ATV

Blog

  • Lewandowski lë pas Neymarin në historinë e Barcelonës

    Lewandowski lë pas Neymarin në historinë e Barcelonës

    Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, ka kaluar atë brazilian Neymar në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e FC Barcelonës.

    Para ndeshjes kundër Celta Vigos, Lewandowski dhe Neymar kishin nga 105 gola secili me fanellën “blaugrana”. Megjithatë, polaku shkëlqeu në takimin e fundit, duke realizuar tre gola (hat-trick) dhe duke e çuar numrin e tij në 108 gola me Barcelonën.

    Lewandowski iu bashkua klubit katalanas në verën e vitit 2022 dhe që atëherë ka fituar dy tituj të La Ligës, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Edhe pse po i afrohet moshës 40-vjeçare, ai vazhdon të tregojë formë të shkëlqyer dhe mbetet një lider i padiskutueshëm në formacionin e Hans Flick.

    Kjo arritje në një periudhë kaq të shkurtër e vendos Lewandowskin ndër qendërsulmuesit më të mirë në historinë e futbollit modern.

    Megjithatë, mediat spanjolle raportojnë se Barcelonës mund t’i duhet të marrë vendime të rëndësishme gjatë verës, pasi ekziston mundësia që Lewandowski të largohet. Si alternativë e mundshme, përmendet edhe Fisnik Asllani, sulmuesi shqiptar i Hoffenheimit. /ATVLIVE.TV

  • Fanella e Kosovës arrin çmim rekord prej 10 mijë frangash në Gjenevë

    Fanella e Kosovës arrin çmim rekord prej 10 mijë frangash në Gjenevë

    Në një ankand të organizuar mes bashkatdhetarëve në Gjenevë, fanella e Kombëtares së Kosovës u shit për një shumë rekord prej 10 mijë frangash zvicerane, duke dëshmuar edhe njëherë lidhjen e fortë emocionale që diaspora ka me vendlindjen.

    Ky çmim simbolik, përtej vlerës materiale, tregon se brendi “KOSOVA” qëndron mbi çdo markë luksi, sepse ai mbart shpirtin kombëtar, krenarinë dhe dashurinë për atdheun – vlera që nuk maten me para.

    Fanella e Kosovës sot përfaqëson jo vetëm kujtimin e lavdishëm të së kaluarës sonë, por edhe realitetin e ri të një kombi që ecën përpara me punë, përkushtim dhe pasion.

    Falë angazhimit të djemve të Kombëtares dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, futbolli ynë është ngritur në nivele të denja për çdo skenë ndërkombëtare, duke e bërë çdo sukses sportiv edhe një arsye më shumë për krenari kombëtare. /ATVLIVE.TV

  • Kreshnik Uka merr çmimin ‘Ylli i javës’

    Kreshnik Uka merr çmimin ‘Ylli i javës’

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, kanë ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

    Për javën e trembëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Drenica, Kreshnik Uka, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij për 90 minuta të ndeshjes duke e shënuar edhe golin e dytë në fitoren e rëndësishme të skudrës së tij kunër FC Ballkanit me rezultat 2:0.

    Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Avni Shala, Blerim Haxholli dhe Raif Nasufi.

    Pasi mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:

    “Ndeshjen e kemi përgatitur shumë mirë, duke pasur parasysh që kemi pasur një kundërshtar të fortë si FC Ballkani. Gjatë gjithë javës terreni ka qenë me shi dhe i rënduar, dhe njësoj ishte gjendja edhe gjatë ndeshjes, prandaj e kishim shumë të vështirë.

    Jam shumë i lumtur që kam ndihmuar ekipin me golin tim dhe uroj të vazhdojmë me paraqitje të njëjta. Ekipi ynë, me ardhjen e kryesisë së re, ka pësuar ndryshime të mëdha dhe aktualisht jemi ende duke u komponuar, por duket se e kemi gjetur mënyrën e lojës.

