ATV

Blog

  • Meta vjen me lajme aspak të mira!

    Meta vjen me lajme aspak të mira!

    eta, kompania mëmë e Facebook, ka njoftuar se do të reduktojë me rreth 30% buxhetin për zhvillimin e Metaverse dhe pajisjeve të realitetit virtual dhe të shtuar (VR/AR) për vitin 2026. Ky vendim prek veçanërisht divizionin Reality Labs, që prodhon pajisjet “Quest” dhe platformën virtuale Horizon Worlds. Shkaku kryesor i këtij ndryshimi, sipas kompanisë, është reagimi i dobët i tregut ndaj produkteve të Metaverse.

    Që nga viti 2020, Reality Labs ka regjistruar humbje disa miliarda dollarë, duke bërë të nevojshme një ristrukturim strategjik. Në vend të kësaj, Meta synon të përqendrohet më shumë në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI) dhe pajisjeve të mençura të vlefshme, fusha që kompania e sheh si më premtuese për të ardhmen. Pas njoftimit, aksionet e Meta u rritën mbi 4 për qind, duke treguar mirëpritjen pozitive të investitorëve ndaj këtij ndryshimi strategjik.

    Në eventin Meta Connect këtë muaj, CEO Mark Zuckerberg prezantoi Meta Ray-Ban Display; syzet më të reja inteligjente të kompanisë, këtë herë me një ekran. Këto syze nuk janë AR i vërtetë, Meta po punon shumë për këtë por kompania thuhet se ka një surprizë tjetër për ne para syzeve të vërteta AR. Mark Gurman, një ekspert i industrisë, ndau mendimet e tij mbi Ray-Ban Display, duke thënë se kjo ishte hera e parë që ai pa potencialin e këtyre pajisjeve, shkruajnë mediat e huaja.

    Gurman zbuloi gjithashtu se i ishte thënë se Meta po punon në një palë tjetër syze inteligjente, këtë herë me dy ekrane. Çuditërisht, këto syze të reja nuk do të jenë as AR, por ato do të dalin në të njëjtin vit që Meta planifikon të lançojë versionin për konsumatorin të syzeve inteligjente Orion AR. Meta ka të ngjarë të ofrojë një alternativë më të lirë. Në këtë mënyrë, kompania ende mund t’i bindë konsumatorët të provojnë syzet inteligjente dhe potencialisht t’i sigurojë ata si klientë afatgjatë nëse u pëlqen ajo që shohin.

  • Nxehtësia ekstreme ndikon te të nxënit te fëmijët e vegjël

    Nxehtësia ekstreme ndikon te të nxënit te fëmijët e vegjël

    Studime gjithnjë e më të shumta po tregojnë se rritja e temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike po ndikon në shëndetin e njeriut. Një studim i fundit, i botuar në Journal of Child Psychology and Psychiatry, analizon ndikimin e nxehtësisë ekstreme në zhvillimin e fëmijëve të vegjël dhe gjen se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj temperaturave të larta lidhet me probleme në të nxënë.

    Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se nxehtësia ndikon negativisht në shëndetin fizik, mendor dhe në aftësitë e të mësuarit. Një studim i vitit 2021 tregoi se nxehtësia e tepruar pengon arritjet në testet standarde të fëmijëve dhe adoleshentëve. Po ashtu, temperaturat mbi 32°C janë lidhur me rënie të funksioneve njohëse edhe te të rriturit. Ndryshimet klimatike ndikojnë edhe në bujqësi dhe sigurinë ushqimore, duke përkeqësuar ushqyerjen e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre.

    Për të kuptuar më mirë ndikimin e nxehtësisë në vitet e para të jetës, studiuesit analizuan të dhëna për 19,607 fëmijë 3–4 vjeç nga Gjeorgjia, Gambia, Madagaskari, Malavi, Sierra Leone dhe Palestina për periudhën 2017–2020. Të dhënat për zhvillimin e fëmijëve u lidhën me të dhëna të detajuara të temperaturës.

    Rezultatet treguan se fëmijët e ekspozuar ndaj temperaturave mesatare mbi 32°C kishin më pak gjasa të ishin në nivel të mirë zhvillimi në lexim dhe matematikë. Ndikimi ishte më i fortë te fëmijët nga familje të varfra, në zona urbane dhe tek ata pa akses në ujë të pastër dhe kanalizime.

    Sipas autorëve, nxehtësia ndikon përmes dehidratimit, stresit, çrregullimeve të gjumit, dëmtimit të qelizave nervore dhe uljes së aktivitetit fizik.

    Studimi thekson nevojën urgjente për politika dhe masa mbrojtëse për fëmijët në një botë gjithnjë e më të nxehtë.

  • Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Trump do t’i detyrojë të gjithë turistët e huaj të japin pesë vjet histori të rrjeteve sociale para se të hyjnë në SHBA

    Administrata Trump do t’u kërkojë turistëve të huaj të dorëzojnë pesë vitet e fundit të historisë së tyre në mediat sociale për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

    Ky veprim drastik ishte përpjekja e fundit e presidentit Donald Trump për të shqyrtuar ata që hyjnë në vend, pasi javën e kaluar u njoftua një ngrirje e imigracionit nga 19 vende.

