ATV

Blog

  • Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia jep detaje për aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë të KKZ-së në Ferizaj

    Policia ka njoftuar se në aksidentin ku u lënduan pesë anëtarë e Komisionit Komunal Zgjedhor nga LDK-ja në Ferizaj, ka ndodhur në fshatin Slivovë-Ferizaj, pasi vetura është përplasur me një autobus.

    Shoferi i veturës dhe katër pasagjerët janë lënduar. Katër të lënduar janë dërguar në QKUK nga Emergjenca  e Ferizajt.

    “Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj Aksident trafiku me lëndime trupore ku në këtë aksident trafiku ishin të përfshira dy automjete: një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, njoftoi Policia.

    Blerton Jakupi nga LDK-ja në Ferizaj ka thënë se pesë të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor. Ai nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social “facebook” të shtunën ka shkruar se një prej të lënduarve është në gjendje kome.

  • Siguria ekonomike në epokën e sotme

    Siguria ekonomike në epokën e sotme

    NGA AKADEMIK. PROF.DR. ANASTAS ANGJELI

    Në dekadën e fundit, kon cepti i sigurisë ekonomike ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme në skenën globale dhe rajonale. Pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se ekonomia, politika dhe siguria janë të pandashme. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria dhe Kosova, këto zhvillime kanë nxjerrë në pah dobësitë e sistemeve ekonomike dhe nevojën për politika strategjike që garantojnë qëndrueshmëri, pavarësi dhe stabilitet. Në një epokë ku globalizimi, teknologjia dhe ndryshimet klimatike janë faktorë të përhershëm të pasigurisë, siguria ekonomike ka kaluar nga një koncept teorik në një domosdoshmëri praktike për çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet social.

    Siguria ekonomike sot nuk është vetëm mbrojtje nga kolapsi financiar apo luhatjet e tregjeve. Ajo përfshin një gamë të gjerë elementesh që lidhen me stabilitetin financiar, pavarësinë energjetike, menaxhimin e burimeve strategjike, zhvillimin e kapitalit njerëzor, sigurinë digjitale dhe aftësinë për të përballuar pasiguri të jashtme. Aftësia e një vendi për të garantuar furnizime të qëndrueshme me energji, ushqim, teknologji dhe burime të tjera strategjike është bërë një tregues kyç i stabilitetit dhe autonomisë së tij. Psh., në aspektin financiar, Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përpjekje të dukshme për të ruajtur stabilitetin e sistemeve bankare dhe për të mbështetur ekonominë reale. Në Shqipëri, normat e kredive problematike kanë rënë nga 16% në vitin 2020 në rreth 9% në vitin 2024 dhe tashmë rreth 5%, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky tregues dëshmon se sistemi bankar ka arritur të përballojë tronditjet globale dhe të ofrojë një mbështetje të qëndrueshme për ekonominë reale. Në Kosovë, bankat tregtare kanë rritur kredinë për bizneset e vogla dhe të mesme rreth 12% pas vitit 2020, duke treguar një fokus të qartë në forcimin e sektorit të biznesit dhe në sigurimin e stabilitetit ekonomik. Këto shembuj ilustrojnë se stabiliteti financiar është një komponent kyç i sigurisë ekonomike dhe një mburojë kundër pasigurive globale. Një tjetër dimension i sigurisë ekonomike lidhet me energjinë dhe burimet strategjike.

    Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah varësinë e Evropës nga gazi rus dhe ka detyruar vendet e rajonit të rimendojnë strategjitë energjetike. Shqipëria ka nisur investime të rëndësishme në energji të rinovueshme, duke synuar rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet hidrike dhe diellore. Kosova po zhvillon projekte për të rritur kapacitetin e termocentraleve dhe për të diversifikuar furnizimin me energji, duke u përpjekur të shmangë varësinë nga importet dhe pasigurinë që lidhet me tregjet ndërkombëtare. Rajoni e ka kuptuar se siguria ekonomike nuk mund të arrihet pa aftësinë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe pa mekanizma që parandalojnë goditjet e jashtme. Transformimi i tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike janë sfida të tjera që lidhen ngushtë me sigurinë ekonomike. Automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale po ndryshojnë rrënjësisht strukturën e punës dhe kërkesën për aftësi të reja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe INSTAT, rreth 25% e vendeve të punës në Shqipëri konsiderohen të rrezikuara nga automatizimi gjatë 10 viteve të ardhshme, ndërsa në Kosovë ky tregues shkon deri në 28% për profesionet me intensitet të lartë manual dhe rutinor. Profesione që dikur konsideroheshin të qëndrueshme, si punonjës të prodhimit, fasonerisë apo tregtarë e vegjël po zhduken gradualisht, ndërsa lindin të reja që kërkojnë aftësi teknologjike, digjitale dhe të menaxhimit të informacionit.