    Falënderoj bashkëlojtarët për punën që po bëjnë dhe tifozët “Shqiponjat e Zeza” për mbështetjen e vazhdueshme.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

    30 vjeçari këtë edicion me skuadrën nga Skenderaj në 12 ndeshje numëron 6 gola dhe 2 asistime. /ATVLIVE.TV

  • Një prerje në ADN mund të ndryshojë luftën kundër kolesterolit të lartë

    Një prerje në ADN mund të ndryshojë luftën kundër kolesterolit të lartë

    Një studim i ri përdor teknologjinë CRISPR për të ndryshuar gjenin që kontrollon kolesterolin

    Një prerje e vogël në ADN mund të bëhet çelësi për të ulur kolesterolin e rrezikshëm, duke shmangur nevojën për ilaçe të përditshme. Një studim pilot i publikuar në New England Journal of Medicine ka dhënë shpresë për një trajtim të ri gjenetik që mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet kolesteroli i lartë.

    Ky studim i vogël — me vetëm 15 pacientë që vuajnë nga forma të rënda të sëmundjes testoi sigurinë e një ilaçi të ri që përdor teknologjinë CRISPR-Cas9, një mjet biologjik që funksionon si “gërshërë” për të prerë dhe ndryshuar gjene specifike.

    Rezultatet e para janë inkurajuese: pacientët përjetuan një ulje mesatare prej gati 50% të kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, i cili lidhet ngushtë me sëmundjet e zemrës — shkaktari kryesor i vdekjeve në SHBA dhe në mbarë botën. Po ashtu, u vu re një ulje prej 55% e triglicerideve, një tjetër lloj yndyre në gjak që ndikon në rrezikun kardiovaskular, raportoi CNN.

    “Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e përhershme — një terapi ‘njëherë e përgjithmonë’, ku njerëzit e rinj me sëmundje të rënda mund të kenë nivele të ulëta të kolesterolit dhe triglicerideve gjatë gjithë jetës”, tha Steven Nissen, drejtues akademik në Institutin e Zemrës, Enëve të Gjakut në Cleveland Clinic, Ohio.

    Sipas Pradeep Natarajan, drejtor i Kardiologjisë Parandaluese në Massachusetts General Hospital, sot mjekët synojnë që pacientët me sëmundje të zemrës të kenë nivele të LDL-së nën 100 mg/dL, por idealja do të ishte midis 40 dhe 50 mg/dL, një objektiv që është shumë i vështirë të arrihet vetëm me dietë dhe aktivitet fizik.

    Megjithatë, ai shton se ilaçet ekzistuese mund të arrijnë nivele të ngjashme të uljes së kolesterolit, prandaj nevojiten prova më të gjera për të parë nëse ky trajtim është po aq efektiv dhe i sigurt.

    Ideja për këtë trajtim me gjenetikë vjen nga një mutacion i rrallë natyror. Disa njerëz kanë një gjen të quajtur ANGPTL3 që nuk funksionon. Ky gjen ndihmon në rregullimin e niveleve të LDL-së dhe triglicerideve. Kur ky gjen është “i fikur”, njerëzit kanë kolesterol shumë të ulët gjatë gjithë jetës dhe një rrezik jashtëzakonisht të vogël për sëmundje të zemrës — pa efekte anësore të njohura.

    Në studim, pacientët morën doza të ndryshme të ilaçit përmes infuzionit. Rezultatet më të forta u panë në dozën më të lartë — 0.8 mg për kilogram, e cila uli si LDL-në, ashtu edhe trigliceridet ndjeshëm.

    Një aspekt i rëndësishëm është se ky ilaç vepron vetëm në mëlçi, organi përgjegjës për prodhimin dhe përpunimin e kolesterolit. Kjo e bën trajtimin potencialisht më të sigurt, pasi redukton rrezikun që gjenet në pjesë të tjera të trupit të preken.

