ATV

Blog

  • U rrëzua në skenë gjatë konkursit, Miss Xhamajka pëson hemorragji në tru

    U rrëzua në skenë gjatë konkursit, Miss Xhamajka pëson hemorragji në tru

    Organizatorët e konkursit të bukurisë Miss Universe kanë publikuar informacionin më të fundit mbi gjendjen e Miss Xhamajkës Dr. Gabrielle Henry, e cila u plagos rëndë kur ra nga skena gjatë natës paraprake të konkursit më 19 nëntor. Ajo ka luftuar për jetën që atëherë.

    “Dr. Henry ra dhe u plagos rëndë gjatë sfilatës së saj në pasarelë natën paraprake më 19 nëntor 2025, duke rezultuar në një hemorragji intrakraniale me humbje të vetëdijes, një frakturë, çarje në fytyrë dhe lëndime të tjera të rënda”, thuhet në deklaratën e fundit, të lëshuar të hënën, më 8 dhjetor.

    Siç u tha, gruaja e plagosur “u dërgua menjëherë në një njësi të kujdesit intensiv në Bangkok, ku u shtrua në spital në gjendje kritike nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa vazhdon të kërkojë kujdes të specializuar 24-orësh”.

    Sipas të njëjtit përditësim, Henry pritet të kthehet në Xhamajka në ditët në vijim, i shoqëruar nga një “ekip i plotë mjekësor” dhe do të dërgohet direkt në spital për trajtim dhe rehabilitim të vazhdueshëm.

    Miss Universe tha se mbuloi shtrimin në spital të Henry-t, kujdesin mjekësor dhe kostot e rehabilitimit në Tajlandë. Organizata ndërkombëtare vuri në dukje gjithashtu se ka mbuluar kostot e akomodimit të nënës dhe motrës së saj gjatë gjithë qëndrimit të tyre jashtë vendit.

  • Qytetari në Prishtinë gjen portofolin me para dhe ia dorëzon Policisë – i kthehet pronarit

    Qytetari në Prishtinë gjen portofolin me para dhe ia dorëzon Policisë – i kthehet pronarit

    Ditën e djeshme, në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, një qytetar me inicialet S.P ka dorëzuar një portofol të gjetur, brenda të cilit kishte një shumë parash dhe dokumente personale.

    Portofoli është proceduar sipas protokolleve zyrtare dhe më pas i është kthyer pronarit legjitim.

    Policia ka vlerësuar gjestin human të qytetarit, duke shprehur falënderimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe korrektësinë që tregojnë qytetarët në raste të tilla.

  • Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Dy duele të forta ndezin Superligën e Kosovës sonte

    Elita e basketbollit kosovar rikthehet sonte me dy sfidat e para të xhiros së dhjetë, duke sjellë rivalitet dhe emocione të forta në parket.

    Derbi i kësaj xhiro pritet të ndezë atmosferën në Prizren, ku përballen Bashkimi dhe Trepça, nënkampioni dhe kampioni aktual i Kosovës. Portokallezinjtë e Prizrenit kanë bilanc prej shtatë fitoreve dhe dy humbjeve, ndërsa ‘Xehetarët’ nga Mitrovica kanë pesë fitore dhe tri humbje.

    Skuadrat kanë nisur sezonin me formë të shkëlqyer: prizrenasit regjistruan shtatë fitore radhazi para dy humbjeve, ndërsa mitrovicasit po zhvillojnë një edicion mjaft interesant me pesë fitore dhe tri humbje. Për më tepër, të dy ekipet kanë përvojë ndërkombëtare pasi morën pjesë në grupet e FIBA Europe Cup.

    Të mërkurën, Vëllaznimi do të presë Golden Eagle Yllin në një përballje ku kuqezinjtë vijnë pas dy fitoreve radhazi dhe mbajnë një bilanc prej tre fitoreve dhe gjashtë humbjeve, ndërsa therandasit kanë dy fitore dhe shtatë humbje.

    Në ditën e enjte, GO+ Peja do të përballet me Borën, me pejanët që regjistrojnë shtatë fitore dhe dy humbje, ndërsa prishtinasit tri fitore dhe pesë humbje. E një sfidë që premton tension dhe lojë të bukur është ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rahoveci 029, ku të dy ekipet kanë nga katër fitore dhe pesë humbje.

    Kalendari i xhiros së 10-të: E mërkurë | 18:45 Bashkimi – Trepça, 18:45 Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli.

    E enjte | 18:45 GO+ Peja – Bora, 18:45 Sigal Prishtina – Rahoveci 029.

  • Punimet në rrugën Kijevë-Zahaq, bëhet thirrje për kujdes, shkaku i mjegullës

    Punimet në rrugën Kijevë-Zahaq, bëhet thirrje për kujdes, shkaku i mjegullës

    Po vazhdojnë punimet në rrugën Kijevë-Zahaq, saktësisht në fshatin Dollc.