    Sektori i IT në Shqipëri ka krijuar rreth 15,000 vende pune gjatë pesë viteve të fundit, duke shënuar një rritje prej rreth 40% në raport me periudhën 2015–2019, ndërsa në Kosovë sektori digjital ka shtuar mbi 8,500 vende pune të reja, duke përbërë rreth 3.5% të totalit të punësimit të vendit, sipas raporteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Investimeve. Këto shifra tregojnë qartë se tregu i punës po zhvendoset drejt profesionistëve të specializuar në teknologji dhe inovacion, duke bërë që politika e arsimit dhe kualifikimit profesional të jetë pjesë e domosdoshme e strategjisë së sigurisë ekonomike. Në Shqipëri, sektori i IT dhe start-up-eve ka krijuar rreth 15,000 vende pune në 5 vitet e fundit, duke treguar se inovacioni dhe zhvillimi i aftësive janë thelbësorë për sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike. Në Kosovë, programet e edukimit profesional dhe teknologjik, të mbështetura nga investimet ndërkombëtare po formojnë një bazë të qëndrueshme të talenteve, duke rritur kapacitetet lokale për sektorin digjital dhe duke kontribuar në stabilitetin ekonomik dhe social.

    Investimet strategjike ndërkombëtare kanë një rol kyç në forcimin e sigurisë ekonomike. Baza ushtarake amerikane në Kosovë mbështetet nga mbi 120 biznese lokale që ofrojnë shërbime dhe produkte, duke krijuar stabilitet ekonomik, punësim dhe zhvillim për komunitetet përreth. Psh., investimi amerikano-japonez në Madagaskar, i fokusuar në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të reduktojë rreziqet globale dhe të forcojë kapacitetet ekonomike të vendeve të vogla. Këto shembuj demonstrojnë qartësisht se siguria ekonomike është një koncept multidimensional që kërkon koordinim midis politikave kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Një dimension tjetër kritik është mbrojtja nga ndikimet e jashtme dhe kontrolli mbi burimet strategjike. Kriza e çipeve elektronike dhe konkurrenca globale për metale të rralla kanë treguar se mungesa e kontrollit mbi zinxhirët e furnizimit mund të kërcënojë zhvillimin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo nënvizon nevojën për të zhvilluar kapacitete prodhuese lokale dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, duke përfshirë energjinë, telekomunikacionin, teknologjinë dhe infrastrukturën dixhitale.

    Nga një perspektivë sociale, siguria ekonomike ka efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe bizneset. Qytetarët që kanë qasje në punësim të qëndrueshëm, arsim cilësor dhe kujdes shëndetësor përjetojnë një ndjesi sigurie që forcon stabilitetin e shtetit. Për bizneset, stabiliteti i tregut, transparenca rregullatore dhe mbrojtja nga krizat globale janë parakusht për zhvillim. Në Shqipëri dhe Kosovë, kompanitë që kanë siguri financiare dhe infrastrukturë dixhitale të qëndrueshme janë më të afta të rrisin produktivitetin dhe të krijojnë vende pune, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik rajonal.

