ATV

Blog

  • Mitaj: “Fokus te fitoret, synimi është play-off-i”

    Mitaj: “Fokus te fitoret, synimi është play-off-i”

    Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, për dy ndeshjet e fundit të fazës kualifikuese për Botërorin “Katar 2026” ndaj Andorrës dhe Anglisë.

    Kuqezinjtë vijnë me moral të lartë pas tre fitoreve radhazi, ndërsa mbrojtësi Mario Mitaj shprehet optimist për vazhdimësinë e këtij momenti pozitiv. Në një prononcim për fshf.org, ai theksoi rëndësinë e sfidës së parë me Andorrën:

    “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë çfarë na pret dhe i njohim mirë kundërshtarët. Veçanërisht ndeshja e parë ndaj Andorrës është thelbësore, ndaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar,” – u shpreh Mitaj.

    Ai shtoi se ekipi ndodhet në një moment shumë të mirë dhe se objektivi kryesor është fitorja:

    “Vijmë pas tre fitoreve dhe jemi në formë të lartë. Besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën linjë. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht. Të gjithë djemtë janë të motivuar dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, ndaj do të japim maksimumin,” – shtoi mbrojtësi.

    Mitaj vlerësoi kundërshtarin e ardhshëm, por nënvizoi se besimi dhe përqendrimi do të jenë faktorët vendimtarë:

    “I njohim mirë kundërshtarët si Andorra, që mbrohen fort dhe rrinë pas, por gjithçka do ta vendosë mënyra se si do të futemi ne në lojë dhe përqendrimi ynë,” – deklaroi ai.

    Ai foli edhe për formën e tij në klub dhe ndikimin që ajo ka te Kombëtarja:

    “Kur paraqitem mirë me klubin, kjo ndikon pozitivisht edhe te Kombëtarja. Jam i lumtur me performancat e mia dhe besoj se kjo do të reflektohet edhe në fushë me fanellën kuqezi,” – tha Mitaj.

    Në përfundim, mbrojtësi theksoi objektivin kryesor të skuadrës për dy ndeshjet e ardhshme:

    “Synimi ynë është i qartë – të sigurojmë play-off-in. Jemi shumë afër dhe kemi përpara dy ndeshje vendimtare. Fillimisht përqendrohemi te fitorja me Andorrën, më pas do të shohim Anglinë,” – përfundoi Mitaj.

    Ndeshja Andorra – Shqipëri zhvillohet më 13 nëntor, në ora 20:45. Ndërsa tri ditë më vonë presin në shtëpi Anglinë, nga ora 18:00. / ATVLIVE.TV

  • Çfarë duhet të dinë prindërit për Roblox dhe lojërat online

    Çfarë duhet të dinë prindërit për Roblox dhe lojërat online

    Roblox është një platformë online ku përdoruesi, përfshirë fëmijët, mund të luajnë lojëra të krijuara nga përdorues të tjerë, si dhe të krijojnë vetë lojëra me mjetin “Roblox Studio”. Platforma ka miliarda lojëra të ndryshme dhe miliona përdorues aktivë çdo ditë. Megjithëse duket argëtuese dhe kreative, ka disa rreziqe që prindërit duhet t’i dinë

    Roblox është një platformë online ku përdoruesi, përfshirë fëmijët, mund të luajnë lojëra të krijuara nga përdorues të tjerë, si dhe të krijojnë vetë lojëra me mjetin “Roblox Studio”. Platforma ka miliarda lojëra të ndryshme dhe miliona përdorues aktivë çdo ditë. Megjithëse duket argëtuese dhe kreative, ka disa rreziqe që prindërit duhet t’i dinë.

    RREZIQET KRYESORE PËR FËMIJËT

    – Përmbajtje e papërshtatshme: Sepse lojërat krijohen nga vetë përdoruesit, nuk është e garantuar që të gjitha lojërat të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijës.

    – Komunikim me të huaj: Fëmijët mund të bisedojnë me përdorues të tjerë nëpërmjet chat-it, me zë, ose mesazhe dhe kjo sjell rrezikun e bullizmit, ngacmimeve, ose abuzimit.

    – Shpenzime të paplanifikuara: Platforma ka monedhën virtuale “Robux”, dhe blerje brenda lojës, që mund të rezultojnë në shpenzime të padëshiruara nga fëmija.

    – Vënia në dispozicion e të dhënave personale: Nëse nuk janë aktivizuar masat e privatësisë, fëmijët mund të zbulojnë më shumë sesa duhet për veten e tyre.

    – Varësi ose përdorim i tepërt: Lojërat online me elemente sociale dhe shpërblime vazhdimisht mund të motivojnë fëmijët të luajnë më shumë se ç’është e shëndetshme.