    Njoftimi “i detyrueshëm” u botua nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare të martën në Regjistrin Federal, transmeton Telegrafi.

    Të dhënat e mediave sociale do të kërkohen për çdo person që hyn në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania që nuk kërkojnë viza për udhëtim.

    Kjo vjen pas një njoftimi të qershorit nga Departamenti i Shtetit, që urdhëroi udhëtarët të bënin publike profilet e tyre në mediat sociale.

    Njerëzve që hyjnë në SHBA do t’u kërkohet gjithashtu të japin adresat e email-it, numrat e telefonit dhe informacionin mbi anëtarët e familjes së tyre për të arritur një kalim të sigurt.

    Njoftimi tha se publiku amerikan do të ketë 60 ditë për të dhënë komente.

    Me Kupën e Botës dhe Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara në 2026 dhe 2028, përkatësisht, do të ketë qindra mijëra udhëtarë të huaj që do të hyjnë në vend.

  • Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Festat e fundvitit/ Presidenca ndan 4600 euro për dekorim

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka ndarë 4600 euro e 1 cent, për dekorim për fundvit.

    Kontrata e kategorizuar si “Shërbime” iu dha kompanisë “Selmans Network”.

    Në ftesën tenderuese, çmimi i parashikuar i kontratës ishte 5 mijë euro.

    Por, vlera më e lartë e tenderëve të pranuar ishte 4600 euro.

    Kontrata u nënshkrua dje, teksa pritet të hyjë në fuqi së shpejti.

    Ajo nuk mund të nënkontraktohet teksa kohëzgjatja e saj është 3 muaj.

  • Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Hidhet shorti për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, dy super-derbi ndezin fazën pranverore!

    Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës së Kupës së Kosovës, duke prodhuar përballje tepër interesante dhe disa duele të zjarrta që premtojnë spektakël.

    Dueli kryesor i kësaj faze është padyshim Prishtina – Ballkani. Kampionët në fuqi të Kupës përballen me Ballkanin, skuadër që synon rikthimin te trofeu i Kupës, të cilin e fitoi dy sezone më parë pikërisht kundër kryeqytetasve. Ky takim shihet gjerësisht si një finale e parakohshme, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë dhe formën e të dyja skuadrave.

    Një tjetër super-derbi është Drita – Llapi, një duel që gjithmonë sjell tension, emocione dhe rivalitet të madh. Drita synon trofetë prej vitesh, ndërsa Llapi ka treguar se në Kupë di të surprizojë, madje edhe të fitojë. Përballja konsiderohet e hapur dhe e paparashikueshme.

    Shorti është treguar disi më i favorshëm për Gjilanin, që ndeshet me Lirinë nga Liga e Parë, si dhe për Malishevën që përballet me Trepçën ’89.

    Po ashtu, janë caktuar edhe dy duele mes skuadrave të Superligës: Drenica – Ferizaj dhe Dukagjini – Prishtina e Re.

    Ndërkaq, dy ndeshje tjera do të luhen mes ekipeve të Ligës së Parë: Feronikeli 74’ – Dinamo dhe Vushtrria – Vëllaznimi.

    Faza e 1/8-tës pritet të zhvillohet në pjesën e parë të sezonit pranveror dhe sipas gjithçkaje që tregoi shorti, tifozët mund të presin shumë emocion dhe ndeshje me intensitet të lartë.

  • Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Osmani pret në takim Begajn: Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Osmani ka thënë se me me Begajn biseduam për “bashkëpunimin tonë të pandalshëm” dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

    “Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, ka shkruar Osmani.

  • Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Murati komenton premtimin e Bedri Hamzës për rritjen e pagave

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza i cili ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve me ardhjen e tij në Qeveri.

    Murati kujton se PDK-ja ishte ndër partitë që nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për 2026-tën, e për çka thotë të ketë shpresuar se me ardhjen e Hamzës në krye të partisë do të reflektonin.

    Megjithëkëtë, Murati thotë se pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi në sjellje.

    “Bedri Hamza paska premtu që ndër vendimet e para të tij ka me qenë rritja e pagave dhe pensioneve. Mirëpo siç e dini të gjithë, as PDK-ja nuk e votoi Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke e rrezikuar kështu kolapsimin financiar të shtetit. E për me i rritë pagat dhe pensionet, duhet me pasë buxhet të miratuar. Së paku tek buxheti kam pritur që PDK-ja me Bedri Hamzën në krye do të reflektonte e ta votonte, duke e dituar se ai vetë ka qenë ministër i financave dhe e din peshën e një ligji siç është buxheti. Por ja që pavarësisht ndryshimit të emrit të kryetarit, PDK-ja nuk ndryshoi gjë në sjellje, dhe për interesa partiake është në gjendje ta sjellë shtetin buzë kolapsit financiar”, ka shkruar Murati.