    Efektet anësore të raportuara ishin të lehta, kryesisht irritim në vendin e infuzionit. Një pacient pësoi një hernie diskale dhe një tjetër kishte rritje të përkohshme të enzimave të mëlçisë, por të dy rastet u stabilizuan brenda dy javësh. Një pacient tjetër vdiq gjashtë muaj pas infuzionit, por sipas studiuesve, vdekja nuk kishte lidhje me trajtimin.

    Autoritetet amerikane (FDA) kërkojnë që të gjithë pjesëmarrësit të monitorohen për 15 vjet, për të vlerësuar çdo efekt të mundshëm afatgjatë.

    Studiuesit planifikojnë të nisin fazën e dytë të testimeve klinike së shpejti dhe të kalojnë në fazën e tretë deri në fund të vitit të ardhshëm, për të provuar efektin te një numër shumë më i madh pacientësh.

    Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se është ende herët për entuziazëm të tepruar.

  • Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë

    Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë

    **Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë**

    Senati amerikan ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, duke miratuar një projektligj që synon t’i japë fund mbylljes 40-ditore. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në pagat e mijëra punëtorëve federalë, ka vonuar ndihmat ushqimore dhe ka shkaktuar probleme në udhëtimet ajrore.

    Projektligji, i cili më herët është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, do ta mbajë Qeverinë të financuar deri më 30 janar dhe përfshin tri paketa për financimin e agjencive federale. Nëse Senati e miraton me ndryshime, dokumenti duhet të kthehet përsëri në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas t’i dërgohet presidentit Donald Trump për nënshkrim – një proces që mund të zgjasë disa ditë.

    Sipas marrëveshjes së arritur me disa demokratë që janë ndarë nga linja e partisë, republikanët janë pajtuar që në dhjetor të votojnë për vazhdimin e subvencioneve të sigurimeve shëndetësore për qytetarët me të ardhura të ulëta. Këto subvencione, të cilat skadojnë në fund të vitit, janë një nga pikat kryesore të betejës politike për financimin e Qeverisë.

    Projektligji ka kaluar në Senat me 60 vota, ndërsa presidenti Trump ka deklaruar para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “mbyllja e Qeverisë është shumë afër fundit”.

    Sipas dokumentit, deri më 30 janar agjencive federale do t’u ndalohet largimi nga puna i punëtorëve – një zhvillim që përbën fitore për sindikatat dhe aleatët e tyre.

    Të hënën, senatorët pritet të punojnë për një marrëveshje dypartiake që do të përshpejtojë procedurat dhe do ta çojë projektligjin drejt votimit përfundimtar. Nëse kjo nuk ndodh, procesi mund të zgjasë edhe për një javë tjetër.

    Zyrtarët paralajmërojnë se, nëse mbyllja zgjatet më tej, ekonomia amerikane mund të pësojë rënie gjatë tremujorit të fundit të vitit, veçanërisht nëse trafiku ajror nuk normalizohet deri në Festën e Falënderimeve, e cila këtë vit shënohet më 27 nëntor./REL

  • E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit

    E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit

    Të dielën në mëngjes, Policia e Kantonit Thurgau ndaloi një shofer në gjendje paaftësie për të ngarë makinën, në rrugë në Wilen pranë Wil-it, Thurgau.

    Pak pas orës 9:15 të mëngjesit, qendra e thirrjeve të urgjencës kantonale mori një raport se një burrë ishte ulur në një makinë në një pikë karburanti në Weidstrasse me motorin ndezur dhe nuk po tregonte asnjë reagim, transmeton albinfo.ch. Kur patrulla mbërriti, ai tashmë kishte filluar të fliste me paramedikët, sipas polizei-schweiz.ch.

    Sipas Policisë së Kantonit Thurgau, 25-vjeçari kosovar kishte rënë në gjumë në makinën e tij ndërsa priste të lëvizte përpara për të marrë benzinë në pompë.

