ATV

Blog

  • A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    Rënia e flokëve është një proces natyral që ndodh çdo ditë, por ndonjëherë mund të sinjalizojë një problem më të thellë. Sipas ekspertëve, humbja e 50 deri në 100 fije floku në ditë është normale, veçanërisht kur i shihni në jastëk në mëngjes apo në kulluesen e dushit. Por kur kjo sasi rritet ndjeshëm, është koha të kushtoni vëmendje.

    Faktorët që ndikojnë në rënien e flokëve përfshijnë gjatësinë dhe trashësinë e tyre, llojin e jastëkut, si dhe stilin e jetesës. Jastëkët pambuku, për shembull, thithin lagështinë nga flokët dhe mund t’i bëjnë më të brishtë.

    Një test i thjeshtë për të kuptuar nëse po humbni më shumë flokë sesa duhet është ky: mbështillni rreth 60 qime tek gishti dhe tërhiqni butësisht. Nëse bien vetëm 3 fije, nuk ka arsye për shqetësim. Por nëse numri është më i lartë, mund të jetë shenjë e rrallimit.

    Gjithashtu, kontrolloni kokën për zona pa flokë, vëzhgoni dyshemenë e banjës pas dushit dhe shikoni jastëkun në mëngjes. Nëse shihni më shumë se 20 fije floku, sidomos çdo ditë, mund të jetë koha për të konsultuar një dermatolog.

  • Tre gjigantë të Premier League pas Ter Stegen – Barcelona mund të humbasë kapitenin në janar

    Tre gjigantë të Premier League pas Ter Stegen – Barcelona mund të humbasë kapitenin në janar

    E ardhmja e Marc-André ter Stegen po bëhet një nga çështjet më të nxehta të tregut të janarit, me disa klube të mëdha angleze që kanë hyrë në garë për nënshkrimin e tij.

    Sipas raportimeve nga Sport dhe TEAMtalk, Manchester United, Newcastle United dhe Tottenham Hotspur kanë nisur kontaktet paraprake me Barcelona-n për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të portierit gjerman.

    Ter Stegen po kalon një periudhë të ndërlikuar në “Camp Nou”. Pas rikuperimit nga një dëmtim në shpinë gjatë verës, ai po përballet me konkurrencë të shtuar në portë, me Joan Garcian dhe Wojciech Szczesny që kanë ndryshuar hierarkinë e zakonshme te katalanasit.

    Edhe pse mbetet kapiten dhe simbol i Barcelonës, gjermani e sheh veten me më pak minuta në fushë, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm një largim të bujshëm.

    Barcelona është e hapur për të dëgjuar oferta, me mundësinë e një huazimi me opsion blerjeje, nëse vetë lojtari kërkon të provojë një aventurë të re.

    Në Angli, Manchester United shihet si destinacioni më i mundshëm, pasi klubi kërkon stabilitet të menjëhershëm në portë. Newcastle dhe Tottenham gjithashtu kanë shfaqur interes, duke e parë Ter Stegen si një figurë lidershipi dhe garancë për ndeshjet e mëdha.

    Nëse negociatat konkretizohen, janari mund të sjellë një tronditje të madhe për Barcelonën, e cila rrezikon të mbetet pa një nga lojtarët më të qëndrueshëm dhe të respektuar të dekadës së fundit.

  • Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore ka bërë të ditur që zhvillimi ekonomik në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor sivjet ka pasur ngadalësim dhe se ritmi parashikohet të vazhdojë.

    Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të vjeshtës 2025, nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind.

    Në këtë matje për sivjet rënien më të madhe do ta ketë Serbia nga 3.9 për qind në 2.8.

    Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë zhvillim më pozitiv në krahasim me 2024-n.

    Ndërsa në nivel të përgjithshëm, Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike në shkallë prej 3.0 për qind sivjet, në krahasim me 3.6 sa ishte një vit më herët.

    Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027 tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.