    ÇFARË DUHET TË BËJNË PRINDËRIT

    Për të ndihmuar fëmijën tuaj të përdorë Roblox në mënyrë më të sigurt, këtu janë disa hapa konkretë që mund të ndërmerrni:

    – Sigurohuni që data e lindjes në llogari të jetë e saktë. Platforma aplikon veçori të ndryshme në varësi të moshës së përdoruesit.

    – Krijoni llogari prindi ose lidhni llogarinë tuaj me të fëmijës. Kjo ju lejon të kontrolloni parametrat e privatësisë, shpenzimet, kohën e luajtjes.

    – Përdorni kontrollat prindërore (“Parental Controls”). Përdorini për të:

    – Limituar ose çaktivizuar chat-in me të huajt.

    – Vendosni limite për kohën që fëmija luan në platformë.

    – Vendosni limite për shpenzimet.

    – Bllokoni lojëra ose përmbajtje që nuk i shihni të përshtatshme.

    – Bisedoni me fëmijën tuaj. Flisni për rregullat online: mos të japë informacion personal (emër, adresa, shkolla), mos të klikojë linke që nuk janë të sigurta dhe të dijë t’i raportojë lojërat ose përdoruesit që e bëjnë të ndjehet keq.

    – Vendosni rregulla për kohën e ekranit. Shumë lojëra janë mjaft tërheqëse dhe fëmijët mund të luajnë pa ndërprerje. Limiti i kohës ndihmon për të ruajtur balancën.

    – Kujdesuni për shpenzimet dhe monedhën virtuale. Sigurohuni që kuptoni sistemin “Robux” dhe mundësitë e blerjeve; vendosni nëse fëmija mund të blejë apo jo.

    – Shikoni se çfarë lojërash luan fëmija. Tregohuni kurioz për përmbajtjen: jo të gjitha lojërat në Roblox janë të një niveli të vetëm, disa kanë tema që nuk janë të përshtatshme për moshat më të vogla.

    ÇFARË E BËN ROBLOX TË VEÇANTË DHE PSE DUHET KUJDES

    – Platforma është shumë sociale dhe fëmijët mund të krijojnë avatarë, të komunikojnë me të tjerë, të eksplorojnë botë virtuale së bashku. Kjo është mirë për kreativitetin, por shoqërohet me rrezik sepse edhe përdorues që nuk njihen mund të jenë pjesë e përvojës.

    – Përmbajtja është “user-generated” (krijuar nga vetë përdoruesit), që do të thotë se cilësia dhe përshtatshmëria ndryshon shumë.

    Roblox ofron mjete krijimi, që mund të nxisin fëmijët të mësojnë gjëra të reja, të zhvillojnë kreativitetin. Por prindërit duhet të shoqërojnë këtë proces.

  • Ndërron jetë legjenda e NBA-së, Lenny Wilkens

    Ndërron jetë legjenda e NBA-së, Lenny Wilkens

    Ka ndërruar jetë ish-trajneri legjendar i NBA-së, Lenny Wilkens, në moshën 88-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur familja e tij përmes një njoftimi publik.

    Wilkens ishte një nga figurat më të mëdha të historisë së basketbollit amerikan. Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai luajti për skuadra të njohura si St. Louis Hawks, Seattle Supersonics, Cleveland Cavaliers dhe Portland Trail Blazers – disa prej të cilave më pas i drejtoi edhe si trajner.

    Suksesi i tij më i madh erdhi në vitin 1979, kur udhëhoqi Seattle Supersonics drejt titullit kampion të NBA-së, një arritje që e vulosi emrin e tij në historinë e ligës.

    Në vijim të karrierës, Wilkens drejtoi edhe Atlanta Hawks, Toronto Raptors dhe New York Knicks, duke u njohur për qasjen e tij të qetë, inteligjencën taktike dhe respektin që gëzonte nga lojtarët e të gjitha brezave.

    Për kontributin e jashtëzakonshëm në basketboll, ai u fut në “NBA Hall of Fame”, si lojtar dhe trajner – një nder që pak figura në historinë e sportit e kanë arritur. /ATVLIVE.TV

  • Shala: Bonuse për kualifikim do të ketë, por fokusi është te ëndrra për Botërorin

    Shala: Bonuse për kualifikim do të ketë, por fokusi është te ëndrra për Botërorin

    Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka folur për çështjen e shpërblimeve që mund të marrin futbollistët në rast se ekipi arrin kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit 2026.

    Në konferencën për media, i pyetur nga KosovaPress, Shala theksoi se edhe pse do të ketë shpërblime nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), tema e bonuseve aktualisht nuk është në qendër të diskutimeve, pasi vëmendja e skuadrës është e gjitha e përqendruar te objektivi sportiv.

