni Infantino, do të vizitojë Kosovën të mërkurën.

    Infantino do të jetë në Kosovë me ftesë të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila do ta dekorojë atë me një nder të veçantë.

    Federata e Futbollit të Kosovës dhe Presidenti i saj, Agim Ademi, kanë falënderuar publikisht Presidenten Osmani për këtë veprim.

    “E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, Vjosa Osmani, në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, komunitetit të futbollit dhe gjithë dashamirëve të këtij sporti, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për nderimin dhe vlerësimin që do t’i bëni Presidentit të FIFA-s, mikut të madh të Kosovës, Gianni Infantino, gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë, të mërkurën.”

    “Ky akt institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si President i FIFA-s, në zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Gianni Infantino pati nderin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, të shpallë Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s – një moment historik që ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet.”

    “Po ashtu, nën udhëheqjen e tij, FIFA ka ofruar mbështetje të madhe për Federatën e Futbollit të Kosovës përmes programit ‘FIFA Forward’, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollit në vend. Ky vendim i Juaji, znj. Presidente, forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.”

    “Dekorimi i Presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe përfaqëson një nder për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë dhe të lavdishëm. Në emër të FFK-së, ju falënderoj edhe një herë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe për vizionin tuaj që Kosova të përfaqësohet me dinjitet në çdo fushë, përfshirë edhe atë të futbollit.” /ATVLIVE.TV

  • Depay mungon ndaj Maltës – arsyeja e pazakontë që e ndaloi të udhëtonte

    Depay mungon ndaj Maltës – arsyeja e pazakontë që e ndaloi të udhëtonte

    Përfaqësuesja e Holandës do të jetë pa golashënuesin e saj historik, Memphis Depay, në sfidën e së enjtes kundër Maltës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

    Sulmuesi holandez, i cili një muaj më parë theu rekordin e Robin van Persie dhe u ngjit në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtares me 52 gola, është aktualisht pjesë e klubit brazilian Corinthians.

    Depay kishte planifikuar të udhëtonte drejt Holandës për t’iu bashkuar skuadrës kombëtare, por ka zbuluar se pasaporta e tij ishte vjedhur. Pavarësisht kësaj, ai është paraqitur në aeroport me shpresën se do të mund të udhëtonte me dokumentacion alternativ, por autoritetet nuk i kanë lejuar udhëtimin.

    Mungesa e tij u konfirmua edhe nga trajneri Ronald Koeman, i cili tha se mbërritja e Depay me një ditë vonesë, edhe pse me dokumentacion emergjent, nuk do t’i siguronte atij një vend në skuadër për ndeshjen kundër Maltës. /ATVLIVE.TV

  • 60 aksidente në 24 orët e fundit – 19 me të lënduar, mijëra gjoba trafiku 

    60 aksidente në 24 orët e fundit – 19 me të lënduar, mijëra gjoba trafiku 

    Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar plot 60 aksidente trafiku, prej të cilëve 19 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 41 të tjerë vetëm me dëme materiale.

    Sipas statistikave të përgjithshme të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë janë shqiptuar mbi 2 mijë gjoba trafiku për shkelje të ndryshme të rregullave rrugore. Policia apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, për të parandaluar aksidente të tilla.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar nëntë persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme ligjore.

    Autoritetet po vazhdojnë me kontrolle të shtuara në rrugë me qëllim rritjen e sigurisë dhe disiplinës në trafik.

  • Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

    Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i kanellës në mbrëmje

    Kanella është përdorur si erëz në kuzhinë dhe në mjekësinë tradicionale, por së fundi shkencëtarët po studiojnë efektet e saj kur konsumohet rregullisht në sasi të vogla.

    E zakonshme është përzierja e një luge çaji kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit. Edhe pse nuk është ndonjë “ilaç mrekullie”, studimet sugjerojnë se kjo mund të ndihmojë në balancimin e sheqerit në gjak, tretjen si dhe mirëqenien e përgjithshme.

