ATV

Blog

  • Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

    Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve në Gaza

    Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Gazë më 18 tetor, duke bërë që numri i përgjithshëm i trupave të vdekur të arrijë në 135, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve për çdo trup të pajetë të izraelitëve që i dorëzon Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Të premten, Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu izraelit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Që nga nisja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar trupat e nëntë pengjeve izraelite dhe një të një studenti nepalez.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se disa nga trupat që u kthyen të shtunën kishin shenja të “abuzimit, rrahjeve dhe prangosjes”.

    Kjo ministri kishte bërë pretendime të ngjashme edhe kur kishte pranuar më herët trupa të palestinezëve.

    Ushtria izraelite i ka cilësuar këto pretendime si “propagandë të rremë të Hamasit”.

    “Për më tepër, të gjithë trupat e dorëzuar janë të luftëtarëve brenda Rripit të Gazës”, tha më herët ushtria izraelite.

    Më 13 tetor, Hamasi liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite dhe nisi të dorëzojë edhe trupat e pengjeve të vrara. Në këmbim, po atë ditë Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.

    Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze.

    Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.

    Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare./REL

  • Ronaldo shpallet futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, lë prapa Leo Messin

    Ronaldo shpallet futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, lë prapa Leo Messin

    Cristiano Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde edhe në moshën 40-vjeçare.

    Ylli portugez i Al-Nassr është shpallur futbollisti më i paguar në botë për vitin 2025, sipas listës më të fundit të publikuar nga revista prestigjioze Forbes, duke lënë pas rivalin e përjetshëm Lionel Messi dhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit modern.

    Ronaldo kryeson bindshëm me 280 milionë dollarë fitime vjetore (rreth 239 milionë euro), duke e tejkaluar Messin me më shumë se dyfishin e të ardhurave. Argjentinasi i Inter Miami mban vendin e dytë me 130 milionë dollarë (111 milionë euro).

    Top 10 futbollistët më të paguar në botë për 2025 (sipas Forbes):

    Cristiano Ronaldo (Al-Nassr) – $280 milion (€239 milion)
    Lionel Messi (Inter Miami) – $130 milion (€111 milion)
    Karim Benzema (Al-Ittihad) – $104 milion (€89 milion)
    Kylian Mbappé (Real Madrid) – $95 milion (€81 milion)
    Erling Haaland (Manchester City) – $80 milion (€68 milion)
    Vinicius Jr (Real Madrid) – $60 milion (€51 milion)
    Mohamed Salah (Liverpool) – $55 milion (€47 milion)
    Sadio Mané (Al-Nassr) – $54 milion (€46 milion)
    Jude Bellingham (Real Madrid) – $44 milion (€38 milion)
    Lamine Yamal (Barcelona) – $43 milion (€37 milion)
    Pjesa më e madhe e fitimeve të Ronaldos vijnë nga kontrata rekord me klubin saudit Al-Nassr, por edhe nga sponsorizimet dhe aktivitetet jashtë fushës, ku ai mbetet një prej figurave më të fuqishme të sportit global. Ai vazhdon të mbajë një portofol biznesesh dhe marrëveshjesh që përfshijnë marka si Nike, Herbalife, CR7 dhe shumë të tjera.

    Ndërkohë, surpriza më e madhe e listës është padyshim Lamine Yamal. Vetëm 18 vjeç, talenti i Barcelonës renditet në vendin e 10-të, duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë që hyn në këtë listë të Forbes. Me 43 milionë dollarë fitime në vit, Yamal është tashmë një nga emrat më të lakmuar në botën e futbollit, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

  • Tre të vdekur dhe pesë të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivësh në Rusi

    Tre të vdekur dhe pesë të lënduar nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivësh në Rusi

    Tre persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në uzinën e eksplozivëve FKP Avangard në qytetin Sterlitamak, rajoni i Bashkortostan, Rusi.

    Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje në objektin që prodhon eksplozivë industrialë dhe çmonton municione — që nga viti 2022 kontrollohet nga konglomerati shtetëror rus Rostec, raporton AFP.

    Ekspertët mjeko‑ligjorë po hetojnë shkakun e shpërthimit, ndërkohë që nuk është konfirmuar nëse incidenti ka ndodhur për shkak të një sulmi me dronë ukrainas ose është pasojë e një defekti teknik.

    Shërbimet e emergjencës raportuan përfundimin e operacioneve të kërkim‑shpëtimit gjatë natës.

  • Marc Guehi i hapur për një largim nga Crystal Palace verën e ardhshme

    Marc Guehi i hapur për një largim nga Crystal Palace verën e ardhshme

    Mbrojtësi anglez Marc Guehi,ka marrë një vendim lidhur me të ardhmen e tij në sezonin e ardhshëm.

