ATV

Blog

  • Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Në zyrën e Presidencës është duke u zhvilluar takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike.

    Ky takim konsultativ po zhvillohet pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë ‘Kurti 3’ më 26 tetor, kur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje nuk siguroi 61 votat e nevojshme.

    Qëllimi i takimit është konsultimi për hapat e mëtejshëm drejt caktimit të mandatarit të ri për krijimin e qeverisë.

    Në takim po marrin pjesë liderët e të gjitha partive parlamentare, të cilët i janë përgjigjur ftesës së presidentes.

    Sipas Kushtetutës, presidentja ka afat dhjetë ditë për t’u konsultuar me partitë para se të propozojë mandatarin e ri. Nëse dështon edhe tentativa e dytë për formimin e qeverisë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

  • Letonia, shteti i parë në BE që tërhiqet nga Konventa e Stambollit

    Letonia, shteti i parë në BE që tërhiqet nga Konventa e Stambollit

    Pas një seance intensive 13-orëshe me debate të ashpra, Parlamenti i Letonisë votoi të enjten për të tërhequr vendin nga Konventa e Stambollit, marrëveshja e Këshillit të Evropës që mbron gratë dhe vajzat nga dhuna. Nga 90 deputetë, 56 votuan për largimin, 32 kundër, ndërsa dy abstenuan.

    Ky vendim vjen vetëm një vit pas ratifikimit të konventës dhe, nëse presidenti Edgars Rinkēvičs e miraton, Letonia do të bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që braktis këtë traktat. Kryeministrja Evika Siliņa e ka cilësuar vendimin si “mizor”, ndërsa organizatat për të drejtat e grave paralajmërojnë se ky hap mund të rrezikojë sigurinë e grave dhe vajzave në vend.

    Kundërshtarët e konventës argumentojnë se traktati promovon teori “gjinore” që, sipas tyre, minojnë vlerat tradicionale familjare. Vendimi ka shkaktuar protesta të mëdha, mbi 5,000 qytetarë dolën në rrugët e Rigas për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke reflektuar ndarjet e thella brenda shoqërisë latviane.

    Konventa e Stambollit klasifikon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe përcakton masat ligjore dhe politike që shtetet nënshkruese duhet të zbatojnë për mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve.

  • Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh deputet i Kuvendit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2026.

    Ai e cilësoi këtë veprim si të vonuar dhe madje “për marre”.

    “Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh”, tha Haradinaj.

    Përveç kritikave, kreu i AAK-së paraqiti edhe zotimet e tij për një qeveri të mundshme që do të drejtohej nga ai.

    “Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, u shpreh Haradinaj.

  • Gjyqtari paralajmëron pjesëtarët e VV-së: Urdhërarrest dhe paraburgim nëse mungojnë në seancën për gazin lotsjellës

    Gjyqtari paralajmëron pjesëtarët e VV-së: Urdhërarrest dhe paraburgim nëse mungojnë në seancën për gazin lotsjellës

    Në mungesë të ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca gjyqësore që trajton përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se Sveçla kishte njoftuar paraprakisht gjykatën për mungesën e tij dhe, për këtë arsye, seanca nuk mund të mbahej dhe është shtyrë për më 16 janar.

    “Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, seanca e sotme nuk mbahet. Secila palë që mungon, do të përballet me urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit,” deklaroi gjyqtari Sadikaj.

    Në seancën e së premtes ishin të pranishëm vetëm Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-s. Vendimi i Themelores më pas u mbështet edhe nga Gjykata e Apelit.

    Në seancën fillestare më 26 mars 2024, katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

  • Përdorimi i telefonit në errësirë totale mund të dëmtojë shikimin tuaj përgjithmonë

    Përdorimi i telefonit në errësirë totale mund të dëmtojë shikimin tuaj përgjithmonë

    Shumë nga ne e përdorin telefonin natën, në errësirë totale, pa menduar për pasojat. Por specialistët paralajmërojnë se kjo zakone mund të shkaktojë dëme serioze në sy, madje deri në humbje të përhershme të shikimit.

    Personat me një strukturë të veçantë të syrit, të quajtur “kënde të ngushta”, janë veçanërisht të rrezikuar. Në errësirë, bebëza e syrit zgjerohet për të lejuar më shumë dritë, por në disa raste kjo mund të bllokojë rrjedhjen natyrale të lëngut të syrit, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të presionit intraokular.

    Ky fenomen mund të çojë në glaukomë akute me mbyllje të këndit, një emergjencë që mund të dëmtojë nervin optik brenda orësh. Pa trajtim të menjëhershëm, dëmtimi është i pakthyeshëm.

    Shkaku i zakonshëm? Ndriçimi i fortë i ekranit të telefonit në errësirë, që krijon kontraste ekstreme dhe streston syrin.

    Këshilla e specialistëve: kur përdorni telefonin natën, vendosni një ndriçim të butë në dhomë. Mbroni shikimin tuaj – është më i çmuar se çdo postim apo video.

  • Bashkimi-Sigal Prishtina kryendeshja e Fundjavës në Procredit Superligë

    Bashkimi-Sigal Prishtina kryendeshja e Fundjavës në Procredit Superligë

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 4-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll.

    Kryendeshja pritet të zhvillohet në palestrën “Minatori”,ku Bashkimi e pret Sigal Prishtinën.

    Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore dy xhirot e para,dhe fitorja e njërës apo skuadrës tjetër do ta vendoste në krye të tabelës.

    Ndeshja Bashkimi-Sigal Prishtina pritet të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 17:00.

    Në ndërkohë të shtunën pritet të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër interesante,ku kampioni aktual Trepça e pret në Minatori skuadrën e Golden Eagle Yllit ku të dyja ekipet synojnë fitore në mënyrë që të mbesin në hap me ekipet lidere.