    Times of India ka shkruar gjashtë arsye të mbështetura nga studimet pse disa njerëz e kanë futur këtë ritual të thjeshtë në rutinën e tyre të natës

    Mund të ndihmojë në stabilizimin e sheqerit në gjak

    Një lugë çaji kanellë me ujë të ngrohtë nuk zëvendëson ilaçet, por shumë studime dhe analiza kanë treguar se kanella mund ta ulë nivelin e glukozës dhe ta përmirësojë mënyrën se si trupi e përdor sheqerin, veçanërisht te personat me para-diabet ose diabet të tipit 2. Efekti shihet kur kanella merret rregullisht, jo rastësisht.
    (Burimi: “Journal of Medicinal Food”, “Annals of Family Medicine”)

    Mund të ngadalësojë tretjen dhe të ulë rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak pas ushqimit

    Sipas studimeve, kanella mund të vonojë zbrazjen e stomakut pas ngrënies së vakteve të pasura me karbohidrate, duke ndihmuar kështu në shmangien e rritjeve të menjëhershme të sheqerit në gjak. Kur merret në darkë, ky mekanizëm mund të ndihmojë në mbajtjen më të qëndrueshme të nivelit të glukozës gjatë natës.
    (Burimi: “American Journal of Clinical Nutrition”)

    Ka efekt antioksidues dhe ul lehtë inflamacionin

    Kanella është e pasur me polifenole, si cinnamaldehyde dhe acid cinnamic, që kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Këto substanca ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit të lehtë kronik në organizëm, duke përmirësuar ndjesinë e përgjithshme të mirëqenies.

    Mund të ndihmojë në ekuilibrin e baktereve në gojë dhe zorrë

    Studimet laboratorike kanë treguar se vajrat esencialë dhe ekstraktet e kanellës mund të ndalojnë rritjen e disa baktereve dhe kërpudhave të zakonshme, prandaj përdoret edhe si konservues ushqimor. Një lugë kanellë në ujë të ngrohtë para gjumit nuk është trajtim mjekësor, por mund të ndihmojë në mbajtjen e higjienës natyrale të gojës dhe tretjes.

    Mund të mbështesë metabolizmin dhe kontrollin e peshës trupore (në afat të gjatë)

    Hulumtimet në kafshë dhe qeliza tregojnë se përbërësit aktivë të kanellës mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ruan dhe djeg yndyrën, si dhe në hormonet e urisë. Studimet te njerëzit japin rezultate të përziera, por disa kanë treguar përmirësime të vogla në nivelet e yndyrave në gjak dhe në funksionimin e metabolizmit. Kjo ndodh me përdorim të rregullt dhe afatgjatë, jo menjëherë.

  • Ja çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani një qese patate të skuqura – Efektet që nuk i mendoni

    Ja çfarë i ndodh trupit tuaj kur hani një qese patate të skuqura – Efektet që nuk i mendoni

    Kur mendoni për ushqime të lehta, ka shumë të ngjarë që menjëherë të mendoni për një qese me patate të skuqura.

    Ato janë krokante, të yndyrshme dhe shumë të shijshme, dhe është e lehtë të hani një qese të tërë me patate të skuqura menjëherë. Por sa të mira janë për trupin tuaj?

    Sipas EatThis, ka disa arsye pse duhet të kufizoni konsumin tuaj të përditshëm të patateve të skuqura. Në këtë drejtim, ato zbulojnë se çfarë do t’i ndodhë trupit tuaj nëse hani një qese patate të skuqura.

    Mund të shtoni në peshë

    Nëse ju pëlqen të hani patate të skuqura çdo ditë, ka shumë mundësi që të filloni të shtoni në peshë. Studiuesit e Universitetit Deakin zbuluan se ata që konsumojnë shumë kripë përfundojnë duke dëshiruar ushqime të yndyrshme dhe duke ngrënë më shumë ushqime të yndyrshme.

    Sa më shumë patate të skuqura të kripura të hani, aq më shumë do t’i dëshironi, gjë që çon në shtim në peshë. Për më tepër, një studim i Harvardit zbuloi se pjesëmarrësit që hanin patate të skuqura si pjesë të dietës së tyre shtonin në peshë çdo vit që testoheshin.

    Mund të bëhesh i varur

    A ju ka ndodhur ndonjëherë të hani pa menduar një qese me patate të skuqura, vetëm për të parë poshtë thërrime? E keni arritur me sukses fundin e qeses, mjaft shpejt. Në fakt, ka një arsye pse, dhe e gjitha ka të bëjë me tingullin “kërcitës” që bëjnë patatet e skuqura.