    “Këto janë çështje që janë sqaruar me futbollistët dhe stafin para fillimit të fushatës kualifikuese. Besoj se asnjëri prej tyre nuk e ka mendjen te bonusi që mund të marrë, por te ëndrra që mund të realizojë për veten dhe për popullin e Kosovës. Natyrisht që do të ketë shpërblime nga Federata në rast kualifikimi — këtë e ka sqaruar presidenti me lojtarët — por aktualisht nuk është temë që diskutohet,” – deklaroi Shala.

    Kosova ndodhet shumë pranë fazës së play-off-it, teksa i mjafton të sigurojë të paktën një pikë në ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Sllovenisë për të mbajtur gjallë ëndrrën e pjesëmarrjes në Botërorin 2026. /ATVLIVE.TV

  • Japonia ka 10 milionë shtëpi të zbrazëta

    Japonia ka 10 milionë shtëpi të zbrazëta

    Sipas anketit më të fundit të qeverisë, Japonia ka tani afërsisht 10 milionë shtëpi të zbrazëta, një fenomen që reflekton ndryshimet dramatike demografike në vend.

    Me një popullsi në rënie dhe familje të plakura, shumë shtëpi po mbeten të pabanuara, të harruara dhe të lëna pas dore. Zyra e Statistikave të Japonisë raportoi se rreth 14% e të gjitha banesave – që do të thotë një në shtatë – janë tani të zbrazëta.

    Ekspertët e ekonomisë dhe urbanistikës e përshkruajnë këtë si një një nga pasojat më të dukshme të plakjes së shpejtë dhe tkurrjes së popullsisë. Ndërkohë që qytetet e mëdha vazhdojnë të tërheqin banorë të rinj, zonat rurale po përjetojnë boshllëk masiv, duke lënë mjaft fshatra dhe qytete të vogla të shkatërrohen gradualisht.

    “Është një paralajmërim i qartë për pasojat e ndryshimeve demografike,” thotë analisti i çështjeve urbane, Kenji Takahashi. “Një komb mund të ndryshojë peisazhin e tij fizik dhe shoqëror, një shtëpi e zbrazët në një kohë.”

    Ky fenomen ka edhe implikime ekonomike: vlera e pronave bie, investitorët nuk janë të interesuar për zonat me popullsi në rënie, dhe qeveria po kërkon mënyra për të rikthyer shtëpitë e pabanuara në treg ose për të inkurajuar njerëzit të zhvendosen në to.

    Ekspertët parashikojnë se, pa politika të qëndrueshme, numri i shtëpive të zbrazëta do të rritet edhe më tej, duke prekur jo vetëm ekonominë, por edhe strukturën sociale të Japonisë.

  • Tre futbollistë do t’i mungojnë Anglisë në ndeshjen kundër Shqipërisë

    Tre futbollistë do t’i mungojnë Anglisë në ndeshjen kundër Shqipërisë

    Kombëtarja e Anglisë ,nuk do të ketë mundësi të llogarisë në tre lojtarë për ndeshjen kundër Shqipërisë.

    Marc Guehi,Nick Pope dhe Anthony Gordon pritet të mungojnë në dy ndeshjet kualifikuese kundër Serbisë ,si dhe në ndeshjen kundër kuqezinjëve në “Air Albania”në Tiranë.

    Përndryshe për lëndimin e Gordon ka folur trajneri i Neëcastle United Eddie Hoë,duke konfirmuar se lojtari ka pësuar një dëmtim të vogël,si dhe poashtu e konfirmoi edhe lëndimin e portierit Pope.

    “Nik Pope pësoi tronditje dhe kjo është arsyeja pse e nxorëm jashtë fushe. Sapo u njoftuam për këtë, ai u tërhoq. Ai nuk do të shkojë me Anglinë. Antoni ka një dëmtim të vogël, kështu që do të mungojë me Anglinë”

    Kujtojmë që Anglia e ka siguruar tashmë kualifikimin në botërorin e vitit 2026 si kombëtarja e parë nga Evropa.

  • Martesa e vonuar, zgjedhja “e mençur” e gjeneratës së re

    Martesa e vonuar, zgjedhja “e mençur” e gjeneratës së re

    Një ndryshim i thellë po ndodh në mënyrën se si njerëzit e shohin martesën. Në vitet 1970, më shumë se 80% e burrave ishin të martuar para moshës 30. Sot, ky numër ka rënë drastikisht, duke arritur vetëm në 23%.

    Ekspertët thonë se arsyeja është ndryshimi i prioritetit tek gjeneratat e reja: karriera, zhvillimi personal dhe stabiliteti financiar po vihen para vendimeve të mëdha romantike. Një pjesë e madhe e të rinjve preferojnë të eksplorojnë marrëdhënie të ndryshme, të udhëtojnë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre para se të angazhohen për një martesë të përjetshme.

    Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri e Kosovë – vendet e zhvilluara po përjetojnë të njëjtin trend. Martesa e vonuar po shihet si një hap i mençur për të ndërtuar marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të bazuara mbi përvojë dhe pjekuri emocionale.

    Sipas sociologëve, moderniteti po ndryshon edhe konceptin e “dashurisë së vërtetë”: lidhjet nuk maten më vetëm me datën e martesës, por me cilësinë e marrëdhënies, komunikimin dhe përputhshmërinë mes partnerëve.

  • Danimarka planifikon të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Danimarka planifikon të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Qeveria daneze ka njoftuar planet për të ndaluar aksesin në rrjetet sociale për të gjithë fëmijët nën 15 vjeç, një hap të guximshëm që synon të mbrojë shëndetin mendor të të rinjve.

    Sipas zyrtarëve, ekziston një marrëveshje politike, megjithëse propozimi ende duhet të finalizohet në ligj. Nën këtë plan, prindërit mund të lejojnë akses të kufizuar për fëmijët 13-14 vjeç, pas një vlerësimi zyrtar.

    Zbatimi i ndalimit do të bazohet në sistemin danez të ID-së dixhitale, dhe platformat kryesore si TikTok, Instagram, Snapchat dhe YouTube do të përballen me gjoba të rënda për shkelje.

    Autoritetet daneze thonë se ky veprim ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe reduktimin e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dëmshme, duke e bërë Danimarkën një nga vendet pionier në debatet globale mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë.

  • Shtëpia e fëmijërisë së Donald Trump në Queens, në shitje për 2.3 milionë dollarë

    Shtëpia e fëmijërisë së Donald Trump në Queens, në shitje për 2.3 milionë dollarë

    Shtëpia ku Donald Trump kaloi katër vitet e para të jetës është tani në treg për 2.3 milionë dollarë, sipas raportimeve të fundit.

    Ndërtuar në vitin 1940 nga babai i tij, Fred C. Trump, kjo rezidencë me stil Tudor ndodhet në lagjen e qetë Jamaica Estates, një zonë e njohur për shtëpitë e klasës së mesme të lartë në Queens. Shtëpia u ble në vitin 2025 nga zhvilluesi Tommy Lin për 835 mijë dollarë, i cili më pas investoi rreth 500 mijë dollarë në rinovime të plota, duke përmirësuar strukturën, brendësinë dhe ambientin e jashtëm të saj.

    Tani, pas rinovimit, shtëpia është rikthyer në treg me një çmim shumëfish më të lartë. Rezidenca përfshin pesë dhoma gjumi, 4.5 banjo, një bodrum të përfunduar dhe garazh për dy makina, duke e bërë atë tërheqëse si për banim ashtu edhe për investim.

    Shtëpia nuk është vetëm një pronë e zakonshme – ajo ka një vlerë historike, duke qenë vendi ku jetoi një nga presidentët më të njohur amerikanë gjatë fëmijërisë së tij. Ky fakt i jep shtëpisë një status unik në tregun e pasurive të paluajtshme.

    Sipas ekspertëve, çmimi i lartë reflekton jo vetëm rinovimin e fundit dhe lokacionin e dëshirueshëm, por edhe vlerën ikonike të pronës si pjesë e historisë personale të Donald Trump. Megjithatë, blerësit potencialë duhet të jenë të vetëdijshëm se shtëpia, ndonëse e rinovuar, mbetet një ndërtesë e vitit 1940 dhe mund të kërkojë mirëmbajtje të vazhdueshme.

  • Ish-presidentja Jahjaga po merr pjesë në Forumin Botëror të Paqes – Kërkon njohjen e Kosovës nga Indonezia

    Ish-presidentja Jahjaga po merr pjesë në Forumin Botëror të Paqes – Kërkon njohjen e Kosovës nga Indonezia

    Edicioni i 9-të i Forumit Botëror të Paqes po mbahet në Jakarta të Indonezisë.

    Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

    Jahjaga përmes një postimi në Facebook tha se gjatë fjalimit të saj theksoi vlerat si si demokracia, barazia gjinore, gjithëpërfshirja dhe lidershipi i gruas.

    “Ngritja e ringritja e Republikës së Kosovës para dhe pas luftës, sfidat dhe vështirësitë si dhe rrugëtimi im si Presidentja e parë grua e vendit poashtu ishin pjesë e fjalës sime, duke treguar me krenari për rrugëtimin e qëndresës dhe suksesit të vendit tim. Njëherazi theksova se kontributi im për Kosovën ka kaluar faza dhe pozicione të ndryshme institucionale, por gjithmonë me të njejtin qëllim, të mirën e përgjithshme të qytetarëve të vendit”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

    Tutje, Jahjaga kërkoi edhe njohjen e Kosovës nga Indonezia.

    “Përpos tjerash në fjalën time e theksova kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës nga Indonezia”, ka shkruar ajo.