    Siguria ekonomike ka gjithashtu një dimension kibernetik, që po bëhet gjithnjë e më kritik në epokën e digjitalizimit. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve bankare, kompanive private dhe administratave shtetërore janë rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të Qendrës Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për vitin 2023, numri i incidenteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor është rritur mbi 35% krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që sipas Bankës Botërore, rreth 60% e bankave në rajon kanë raportuar sulme ndaj sistemeve të tyre elektronike që kanë kërcënuar informacionin e klientëve dhe stabilitetin e transaksioneve financiare. Në Shqipëri, për shembull, sulmet ndaj sistemeve bankare dhe të telekomunikacionit janë rritur me mbi 40% gjatë periudhës 2020–2024, duke detyruar institucionet të investojnë mbi 50 milionë euro në sisteme mbrojtjeje dhe edukim të stafit për cyber-security. Në Kosovë, një raport i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tregon se mbi 70% e kompanive të mëdha dhe të mesme janë përballur me sulme kibernetike të ndryshme, nga ransomware deri te tentativat për manipulim të të dhënave financiare dhe operative. Këto sulme kanë treguar qartë se stabiliteti i vendeve lidhet drejtpërdrejt me aftësinë për të mbrojtur infrastrukturën dixhitale dhe informacionin, duke e bërë sigurinë kibernetike pjesë integrale të politikave kombëtare ekonomike.

    Për këtë arsye, Bashkimi Evropian ka krijuar programin “Cybersecurity Capacity Building” me një fond mbi 2 miliardë euro për vitet 2020–2025, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe për të mbrojtur sektorët kritikë, përfshirë energjinë, financat dhe administratën publike. Në të njëjtën kohë, SHBA ka investuar rreth 1.5 miliardë dollarë për projekte të mbrojtjes kibernetike dhe trajnime për stafe vendore në rajon, duke përfshirë bashkëpunime direkte me autoritetet shqiptare dhe kosovare për të përmirësuar sigurinë e rrjeteve dhe sistemit bankar. Në këtë kontekst, siguria kibernetike nuk është thjesht një masë teknike, por një komponent strategjik i sigurisë ekonomike kombëtare. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ekonomitë janë të vogla dhe infrastruktura dixhitale është ende në zhvillim, investimet në cyber-defense janë vendimtare për të mbrojtur tregjet financiare, kompanitë strategjike dhe shërbimet publike nga sulmet që mund të destabilizojnë ekonominë dhe të rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve. Në një kuadër më të gjerë, siguria ekonomike mund të shihet si një strategji multidimensionale që integron politikat fiskale dhe monetare, menaxhimin e burimeve, zhvillimin e kapitalit njerëzor, mbrojtjen dixhitale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të garantojnë stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të paqëndrueshme. Në këtë kuadër, siguria ekonomike nuk është më një abstraksion akademik, por një nevojë praktike dhe strategjike. Ajo përcakton aftësinë e vendeve për të përballuar pasiguritë globale, për të ruajtur stabilitetin dhe për të krijuar kushte për rritje dhe inovacion. Për rajonin e Ballkanit, ku ekonomitë janë të vogla dhe të hapura, përkushtimi ndaj konceptit të sigurisë ekonomike është i domosdoshëm për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme, konkurruese dhe të sigurt.

  • Frenkie De Jong:Ka pasur njerëz tek Barcelona që donin të më vënin në shitje për para

    Frenkie De Jong:Ka pasur njerëz tek Barcelona që donin të më vënin në shitje për para

    Mesfushori holandez Frenkie De Jong,ka folur për spekulimet e viteve të kaluara për largim nga Camp Nou.

    De Jong ka deklaruar se ka pasur disa njerëz tek Barcelona të cilët dëshiron largimin e tij,në mënyrë që të fitojnë sa më shumë para.

     “Pati një kohë kur kishte njerëz në klub që donin të më shisnin për të fituar para. Mendoj se ishte në verën e vitit 2023 ose 2022. Gjithmonë kam qenë i qartë se doja të qëndroja te Barcelona. Gjithmonë kam qenë i lumtur të luaj këtu.”

    Përndryshe De Jong thotë se e paranon që situata financiare e Barcelonës mund ta detyronte që të largohej,por ishte e bindur se paraqitjet e tij do të ishin më të mira.

    Kujtojmë që Frenkie De Jong ka bërë 8 paraqitje këtë sezon me Barcelonën,duke dhuruar vetëm 1 asistim.

  • Kylie Jenner shkëlqen e veshur me një fustan latex ngjyrë rozë, ndërsa thekson linjat trupore

    Kylie Jenner shkëlqen e veshur me një fustan latex ngjyrë rozë, ndërsa thekson linjat trupore

    Kylie Jenner tërhoqi gjithë vëmendjen të premten mbrëma në Los Angeles, teksa u shfaq me vajzën e saj Stormi në një event madhështor për markën e saj të bukurisë Kylie Cosmetics.