    Një studim zbuloi se pjesëmarrësit e shoqëronin tingullin e lartë të kërcitjes me freskinë e ushqimit, duke e bërë atë më të dëshirueshëm. Një tjetër përmbledhje studimesh të botuara në revistën Appetite zbuloi se pjesëmarrësit kishin më shumë gjasa të konsumonin më shumë patate të skuqura nëse qesja ishte etiketuar si “krokante” dhe të hanin më shumë patate të skuqura kur mund ta dëgjonin tingullin e kërcitjes, krahasuar me kur kishin kufje dhe tingulli ishte i bllokuar.

    Nëse e perceptoni ushqimin si më të freskët, mendoni se është më i dëshirueshëm dhe kjo mund t’ju bëjë të hani një qese të tërë me patate të skuqura menjëherë. Kjo shpjegon pse kjo mund të ndodhë sa herë që hani patate të skuqura.

    Po konsumoni kalori boshe

    Kur shikoni ndarjen ushqyese të një qeseje standarde me patate të skuqura, do të shihni se ato kanë shumë kalori, yndyrë dhe natrium, por kanë pak lëndë ushqyese. Nuk përfitoni shumë nga patatet e skuqura sepse shpesh skuqen. Kur hani ushqime që nuk kanë asnjë vlerë të vërtetë ushqyese, në përgjithësi do të hani më shumë sepse do të keni uri më shpejt.

    Tensioni juaj i gjakut mund të bëhet i lartë

    Ka shumë prova që mbështesin idenë se marrja e lartë e natriumit shoqërohet me një rrezik më të lartë të presionit të lartë të gjakut. Një nga përbërësit kryesorë të patatinave është sasia e natriumit. Ato janë një meze tipike e kripur, kështu që nuk është çudi që janë të mbushura me kripë.

    Nëse hani rregullisht ushqime të kripura si patatina, me kalimin e kohës do ta rrezikoni veten të zhvilloni hipertension. Një studim zbuloi një lidhje midis ngrënies së patatinave dhe një rreziku në rritje të sëmundjeve të zemrës, kështu që nëse doni ta mbroni më së miri zemrën tuaj, është më mirë t’i shmangni ato.

     

  • Leon Myrtaj braktis Shqipërinë, zgjedh Hungarinë

    Leon Myrtaj braktis Shqipërinë, zgjedh Hungarinë

    Një tjetër talent i futbollit shqiptar ka vendosur të ndryshojë drejtim. Sulmuesi 18-vjeçar i Tottenham Hotspur, Leon Myrtaj, ka zgjedhur të përfaqësojë Hungarinë në arenën ndërkombëtare, duke lënë pas Kombëtaren shqiptare.

    Largimi i tij konsiderohet një humbje e rëndësishme për Shqipërinë U-19, pasi Myrtaj është cilësuar si një nga lojtarët më premtues të brezit të ri.

    Ai është thirrur për herë të parë nga Hungaria U-19 për ndeshjet e muajit tetor ndaj Greqisë. Vendimi për të ndryshuar kombëtaren është marrë në bazë të origjinës së tij – nëna e Myrtajt është hungareze, çka i jep të drejtën të përfaqësojë këtë shtet.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i tij, Tottenham, përmes një njoftimi zyrtar:

    “Ndërkohë, lojtari tjetër i Akademisë, Leon Myrtaj, bashkohet me Hungarinë U-19 për herë të parë, pasi më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë në nivelin e të rinjve.”

    Myrtaj ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë, ku ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola. Ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrës kuqezi në Kampionatin Evropian U-17, i zhvilluar në Shqipëri. /ATVLIVE.TV

  • Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Policia në Tiranë ka dhënë detajet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në moshën 60 vjeçare në Tiranë.

    Aty tregohet se si i dyshuari kaloi nëpër detektor me armë, dhe roja qëndronte ulur në karrigen e tij. Gjithçka thuhet të jetë vërtetuar nga pamjet e kamerave.

    “Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, thuhet mes tjerash.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

    Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes.

    Së bashku me  autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.

    Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.

    Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:

    Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

    Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

    Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

    Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

    Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

    •             E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

    •             G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

    •             B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

    Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.