    Policët përcaktuan se burri ishte i paaftë për të drejtuar makinën dhe urdhëruan analiza gjaku dhe urine, përcjell albinfo.ch. Patenta e tij e shoferit u konfiskua dhe u dërgua në zyrën e trafikut rrugor.

  • BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    Ushtruesja e Detyrës së Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në 18 komuna të Kosovës.

    Palatova e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një dëshmi të demokracisë në vend dhe ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të ciklit të zgjedhjeve lokale.

    Ky raund i zgjedhjeve ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet demokratike dhe për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

    Qytetarët në 18 komuna votuan më 9 nëntor për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

    Në këtë rund, LDK-ja fitoi pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër, ndërkaq PDK-ja në tre.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.

  • OSBE lavdëron zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë: U menaxhuan me profesionalizëm e përkushtim

    OSBE lavdëron zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë: U menaxhuan me profesionalizëm e përkushtim

    Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka vlerësuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

    Në një deklaratë publike, McGurk ka përgëzuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor të tetorit dhe nëntorit.

    “Ndërsa mbyllen qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, unë përgëzoj kryetarin Kreshnik Radoniqi, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë ata që u përfshinë në menaxhimin dhe organizimin e procesit zgjedhor,” ka deklaruar McGurk.

    Ai ka theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve zgjedhore kanë forcuar demokracinë në vend.

    “Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj kanë forcuar proceset demokratike në Kosovë. Urime të gjithë kryetarëve të rinj dhe të rizgjedhur — puna juaj me dhe për komunitetet tuaja fillon nesër. Me padurim pres t’ju takoj së shpejti”, tha McGruk.

  • Parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim

    Parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se kjo javë pritet të karakterizohet nga kushte të ndryshueshme meteorologjike.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se të hënën dhe të martën parashihen reshje shiu me intensitet të ndryshueshëm, që në disa zona mund të jenë më të theksuara.

    “Nga e mërkura, mëngjeset do të jenë më të ftohta dhe parashihet mundësi për paraqitje të mjegullës në orët e hershme të ditës, kryesisht në ultësira”, thuhet në njoftim.

    Në përgjithësi, gjatë javës pritet mot tipik vjeshtor, me periudha me diell, vranësira dhe reshje të përkohshme.

    Moti i plotë për pesë ditët e javës së ardhshme:

    E hënë
    Moti kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.
    Temperaturat minimale: 5-8 °C
    Temperaturat maksimale: 10-13 °C
    Era: Kryesisht nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-7 m/s

    E martë
    Moti i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.
    Temperaturat minimale: 4-8 °C
    Temperaturat maksimale: 10-13 °C
    Era: Nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-6 m/s

    E mërkurë
    Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.
    Temperaturat minimale: 0-3 °C
    Temperaturat maksimale: 9-12 °C
    Era: Kryesisht nga jugperëndimi, me shpejtësi 1-5 m/s

    E enjte
    Moti me diell dhe pjesërisht i vranët.
    Temperaturat minimale: -1 deri 2 °C
    Temperaturat maksimale: 9-13 °C
    Era: Nga juglindja, 1-4 m/s

    E premte
    Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.
    Temperaturat minimale: -2 deri 0 °C
    Temperaturat maksimale: 10-13 °C
    Era: E lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit.

  • Vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh, ja për kë bëhet fjalë

    Vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh, ja për kë bëhet fjalë

    Vetëm në një nga 18 komunat u përmbys rezultati në balotazh në krahasim me rundin e parë. Bëhet fjalë për Obiliqin.

    Në rund të parë, Xhafer Gashi i LDK-së ishte i pari me 5859 vota apo 46.20% krahasuar me Halil Thaçin e LVV-së që kishte 5626 vota apo 44.37%.

    Por në balotazh, Thaçi mori 6441 vota apo 51.09%. E Gashi pati 6167 vota apo 48.91%.

    https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/results?electionType=1&municipality=15&votingStation=0&pollingClass=0