    Kompania që po realizon punimet “Benita Company” apelon te shoferët që të kenë kujdes gjatë ngasjes së automjeteve për shkak të dendësisë së madhe të mjegullës

  • Orlando dhe New York shkëlqejnë në çerekfinalet e Kupës së NBA-së, përballje e zjarrtë në gjysmëfinale

    Orlando dhe New York shkëlqejnë në çerekfinalet e Kupës së NBA-së, përballje e zjarrtë në gjysmëfinale

    Kupa e NBA-së solli spektakël gjatë natës, ku Orlando Magic dhe New York Knicks siguruan biletat për gjysmëfinale pas dy paraqitjeve mbresëlënëse, duke treguar se janë seriozisht pretendentë për trofeun e ri të ligës më të fortë të basketbollit në botë.

     

    Orlando realizoi surprizën e madhe të mbrëmjes duke mposhtur Miami Heat me rezultat 117:108, pavarësisht mungesës së yllit Franz Wagner.

    Në skenë u ngjit Desmond Bane, i cili shpërtheu me 37 pikë, duke marrë mbi supe krejt ofensivën e ekipit dhe duke u shpallur heroi i padiskutueshëm i sfidës.

    Edhe Jalen Suggs kontribuoi me 20 pikë, ndërsa Paolo Banchero, i rikthyer pas një lëndimi, realizoi 18 pikë të vlefshme për këtë fitore të madhe.

    Miami u mbajt në lojë nga 20 pikët e Tyler Herro, si dhe 19 pikët e Bam Adebayo e Andrew Wiggins, por këto nuk mjaftuan për të shmangur eliminimin.

     

     

    Në ndeshjen tjetër çerekfinale, New York Knicks treguan forcë dhe disiplinë duke mposhtur Toronto Raptors me shifrat 117:101.

    Jalen Brunson ishte thjesht i pandalshëm me 35 pikë, duke udhëhequr Knicks drejt një fitoreje të sigurt.

    Ndërkohë, Josh Hart shtoi 21 pikë, duke plotësuar një performancë të shkëlqyer ekipore.

    Për Raptors, Brandon Ingram u përpoq t’i mbante gjallë shpresat me 31 pikë, por pa mundur të ndryshojë fatin e ndeshjes.

     

    Tashmë gjithçka është gati për gjysmëfinalet, ku Orlando do të përballet me New York-un në një duel që premton intensitet, energji dhe basketboll të nivelit më të lartë.

    Përballja tjetër do të përcaktohet nga fituesit e ndeshjeve të sotme: Oklahoma City – Phoenix dhe LA Lakers – San Antonio.

    Kupa e NBA-së po sjell emocion pas emocioni, dhe gjysmëfinalet premtojnë edhe më shumë dramë dhe spektakël.

  • Kishte ofertë për futjen në politikë, Armend Mehaj ka një mesazh për të gjithë partitë politike

    Kishte ofertë për futjen në politikë, Armend Mehaj ka një mesazh për të gjithë partitë politike

    Armend Mehaj ka patur ftesë për të qenë kandidat për deputet nga dy subjekte politike. Por ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka pranuar asnjë ftesë.

    Me një mesazh të gjatë, Mehaj ka bërë thirrje për unitet mes faktorit politik në Kosovë. Ish-ministri ka thënë se është koha që secili ta vë Kosovën para vetes.

    “Të nderuar udhëheqës politik të Kosovës,
    Para nesh po vijnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe zgjedhja e Presidentit dy procese kyçe që do të përcaktojnë drejtimin e shtetit për vitet e ardhshme. Ky është një moment i ndjeshëm për Kosovën, për demokracinë tonë dhe për rrugën tonë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Pikërisht tani, vendi ka nevojë për qetësi, maturi dhe bashkëpunim, jo për përçarje e fjalë të pavërteta.

    Kosovës nuk i shërbejnë etiketimet e ulëta si “argat i Serbisë”, “tradhtar”, “në interes të Rusisë”, “hajn e jo luftëtar”, “jo atdhetar apo shkatrus”. I njoh të gjithë liderët e partive shqiptare askush prej jush nuk është kundër Republikës, kundër kombit tonë apo kundër interesit të Kosovës. Këto gjuhë nuk na forcojnë, vetëm na dobësojnë.

    Inati personal, luftërat e kota politike dhe përplasjet e panevojshme nuk mund të vendosen mbi interesin e shtetit. Inati nuk mund të jetë më i madh se vlera e Kosovës, e popullit tonë dhe e së ardhmes së vendit. Sa herë humbim kohë duke u grindur mes vete, vetëm ata që se duan Kosovën të fortë përfitojnë.

    Thirrja ime e sinqertë për të gjithë ju është kjo:

    Pavarësisht dallimeve politike, bashkëpunoni për ligjet, marrëveshjet, buxhetin dhe proceset e shtetit. Kosova nuk e përballon më barrën e përçarjes, humbjes së kohës, shpenzimeve të kota e bllokadave të panevojshme sidomos tani, kur kemi hyrë në një fazë vendimtare drejt integrimit euro-atlantik.

    Ju ftoj të garoni me programe të realizueshme, të dobishme dhe të ndershme. Programe që e ngrisin Kosovën, jo që e dëmtojnë kundërshtarin politik. Qytetarët meritojnë ide të mira, punë konkrete dhe vizion për katër vitet e ardhshme, jo akuza boshe.