    Në raport për inflacionin në Kosovë është përmendur edhe vendosja e tarifave energjetike.

  • Trëndafili – mbretëresha e kopshtit: e qëndrueshme, elegante dhe e përjetshme

    Trëndafili – mbretëresha e kopshtit: e qëndrueshme, elegante dhe e përjetshme

    Me plot meritë, trëndafilat mbajnë titullin “mbretëreshë e luleve”, jo vetëm për petalet e tyre të hijshme dhe aromën magjepsëse, por edhe për qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme që i karakterizon.

    Këto lule janë ndër bimët më mirënjohëse që mund të mbillni në kopshtin tuaj. Edhe pa ujitje të rregullt apo plehërim të shpeshtë, trëndafilat mund të mbijetojnë për vite të tëra. Mjafton të kujtoni ata që rriten në parqe publike – shpesh pa kujdes të vazhdueshëm, por që sërish lulëzojnë çdo sezon me plot ngjyra e jetë.

    Megjithatë, pak kujdes bazë pas mbjelljes do t’i ndihmojë të lulëzojnë më gjatë dhe më bukur, duke ju falur një kopsht plot aromë dhe elegancë.

    Koha më e mirë për mbjellje

    Pas periudhës së luleve verore, kur shumica e bimëve fillojnë të zbehen dhe kopshti humbet gjallërinë e tij, vjeshta është momenti ideal për të shtuar një freski të re.
    Trëndafilat lulëzojnë shpejt pas mbjelljes dhe do ta transformojnë pamjen e kopshtit tuaj.
    Nëse nuk arrini t’i mbillni tani, mund ta bëni edhe në nëntor, madje në zonat më të ngrohta – deri në dhjetor, për sa kohë që toka nuk është e ngrirë.

    Si t’i planifikoni dhe kombinoni

    Nëse dëshironi të krijoni një shtrat trëndafilash, mbillni 3 deri në 5 fidanë të së njëjtës varietet për një efekt më të plotë dhe uniform.
    Për kontrast më të gjallë, kombinoni ngjyra të ndryshme; ndërsa nëse doni një pamje harmonike e elegante, zgjidhni një ngjyrë të vetme për gjithë hapësirën.
    Trëndafilat duken veçanërisht bukur kur kombinohen me shkurre zbukuruese ose bimë shumëvjeçare me gjethe dekorative.

    Hapësira dhe kushtet e rritjes

    Trëndafilat rriten shpejt dhe, sipas varieteteve, mund të shtrihen horizontalisht apo të arrijnë lartësi të konsiderueshme.
    Lëreni 40–50 cm hapësirë ndërmjet fidaneve që të kenë mjaft ajër dhe dritë.
    Ata e duan diellin, ndërsa toka më e përshtatshme është ajo e pasur me humus dhe me drenazh të mirë, që rrënjët të mos qëndrojnë në ujë.

    Mbjellja dhe kujdesi

    Gjatë mbjelljes, sigurohuni që rrënjët të mbulohen plotësisht me dhe.
    Një nga sekretet për rritje të shëndetshme dhe lulëzim të pasur është prerja e rregullt, që ndihmon bimën të krijojë fidane të rinj dhe të ruajë formën e saj elegante.

    Në pranverë, ushqejini me plehra organikë ose kompost, ndërsa gjatë verës, ujitja më e mirë bëhet në mëngjes herët ose në mbrëmje, kur dielli nuk është i fortë.

     

  • ​Harry Kane i hapur për kontratë të re me Bayernin

    ​Harry Kane i hapur për kontratë të re me Bayernin

    Sulmuesi anglez Harry Kane ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë qëndrimin e tij te Bayern Munich përtej vitit 2027, kur përfundon kontrata e tij aktuale.

    Kane tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një marrëveshje të re me klubin bavarez, ndërsa dëshira për t’u rikthyer në Premier League është zbehur.