    28-vjeçarja, e cila kohët e fundit ka zbuluar se ëndrra e saj e kahmotshme është të bëhet një “yll popi”, mori pjesë në hapjen e pop-up-it special që shënon 10-vjetorin e brandit dhe lansimin e koleksionit të ri të kufizuar “King Kylie”, që do të dalë zyrtarisht në shitje më 18 tetor.

    Kylie u mbështet nga familja dhe miqtë e afërt – përfshirë motrat e saj të famshme Kim Kardashian dhe Kendall Jenner, të cilat u panë në mesin e të ftuarve, shkruan DailyMail.

    Ylli i “The Kardashians” mbërriti në event me një fustan ngjitur pas trupit në ngjyrë rozë të çelët, me një dekolte të hapur përpara që theksonte linjat e saj elegante.

    Ajo e kompletoi pamjen me këpucë me taka rozë dhe një paruke të gjatë në ngjyrë rozë pastel, duke bërë një deklaratë të guximshme stili.

    Kylie zgjodhi aksesorë minimalë, me vathë të vegjël dhe disa unaza të shndritshme, duke i lënë veshjes së saj të marrë gjithë vëmendjen.

    Grimimi i saj ishte i rafinuar — me qerpikë të theksuar, hije të ndritshme në sy dhe një blush rozë për një shkëlqim natyral. Në buzë mbante një ngjyrë neutrale, për të ruajtur ekuilibrin e pamjes.

    Në krah të saj ishte vajza 7-vjeçare Stormi, e cila kishte veshur një fund dhe xhaketë rozë që përputheshin me look-un e nënës. Ajo kishte kombinuar veshjen me një bluzë të printuar dhe këpucë të sheshta rozë.

    Eventi u mbajt në Melrose Avenue për të festuar dekadën e parë të suksesit të “Kylie Cosmetics” dhe për të prezantuar koleksionin e ri “King Kylie”, që përmban produkte me formula të reja dhe nuanca ikonike, në edicion të kufizuar, sipas faqes zyrtare të markës.

    Emri “King Kylie” i referohet periudhës së saj ikonike të vitit 2015, kur Kylie njihej për ngjyrat e guximshme të flokëve dhe make-up-et e veçanta.

    Sipas përshkrimit zyrtar, koleksioni është “një homazh i guximshëm për një dekadë bukurie ikonike, inovacioni dhe trashëgimie që ka përcaktuar një epokë”.

    Në të përfshihen produkte si paleta e syve në formë targe kaliforniane, frymëzuar nga ngjyrat e flokëve të Kylie-t ndër vite, si dhe setet e famshme Matte Lip Kit, të rikthyera me paketim dhe nuanca që kujtojnë debutimin e brandit në vitin 2015.

    Në komunikatën zyrtare, Kylie shprehu mirënjohjen e saj: “Jam jashtëzakonisht krenare që po festoj 10 vite të Kylie Cosmetics. E kam dashur make-up-in qëkur mbaj mend, dhe jam shumë falënderuese që kam mundësinë të krijoj dhe ndaj produkte që i përdor çdo ditë me fansat e mi në mbarë botën”.

    Ajo shtoi: “Jam shumë e emocionuar të prezantoj koleksionin ‘King Kylie’ – ka qenë e mrekullueshme të kthehem pas në kohë dhe të reflektoj se ku nisi gjithçka”.

    Në mesin e të ftuarve, Kim Kardashian mori gjithashtu vëmendjen me një fustan latex rozë me dekolte të thellë, të kombinuar me sandale me platformë dhe flokë të kapur në një stil të lëmuar elegant. /Telegrafi/

     

     

     

     

  • LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    LDK-ja përjashton mundësinë e votimit të Qeverisë dhe të hyrjes në koalicion me Vetëvendosjen

    Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të votojë formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, duke përjashtuar mundësinë e hyrjes në një koalicion me këtë subjekt. Ai tha se LDK ka refuzuar disa ftesa që nga fillimi i konstituimit të Kuvendit, për shkak të keqqeverisjes së VV-së gjatë mandatit të kaluar.

    “Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisur me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Guri.

    Megjithëse deri më tani nuk ka pasur ftesë zyrtare nga VV për bisedime, Guri thotë se edhe një ftesë e tillë do të refuzohej.