    Sipas Sky Sports Guehi nuk do të zgjasë kontratën e tij me klubin londinez Crystal Palace,dhe se anglezi do të jetë futbollist i lirë gjatë verës.

    Përndryshe Guehi ka qenë një kohë i lidhur me një transferim tek Liverpool gjatë afatit kalimtar,por transferimi dështoi në ditën e fundit pasi klubi londinez nuk kishte gjendur një zëvendësues ideal për 25 vjeçarin.

    Kujtojmë që Marc Guehi ka kontratë me Crystal Palace deri në vitin 2026,dhe aktualisht është ndër qendërmbrojtësit më të kërkuar nga shumë klube në Evropë.

  • Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Kosova anëtarësohet në institucionin e parë të BE-së – bëhet pjesë e EESC-së

    Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë  institucioni i parë i BE-së i cili ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova pasi para më shumë se një viti kishte pranuar anëtarë nga të gjitha vendet kandidate.

    Ky institucion këshillëdhënës në strukturat e Bashkimit Evropian do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët do të përzgjidhen përmes procedurës që është në vazhdim e sipër.

    Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, nga organizatat ekonomike, nga sindikatat dhe partnerët tjerë socialë dhe ekonomikë.

    Tashmë EESC ka bërë publike shpalljen për kandidatë nga Kosova të cilët mund të paraqiten deri më datën 24 tetor. Kur të zgjedhën, ata do të marrin pjesë në punimet e këtij Komiteti  në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë pjesëmarrësit nga vendet tjera kandidate dhe nga vendet anëtare, pos që nuk do të kenë të drejtë të votojnë. E drejta për të votuar mbetet e rezervuar vetëm për anëtarët nga shtetet anëtare të BE-së.

    Kur në këtë Komitet në pranverën e vitit 2024 ishin pranuar të gjitha vendet kandidate por jo edhe Kosova, kryetari i këtij Komiteti Olive Ropke i kishte thënë Kohës se “Kosova nuk mund të përfshihet për arsye formale, sepse nuk e ka formalisht statusin e kandidatit”. Në fakt Kosova akoma mbetet i vetmi shtet evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por nuk është shqyrtuar kërkesa e saj.
    Përkundër kësaj, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka gjetur mënyrën për të tejkaluar pengesën formale dhe për ta përfshirë edhe Kosovën në këtë nismë.

    “Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të këtij projekti për shkak të statusit. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe pjesëmarrësit tjerë të rëndësishëm, u vendos që të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim. Thirrja për shprehjen e interesit nga kandidatët tash është e hapur deri me 24.10.2025 dhe kur procedura e përzgjedhjes të përmbyllet anëtarët kandidat të zgjerimit nga Kosova do të kenë të njëjtin status sikur edhe kandidatët nga vendet tjera të zgjerimit”, kanë thënë nga ky institucion në përgjigjen për Kohën.

    Në këtë shpallje mund të paraqiten kandidatë nga organizatat e shoqërisë  civile, sindikatat dhe të gjithë partnerët ekonomikë dhe socialë.

    Anëtaret e këtij komiteti që vinë nga vendet kandidate marrin pjesë aktive në punën e Komitetit ekonomik dhe Social Evropian në mënyrë të barabartë me kolegët nga vendet e BE-së por nuk do të kenë të drejtë të votës.

    Në këtë Komitet në vitin 2024 ishin pranuar anëtarët nga 9 vende kandidate dhe jashtë kishte  mbetur Kosova, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit por që formalisht nuk ka status formal kandidati për anëtarësim në BE.

    Ky Komitet vitin e kaluar kishte  pranuar anëtarë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Të gjitha këto kanë formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Presidenti i këtij Komiteti Ropke, të cilit i ka skaduar mandati, kishte thënë se kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të vendeve kandidate edhe para se ato të bëhen vende formale anëtare të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur pritjet e tij që kolegët nga vendet kandidate të sjellin përvojën e tyre të dobishme në punën e këtij institucioni.

  • Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Afganistani dhe Pakistani ulen në tryezë bisedimesh në Doha

    Një delegacion i lartë nga Afganistani mbërriti në Doha të shtunën për bisedime paqeje me Pakistanin, tha një zëdhënës i qeverisë afgane. Takimi u  organizua pasi të dyja vendet ranë në ujdi ta zgjasin armëpushimin pas përplasjesh të ashpra në kufi.

    “Siç ishte premtuar, sot do të zhvillohen bisedimet me palën pakistaneze në Doha”, tha Zabihullah Mujahid në një deklaratë, duke shtuar se delegacioni afgan udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Mullah Muhammad Yaqoob.

    Një delegacion pakistanez ndodhej që të premten në kryeqytetin e Katarit dhe pritej të bashkohej me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas disa burimeve qeveritare dhe të sigurisë që folën për agjencinë Reuters.