    LEXONI EDHE:

    Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

  • FSK-ja përfundon kursin “Medik Luftarak”

    FSK-ja përfundon kursin “Medik Luftarak”

    Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses kursin “Medik Luftarak/Cobat Medik” për pjesëtarët e Regjimentit të parë të Komandës së Forcave Tokësore.

    Ky trajnim, i zhvilluar sipas standardeve të NATO-s, ka për qëllim pajisjen e personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë.

    Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm zëvendëskomandanti i Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, komandanti i Regjimentit të Mjekësisë, kolonel Xhevdet Tahiraj, si dhe komandanti i Regjimentit të parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli.

    Kolonel Lladrovci theksoi se trajnime të tilla synojnë ngritjen e kapaciteteve operacionale, avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe forcimin e gatishmërisë për mbështetjen e operacioneve të paqes kudo që kërkohet.

    Trajnimi i “Medik Luftarak” synon të rrisë shanset e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor.

  • Zhduket liderja opozitare venezuelase, s’e merr personalisht Çmimin Nobel për Paqe

    Zhduket liderja opozitare venezuelase, s’e merr personalisht Çmimin Nobel për Paqe

    Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, fitoi famë globale në tetor kur u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2025.

    Megjithatë, befasues është lajmi se ajo nuk do të mund ta marrë personalisht çmimin në Oslo, njoftoi Instituti i Nobelit. The Guardian shkruan se vendndodhja e Machados nuk dihet dhe mbetet e panjohur për publikun për shkak të masave të sigurisë.

    Kryeopozitarja duhej ta pranonte çmimin në zyrat e Komitetit të Nobelit në Oslo, në prani të Mbretit Harald, Mbretëreshës Sonja dhe liderëve latinoamerikanë, përfshirë presidentin argjentinas Javier Milei dhe presidentin ekuadorian Daniel Noboa.

    “Për fat të keq, ajo nuk ndodhet në Norvegji dhe nuk do të qëndrojë në skenë në kohën kur fillon ceremonia”, thuhet në njoftim.

    Kur laureati nuk mund të marrë pjesë, zakonisht një anëtar i afërt i familjes merr çmimin dhe mbajë ligjëratën Nobel në vend të tij. Në këtë rast, çmimin do ta marrë vajza e saj.

    Kur fitoi çmimin në tetor, Machado ia dedikoi pjesërisht atë presidentit amerikan, Donald Trump.

  • FIFA prezanton ndryshim të madh për Botërorin 2026: Loja do të ketë pushime të detyrueshme tre-minutëshe

    FIFA prezanton ndryshim të madh për Botërorin 2026: Loja do të ketë pushime të detyrueshme tre-minutëshe

    FIFA ka njoftuar një rregull të ri që pritet të ndikojë ndjeshëm mënyrën se si do të zhvillohet Kupa e Botës 2026. Për herë të parë, në çdo pjesë të lojës do të futet një pushim i detyrueshëm tre-minutësh rreth minutës së 23-të, duke e ndarë praktikisht ndeshjen në katër periudha – një koncept i ngjashëm me formatet e sporteve amerikane.

    Zyrtarisht, FIFA thotë se këto pushime synojnë “mbrojtjen e shëndetit të lojtarëve”. Por reagimet në komunitetin e futbollit dhe mediat ndërkombëtare tregojnë një skepticizëm të madh. Sipas tyre, ky është një hap tjetër drejt “amerikanizimit” të futbollit dhe krijimit të më shumë hapësirave për reklama televizive që sjellin fitime të mëdha financiare.

    Pushimet e reja do të aplikohen në të gjitha 104 ndeshjet e turneut, pavarësisht kushteve atmosferike. Ndryshe nga “pushimet e freskimit”, që zbatoheshin vetëm në nxehtësi të lartë, këto ndërprerje do të jenë të detyrueshme edhe në stadiumet me ajër të kondicionuar. FIFA përmend edhe ankesat e lojtarëve nga Kupa e Botës për Klube si një arsye shtesë për këtë ndryshim.

    Megjithatë, shumë media prestigjioze nga The Guardian deri te Sydney Morning Herald, theksojnë se vendimi u prezantua në një takim me kompanitë televizive, gjë që ka shtuar dyshimet se arsyeja kryesore është komerciale. Këto aludime u fuqizuan edhe më shumë nga deklarata e presidentit Gianni Infantino, i cili tha se Botërori 2026 “do të ketë një shfaqje në pjesën e parë të ngjashme me Super Bowl-in”.

    Përveç aspektit financiar, ky rregullim pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në strategjinë e skuadrave. Pushimet e reja u japin trajnerëve dy mundësi shtesë për rregullime taktike gjatë lojës, gjë që mund të ndryshojë ritmin, psikologjinë dhe dinamikën e ndeshjes – duke e afruar futbollin me basketbollin apo NFL-në, ku ndërprerjet janë pjesë thelbësore e strategjisë.

    Me këtë vendim, Kupa e Botës 2026 nuk do të mbahet mend vetëm si turneu i parë me 48 ekipe, por edhe si një eksperiment i madh që mund të transformojë përgjithmonë sportin më të ndjekur në botë.