    “Jo, ne nuk kemi pasur ftesa zyrtare. Ne i kemi pasur disa ftesa të cilat kanë qenë publike prej LVV-së në drejtim të LDK-së për një koalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, të cilat edhe ne publikisht i kemi refuzuar për arsye që mendojmë se nuk është i duhur një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Duke e pasur parasysh që ne dallojmë jashtëzakonisht shumë, duke e pasur parasysh që për LDK-në njëri prej misioneve kryesore është mbajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa këta gjatë katër viteve i kanë dëmtu shumë interesat tona në raport me miqtë tanë dhe Kosova është nën sanksione. Ne nuk do të kontribuojmë në vazhdimin e një qeverisje prej LVV-së. Ato ftesat që i kemi marrë publike, që kanë qenë dy ose tri prej tyre, i kemi refuzu publikisht”, deklaroi ai.

    Në lidhje me ftesat paraprake nga Vetëvendosje, Guri sqaroi se LDK nuk ka shprehur kurrë interesim për t’i dëgjuar ato.

    “Ne nuk kemi qenë të interesuar për me ditë ofertën e tyre. Për atë arsye nuk kemi shku në asnjë takim që na kanë ftu për me diskutu rreth ofertës, për arsye që kjo nuk është çështje oferte ose interesi, është punë për të mirën e Kosovës. Për atë arsye ne e kemi refuzu atë ftesë”, tha Guri.

  • Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën: ShBA-të nuk duan përshkallëzim

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk arriti të siguronte raketat lundruese Tomahawk gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, megjithëse kishte udhëtuar në Uashington me këtë shpresë.

    Këto raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas Zelenskyt, do të ndihmonin Ukrainën për të goditur objektiva strategjike të naftës dhe energjisë brenda territorit rus.

    Gjatë fjalës hapëse në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh: “Shpresoj ta zgjidhim këtë luftë pa menduar për Tomahawk. Është një armë që Amerikës i duhet.”

    Takimi mes dy liderëve zgjati rreth dy orë e gjysmë. Më vonë, Zelensky e përshkroi si një takim “produktiv”, por theksoi se nuk do të komentonte për raketat Tomahawk sepse, sipas tij, “SHBA-të nuk duan përshkallëzim.”

    Më vonë gjatë ditës, Trump u bëri thirrje të dyja palëve që të ndalin luftën: “Të dyja palët duhet të shkojnë në shtëpi, të shkojnë te familjet e tyre, të ndalojnë vrasjet. Dhe kjo duhet të jetë e gjitha,” tha ai, duke shtuar se këtë ndjesi ia kishte komunikuar si Zelenskyt, ashtu edhe presidentit rus Vladimir Putin.

    Takimi Zelensky-Trump ndodhi vetëm një ditë pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, ku u raportua se ranë dakord të takohen së shpejti në Hungari.

    Ndërkohë, Zelensky kishte sugjeruar më herët një shkëmbim të mundshëm armësh, duke thënë: “Ukraina ka mijëra dronë të prodhuar nga ne, por ne nuk kemi Tomahawk. SHBA mund të kenë mijëra dronë tanë, aty mund të punojmë së bashku.”

  • Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Elezi: Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat nisën një ditë pas zgjedhjeve lokale, po përfundojnë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është në vijim dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ‑së, deri në orën 10:00 të së shtunës (18 tetor), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 34 komuna, ndër të cilat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq.

    Komunat që ende nuk e kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve për Kryetarët dhe Kuvendet Komunale janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

    Zëdhënësi i KQZ‑së, Valmir Elezi, deklaroi: “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, e shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909.”
    Sipas tij, procesi i numërimit për votimin jashtë Kosovës përmes postës (nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025) është duke vazhduar.

    Ai shtoi se gjatë ditës KQZ-ja do të publikojë rezultatet nga ky numërim, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim.

  • Endrick në radarin e Manchester United

    Endrick në radarin e Manchester United

    Sulmuesi brazilian Endrcik,nuk po gjen hapësirë në formacionin bazë të Real Madridit.

    Sipas Mundo Deportivo Manchester United është duke monitoruar situatën e talentit 19 vjeçar,dhe po synon të dërgojë një ofertë “Los Blancos”për shërbimet e brazilianit.