    Qeveria pakistaneze ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime. Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme në Pakistan nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Të premten, Afganistani dhe Pakistani ranë dakord të zgjasin armëpushimin 48-orësh për kohën sa zgjasin bisedimet në Doha, sipas burimeve. Kjo përpjekje vjen pas përleshjeve të dhunshme që vranë dhjetëra persona dhe plagosën qindra të tjerë gjatë javës së fundit – dhuna më e madhe mes dy vendeve që prej marrjes së pushtetit nga talebanët në Kabul në vitin 2021.

    Luftimet tokësore të ashpra dhe sulmet ajrore pakistaneze përgjatë kufirit 2.600 kilometra të gjatë u nxitën pasi Pakistani kërkoi nga Afganistani që të ndalojë militantët që, sipas tij, veprojnë nga brenda territorit afgan dhe kryejnë sulme në Pakistan.

  • Amir Rrahmani drejt shpërblimit nga Napoli – refuzoi oferta nga Premierliga, Serie A dhe Bundesliga

    Amir Rrahmani drejt shpërblimit nga Napoli – refuzoi oferta nga Premierliga, Serie A dhe Bundesliga

    Qendërmbrojtësi i Napolit dhe Kosovës, Amir Rrahmani pritet që të vazhdojë kontratën me klubin italian. 

    Sipas raportimit nga “CalcioNapoli24”, detajet e fundit ekonomike të kontratës janë duke u analizuar.

    Në këtë raportim thuhet tutje se kontrata e Rrahmanit do të zgjatet deri më qershor të vitit 2029.

    “Një kontratë afatgjate për mbrojtësin, që e konsideron Napolin si shtëpinë e tij”, shkruan mediumi në fjalë.

    Ky vazhdim kontrate do të ishte edhe si shpërblim për besnikërinë e treguar nga Amir Rrahmani, pasi kapiteni i Kosovës refuzoi oferta nga klube si Tottenhami, klubet e Arabisë Saudite, klube gjermane dhe nga një klub i Italisë.

    Amir Rrahmani është pjesë e Napolit që nga viti 2020, ku kaloi nga Verona për 14 milionë euro.

    Me Napolin, kapiteni dardan fitoi dy herë Serie A-në.

  • Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Motoristët drejt Hagës, publikohen pamje të marshit për drejtësi

    Nën organizim të platformës “Liria ka Emër” shumë motoristë janë nisur nga Kosova për në Hagë, atje ku do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së ë cilët po mbahen në paraburgim.

    Ish-kryetari i Organizatave të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka publikuar një video të motoristëve nga ky marsh.

    Motoristët para nisjes u bashkuan te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku bën homazhe te varrezat, për tu ndalur më pas në vendet që janë simbolikë e luftës, si Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare dhe Mejë.

    Nisja u bë me 15 tetor, ndërkohë Haradinaj para mediave nga Prekazi tregoi se, “Në Cyrih do të na bashkohen motoristë nga Italia, Gjermania e Austria, më pas do të ndalemi në Dyseldorf, për të vazhduar në Hagë dhe Bruksel”.

  • Fatih Terim:Luka Modric shembull i një lojtari profesionist

    Fatih Terim:Luka Modric shembull i një lojtari profesionist

    Trajneri i mirënjohur turk Fatih Terim,ka folur fjalë të mira për mesfushorin kroat Luka Modric.

    Terim në një intervistë për La Gazzetta dello Sport  ka deklaruar se Modric është shembull i një lojtari profesionist,dhe është i kujdesshëm në aspektin disiplinor.

    “Sot, futbollistët mund t’i zgjasin ndjeshëm karrierat e tyre nëse kujdesen për çdo detaj dhe jetojnë jetë të disiplinuar, si profesionistë të vërtetë. Luka është një shembull i përsosur i kësaj”

    Përndryshe Modric sipas teknikut turk është një legjendë e futbollit,dhe shton se ka ditur ta bëjë dallimin në ndeshjet e rëndësishme.

    Kujtojmë që Luka Modric ka bërë 7 paraqitje për Milanin duke realizuar vetëm 1 gol,qëkur është transferuar nga Real Madrid në afatin kalimtar veror.

  • KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    KQZ për anëtarët e KKZ-së që u aksidentuan: Ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se pesë anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunë e Ferizajt që u aksidentuan në rrugën Slivovë-Ferizaj ishin duke kryer detyrat në kuadër të procesit zgjedhor.

    Në komunikatën për media, KQZ ka thënë se “Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin”.

    KQZ ka shprehur shqetësimin për këtë ngjarje, pa çka ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të tyre.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton opinionin publik se të premten, në orën 18:17, pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Ferizajt kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor. Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.