    “E shoh patjetër mundësinë për ta vazhduar kontratën. Ende nuk kemi biseduar, por nëse lind nevoja, do të flisja hapur me Bayernin,” deklaroi 32-vjeçari.

    Që nga transferimi i tij nga Tottenham në vitin 2023, Kane ka qenë në formë të jashtëzakonshme, duke shënuar 103 gola në 106 ndeshje dhe duke fituar Bundesligën e Superkupën e Gjermanisë.

    “Kur u largova për herë të parë nga Anglia, do të kisha thënë se do të kthehesha patjetër. Tani, pas disa vitesh në Gjermani, ajo dëshirë është pak më e vogël, por asnjëherë nuk i dihet së ardhmes,” shtoi ai.

    Aktualisht, Kane ndodhet me kombëtaren e Anglisë, që të enjten do të zhvillojë një miqësore ndaj Uellsit në Wembley dhe më pas do të përballet me Letoninë më 14 tetor në Riga për kualifikueset e Kupës së Botës.

     

  • Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për blerje të votave me para të taksapaguesve, duke e cilësuar këtë veprim si një skemë të pastër të korrupsionit publik.

    Në një reagim publik, Bajrami ka thënë se kostoja e këtyre veprimeve, sipas saj, kap vlerën prej 26 milionë eurosh, të cilat, sipas saj, janë përdorur nga LVV për të siguruar mbështetje elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.

    “Prokuroria është vonuar t’i nxjerrë nga zyra këta uzurpatorë që blejnë vota me taksat e qytetarëve. Kjo është një skemë e korrupsionit publik,” ka deklaruar Bajrami.

    Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se qytetarët do të reagojnë përmes votës, duke ndëshkuar ata që, sipas saj, kanë keqpërdorur paratë publike për përfitime politike.

    “Qytetarët do t’i ndëshkojnë keqpërdoruesit më 12 tetor,” përfundon deklarata e saj.

  • Mos Vedat se na duhet!

    Mos Vedat se na duhet!

    Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar gjatë ditës së djeshme për dy ndeshjet e tetorit.

    Si fillim, do të luajnë kundër Sllovenisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” më 10 tetor.

    Tri ditë më vonë ata janë mysafirë i Suedisë, më 13 tetor në stadiumin Nya Ullevi.

    Por, ajo që bie në sy është atmosfera e mirë që po mbizotëron brenda kampit të futbollistëve.

    Sot, Vedat Muriqi në ‘Insta Story’ ka publikuar një video, ku shihet duke ngacmuar Milot Rashicën.

    Djali nga Prizreni e shtyn me këmbë Rashicën, që në mënyrë shakaje desh e rrëzoi.

    Por vushtrriasi tregon durim dhe vetëm buzëqesh. /ATVLIVE.TV

  • Ansu Fati “rilind” në Francë – rekord historik dhe formë e zjarrtë te Monaco!

    Ansu Fati “rilind” në Francë – rekord historik dhe formë e zjarrtë te Monaco!

    Ansu Fati po përjeton një fillim sezoni të jashtëzakonshëm në Francë, duke u rikthyer në qendër të vëmendjes si në ditët e tij më të mira me Barcelonën.

    Sulmuesi spanjoll, i huazuar te Monaco pas rinovimit me Barcelonën deri në vitin 2028, ka shpërthyer në Ligue 1 me paraqitje spektakolare.

    Në vetëm 3 ndeshje, Fati ka shënuar 5 gola, duke u bërë lojtari që arrin këtë kuotë më shpejt se kushdo tjetër në kampionatin francez në më shumë se 70 vite. Ai ka realizuar 5 gola në vetëm 126 minuta lojë, duke thyer rekordin e Johan Audel (137 minuta me Valenciennes në vitin 2007).

    Me një mesatare të pabesueshme prej 1.67 golash për ndeshje, Fati po tregon se lëndimet që e penguan në të kaluarën janë tashmë pas tij.