    Kjo është koha që secili prej nesh ta vendosë Kosovën para vetvetes, para partisë dhe para çdo interesi personal. Vetëm kështu ndërtojmë zgjedhje të qeta, të drejta e të besueshme dhe një shtet që u shërben qytetarëve të vet, jo interesave të ngushta.

    E ardhmja jonë varet nga bashkëpunimi ynë sot dhe neser.

    Kosova meriton më shumë. Kosova meriton unitet. Katër vitet e ardhshme do të kërkojnë bashkëvendimmarrje, bashkpunim, sepse përndryshe rrezikojmë të mbesim gjithmonë në prag të NATO-s dhe BE-së por jo brenda shtëpisë së tyre. Ne duhet të jemi aty, ulur në tavolinë si partnerë të barabartë, duke marrë vendime bashkë.
    Mbajeni parasysh këtë thirrje. Nuk është thirrje politike, është thirrje për Kosovën, për stabilitetin, për interesin tonë kombëtar dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
    Kosova ka nevojë për unitet se NATO dhe BEja na pret” shkruan Mehaj në reagim.

  • Rafineria e madhe ruse mbyllet pas sulmit me dron ukrainas

    Rafineria e madhe ruse mbyllet pas sulmit me dron ukrainas

    Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi është detyruar të ndërpresë plotësisht punën pas një sulmi me dron, duke shkaktuar goditje të rëndësishme në kapacitetet energjetike të vendit.

    Rafineria Syzran, e cila ndodhet në rajonin e Samaras dhe konsiderohet një objekt strategjik për industrinë ruse të naftës, pezulloi të gjitha operacionet pasi u godit nga një sulm i forcave ukrainase.

    Sipas agjencisë Reuters, më 5 dhjetor dronët që goditën objektin shkaktuan dëme serioze në njësinë kryesore të përpunimit të naftës – pjesën më të rëndësishme të rafinerisë, e cila më herët ishte shënjestruar disa herë nga sulme të ngjashme.

    Pas këtij sulmi, rafineria është praktikisht jashtë funksionit. Ekspertët thonë se dëmet janë aq të mëdha sa që rikthimi i plotë i operacioneve mund të kërkojë deri në një muaj punime intensive, nëse jo më shumë, raporton reuters.

    Rafineria Syzran përpunon afërsisht 9 milionë ton naftë çdo vit, duke qenë një prej burimeve kryesore të furnizimit me karburant për sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, përfshirë edhe ushtrinë. Mbyllja e saj e papritur pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zinxhirët e furnizimit dhe në kapacitetet logjistike të forcave ruse në terren.

    Ky sulm është pjesë e një fushate më të gjerë të Ukrainës për të goditur infrastrukturën energjetike dhe industriale të Rusisë, me qëllim dobësimin e aftësive të saj ushtarake dhe ekonomike. Situata pritet të mbetet e tensionuar ndërsa sulmet ndaj objekteve të tilla strategjike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

  • Partitë s’mund të mbajnë tubime me diasporën në Gjermani, Ambasada ua kujton rregullat dhe ligjet në fuqi atje

    Partitë s’mund të mbajnë tubime me diasporën në Gjermani, Ambasada ua kujton rregullat dhe ligjet në fuqi atje

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë një apel për të gjithë kandidatët që do të marrin pjesë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

    Sipas njoftimit të ambasadës, për shkak të komunitetit të madh të Kosovës në Gjermani, nuk lejohen organizime të fushatës zgjedhore nga zyrtarë të huaj në territorin gjerman gjatë periudhës tre muaj para zgjedhjeve.

    “Duke pasur parasysh se kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, organizimet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftim.

  • Shqipëri: Arrestohet djali i ish-deputetit të PS

    Shqipëri: Arrestohet djali i ish-deputetit të PS

    Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, është arrestuar nga policia mëngjesin e të mërkurës, shkruan A2 CNN.

    Ai është pjesë e një grupi prej 6 personash të vënë në pranga pas një operacioni të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në zonën e Krujës dhe Niklës në orët e para të mëngjesit, ku janë ushtruar kontrolle në banesat e fisit Rraja.

    Të arrestuarit

    1-Marvin Bushati

    2-Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

    3-Sokol Qaja

    4-Gazmir Rraja

    5-Perparim Rraja

    6-Rexhep Rraja

    Këta shtetas akuzohen për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

  • Hajdari: Nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës

    Hajdari: Nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës

    Pas dështimit të seancës gjyqësore lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”, ka reaguar ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari, e cila është një nga të akuzuarat në këtë proces.

    Ajo ka deklaruar se nuk është paraqitur në seancë për shkak se, sipas saj, nuk ka pranuar asnjë thirrje zyrtare nga Gjykata.

    “Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore, lidhur çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, ka shkruar Hajdari.

    Seanca e radhës është caktuar më 13 janar, në ora 09:30.

    Kujtojmë se Prokuroria Speciale më 11 nëntor ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, Arben Lipovicës, Besa Garës dhe Ridvan Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara ngarkohen me veprat penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.