    Të dielën pritet të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera,ku GO+Peja e pret Rahovecin 029,kurse Vëllaznimi e pret skuadrën e Boras.

  • Galaxy AI shton dy gjuhë të reja: filipinisht dhe guxharatisht

    Galaxy AI shton dy gjuhë të reja: filipinisht dhe guxharatisht

    Që nga debutimi i tij në fillim të vitit 2024, Galaxy AI i Samsung ka vazhduar të zgjerojë shpejt mbështetjen për gjuhë të ndryshme, duke e bërë më të aksesueshëm për përdoruesit në mbarë botën.

    Në prill 2024, numri i gjuhëve të mbështetura arriti në 16, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit, ky numër u rrit në 20. Tani, Galaxy AI ka shtuar dy gjuhë të reja: filipinishten dhe guxharatishten, të cilat janë tashmë të disponueshme për shkarkim si paketa gjuhësore brenda aplikacionit “Cilësimet”. Filipinishtja flitet nga rreth 87 milionë njerëz, ndërsa guxharatishtja nga rreth 62.5 milionë.

    Zhvillimi i këtyre dy gjuhëve u realizua në bashkëpunim me qendrat kërkimore të Samsung në Indonezi dhe Indi. Me këto shtesa, Galaxy AI mbështet tani 22 gjuhë të ndryshme, të cilat fliten nga gati 74% e popullsisë globale – rreth 5.9 miliardë njerëz.

    Samsung raporton gjithashtu se më shumë se 70% e përdoruesve të Galaxy S25 angazhohen rregullisht me Galaxy AI dhe Google Gemini, ndërsa 47% e përdoruesve e përdorin AI-në në jetën e tyre të përditshme. Kompania parashikon që deri në fund të këtij viti, Galaxy AI të arrijë mbi 400 milionë pajisje, duke e dyfishuar suksesin e arritur gjatë vitit 2024 me 200 milionë pajisje.

  • 3,000 fjalë turqisht në gjuhën shqipe, Shqipëria mes 10 vendeve me më shumë huazime turke

    3,000 fjalë turqisht në gjuhën shqipe, Shqipëria mes 10 vendeve me më shumë huazime turke

    Ndikimi i Perandorisë Osmane mbi gjuhën shqipe është më i dukshëm se sa mund të mendohet. Sipas të dhënave të Institutit të Gjuhës Turke, rreth 3,000 fjalë me origjinë turke përdoren në shqip, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me ndikim të theksuar gjuhësor nga turqishtja.

    Këto fjalë nuk janë thjesht huazime, por dëshmi e një periudhe të gjatë historike, ku kultura, administrata dhe jeta e përditshme e shqiptarëve u ndërthurën ngushtë me elementë osmanë.

    Termat që lidhen me kuzhinën, veshjen, ndërtimin, administratën dhe jetën urbane shpesh rrjedhin nga turqishtja, duke krijuar një shtresë të veçantë në strukturën e gjuhës shqipe.

    Sipas të njëjtit institut, Serbia, Armenia dhe Bullgaria janë vendet që kanë më shumë fjalë të huazuara turke në gjuhët e tyre, duke treguar për ndikimin e gjerë të kulturës osmane në Ballkan.

  • Dallimet kryesore mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore

    Dallimet kryesore mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore

    Një nga keqkuptimet më të shpeshta në shëndetin ushqimor është ngatërrimi mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore. Sipas studimeve më të fundit, rreth gjysma e të rriturve që mendojnë se vuajnë nga alergji, në fakt kanë intolerancë ushqimore, një gjendje që zakonisht nuk rrezikon jetën dhe është më e lehtë për t’u menaxhuar.

    Ndryshe nga alergjitë, të cilat përfshijnë një reagim të sistemit imunitar dhe mund të shkaktojnë edhe shok anafilaktik, intoleranca ushqimore nuk paraqet kërcënim për jetën. Ajo lidhet shpesh me vështirësi në tretje, si mungesa e enzimës laktazë, që ndihmon në tretjen e laktozës.

    Simptomat e ngjashme  si fryrja, kruarja apo dhimbjet e barkut e bëjnë të vështirë dallimin mes të dyjave. Megjithatë, një alergji e vërtetë mund të shkaktohet edhe nga sasi shumë të vogla të ushqimit, ndërsa njerëzit me intolerancë zakonisht mund të konsumojnë ushqimin në sasi të vogla pa pasoja të rënda.

    Ekspertët këshillojnë që çdo dyshim të verifikohet me teste mjekësore, për të shmangur menaxhimin e gabuar, panikun e panevojshëm dhe rreziqet serioze që mund të sjellin alergjitë e fshehura.

  • Xabi Alonso konfirmon: Vinicius Jr nuk do të dënohet, ka kërkuar falje

    Xabi Alonso konfirmon: Vinicius Jr nuk do të dënohet, ka kërkuar falje

    Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka komentuar për “MARCA” gjestin e sulmuesit të tij, Vinicius Jr, gjatë “El Clasico”.

    Braziliani u zëvendësua gjatë derbit dhe u shfaq me gjeste jo të mira gjatë largimit nga fusha drejt dhomave të zhveshjes. Megjithatë, trajneri Alonso ka qartësuar situatën.

    “Vinicius Jr nuk do të dënohet. Kjo çështje ka përfunduar. Ai mbajti një fjalim fantastik përpara të gjithëve,” tha Alonso.

    Kujtojmë se nesër Real Madridi do të përballet me Valencian në një ndeshje kyçe të javës së 11-të të La Liga-s në “Santiago Bernabéu”.