    Së shpejti 23-vjeçar (më 31 tetor), ai ka gjetur edhe rrjetën në Champions League, ndërsa aktualisht ndan kreun e listës së golashënuesve të Ligue 1 me argjentinasin Joaquín Panichelli të Strasbourgut.

    Pas viteve të vështira me dëmtime dhe formë jo të qëndrueshme, Ansu Fati duket më i lirë, më i sigurt dhe më vendimtar se kurrë — një sinjal i qartë se “fenomeni” që mahniti botën në vitin 2019 është gati të rikthehet fuqishëm në skenën e madhe europiane.

  • Shqipëria e dënon komunikatën e Serbisë për Kosovën: Historia nuk rishkruhet me retorikë

    Shqipëria e dënon komunikatën e Serbisë për Kosovën: Historia nuk rishkruhet me retorikë

    Shqipëria ka thënë të martën se e ka parë me “keqardhje të thellë” një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë në fundjavë lidhur me Kosovën, duke thënë se “historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”.

    Reagimi i Ministrisë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme vjen pasi Ministria serbe hodhi një sërë akuzash ndaj Kosovës dhe presidentes së saj, Vjosa Osmani, në një komunikatë më 4 tetor.

    Osmani e kishte kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po bënte “thirrje të pamatura për luftë”, pasi lideri serb kishte thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”.

    Ministria shqiptare tha se komunikata e Ministrisë së Jashtme serbe “përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes”.

    Ajo tha se dëshiron “t’ia kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”.

    Forcat serbe i vranë mbi 13.000 civilë gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999.

    Mbi 1.600 njerëz vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë – ndërsa ishin dëbuar më forcë mbi 800.000 të tjerë.

    Në komunikatën e saj, Ministria serbe pretendoi “vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet gjakderdhjes dhe persekutimit të vërtetë të serbëve, të cilat Institucionet e Përkohshme në Prishtinë duan qartë ta fshehin. Duke filluar me rastin e ‘Shtëpisë së Verdhë’ në Shqipëri, ku serbët dhe joshqiptarët e tjerë u rrëmbyen gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999, me akuza të rënda për trafik organesh”.

    Shqipëria i hodhi poshtë këto pretendime duke shprehur “keqardhje që Serbia mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dik Martyt, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”.

    Ish-senatori zviceran, Dick Marty, përmendi akuza për “trafikim të organeve” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së fundit, të cilat u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011.

    Megjithëse ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015, aktakuza në këtë gjykatë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i ngarkon ata me krime të tilla.

    Këto pretendime u hetuan nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 bëri të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

    “Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, tha Ministria shqiptare.

    Shqipëria tutje e akuzoi Serbinë se po përpiqet ta përmbysë të vërtetën dhe t’i ndërroj rolet e viktimës me të agresorit, duke thënë se kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

    Ajo bëri thirrje për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

  • Qeveria në detyrë subvencionon faturat e energjisë

    Qeveria në detyrë subvencionon faturat e energjisë

    Edhe këtë vit Qeveria do të bëjë subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Kështu ka thënë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.“Siç e dini, parvjet ka qenë pilotimi i programit. Vitin e kaluar ka qenë zbatimi i rregullt i programit për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet e cenueshme, ku kanë qenë mbi 80 mijë familje përfituese. Edhe këtë vit do të vazhdojë programi i njëjtë”, deklaroi Murati.Sipas Muratit subvencionoi do të fillojë në muajin tetor e do të zgjasë deri në mars të 2026-ës.“Siç e dini ose siç mund ta dini prej zbatimit të mëhershëm, programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Pra fillon në muajin tetor dhe mbaron në muajin mars, kësisoj që të mbulohet apo koncentrimi i subvencionimi të bëhet në muajt kur edhe shpenzimi i faturave të energjisë elektrike mund të jetë më i lartë, në mënyrë që të ketë mbulueshmëri dhe të ketë lehtësi sa më të madhe për familjet”, nënvizoi Murati.