    Përndryshe tek Man United e shohin Endrick si një lojtar i cili mund të jetë pjesë e projektit afatgjatë,dhe që do ta ndihmonte shumë repartin e sulmit tek “Djajtë e Kuq”e cila po ka probleme në ndeshjet e fundit,edhe pse janë investuar rreth 200 milionë euro në vitet e fundit.

    Kujtojmë që Man United në 7 ndeshjet e fundit në Premierligë ka shënuar vetëm 9 gola,duke regjistruar një ndër shifrat më të ulëta këtë sezon.

     

  • Sa lugë uthull molle ju nevojiten për çdo problem shëndetësor?

    Sa lugë uthull molle ju nevojiten për çdo problem shëndetësor?

    Në rrethin e ekspertëve dhe mjekëve popullorë, uthulla e mollës vlerësohet për shumë përfitime që ajo i ofron organizmit.

    Ajo ndihmon në përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak, për problemet me tretjen dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

    Vështirësia qëndron në sasinë ditore të uthullës së mollës që ofron përfitimet e lartpërmendura.

    Uthulla për sheqerin në gjak

    Uthulla e mollës rekomandohet për uljen natyrale të sheqerit në gjak.

    Nëse e merrni përpara një vakti të pasur me karbohidrate, uthulla ngadalëson ritmin përpunues të stomakut dhe parandalon ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak.

    Për të marrë këtë përfitim, rekomandohet që të merrni katër lugë çaji uthull molle përpara vakteve.

    Uthulla duhet përzier me pak ujë përpara se të pihet.

    Ajo ul sheqerin në gjak vetëm nëse konsumohet përpara vakteve të pasura me karbohidrate.

    Për rënien në peshë

    Një studim rekomandon se një ose dy lugë gjelle me uthull molle çdo ditë për tre muaj me radhë, ndihmon njerëzit të humbasin 1.2 ose 1.7 kilogramë nga pesha e tyre.

    Në harkun kohor të tre muajve, konsumi i dy lugëve gjelle me uthull molle i ndihmon njerëzit të humbasin në peshë dy herë më shumë.

    Atë mund ta përzieni në një gotë me ujë dhe ta pini përpara vakteve ose ta hidhni në sallatë.

    Megjithatë nuk duhet t’i varni shpresat vetëm te uthulla e mollës për rënien në peshë.

    Ushqehuni shëndetshëm me fruta, perime, barishte drithëra të plota, proteinë e të tjerë.

    Mos neglizhoni aktivitetin fizik çdo ditë.

    Uthulla për tretjen

    Rekomandohet të pini një ose dy lugë gjelle me uthull molle tretur në një gotë ujë, përpara vakteve.

    Një sasi e tillë, ndihmon për të përmirësuar tretjen.

    Uthulla për organizmin

    Ka studime, të cilat që sugjerojnë se uthulla e mollës duhet konsumuar nga pak çdo ditë për mbrojtje nga sëmundjet e zemrës dhe infeksionet.

    Si të shmangni efektet anësore të uthullës

    Uthulla duhet përzier gjithmonë me ujë për të neutralizuar aciditetin.

    Ky i fundit dëmton enamelin e dhëmbëve, ndaj atë mund ta pini me një pipëz.

    Konsumi i dozave të larta të uthullës është i rrezikshëm dhe mund të nxisë osteoporozën ose ulë nivelin e kaliumit në gjak.

    Nëse pas pirjes së uthullës, keni të përziera, urth, gromësira e të tjerë, atëherë ndaloni së konsumuari uthullën./AgroWeb

  • Sulmi me thikë ndaj gruas dhe të miturës, policia jep detaje për rastin e rëndë të dhunës në familje në Prizren

    Sulmi me thikë ndaj gruas dhe të miturës, policia jep detaje për rastin e rëndë të dhunës në familje në Prizren

    Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë është cilësuar rasti i djeshëm në Prizren ku një burrë ka therur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur, duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

    Në raportin e sotëm 24-orësh policia njoftoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktimat po mjekohen në Spitalin e Prizrenit.

    “Prizren 17.10.2025 – 00:20. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti u ka shkaktuar lëndime me mjet të mprehtë-thikë viktimave – bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur. Viktimat me lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha sot policia.

    Me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20 pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia njoftoi dje se ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.

    “Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, njofton Policia.